Përkitazi me premieren shfaqjes “Dashnori” e H. Pinterit në regji të Dritë Begollit 

Pa dashuri nuk ka dashnor!
Shkruan: Agron Gërguri, dramaturg dhe regjisor

Shfaqja “Dashnori” sipas tekstit të H. Pinter një autor i problematizuar politikisht por që njihet si lërues i absurdit e duke qenë edhe mik i Beketit s’ka se si të mos ishte i ndikuar, u dha si premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës si shfaqje mysafire. E veçanta e këtij teksti është se autori u jep personazheve të luajnë rolin e tjetërkujt duke nxjerrur nga kutia e zezë e fshehtësive dëshirat e munguara që kryesisht kanë të bëjnë me seksin apo frustrimet që vijnë si pasojë e apstinencës apo humbjes së oreksit seksual midis një çifti parë nga jashtë krejt normal dhe harmonik por ata nuk janë Xhoni dhe Sara të mbytur nga rëndomësia por duanë që jetës t’i japin kuptime të munguara në shtratin martesor.
Apo ndoshta duke parë ndjesisht afinitetet e njëri tjetrit të ndrydhura diku thellë në veten e tyre dhe por të mos i stërkequr ato  vendosin të luajne rolet e munguara ne jetë, apo ndoshta për ta hetuar njëri tjetrin. Ajo do dashnor ndersa ai do thjeshte nje kurvë për të hargjuar epshet dhe kështu paraqiten para njëri tjetrit duke u bërë për njëri tjetrin dashnorë dhe lëneshë.
Duke luajtur rolet munguara ata a përshfaqin brendësin e dehidrimit emocional( lexo seksual) në kërkim të ilaqit kunder monotonisë martesore ku dashuria jepet e merret përditë ngapak me peshoren e farmacisë. Kur janë “normal”
ata janë aty pranë njëri tjetrit sikurse antitezat e Nolit pranë shtratit pa sex dhe ky frustrim do të kurohet duke luajtur dike tjetër brenda tyre. Kjo lojë ua dekompozon marrëdhënien standarde burrë – grua, dhe se ata më nuk mund të kthehen aty ku ishin. Përmes kesaj marrëdhënie regjisorja Begolli na e zbërthen  defektin e madh të shoqërisë moderne konsumuese e cila veç dashuri nuk konsumon. Andaj regjisorja peronazhet i lë të zvarriten emocionalisht në përpjekje për tu ngjitur disi në lartësinë e njerëzores mbase edhe do kenë sukses porse rrugës do nxjerrin në pah edhe rreziqe tjera sepse zbulojnë tek njëri tjetri talentin për tradhti epshore që pastaj jo rrallë veprimet e tilla bëhen shkak i shumë konflikteve që perfundojnë si tek “Tereza Raken” e Emil Zoles ku dashnoret pasiqë realizojnë vrasjen e burrit të gruas të cilin e konsiderojnë pengesë,  nuk janë më dashnor por vrasës dhe epshi përnjëhere tretet në krim. Kjo marrëdhënie e shkruar nga H. Pinter me elemente komike por edhe absurdi është shtruar skenikisht bukur nga regjisorja Dritë Begolli e cila tekstin e Pinterit e ka lexuar si dramë të marrëdhënies bashkëshortore në një ambient ku gjithçka ndodhë por shpesh harrohet njeriu, njerëzorja apo promotori i jetës së njeriut dashuria e cila përditë po zhvishet nga ndjenja dhe po mbetet vetëm nevojë fiziologjike e thjeshtëzuar në dialogun:
  Gruaja: A zhvishem
  Burri: zhishu…
Konvertimi i shfaqjes dhe morali
  Shfaqja e konvertuar në një ambient tjetër moral i ndryshëm nga ai të cilit i referohet autori, funksionoi duke vëmendësuar një gjendje të ndrydhur për të mos thënë heshtur në mes bashkëshortëve tek të cilët ka rënë interesi i shtratit si një arenë ku humbet apo fitohet dashuria. Mbase nganjëhere dashuria është si një ndjenjë bamirësie ngushëlluese kur ka një mospërputhje të asaj që e quajmë kimi në raport me biologjinë në një marrëdhënie çiftesh. Shpesh i lihet faji shtratit duke harruar se viagra e vërtetë është dashuria. Në këtë sens mesazhi i shfaqjes së Begollit del kuptimplotë dhe vëmendsues se asgjë nuk funksionon kur prishet mekenizmi i dashurisë.
  Intrpretimi i duetit të aktorëve Hazir Sh. Haziri dhe Kaltrinë Zeneli kishte kapur problemin shprehur me nuanca intinative që zbërthenin raportin burrë – grua ku sipas thënies popullore as dreqi nuk hy dot. Ndoshta dallimi në moshë i aktorëve në raport me personazhet në tekst na jepte një dimension plus të të kuptuarit dhe se rrëfimin skenik e bënte më përmbajtësor pikërisht duke shënjestruar dashnorët potencial që dallojnë në moshë . Aktrim impulsiv, gjetje mizanskenike të ndërtuara estetikisht por që, kisha përshtypjen e kishin diciplinuar shprehjen eksplicite të autorit, por megjithatë e jepnin idenë e shfaqjes se nuk ka dashnor e dashnore nëse mungon dashuria.
  Skenografia dhe muzika ishin në funksion të ambientimit të temës që trajtonte shfaqja me qetësi dhe tension. Ndriçimi i nuncuar bëhej pjesë e emocionit që na jepte shfaqja. Gjithashtu edhe kostumet ishin pjesë e karakterit të personazheve.
   Më e rëndësishmja mbetet se skenës i duhen këso shfaqjes ngase po jetojmë kohë të zvetnimit dhe dehidrimit emicional e për pasojë mungesën e padurueshme të dashurisë e përmbushë monotonia dhe kërkesat absurde për njëfarë ndryshimi  për të pandryshueshmen midis bashkëshortëve apo bashkëjetuesëve.
    Tempo ritmi i shfaqjes ishte nganjëhere ne kufi te monotonisë dhe e tejkalonte nevojën e ambientimit të shfaqjes me qetësi të zhurmshme andaj regjisorja me qëllim ka përdorur pauza (errësime) të shpeshta duke u dhënë mundësi spektatorëve që brenda shpërqendrimit të vetëshqyrtohen. Teksti dramatik i Pinterit është shkruar si njëaktshe dhe ngjarja ndodhë në një vend dhe kontinuitet veprimi me ngarkesa psikologjike të cilat qifti aktoresk Haziri – Zeneli nën komanden suptile të Dritë Begollit, i trajtoj me sukses. /KultPlus.com