Tregimet e hershme të Dritëro Agollit u botuan dhe u ndaluan, sepse ai solli një erë të re dhe të çuditshme në letërsinë e kohës, ku personazhet e luftës nuk shiheshin të himnizuar, por njerëz si gjithë të tjerët me vese që shkelnin rregullat.
Më pas këto tregime u ribotuan më 1980, ndër to edhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.
Romanet e Dritëroit fillojnë me “Komisari Memo” ku përsëri figura e komandantit Rrapo del në një këndvështrim të ri, i parë me një sy kritik. Po kështu edhe romani “Njeriu me top” trajton temën e luftës dhe të gjakmarrjes.
“Trëndafili në gotë” është roman me temë të përditshmërisë, por që nuk pati shkëlqimin e romaneve të tjerë, dhe nuk i shpëtoi skematizmit të realizmit socialist.
Romani që e bëri të njohur edhe jashtë kufijve, megjithëse roman i realizmit socialist, ishte “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një roman satirik. Më pas boton romanet “Dështaku”, “Arka e djallit” etj.
Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”
Fillimisht romani është botuar në vitin 1973 në revistën “Hosteni”, më pas u botua i plotë. I përket periudhës së dytë të shekullit XX. Agolli është i pari shkrimtar në letërsinë shqipe që krijoi një vepër me strukturë dhe përmbajtje tërësisht satirike, që godet hierarkinë e pushtetit në socializëm. Bazohet mbi raportet e kundërshtisë midis paaftësisë dhe madhështisë.
Lloji
“Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo” është cilësuar si roman satirik. Ai është i ndërtuar tërësisht mbi figurën e ironisë duke kaluar deri në grotesk.
Tematika:
Tema kryesore në këtë vepër është ajo e demaskimit të dy dukurive më negative të socializmit, paaftësinë e drejtuesve në pushtet dhe megalomaninë e madhështinë e tyre të rreme. Kjo temë është universale, për çdo kohë e për çdo vend.
Titulli i romanit:
Titulli i romanit ndërtohet mbi një kundërshti të madhe, shkëlqimi dhe rënia e personazheve.
shkëlqimi– vjen nga folja shkëlqej që do të thotë, që lëshon dritë të fortë e të qartë, dallohet për vetitë e mira, shquhet mbi të tjerët për cilësitë e larta etj.
rënia– vjen nga folja bie dhe do të thotë, ecje drejt shkatërrimit të përgjithshëm, ulje e shkallës së zhvillimit ose e vlerave morale. Kuptimisht e kundërta e shkëlqimit. E kështu, duke qenë se shkëlqimi ishte i rremë, si pasojë do të vinte rënia.
shoku– fjala “shok” në socializëm kishte kuptim pozitiv si nga ana morale, ashtu dhe politike. Ajo përdorej në vend të fjalës zotëri dhe kishte për funksion të jepte barazinë mes njerëzve, drejtësinë dhe humanizmin, në dallim nga një shoqëri me skllevër dhe padronë.
Në roman fjala “shok” nënkupton të kundërtën e barazisë dhe respektit që përfaqëson kjo fjalë në të vërtetë, personazhi i tjetërsuar në zotëri, në epror.
Mjedisi
Zyra është pikërisht mjedisi që i bashkon të gjitha personazhet e cila shfaqet si qendra e burokracisë. Zyra është vendi që e përpunon dhe e tjetërson zyrtarin, që e kufizon dhe e mbyll nga jeta e gjallë dhe njerëzit.
Struktura
Dritëro Agolli e ka shkruar këtë vepër sipas strukturimit të veprave satirike botërore. Në qendër të romanit qëndron një çift heronjsh komik Zylo dhe Demka të cilët janë të pandashëm dhe nuk mund të kuptohen pa njëri-tjetrin. Kjo strukturë vihet re edhe tek Don Kishoti dhe Sanço Panço.
Karakteristikat e romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”
Përmes romanit ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’, autori me mjeshtëri të rrallë vë në lojë përmes humorit dhe ironisë konformizmin dhe servilizmin, si anti vlera të pranishme në çdo shoqëri.Kronikë e karrierës së palavdishme të zyrtarit të shtetit socialist dhe pasqyrë e pozitës së mjerë të vartësit.
Ironia dhe sarkazma janë figurat kryesore.
Romani është ndërtuar mbi dyshen Zylo-Demkë, pasi lavdia e pamerituar e shokut Zylo është fryt i punës anonime të Demkës që i përgatit të gjitha fjalimet dhe raportet me të cilat shkëlqen Zylo. Dyshja Zylo-Demkë janë në varësi të njëri-tjetrit dhe mund të paralelizohet kjo dyshe me Don Kishotin dhe Sanço Pançon.
Kudo në roman mbizotëron Zyloja, i cili është një nga personazhet më të veçantë të patrajtuar më parë në letërsinë shqipe. Të gjitha personazhet janë në funksion të zbulimit të personazhit kryesor.
Ka një mospërputhje të madhe midis tipareve reale të karakterit të tij dhe sjelljeve të jashtme, midis dëshirave dhe rezultateve që e bëjnë atë gjithmonë komik. Kjo pasi ai e mendon veten me më shumë vlera dhe merita seç ka në të vërtetë.
Gjuha e romanit është e mbushur me terma zyrtare dhe me slogane publike. Shpesh ai përdor edhe shprehje pompoze, shprehje letrare që janë shenja dalluese të megalomanisë së tij. Sloganet politike dhe frazeologjinë zyrtare, ai i përdor kudo, jo vetëm në mjedise pune, por kudo edhe në familje. / cbc.al / KultPlus.com
Poetë, prozatorë, dramaturgë, eseistë e të tjerë, krijojnë në mbarë hapësirën shqiptare dhe kanë botuar vepra që vlen të lexohen e rilexohen.
Më poshtë gjeni dhjetë libra shqiptarë që duhen lexuar:
Vargjet e lira, Migjeni
Vepra më avangarde e poezisë shqipe deri në atë kohë, e re në çdo pikëpamje: ideore, tematike, ritmike, figurative. Një vepër që e çliroi poezinë shqipe nga manierat klasiciste, kurse vargun shqip nga tirania e rimës dhe e metrikës. Poezi e dhembjes, e vuajtjes, e mjerimit, e ankthit, e shpresës.
Ylli i zemrës, Lasgush Poradeci
Libri ndoshta më komplet i poezisë shqipe, i ndërtuar sipas një koncepti që e hasim te poetë si Petrarka, Gileni, Bodleri etj. Libër himn i bukurisë, i dashurisë, i përjetësisë, festë e fjalës së kulluar shqipe.
Lahuta e Malcisë, Gjergj Fishta
Enciklopedi e jetës shqiptare, glorifikon luftën për liri kombëtare dhe virtytet tradicionale. Si fenomen letrar e vonuar e anakronike, por me ndikim të madh në jetën shpirtërore dhe në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, veçanërisht jashtë kufijve të Shqipërisë shtetërore.
