Intelektualit indiferent

Poezi nga Dritëro Agolli e shkruar në vitin 1993

Në vite të zgjebur, të rrjedhur nga guvat,

Zbret pas historia si rrotë

Dhe ngjiten në kodër hajdutët dhe kurvat

Të shajnë e të nëmin heronjtë.

Dhe ti i zgërlaqur , kur shpohen kambanat,

Në sofër më hesht si bizele,

Paçka se kusarët, paçka se putanat

Heronjtë i mbështjellin me zhele./ KultPlus.com

“U vonuan tre muaj për t’ia vënë emrin, por i mbeti emri Dështak”

Fragment nga vepra “Dështaku” e Dritëro Agollit:

Ai lindi në fshatin Qershizë të krahinës së Devollit, në janar të 1922-së. Kur lindi, gjeti mbi tokë shumë dëborë. Prandaj iu bënë flokët të verdhë dhe sytë të kaltër. Gjeti mbi tokë shumë dëborë, tregonte e ëma, Fahrije Mara. Dhe lindi i vockël sa një lepur i egër, bile më i vockël se lepuri i egër. Lindi shtatëmuajsh, prandaj ata që vinin dhe e shikonin i thoshin “Dështak”. Pastaj, edhe se ia vunë emrin Xhelo, e thërrisnin “Dështak”. Por gjirin e nënës e thante. Pinte si shushunjë. Ngulej në sisën e saj dhe thithte gjersa të mos mbetej asnjë pikë. “Ky po më thith edhe ujërat e trupit”, thoshte Fahrija. Duke thithur sisën, rritej. Nga një lepur i egër, u bë qengj, bile derrkuc, se thithte gjithçka. Kur s’e kishte pranë gjirin e nënës, thithte çarçafin e jorganit, thithte gishtin e dorës, thithte gishtin e këmbës duke e ngritur dhe shpënë te goja, thithte çdo gjë që i shëmbëllente sisës. Shikonte pranë diçka të gjatë, fjala vjen, një kleçkë, një grykë shisheje, një bisht sqepari, një pykë, zvaritej, e merrte, e vinte në gojë dhe e thithte. Prandaj ia ngjitën edhe nofkën “thithak”.Por i mbeti emri “Dështak”, ndofta edhe nga një arsye tjetër. U vonuan tre muaj për t’ia vënë emrin. Ai që dinte të vinte emra, baba Ahmeti i teqesë së Kuçit të Devollit, kishte shkuar në Vjenë të Austrisë për t’u bërë operacion nga një gjendër në gushë. Gjyshi i “Dështakut”, plaku Nesim Mara, ishte myhyb bektashi dhe babai i teqesë duhej të ndodhej në krye të sofrës, që t’i vinte edhe emrin.Ashtu u bë. U kthye nga Vjena babai i teqesë dhe në fund të marsit, kur dëbora ende nuk kishte shkrirë e gjitha, në shtëpinë e Morave u therr dashi më i madh i kopesë, u tundën muret nga vala e ziafetit dhe në sofrën e gjerë sa një lëmë baba Ahmeti thirri tri herë: “Xheladin, Xheladin, Xheladin!” Ai, me mjekër të zezë e me sërëk jeshil, shpallte emrin e “Dështakut”, që shkurt tani i thonë Xhelo.“Dështaku”, kur u bë pesë vjet, mbante një manar të bardhë. Manarin e ushqente dhe ai e ndiqte hap pas hapi. Madje flinte edhe me të. Gjyshi i “Dështakut”, Nesim Mara, e kishte taksur manarin të bëhej kurban në teqenë e Kuçit para këmbëve të baba Ahmetit. Atëherë në vjeshtën e 1927-s gjyshi, gjyshja, i ati dhe e ëma e morën me vete Xhelon, që rrallë tani i thoshin “Dështak”, morën edhe manarin me brirë të kthyer tri herë, dashin e vërtetë, dhe shkuan në teqe. Atje gjyshi e shtriu dashin para këmbëve të baba Ahmeitt, që qëndronte në fund të shkallëve të teqesë, dhe ia vuri nën qafë thikën. Manari i bukur i drodhi disa herë këmbët mes gjakut dhe dha shpirt. Babai ngriti tre gishtërinjtë e tij lart mbi kokën me sërëk, vështroi qiellin dhe tha: “I madhi Haxhi Bektash Veliu, na prit se po vijmë me dashin më të madh që kam parë!”Atë natë teqeja ziente. Luanin valle dervishët, këndonte babai i teqesë, ia priste këngës gjyshi, mbanin iso gjysja, i ati i “Dështakut”, e ëma. Vetëm Xheloja qante. I vinte keq për manarin. Që atëherë i mori inat baballarët dhe dervishët e teqeve. U zemërua me ta dhe s’u pajtua kurrë./ KultPlus.com

Kur çështja kombëtare bashkonte Dritëro Agollin, Ibrahim Rugovën dhe Ali Aliun (FOTO)

Çështja kombëtare i kishte bërë që të uleshin në një tavolinë tre shkrimtarët nga dy vendet shqiptare, Dritëro Agolli nga Shqipëria, Ibrahim Rugova dhe Ali Aliu nga Kosova, shkruan KultPlus.

Vajza e shkrimtarit Agolli, Elena Agolli ka shpërndarë fotografinë e viteve të 90’ta, teksa ka thënë se bisedat gjallëroheshin me temën e bashkimit kombëtar.

“Shpesh rrinin bashkë në tryeza të përbashkëta ,të gjallëruara nga bisedat për çështjen kombëtare dhe bashkimin kombëtar. Herë – herë debatonin fort , disa të tjera herë miratonin mendimet e njëri – tjetrit”, ka shkruar Elena Agolli.

Në fotografi shihet edhe gruaja e shkrimtarit nga Menkulasi, Sadije Agolli. / KultPlus.com

.

Podrimja drejtuar Agollit: Ç’të bëj, ma grabisin Kosovën…

(marrë nga profili i Elona Agolli)

Letër e poetit dhe mikut Ali Podrimja , dërguar 26 shkurt 2003 …

I dashur Dritëro,

Ç’të bëj? Në veri ma grabisin Kosovën serbët ; në jug maqedonët, në Perëndim malazezët …Vendlindja e Azem Shkrelit nuk është më nën jurisprudencën e Kosovës , po të Malit të Zi , ndërsa varri i Fahredin Gungës gjendet nën jurisprudencën e Serbisë …

E, unë ku të prehem ?

Shqipëria , mund të më ofrojë azil? Kam rënë në hall me bajraktarët e Kombit. Nuk di ç’të bëj? …

Të qafon yt vëlla,

Ali Podrimja

26 shkurt 2003

Ulpianë/ KultPlus.com

“Mendja më shkon për shtëpinë, s’ia ndreqa dot në verë çatinë”

Poezi nga Dritëro Agolli

Çatia e vjetër

Ky dimër do ketë shira dhe erëra shumë,
Këtë e ndiej se kockat më dhëmbin ;
Do të ketë breshër , dëborë e furtunë,
Të gjitha këto do na çmëndin !

Ndaj mendja më shkon në shtëpinë,
Strehën e nënës së ngratë;
S’ia ndreqa dot në verë çatinë,
S’më dilnin paratë.

Tani çatia e vjetër do rrjedhë
Dhe trualli do bëhet lara-lara nga pellgjet ;
Nëna supit batanien e grisur do hedhë
Dhe si guriçkë në qoshen e thatë do dergjet .

Megjithatë nga andej s’do t’i iket,
Le ta mërzisin pikat në truallin e lagur;
Si një kandil gjer në vajin e fundit do digjet
Nën strehën që bashkë me të është plakur. / KultPlus.com

Agolli: Për çështjen e Kosovës më shumë flasin politikanët se sa historianët e njerëzit e kulturës

Për çështjen e Kosovës sa kalon koha aq më shumë flitet. Më shumë flasin politikanët e sferave të partive politike se sa historianët e vërtetë dhe njerëzit e kulturës , që kanë një mendim racional , të painfektuar nga pasionet partiake.

Ata që kanë pasione partiake mundohen që problemin e Kosovës ta shpien në mullirin e partisë së tyre, për të bluar miellin që gatuan petulla propagandistike për t’ua shpërndarë atyre njerëzve që kanë në mend t’i bëjnë për vete.

Dritëro Agolli , dhjetor 1994.

Marrë nga profili i Elona Agolli. / KultPlus.com

Disa mendime të Dritëroit për Fishtën dorëshkruar në vitin 2001, e krahason me Homerin

Sot në 149-vjetorin e lindjes At Gjergj Fishtën, një nga figurat më të ndritura dhe më mbizotëruese të letërsisë shqipe, vajza e Dritëro Agollit, Elona Agolli ka ndarë me ndjekësit e saj disa dorëshkrime të Dritëroit për Fishtën.

Ndër të tjera, Dritëroi kishte shkruar në vitin 2001 se vepra e Fishtës është një dokument kulture, siç është edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit. Ndërsa e përfundoi shkrimin duke shkruar: Ky Hektor i mungon Fishtës për të qenë Homer…

Ky është shkrimi i plotë i Dritëroit:

Vepra e Fishtës është një dokument kulture, siç është edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit . Të dy këto dokumente janë pranë e pranë. Ndërsa Kanuni është një Kushtetutë e mesjetës shqiptare, vepra e Fishtës është një hymn i primitivitetit shqiptar, i mesjetës me tërësinë e zakoneve dhe konstitucionit shpirtëror. Fishta e quante Evropën “ kurva e motit” jo vetëm se ishte fajtore e copëtimit të Shqipërisë, por edhe se po prishte jetën baritore primitive të shqiptarëve . Është e çuditshme se Naim Frashëri, shumë kohë para se Fishta të thoshte “Evropa kurva e motit”, pohonte se “dielli lind nga perëndon”, domethënë nga Evropa. Pra, Fishta Evropën e quan “kurvë” , Naimi e quan “ të dashur”. Po ta kini vënë re, shumë vjet më parë, fshatarët, vajzat e dashuruara me djemtë ndër qytetet e Evropës i shikonin me dyshim dhe iu dukeshin si çupa të përdala. Fishta, këtë mendim të fshatarit primitiv këndon dhe mburr. Dhe këtu qëndron edhe vlera e tij si letërsi. Homeri vërtet mburrte hovin primitiv të Akilit, por jepte edhe shpirtin delikat të Hektorit. Ky Hektor i mungon Fishtës për të qenë Homer…

Dritëro Agolli , 22 tetor 2001. /KultPlus.com

Roland Qafoku: Ismail Kadare apo Dritëro Agolli?

Nga Roland Qafoku

Shqipëria është një komb shumë i vogël për të pasur një shkrimtar të kalibrit të Ismail Kadaresë. Por Shqipëria është një komb po aq i vogël për të pasur veç tij edhe një poet dhe shkrimtar tjetër si Dritëro Agolli.

Kadareja si monark i letrave shqipe dhe Agolli si patriark, mbeten pa dyshim produkti më i mirë dhe unikal i së njëjtës periudhë në historinë e letërsisë shqipe. Por, kur dy talentet më të mëdha të shekullit të 20-të shpërthyen, mori udhë edhe një debat se cili është më i miri, Ismail Kadare, apo Dritëro Agolli.

Cili është më i pëlqyeri? Cili është më përfaqësuesi? Cili është më i njohuri ndërkombëtarisht? Cili është më i vlefshmi dhe cili është mbreti dhe cili është princi i letrave shqipe? Nuk besohet se e njëjta pyetje mund të jetë drejtuar kaq shpesh për dy shqiptarë bashkë?

Më kujtohet në shkollën e mesme se një nga debatet më naive që bënim me njëri-tjetrin mbështetej pikërisht te këto pyetje. Klasa ndahej në dy grupe që kuptohej qartë se shumë lehtë mund të ishte edhe me Kadarenë, por po aq lehtë mund të ishte edhe me Agollin. Sot kuptoj se e vetmja ndarje klasore që ndodhte në atë kohë në shkollë ishte nëse ishte në “klubin” e Kadaresë apo në të Agollit, dhe këtu futej edhe numri i librave me këta dy autorë që kishte lexuar secili nga ne.

Për disa, Kadare ishte më klasik, më i epërm, më me sqimë, më me ndjenjë, aq sa ishte pothuajse turp të mos dije përmendësh vargjet e tij dashurore “Ca pika shiu ranë mbi qelq/ Dhe unë për ty se ç’ndjeva mall./ Jetojmë të dy në një qytet./ Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.” Apo të tjera akoma më me ndjenjë: “Jo nuk kish si ndodhte ndryshe/ Të ndodhte ndryshe s’kish se si./ U desh të zhdukeshin përbindshat/ që në këtë botë të vije ti”.

Për të tjerë, Dritëro Agolli ishte i shkrirë me masat, ishte më popullor, më me këmbë në tokë aq sa i jepnin të drejtë me vargjet e tij “Po Devoll, i tillë qenkam unë/ paskam marrë baltën tënde arave/ në një trastë leshi, ndënë gunë/ për t’ia sjellë Lidhjes së Shkrimtarëve.” I fliste kombit, gurëve, kafshëve, pemëve dhe të gjithë i dinim përmendësh vargjet: Nënë Shqipëri/ Mblidhen rreth teje burrat me thinja të lashta/ Mblidhen rreth teje vajzat dhe djemtë si zogjtë/ Me tokën tënde në duart e ashpra/ Me hekurin tënd në supet e fortë/. Por sa lart e ngrinte dashurinë Agolli nga Devolli, kur i thurte vargje nga Stambolli, bashkëshortes, Sadijes: E ku ta lija një lanete/ Një xhinde Shkodre, një kaproll./ Ajo me not do çante dete/ Dhe do më gjente n’Anadoll.

Më dukej si një lojë fëminore në atë kohë, por që nuk dukej edhe aq kur mësoja se një debat i tillë zhvillohej edhe në shkolla të tjera, në universitete, e deri tek institucione dhe grupe shoqërore. Edhe vetë shteti komunist e nxiste këtë duel. Herë i ngrinte në qiell të dy, e herë u fuste ndonjë kopaçe po të dyve, aq sa në mënyrë vulgare kryeministri i asaj kohe Mehmet Shehu tha në një takim: “Ju jeni dy shkrimtarët më të mëdhenj të Shqipërisë. Ty Dritëro dhe ty Ismail, Partia ju ka si dy qe që lërojnë tokën, por që herë pas here u çpojmë që të lëroni sa më mirë.” Dhe shpim për diktaturën ishte ndalimi i botimit të veprave. Ai ndodhte rregullisht, edhe me Ismailin edhe me Dritërorin dhe po aq rregullisht ata ngriheshin në qiell. Vetëm me një ndryshim: Ngritja në qiell vinte më shumë nga populli, se shteti i survejonte në çdo drejtim. Leximi i veprave të tyre ishte si një ngjarje. Librat e tyre, në fakt, nuk lexoheshin, ata përpiheshin. Ishte e vetmja arrati dhe i vetmi argëtim real në atë diktaturë.

Por ç’duhet të themi sot për Ismail Kadarenë dhe për Dritëro Agollin? Ç’duhet të themi, kur Kadareja pothuajse e ka mbyllur krijimtarinë e tij dhe nga lartësia e afër 85 viteve të jetës shijon pleqërinë e thellë, ndërsa Dritëroi, që nuk jeton më, e ka emrin i të skalitur në piedestalin e letërsisë sonë për gjithë prodhimtarinë e tij? A duhet të vazhdojmë me konkurse cili është më i miri? A duhet t’i ndajmë siç ndahemi në tifozë partish, apo duhet të kënaqemi që letërsia jonë nxori si kurrë më parë njëherësh dy talente, secilin me veçantinë e vet?

Po vetë ata me njëri-tjetrin si janë sjellë? A kanë pasur rivalitet? A ka pasur duel talenti i tyre? A e kanë vlerësuar njëri-tjetrin? A kanë qenë xhelozë? A janë grindur? A kanë pasur qejfmbetje?

Sigurisht që marrëdhëniet e tyre kanë pasur ulje-ngritje. Herë miq, e herë pa folur për vite të tëra. Por, ama madhështia e tyre është parë në shumë aspekte. Ka një sjellje kalorësiake të Ismail Kadaresë në vitin 2006, teksa shkroi në kapakun e librit të Dritëro Agollit, Zhurma e erërave rë dikurshme, fjalët: ‘Një nga librat më të mirë të kohës’. Libri u ndalua dhe u hoq nga botimi në vitin 1964 dhe pas 42 vjetësh, u ribotua denjësisht, duke pasur në kopertinë edhe këtë shënim të Kadaresë.

