Flonja Haxhaj
Dita Ndërkombëtare e Gruas u shënua mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery në një formë tejet të veçantë me hapjen e ekspozitës ‘Feminizmi në art’ nga artistët Drilon Shoshi, Tinka Kelmendi, Eris Havolli, Nderim Bytyci, Debora Hetemi, Albiona Berisha, Dijeta Smajlaj, Gerta Hameli dhe Diella Valla, shkruan KultPlus.
Nëntë piktura të formave e madhësive të ndryshme e që kanë për tematikë figurën e gruas i dhanë një tjetër frymë kësaj galerie duke përçuar një mesazh tejet të fuqishëm e domethënës. Nëntë artistë tejet të talentuar, zgjodhën pikërisht këtë medium jo vetëm për të shënuar këtë ditë, por përmes pikturave të avokojnë për të drejtat e grave, lirisë e shprehjes së lirë.
Në hapjen e kësaj ekspozite që kishte sjellë pas vetes shumë artdashës, e para e mori fjalën piktorja Diella Valla, e cila në këtë ekspozitë vjen për herë të parë në rolin e kuratores. . Ajo në hapje të ekspozitës falënderoi të gjithë të pranishmit dhe u shpreh e lumtur që kjo ekspozitë vjen pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
“Sot shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Gruas në një formë më të veçantë, përmes hapjes së ekspozitës ‘Feminizmi në art‘. Kjo ekspozitë ka të bëjë më avokimin për të drejtat e grave, në të njëjtën kohë jo vetëm me shënimin e ditës së 8 Marsin por edhe me barazinë gjinore, po ashtu edhe me inicimin e të drejtave, lirisë, shprehjes së lirë e cila përçohet përmes mediumit artistik të pikturës”, u shpreh kuratorja Valla.
“Nëntë pikturat e paraqitura iniciojnë figurën e gruas, përkatësisht kemi të bëjmë me figuracione, me paraqitje abstrakte, me portrete të grave e autoportrete e shumë të tjera”, tha më tutje valla duke i ftuar më pas edhe artistët e tjerë të ekspozitës duke realizuar një fotografi të përbashkët.
Më pas, për KultPlus foli edhe artisti Drilon Shoshi, i cili barrierat me të cilat përballen gratë i ka paraqitur në pikturën e tij të titulluar ‘Freedom’, e që përcjell mesazhe përmes formave abstrakte dhe figurave të koduara.
“Në këtë pikturë kam paraqitur një grua se si përballet me shumë vështirësi dhe në fund ia del mbi të gjitha ato që i ka synuar. Aty kam përdorur edhe forma abstrakte dhe figura të koduara. Jam i lumtur që po e paraqes këtë pikturë domethënëse në këtë ekspozitë që mbahet pikërisht në Ditën Ndërkombëtare te Gruas’, u shpreh Shoshi.
Ndërkaq, artistja Debora Hetemi, vjen në ekspozitën ‘Feminizmi në art’ përmes një pikture tejet të veçantë ku janë të ilustruara një grua dhe një zebër, e kjo lidhje sipas artisteve paraqet edhe mesazhin e saj e që ka të bëjë pikërisht me veçantinë që ka çdo grua në vete.
“Unë kam shumë dëshirë që t’i përfshij gratë në pikturat e mia, figuracioni më pëlqen shumë sidomos figura e gruas. Në këtë pikturë që kam ekspozuar këtu, kam dashur të paraqes gruan, mirëpo në këtë rast edhe me një zebër. Arsyeja që kam paraqitur zebrën është për faktin se e shoh si një kafshë shumë të veçantë, dhe vetë fakti që çdo zebër e ka veçantinë e saj në linjat e trupit, e kam lidhur veçantinë e saj me çdo veçanti që e ka çdo grua në vete”, u shpreh mes tjerash artistja Hetemi.
E në mesin e pikturave të paraqitura në ekspozitën ‘Feminizmi në art’, vëmendje të madhe mori edhe piktura e artistit Eris Havolli, i cili ka paraqitur portretin e Frida Kahlos, gruas që njihet si një artiste që theu shumë tabu dhe la gjurmë të pashlyeshme në fushën e pikturës.
“Zgjodha që ta ekspozoj portretin e Frida Kahlos për shkak që Frida ka qenë një artiste e cila përmes artit të saj ka prekur shumë çështje të grave duke filluar nga lindja e fëmijëve e deri tek aborti. Gjërat që konsideroheshin tabu, Frida i thyente përmes artit”, tha Havolli, i cili më tutje u shpreh i lumtur për prezencën e tij në këtë ekspozitë.
I pranishëm në publik ishte edhe Esat Valla, piktori dhe profesori i njohur i cili vlerëson lart veprat e paraqitura dhe e sheh si një sukses ekspozimin e tyre pikërisht më 8 Mars.
“Unë e shoh këtë ekspozitë si një ekspozitë tejet të suksesshme ku dominon tema për gruan edhe njëherit është një datë si 8 Marsi dhe përputhet me emancipimin e gruas. Jo vetëm pse është 8 Marsi por kjo temë paraqitet me kuptimet më të gjera për gruan dhe emancipimin e saj ndër vite”, u shpreh Valla, duke përgëzuar më tutje edhe Diella Vallën, për paraqitjen e saj të parë në rolin e kuratores.
Ndërkaq, ju kujtojmë që ekspozita ‘Feminizmi në Art’ është mundësuar nga Komuna e Prishtnës. / KultPlus.com