Psallme Murgu, Asdreni
Vepër që e zgjeron regjistrin tematik e stilistik të poezisë shqipe, të mbështetur kryesisht në modelet e poezisë popullore. Sjell përvojën e poezisë moderne evropiane. Për herë të parë në letërsinë shqipe trajtohet gjerësisht bota shpirtërore e njeriut të gjendur në vorbullën e paradokseve. Një kohë të gjatë e lënë në harresë nga kritika e ideologjizuar. Net shqiptare, Mitrush Kuteli
Ndër veprat e para të prozës moderne shqipe. Shfrytëzon në mënyrë kreative përrallën popullore shqiptare, duke i rivitalizuar strukturat e saj narrative. Vizaton figura e karaktere të gjalla njerëzish, sidomos fshatarësh. Shquhet për bukurinë e rrëfimit, të gjuhës dhe të stilit. Mostër për shumë prozatorë të mëvonshëm.
Lumi i vdekur, Jakov Xoxa
Tablo e gjerë e jetës shqiptare. Vepër e shkruar nga një njohës i rrallë i jetës, por edhe i mjeshtërisë krijuese.
Roman që krijon disa nga personazhet më të spikatura të letërsisë shqipe, siç janë Vita dhe Adili, që duken si të shkëputur nga realiteti i gjallë jetësor e jo të krijuar në letër. Vepër që sjell në prozën shqipe përvojën e romanit ciklik tradicional me gjuhë jashtëzakonisht të pasur. Autori i tij është stilist i përkryer.
Kronikë në gur, Ismail Kadare
Vepra mbase më e mirë e Kadaresë dhe një nga romanet më të mira të letërsisë shqipe. Një sintezë sui generis e poezisë, fiksionit dhe mitologjisë. Vepër me strukturë komplekse narrative, atipike si prosede. Një trajtim shumë origjinal i luftës dhe i psikozës kolektive në situata të skajshme ekzistenciale. Perceptimi i botës nga perspektiva e fëmijës zhduk kufijtë mes ëndrrës e realitetit. Roman që sjell një frymë të re në prozën shqipe dhe mjete e teknika të reja shprehëse.
Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rexhep Qosja
Ndonëse autori i kësaj vepre është në radhë të parë historian i letërsisë, fushë në të cilën ka botuar një varg veprash të rëndësishme, megjithatë kjo mbetet vepra e tij me receptim më të gjerë, që i ka kaluar kufijtë gjuhësorë të shqipes. Prozë e tipit kritik, intelektual, pak e kultivuar në letërsinë shqipe, që trajton temën e dhunës së pushtetit mbi individin dhe popullin të cilit i takon ai. Duke vënë në epiqendër një personazh krijues, siç është Xhezairi i Gjikës, autori funksionalizon gjuhën kritike, erudicionin intelektual, parabolat historike etj.
Nga Bibla e heshtjes, Azem Shkreli
Poezi me një sistem të veçantë mjetesh shprehëse dhe me një filozofi të veçantë krijuese e jetësore. Libër i meditimit poetik mbi raportin e njeriut me historinë, por edhe me veten dhe fjalën e tij. Psalm mbi fatin e fjalëve. Bashkë me Din Mehmetin, Rrahman Dedajn, Ali Podrimjen e të tjerë, autori i kësaj vepre, Azem Shkreli, krijon modernitetin e poezisë shqipe në Kosovë dhe më gjerë.
Pelegrini i vonuar, Dritëro Agolli
Libri i parë post-socialisto-realist i poetit Dritëro Agolli dhe njëri nga librat më të mirë të tij e të poezisë shqipe në përgjithësi. Libër mbi thyerjet shpirtërore të një brezi, i cili besoi në një utopi dhe pas përmbysjes e ndien veten si pelegrin i humbur në shkretëtirën e iluzioneve të veta. Dhembja dhe trishtimi e ngjyrosin emocionalisht vargun e poetit. Ky libër e rikonfirmon faktin se autori i tij është mjeshtër i rimës dhe aliteracionit, krijues që e zotëron artin e vështirë të të bërit vargje të lehta. / cbc.al / KultPlus.com
Elona Agolli, bija e shkrimtarit të njohur Dritëro Agollit, herë pas here po zbulon korrespondencën e babait të saj me të afërmit dhe miqtë e tij, shkruan KultPlus.
Së fundi, ajo ka zbuluar një letër që i ishte dërguar nga Ali Podrimja, në kohën sa e kishte të shtrirë djalin e tij Lumin, në një spital në Beograd.
Letra është e vitit 1979, dhe sipas Elenës, Ali Podrimja në atë kohë duhet të ketë qenë 37 vjeç. Podrimja i drejtohej Dritëro Agollit me një lutje, se nëse mund ti gjej ndonjë mjek të mirë, për djalin e tij Lumin. Kurse letra ishte drejtuar Beograd-Tiranë.
Më poshtë po ju sjellim letrën e plotë të Ali Podrimës, që ia kishte nisur në vitin 1979, Dritëro Agollit.
I dashur Dritëro , Dëshiroja të jem me Juve, por qe ,më gjet kjo e keqe. Megjithë intervenimet e mëdha të mjekëve, fëmija im gjendet në një kotësi të thellë . Ai nuk kishte ekinokokun, por tumor në brinin e shtatë të anës së majtë. Tmerr, tmerr dhe diçka e paparamenduar . S’di si do ta mashtroj dhe si do t’i tregoj Fitores; s’di si do t’i kaloj ditët me të. I dashur Dritëro, nëse mundesh dhe nëse ke miq të mirë nga mjekët, të lutem interesohu dhe më lajmëro disi. Qëllimi im është ta shpëtoj Lumin , të gjej ilaç për jetën e tij. Këtë fotografi të Lumit ia jep Xhevairit. Më fal , nuk po mundem më të shkruaj . Ju dëshiroj çdo të mirë ty, familjes suaj dhe të gjithë shokëve. Me dashuri vëllazërore Ali Podrimja 30.10.79 , Beograd P.S 30 tetorin do ta mbaj në mend si ditë të rëndë për familjen time . Aliu Kohë më pas , do të shkruhej e mrekullueshmja poezi “Lum Lumi”:
Lum Lumi A thua është dita jote e fundit në spital do t’i biem deri në fund a thua edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes.
Nuk të kam sharë as nuk të kam rënë kurrë vetëm të kam thënë; Ai në hapsirë atje larg jam Unë.
Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët. Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.
Ti mëso të duash vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh; Mallkim i fisit. Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë Në çdo kohë, Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë. Urrejtja është më e rëndë se vrasja.