Edhe më kalorësiake është sjellja e Agollit tre vjet më vonë. Unë kërkova t’i merrja një prononcim, kur në vitin 2009 Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve i ishte drejtuar institucionit “Nobel” në Suedi që edhe Dritëro Agolli të ishte kandidat për çmim, krahas Ismail Kadaresë. Përgjigjja e Agollit ishte unikale: Shqipëria dhe letërsia shqipe ka vetëm një kandidat për çmimin “Nobel”. Ai është Ismail Kadare.

Kjo ishte në të gjallë të Dritëroit dhe nuk është pak. Por se çfarë vlerësimi kishte dhe ka Ismail Kadare për Dritëro Agollin është përjetimi që pati kur mësoi vdekjen e tij më 2015: “Ishte ndër lajmet më tronditëse. Jo vetëm për mua, por edhe për njerëzit e artit e gjithë shqiptarët. Dritëro Agolli do të na mungojë të gjithëve”, u shpreh ai. Ndoshta Kadareja duhet ta ketë kaluar në mendje ato çaste të gjithë historië e marëdhënieve me të, por më shumë besohet se duhet të ketë kujtuar kur në vitin 1993 Kadare u kthye për herë të parë nga Parisi, pas arratisjes, dhe në Rinas e priti pikërisht Dritëro Agolli. Sot pak e kuptojnë këtë, por në Shqipërinë e asaj kohe, kur një pjesë e quanin ende Kadarenë armik të popullit, kjo ishte sërish sjellje kalorësiake.

Po ç’ishte kjo rastësi në letërsinë shqipe që të rriteshin njëkohësisht dy korifenj “high profile” si Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli? Të dy bashkë në një shkollë në Gjirokastër dhe të dy bashkë shkruan vjersha dhe tregime në këndin e shkollës. Të dy bashkë nisën të shkruajnë në gazetat “Zëri i Rinisë” dhe “Letrari i ri”. Të dy bashkë në Universitet në Tiranë. Të dy bashkë me studime në Rusi. Të dy bashkë gazetarë në Tiranë. Të dy bashkë talente që shpërthyen që në rininë e hershme. Të dy bashkë morën vlerësime për romanet dhe vjershat e tyre dhe të dy bashkë u goditën dhe iu ndaluan libra. Dritëroi e ka treguar vetë këtë me një pasazh që tregon shumë:

“Eshtë e vërtetë që ne të dy kemi pasur edhe shumë fate të përbashkëta në fushën e krijimtarisë. Mua, në mesin e viteve ‘60, m’u ndalua libri “Zhurma e erërave të dikurshme”. Por edhe Kadaresë iu ndalua novela “Përbindëshi”, “Netë kafenesh” etj. Madje, ne shpesh kemi këmbyer me njëri tjetrin edhe tema të ndryshme. Njëherë, unë njihja një piktor të Shkodrës. Dhe ai kishte bërë një pikturë nudo. Nëna e tij e kish mbuluar pikturën me një perde apo mbulesë, sepse atje shkonte hoxhë efendiu i qytetit dhe mund të dukej si skandal i madh. Kur veja unë atje, e gjeja gjithmonë të mbuluar. Unë doja ta bëja vetë tregimin, por një ditë i them Ismailit, “ti mund ta bësh këtë tregim më të mirë se unë”. Dhe ia dhashë si subjekt. Ai e shkroi. Duke nxjerrë një tregim shumë të mirë. Pra, nuk ishim fanatikë në këtë anë”.

Aaa. Edhe një detaj intim. Bashkëshortja e Dritëroit, Sadija, ishte shoqe e ngushtë e Elenës dhe në dasmën e Ismailit Dritëroi ishte caktuar kryekrushk. Aty u njoh me Sadijen e cila u bë shoqja e jetës. Dhe të katërt ishin për dekada miq të mirë, komshinj të mirë.

Në kulmin e diskutimeve përse nuk po i jepej çmimi Nobel Ismail Kadaresë dhe kur një takëm shqiptarësh lumturoheshin me këtë, Dritëro Agolli tha:

“Është një nder i madh që Kadareja të marrë çmimin “Nobel”, sepse, me sa shoh, edhe në botë nuk ka figura të mëdha sot që të konkurrojnë me Kadarenë. Ndonjëherë, ky çmim u jepet njerëzve që për ne janë të panjohur. Pra, ai që thotë se Kadaresë nuk duhet t’i jepet çmimi “Nobel” nuk e njeh letërsinë”.

Shpesh marrëdhënia e tyre të jepte përshtypjen se të dy bashkë ishin si dy drejtëza paralele që zgjateshin e zgjateshin, por asnjëherë nuk takoheshin. Dhe herë të dy bashkë dukeshin si heronjtë e Homerit që herë ziheshin e herë pajtoheshin.

Agolli e ka treguar vetë qejfmbetjen e madhe: “Kanë qenë 2-3 momente të tilla. Një herë për poemën “Pashallarët e kuq”, ku edhe unë isha koshient se ajo nuk shkonte. Edhe vetë ai mund të dëmtohej rëndë nga ky botim. Për mua, unë mendoj edhe sot se kjo poemë më mirë të ishte zhdukur e të mos ishte fare as në arshivë. Kjo ishte përplasja e parë. Një rast tjetër ishte diskutimi për “Nëpunësin e pallatit të ëndrrave”.

Mua në atë kohë, me orientim nga Komiteti Qendror, më erdhi se këtu aludohej për shumë gjëra në lidhje me funksionim e politikës aktuale. Vetë Kadareja reagoi dhe kundërshtoi. Mua vetë më dukej se kjo vepër së bashku me “Kronikë në gur”, janë dy nga veprat më të mira të tij. Por unë nuk kisha çfarë të bëja për këtë. Mbase mund të kisha luftuar edhe më shumë, por ishte një situatë e atillë, kur ishte e vështirë ta bëja këtë.

Mbase ishte edhe periudha ngaqë Kadareja kishte lidhje me djalin e Mehmet Shehut dhe hidheshin lloj-lloj argumentash e supozimesh. Pastaj rasti i tretë kishte të bënte me reçensionin për librin “Koncert në fund të dimrit”. Këto ishin tri momentet e keqkuptimit. Ai gjithmonë i ekzagjeroi dhe pastaj u nxitën edhe të tjerë që bënë disa libra kundër meje”.

Por kush gëzohej nga sherret dhe debatet mes tyre? Përsëri Agolli e ka shpjeguar më së miri. “Sepse ka shumë thashethemexhinj që vijnë tek unë dhe që shkojnë tek Kadareja. Mua më flasin ndryshe, ndërsa atij ndryshe. Ata duan të fusin sherrin midis nesh. Po ju tregoj vetëm një rast, me një shokun tonë. Ai shkonte dhe i thoshte Kadaresë: ‘Dritëroi të ka sharë’, pastaj vinte tek unë dhe më thoshte të njëjtën gjë. Madje, një ditë Sadija ndërhyri dhe i tha atij: Hajde në shtëpi dhe thuaji Kadaresë çfarë ke thënë për Dritëroin, dhe thuaji Dritëroit çfarë ke thënë për Ismailin”. Është perlë ajo që ka thënë Sadija për Ismail Kadarenë dhe familjen e tij, teksa jetonin në një pallat familja e Dritëroit një kat më sipër: Kadaresë i kërkoj falje vetëm për çezmat që i kam lënë hapur.

Për ta mbyllur me letrën që Helena Kadare i dërgoi Elonës kur ndërroi jetë e ëma, Sadija. Një letër dërguar pikërisht vajzës që Ismaili i kishte vënë emrin. “Ne nuk rrinim më bashkë aq shpesh si dikur, por fijet e miqësisë nuk i premë asnjëherë… kur unë shkrova romanin tim të parë i kërkova babait tënd të më shkruante një skenë fshati që për mua ishte diçka krejt e panjohur. Dritëroi, pa më të voglin hezitim, madje duke qeshur, ma shkroi aty mbi tryezë. Ishte një dialog me punë fshati, skenë që edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë në roman ashtu siç e ka bërë ai me dorën e tij atë mbrëmje. Nëna jote e bukur, Sadija dhe unë, për vite të tëra e ruajtëm të pacenuar miqësinë tonë nga turbullirat e kohës”.

Si për t’i nderuar të dy bashkë dhe jo veç e veç, mjeshtri Pirro Milkani ka meritën që në vitin 2011 realizoi takimin e parë pas shumë vitesh mes tyre dhe të fundit të jetës. Ishte pjesë e skenarit të një filmi të Milkanit dhe biseda aty tregoi se ata të dy kanë qenë, janë dhe do të mbeten bashkë. Ishin dhe mbeten të dy mendje të ndritura, sepse jeta dhe krijimtaria e tyre kishte talent, por më shumë se kaq, të vërteta. Dhe të mos harrojmë që këtë talent e lëvruan nën diktaturë, për të cilën i shkon aq për shtat ajo që ka shkruar Helena Kadare në “Jetë e Pamjaftueshme” se letërsia dhe tirania ishin të dyja të pamëshirshme, si dy bisha që kafshojnë njëra-tjetrën. Mbetet fati ynë që i kishim, i kemi dhe do t’i kemi përherë të dy, Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin. / Koha Jone / KultPlus.com

Kur Margarita Xhepa emocionoi publikun me vargjet e ‘Poçarit’ të Dritëro Agollit (VIDEO)

Më 13 tetor të vitit 1931 lindi shkrimtari i madh shqiptar, Dritëro Agolli. Agolli vazhdon të mbetet ndër poetët më të njohur e më të dashur shqiptar, shkruan KultPlus.

Në vijim, për nder të kësaj dite që shënjon lindjen e Agollit, KultPlus ju sjell poezinë e tij ‘Poçari’ nën interpretimin e jashtëzakonshëm të aktores së madhe Margarita Xhepa.

‘Poçari’ konsiderohet ndër poezitë më të fuqishme që shkrimtari la pas. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/kultpluscom/videos/1627947527216530/

Shënime të pabotuara të Dritëro Agollit

Titulli si “patriarku i letrave shqipe” nuk mund të bjerë kurrsesi me vdekjen e tij. Përkundrazi, tanimë ai qëndron mbi të gjitha çmimet e titujt që kishte marrë sa ishte gjallë. E, gjithsesi, Dritëro Agolli cilësohet ndryshe dhe si një nga shkrimtarët më të mirë në letërsinë shqipe. Në këtë përvjetor të lindjes së tij gazeta “Fjala” po boton një shënim të Dritëro Agollit, të papublikuar më parë, si disa letra nga korrespodenca personale, materiale të cilat janë vënë në dispozicion nga familjarët.

Letërsia dhe roli i saj në mënjanimin e urrejtjes nacionale

Unë do të përpiqem të flas sa më shkurt për një problem që gjithmonë ka qenë aktual për ballkanasit dhe shkrimtarët ballkanas. E kam fjalën për letërsinë dhe rolin e saj në mënjanimin e urrejtjes nacionale në dobi të stabilitetit dhe paqes në Ballkan. Të flasësh shkurt, do të thotë të komunikosh telegrafikisht. Kështu, fjala ime përbëhet prej tri telegramesh.

Telegrami i parë

Njerëzit e përparuar, politikanët, shkencëtarët, publicistët, shkrimtarët dhe gjithë personalitetet e shquara, megjithëse kanë ndryshime në pikëpamjet politike dhe filozofike, nuk e kundërshtojnë bashkëpunimin për krijimin e një shtëpie të madhe, të stabilizuar dhe të qetë, një shtëpie që e ka emrin Ballkan, shtëpi që dikur i thoshin “fuçi baruti”.

Bashkë me dëshirën për bashkëpunim në stabilitetin e Ballkanit njihen edhe pengesat, si ato të diferencave ekonomike dhe botëkuptimore mes vendeve që dolën nga socializmi dhe atyre të demokracisë perëndimore. Edhe shpejtësia e ritmeve të zhvillimit ekonomik ka diferencë mes këtyre dy lloj vendeve në Ballkan.

Duhet kohë të ecim me të njëjtën shpejtësi. Por një ndër pengesat më të mëdha për paqen dhe stabilitetin në Ballkan është ekzistenca e urrejtjes nacionale, nga lindin konflikte, të cilat transformohen në luftëra të vërteta dhe sjellin tragjedira të panumërta, që mbeten gjatë në kujtesën e disa brezave. Kjo urrejtje nacionale nuk ka lindur vetvetiu në popujt tanë.

Ajo është kultivuar dhe rritur nga qarqe të caktuara politikanësh, historianësh, gazetarësh, fetarësh, ushtarakësh e me radhë. Mes tyre, fatkeqësisht, ka edhe shkrimtarë, madje edhe të talentuar. Unë kam njohur shkrimtarë ballkanas, – nuk është nevoja të përmend emra, – mjaft të dëgjuar edhe mjaft të këndshëm në biseda, por kur vinte fjala për vlerën e këtij apo atij kombi në Ballkan, ata bëheshin të tmerrshëm me shprehjen e nacionalizmit të tyre, duke e konfonduar atë me patriotizmin.

E, kjo ndjenjë në ballkanasin e thjeshtë nuk është. T’ju tregoj një shembull. Kohët e fundit shtëpia botuese greke “Patakis” botoi një librin tim me tregime me titull “Një grek i vogël në shtëpinë time”. Një miku im grek, pasi e kishte lexuar tregimin me këtë titull, më pyeti:

-E vërtetë është kjo ngjarje?

-Po! – i thashë.

Ja, kështu. Im atë kishte një mik grek nga Follorina. E quanin Thoma dhe i binte violinës. Im atë i thoshte “qirjo Thoma”. Qirjo Thomai i thoshte tim eti “qirjo Riz”. Kur kërciste porta, gjyshja ime i thoshte tim eti: – Ngrihu, se të erdhi qirjo Thomai. Ajo nuk i donte grekërit, pasi në një përpjekje ishte vrarë nga ta i vëllai. Nejse, në prag të Luftës italo-greke, gjashtëdhjetë vjet më parë, greku Thoma e solli të birin në shtëpinë tonë, pasi i kish vdekur e shoqja.

Grekun e vogël e quanin Pavllo. Gjyshja u tërbua, se kish frikë se greku i vogël mos më therte me thikë natën me që flinim në një dhomë. Pastaj ajo u qetësua, por thirri xherahun, berberin e fshatit, dhe e bëri synet, me gjithë kundërshtimet e tim eti. Kjo është një histori e gjatë. Por më në fund gjyshja e deshi aq shumë grekun e vogël, sa qau, kur atë e morën partizanet grekë, pas vrasjes së qirjo Thomait nga nazistët gjermanë.

Kështu gjyshja ime e mposhti urrejtjen nacionale dhe mua si shkrimtar më dha një temë internacionale.

Telegrami i dytë

E kam thënë edhe në një rast tjetër se shkrimtari ballkanas ka tri shpirtra: shpirtin nacional, shpirtin ballkanik dhe shpirtin evropian. Dhe vështirësia qëndron në harmonizimin e këtyre tri shpirtrave. Kur futet djalli në mes dhe i ngatërron këta tri shpirtra, në veprën e shkrimtarit shfaqen shumë djaj të vegjël.

Nëse ngjitet në ekstrem shpirti nacional, ngre kokën nacionalizmi me urrejtjen nacionale; nëse ngrihet në kulm shpirti ballkanik, shfaqet ksenofobi bashkë me grindjet megalomane; nëse vepron vetëm shpirti evropian, humb identiteti dhe shkrimtari mbetet pa adresë. Prandaj zotësia qëndron te harmonia e këtyre tri shpirtrave. Këtë harmoni e kërkon edhe letërsia në dobi të stabilitetit dhe të paqes në Ballkan, që nuk është një ëndërr e zbrazur, por një realitet.

Është e çuditshme se ne ballkanasit këtë harmoni e shfaqim bukur, kur takohemi në ndonjë vend larg Ballkanit, fjala vjen, në Afrikë, në Azi, në Amerikë, po edhe në ndonjë cep të Evropës. Para njëzet e pesë vjetësh unë isha në një qytet të Kongos franceze, në Afrikën Qendrore. Në hotel nuk më zinte gjumi dhe zbrita në bar.

Atje në një tryezë, në qoshe, ishte vetëm një njeri. Edhe unë u ula larg në qoshen tjetër. Ne i këmbenim vështrimet me njëri-tjetrin. Unë mendoja se ai njeri me mustaqe do të ishte ballkanas: ose shqiptar, ose grek, ose serb, ose rumun, ose bullgar. Ai shiko, unë shiko. Më në fund u ngrit dhe erdhi tek unë.

-Grek je?- më pyeti.

-Jo, – i thashë, – jam kushëriri yt, shqiptar.

-Di greqisht? – më pyeti.

-Di vetëm të shaj në greqishte – u përgjigja.

Dhe e shava greqisht me nënën.

