Nga Gresa Nitaj
Kur flasim për identitetin dhe vlerat e një kombi, gjuha, patjetër që radhitet si njëra ndër elementet më të rëndësishme në formimin e identitetit kulturor të një vendi. Është pikërisht gjuha ajo e cila ngrit lartë veçantinë dhe origjinalitetin e një populli, është pikërisht ajo që gjithmonë shquhet si elementi unifikues përgjatë ndërtimit të një shteti apo kombi. E këtë funksion e pati dhe përsëri vazhdon ta ketë gjuha shqipe ndër shekuj. Përveç origjinalitetit dhe veçantisë, kjo gjuhë mvesh edhe petkun e lashtësisë, që sot llogaritet si njëra ndër gjuhët me të vjetra në Evropë dhe na identifikon neve si shqiptarë.
Për popullin shqiptar, shqipja gjithmonë ka shërbyer si urë lidhëse që bashkoi trojet e banuara me shqiptarë, të cilat pa të drejtë, u copëtuan shpesh herë nga okupatorë të ndryshëm përgjatë historisë. ‘’Gjuha Shqipe për të cilën diskutojmë ka të bëjë me interesin shpirtëror të gjithë kombit tonë, domethënë me çështjen si të shkruhet më lehtë dhe të përparojë dituria e të çlirohet kombi ynë nga turpi i gjendjes barbare dhe nga të këqijat që rrjedhin prej saj’’– shprehej dikur intelektuali Hoxhë Tahsini, që së bashku me Sami Frashërin, punuan në hartimin e një alfabeti të veçantë për gjuhën shqipe.
Kjo gjuhë së bashku me Drinin kalëruan Veriun e trevave shqiptare, ku pas vetës lanë gegërishtën e Fishtës, e përmes rrjedhës së lumit të Elbasanit, lanë pasë vetës toskërishten. Pothuajse në çdo rajon shqiptar ku ajo shkeli, la pas vetës një variant të kësaj gjuhe, që në fund kur i përmbledhim, krijojnë një pasuri gjuhësore me laramani fjalësh.
Kjo gjuhë në thelb përmban një rezistencë dhe një përpjekje të vazhdueshme nga veprimtarët tonë të shquar, për ta standardizuar dhe gdhendur mjaftueshëm nga fjalët e panevojshme në kuadër të shqipes. Kjo u dëshmua më së miri gjatë viteve 1908 dhe 1972. Prandaj, të fillojmë të flasim për gjuhën shqipe dhe historikun e saj, ne do të përballemi me një prapavijë fort të çmuar dhe në të njëjtën kohë, shumë të vështirë, mirëpo që na e mban ballin e hapur sa herë që flitet sot për gjuhët më të vjetra në Evropë.
Kur flasim për të sotmen, këtu lind pyetja se sa arrijmë ta ruajmë ne këtë gjuhë me të cilën ne krenohemi sot?! Sa arrijmë t’i përvetësojmë vlerat e kësaj gjuhe, dhe sa kontribojmë në zotërimin e mirëfilltë të saj?!
Sot gjuha shqipe po përballet me probleme dhe sfida mjaft të rrezikshme për të, të cilat janë duke kërcënuar vazhdimisht edhe normën e saj letrare. Mjafton të qasesh në rrjete sociale dhe ta shohësh degradimin e saj në masë të madhe që po i bëhet, qoftë përmes barbarizmave, lokalizmave, gabimeve drejtshkrimore dhe përgjysmimeve të fjalëve. Nuk e përjashtoj mundësinë që barbarizmat dhe lokalizmat kanë ekzistuar edhe më më parë në gjuhën shqipe, përkundrazi, meqë shumë fjalë të huaja na u janë imponuar nga okupimet e ndryshme përgjatë historisë, e që ne fatkeqësisht vazhdojmë t’i përdorim edhe sot. Mirëpo, problemi është se sot, në kushte lirie, ne mbajmë të hapur kufirin me shtete të ndryshme të botës, duke lejuar qarkullimin e mijëra fjalëve të huaja nëpër gjuhën tonë. Shpeshherë duke eksperimentuar me fjalë të huaja, ne po degradojmë shqipen. E ky degradim fatkeqësisht po mbizotëron edhe tek institucionet dhe instrumentet më me ndikim në shoqëri, përfshirë këtu edhe mediet.