Me ditë me shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël për dhimbjet e tua për shtatë plagët e tua për ditët, për netët e tua plot klithje.
spitali tepër i vogël i vogël tepër spitali nën te Danubi i thellë e i kaltër. A thua tërë jetën do të na vijë era jod sëmundje, murtajë do pështyjmë gjak e vrer, a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët. A thua edhe këtë ditë do ta kalojmë në spital. Të shikoj; në syrin tënd flaka, etja, qielli, Në syrin tënd asnjë dredhi, asnjë mllef pastërtia e syrit tënd më ka përpirë të tërin. Në fund të syrit tënd hap fatin tim të kobshëm. Ai nuk jam Unë Ai nuk je TI Kush jam, kush je? Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë. Poezia më e bukur ende s’është shkruar as do të shkruhet përderisa zhytësit ende jetojnë Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta dhe çdo fund është tragjik. Po ç’ka aty poshtë në materie Miu i Bardhë, antimateria.
Do të vijë koha kur do të më hapësh si një libër të vjetër psalmesh kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës.
A thua na u sosën fjalët, këngët, na mundi ëndrra, udha, a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.
Ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital për inat këtë ditë ta sosim deri në fund. Lum Lumi. – poezi nga Ali Podrimja./ KultPlus.com
DritëroAgolli ishte poet, prozator, publicist dhe politikan shqiptar. Që nga viti 1973 ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare.
Agolli iku nga kjo botë më 3 shkurt të vitit 2017, ndërsa po atë ditë u rikujtua më së shumti përmes poezisë “Kur të jesh mërzitur shumë”, pasi që vet poezia ishte një udhëzim se ku duhet kërkuar autori kur të mos jetë më.
Kjo poezi e vendosur edhe në vargje këngësh, është interpretuar mjaft shumë nga artistë e interpretues.
KultPlus sot ju sjell këtë video me interpretimin e vet autorit Dritëro Agolli.
Këtu s’ do të jem, do jem larguar; Në tokë i tretur si të tjerët, Në kafenenë e preferuar Nuk do më shohin kamarierët.
Dhe nëpër udhët ku kam ecur, S’do ndihet kolla ime e thatë, Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur Një qiparis si murg i ngratë.
Ti do trishtohesh atëherë, Se s’do më kesh në dhomë gjallë, Dhe, kur në xham të fryjë erë, Do qash me erën dalëngadalë.
Po kur të jesh mërzitur shumë. Në raft të librave kërkomë, Atje do të jem i fshehur unë, Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë.
Mjafton që librin pak ta heqësh Dhe unë do zbres, do vij pas teje; Ti si dikur me mall do qeshësh, Si një blerim pas një rrëkeje… / KultPlus.com
I themi njëri-tjetrit “mirëupafshim”, po s’dihet nëse shihemi vërtet; na dalin dy-tre horra dhe na vrasin dhe lamtumirë, ti qytet. Të vrasin për hiçgjë, për treqind lekë, me to mjafton të pihet një konjak me ku***t në një klub a diskotekë, ndaj “mirupafshim” s’vlen aspak. 1996/ KultPlus.com
Nëse netët janë të gjata, Duke pritur vdekjen mërzitesh Dhe s’vdes; Lutju zotit të vijë e shkurtër nata , Të vdesësh shpejt në mëngjes. Atëherë çel trëndafili Në gonxhet e kaltra , Pastaj zë këndon një këndes …/ KultPlus.com
Nuk ka një të dytë në Shqipëri që, mes shkrimtarit dhe politikanit, të ketë lënë pas kaq shumë vepra, libra, intervista e prononcime sa Dritëro Agolli.
Nga fjalimi në 10 qershorin e vitit 1991, gjatë Kongresit të fundit të PPSh-së, parti që u kthye në PS, te deklaratat e bujshme në Kuvend e në intervista, e deri tek aforizmat që i ngjiste me fjalë të mira në renditjen e tyre më të mirë. Dritëro Agolli ka lënë pas një thesar.
Më poshtë janë disa thënie që janë perla nga mendja dhe dora e tij:
1. Në periudhat më të shtypura, më të zeza, shkrimtarët tanë, dijetarët tanë, kanë qenë demokratë. Merrni, fjala vjen, De Radën, Naim Frashërin, Sami Frashërin, por edhe më parë, edhe Buzukun ta marrësh. Ai, me vetë faktin që Mesharin e bëri shqip, kishte një shpirt demokratik dhe popullor, sepse bëri që njerëzit të luteshin shqip. Me një fjalë, shkrimtarët tanë e kanë pasur si traditë shpirtin demokratik dhe shpeshherë artikujt, e veçanërisht në veprat e tyre, i përshkonte kjo frymë (intervistë, janar 1991).
2. Në fillim, siç ndodhi, veçanërisht, tek ne që 50 vjet, nuk ka pasur pluralizëm, njerëzit edhe u hutuan. Jo njerëzit e thjeshtë, por zyrtarët në përgjithësi. Megjithëse pluralizmi u lejua edhe me mendime dhe të gjitha gjërat, pati hezitime. Domethënë ndihej intolerancë. Këtë duhet ta themi, sepse është reale. Por, tashti, ne këtë periudhë që po kalojmë ne, kjo po thyhet dalëngadalë. Pra, po thyhet intoleranca dhe ne jemi në fillim të një tolerance. Pse është kështu? Sepse vetë këto, Partia demokratike, po e dëshmon se ka shumë përkrahës, se ngre turma të tëra njerëzish dhe ky është një fakt real, i cili nuk duhet të mohohet. Njerëzit janë tepër aktivë, këta që punojnë në PDSh-në janë të rinj, janë plot energji, kanë pasione. Nuk punojnë për hir të karrigeve, sepse nuk kanë. D.m.th., në këtë anë, do apo s’do të jesh tolerant të bën të jesh i tillë, dhe toleranca shihet. Ka edhe gjëra të papëlqyeshme, por, në përgjithësi, tolerancën e ka fituar vetë opozita e nuk i erdhi ajo si dhuratë nga dikush (intervistë, janar 1991).
3. Për Partinë Demokratike thoshin pse po e ngre problemin e bashkimit etj. Disa Shqipërinë e akuzojnë shumë, duke thënë se është vend i prapambetur, e godasin tepër në vend që të shohim se ç’bënë Evropa me Shqipërinë, si do ta përkrahë këtë proces, sepse gjatë historisë Evropa na ka ndihmuar fare pak. E kishim fjalën për Fishtën më lart dhe Fishta ka vjersha shumë të forta, të cilat bëjnë fjalë për Evropën. Ai e qorton atë pse nuk i ndihmon Shqipërisë dhe pse ajo, Evropa, kë s’e ndihmoi, por jo edhe Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilëve ua thotë vetëm të ligat. Shihet qartë, prandaj, se disa qarqe, disa gazetave e revistave te vendeve të ndryshme, iu mungon dashamirësia ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por, qarqet dhe gazetat e tilla janë të pakta kundra atyre që janë dashamirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Vlerësuar në përgjithësi, bota përparimtare dhe demokratike, proceset e reja në Shqipëri i shikon pozitivisht. Mendoj dhe unë, siç mendojnë edhe shumë të tjerë, prandaj edhe ata që i vlerësojnë pozitivisht proceset demokratike në vendin tonë, se Shqipëria do të rilindë. (intervistë, janar 1991).