Ai m’u hodh në qafë dhe më tha ta shaja edhe një herë. E shava tri herë dhe tri herë më përqafoi, duke me thënë:

-Ka njëzet vjet që nuk kam dëgjuar fjalë greke, more kajmeno.

Kështu që, kur je larg, malli për fqinjin e mposht nacionalizmin.

Telegrami i tretë

Flitet shumë tani për Paktin e Stabilitetit në Ballkan dhe për integrimin e tij në Evropë. Doemos ndihmat ekonomike, korridoret e tetë apo të dhjetë janë shumë të rëndësishme. Por nga njerëzit e politikës pak flitet për një korridor tjetër, korridorin e kulturës, letërsisë dhe arteve.

Është e domosdoshme që popujt tanë ta njohin më shumë letërsinë dhe artin e njëri-tjetrit, të organizojmë më shumë takime për ta njohur konkretisht shoku-shokun, të përkthejmë vepra dhe të shkëmbejmë përvojë. Në Shqipëri, megjithëse ka vështirësi ekonomike, sociale dhe politike, përkthehen mjaft shkrimtarë ballkanas, veçanërisht grekë, turq e rumunë. Përveç shkrimtarëve të shekullit të 19-të njihen Kavafis, Kazanaqis, Ricos, Seferis, Elitis, Jashar Kemal, Aziz Nesin, Nazim Hikmet, Dagllaxhan, Sozesku, Radiçkov, Kërlezha e plot të tjerë që nuk më kujtohen.

Mbase gaboj, por ka ardhur koha të krijohet Federata e Shkrimtarëve Ballkanas. E pse të mos krijohet, kur edhe gazetarët e Ballkanit kanë Bashkimin e Gazetarëve Ballkanas? Në këtë mënyrë do të njihen personalisht shkrimtarët me shoku-shokun dhe do të nxitin edhe përkthimet. Unë e njoh prej kohësh dhe e kam mik shkrimtarin grek Samazaqis. Ngaqë e njihja, kur u përkthye në shqipe romani i tij “Plasja”, unë shkrova parathënien. Atij i pëlqeu dhe më dërgoi një telegram përshëndetje.

Besoj se edhe ky takim i këndshëm ne Selanik, do t’i shërbejë njohjes së njerëzve të kulturës dhe stabilitetit në Ballkan.

Ju falënderoj!

Dritëro Agolli

Sofje, 26 nëntor, 1987

I nderuari Dritëro Agolli,

Para së gjithash dua t’ju falënderoj nga zemra për dhuratën e paçmueshme, që keni pasur mirësinë të ma dërgoni. Gjesti juaj më emocionoi. Duke prekur librat e tu, unë përjetoj atë gëzim të rrallë njerëzor, i cili rrallë u ndodh njerëzve, prandaj ai mbahet mend për tërë jetën. Ndofta tani e tutje, do të kem fatin e mirë të përjetoj dhe hope të tjerë të tillë, por zor se do ta shlyejnë në ndërgjegjen time këtë hop të parë që e kam pritur me kaq padurim, më tepër se dy dhjetëvjetorë.

Takimi i parë i përkthyesve të vendeve ballaknike mund t’ju siguroj, kaloi në një atmosferë miqësore dhe të përzemërt. Më lejoni të ndaj mendimet me ju e të them disa fjalë për veprat e tua të përkthyera në Bullgari. Edhe në raportin e Marko Gonçevit, romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” u quajt si një majë në zhvillimin e letërsisë së sotme shqiptare, si vepër i ka tejkaluar kufijtë e Gadishullit Ballkanik dhe që gjer sot nga ana tjetër, megjithëse kanë kaluar dhjetë vjet nga botimi i romanit, si njerëz të lertërsisë sonë dhe të kulturës shoqërore, ashtu dhe një rreth i gjerë lexuesish, kur më takojnë, nuk harrojnë të përmendin dhe heroin tuaj “Zylo” dhe shpesh shprehen: “Mor po, i papërsëritshëm është ky heroi yt, Zylo”.

Besoj vetë marrja e personit tim, të përkthyesit modest, si protagonist letrar, flet edhe më shumë dhe do t’ju bindja për ndikimin e librit tuaj të përkthyer te ne.

Para jush mund të tregoj krenarinë që ndiej, se tri romane nga thesari i letërsisë së sotme shqiptare, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe dy veprat tuaja, janë të parat të përkthyera në Bullgari.

Po ju dërgoj këtë album të vogël me fotografi nga tërë anët e Bullgarisë dhe me këtë dua në mënyrë simbolike t’ju përshëndes nga të gjitha rrethet tona, ku ka shumë qytete dhe ndër to shumë biblioteka dhe shumë të tilla familjare, ku kanë gjetur mikpritjen dhe të dy librat e tu.

Duke ju falënderuar edhe një herë, ju uroj shëndet, shëndet, për të shkruar edhe dhjetëra vepra të tjera, si dhe shumë lumturi personale.

Juaja,

Marina Marinova

Letër nga Sofja 1978

I nderuari Dritëro Agolli!

Pak kohë më parë në gjuhën bullgare doli libri Juaj “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Me këtë rast po ju drejtohem.

Dëshiroj t’ju shtrëngoj dorën që keni shkruar një roman kaq të bukur satirik. Ëndrra e çdo satiriku në botë është të krijojë një hero letrar, një tip. Kështu u shfaqën ushtari i mirë Shvejk, Ostap Bender, Tartarini i Taraskonit e të tjerë.

Doli në botën e madhe dhe Zyloja Juaj. Ju mundët të krijoni një hero të vërtetë humoristik, që shfaq “cilësitë” dhe dobësitë e tij në situata të mundshme.

Përshtypje të veçantë më ka bërë edhe figura tjetër – Demka. Ju keni zbuluar në mënyrë të mrekullueshme dramën e intelektualit, i cili nën ndikimin e disa kushteve, nuk shkruan tregime dhe novela, por raporte…

Figura satirike e romanit Tuaj është e papritur dhe e mahnitshme (për ne). Mua më duket se libri Juaj duhej të përkthehej edhe në vende të tjera, në gjuhë të tjera.

Romani juaj është dritare në Shqipërinë bashkëkohore. Roli politik i romanit tuaj qëndron në atë që vepron në njohjen reciproke të popujve të Ballkanit.

Librat shqiptarë nuk botohen shpesh te ne. Më duket se zgjedhja ishte e mirë dhe romani Juaj do të lexohet me kënaqësi nga lexuesi ynë bullgar që dashuron humorin.

Së fundi. Unë quhem Jordan Popov; ka pesëmbëdhjetë vjet që punoj në fushën e humorit e satirës. Kam botuar disa libra me tregime humoristike e satirike. Përshtypjet e mia të shkëlqyera nga romani Juaj i kam ndarë me kolegët dhe kemi bërë diskutime profesionale. Punoj si gazetar në revistën tonë humoristike, në të përjavshmen “Stërzhell” (Thumbi).

Edhe një herë ju përshëndes dhe ju uroj shëndet, lumturi dhe suksese të reja në krijimtari.

Jordan POPOV

Sofje, Bullgari me 04.10.1978

*Lexuesi bullgar, ishte i pari përtej kufijve që mund të lexonte “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, në vitin 1978. Jordan Popov, ka drejtuar revistën e humorit “Thumbi” që në vitin 1969 në Sofje, Bullgari. Popovi ka qenë kryetar nderi i Shoqatës së Satiristëve Ballkanikë dhe zëvendëspresident i Shoqatës së Shkrimtarëve të Bullgarisë (përndryshe Unioni i Shkrimtarëve Bullgarë). Autor i mbi 30 librave – romane, tregime të shkurtra, vëllime të tregimeve humoristike dhe fejtone. Pjesët e tij teatrore janë luajtur në skenën e Teatrit të Komedisë në Sofje. Lexuesi shqiptar, e njeh Popovin nëpërmjet titujve të tillë si Kazablanka./Jo.Be/Fjala.al

Publikohet një faqe nga ditari i Sadijes kur shkruante për Dritëroin: Ai e ka të vështirë të përqendrohet në krijimtarinë e tij

Sadija, gruaja e shkrimtarit të ndjerë Dritëro Agolli, mbante ditar. Vajza e tyre, Elona, ka publikuar një faqe të ditarit të nënës së saj, që daton më 11 maj të vitit 1979, shkruan KultPlus.

‘Disa faqe ditari të mamit , tregojnë shumë mbi zanafillën e librave te shkruar nga Driteroi , rrëfejnë gjendje emocionale , përshkruajnë tërthorazi veçori të kohës dhe ambientit , veçanësi të Dritëroit në fazën e krijimit …’, shkruan Elona në mbishkrimin e fotografisë së faqes së ditari.

“Më në fund filloi të shkruajë Dritëroi skenarin e filmit “ Mosha e bardhë”. Si do t’i dalë? Besoj se do t’i pëlqehet .
Ka kaq shumë punë , humbet kaq shumë kohë me gjëra dhe probleme të Lidhjes . Ai e ka të vështirë të përqëndrohet në krijimtarinë e tij. Është koha e koncerteve të Majit . Dritëroi shkoi katër net me radhë në koncerte . Bëri dhe tekstin e këngës “ Karafilët e kuq të Majit”. Do ta këndojë Vaçe Zela . Me siguri do të pëlqehet , se dhe muzika edhe teksti janë të mirë.” /
KultPlus.com

Poezia ‘Poçari’ nën interpretimin e aktores Margarita Xhepa (Video)

Vargjet e poetit të madh shqiptar Dritëro Agollit tashmë janë ngulitur edhe në këngë të Ilir Shaqirit e Selami Kolonjës, kurse me një emocion të jashtëzakonshëm e sjellë edhe aktorja e madhe shqiptare, Margarita Xhepa, shkruan KultPlus.

Poezia “Poçari”, është shkruar vite më parë nga poeti i njohur shqiptar Dritëro Agolli. “Fjala shqipe s’blihet në Pazar”, është një nga fjalitë e fuqishme të kësaj poezie që tregon rëndësinë e gjuhës për një mërgimtar. Kjo poezi tregon se si në një dyqan në Stamboll, një vazo e thyer nxjerrë një sharje në gjuhën shqipe, e që e shuan mallin e poçarit shqiptar për të dëgjuar qoftë edhe një sharje në këtë gjuhë.

KultPlus ju sjellë tekstin e plotë të kësaj poezie.

Vajta në Stamboll të bëj pazar,
për kujtim të ble një vazo balte:
– Paqe dhe selam, usta poçar,
Vazon më të mirë po e pate
Paqe dhe selam, usta poçar!

Vazoja nga dora shkau e ra
Dhe m’u bë njëzet e pesë copë,
Më erdhi rrotull deti Marmara
Dhe m’u hap dyqani turk si gropë,
Më erdhi rrotull deti Marmara.

Pa më shau poçari keq turqisht,
Unë e shava shqip e mend i rashë;
Për çudi poçari nuk u ligsht,
Veç dy lot në sytë e kuq i pashë,
Për çudi poçari nuk u ligsht!

Mos u çmend ky turk, ky musliman?
Unë e shaj, ai me duar në qafë!
Poçe tjetër mori në dyqan
Dhe më tha: ” Më shaj, për besë, prapë!”
Poçe tjetër mori në dyqan.

Psheretiu si unë: ” Jam shqiptar,
Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar,
Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar!”

Ikën nga dyqani burra e gra,
Unë e një poçar e tjetër s’kishte,
Vazot frynte deti Marmara,
Vazove poçari shqip u fliste,
Vazot mbushte deti Marmara./KultPlus.com

“Sot nuk të dua, nesër mund të të dua”. Letrat mes Dritëroit dhe Sadijes, një dashuri që zgjati 52 vite

Dritëroi dhe Sadija padyshim kanë qënë dhe mbeten një nga ciftet më të dashura për shqiptarët, dhe historia e tyre mbetet ndër më të bukurat e dashurisë që zgjati deri në fundin e jetës së tyre. Dashuria e tyre zgjati plot 52 vite, dhe nëse ekziston një botë e përtejme, me siguri ajo do të vazhdojë të zgjasë midis tyre edhe atje. Si një dëshmi e kësaj dashuri midis shkrimtarit të famshëm dhe bashkëshortes së tij, këtu po botojmë disa letra që dy të dashuruarit këmbenin në mesin e viteve ’60 midis tyre, periudhë gjatë së cilës ato edhe u martuan. Dritëroi, që nuk para i kishte shumë qejf telefonat, vlerësonte në veçanti letrat (të cilave, u ka dedikuar edhe një nga poezitë më të bukura të tij), kur ato shkruheshin me vërtetësi e ndjenja të pastra. Më poshtë gjenden disa nga këto letra:

E dashur Sadije,
Nuk e dij se ç’ka ndodhur me mua. Në moshën e Krishtit unë të bëhem kaq i papërmbajtur në çfaqjen e ndjenjave të mija?Mjafton të qëndroj pakëz në vetmi e të jepem i tëri pas teje. Kurse kur jam me shokët nuk e kam mëndjen në muhabetin e përgjithshëm. Më thonë se paskam ndryshuar kaq shumë sa s’njihem. Unë nuk kam qejf të ndryshoj natyrën time, prandaj ngushëlloj vehten, duke menduar se shokët, me që dijnë historinë time me ty, gabojnë në gjykimet e tyre. Po ç’është e vërteta unë ju jap të drejtë atyre se diçka ka ndodhur.

Në mesditë të jetës dashuria qënka e çuditshme.Dua që në këtë çast të jem me ty.Ti të rrish karshi meje, të flasësh, të qeshësh.E di ti se më pëlqen qeshja jote? Ti qesh fare, fare. E sheh si është natyra e njeriut e dyfishtë? Unë në tregime e në vjersha jam shumë i përmbajtur, apo jo? Edhe në shkrimet e dashurisë bile jam i përmbajtur. Po kur nis të të shkruaj ty dhe e humb gjakftohtësinë. Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija! Pse vallë?Kjo siç duket është merita jote.Unë në përgjithësi kurrë nuk kam hapur sytë rrugëve pas fustaneve, po tani i kam mbyllur fare – kudo vetëm ty të shoh.Letra është një shprehje e çastit.

Sikur ne t’i shkruanim letrat e t’i mbanim pa i dërguar qoftë edhe një ditë, natyrisht po të ishim në gjëndje shpirtërore normale, të tretën ditë do t’i grisnim e do të thoshim me vehte: ç’marrëzi kemi shkruar! Të tri letrat që të kam nisur para kësaj kanë plot marrëzira, se shpirtërisht nuk kam qënë mirë. Po mos u mërzit, njeriu duhet të ketë edhe çaste marrëzie, se do të na mbyste atëherë monotonia. Duhet të zbavitemi me ndonjë letër me nuanca anormale.

Njerëzit zakonisht në këto letrat e dashurisë kanë qejf të bëhen ose hamletë, të tregojnë sa vuajnë e sa janë të mërzitur nga bota, ose të bëhen si xhaxhallarë të urtë me shprehje plot mirësi e didaktikë, t’i mësojnë vajzat të mos bijen në gabime, t’u thonë atyre se ka njerëz që janë të liq e ku të di unë. Këta u shëmbëllejnë atyre njerëzve, të cilët kur flasin me femra i venë më shumë rëndësi intonacionit të zërit, gjesteve elegante, manierës së të qëndruarit dhe harrojnë të mjerët, natyrën e tyre. Fatkeqët! Me këtë, pa ditur edhe vetë, bëhen të mërzitëshëm.Unë sot gjithënjë kam jetuar me ty.Shkonja në rrugë – isha me ty, shkonja në kafe – isha me ty, shkonja në bibliotekë të kërkonja ndonjë libër – isha me ty. Po ç’u bë kjo, thosha me vehte, ëngjëll mbrojtës?

Dreq o punë. Është mirë kur të duan, apo jo? Po jo kur të duan “se na bashkojnë zakonet dhe afërsitë krahinore”! Kur të duan krejt ndryshe, krejt pa përcaktuar, pa rregulla, atëherë mund të jesh e lumtur.Unë nuk kam qef të më duan me rregulla, nuk dua të hyj nëpër unazë si akrobat. Bile unë kam qejf kështu: nuk e ndjen vehten mirë me mua një ditë, thua: më mërzite, Dritëro, sot nuk të dua, nesër mund të të dua, m’u çduk tani nga sytë! Çaste të tilla ka, apo jo?

Po njeriu është edhe rrufjan-hipokrit, që ka frikë të hapet e të shprehë gjithënjë të vërtetën.Megjithëse ti kështu nuk më ke thënë asnjëherë, po unë ka patur raste, që çaste të tilla, të shkurtra fatmirë- sisht, i kam nuhatur.E dij që këto janë në natyrën e njeriut, prandaj as jam mërzitur fare. Po mos nuhatnja të tilla çaste, unë nuk do të të desha dhe nuk do martohesha me ty. I marrë, do thuash, po është e vërtetë.Tani të të them pse nuk të kam marrë në telefon.

