Kartolina, dritarja prejku bota u njoh dhe u magjeps me bukurinë e gruas dhe veshjes tradicionale shqiptare

Nga Albert Vataj

Bukuria e gruas dhe magjia e mrekullisë së veshjes karakteristike shqiptare patën kartolinën si përçuesin më origjinal dhe më besnik të asaj vlere unike të përkatësisë sonë identitare, e cila shërbeu si një mundësi komunikimi dhe prezantimi me kulturat dhe traditat.

“Kujtim prei Maleve t’Shqypeniis” është mbishkrimi i kësaj fotoje të “Marubit”, e cila u shumëfishua në funksion të kartolinës. Vendosja e diçiturës në pjesën e poshtë, dhe në të sipërme, ose ndryshimet në këtë komponent, tregojnë për shumësinë e herëve që kjo kartolinë u botua.

Historia e kartolinës shqiptare është mbinjëshekullore. Fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shekullit të njëzetë është koha kur Shqipëria u fut në kartolina, kryesisht përmes një manifestimi të bukurisë karakteristike të gruas shqiptare në veçanti dhe larmisë së veshjeve të saj. Një ndër koleksionet më të bukura të kartolinave shqiptare është ai i një autori austriak realizuar në zonën e Shkodrës, por u dominua nga fotot e Marubit. Por vitet më të mira për kartolinat shqiptare filluan pas viteve 1910-1915 e më vonë, sidomos në vitet tridhjetë, kur pati një kulminacion kartolinash shumë prej të cilave kanë arritur të mbijetojnë deri sot. Madje disa ekzemplarë të rrallë, si fotoja e publikuar, vijojnë të shiten në internet. Këto kartolina shtypeshin jashtë sigurisht, shumica ishin të teknikës bardhë e zi. Kartolinat e para mendoj se janë shtypur në Turqi. Tematika e tyre përqendrohej në kostumografinë shqiptare të kohës dhe ishte kjo veçori që e shtoi vlerën e këtij lloj publikimi.

Më pas kartolinat nisën të shtypeshin në Austri, Itali, në Kostancë të Rumanisë, dhe kudo ku kishte shqiptarë dhe shoqata shqiptare, madje edhe në Amerikë. Autorët ishin shqiptarë ose të huaj. Ishim të panjohur dhe misterioz për një pjesë të vendeve dhe kulturave dhe kartolina u shfaq si një prezantim unik i kësaj kulture dhe tradite, vlerat e së cilës ishin po kaq perëndimore sa e çdo vendi ku ajo u pa dhe u trajtua si një befasi.

Veçantia e kartolina qëndron te pasuria dhe shumëllojshmëria e veshjeve popullore shqiptare që u përfshi në subjekt. Ishin kartolinat nëpërmjet të cilave kaloi në një masë të konsiderueshme njohja, prezantimi dhe manifestimi i vlerave etnografike. Veshjet tradicionale shqiptare, si një prej komponentëve më unik të traditës ushqyen kartolinën shqiptare dhe e pasuruan atë më hir dhe bukuri që përgjithësisht ishte fare e panjohur. Kartolina udhëtoi ndoshta më shumë dhe më shpejt se çdo formë tjetër e prezantimit të këtij thesari të kombit shqiptar.

