Është bërë hapja solemne e edicionit të tretë të manifestimit tradicional kulturor – shkencor “Drita e Gonxhes”, ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka bërë homazhe edhe te shtatorja e “Nënë Terezës”, në sheshin që mban emrin e shenjtores në Prishtinë.
Kurti tha se 26 gushti i sivjetmë i ka bërë bashkë për të hapur aktivitetet në Kosovë të manifestimit kulturor dhe shkencor “Drita e Gonxhes”.
Ai tha se 26 gushti është data e saj e lindjes, kurse 27 gushti është data e pagëzimit të saj nga Don Zef Ramaj.
Në fjalën e tij, Kurti foli për biografinë e Nënë Terezës, teksa tha: “Anjeze Gonxhe Bojaxhiu ka lindur sikur sot, plot 113 vite më parë, më 1910 në Shkup, atë botë kryeqendra e Vilajetit të Kosovës. Ishte vajza e Nikollë Bojaxhiut, i lindur në Prizren në një familje të ardhur nga Fani i Mirditës dhe i nënës Drane Barnaj nga Novosella e Gjakovës. Vajzë shqiptare e një patrioti, e cila lindi në periudhën osmane dhe që ishte fëmijë kur vendi i saj u pushtua nga fqinjët, gjatë Luftës së Parë Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Pas vdekjes së babës Kolë kur ajo ishte pothuajse 9 vjeçare, Anjeze Bojaxhiun e rriti nana Drane, sikur edhe vëllaun dhe motrën e saj, Lazërin dhe Agen”.
Kurti tha se figura e Nënë Terezës si Tereza e Kalkutës dhe si Shën Tereza, vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën, “teksa fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre”.
Duke uruar që aktivitetet e këtij manifestimi të shkojnë mirë dhe mbarë, si në Prishtinë ashtu edhe në Shkup e në Tiranë, kryeministri u shpreh me shpresë që “Drita e Gonxhes” të përhapë dritë nga shembulli që Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza dha me jetën e saj për njerëzoren e secilit ndër ne./KultPlus.com