E di ti se unë nuk kam qef të flas në telefon se më mbarohen fjalët?S’di ç’të them.Që të flas, unë dua ta shoh njerinë, ose ta përfytyroj.Në telefon as e shoh, as e përfytyroj. Nuk e kuptoj se si më ka lindur kjo mani e pse më mbyllet goja në telefon. Duhet të jetë ndonjë sëmundje! Prandaj mos ma merr për të keq që nuk të kam telefonuar. Në Durrës nuk kam shkuar për të pyetur atë shokun tim, se ç’bëri me syzet që kam porositur për ty. E kam marrë ca herë në telefon, po ka qënë me leje dhe nuk më ka dalë.Kam filluar të bëj një jetë më normale, më realiste.

Për librin tim* me tregime kam pyetur në ndërmarrje të botimeve e më kanë thënë se së shpejti duhet të dalë në qarkullim. Më nxori mjaft telashe ky libër. Sipas numrit ky është libri i katërt që botoj, po më i vështiri dhe më i ngatërruari. Ky i pesti me vjersha që po pregatit s’besoj të ketë fatin e tregimeve. Në vjersha jam në terrenin tim dhe di të orientohem, megjithëse një zvaranik më tha se shumë vjersha duhet t’i heq. Lexova një libër nga Dostojevski dhe më ka lënë pa gjumë me tipat dhe figurat e tij të tmerrshme.Një burrë tërë natën mendon para qivurit të gruas së tij, që ka vrarë vehten.Cilat kanë qënë arësyet që gruaja e tij vrau vehten?Rreth kësaj shkruhet tregimi.Ka një moment të hatashëm.

Burrin e ka ftuar një njeri në duel (përpara se ky të martohej). Ai refuzon, nuk pranon të bëjë duel.Të gjithë e quajnë frikacak. Pas shumë situatash gruaja e çdashuron atë. Ai është shtrirë e fle. Ajo merr revolen dhe ia vë në tëmbth tytën e hekurt. Ai hap sytë, e shikon me gjakftohtësi tytën dhe i mbyll prapë.Gruaja tronditet. Përherë të parë kupton se ky nuk është frikacak. Po si është e mundur që refuzoi duelin? “Të refuzosh duelin – tha ai – kërkon më shumë burrëri!”Me të vërtetë është tregim i fortë.Gjynah që ti nuk e lexon dot.E kështu, moj e dashur, mjaft griva, po e mbyll letrën.

Të puth, Dritëro

19 Gusht 1964

*Bëhet fjalë për librin “Zhurma e erërave të dikurshme”, botim i ndaluar në vitin 1965.

E dashur Sadije,
Kjo është letra e fundit për 1964-n. Bukur ndodhi me ne. Na ishin dy njerëz diku në një qytet, u takuan, u dashuruan. Viti ecte, ecte.Dhe kështu erdhi dita e fundit e 1964. Njeriu ditën e fundit të vitit bëhet pak fillosof, apo jo? Të kujtohet kur më ke takuar mua me një shishe në dorë vjet në këtë kohë? Ku ta dinje ti se ai njeri me atë shishe një ditë do të bëhej burri yt?

E sheh sa të papritura ka në një vit? Po ti mund të mos bëheshe gruaja ime. Kudo që të ishe e me këdo që të takoheshe ti do të ishe njeri i mirë dhe i bukur. Ndofta unë ty të kam ëndërruar edhe në vite të tjerë, edhe pa të parë? Ë, ku ta dish? Po bëhem pak mistik e qesharak. Në fund të këtij viti, plot dashuri për ty, të uroj të jesh e mirë, e bukur, e dashur. Unë jam ngaherë edhe burri, edhe i dashuri yt. Të puth shumë, shumë.Dritëro.

E dashur Sadije,
U ktheve në shtëpi e lodhur, po me fitore. U bëre zyrtarisht gruaja ime.S’ka tani tërc mërc. Emrin tim e ke edhe në pashaportë. Bëjmë shaka, se s’ka ndonjë rëndësi një vulë e thatë. Ne edhe sikur mos e kishim atë vulë prapë bashkë do të ishim.

Sa u lodhe dhe sa nerva prishe ato nja dy ditë që isha unë në Shkodër. Po kushdo që të ishte ashtu do të mërzitej si ti. Nisesh për një gjë serioze e të del përpara një pengesë mizerabël! Mua më vinte shumë keq për ty.Po mirë që mbaruam shpejt.Unë ty të dua gjithënjë e më shumë.Mos kij për këtë asnjë dyshim.

Edhe celebrimin e bëmë, edhe e duam shoku shokun.Vetëm, me që janë bërë tërë formalitetet, ti duhet të vish ndonjëherë në Tiranë.Llogjikisht tani nuk duhet të kesh asnjë pengesë nga asnjeri.Të them të vijsh se mua ngaherë më merr malli për ty.Dje, pas celebrimit tonë të famshëm, unë kam qirasur gjithë ata njerëz.Të trashëgohesh, thosh njeri; të trashëgohesh, thosh tjetri. Sikur ne u fejuam dje! Siç duket ajo e djeshmja paska rëndësi dhe u quajtka si martesë.

Sot më erdhi telegrami yt dhe u gëzova që e ndjen vehten mirë. Kur u nise dje unë u trëmba, se do të sëmureshe shumë rrugës. Lutjen a e bëre? Mos e lërë pasdore dhe mos i nënvleftëso formalitetet, si unë se ngatërron punën siç e ngatërrova unë në zyrën e gjëndjes civile në Shkodër. Po më mirë që e bëmë celebrimin në Tiranë, u bë më natyrshëm e më njerzishëm. Edhe Qakua me Vaskën ishin simpatikë.Eja papritur ndonjëherë.

Të puth shumë
Dritëro

7 Janar 1965.”

“I dashtun,
Në Shkodër po bjen borë. Ç’mrekulli? Sikur të ishe dhe ti do të ishte edhe ma mirë. Megjithëse ndejta deri tashti tue ba plane simestrale, gëzimi i dëborës së parë që po bjen nuk më asht shue. Kjo dëbora lidhet gjithëmonë me kujtime të bukura.Nesër filloj edhe shkollën, do dalë të bajë disa fotografi. Sot më dukesh sikur të përcillnja në ndonji vend të afërt, sikur ti do të vijsh përsëri së shpejti. Vetëm kur ikën më kap mërzija. Tashti e shoh sa e lidhun jam me ty. Mirë thue ti jemi lidhë me fije të padukëshme aqë keq sa nuk mund të zgjidhemi ma.

Tashti hajde mbas tre javësh se këtu harxhon edhe shumë të holla. Unë të premtoj se nuk do të mërzitem. Tashti fillon edhe shkolla, kështu që do të jem gjithëmonë e zanun, por mos kujto që s’do kem kohë të lirë të mendoj për ty. Çdo natë mendoj dhe due që të shohë në andër. Ti je njeriu ma i mirë dhe ma i afërt për mue, edhe atëherë kur jam e inatosur me ty.Mor fishek meqënëse ke premtue se do të mbarojsh novelën, puno, mos u sill shumë.Artikullin a e shkrove, do të kesh mendue mjaftë në autobuz. Katër orë nuk i thojnë pak, mandej bashkëudhëtari nuk besoj të të ketë mbajtë me muhabet.S’kisha pse të bahesha xheloze.Po shkoj të fle se ora shkoi vonë.Të puth përpara se të marrë gjumi, sidomos synin që nuk të sheh para mirë. Do ta shëroj edhe atë me të puthuna.

Të puth shumë Sadija P.S. Sot sa ika prej shkollës së tregtisë, mora tre letrat e tua. Natën e mirë i dashtun.
8 Shkurt 1965.”

“Mos ma kujto”, një ndër poezitë më të bukura të Dritëro Agollit

Poezi e nga Dritëro Agolli

E shkuara ka çaste dhe orë të hidhura, mos ma kujto
për shembull, më pe me duar të lidhura, mos ma kujto!

Për shembull, më pe në rruge të pire, mos ma kujto,
Të pirë e të humbur, të sharë e të grirë, mos ma kujto!

Për shembull, më rrahën dy-tre vagabondë, mos ma kujto,
Tek shihja një grerëz tek rrinte mbi gonxhe, mos ma kujto!

Për shembull, pësova diku një disfate, mos ma kujto,
Dhe gjumi s’më zinte me ditë e me natë, mos ma kujto!

Për shembull, më pe duke ecur e qarë, mos ma kujto,
Mbështetur pas murit me zemër të vrarë, mos ma kujto!

Për shembull, me pe duke ngrënë e genjyer, mos ma kujto,
Të prishur, të shturur, të rënë e të thyer, mos ma kujto!

Për shembull, në shtrat s’u bëra për burrë, mos ma kujto,
I turpshëm i drodha si qengj nën lëkurë, mos ma kujto!

E shkuara ka orë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto,
Ka drojtje dhe heshtje kur lipsen të thirrura, mos ma kujto!

Dritëro Agolli: Naim Frashëri është fëminia e poezisë sonë

Naimi është fëminia e poezisë sonë. Koha kalon, poezia rritet e maturohet, por për të mbetet e bukur fëminia. Dhe megjithatë Naimi nuk është vetëm fëminia e poezisë sonë, ai ishte nga ustallarët e vërtetë që vuri gurin e parë të sigurt në themelet e saj. Për këtë gjithë brezat poetikë i kanë hequr dhe i heqin kapelën, se nga ai kanë patur ç’të mësojnë.

Ai ka qenë, ndofta, punëtori zemërgjerë më i madh i gjithë poetëve shqiptarë. Me punën e tij të rëndë krijoi në Shqipërinë e kohës së vet poezinë moderne, vjershërimin modern që gjer atëherë mungonte. Hoqi nga fjalori poetik gjithë vjetërsirat që ia mernin frymën gjuhës së gjallë. Fjalën perlë e nxori nga pluhuri i kohës, e bëri të shkëlqejë me tërë bukurinë e saj dhe tregoi se ç’mundësi të pafundme kishte shqipja për të shprehur në art mendime të mëdha.  Fjalën ai nuk e mbajti për të qëndisur stolira më vete, por e nxori në udhë të gjërë për t’i shërbyer idealit të tij të lartë, idealit të Shqipërisë së lirë. E çfarë s’bëri ai me atë fjalë! Shkroi poema e vjersha, shkroi këndime e punime pedagogjike, shkroi fjalë të urta dhe esse! Naimi është një det i gjerë. Ky det ka ujra të kulluara e të turbullta, ka valë të mëdha e valë të vogla, ka shkumë të bardhë e shkumë të murrme. Te Naimi mund të futesh si në një labirinth, në të cilin  mund të ngatërrohesh po mos njohe kohën naimjane. Krahas vargjeve të shkëlqyera, do gjesh vargje naive gjer në bejte, krahas mendimeve më të përparuara të kohës së vet, do të gjesh edhe mendime qe nuk janë të denja për atë. Por i padiskutueshëm mbetet ideali i tij i madh: lufta për lirinë e Atdheut. Kësaj lufte ai i fali gjithçka: krijimin, mendjen, trupin. Unë gjithnjë e kam përfytyruar Naimin si një qiri që digjet për t’u ndritur të tjerëve. Shqipëria i thërriste: “ndrit”! dhe ai digjej e ndriste. Nuk kish kohë as të ruante veten, as të ruante përsosmërinë e artit të tij. Nuk kish kohë as të ruante veten. Shumë herë nga ky nxitim i madh, nga ky nxitim nën dorën e fuqishme të Shqipërisë që e shkundëte dhe i thoshte me ngut: “shkruaj”, Naimi sakrifikoi artin, gjënë më të shtrenjtë të tij. Ai ndofta linte përgjysmë një vjershë, që mund të bëhej e mrekullueshme, dhe shkruante një këndim për çunat analfabetë të Shqipërisë së robëruar. Vjershën e linte dhembje të madhe, por nuk kishte ç’të bënte. Vallë Naimi që ka bërë aq gjëra të mrekullueshme, nuk ishte i zoti të bënte lirika initme e peizazhe, e vjersha dashurie të përsosura, puro-art? Edhe këtë e bënte, por ai ishte militant dhe si militant kish një mision të lartë historik. Këtë militantizëm kanë mësuar poetët shqiptarë nga mësuesi i tyre  i nderuar. Brez pas brezi kështu e kanë quajtur krijimtarinë poetike poetët tanë: punë militante. Ata që e kanë shkëputur krijimtarinë poetike nga nga misioni militant, nga shërbimi ndaj popullit, kanë dështuar si poetë edhe në se kanë patur talent. Në kohën kur jetonte ai, krijonte në Francë edhe Sharl Bodleri. Njëmbëdhjetë vjeç ishte Naimi, kur Bodleri botonte “Lulet e së keqes”. Mund t’i shkruante edhe ai “ Lulet e së keqes”, por këtë s’e bëri, shkroi “Lulet e Verës”, se kjo i duhej Shqipërisë. Ne poetët kemi mësuar e mësojmë nga militantizmi i Naimit, po edhe nga ëmbëlsia e gjuhës së tij, nga tingulli i fjalës së pastër. Fjalën naimjane të duket sikur e prek me dorë, të duket sikur dëgjon jehonën e saj tek ecën nëpër male. Dhe ti duke vërshëllyer e përsërit me vete. Kudo të ndjek ajo fjalë, se ai me punën e tij, do të thosha prej bualli, e pastroi nga ndryshku i huaj, e pastroi siç pastrojnë ustallarët mermerin për të shkëlqyer. Më kujtohet një shprehje e Rafaelit, afërsisht kështu: “kur gjithë bota qan, ti nuk duhet të qeshësh”. Kur Shqipëria qante, Naimi nuk qeshi me artin e vet, nuk u muar me cikërima dhe bëlbëzime poetike, por e vuri artin në shërbim të shoqërisë. Prandaj ne i heqim kapelën dhe themi: “punove mirë, usta”! /KultPlus.com

Nusja nga Kosova

Poezi nga Dritëro Agolli

Kam dashur t’i gjeja dhe nipit tim të vogël një nuse
Andej nga Kosova në fshatrat e thella,
Po kjo ka qenë një ëndërr pas zjarrit me flakë të kuqe
Si valë e flamurit tek shpella.

Ka qenë vërtet një ëndërr në viset e mia me gurra,
Ku Rrjedhin ujrat, por unë etjen e verës zor se e shuaj.
Kam dashur nusen e nipit të mos e marr me vetura,
po veç si qëmoti me kuaj.

Një muaj të tërë le të zgjaste udhëtimi me kalë,
Me pluhur mbi velo të vinte nusja e nipit tek unë,
me dorën time t’ia shkundja duvakun palë mbi palë
Atje tek oxhaku, ku kafja në xhezve bën shkumbë.

Dhe s’kishte gjë, le të binte pluhur i udhës së largët
Në vatrën time të vjetër sa përralla,
Po kjo nuk ndodhi mes botës së ligë e të varfër,
Ku rron ky fisi i ynë i ndarë në dysh plot andrralla,

Ku s’merr dot një nuse për nip a për djalë,
Se fisin e ndanë kufiri me dy pasaporta;
Këto pasaporta s’te lënë të marrësh nuse me kalë,
As me vetura, as me trena dhe as me aviona ndofta…

Kam ëndërruar t’i gjeja një nuse tim nipi të dashur
Në fshatarat e thella andej nga Kosova,
Se s’desha të shkoja në tjetren botë me buzë të plasur,
Ta shuaja etjen e mallit për aq sa të rroja.

Agolli: E kemi një të keqe të madhe, anojmë nga fryn era

Kjo intervistë me shkrimtarin e shquar është bërë në datën 26 maj 2006 në Durrës dhe është transmetuar në atë kohë në TV Kopliku.

K.Ujkaj: – Dritëro, gjithmonë kur lidhej një vajzë korçare me një djalë shkodran apo anasjelltas, si shkodranët, si korçarët e quanin një lidhje martesore të gjetur. Ju si do ta shpjegonit këtë traditë si dhëndërr i Shkodrës?

D.Agolli: -Gjithmonë Korça dhe Shkodra kanë bërë krushqira, ilakara, siç e quajmë me këtë fjalë të vjetër turke. Në përgjithësi, si popull kemi patur shumë afri, qoftë nga kultura e përgjithshme, qoftë si dy qytetet më të kulturuara të vendit si dhe më të mëdhatë në tërësi, pas Tiranës, që ndonjëherë ia kalonin edhe asaj. Shkodra dhe Korça, dy qytetet që gjithmonë kanë patur lidhje shpirtërore mes tyre, që jepnin e merrnin nuse, apo që bënin dashuri, si qytetarë në lëvizje të përhershme, që për pasojë transmetonin të tilla lidhje mes njëri-tjetrit.