4. “Letërsia e sotme i ngjan një letre që e kanë lidhur fëmijët në bishtin e maçokut: maçoku ynë shtetëror vrapon, kurse në bisht tundet letra. Kjo letër, në të cilën lavdërohen trimëritë dhe bëmat e maçokut, është gjithë e vërteta” – Mikhail Prishvin (shkrimtar rus, 1873-1954) (në shënimet e tij, 1989).
5. Asnjë diktaturë nuk gjen dot armë për të vrarë letërsinë e vërtetë.
6. Ajo fëmija e vogël në çerdhe apo në kopsht, që duartrokiste Parti-Enver, nuk e dinte se kurrë nuk do të bëhej poet, inxhinier, mësues, shkencëtar, pasi gjyshi i saj nuk kishte qëndrim të mirë moralo-politik. Lufta e klasave, në fakt, ishte luftë biologjike nga më të përbindshmet që ka njohur historia e popullit shqiptar (10 qershor 1991, kongresi i PPSh-së).
7. Çdo popull ka nevojë t’i besojë një shenjti dhe kështu u krijua shenjti Enver Hoxha. Ai hyri në çdo shtëpi me fotografi, buste, kalendarë, që viheshin në vende të dukshme duke përzënë fotografitë e prindërve dhe fëmijëve. Bile, në çdo festë kombëtare a intime siç janë dasmat, shëndeti i parë ngrihej për partinë dhe Enver Hoxhën” (10 qershor 1991, kongresi i PPSh-së).
8. Mua më vjen keq për gabimet e PPSh-së, sepse kam 40 vjet që aderoj në këtë parti ku kam lënë rininë time të pakthyer, kam lënë vitet me ëndrra dhe shpresa (10 qershor 1991, kongresi i PPSh-së).
9. Si të gjithë poetët më të shquar shqiptarë, që nga Ismail Kadareja e me radhë, unë i kam kënduar idealeve dhe ëndrrave të kësaj partie, ideale dhe ëndrra që pak u bënë realitet. Por, ka kohë që e kam kuptuar gabimin tim në këtë besim dhe veçanërisht, sot, pohoj i zhgënjyer se duhet hequr dorë krejtësisht nga rruga e gabuar, rrugë që e shpuri shqiptarin në mjerim duke ia ulur dinjitetin dhe krenarinë kombëtare (10 qershor 1991, kongresi i PPSh-së).
10. Politikanët duhet të sillen si kalorësit. Kur nis një bashkëbisedim apo bashkëpunim me palën tjetër, njerëzit e kanë në majë të gjuhës që të nisin dhe komentojnë se ai ra në prehrin e kundërshtarit, gjë që është e trishtuar ta thuash.
11. Ka një tendencë që të rinjtë blejnë në panairin e librit, kryesisht, libra politikë. Kjo tregon se rinia nuk është jashtë politikës dhe nuk është vetëm për libra zbavitës apo dhe për disko dhe pabe, por edhe e zonja të lexojë libra politikë. Mua më vjen shumë keq që disa zëra thonë se librat politikë na prishin punë. Ata duhet të gëzohen se kjo ka një arsye, se libri duhet të jetë real dhe të prekë problemet reale të shoqërisë tonë (“Panorama”, 21 nëntor 2011).
12. Tani që ndodhi bojkoti i socialistëve ndaj kuvendit, po më vijnë në mend edhe ato që kanë bërë ata të PD-së. Edhe ata nuk duhet të harrojnë se kanë bojkotuar (“Panorama”, 14 tetor 2010)
13. Nëse nuk ka protesta dhe nuk ngrihet një zë, atëherë nuk ka demokraci, por diktaturë (“Panorama”, 14 tetor 2010).
14.Është krijuar ideja sikur jemi dy shtete brenda një shteti. Në Shqipëri mendojnë njerëzit se do bëhen dy shtete. Me këtë pamje që i jepet politikës, duket sikur kemi një shtet të opozitës dhe një shtet të pozitës (“Panorama”, 14 tetor 2010)
15. Opozita duhet t’i japë dorën mazhorancës, por jo t’ia puthë asaj (“Panorama” 21 nëntor 2011).
16. Sido që të jem, unë jam socialist dhe nuk ka burrë që të ma kthejë mendjen të hidhem si karkaleci nga një parti në tjetrën (“Panorama”, 21 nëntor 2011).
17. Në Shqipëri ka pesë stinë: Pranvera, Vera, Vjeshta, Dimri dhe Politika. Ndërsa katër të parat qëndrojnë nga tre muaj secila, stina e Politikës nuk lëviz, për 12 muaj.
18. Deputetët janë njerëz të veçantë, që në Kuvend kuvendojnë me stilin e grindavecit, në kafe me stilin e mburravecit dhe në shtëpi me stilin e përtacit.
19. Shumë ujqër bëjnë një lukuni, shumë njerëz një turmë. Po shumë dhelpra? Nuk bëjnë as lukuni, as turmë, pasi nuk gjuajnë bashkërisht si ujqit dhe njerëzit.
20. Shkrimtarët duhet të flasin më me gjakftohtësi, më me argumente dhe pa u nxehur. Unë mendoj se shkrimtarët që i tremben kritikës, vënë në dyshim krijimtarinë e vet, nuk kanë besim tek krijimtaria e tyre. Kur shkrimtari boton një vepër, apo kur boton një diskutim, nuk është më pronë e tij, por është pronë e lexuesve. Dhe lexuesi, ka të drejtë të thotë çdo gjë për të. Nuk është pronë, që ta mbrojë medoemos ai. Fjala vjen, Naim Frashëri, Fishta, Mjeda, Migjeni, Esad Mekuli, et.j, nuk kanë tani shokë, kushërinj, apo dikë që mund t’i mbrojë. Ata i mbron vetë lexuesi. Kurse shkrimtarët e gjallë, kanë miq, shokë, kushërinj që i mbrojnë. Shkrimtari duhet ta mendojë veten edhe pas 50 vjetësh, kur të mos ketë shokë, kur të mos ketë simpatizantë të gazetave. Çka do të bëjë ai pastaj? Kush do ta mbrojë? Do ta mbrojë vetëm vepra e vet (“Radio Kosova”, 2006)
21. Mendoj se duhet të ndryshojë mënyra dhe stili i polemikave tona. Unë nuk e kam zakon të shprehem ashpër nëpër polemika. Por, sidoqoftë, Rexhep Qosja është një personalitet i madh i kulturës sonë. Një njeri që i ka dhënë shumë Shqipërisë, veçanërisht trevave të Kosovës, me veprën e tij të madhe. Jo vetëm veprën që analizon traditat tona, rilindësit etj., por edhe polemikat e tij të forta me serbët, me historianët e tyre, me shkrimtarët e huaj, jo vetëm të Ballkanit. Rexhep Qosja është njeri me përvojë të madhe dhe njeri me kulturë të gjerë. Është personalitet që çdo komb tjetër po ta kishte, do të krenohej me të. Sado të hidhet baltë mbi këto personalitete të larta të kulturës sonë, nuk kanë çka t’i bëjnë. Nuk mbulohet Mali i Sharrit, me një grusht dhé (“Radio Kosova”, 2006).