Një hulumtim i realizuar nga Top Channel[1] gjatë vitit 2020, konstaton se 500.000 fjalë të huaja janë futur në gjuhën shqipe, ku më së shumti kërcënim shprehin gjuha angleze dhe ajo italiane. Mirëpo, ky hulumtim veçse na e vulos realitetin sa i përket gjendjes së gjuhës shqipe në këtë aspekt, meqënëse edhe vetë nga jeta e përditshme ne mund ta vërejmë fare lehtë këtë. Mjafton të hapësh një program në Shqipëri dhe sheh sesi fjalët nga dy gjuhët në fjalë kanë vërshuar mbi diskursin mediatik. Kjo dukuri e ‘infektimit me gjuhë të huaja’ ka kapluar edhe Kosovën, ku dominon bindshëm ndikimi i gjuhës angleze. Përshembull sot, rrallë herë themi ‘’fundjavë’’, atë e kemi zëvendesuar me ‘’vikend’’, gjithashtu nuk themi më ‘’kujtesë’’ por ‘’memorie’’ e nuk themi më as ‘’laramani’’ por e kemi zëvendësuar me ‘’diversitet’’.
E kur e sheh këtë dukuri me zëvendësimin e fjalëve të huaja, të vie në mend poeti Jeronim De Rada, kur ndër të tjera shprehej se: ‘’Gjuha Shqipe rri mënjanë, si gjuhë origjinale: E pandryshueshme dhe jo e përzier në trungun e saj si sanskritshtja, greqishtja, latinishtja dhe gjuhët e tjera që rrjedhin syresh’’. Ishte pikërisht origjinaliteti i shqipes, elementi mbi të cilin De Rada e vlerësonte lartë shqipen, si gjuhë e dallueshme nga të tjerat. Çështja këtu është se do të hyjnë përsëri fjalë të reja, mirëpo ne duhet të vazhdojmë të lexojmë, sepse në këtë mënyrë ne veçse e ‘ujitim’ edhe më shumë farën e gjuhës shqipe
Krahas fjalëve të huaja, sfidë tjetër e shqipes janë edhe lokalizmat e përdorura në komunikimin publik, që shpesh herë të ngjason se shqiptarët po ngatërrojnë komunikimin e përditshëm me atë publik. Kjo vërehet më së miri tek gjuha e përdorur në rrjetet sociale, qoftë nga persona me ndikim në publik, e qoftë edhe nga qytetarët e zakonshëm. Rrjetet sociale sot janë shndërruar një hapësirë manovrimi sa i përket gjuhë shqipe, ku të dëshmojn qartë se sa ‘’njohës të mirë të gjuhës jemi’’.
Krahas medias, edhe institucione të ndryshme me rëndësi në vend po kontribojnë në cungimin e shqipes. Këtë mund ta vërejmë përmes paraqitjes së tyre në publik, që kur iu drejtohen qytetarëve me zhargonin e fushës tyre, të japin bindjen se i gjithë populli janë politikanë dhe ekonomistë. Kur jemi tek këta të fundit, kohëve të fundit e kemi parë sesi kur flitet për pandeminë, përdorin ‘’kurba’’ në vend të ‘’lakores’’, që të ngjason sikur secili nga ne jemi ekspertë të fushës së ekonomisë.
Andaj, problemet që përmendëm më lartë, janë vetëm disa prej të cilave po ballafaqohet gjuha jonë sot. Kjo gjuhë e cila me shumë vështirësi i rezistojë pushtimeve të ndryshme, tani po rrezikon të pushtohet nga teknologjia, ku ne folësit e saj, ia kemi hapur derën kësaj të fundit. Gjuha shqipe po rrezikohet edhe nga mospërdorimi i saktë i saj.. kjo gjuhë që përderisa popujt e tjerë i humbën gjuhët e tyre, ne e trashëguam këtë gjuhë të lashtë. Prandaj, kjo është arsyeja thelbësore pse ne duhet ta ruajmë dhe ta përvetësojmë atë sa më shumë. Ndër të tjera, ne kemi edhe plot arsye të tjera të krenohemi me gjuhën tonë, sepse ashtu siç shprehej edhe Ernest Koliqi: ‘’Gjuha jonë asht’ e bukur. Nuk e tham kët pse si Shqiptar më duhet me lavdue gjuhën shqipe, por pse jam i bindun qi kemi nji gjuhë në vetvete të bukur. Gjuha jonë asht’ e bukur sidomos pse asht’ e vjetër. Gjuha shqipë asht’ e bukur pse asht burrnore e prandej fisnike, zemrake dhe krenare.’’
[1] Top Story/ Mbi 500 mijë fjalë të huaja nga anglishtja dhe italishtja që kanë hyrë “pa doganë” në gjuhën shqipe. 14 Janar, 2020. https://top-channel.tv/2020/01/14/top-story-mbi-500-mije-fjale-te-huaja-nga-anglishtja-dhe-italishtja-qe-kane-hyre-pa-dogane-ne-gjuhen-shqipe/