Dhe pastaj lidheshin edhe me anë të tjera: Në Korçë botoheshin shumë revista, them para viteve ’40, por edhe në Shkodër, gjithashtu. Grupet e shkrimtarëve në këto dy qytete të mëdha të kulturës ndaheshin sipas anëve të progresit. Në Shkodër kishte shkrimtarë të shquar që mendonin për një botë të re, po edhe në Korçë kishte një revistë me emrin “Bota e re”. Gjithë këto kanë ndikuar edhe në krushqitë, që të merrnin rrugë të pandalshme, apo në dashuritë, sepse ishim njerëz që udhëtonim, pra gjallonim e jo njerëz të mbyllur.

Dashuria natyrisht nuk njeh kufizime, që të thuash në Shkodër, apo vetëm në Korçë do të bëheshin të tilla lidhje, sepse dashuria do të lindë edhe në një vend tjetër. Takon njeriun, njihesh! Kështu më ngjau mua me Sadijen. Më pëlqeu Sadija dhe unë i thashë: do të marr për grua. Kështu ne krijuam familje. Nga ana tjetër, këto lidhje ndihmonin të shtoheshin lidhjet mes ne, shqiptarëve. Lidhje Jugë-Veri, lidhje mes Veriut me Shqipërinë e Mesme etj. Shqipëria është një komb, një kulturë, ka të njëjtat zakone kudo, ka të njëjtën botë shpirtërore, një konstitucion shpirtëror. Këto e ndihmojnë shqiptarin që të mos jetë, thjesht, provincial, por të shkojë më larg, të bashkohet me të tjerët.

Nga këto lidhje në largësi, jo mes kushërinjve, edhe raca del më e mirë se sa kur lidhemi brenda kushërinjve.

– Si e kujtoni Shkodrën në harkun e këtij tranzicioni? Thonë që kur keni ardhur në fillim të viteve ’90 me Ramiz Alinë, shkodranët janë shprehur: “Po të kishe ardhur vetëm si njeriu i madh Dritëro Agolli, do të shetisnim mbi shpinën tonë në tërë Shkodrën me gjithë makinën tuaj”. Si e kujtoni këtë moment?

D.Agolli: -Po, në atë kohë ishte një gjendje e acaruar në përgjithësi. Kishin ndodhur edhe ato vrasjet e prillit, vriten disa djema atje në demonstratë, pra ishte koha kur sapo kishte rënë ay sistem dhe po vinte dalëngadalë tjetri. Shumë njerëz të entusiazmuar nga demokracia që vinte, nuk kishin qejf të shihnin drejtues të dikurshëm, ish-udhëheqës të PPSH, si Ramiz Alia, megjithëse Ramiz Alia ishte një njeri i butë dhe do të thosha i ndershëm dhe jo njeri diktator. Ai ishte i pari president shqiptar në pluralizëm, sepse atëhere u vendos pluralizmi, kurse Sali Berisha erdhi një vit më vonë në pushtet.

Në teatrin “Migjeni” Ramiz Alia po vinte si i ftuar në një aktivitet për Fishtën, nga vetë shkodranët. Ramiz Alia më merr mua në telefon dhe më thotë: Pres të shkojmë së bashku në Shkodër me këtë rast. Në Shkodër ndodhi një konflikt i vogël, ku disa njerëz kishin dalë para teatrit “Migjeni” dhe hidhnin parulla kundër Ramiz Alisë. Ky i fundit shkoi në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit për t’u takuar me autoritetet lokale, kurse unë do të shkoja tek vjehrra ime. Dhe rrugës mua më takuan disa shkodranë, me të cilët kam patur miqësira që në vitet ’60 kur kam qenë gazetar pranë “Zërit të Popullit”, si Q.Draçini, mes të cilëve njëri u shpreh: “Ne do të mbanim në shpinen tonë me gjithë makinë duke të shetitur nëpër Shkodër si Dritëro, po të kishe ardhur pa Ramiz Alinë”. Kurse një tjetër, simpatizant i PD-së u shpreh: “Ne edhe me Ramiz Alinë gabuam, sepse ne vetë e ftuam atë. Tradita jonë kur e fton tjetrin nuk e lejon ta fyesh. Kurse Dritëroi, për mua bëri shumë mirë që erdhi me të”.

Ti mund të jesh me mendime kundër, por jo ta shajsh tjetrin, kur e fton vetë. Për fat u kuptuam me miqtë e mi dhe shkova në punën time! Ky ishte një aksident, them unë. Më vonë nuk do të bëhej, por ishte kohë ndryshimesh të mëdha dhe mund të justifikohej. Ajo nuk qe gjë për t’u dëshpëruar. Këto janë të zakonshme kur ndrrohen kohët.

Ndërsa unë si Dritëro do të respektoja cilindo protokoll presidenti, pa kurrfarë paragjykimi, sikur të ishte edhe Sali Berisha, me një fjalë edhe me atë do të vija, po të më kërkonte si i tillë.

– Korrieri i vogël partizan i 43-it, D.Agolli, shprehet në librin “Njerëz të krisur”, vëllim me tregime:

“Lufta ishte e rreptë,

tragjeditë kishin shumë ngjyra….

Nëse do të ishim me të humburit në këtë luftë, do të ekzistonte sot Shqipëria e pavarur? Ndryshe, sipas jush, fitorja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte një fitore e hidhur, apo një fitore e denjë për ne?

-Nëse ne do të bashkoheshim me nazifashistët dhe të humbnim, siç humbën ata, ne do të quheshim bashkëpunëtorë të tyre. Kështu, një pjesë jona do t’i jepej Greqisë, një pjesë Jugosllavisë, Italisë etj., sepse kjo do të diktohej nga statusi i humbësit. Edhe në vendet e tjera, që janë bashkuar me nazizmin, kanë korrur vetëm humbjen. Bie fjala, në Rumani një pjesë e Vllahisë iu dha Rusisë, sepse ishin me nazistët. Po të ishim me nazistët, duke llogaritur pjesët që do t’u jepeshin fqinjve tanë si shpërblim për luftë kundër fashizmit, Shqipëria do të mbetej vetëm pjesa mes Matit dhe Shkumbinit, kur dihet se pjesët e tjera do t’i jepeshin sa Jugosllavisë, sa Greqisë etj. Me aleatët e mëdhenj SHBA, Rusi dhe Angli, që ishin kundër nazifashizmit, si koalicion botëror progresist, ne u bashkuam dhe fituam pikërisht këtë Shqipëri që është, pavarësisht se ç’u vendos në Jaltë. Kjo është e para. E dyta, sikur të fitonin gjermanët, ne do të ishim tjetër Shqipëri. Ç’do të ishte, do të thuash? Kurrsesi një vend i lirë. Ne do të bashkoheshim me Kosovën ndoshta, jo vetëm me të, por me të gjithë: Me Italinë, me Greqinë etj., por gjithmonë nën pushtuesit e huaj nazistë. Dhe siç thonë fetarët, ata që besojnë, Zoti na ruajt, ne na ruajti me të vërtetë duke u ngjitur me koalicionin në krahun e antifashizmit.

Ujkaj: – Z.Agolli, i përkthyer në afro 20 shtete, nga kritika perëndimore që në vitet ’70 jeni cilësuar si Uitmani shqiptar, ndryshe poet i tokës shqiptare, kurse pas daljes së “Shkëlqimit dhe rënies së shokut Zylo”, jeni cilësuar si Gogoli shqiptar, duke krahasuar “Revizori”-n e këtij të fundit me ronanin tuaj në fjalë. Megjithatë ju jo vetëm nuk keni denjuar të preokupoheni nga përcaktimi juaj si modern, edhe pse jeni i tillë, por përkundrazi, që tani për së gjalli, keni thurur në vargje amanetin tuaj befasues:

Po, unë atje në varreza,

Përzjerë me dhè, sigurisht,

Një gur me shkronja të zeza,

Po prehet një ish-komunist.

Cili është komenti juaj?

D.Agolli: -Këto krahasimet jo me Kafkën, jo me Gogolin, tjetrin me Shekspirin a Uitmanin etj. janë zakone të kritikëve të huaj, të cilët sipas meje i bëjnë për t’u bërë qejfin shkrimtarëve të vendeve të vegjël si yni. Prandaj të tilla vlerësime gjithnjë, i dashur Kadri, i kam marrë me shumë rezerva duke i quajtur gjithnjë si ana periferike e gjërave, pa mohuar faktin që letërsia jonë e madhe, si e tillë, nuk është aspak më e vogël se letërsia e huaj. Ka disa personalitete letrare tek ne që i kanë marrë serioze këto konsiderata, kurse mua kurdoherë më ka pëlqyer t’i marr si serioze ato vlerësime që vërtet janë si të tilla – të vërteta. Jo të them që tani unë u bëra Homer, Shekspir, Gogol etj….Këtë nuk e kam zakon. Tjetër pastaj krahasimi…. kur krahasohemi me Uitmanin, Gogolin nga të huajtë, të cilët gjykojnë që ne i këndojmë tokës sonë, qëndresës, pavarësisë apo ideologjisë që ne kemi patur…Unë edhe duke iu referuar asaj që cituat më sipër, kam mendimin: Sado të thuhet që ky ka qenë komunist, përsëri atje është hiri im, kurse e vërteta është libri im. Nuk dua të them unë kam qenë ndryshe nga shkrimtarët e tjerë të asaj periudhe, se kam qenë disident etj….Jo, unë kam qenë siç ishte koha, madje unë besoja se sistemi që kaluam do të ishte një sistem ku nuk do të kishte varfëri, ku njerëzit do të ishin të barabartë, prandaj edhe e përqafova atë ideologji komuniste si pjesa jonë e madhe, duke qenë njëri nga bijtë e asaj shoqërie, e cila s’na ka penguar aq shumë për të thënë disa të vërteta. Veprat janë bërë në Shqipëri dhe janë përkthyer në Evropë. Madje atëhere janë përkthyer shumë më tepër se përkthehen sot. Kjo është biografia jonë, jeta nuk reduktohet. Nuk mund të merret si një faqe libri dhe ta reduktosh. Dita që iku nuk mund të kthehet. Të djeshmen që iku mund ta kthesh e të thuash tani kështu e ashtu?! Në këtë kuptim them që këto të vërteta s’duhen shtrembëruar. Ne entuziazmohemi kur bëhen jashtë recensione për shkrimtarët tanë, mirëpo, sipas meje, ky entuziazëm nuk është individual, por është i vendit tënd.

– Si njëri nga “bashkëthemeluesit” e PSSH-së më 12 qershor 1991, kam patur fatin që në këtë moment historik të njihem nga afër me Ju. Dritëro, sa ndjeheni brenda vetes dhe sa ndjeheni i zhgënjyer brenda spirales së kěsaj force poltike, të cilës shqiptarët i besuan një qeverisje radhazi 8 vjeçare, një precedent në tërë ish-Lindjen komuniste?

D.Agolli: 
-Në kohën që u mblodh Kongresi i 10-të i PPSH-së, unë në të vërtetë bëra disa kritika të rrepta ndaj atij sistemi. PPSH-ja ka patur shumë gabime, filluar me acarimin e luftës së klasave, me tufëzimin etj., që i dimë shumë mirë, së bashku me abuzimet që bëheshin deri në internimet e familjeve në emër të luftës së klasave. Këto gjëra çdo njeri me mend mund t’i kuptonte edhe atëhere, por sot erdhi koha që t’i themi lirisht në emër të përparimit dhe jo të kthimit mbrapa. Duke u formuar PS-ja, si e majtë moderne, pavarësisht se vinte nga PPSH, kisha një besim të plotë që do të rinovohej dhe do të përparonte duke kapërcyer shumë mentalitete të PPSH-së. Kjo parti do të arrinte edhe fitore, siç qe ardhja e saj për 8 vjet në pozitë, ku krahas arritjeve, si ndërtimi i rrugëve të reja, ngritja e institucioneve demokratike në një Shqipëri të shkatërruar nga 97-ta etj., pati edhe mungesa të drejtimit, u vërejt një burokraci, korrupsion, ngathtësi të administratës etj, kuptohet krahas arritjeve dhe përparimeve të bëra, pavarësisht se kemi të bëjmë me inisiativën private.

Personalisht nuk ndjehem i zhgënjyer, sepse e di dhe e kuptoj që një parti nuk do ta ketë gjithnjë pushtetin, por herë njëra, herë tjetra, si në pluralizëm.

Pasatj rëndësi ka që secila është shqiptare. Kush të garanton që pas 20 vjetësh mund të vijë një parti tjetër, kush di me ç’emër dhe mund ta marrë pushtetin.

A nuk ndodhi në Itali, që një parti si ajo e Berluskonit, Forca Italia, për 6 muaj jetë arriti të dalë edhe në krye të politikës italiane, duke marrë edhe pushtetin. Kështu që nuk është ndonjë hata të lësh pushtetin, mjafton që edhe ajo të jetë shqiptare, tjerat gjëra nuk duhet të habisin njeri. Sot opozita ka për detyrë të korrigjojë qeverisjen e pozitës, që kjo e fundit të na qeverisë më mirë. Kështu që nuk e quaj ndonjë zhgënjim.

Socialistët kanë një anë shumë të mirë debatin brenda vetes. Më thuaj, cila parti ka aq polemika, apo debat të brendshëm në parti? Bile, këtë përvojë tani po e ndjekin edhe partitë e tjera. Kjo është ana e mirë e socialistëve, që t’ja kenë për nder edhe partitë e tjera shqiptare.

K.Ujkaj: – Para 3 korrikut, analistë shqiptarë dhe perëndimorë, bile edhe brenda vetë të djathtës shqiptare, kishin shumë skepticizëm për kthim në pushtet të PD-së me Berishën në krye. Ju si e shpjegoni këtë rotacion të pushtetit në favor të PD-së? A mund t’i besojmë versionit se Nano u tërhoq në emër të plotësimit të standardit, një rotacioni model të qeverisjes që kërkonte nënshkrimi i marrëveshjes së asocim-stabilizimit, duke plotësuar kështu maksimalisht edhe karizmën e vet si politikan liberal perëndimor?

D.Agolli: -Sipas meje, ardhja në pushtet e PD-së qe e vetvetishme, falë një situatë të atillë në PS, kur kjo nuk mund të drejtonte më me të metat që u panë në qeverisje, por sidomos pas ndarjes më dysh, me daljen më vete të LSI-së. Kështu të ndara, votat do t’i fitonte PD-ja. Po aq edhe në popull sikur u ndje nevoja e ndryshimit të qeverisjes me shpresën se mundet të jetë më mirë. Kështu erdhi në qeverisje Sali Berisha.

Nga ana tjetër, gjatë viteve 1992-97, Sali Berisha ka bërë shumë gabime në qeverisje, si: Piramidat, kufizimi i demokracisë, nuk i lejonte të bëheshin normalisht demonstratat, rrihte deputetët. Asokohe nuk kishte, si tani, televizione private, media ishte vetëm ajo shtetërore, TVSH, mungonte liria e mendimit etj. Këto bënë që të rrëzohej nga pushteti. Mirëpo duhet thënë që gjatë qeverisjes së tij, Sali Berisha ishte shumë aktiv, njeri me energji shumë të mëdha, punëtor i madh, i pakursyer dhe e bindi popullin që të shkonte pas tij. Ky fakt bëri që populli të gjykojë që ky njeri kaq i gjallë do ta reformonte edhe shoqërinë shqiptare. Nuk e përcaktoj dot të ardhmen me Sali Berishën në qeverisje, por fatkeqësisht shoh pas afro një viti qeverisjeje shumë varfëri, papunësi, të meta që të bëjnë të zhgënjehesh nga klasa politike shqiptare.

K.Ujkaj: – Dritëro, shumë lëvizje shihen në gjirin e forcave politike, qoftë majtas me formimin e një aleance të re ku përfshihet edhe LSI, qoftë djathtas, një lëvizje të Nard Ndokës, njëri ndër politikanët aktiv e “reformator”, më ndryshe nga pikëpamja e moderacionit brenda së djathtës. Ju, si do ta komentoni këtë lëvizje?

D.Agolli: -E shoh si një lëvizje progresive qoftë nga e majta, qoftë nga e djathta, sepse kjo do të bëjë që nesër të mos i bindet asnjëra palë pushtetit të Njëshit brenda mazhorancave. Natyrisht dihet që partitë e vogla janë forca politike me 300-500 anëtarë dhe që të fuqizohen u duhet pushtet, por që të kesh pushtet më shumë dhe elektorat më shumë, duhet të kesh deputetë më shumë, sepse vetëm kështu merr edhe në qeverisje pjesën më të madhe, përmes së cilës do të rregullosh në punë edhe njerëzit që të mbështesin.