22. Unë, tani, shpejtoj t’i them të gjitha ato që nuk i kam thënë, pasi vitet vrapojnë dhe nuk dua t’i marr me vete në varr gjërat që mund t’ua lë të tjerëve, përpara se të mbyll sytë. Është koha e fjalës së lirë, sado me të meta. Në kohën e kësaj fjale të lirë, shkrimtari i vërtetë mund të bëjë çudira .Shkrimtarët mediokër, që sot mezi botojnë një broshurë, janë për kohën e totalitarizmit të shkuar, kur merrnin leje krijuese dhe botonin pa ndonjë vështirësi . Por sot ata nuk janë. Ata kot më shajnë dhe kot mburren se paska ardhur koha e tyre . Vërtet ka ardhur koha e tyre, por ka ardhur për britma dhe sharje, jo për letërsi . Për letërsi të vërtetë koha ka ardhur për mua. (“Aleanca” 19 tetor 1996).
23. Kalimi nga humori në sarkazëm, nuk është regres, përkundrazi është progres. Unë jam bërë t’i lexoj gazetat zyrtare me maskë antigaz, pasi kanë shumë helm ndaj meje. Mendimi im është i dytë, i një tjetri i parë, i një tjetri i tretë. Atje ku poshtërohet mendimi i dytë, sëmuret mendimi i parë. Këtë gjë të thjeshtë të pluralizmit, mjaft gazeta e gazetarë nuk e kuptojnë (“Aleanca”, 19 tetor 1996).
24. Po të lexosh gazetat vjen në këtë përfundim: Pluralizmi shqiptar është turmë bajraktarësh në grindje për marrjen e kalasë (“Aleanca”, 19 tetor 1996)
25. Shpesh, shtypi shpie ujë të ndotur në pemën e demokracisë. Atëherë demokracia është një lopë ku partitë grinden duke e mjelë. Kështu që nuk mund t’i shpëtosh sarkazmës . Madje, edhe sikur të mos jesh marrë kurrë me sarkazëm, ka momente në jetë që të shpien drejt saj në mënyrë të pavetëdijshme . Unë kam një mik që kurrë nuk ka bërë humor, dhe asnjëherë nuk ka përdorur sarkazmën. Papritur, një mbrëmje, duke parë televizorin, tha me vete me zë të lartë: “RTV-ja është pasqyrë ku bën tualet ai që ka fuqinë” Ç’t’i thuash këtij? (“Aleanca”, 19 tetor 1996). /RolandQafoku/ KultPlus.com
‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’ me regji nga Fatmir Koçi do të jetë një adaptim filmik i veprës së shkrimtarit Dritëro Agolli.
Sinopsisi: Në vitet e 70-a në institucionin e lartë të kulturës, Zyla Kamberi, një burokrat i zoti e fjalaman i palodhur, kërkon me ngulm të ngjitet në karrierë duke marrë iniciativa të padëgjuara.
Filmi është bashkëprodhim në mes Shqipërisë dhe Kosovës me producent Dritan Huqin, dhe bashkëproducent Besnik Krapin. Në rrole kryesore luajnë: Donald Shehu (Demka), Aleks Seitaj (Zylo), Amos Zaharia (Adem Adashi), Enisa Hysa (Adila), Jorida Meta (Kleopatra), Xhoana Karaj (Zenepja), Kastriot Cipi (Zaim Avazi). / KultPlus.com
Dritëro Agolli përmes një fjalimi të guximshëm në Kopenhagë në vitin 1995, ka kërkuar mirëkuptim mes serbëve dhe shqiptarëve, ndërsa është shprehur se, pa u zgjidhur drejt çështja shqiptare nuk do të ketë rend demokratik të përparuar as në Serbi, as në Maqedoni, madje as në Shqipëri.
Dritëroi ka ironizuar edhe shprehjen se Ballkani është “fuqi baruti”, duke dëshiruar që Ballkani të ishte “fuçi vere”, që “duke pirë bashkërisht ndonjë gotë, t’i zgjidhnim hallet tona dhe të dehur nga zgjidhja të shkonim të flinim pa parë ëndrra të llahtarshme”. Katër vite para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, që do ta çlironte nga regjimi i Millosheviçit, Dritëroi shprehet se dhuna dhe urrejtja e serbëve ndaj shqiptarëve kthehet po në dhunë dhe urrejtje dhe e tyre ndaj serbëve.
“Nëse individi shqiptar në ish-Jugosllavi nuk është i lirë, nuk është i lirë as individi serb apo maqedon. Individi serb apo maqedon nëse nuk ia lejon shqiptarit lirinë, ky serb apo ky maqedon do të jetë skllav apo rob i urrejtjes dhe mërisë”, shprehet Dritëroi. Më tej, shkrimtari i madh e sheh bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, si një domosdoshmëri logjike të pashmangshme.
Dritëro AGOLLI:
Në këtë diskutim modest, unë do të flas më shumë si një qytetar dhe si një shkrimtar, që kam po atë shqetësim të bashkatdhetarëve të mi për çështjen shqiptare, çështje që i shqetëson të gjithë ballkanasit, duan apo nuk duan. Ballkanin e kanë quajtur “fuçi baruti”, por ne ballkanasve do të na vinte mirë të na quanin “fuçi vere”, që duke pirë bashkërisht ndonjë gotë, t’i zgjidhnim hallet tona dhe të dehur nga zgjidhja të shkonim të flinim pa parë ëndrra të llahtarshme. Unë nuk jam as nacionalist dhe as shovinist dhe përpiqem ta detyroj veten të kem sensin apo ndjenjën e historizmit.
Të mirë apo të këqij ballkanasit, unë jam i detyruar të jetoj me ta dhe kur të më zërë rruga të pi një kafe në Shkup, në Athinë, në Beograd, në Podgoricë, në Prishtinë apo në Zagreb. Dhe duke pirë kafe të flas edhe ndonjë fjalë nga gjuhët tona ballkanike që i dimë, se i kemi mësuar nga njëri-tjetri.
