“SPÄTWERK” nga Dren Maliqi, një reflektim mbi dy dekada arti

Flonja Haxhaj

Të enjten, në Galerinë Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita ‘SPÄTWERK’ e artistit Dren Maliqi, ekspozitë kjo që sjell një përmbledhje të veprave të krijuara gjatë dy dekadave të fundit, nga viti 2003 deri në vitin 2023.

Kuruar nga Catherine Nichols, kjo ekspozitë është një udhëtim përmes punëve të ndryshme artistike, që përfshijnë fotografi, video, piktura, instalacione, postera dhe projekte pjesëmarrëse, duke ofruar një reflektim të thellë mbi tensionin mes mendimit dhe veprimit që karakterizon krijimtarinë e Maliqit.

Veprat e Maliqit ekspozohen në një rrjedhë të vazhdueshme në katin e parë të galerisë, ku veprat e hershme ndërthuren me ato më të rejat, duke krijuar një dialog të vazhdueshëm mes së kaluarës dhe së tashmes. Ky përzierje kohore ofron një perspektivë të re mbi temat historike, sociale, kulturore dhe politike, duke vënë në pikëpyetje natyrën e artit bashkëkohor dhe rolin e tij në botën moderne.

Artisti Dren Maliqi, tha në hapje të ekspozitës se këto vepra paraqesin punën e tij 20-vjeçare dhe se çfarë flasin ato edhe në ditët e sotme.

“Me Catherine jam njoftuar gjatë periudhës së Manifestës. Kemi punuar për një vit dhe ka vazhduar kontaktin deri sa vitin e kaluar unë i kam propozuar dhe ajo më ka shtyer që të bëj këtë ekspozitë. Ekspozita titullohet ‘Punë të vonshme’ , jemi munduar që të paraqesim një punë të 20 viteve të fundit dhe me i rishiku sot çfarë flasim ato”, tha Maliqi për KultPlus.

Kuratorja e ekspozitës, Catherine Nichols, tha për KultPlus se u takua për herë të parë me Dren Maliqin tek ‘Manifesta’ dhe që atëherë filluan të flisnin për artin dhe aty ishte edhe zanafilla e këtij bashkëpunimi.

“Ne filluam të flasim tre vite më parë kur unë fillova të punoj tek ‘Manifesta’. Ne filluam të flasim rreth artit dhe unë zbulova sa në mënyrë inteligjente ai fliste për artin dhe historinë e artit. Ne folëm dhe më pas Dreni vendosi  që të bëjë një ekspozitë për t’u kthyer pas në veprat e tij të mëhershme dhe në veprat e fundit gjithashtu” theksoi Nichols.

Ndërkaq, ‘SPÄTWERK’ do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 30 tetor 2024./KultPlus.com

Sonte hapet ekspozita personale e Dren Maliqit “Dren Maliqi – SPÄTWERK“

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, sonte do të hapet ekspozita personale e Dren Maliqit “Dren Maliqi – SPÄTWERK“ e cila është e kuruar nga Catherine Nichols.

Kjo ekspozitë prezanton punë nga viti 2003 deri në vitin 2023. Duke përfshirë fotografi, video, piktura, instalacione, postera, pjesë të bazuara në tekste si dhe forma të ndryshme të praktikave pjesëmarrëse shoqërore, punët dëshmojnë vazhdimësitë dhe shkëputjet, periudhat e pjesëmarrjes dhe tërheqjes dhe mbi të gjitha tensionin ndërmjet mendimit dhe veprimit që e karakterizon punën e Maliqit. 

Parapremiera për media dhe gazetarë mbahet nga ora 18:00 deri në 19:00./ KultPlus.com

“Back to the Gorges of Balkan” ekspozita e radhës që përfshinë katër artistë

Galeria 17, më 5 korrik do të prezantojë ekspozitën “Back to the Gorges of Balkan”, ekspozitë që është kuruar nga Thibaut de Ruyter dhe me pjesëmarrje të artistëve Dren Maliqi, Driton Hajredini, Jakup Ferri dhe Merita Harxhi Koci, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë vjen në kuadër të temës Arkivimi i Tranzicionit, një prej  katër temave që Galeria 17 trajton në kuadër të programit të vet.

Kuratori dhe kritiku i artit Thibaut de Ruyter është ftuar që të reflektojë mbi këtë temë dhe ai ka përzgjedh që ta vë në një kontekst një prej ekspozitave më të mëdha të artistëve të Ballkanit.

Në vitin 2003, kuratori i famshëm gjerman René Block organizoi një ekspozitë të madhe me jo më pak se 90 artistë nga ish-Jugosllavia, Shqipëria, Turqia, Greqia, Bullgaria dhe Rumania. Titulli i ekspozitës “In den Schluchten des Balkan [In the Gorges of Balkan] –” u mor nga një roman i shkruar nga Karl May në vitin 1892 dhe theksoi me ironi faktin se Evropa Perëndimore më në fund po shikonte një territor dhe skenë arti mjaft të panjohur. Pikërisht njëzet vjet më vonë ne rindërtojmë, në Galerinë 17, pjesëmarrjen e katër nga shtatë artistëve nga Kosova dhe prezantojmë veprat artistike që ishin ekspozuar në Gjermani për vizitorët në Prishtinë. Do të jetë një shans unik për të zbuluar video ose instalacione të hershme nga artistë të njohur kosovarë, për të eksploruar arkivin e një ekspozite të rëndësishme, por gjithashtu, për të parë se çfarë ka ndryshuar (ose jo) në skenën e artit vendas gjatë dy dekadave të fundit.

Ekspozita do të hapet në ora 19:00./ KultPlus.com