Problemi i këtyre lëvizjeve dhe aleancave do të rritet kur të vijë puna tek zgjedhja e presidentit, ku duhet 5/7 e votave në parlament. Mirëpo llogaritë bëhen për levërdi në vetvehte nga secila parti, qoftë minorancat, qoftë mazhorancat. N.q.s PD i jep më shumë se i takojnë PDK-së, do të ngrihen anëtarët e saj: Ti ua fal pushtetin të tjerëve, prandaj kështu nuk pranojmë, apo anasjelltas, ata të PDK-së për pjesën që u takon, sidomos në lëvizjen e re të Nard Ndokës. Është një punë e ngatërruar, prandaj drejtuesi i një koalicioni duhet të jetë shumë i zgjuar. Kurse unë mendoj që brenda partive duhet forcuar ana ideologjike, që të fitojmë bashkë. Të mos i ndajmë postet si një bakllava, siç ka thënë Rama. Unë mendoj se koalicioni Rama-Meta-Gjinushi-Milo dhe Ceka është pozitiv, që së paku të fitojnë së bashku. Kjo është një përpjekje pozitive e të gjitha partive. Ndërsa e djathta ka problemet e pronës, ku PR kërcënon së do të dalë më vete. Tek ne problemet janë të ngatërruara nga bajraktarizmi që zë krye me kryetarin e fisit, të lagjes deri në krye të vetë partive. Filozofia jam unë – kjo pengon edhe hyrjen tonë në Evropë.

K.Ujkaj: Do të pranojnë Meta dhe Lesi, sipas jush, që të vihen në rrjeshtin e mazhorancave përkatëse me nga një post ministri, aq më teper ku Lesi njihet si rebel dhe si politikan modern pragmatist?

D.Agolli: Di që edhe mbreti i ka qejf lëvdatat dhe peshqeshet.Kështu që edhe këta i pelqejnë dhuratat.E ka thënë vetë Nikolla: Po nuk më dhatë….kështu që kjo nuk është moderne. Modernia nuk kërkon poste, por pragmatizëm prandaj më me kursim atë modernen…

K.Ujkaj: -Dritëro, të gjithë e dënojmë sot braktisjen e djeshme të eshtrave të Fishtës, apo të amanetit të Konicës për t’u varrosur në vendin e vet. Po sot në Shqipërinë Demokratike, madje në kështjellën e saj, një artist i përmasave botërore si Lukë Kaçaj në 2001, apo një poet i talentuar si Frederik Reshpja në 2006-tën, të dy antikomunistë dhe ish-të burgosur politikë, shoqërohen me një cinizëm profetik në ditëlamtumirën e fundit të tyre. Askush nuk denjoi të hidhte një grusht dhè mbi varrin e artistit të madh në ditën e përcjelljes mortore. Pak më ndryshe nga pushteti lokal, por nga ai qendror demokratik, as në 2006-n nuk e ndryshoi imazhin e këtij cinizmi kur u përcuall poeti i talentuar Frederik Reshpja. Nga Tirana do të vinte një shok dhe mik yni, si Dr.Moikom Zeqo e ndonjë dikush nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe vetëm kaq. Si e gjykoni këtë stinë antikulturë në klimën e një kultpragmatizmi deri në banalitet?

D.Agolli: -Unë Lukën e kam pasë mik edhe në kohën e socializmit, edhe më vonë. Ka ardhur shpesh herë në shtëpinë time. Kur u burgos, erdhi e shoqja, Ana Jakova e m’u lut ta ndihmoja, se donin t’ia merrnin pianon. E garantova se nuk do t’ia merrnin. Nuk ma merr mendja, i thashë, se do të hyjë këtu gjykata apo dikush tjetër, edhe pse ne si LSHA nuk kemi gjë në dorë. Pianon ia kishte dhuruar atij dhe Mentor Xhemalit vetë Mehmet Shehu. Në këtë mënyrë u mundova ta ndihmoj të shoqen dhe Luken, çka ma dinte për nder gjithnjë Luka. Kur doli nga burgu ndërhyra për letrat me vlerë që i takonin Lukës në fabrikën e tullave ku punonte.

Luka ishte një artist i madh, njëri nga më të mëdhenjtë. Për problemin më sipër e pati pritur edhe Spartaku (ministri). Lukës duhet t’i bëheshin nderimet deri në fund, aq më shumë në një shoqëri pluraliste, siç ishte kur vdiq ai Shqipëria. Megjithatë shpesh herë këto gjëra harrohen, meqenëse merremi më shumë me politikë. Mediat shkojnë pas një politikani, sepse pas tij shkojnë më shumë edhe vetë njerëzit. Është ky problem, pse do të çuditemi? U bë 150 vjetori i Naimit, para 10 vjetësh dhe s’foli asnjeri. Po kështu edhe për Fishtën, Lasgushin, Konicën, Reshpjen. Për Reshpjen bile është folur e shkruar më shumë se për të tjerët…Vërtetë ishte një poet i shquar, i veçantë, njeri që vuajti aq shumë nga varfëria dhe burgosja në socializëm.

Unë them që gjithë shoqëria jonë duhet emancipuar, duhet të ketë një kujdes më të madh, sidomos për shtyllat e kulturës sonë. Edhe për Fishtën do të thoja një nga figurat më të mëdha të letërsisë sonë, por po kaq një njeri edhe me shumë kontradikta. E keqja jonë qëndron se e mbajmë gjithnjë inatin, shumë gjatë. Fishta politikisht i takonte një krahu tjetër, por ato nuk kishin atë peshë që kishte vepra e tij. Kështu që duhej bërë dallimi dhe seleksionimi. Po kështu, Konica nga antizogist u bë ambasador i Zogut. Dihej që Zogu nuk pranohej atëhere. Kjo gjë iu mbajt mend gjatë. Por edhe Konica ka fyer deri shqiptarët, thjesht si popull: këta thoshte janë pa din e pa iman, të pabesë, sepse Konica ishte kritik që s’kritikonte vetëm burokratët, por edhe vetë popullin.

Nga kjo anë ne kemi disa të meta që i trashëgojmë nga patriarkalizmi ynë. Po morëm inat, e mbajmë shumë inatin. Fjala vjen, një poeti që ka qenë fashist, ia harrojmë këtë gjë dhe i kujtojnë vetëm vlerat, kurse mua që kam qenë komunist më kujtojnë vetëm komunizmin. Atëhere në këto gjëra duhet të gjejmë një gjuhë të përbashkët: vlerat t’ia kujtojmë si atij që ka qenë fashist, si atij që ka qenë komunist, pa paragjykuar gjithnjë vetëm këta të fundit, siç po ndodh.

Heshtin për komunistin intelektual dhe i thonë bravo të qoftë fashistit! E kemi të keqen të madhe, që anojmë nga fryn era: Kur qe e majta në pushtet – me të majtën, erdhi e djathta – vetëm me të djathtën!./ KultPlus.com

Kosova në vargjet poetike të Dritëro Agollit

Nga: Halil Haxhosaj

Figura e Kosovës zë vend të veçantë pothuaj në të gjitha zhanret e krijimtarisë sonë, duke filluar nga ajo letrare, teatrore, filmike, muzikore, në arte pamore, si në pikturë e skulpturë, etj. Nga motivi dhe tema e Kosovës janë krijuar dhe janë skalitur jo vetëm vepra e kryevepra, por janë shkruar edhe poezi, tregime, romane, drama dhe vepra muzikore, madje edhe opera. Secila prej llojeve të krijimtarisë me temë për Kosovën kanë shënuar diçka të veçantë dhe të arrirë artistike e letrare. Madje, me këtë temë janë marrë krijuesit më të spikatur dhe më të njohur të krijimtarisë sonë kombëtare kudo ku jetojnë dhe krijojnë shqiptarët.

Edhe në poezi tema për Kosovën zë njërin ndër vendet më të merituara. Pothuaj se nuk ka poetë shqiptarë që nuk ka shkruar ndonjë varg për Kosovën. Andaj, mund të konstatohet se sot nuk ekziston poetë shqiptarë, sidomos në Kosovë, që nuk i ka kushtuar, bile, disa vargje Kosovës, apo që nuk e ka trajtuar këtë temë në poetikën e vet. Poetët që kanë shkruar për Kosovën janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, por edhe  Zef Serembe, Hil Mosi, Asdreni, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Vorea Ujko, Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, Martin Camaj, Esad Mekuli, Ali Podrimja, e deri edhe te poeti më i ri i brezit të poezisë bashkëkohore shqiptare. Poezitë me këtë temë janë mbledhur edhe në vëllime të veçantë apo, pse jo, janë përpiluar edhe antologji me tematikë për Kosovën.

Kosova në vargjet poetike të Dritëro Agollit

Edhe Dritëro Agolli, njëri ndër poetët më të njohur të poezisë sonë bashkëkohore, shkroi vargje për Kosovën. Ato janë madje një ndër kulmet e poezisë së tij në përgjithësi. Interesimi për poezi me tematikën dhe motivin e Kosovës, Agollin poet, shqiptar dhe njeri e preokupoi që në fillim. Por, kjo tematikë sa vjen e shtresohet në krijimtarinë e tij në përgjithësi dhe në atë poetike në veçanti, kur shtohet më shumë dhimbja, malli, gjaku, tmerri, robëria, kur ndërrohen stinët dhe ngatërrohen faqet e historisë sonë. Apo kur atdheu i poetit dhe i të gjithë shqiptarëve bëhet:

“O gur i çarë më dysh me sëpatë
Ku shalët i hap mbi dy anët
shqiponjëza plakë”

sepse nëpër të çarën e tij rrjedh lumi, i cili shndërrohet në simbol funksional figurativ poetik të bashkimit të atdheut të ndarë, e pse jo edhe të copëtuar. Krenaria e këtij atdheu të poetit kurrë nuk është zbehur në krijimtarinë tonë, por ajo ka qëndruar dhe gjithmonë është skalitur me mjete dhe elemente të reja e bashkëkohore. Edhe pse ndonjëherë në këto vargje duket se rrjedh nga pak lëng me shije romantike, kur ato lexohen më tutje, kjo bindje zhduket dhe zbehet.

Zbehja ndodh sepse Kosova gjithmonë është plagë e pashëruar që kullon gjak, i cili mbase edhe rastësisht duhet derdhur për lirinë e pa fituar dhe të mbetur peng ngaherë deri në fund të shekullit XX. Mbase, mu këtë motiv e trajton me përkushtim, me ndjenjë dhe me frymëzim të madh poeti Dritëro Agolli në poetikën e vet. Në fund të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të XX, ai do të shkruaj disa poezi për Kosovën si “Unë di shumë për Kosovën”, “Qeleshja”, “Mesazhi i çuditshëm”, “Nusja nga Kosova”, “Këngë për Kosovën:”, “Një gur i çarë”, “Tespihet e Idriz Seferit”, e të tjera. Duhet cekur se disa prej poezive të lartë përmendura e kanë të shënuar edhe datën e shkrimit, me çka dëshmohet e dhëna se shumica prej tyre janë shkruar gjatë viteve 1995, 1996 dhe 1997. Secila prej tyre është një hallkë e temës që pasqyron, kuptohet artistikisht, gjendjen e Kosovës, që ishte bërë motiv dominues në krijimtarinë tonë në fund të shekullit të kaluar.

Vargjet e këtyre poezive frymojnë me kohën, lëngojnë me klimën dhe motin e asaj kohe, ecin nëpër vështirësitë e saj dhe përballen me të gjitha pengesat që u dalin përpara. Vargjet e tyre shndërrohen në dhimbje, ofshama, plagë, por janë qëndresë dhe pasqyrim i trimërisë dhe i pamposhtmërisë. Vetëm kështu vargjet poetike për Kosovën të Dritëro Agollit, marrin ngjyrën e gjakut të derdhur të trimave që shkruan lirinë e saj të ëndërruar me mote, stinë e shekuj. Agolli nuk mëdyshjet për fitoren, luftën çlirimtare dhe lirinë, andaj në këto vargje duket haptas optimizmi dhe kurorëzimi i sakrificës për lirinë e plotë të Kosovës edhe pse ende bëheshin ahengje dhe kurdisje në kurriz të lirisë së saj.               

“Atdhe
O gur i çarë, engjëjt e tu këtej
dhe andej nga Kosova,
Me lugën e djajve çorbën e glasave hanë.
“E shijshme kjo çorbë,
e na rroftë shqiponja”-
Këndojnë nën shalët e shqipes
engjëjt e djajtë anembanë”

thotë Dritëro Agolli në vargjet e fundit të poezisë “Një gur i çarë” të shkruar në muajin shtator të vitit 1995. Por, pena e tij nuk do të ndalet vetëm me kaq. Ajo me dorën e poetit do të shkruaj edhe më tutje, do të këndojë këngë të tjera. Do të shkruaj vargjet më të bukura për Kosovën në poezinë “Këngë për Kosovën”, ku pasqyrohet afshi, malli, akuza, mosdurimi, mllefi, e pse jo edhe sarkazma dhe satirizimi. Të gjithë këto elemente bashkëdyzohen dhe frymojnë nëpër kohën dhe hapësirën e caktuar, nëpër rrathët e historisë së vrazhdë.

Figura e atdheu të çarë

Poezia “Këngë për Kosovën” përbëhet prej tetë pjesësh që shënohen me numër prej 1 deri në 8. Secila pjesë i ka nga tri strofa (pjesa e 7-të i ka katër) me nga katër vargje dymbëdhjetë rrokeshe me rimë ABAB. Gjashtë pjesët e poezisë fillojnë me sintagmën poetikë “Këngë e vargje …”, ndërsa pjesa e tretë nis me “Kënga për Kosovën …” dhe ajo e teta me “Për Kosovën thurin…” që nuk janë asgjë tjetër veçse derivate të sintagmave të gjashtë pjesëve të tjera të poezisë. Në vargjet e kësaj poezie, tema e Kosovës ngritët artistikisht në nivel kombëtar dhe atdhetar.

Poeti Agolli këtë e shtron në formë të një dialogu imagjinar poetik duke simbolizuar atdheun e shqiptarëve të ndarë në pjesë, e sidomos Kosovën e ndarë nga Shqipëria dhe të mbetur nën sundimin serb. Andaj, ai “i mbështjellë” vargjet me petkun baladesk e legjendar ballkanik i cili shtrihet trup e tërthor në krijimtarinë e Ballkanit, duke gërshetuar elemente të popujve të tij. Kosova, në këtë rast kërkon ndërtim të themeleve të rinj, për çka duhet bërë theror “kurban”, si në baladën e murosjes. Në këto themele, poeti kërkon që të bëhet kurban ai vet, sepse atëherë shpirti i tij do të dëshmojë para serbit se në themelet e Kosovës është derdhur gjak i ri, për ta ruajtur atë, kullat dhe autencitetin e saj, duke filluar me vargjet:

“Këngë e vargje thurin për Kosovën,
Për një gur, për kullat me frëngji. 
Për Kosovën unë e pres dhe kokën,
E bëj gur themeli në shtëpi”

Për të përfunduar këtë poezi të gjatë të shkruar për Kosovën, me këto vargje:

“Nga rënkimi i murit të shtëpisë
Nën një gardh ku mbillet grurë e kërp,
Do të shtanget serbi larg Serbisë:
“Qenka Dritëroi, nuk qenka Serb”!…”

Poeti pastaj do t’i bëjë gati armët e veta, pra vargjet, për të luftuar sepse është dhënë kushtrimi historik emblematik: “Me pushkë e pendë për lirinë e atdheut”. Kështu, derisa armiqtë serbë i mbrehnin kosat për të kositur jonxhë e bari të ri në tokën e Kosovës, ai gjuhën e tij e bën kosë për të:

Ndaj dhe gjuhën time e bëj kosë
Ta kosit livadhin me vërtik
Tok me kosovarët në Kosovë
Në Prizren, Drenicë e Kaçanik

Në këtë poezi, Agolli i përdorë disa fjalë dhe shprehje në gjuhën serbishte, të cilat janë tipike si shprehje shënjuese banale në përdorimin e zakonshëm të leksikut serb, si: “Zhalosna ti majka, otac moj”, “Majka” dhe “Lele majka”, që ngërthen në vetvete identitetin e shprehjes së tyre kombëtare. Nëpërmjet tyre, Dritëro Agolli, këtu, dëshiron t’u tregojë lexuesve shqiptarë, e posaçërisht lexuesve nga Kosova, mesazhin se cili është armiku i tyre dhe përse duhet luftuar që ai të shporret nga këto troje. Kuptohet që tokat e Atdheut të mos jenë të çara, por të bashkuara, unike dhe të jenë një.