Duke cituar albanologun kanadezo-gjerman, Robert Elsie, kumtojmë se: Izolimi tradicional i shqiptarëve nga pjesa tjetër e Evropës bënë që veshjet popullore të shfaqnin tipare të veçanta dhe shpesh të rralla, të cilat mahnitën udhëtarët e parë evropianë. Në Malësinë e Veriut çdo fis, bile çdo luginë dhe çdo fshat, kishte veshje të veta, të cilat ishin të dukshme për popullatën në përgjithësi. Veshjet popullore tregonin jo vetëm përkatësinë fisnore dhe fetare, por edhe – për femrat në shumë raste – nëse gruaja në fjalë ishte e martuar apo jo. Veshjet popullore shqiptare ishin në përdorim të përgjithshëm deri në vitet ‘30, dhe në disa treva shqiptare edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Madje edhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetenjë nuk është gjë e rrallë të shohësh gra të cilat përdorin veshje popullore përditë, apo të paktën në ditën e pazarit. Kjo vlen në radhë të parë për Veriun e Shqipërisë në rrethet e Shkodrës, të Malësisë së Madhe, të Lezhës dhe të Mirditës, por veshjet shfaqen tek-tuk edhe në zonat e thella të Shqipërisë së Jugut, të Kosovës, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë.

Sot këto kartolina mund të jenë; grishje në nostalgji, magjepsje prej së bukurës origjinale, sikurse objekt studimi ose lakmi e koleksionistëve. Duke i rikthyer në trajtim dhe kujtesë, rrekemi të forcojmë lidhjet me të shkuarën dhe vlerat që ata përfaqësuan. Përmes këtyre fotove vjen e shkuara dhe i pëshpërit në vesh të sotmes, ndoshta duke i lënë ndonjë amanet apo përmbushur ndonjë premtim, por edhe për t’uy mburruar për atë çfarë ajo ishte dhe misionin që ju besua.

Kartolina të ndryshme të publikuara në kohë dhe nga botues të ndryshëm i gjeni te linku i poshtëshënuar.

http://www.albanianart.net/costumes/index.htm

Kartolina e publikuar si ilustrim i shkrimit, origjinale, shitet në linkun e poshtëshënuar kundrejt vlerës 9 euro.

https://www.ansichtskartenversand.com/…/12817200-AK…/…

Një tjetër printim i kësaj kartoline shitet në linkun e poshtëshënuar për vlerën 16.79 euro.

https://www.delcampe.net/en_US/collectibles/postcards/albania/albania-ëoman-from-the-mountains-publ-marubbi-1982923996.html

Fragment nga romani ‘Dritarja e Marin Shkrelit’

Ndue Ukaj

Është mars e lulet kanë çelë në kopsht, dielli ngroh për mrekulli e malet, fushat, pemët, mbushen jetë, netët shndrisin me hënë e yje plot. Gjithçka përtërihet e kthehet në jetë, gjethet, lulet, bari, mollët, rrushi, arrat, përveç njeriut, njeriut që kurrë s’mund të kthejë asnjë çast të jetës së tij.

Marini kundron në dritaren kah perëndon dielli, në atë dritare në të cilën ka kaluar qindra e mijëra orë duke pritë të zbardhte një ditë dhe të thoshte atë fjalën e shumëdëshiruar, të ëmblën, të madhe sa krejt universi – “tani jam i lirë!”

Përsëri është mars, si atëherë bulëzon natyra, zogjtë kthehen nga shtegtimet e tyre me melodi të ëmbla, dielli ngroh dhe dëfton se përpara ka ditë me diell e plot jetë, sepse stinët përherë janë njëlloj, janë njerëzit që ndërrojnë, shndërrohen, kalojnë nëpër to, lënë gjurmë dhe ikin, të rinjtë bëhen më të rritur dhe nostalgjikë, ëndërrojnë kohët e shkuara, shumë të tjerë përshëndeten me këtë jetë.

Marinit i duket vetja në ëndërr, fshin sytë, drejtohet te pasqyra, ia ngul sytë asaj, si të ishte pasqyra një armik i tij, ia ngulit sytë si thonjtë dikujt në qafë.

Pasqyra s’bërtet, as s’qan, por ai ndjen tmerr.

Pasqyra është tmerri njerëzor, thotë me vete, sa herë këqyremi në të, shohim gjëra, që s’na pëlqejnë, njolla që s’duam t’i kujtojmë.