Unë jam Dritëro Agolli, deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin shqiptar. Jam njeri që merrem me politikë, por jam një njohës i dobët i politikës; më mirë njoh verën dhe poezinë. I dëgjova me vëmendje të madhe diskutimet, veçanërisht atë të profesor Ljubica Rajiç, që ishte një diskutim i një niveli të lartë njohurish, pavarësisht nëse i pranon apo nuk i pranon mendimet dhe alternativat e tij. Për ndonjë nga këto alternativa, për të cilat profesor Rajiçi tha se i vështronte me skepticizëm, si alternativa e ndryshimit të kufijve apo e të drejtës së vetëvendosjes, unë do të thosha se edhe skepticizmi nuk është një fenomen permanent, ai ndryshon si shumë gjëra që ndryshojnë në këtë shekull.
E kujt ia priste mendja se do të shembej kaq shpejt totalitarizmi komunist?! Edhe për këtë shembje ma merr mendja që kolegu im Rajiç para pak kohësh do të ketë qenë më skeptik se unë. Rënia e komunizmit ndryshoi edhe kufij konceptesh, edhe kufij gjeografikë dhe jehona e kësaj rënieje do të ndryshojë edhe mjaft gjëra të tjera. Me rënien e komunizmit, edhe mjaft ligje dhe nene të Kartës së Helsinkit janë vjetëruar. Ku ta dimë ne se nesër do të dalë një Kartë e Kopenhagenit, ku të shënohet se: “Kufijtë janë të ndryshueshëm”. Jo të gjitha gjërat parashikohen në natyrë dhe në shoqëri. Nesër mund të zbresin akullnajat nga detet e ngrira dhe t’i rregullojnë mirë kufijtë e shteteve!…
Por të vijmë te çështja shqiptare. Shekulli që po mbaron nuk e zgjidhi problemin shqiptar në Ballkan dhe mesa duket, do t’ia lërë si barrë mbi shpinë shekullit tjetër. Në ecjen e shekullit të 20-të në Ballkan kanë ndodhur përmbysje të mëdha historike, kanë rënë perandorira dhe mbretërira, janë thyer ushtri të tëra në dy luftëra të mëdha botërore, janë ndërruar regjime politike dhe shoqërore, janë zëvendësuar ideologji dhe rryma filozofike, por vetëm një gjë për ne shqiptarët nuk ka ndryshuar: Shqipëria ka mbetur e ndarë përgjysmë si popull dhe si tokë, e ndarë nga fuqitë e mëdha të Europës për interesat e tyre dhe në dobi të fqinjëve tanë.
Në të gjitha ngjarjet e mëdha historike, si në luftën për pavarësi kundër Perandorisë Osmane dhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ballkanasit kanë luftuar bashkërisht: shqiptarët, grekërit, serbët, malazeztë e maqedonët; të plagosur kanë ngritur shoku-shokun në shpinë, duke lyer me gjak palltot e tyre. Shqiptarëve u janë bërë premtime se me mbarimin e këtyre luftërave, sa të fitohet liria, problemi shqiptar do të zgjidhet, populli vetë do të vendosë nëse Shqipëria do të bashkohet apo jo. Por fatkeqësisht çështja shqiptare ka shkuar keq e më keq. Në ish-Jugosllavi, ku jeton një Shqipëri e dytë, shqiptarëve u mohohet gjëja më njerëzore – liria, duke përfshirë këtu lirinë e arsimit, lirinë e mjeteve të informacionit, lirinë e ushtrimit të kulturës dhe letërsisë. Shqiptarëve u mbyllet akademia, universiteti, biblioteka kombëtare dhe institucionet e tjera shkencore dhe sociale.
Policë të dehur hyjnë nëpër klube e kafene, duke qëlluar me kobure njerëz të thjeshtë vetëm e vetëm se janë shqiptarë. Atëherë ku janë liritë dhe të drejtat e njeriut, të drejtat dhe liritë e individit? Të drejtat dhe liritë e individit në Kosovë janë të lidhura me të drejtat dhe liritë e kolektivitetit, me të drejtat dhe liritë e kombit. Pa liri dhe të drejta të kombit si kolektivitet, nuk ka liri dhe të drejta të individit. Por nëse individi shqiptar në ish-Jugosllavi nuk është i lirë, nuk është i lirë as individi serb apo maqedon. Individi serb apo maqedon nëse nuk ia lejon shqiptarit lirinë, ky serb apo ky maqedon do të jetë skllav apo rob i urrejtjes dhe mërisë. Duke qenë i pushtuar nga urrejtja, serbi vetë nuk është i lirë, pasi është në thonjtë e urrejtjes dhe e drejton urrejtja. Urrejtja i prish moralin, i prish qetësinë dhe gjumin. Me urrejtje nuk ka liri as individi serb.
Siç thashë, Shqipëria është e ndarë në dy pjesë: tre milionë banorë jetojnë në Shqipërinë e brendshme dhe tre milionë banorë jetojnë në Shqipërinë e jashtme. Me këtë ndarje përgjysmë të Shqipërisë edhe demokracia mbetet gjysmake, mbetet një demokraci e vockël me një horizont të ngushtë, një demokraci provinciale e fyer nga shtetet e fuqishme. Ngushtimi i popullsisë dhe i territorit sjell edhe ngushtimin e demokracisë në Shqipëri. Kjo ndarje e Shqipërisë në dysh dhe mohimi i të drejtave dhe lirive të shqiptarëve sjell shumë të këqija.
Ajo, përveç të tjerave, gjymton njeriun dhe ia prish moralin. Nga kushte të vështira ekonomike dhe politike shtohet ushtria e emigracionit. Nga Shqipëria e jashtme – Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, janë mbi 400 mijë emigrantë në Europë dhe Amerikë. Po rreth 400 mijë janë nga Shqipëria e brendshme, që bëjnë 800 mijë më shumë se ç’ka banorë republika e Malit të Zi. Vetëm në dy vitet e fundit dergjen në burgjet e Europës mbi 50 mijë shqiptarë dhe janë vrarë për arsye të ndryshme mbi 1500 veta. Ky është rrjedhim edhe i ndarjes së Shqipërisë përgjysmë dhe përndjekjeve ndaj shqiptarëve.
Ne themi me gjuhën e diplomacisë se kufijtë janë të pandryshueshëm, pasi këtë ndryshim nuk e lejon Karta e Helsinkit. Logjika të shtyn të pyesësh: kjo Karta e Helsinkit Bibël qenka? Vetëm Bibla është e pandryshueshme. Në Shqipëri ka tri mendime për çështjen e Kosovës, tri mendime zyrtare dhe popullore. Mendimi i parë është që Kosova të jetë republikë me lidhje të ngushta me Republikën e Shqipërisë; mendimi i dytë i sferave diplomatike, i detyruar nga Europa, është që Kosova të fitojë një autonomi të civilizuar të shkallës së Kushtetutës së 1974-ës dhe mendimi i tretë popullor është që Kosova të bashkohet, siç ka qenë, me Shqipërinë, duke e mënjanuar padrejtësinë historike të 1913-ës, kur fuqitë e mëdha e ndanë në mënyrë cinike dhe megalomane vendin tonë. Ndërsa për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni mendimi aktual joabsolut është që ata të quhen si popull shtetformues bashkërisht me maqedonët.
