Ministri Gashi: Dresniku do të shndërrohet në parkun e dytë arkeologjik në Kosovë

Në Lokalitetin Arkeologjik në Dresnik, sot, u shënuan Ditët e Trashëgimisë Kulturore Evropiane dhe Viti Evropian i Trashëgimisë Kulturore. Me këtë rast, në këtë lokalitet, qëndroi për vizitë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili në fjalën e tij të rastit u shpreh i kënaqur që gjendet në këtë lokalitet.

“Ditën e Trashëgimisë Evropiane në të gjithë Evropën dhe Republikën e Kosovës janë kthyer në një ngjarje të rëndësishme kulturore, edukative, sensibilizuese dhe dijetare jo vetëm për institucionet tona por edhe për qytetarët tanë”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu njoftoi se për nderë të kësaj dite, në Kosovë tashmë janë zhvilluar shumë aktivitete, ku përfshihen të gjitha institucionet që merren me Trashëgimin Kulturore.

“Me organizime të shumta, siç është edhe ky i sotmi, synojmë ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e trashëgimisë tonë të përbashkët kulturore evropiane, duke e trashëguar atë për brezat e ardhshme”, tha ministri Gashi.

“E veçanta e kësaj ngjarje është fakti që për herë të parë kjo ngjarje ka ndodhur në lokalitetin e Dresnikut si njëra nga vendbanimet më të rëndësishme në Dardaninë Antike, në të cilën janë duke u zhvilluar punët intensive nga Institucionet tona dhe punëtorët profesionalë të fushës së Trashëgimisë Kulturore”, theksoi ministri Gashi.

Ai, ndër të tjera tha se rëndësia e këtyre gjetjeve është që ky lokalitet të bëhet prioritet dhe të ndryshohet në një pikë turistike në kuadër të zhvillimit të kulturës turistike në vendin tonë.

“Më lejoni të rikonfirmoj për përkushtimin tim dhe të Ministrisë që drejtoj, në mbështetje të plotë institucionale për fushën e Trashëgimit Kulturore”, përfundoi ministri Gashi./KultPlus.com

Në qarkullim pullat postare “Trashëgimia -Lokaliteti antik i Dresnikut”

​Nga sot Posta e Kosovës lëshon në qarkullim të rregullt postar emisionin e pullave postare me titull “Trashëgimia-Lokaliteti antik i Dresnikut”.

Ky emision, përmes dy pullave postare dhe bllokut filatelik, prezanton segmentet e mozaikut, pjesë e një qyteti të madh të vendbanimit Dardan që më vonë pushtohet nga Roma. Ekspertët kanë konstatuar nëntë ngjyra në mozaik me figura dhe motive të ndryshme. Mozaiku është i rrethuar me kornizë në formë zemre.

Dresniku është njëri prej lokaliteteve arkeologjike më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por edhe në Rajon. Prandaj me plot të drejtë mund të themi se Dresniku mund të jetë destinacion më i preferuar për turizëm, adhurues të arteve historike.

Bazuar në deklaratat e arkeologëve, baza e qytetit është ndërtuar para Erës së Re, ndërsa gjatë pushtimit romak, merr trajtat e urbanizimit dhe arkitekturës romake. Themelet e bazilikës së zbuluar tregojnë që qyteti ishte i shtrirë në të paktën dhjetëra hektar tokë, përfshirë hapësirat e rrugëve, banesave dhe objekteve publike. Veçanti e objekteve kishtare është se bazilikat janë të kthyera kah veriu./ KultPlus.com