Dhe ai rrapëllin nëpër kornizat e pasqyrës, zgurdullon sytë, por sheh turbullt. I duket se sheh një Marin tjetër, një njeri tjetër të drobitur, me lëkurë të përzhitur e me sy të tkurrur, të cilit mezi i duken bebëzat e syve.

Mund të hyjë brenda njeriut një njeri tjetër, ta dëbojë të vërtetin dhe ta marrë jetën e tij nën kontroll?

Kjo pyetje e godet si rrufeja dhe i ushton në vesh, me dy duart e tij i prek veshët, i mbyll, pastaj fërkon fytyrën dhe hap sytë.

Ndodh shpesh që në një çast jete, njeriu t’i rikthehet vetvetes, përvojave të tij, ndjenjave të fashitura, besimeve, mosbesimeve dhe kur këqyret në pasqyrë, sheh më shumë se një fytyrë, s’sheh sy specifik, për shembull sy blu të zhytur në të gjelbër, por sheh shumësi sysh që parakalojnë në jetën e tij dhe formojnë portretin e tij, sepse një fytyrë njerëzore e përmbushin shumë fytyra e sy të tjerë, që parakalojnë nëpër të, lënë gjurmë dhe ikin.

Marini shikon ngultas pasqyrën. Shikon veten. Qeshet, ngryset, si të jetë në një skenë duke ushtruar shfaqjen e dramës së jetës së tij.

Pastaj i tërheq sytë, shikon teposhtë, përsëri mbledh forcën dhe i kthen sytë në dritën e pasqyrës, në vezullimën e saj, përsëri e njëjta gjë, përballë tij është drita e pasqyrës dhe hijet e një jete, që i duket se lëvizin nëpër të.

Mund të hyjë brenda një njeriu një njeri tjetër, ta dëbojë të vërtetin dhe të merr jetën e tij në kontroll?

Pyetje e llahtarshme.

Jo, kjo s’është pyetje, është heshtë që shporon kraharorin e njeriut.

Marini në atë gjendje kthehet dhe lëviz me hapa të ngadalshëm si njeri nate, si një shtegtar, që kërkon diçka të humbur, kohën, kohën e tij që s’është më e tij, kohën që s’kthehet kurrë.

“Po, mund të ndodhë”, thotë, “të hyjë brenda një njeri, të hyjë një njeri tjetër, përmes një ideje të çmendur ose përmes një dashurie kozmike dhe ta dëbojë të vërtetin, ta pushtojë tërë hapësirën në zemrën e tij, mendimet, peizazhet dhe t’i shfaqë përpara vetëm çka dëshiron, sikur ngjan me një zemër të rrëmbyer nga dashuria, që duket sikur jeton gjithandej a në fakt jeton vetëm në orbitën e dashurisë.

Kështu kanë bërë të gjitha ideologjitë që i kanë marrosë njerëzit, ndryshe, si mund të shpjegohet fakti se ka turma pafund njerëzish që janë në gjendje të vdesin për një ide që as s’është e tyre e as s’e kuptojnë?

Të gjitha revolucionet, nazizmi, fashizmi, komunizmi, këto ideologji të përdala e barbare, krijuan besimtarë të çmendur dhe perandori të çmendura, dhe një masë e çmendur besimtarësh që u shkonin prapa, kanë hyrë brenda njeriut dhe e kanë të dëbuar të vërtetin.”

Janë orët e fundit të pasdites. Rrezet e diellit ende janë pingul në tokë, por më të zbehta. Marini është në shtëpi dhe ec nëpër jetën e dikurshme, jetën e tij të gjorë dhe ndjen mbi veten një si lloj pllake mermeri, e ftohtë, si pllakë varri.