Poashtu duke u shprehur me gjuhën e të bukurit, pra të poezisë, ai mëton t’u ngjallë dhe ringjallë atyre ndjenjën e atdhedashurisë dhe të sakrificës për lirinë e tij. Kjo arrihet vetëm duke flijuar çdo gjë, madje edhe jetën, sepse vetëm kështu do të mbyllet “e çara” e gurit, gjegjësisht do të shërohet plaga e çarë që ende kullon. Trupi i atdheut të poetit është i ndarë në dysh. Ai është trup invalid. Endet andej e këtej duke çaluar dhe duke mbetur qyqar.

Ai është një gjysmë e lodhur, një gjysmë zë, një gjysmë këngë, një gjysmë jehonë, e pse jo edhe gjysmë dasmë e gjysmë jetë. Këto gjysma janë dysh i vrazhdë që rrojnë nga kohërat e lashta “për një gur, një fis a një stërgjysh”. Askush nuk mund t’ia dijë hallin këtij trupi të ndarë keq në dysh, të këtij trupi që kështu si është nuk i dihet fillimi e as mbarimi. Ai është i shënuar në librin e asistencës të Evropës që një shekull dhe ashtu jeton në mjegull duke e mbajtur në xhep atë kartë. Kategoria e ngritjes së vetëdijesimit duhet të përballet këtu me armikun që autori e identifikon. Ai është shkaktari kryesor i këtij trupi të ndarë. Ai mundohet që kjo ndarje të thellohet edhe më shumë. Madje, ky invaliditet të bëhet sa më i madh dhe trupi mos të shërohet dhe mos të bashkohet kurrë.

Element përafrues në poezitë e Dritëro Agollit me temë dhe motiv nga Kosova është edhe lumi Drin. Ky lumë bëhet simbol i ndarjes e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare. Lumi Drin sajohet prej degëve të tij: Drini i Bardhë dhe Drini i Zi. Që të dyja degët burojnë në tokat shqiptare, por në fillim rrjedhin të ndarë, për t’u bashkuar më vonë në Shqipëri, afër Kukësit. Pastaj rrjedha e Drinit është më e qetë, është më e fuqishme, është më madhështore, është më krenare dhe e pamposhtur. Nga uji i këtij lumi dalin edhe dritat që e bëjnë atdheun të shkëlqejë dhe të lahet në dritat e diturisë, përparimit e të prosperitetit. Atëherë trupi invalid do të shërohet dhe kënga e tij do të jetë jehonë e madhe, sepse do të dëgjohet anembanë. Do të jehojë kudo dhe kurrë nuk do të shurdhohet as vet dhe askënd tjetër nuk do ta shurdhojë:

“Këngët krahë e degë t’i bashkojnë,
Mbledhur si dy Drina në një Drin.”

Ndërsa, poezia me titul “Këngë për Kosovën” përfundon me katër vargje që në vetvete identifikojnë poetin me Kosovën, me këngën, me sakrificën, me mburrjen, etj. Pra trupi i poetit më nuk është invalid, trupi i tij nuk është i çarë, por është një gur i fortë:

“Ah ta bëj dhe serbin ters të thotë:
“Majka, Dritëroi këndon e ndrit,
Majka, Dritëroi një gur i fortë,
Dritëroi s’ka mbetur invalid”! … 

Temën e Kosovës, poeti Dritëro Agolli e trajton edhe si një kushtrim për bashkimin e saj me trupin e atdheut të ndarë dhe të copëtuar. Ky fakt identifikohet edhe në copën tjetër të atdheut të ndarë, në Çamërinë. Por, për të ai shkruan vargje të tjera që shtrihen në gamën e tij poetike.

Imazhi i Kosovës në konotacion historik

Imazhi i Kosovës shpesh është paraqitur vetëm si element historik në zinxhirin e atdheut tonë. Ky imazh karakterizohet i veçantë e shpesh edhe simbiozë e jetës së të gjithë popujve të Ballkanit. Andaj nuk është e rastësishme që për ndonjë ngjarje historike, por edhe për ndonjë figurë, të shkruhen vargje që paraqesin këtë element kaq dominues. Kështu ndodh edhe me poetin Dritëro Agolli.

Ai shkruan vargje për Kosovën dhe imazhin e saj e sheh të shtrirë gjerë e gjatë në histori. Njëherë ai dëshiron që nipit t’ia merr një nuse nga Kosova. Këtë imazh e pasqyron më se miri artistikisht në poezinë “Një nuse nga Kosova” të cilën e nis me vargjet që shprehin një pjesë reale të imazhit të Kosovës, por edhe të atdheut të shqiptarëve të ndarë padrejtësisht që nga 1912-ta. Paraqitja e imazhit të Kosovës në vargjet poetike të kësaj poezie kapërdihet nëpër të kaluarën historike të mbarsur me adete dhe tradita shekullore shqiptare, që edhe sot e kësaj dite janë për t’u lakmuar.

Elementi i martesës është i lashtë sa vet njerëzimi. Ky element është i ngulitur si rit edhe tek shqiptarët. Andaj, poeti Agolli kërkon një nuse për nipin diku në fshatrat më të thella të Kosovës, pas një zjarri me flakë të kuqe. Gjithmonë motet pas këtyre zjarreve kanë qenë të rënda dhe shumë të vështira për shqiptarët. Por, fatmirësisht ata qëndruan të pamposhtur edhe nëpër këto kohëra të liga. Kështu, ëndrra e poetit për ta martuar nipin me një nuse nga Kosova është e pamundur sepse fisi është ndarë dhe rron vetëm me andralla. Nuk është më koha e legjendave dhe e baladave kur vajzat tona i martonim përtej nëntë konakëve dhe i merrnim nuset përtej nëntëdhjetë e nëntë bjeshkëve e maleve.

Kjo tash nuk mund të bëhet sepse diçka ka ndodhur pas asaj kohës së kuqe, kohës së zjarrit që ka djegur gjithçka që ka gjetur në këto troje. Pastaj ka krijuar kufij nëpër tokat shqiptare sa që është vështirë të kalohen, apo pse jo, ata janë edhe të pakalueshëm. Prandaj, poeti ka mall për doket e martesave tona kur nuset merreshin me kuaj dhe rrugëtimi zgjaste shumë. Ai mallëngjehet për këtë sepse dëshiron që vello e nuses së nipit të mbushet me pluhur dhe ai t’ia shkundi pluhurin nga duvaku afër oxhakut, në vatrën e vjetër sa përralla. Dhe për të gjitha këto, poeti Dritëro Agolli shkruan:

Ku s’merr dot një nuse për nip e për djalë,
Se fisin e ndan kufiri me dy pasaporta:
Këto pasaporta s’të lënë
të marrësh nuse me kalë,
As me vetura, as me trena
dhe as me avionë ndofta…

Poezia “Nusja nga Kosova” ka datën e shkrimit, mars 1996. Është kjo koha kur në Kosovë kishte filluar dalja në skenë e djemve luftëtarë, që më nuk mund ta duronin sundimin e egër të Serbisë dhe errësirën shekullore të robërisë. Mbase, pas dy-tri vjetësh njërit kufi “do t’i thyhen dhëmbët” dhe nuset e Kosovës nuk kanë nevojë më për pasaporta, sepse ato do të parakalojnë për ta shfaqur bukurinë e tyre nëpër plazhet e Durrësit, Shëngjinit, Vlorës, Himarës, Sarandës. Por, nuk përfundon çdo gjë këtu, sepse plumbi i shkrepur në Idriz Seferin, që qëlloi tespihet e tij, kokrrat e shkapërderdhura ende janë korijeve. Ato duhet mbledhur, duhet bashkuar dhe duhet bërë një. Mbase, kjo nuk është stinë e qëlluar mu për këtë gjë, por duhet gjetur stinën dhe motin e saj të përshtatshëm. Atëherë i dalim borxhi Atdheut, Kosovës, Çamërisë dhe të gjitha copave të tjera të shkapërderdhura nga plumbi mbi tespihet e historisë sonë.

Dritëro Agolli e njeh mirë dhe di shumë për Kosovën dhe e do shumë sepse është pjesë e çarë e atdheut. Por, Dritëroi nuk e do Kosovën vetëm pse është poet. Ai atë e do si njeri e si humanist, e mbi të gjitha si shqiptar, sepse ai i di të gjitha dhe nuk ka kush çka i thotë e as çka i shpjegon për të:

Unë i di të gjitha dhe s’ka kush më thotë
Se gjoja Kosovën nga larg si poet e dashuroj,
Mes Kosovës jam brenda me kokën e ftoftë,
Ndaj Kosovën, si bukën,
nga mitet vërtet çmitizoj …

Imazhi i Kosovës në vargjet poetike të Dritëro Agollit[1], jo vetëm që del i demitizuar, por është bashkëkohor, human, i realizuar mirë poetikisht dhe i skalitur artistikisht. /KultPlus.com

Sikur s’jetoj në vendin tim

Poezi nga Dritëro Agolli

Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim
Po në një vend të huaj dhe të largët
Në një qytet me buba dhe me minj
Mes mureve të rrjepur dhe të lagët.
Çuditem pse kështu më duket shpesh

Kur s’ka njeri shtëpia, kur jam vetëm
Kur shiu në dimër flluska ngre në shesh
Dhe mua flluska flluska ma bën jetën
Më ngjan sikur dhe strehët derdhin helm

Helmohemi çdo çast me njëri tjetrin
s’e di nga vjen ky helm se s’kam ç’të them
Veç shoh se rrobat tona helm na rrjedhin

Ky vend më duket do helmohet krejt
Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet
Pastaj do tundet toka në termet
Dhe Djalli i Madh do qesh e do zgërdheshët

I huaj jam në vendin tim mjerisht
Dhe kur rreth meje ka me dhjetëra njerëz
Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërrvish
më bën të qaj si nxënës prapa derës.

Vëllai i Dritëro Agollit tregon debatin e fundit me Kadarenë

Të flasësh për një prej njerëzve më të dashur, nuk është edhe aq e thjeshtë. Ke kaq shumë për të treguar, saqë nuk di ç’të tregosh mes tyre.

Në librin me kujtime “Ky është Dritëroi im”, botuar nga shtëpia botuese “Dritëro”, Tajar Agolli, vëllai i Dritëroit, tregon për lidhjen me të vëllanë që në vitet e fëmijërisë, lidhjen me gjyshërit, prindërit, fshatin, shkollimin, deri te jeta e përbashkët në Tiranë, në një shtëpi 1 dhomë e një kuzhinë.

Tajari tregon për dramën e Dritëroit, atë të ndarjes nga bashkëshortja e tij ruse, e cila u largua drejt Bashkimit Sovjetik bashkë me të birin 7-vjeçar. Ai tregon shkaqet e largimit dhe si e përjetoi Dritëroi.

Më pas erdhi emërimi i tij si Kryetar i lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, deri te Kongresi X i PPSH-së, një situatë jo e thjeshtë për Dritëroin, të cilit iu vunë kundër edhe miqtë e dikurshëm. Tajar Agolli tregon edhe për lidhjen e Dritëroit me Ismail Kadarenë dhe arsyen e ftohjes së tyre.

Z. Agolli, si është të jesh vëlla i Dritëroit? Çfarë mund të kujtoni nga fëmijëria juaj?

Unë dhe Dritëroi kemi pasur vetëm një vit diferencë moshe. Madje, kujtoj që shumë na quanin binjakë. I vetmi ndryshim mes nesh në aspektin fizik ishte që unë paraqitesha disi i bëshëm, ndërsa Dritëroi i hollë dhe elegant. Me humor e shpjegoj se kjo diferencë peshe vinte ngaqë unë kisha oreks për ushqim, ndërsa ai uri të madhe për libra. Im vëlla nisi të lexonte qysh herët në shkollën Unike të Bilishtit dhe për këtë spikaste mes shokëve. Edhe unë përpiqesha të lexoja ndonjë gjë, por Dritëroi ishte fantastik dhe në këtë drejtim s’mund të arrihej. Sot mund të duket për të qeshur, por dashuria për librin i shkonte deri aty sa në mungesë të paraveçonte fasule në shkollë dhe i shkëmbente me tekste. Kjo mënyrë të menduari qysh në hapat e parë, e bënte atë të veçantë. Ndaj, unë e kam nder të them që e kisha gjithçka, vëlla, shok, mik, baba dhe njeri të shpirtit.

Një pjesë e rëndësishme e fëmijërisë kanë qenë edhe gjyshërit tuaj, të cilët Dritëroi i përmendte shpesh…
Edhe pse është e vështirë të përmbledh kujtimet tona të vegjëlisë në pak fjalë, unë do të përpiqem të rendis disa momente që më janë shënjuar në memorie. Dashuria e gjyshërve ishte tejet e madhe, sidomos e gjyshit ndaj Dritëroit. Kujtoj që na merrte pas gjithnjë. Në verë e shoqëronim te një kolibe dykatëshe prej druri dhe prej aty vështronim të gjithë vreshtin. Dukej aq bukur ajo kasolle sa flinim dhe zgjoheshim aty, ku pa dyshim s’mungonte as qeni ynë Balo. Ndërsa me gjyshen e kishim ndryshe, pasi tek ajo ishte e vështirë të kuptohej se cilin nga ne të dy e kishte më të preferuar. Zakonisht flinim bashkë me të dhe ajo përgjatë gjithë natës kthehej sa nga njëri krah te tjetri, në mënyrë që të mos na ngelte hatri. Në fund e zinte gjumi me kurriz që asnjë prej nesh të mos mërzitej.

Të parët tuaj kur kanë mbërritur në Menkulas? Kemi dëgjuar që emrin e fshatit ata ia kanë vendosur sipas një shprehje “ment’ ku i lashë”. Sa e vërtetë është kjo?
Dritëroi ka shkruar aq shumë për Menkulasin, sa s’besoj se ka ngelur ndonjë guralec pa i dedikuar vargje. Ne jemi mjaft të lidhur me të. Referuar historisë që tregonin më të vjetrit, i pari që ka mbërritur në fshat rrjedh nga trungu i fisit tonë dhe quhej Ahmet. Kjo solli edhe mbiemrin Ahmetli, të cilin më herët e ka mbajtur edhe familja jonë. Ndërkohë, sa i përket emrit të fshatit, një dokument i zbuluar në arkivat e Stambollit nga një miku ynë, tregon se kur kaloi përmes Menkulasit një kolonel turk i quajtur Mehmet, u shpreh: “Ment’ kui lash”. Ishte kjo shprehje që u ngulit fort dhe më pas ngeli si emërtim për fshatin tonë.

Në rrëfimin tuaj, më bëri përshtypje që dikur keni ndërruar mbiemrin nga Ahmetli, në Agolli. Çfarë fshihet pas kësaj zgjedhje?
Në vitin 1945 doli një vendim nga institucionet e kohës, ku ofrohej mundësia e ndryshimit të mbiemrit. Ndër ata që menduan ta ndryshonin ishim edhe ne. Disa nga fisi ynë e vendosën “Flaka” dhe disa të tjerë “Zjarri”. I gjendur mes vendimeve të tyre, në inat e sipër, babai si variant të parë mendoi ta vendosë “Shkrepësja”, duke treguar se bën bashkë flakën edhe zjarrin. Ndërkohë, me argumentin se vinim nga shtresa e mesme, ai propozoi që të vendosej Agolli (nga Aga), dhe ky mbiemër u pranua nga të gjithë.

Dritëroi ka plot një libër me poezi për kalin, ka poezi për shpendët, për tokën dhe për punën. Si ndikoi natyra e fshatit në formimin e tij?
Që në moshë të hershme, Dritëroi spikaste për talentin që kishte. Kjo, në njëfarë mënyre, reflektohej edhe nga dashuria e madhe për natyrën, kafshët, shpendët dhe insektet. Kujtoj që në vegjëli vraponte buzë jazit të fshatit për të kapur flutura, hynte mes bimëve barishtore dhe kapte zogj të bukur me leqe. Madje, kur shkonim për mëllenja, ai zgjidhte t’i vendoste me zgjuarsi kurthet në pullaze, ku kishte shkrirë bora. Kujtoj kur zuri një here një mëllenjë, e mori mbi duar dhe pasi e vëzhgonte plot dashuri e puthte në kokë. Pas pak, u drejtua nga unë dhe më tha: “Tajar, do ta lëshoj këtë që kapëm”. Unë e miratova me kokë, pasi ai ishte “përgjegjësi” për mua dhe vendimmarrja i përkiste atij. Pasi e liroi, e shihte në fluturim dhe përplaste duart gjithë gaz. Kjo më bënte të kuptoja se çfarë shpirti mbartte ai njeri. Dashuria ndaj kalit apo kafshëve të tjera, shihet edhe në orientimin që kishte zgjedhur të merrte në jetë. Pas përfundimit të gjimnazit “Asim Zeneli”, mes degëve që kërkonte të ndiqte ai zgjodhi zooveterinarinë. Falë këmbënguljes së Karaman Yllit, që kishte ndjekur krijimtarinë e tij dhe insistonte që të ndiqte letërsinë, Dritëroi ndoqi letrat, por pa harruar kurrë të kthejë kokën pas nga pasioni për tokën e natyrën.