Ne Maqedoninë e njohëm të parët si shtet dhe atëherë nga ana e saj u premtua se do të respektonte të drejtat dhe liritë e shqiptarëve. Tani na del se asnjë universitet nuk lejohet të hapë shqiptarët. Madje në ditën e inaugurimit qëllohen me armë arsimdashësit shqiptarë, plagosen dhe vriten. Po a qëllohet me armë një gjë kaq e ndritur siç është shkolla? Ne me Maqedoninë po bëjmë një autostradë Shkup-Durrës, do të bëjmë edhe hekurudhën. Me autostradën dhe hekurudhën, Maqedonia lidhet me detin Adriatik, pasi ajo vetë nuk ka det. Shqiptarët Maqedoninë po e shpien të lahet dhe të bëjë banjo në plazhin e Adriatikut, ajo na qëllon me kobure.
Ballkanasi është një specie njeriu shumë e çuditshme. Njeriu ballkanik ka tri shpirtra: ka shpirtin nacional, shpirtin ballkanik dhe shpirtin europian. Ballkanasit një herë i shfaqet shpirti nacional, një herë shpirti ballkanik dhe një herë shpirti europian. Këto tri shpirtra shpesh përleshen mes tyre brenda vetes së ballkanasit. Është e vështirë të vendosësh harmoni mes këtyre tri shpirtrave. Kur të ketë harmoni mes tyre, do të ketë civilizim të vërtetë demokratik në Ballkan dhe çështjet nacionale do të zgjidhen drejt. Po nuk u zgjidh drejt çështja shqiptare nuk do të ketë rend demokratik të përparuar as në Serbi, as në Maqedoni, madje as në Shqipëri.
Diskutim i mbajtur më 19 shkurt 1995, në Konferencën e Forumit Internacional të Lëvizjes Punëtore në Kopenhagë./Panorama/ KultPlus.com
Kam dashur t’i gjeja dhe nipit tim të vogël një nuse Andej nga Kosova në fshatrat e thella, Po kjo ka qenë një ëndërr pas zjarrit me flakë të kuqe Si valë e flamurit tek shpella.
Ka qenë vërtet një ëndërr në viset e mia me gurra, Ku rrjedhin ujrat, por unë etjen e verës zor se e shuaj. Kam dashur nusen e nipit të mos e marr me vetura, po veç si qëmoti me kuaj.
Një muaj të tërë le të zgjaste udhëtimi me kalë, Me pluhur mbi vello të vinte nusja e nipit tek unë, me dorën time t’ia shkundja duvakun palë mbi palë Atje tek oxhaku, ku kafja në xhezve bën shkumbë.
Dhe s’kishte gjë, le të binte pluhur i udhës së largët Në vatrën time të vjetër sa përralla, Po kjo nuk ndodhi mes botës së ligë e të varfër, Ku rron ky fisi i ynë i ndarë në dysh plot andrralla,
Ku s’merr dot një nuse për nip a për djalë, Se fisin e ndanë kufiri me dy pasaporta; Këto pasaporta s’te lënë të marrësh nuse me kalë, As me vetura, as me trena dhe as me aviona ndofta…
Kam ëndërruar t’i gjeja një nuse tim nipi të dashur Në fshatrat e thella andej nga Kosova, Se s’desha të shkoja në tjetren botë me buzë të plasur, Ta shuaja etjen e mallit për aq sa të rroja. / KultPlus.com
Fragment nga letërkëmbimi mes Sadije dhe Dritëro Agollit në vitet 1964-1965:
Dua që në këtë çast të jem me ty. Ti të rrish karshi meje, të flasësh , të qeshësh . E di ti se më pëlqen qeshja jote? Ti qesh fare fare . E sheh si është natyra e njeriut e dyfishtë? Unë në tregime e vjersha jam shumë i përmbajtur, apo jo ? Edhe në shkrimet e dashurisë bile jam i përmbajtur. Po kur nis të të shkruaj ty , e humb gjakftohtësinë . Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija. / KultPlus.com
“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një nga romanet jo vetëm më të mirë të shkrimtarit Dritëro Agolli, por të të gjithë letërsisë shqipe, tashmë po kthehet edhe në film, përcjellë KultPlus.
Lajmi u bë i ditur nga Elva Margariti, e cila tregoi se skenari dhe regjia do të jenë nga Fatmir Koci dhe filmi do të jetë prodhim i shtëpisë kinematografike “KKoçi Production”.
“Ishte kënaqësi të shihja kaq shumë të rinj, jo vetëm në rolet kryesore të filmit, por edhe në paskuinta, çka na jep besim se një brez i ri aktorësh e kineastësh kanë nisur udhëtimin e tyre”, ka shkruar Margariti.
Ky film, i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë është bashkëprodhim me shtëpinë filmike “Circle Production”, me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe shtëpinë filmike “KINO OKO”, Maqedonia e Veriut.
“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973), është kontributi më i rëndësishëm letrar i Dritëro Agollit në prozë. Kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari “në vijë”, romani është në të njëjtën kohë pasqyrë e pozitës së mjerë të vartësit të tij, Demkës, një kalemxhi i stërvitur, që pak nga pak është ndarë me talentin. / KultPlus.com
Dritëro Angolli pati një lidhje të veçantë shpirtërore me Arbëreshët, të cilën e ka manifestuar në krijimtari, epistolarin e vet me miqtë arbëreshë, si dhe në veprimtarinë e tij si drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Ishte viti 1988, pikërisht 30 gusht 1988. Po afrohej 500- vjetori i themelimit të Horës së Arbëreshëve (italisht Piana degli Albanesi). Për kremtimin e kësaj ngjarjeje historike qenë organizuar nisma që do të mbeteshin të paharrueshme për arbëreshët: një festë popullore në të cilën morën pjesë grupe folkloristike të ardhura nga të gjitha arealet shqipfolëse të Italisë dhe nga Ballkani, ekspozita pikture, një konferencë ndërkombëtare në të cilën referuan albanologë të ardhur nga vende të ndryshme të botës: nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Europa. Sigurisht nuk munguan edhe përfaqësimet e qendrave kërkimore shqiptare, midis të cilave dalloheshin ato të Universitetit të Tiranës e të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si edhe delegacioni i rëndësishëm dhe prestigjioz i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Delegacioni kryesohej nga një intelektual i shquar, emri i të cilit ishte tashmë mjaft i njohur për shumë nga të rinjtë arbëreshë që i ishin qasur letërsisë shqiptare dhe që zienin nga mendimi se, së afërmi, do ta takonin.