Ai ndjehet me barrë, po me barrë të rëndë, me barrën e historive të patreguara dhe ka nevojë të lirohet. Dhe në një gjendje agonie ecën nëpër jetën e tij, siç ndodh përherë, kur njeriu ballafaqohet me kujtesën, me nostalgjinë, me këtë sëmundje të tmerrshme dhe habitur i shfleton fletët e hershme të jetës së tij, zhgropos varre brenda tij, të paqarta janë kujtimet e tij, të zhubravitura si një letër zbehtë, ‘duhen sy të kthjellët qiellorë për t’i parë’, thotë, teksa sheh se datat dhe ngjarjet janë kryqëzuar dhe e kupton se mbi të vërshojnë ujëra të turbullta shirash të pandërprerë – shirat e ashpra të kujtesës, të cilat s’mund t’i ndalë.

I duket sikur kujtesa e ka futë në kurth, e josh, e thërret, ndonëse ai ka dëshirë të ecë përpara. Të zërë kohën e humbur. Çfarë marrëzie! Dhe në atë gjendje bën disa lëvizje të pakuptimta, pastaj sytë i shkojnë në tavolinën ngjyrë kafe, mbi të cilën qëndron një libër i hapur. E shikon habitshëm. Libri e grish si një enigmë, së cilës i afrohet me shumë dyshime, ia ngul sytë thellë, siç ia ngul sytë njeriu një gjëje të panjohur, i dyzuar mes frikës e kureshtjes. Përskaj librit është një vazo e bukur ngjyrë e kuqe si trëndafil, kujtim nga e ëma, e cila vdiq para katër vjetëve, dy vjet pas vdekjes së të atit. Një lule porsa ka çelë dhe e sodit me mallëngjim, si diçka që s’i përket atij. Dhe ngadalshëm e shikon librin, fletën e hapur, mbyll sytë dhe i hap përsëri. Oh, është ajo poezia “Qirinjtë” e poetit Konstandin Kafavis, forca e së cilës e tmerron. Duke e lexuar atë i bëhet sikur i ndjen shkronjat, të ngulura thellë në trup, si gjemba. E lexon poezinë, sikur të mos ishte vetë ai që e lexonte, por një njeri tjetër brenda tij, e mbërthen një ndjenjë e pashpjegueshme dhe vargjet e poezisë i ndien siç ndjen njeriu trishtimin, në krejt trupin.

Pas pak minutash, i largon sytë prej rreshtave të poezisë, por kjo s’mjafton që të shkëputet prej saj. Kishte kohë që thoshte se ajo poezi i përkiste atij, ishte kudo, në ajrin e ftohtë të dimrit dhe atë të ngrohtë të pranverës, në mure, në tingujt e zogjve e rrezet e diellit, aq sa i rrinte përpara si një tabelë e detyrueshme, së cilës s’kishte si t’i shmangej.

Si është e mundur, fliste me vetveten, këtë poezi e kam shkruar unë. Dhe këto pyetje i bënte në mënyrë krejt naive, si atëherë kur s’i kishte mbush të tetëmbëdhjetat dhe krejt çka bënte ishte të pyeste: pse arratiseshin njerëzit, pse ndodhnin luftërat, si mblidheshin barbarët dhe marshonin në tokë për të mbjellë farën e tyre të barbarisë?

Poezia i drejtohej Marinit të gjorë – ditët përpara ngjajnë në një varg qirinjsh të ndezur dhe këta qirinj bëjnë dritë, janë të artë, të ngrohtë e gazmorë, qirinj kah ai duhet ta mbajë shikimin, kah duhet të ecë, që t’i mbush ditët e tij me jetë e dashuri, kurse ditët e së shkuarës prapa janë si një varg i trishtuar qirinjsh të shuar e të zi, të cilët po i këqyre, të tmerrojnë, e kanë tmerruar poetin, pamja e tyre e tmerron secilin lexues. Dhe ai ndodhet në mes, si në një kryqëzim rrugësh e kohësh, ku përplasen ashpër e kaluara dhe e ardhmja, çuditërisht, e ndjen se s’ka forcë të ecë e as të shikojë përpara, e përpin forca e qirinjve të shuar, ndjen nevojë të bëjë një ekskursion në të shkuarën e tij, të ecë prapa.

Sikur njerëzit t’i bënin këto ekskursione shpesh, të shihnin syçelët aksidentet e tmerrshme historike, atëherë do të mësonin prej historisë, prej atij kontinenti përplot llahtari dhe do të ruheshin e s’do të rrëzoheshin në të njëjtat gropa.

Duke ecë prapa nëpër kohë, krahas jetës së tij, Marini sheh copëza historish, që i rrinë rreth e përqark popullit të tij, sheh histori të llahtarshme si pllaka betoni që i ka mbi kokë dhe s’e lënë të shikojë tepërpjet.

Domethënë, historia ka rëndësi, domethënë, kujtesa është e domosdoshme që të kuptojmë kush jemi, kah kemi ardhë, ku jemi?

Shekulli i njëzetë me të gjitha ngarendjet e tij, me idenë e ethshme që të dëbojë prej njeriut nevojën për identitet, s’ia ka dalë të bëjë asgjë, pos të krijojë mijëra nënkategori identitetesh të fragmentuara, që duken e zhduken si flluska, dhe të kthehet në shekullin e copëzimeve, të proceseve të pareshtura për të kërkuar diçka të humbur.

Po kush jemi?

Marini i bën vetes këso pyetje, përsiat dhe kthehet te poezia, forca e tingujve të saj dhe i mallëngjyer kundron. Në të vërtetë, jeta e tij është stërmbushë me qirinj të shuar, por atë më së shumti e tmerrojnë ata qirinj që u shuan pa bërë kurrë dritë, ata qirinj që s’ishin gazmorë, që s’ishin të ngrohtë, asokohe kur kishte erë të fortë e furtunë dhe një dorë e mallkuar u kujdes që t’i shuaj porsa ndizeshin.

Jeta e tij ka një analogji të çuditshme me historinë e popullit të tij, sa shekuj jete u shuan pa bërë dritë dhe mbetën në terr.

Dhe tani që ka kaluar të pesëdhjetat e kupton se jeta e tij ka filluar të harxhohet, i sheh gjethet e jetës duke u këputë e duke rënë dhe duke lënë prapa një trung të zhveshur e të thatë.

Pamje pikëlluese!

Shpesh e pandeh veten sikur të ndodhej përballë një gjyqi të madh, përpara të cilit janë vendosë një kolonë gjyqtarësh të rreptë e symrrolur, të veshur me të zeza, në këndin e djathtë të tij disa avokatë, që mezi nxjerrin fjalët, murmurisin shpesh ndërmjet vete dhe një sallë e madhe me publik të strukur në paqartësi; një publik që kurrkush s’e di ç’kërkon, me sy të fokusuar kah ai, i cili i drobitur, me kocka të rrënuara, fytyrë të ndrydhur, duhet të çojë kokën përpjetë, të thotë fjalën e tij, sepse në një çast jete, secili njeri ndodhet përballë njëlloj gjyqi të tillë dhe duhet ta thotë fjalën e vet, të vërtetën e vet, të bëhet njëlloj Sokrati, i vetëdijshëm se është i rrethuar me mashtrues, të tillë që shpifin, të tillë që e urrejnë, të tillë që shtrembërojnë të vërtetën, të tillë që duan ethshëm gjysmë të vërtetën, dhe të shkruajë apologjinë e vet.

Mendimi se poezia i përkiste atij ndërkohë kishte formuar një realitet të ri, duke vendosë në mendjen e tij pushtetin e gjërave të padukshme, të mistershme, të cilave s’mund t’iu shqitet.