Emocione të forta, por edhe drojë e madhe përballë një autoriteti të padiskutueshëm e një personaliteti të shquar sikundër ishte ai i Dritëro Agollit. Së paku këto ishin ndjenjat që unë vetë provoja, duke konsideruar se nuk kisha pasur kënaqësinë për ta takuar personalisht autorin e veprave aq të famshme, disa nga më të arrirat e letërsisë bashkëkohore shqiptare. Ndër organizatorët zotëronte ankthi i pritjes së ditës në të cilën, më në fund, do të takoheshim me këto personalitete. Për arbëreshët, që në atë përvjetor të rëndësishëm ia kishin dalë t’i bashkonin shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Greqisë dhe albanologë të shquar si amerikani Eric Pratt Hamp ose sovjetikja Agnija Desnitskaja, ishte një sukses me domethënie të madhe simbolike, ishte gati si një njoftim i asaj që pak vite më vonë do të ndodhte pashmangshëm me rënien e perdes së hekurt.
Fjalimi përurues i Dritëro Agollit qe shumë i efektshëm, zgjoi reagime veçanërisht pozitive një nga konsideratat e gjata të tij në të cilën ngërthente me vizionin jashtëzakonisht të kthjellët e largpamës karakterin dallues të atij fenomeni sociologjik e kulturor që, pak më shumë se një dhjetëvjeçar më parë, Pier Paolo Pasolini e kishte përkufizuar “mrekullia antropologjike e arbëreshëve”.
Fjalimi i Dritëro Agollit
“Arbëreshët janë bijtë tanë, nëse marrim parasysh faktin se nënë e tyre e lashtë është Shqipëria. Në të njëjtin kohë ata, për sa u përket zakoneve, riteve, trashëgimisë kulturore e materiale dhe gjuhës, janë edhe pararendësit tanë, sepse na japin mundësinë të njohim mënyrën e jetesës së shqiptarëve në Shqipërinë e shekullit XV, d.m.th. fëmijërinë tonë. Kjo nuk do të thotë aspak se ne do të jemi të prirur ta konsiderojmë Horën si një specie të muzeut ku të zhvillohen kërkime mbi gjuhën dhe zakonet, ku të shkojmë për të kërkuar fosile të qytetërimit tonë. Përkundrazi, ne urojmë ta shohim Pianën në lulëzim të përhershëm, në një zhvillim ekonomik e kulturor në gjirin e shoqërisë italiane, për të ruajtur identitetin e vet, pa zgjedhur izolimin. Kultura europiane, sikundër pohon një shkrimtar i njohur, është Promete, Faust e Sizif njëkohësisht. Por unë shtoj: të jetosh në mesin e saj do të thotë të dish edhe të mbrohesh për të mos u asimiluar, po edhe për t’u pasuruar e për të mos u vjetruar.”/ KultPlus.com
Dritëro Agolli, kolosi i letrave shqipe mbylli sytë më 3 shkurt 2017 në moshën 86-vjeçare. Shkrimtar, publicist, gazetar dhe politikan që ka lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore për vendin.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social, ku ka theksuar se Dritëroi ynë i madh, dritëron për jetë në çdo varg e libër që na la trashëgim të gjithëve.
‘Me rrënjët e thella në popull, shprehës i fuqishëm i shpirtit të shqiptarit të thjeshtë, të ndershëm, punëtor e patriot, Dritëroi do të jetë gjithmonë pranë nesh me idetë e tij të vyera në letërsi, art dhe politikë. Shumë mall për ty mik i shtrenjtë, që na mungon kaq shumë’, është shprehur tutje Meta.
Katër vite pas humbjes së tij, shtëpia e të madhit Dritëro do të kthehet në muze. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet se gjithçka është në rrugë të mbarë për të hapur shtëpinë e tij në “Rrugën e Dibrës”, ku jetoi e shkroi veprat e paarritshme.
“Sot bëhen 4 vite pa Dritëroin e madh! Jemi në rrugë të mbarë për të hapur shtëpinë e tij në “Rrugën e Dibrës”, ku jetoi e shkroi veprat e paarritshme – aty, në ndonjë raft, do ta kërkojmë e rilexojmë”, u shpreh Veliaj.
Edhe vajza e tij, Elona, përmes një postimi në rrjetet sociale bën të ditur lajmin.
“Më 28 Janar 1974 përmes këtij Autorizimi , babit iu dha e drejta e strehimit në Pallatin 85 të Rrugës së Dibrës ( quajtur atëherë Rruga Bajram Curri) . Derisa mbylli sytë jetoi në këtë apartament . Tanimë, do të kthehet në shtëpi muze”, shprehet Elona Agolli. / KultPlus.com
Sot bëhen katër vite pa poetin e shkrimtarin e madh shqiptar Dritëro Agolli. Prania e tij artistike vjen pothuajse çdo ditë mes vargjeve e letrave që la ai.
Agolli ishte poet, prozator, publicist dhe politikan shqiptar. Që nga viti 1973 ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare.
Agolli iku nga kjo botë më 3 shkurt të vitit 2017, ndërsa po atë ditë u rikujtua më së shumti përmes poezisë “Kur të jesh mërzitur shumë”, pasi që vet poezia ishte një udhëzim se ku duhet kërkuar autori kur të mos jetë më.
Kjo poezi e vendosur edhe në vargje këngësh, është interpretuar mjaft shumë nga artistë e interpretues.
KultPlus sot ju sjell këtë video me interpretimin e vet autorit Dritëro Agolli.
Këtu s’ do të jem, do jem larguar; Në tokë i tretur si të tjerët, Në kafenenë e preferuar Nuk do më shohin kamarierët.
Dhe nëpër udhët ku kam ecur, S’do ndihet kolla ime e thatë, Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur Një qiparis si murg i ngratë.
Ti do trishtohesh atëherë, Se s’do më kesh në dhomë gjallë, Dhe, kur në xham të fryjë erë, Do qash me erën dalëngadalë.
Po kur të jesh mërzitur shumë. Në raft të librave kërkomë, Atje do të jem i fshehur unë, Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë.
Mjafton që librin pak ta heqësh Dhe unë do zbres, do vij pas teje; Ti si dikur me mall do qeshësh, Si një blerim pas një rrëkeje… / KultPlus.com
Shkrimtari, poeti dhe politikani shqiptar, Dritëro Agolli, ndërroi jetë më 3 shkurt të 2017, në moshën 85-vjeçare.
Agolli vuante prej kohësh nga një sëmundje në mushkëri, ndërsa nuk e kishte ndarë asnjëherë cigaren nga dora.
Veprat e autorit të madh shqiptar, që u lind më 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit, u përkthyen edhe në shumë gjuhë të huaja.
I paharrueshëm është edhe romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që flet për burokratin servil Zylo Kamberi, i cili falë Agollit u bë subjekt filmash dhe këngësh.
Vepra e fundit e tij ishte libri me poezi “Prit edhe pak”, të cilin ia kushtoi bashkëshortes Sadies.
Përveç krijimtarisë artistike, Agolli u mor edhe me politikë, duke qenë një nga themeluesit dhe më pas deputet i Partisë Socialiste. / KultPlus.com