Në fakt, arti i përket secilit njeri, sepse burimi i tij rrjedh prej skutave të thella të shpirtit dhe ashtu përshkon çdo qenie njerëzore, arti është një forcë që mund t’i ndalë shkulmin së keqes dhe kur e rrëmben njeriun e fut në botën që i dëfton, në magjinë e tij, në botën që i propozon, në atë tokë imagjinare ku s’ka kufij, s’ka kontrolle policore, ligje demokratike e as autoritare e ku liria shtrihet e dëlirë si në ditët e para të rruzullimit, atëherë kur njerëzit e parë s’ndjenin turp prej trupit të tyre; kur gjithçka ishte ngazëlluese dhe kur gjërat e këqija ende s’ishin emërtuar. Dhe në kontinentin e magjishëm të artit, punët e shpirtit rregullohen pa ligje të ngurta e të përcaktuara nga forcat njerëzore, nga forca që bëjnë ligje të cekëta, siç janë krejt pushtet të cekëta, sepse kanë limite të hatashme, prandaj arti është bota më e vërtetë dhe më e sinqertë në planetin Tokë. Pikërisht për këtë arsye kjo botë i bën me nerva regjimet autoritare, pushtete të cekëta e gënjeshtare, të tillë ka shumë mbi tokë, mbi tokën tonë, thotë Marini, janë shumicë absolute.

E bashkë me poezinë përpara i rri si një tabelë orientuese mendimi se çdo gjë që s’rrëfehet tretet, e merr me vete terri i përjetshëm i harresës dhe i zhdukjes. Ndonëse kujtimet e tij janë këqija, ai s’ka dëshirë që ato të shuhen, ndonëse të gjora, ai mendon se ia vlen të ripërtërihen, t’i mbushë me jetë të dytë duke u rrëfyer që të mos zhduken përgjithmonë.

Por, që të rrëfejë, njeriu duhet të përtërijë ngjarje, njerëz, një botë që s’është më, që s’kthehet kurrë më; duhet të kujtojë çastet që s’mund të përsëriten dhe kjo është dhimbje pa ngushëllim.

Marini po përtërin dhimbjet e tij, dhimbjet për gjërat e humbura dhe të pakthyeshme për vitet e shuara, për tronditjet e mëdha, që ndodhën në jetën e tij dhe sheh rrënojat nëpër të cilat ka ecë dhe nëpër të cilat u formua jeta e tij e gjorë. Me duar prek qirinjtë e shuar, e ndjen forcën e melankolisë që i troket furishëm në zemër, dhimbje për të cilat s’ka ilaç, pos t’i nxjerrë jashtë dhe të dalë prej kësaj agonie.

Zhgropos nëpër botën e kujtesës si njëlloj arkeologu, që kërkon gjëra të tretura.

Dhe në këtë kohë, ka shumë qirinj të shuar që s’bënë dritë kurrë, përsiat me vete duke thënë – s’është punë e lehtë të flasësh për ata qirinj – mund të jetë puna më e ngatërruar që ekziston mbi faqe të dheut, të rrëfesh e të rrëfehesh, domethënë të nxjerrësh jetën tënde prej vetes e ta shfaqesh lakuriq përpara një publiku, megjithatë, kjo është njëlloj bukurie e llahtarshme, thonë pareshtur poetët. Sepse, pa këtë lëndë e pa këto tregime, qytetërimi mbetet i ngurrtë si një ngrehinë pa jetë dhe s’do të përmirësohej aspak, sepse njerëzimi përherë duhet ta dijë nga ka ardhë që të kuptojë, sadopak, ku është e të pastrojë shikimin dhe me kthjelltësi të ecë kah e nesërmja.

Tek shfleton shënimet në bllokun e tij të zi, Marini e kupton se tingujt e jetës së tij janë çakorduar dhe se jeta e tij është e fragmentuar në miliona copëza jetë, e sheh veten të shpërndarë kudo, sa shumë pasqyra rreth e përqark tij, gjen ndonjë relikt të harruar dhe e kundron me mall, dëshiron të deshifrojë gjëra të mjegullta, si tekste kohësh të vjetra.

-Ndue Ukaj/KultPlus.com