Po nga Lufta Nacionalçlirimtare, çfarë mund të kujtoni? Cili ishte roli i Dritëroit, paçka se ishte i vogël?
Dritëroi iu bashkua luftës që fëmijë, ku shkoi një javë dhe qëndroi te partizanët. Ata, kur e panë, u habitën dhe i thanë se ishte tepër i vogël për të qëndruar aty. Nëna qante e merakosur dhe ne duke parë gjendjen në shtëpi i dërgonim letra, duke i kërkuar që të kthehej. Vërtet ai u kthye pas insistimit tonë, por, ama, vijonte të ishte korrier për të transportuar mesazhet e partizanëve, si dhe simpatizant i këngëve që ngriheshin për heroizmin e tyre. Kjo i shërbeu edhe në krijimtari, ku shpeshherë ngjarjet i ka gërshetuar aq bukur me Luftën.

Po baba Rizai, në raport me Ndritin (siç e quanit ju), si sillej?
Babai kishte një komunikim e mënyrë të foluri ndryshe, pasi kishte qëndruar rreth 15 vjet në Amerikë. Ai ishte njeri i qejfit në sebepe, mjaft i afrueshëm dhe nderonte çdokënd. Në dasma dhe fatkeqësi, im atë e merrte Dritëroin me vete, duke ia mësuar sjelljet e të rriturit që në vegjëli. I vëmendshëm ndaj tyre, ai i reflektonte herë pas here duke marrë një pamje më të pjekur në sytë tanë. Madje, në ato sofra, Dritëroi mësoi të këndojë aq bukur. Kur filloi shkollën, bënte shkrime në gazetën e murit dhe babai krenohej, pasi mblidheshin të gjithë fshatarët me kureshtje që ta lexonin. Aty ai shkruante me humor për ndonjë vjedhje që bëhej në fshat apo ndonjë dembel. Poezitë e tij të para, babai i merrte nga gazeta, i priste me kujdes dhe i vendoste në kutinë e duhanit. Teksa lavdërohej mes miqsh, thoshte: “Djali im vërtet është poet, por jo si Naimi. Po t’i krahasosh ata të dy, është njëlloj si të krahasosh Menkulasin me Tiranën…”

Po nënë Hatixheja?
Nëna kishte shumë shprehje, që vërtet të habisnin. Dritëroi e përmendte shpesh kur thoshte se pjesën e djathtë të trurit ku qëndron talenti, e kishte të trashëguar nga nëna me origjinë prej Kolonje, ndërkohë pjesën e karakterit i vinte nga babai. Dritëroi ka shumë kujtime me ne dhe unë kur i rrëfej kam emocione. Natyrshëm më vjen në mendje koha kur prashisja dhe korrja me drapër, sepse isha i fuqishëm, ndërsa Dritëroi bënte më tepër punë logjike dhe profesionisti si të lëronte tokën, hidhte farën apo kujdesej për prodhimet.

Pse u shpërngulët nga fshati?
Babai vendosi që ne të shpërnguleshim nga Menkulasi veç për arsimimin tonë, pasi shkollat ishin pak larg. Fillimisht u vendosëm në fshatin Shamoll, ku im atë më regjistroi te “Shkolla e Kuqe” në Korçë. Duke qenë se vija nga fshati, shokët më shihnin me skepticizëm dhe më rrinin larg. Duke parë gjendjen time, babai u detyrua të kërkojë një shkollë tjetër, ndaj u vendosëm në fshatin Rrëmbec. Aty jetuam disa vite dhe më pas unë, babai, nëna dhe motra, erdhëm në Sukth të Durrësit, ku xhaxhai ynë Mehmeti kishte zënë vend në fermë bashkë me bashkëshorten. Qëndruam një periudhë deri sa unë u rregullova në Tiranë dhe më pas i tërhoqa të gjithë.

Në kohën kur Dritëroi erdhi nga ish-Bashkimi Sovjetik, ai jetonte te shtëpia juaj në ish-Kinostudio? Si ishte jeta e përbashkët?
Kur Dritëroi u kthye nga studimet në ish-Bashkimin Sovjetik, vendosi të banonte me mua duke ndërtuar një bashkëjetesë të shkëlqyer. Ai, unë, bashkëshortja, nëna dhe babai, jetonim në zonën e Kinostudios brenda një apartamenti 1+1. Fillimisht, u kthye në Shqipëri për të parë situatën dhe më pas do të sillte ishgruan e tij Nina dhe djalin e madh Arjanin. Them me bindje që gjeti te ne një ngrohtësi të veçantë, pavarësisht se ishim pak ngushtë, ku unë flija në korridor, Dritëroi në dhomë dhe babai me nënën në kuzhinën e vogël.

Cilat ishin raportet tuaja me ish-gruan e Dritëroit nga Rusia? Si ishte Nina?
Nina ishte një njeri pozitiv dhe raporti ynë u ndërtua mjaft i fortë. Në vitet e para të ardhjes në Tiranë, ajo jetonte bashkë me ne. Për fat, unë munda ta shkëmbej shtëpinë me një banesë më të madhe të një mikut tim major, pasi atij mund t’ia merrnin, duke qenë se jetonte veç me bashkëshorten. Pas akomodimit në të, kishim një jetë të qetë. Dritëroi vinte me një biçikletë “Riga” te puna në “Zërin e popullit”, ishte korrekt dhe kishte gjithnjë e më shumë sukses me krijimtarinë. Ndërkohë, unë përpiqesha ta lehtësoja disi, me aq sa mundja. Duke njohur mirë gjuhën ruse, Ninën dhe djalin i shëtisja në teatër, parqe dhe i mësoja rrugët e Tiranës. Nga ish-bashkëshortja e Dritëroit ruaj kujtime interesante, ku një prej tyre është edhe martesa ime. Në kohën që shkonim për ta marrë gruan time, Vahide, ajo bashkë me Dritëroin këndonin këngë të operës ruse.

Si erdhi ndarja e tyre? Çfarë mban mend nga gjendja e Dritëroit në atë periudhë?
Fill pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, ish-bashkëshortja e Dritëroit pësoi një tronditje të thellë pasi kishte një lloj admirimi për udhëheqësin e asaj kohe, Hrushovin. Pavarësisht se nuk u përzu nga regjimi, siç u veprua me shumë të tjerë, Nina nisi të ndihej e paragjykuar në ambientet ku punonte apo shoqërohej, pasi nuk gjente mbështetje për bindjet e saj. Shkëputja e lidhjeve shtetërore krijoi në popullatë një urrejtje ndaj rusëve që ngelën në Shqipëri. Ndaj, nisur nga klima e krijuar, një ditë ajo shprehu vendimin për t’u larguar përfundimisht, duke argumentuar se s’mund të vazhdonte më në atë gjendje. Im vëlla insistoi që të qëndronte bashkë me djalin, por Nina zgjodhi të ikte, ku shpjegoi se një nga arsyet ishte që ta linte Dritëroin të kultivonte talentin i qetë dhe të mos shqetësohej nga sulmet kur prodhonte letërsi.

Ke marrë pjesë në shoqërimin e Ninës dhe Arjanit në aeroport? Çfarë mban mend nga ai moment? Dritëroi çfarë bënte rrugës, fliste?
E kam ende të freskët në memorie momentin kur Dritëroi më njoftoi mbi vendimin e Ninës për të braktisur Shqipërinë. Isha duke pushuar në plazh kur e mësova dhe i çuditur nxitova drejt Tiranës. Ajo kishte bërë valixhet gati, ndërsa Dritëroi ishte kujdesur që t’i bënte të gjithë dokumentacionin e nevojshëm përmes Ambasadës çeke, që kryente procedurat për shtetasit rusë. Kur u nisëm për në Rinas, rrugës në Vorë, Nina u pendua dhe kërkoi që të kthehemi. Dritëroi e vëzhgoi gjatë, por nuk ktheu mendje, duke i shpjeguar se ajo tashmë kishte marrë një vendim dhe s’mund të luhej për t’iu rikthyer konflikteve. Kurrë nuk e kisha parë tim vëlla aq rëndë sa në atë ditë. Gjatë gjithë kohës, ai nxirrte lot dhimbjeje për djalin 7 vjeç, të cilin nuk do ta shihte për shumë vjet. Prej atij momenti, të vetmet informacione rreth tij vinin nga letrat që Nina i dërgonte kujdesshëm motrës sonë dhe i rrëfente për Arjanin.

Çfarë bënte Dritëroi ato kohë, pas ndarjes? Po prindërit tuaj si e përjetuan?
Pas ndarjes nga bashkëshortja, unë shkoja vazhdimisht ta vizitoja në apartamentin te Rruga e Dibrës, pasi siç mund të kuptohet, ai e përjetoi shumë keq. Të vështirë e patëm edhe ne. Dritëroi, i zhytur në vetminë e asaj kohe, më kërkoi që prindërit të shpërnguleshin dhe të jetonin në një banesë me të, për të plotësuar disi boshllëkun. Babai dhe nëna pësuan një dëshpërim të madh, pasi ishin mjaft të lidhur me Arjanin. Dhe si të mos mjaftonte dhimbja e kësaj ndarjeje, im vëlla ndiqej nga sigurimsat për të zbuluar se kush shkonte në shtëpinë e tij.

Ju thoni se Dritëroi ishte i ndjekur nga “Sigurimi”. Keni ndonjë provë për këtë?
Asaj periudhe, në bilardon e Shtëpisë së Oficerëve luaja me njërin pa e njohur se cili ishte, pasi prezantohej si nëntoger. Njëherë, duke shkuar te banesa e Dritëroit, rastësisht e pashë që shëtiste rreth saj. Unë në cilësinë e kapitenit të dytë, e pashë së largu dhe e thërrita. “Baxhul, pse je këtu? Ti survejon vëllanë tim? Unë nuk kam pse ta ruaj nga rreziqet, sepse e di se kush është dhe ai nuk ka nevojë për mbrojtje”. Me aq sa kuptova, qëllimi i tij ishte të gjente njerëz që kishin lidhje me Dritëroin, pasi u largua bashkëshortja. Unë e mbajta mend Baxhulin dhe kur ia shpjegova Dritëroit situatën, më pa gjatë në sy dhe më tha: “Janë të zakonshme, le të bëjnë çfarë të duan se nuk e çaj kokën për këtë punë”. Siç e thoshte shpesh edhe vetë im vëlla, ai nuk ishte ndonjë trim i madh, por ama as frikacak nuk ishte.

Ritakimi i Dritëroit me djalin dhe ish-bashkëshorten u bë pas prishjes së sistemit diktatorial. Çfarë ju ka treguar vëllai juaj lidhur me këto emocione?
Merita të veçanta për ritakimin e Dritëroit me djalin dhe ish-gruan ka bashkëshortja e tij e jetës, Sadija. Për hir të Arjanit, ajo kërkoi dhe gjeti informacione të sakta mbi adresën e Ninës dhe vendosi takimin e parë në Shën Petërburg pranë një hoteli. Dritëroi u prek shumë kur i biri e zuri për qafe dhe i vendosi kokën afër zemrës dhe vetëm qante. Më pas, im vëlla takoi ish-gruan në shtëpinë e saj, ku ajo e mërzitur i fliste mbi vështirësitë e martesës së dytë me një njeri që nuk e donte. Edhe hera e dytë e takimit ka qenë mjaft e veçantë, ku Dritëroi, i shoqëruar nga Moikom Zeqo, shkoi ta vizitonte dhe qëndronte gjatë me të. Më herët, Arjani ishte takuar me djalin e dytë të Dritëroit, Artanin dhe vajzën Elona, të cilët ia kaluan mjaft mirë.

Po kur u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, si e prite ti si vëlla?
Kur i propozuan të bëhej kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, duhet thënë se Dritëroi nuk donte. Ai u sugjeroi që më mirë të vendosnin dikë tjetër në atë post, pasi sipas tij, në këtë emërim do të merrej më tepër me punë administrative dhe kjo gjë do ta pengonte në krijimtari. Ndërkohë, vendimi kishte ardhur nga Ramiz Alia dhe ai kishte ofruar mbështetje maksimale. Natyrisht që unë u gëzova shumë, pasi nuk ishte pak të mbaje atë detyrë në atë kohë.

Dihet se pija i bën njerëzit disi më “gojëlirë”. A kishe frikë si vëlla, që Dritëroit mund t’i ndodhte ndonjë gjë për këtë shkak?
Dritëroi ishte i kujdesshëm, ndaj edhe nuk frikesha se ai mund të thoshte ndonjë gjë prej pijes. Nga një anë, unë ruhesha më tepër pasi kam pasur mjaft njerëz që më provokonin për të nxjerrë sekrete. Gjithnjë përpiqesha të tregoja kujdes për vete dhe për atë, në mënyrë që mos i krijoja shqetësime. Megjithëse nuk pija, pasi ushtarakët s’para pinin, kujtoj një histori shumë interesante: Një ditë kisha marrë një shishe raki të mirë dhe shkoj te Dritëroi për vizitë. Ai pasi e provoi, veçoi gjysmë litri dhe ma vendosi përpara në tryezë: “Këtu e ke, – tha, – nëse e pi atëherë ke mësuar diçka nga pija”. I vënë në sedër, e piva me mezet që na kishte përgatitur Sadija dhe prita se çfarë do të më thoshte. Ai, pasi më vështroi se në çfarë gjendjeje isha, më tha që prej asaj dite të mos kem më merak për raki, pasi e kalova provën.

Dritëroi doli edhe kundër sistemit komunist në Kongresin e 10-të të Partisë. Si e prite ti?
Unë e prita mjaft mirë dhe nuk kisha asnjë problem, pasi kisha besim tek aftësitë e tij. Është normale që merakosesha si vëlla, ndaj përpiqesha të shkoja për ta vizituar shpesh. Dritëroi i kishte nuhatur ndryshimet që në vitin 1984 dhe më shprehte se do të përmbysej sistemi komunist. I merakosur, unë i thosha që një kapërcim i tillë do të ishte fatal për ne, por ai më jepte siguri që gjithçka do të shkonte mirë dhe ashtu ndodhi. Nisur nga bisedat me të, gjithnjë kam pasur bindje të plotë se Dritëroi ishte demokrati i parë, i pastër dhe jo aventurier. Për këtë dua t’ju sjell disa kujtime nga një udhëtim i yni në Ersekë, ku ai shkonte si kryetar i LSHA-së dhe unë e shoqëroja si oficer mbrojtës nëse do të kishte ndonjë rrezik. Teksa përshkonim aksin në Bradashesh me përfaqësues të Lidhjes, ku kujtoj Teodor Laçon mes tyre, Dritëroi me vështrim nga fushat përreth tha: “Shikoni si azdisen gomerët! Në vend që barin ta hajë lopa, ia hedhin si ushqim gomarit, i cili nuk prodhon as qumësht dhe as punë”… Këto dhe të tjera deklarata që nuk ishin aspak normale për atë kohë, më trembën shumë, pasi na gremisej familja. Përpiqesha t’i bëja ndonjë shenjë Dritëroit, por më kot, ai vazhdonte të fliste hapur, duke i numëruar të gjitha ato që mendonte. Kur mbërritëm në hotel, s’mund t’i harroj fjalët e një gruaje që u afrua për të shërbyer ushqimin dhe ndonjë pije. E çuditur nga sjellja e Dritëroit, ajo na vëzhgon dhe thotë: “Ah, o djemtë e nënës, ju jeni shumë ndryshe. Këtu vijnë mjaft njerëz që thonë se duan të përfytyrojnë zhurmën e stanit dhe tundjen e kosit në pëti për t’i zënë gjumi. Ndërsa ti Dritëro, as çaj nuk do!”

Pas rrëzimit të sistemit dhe kritikave të Dritëroit ndaj gjendjes së partisë, ai ishte në qendër të sulmeve të komunistëve fanatikë, por edhe të forcave antikomuniste, të demokratëve e të persekutuarve. A kishe frikë për jetën e tij në atë kohë?
Me përjashtime të vogla, në momentin që doli kundër sistemit komunist, Dritëroi u tradhtua thuajse nga të gjithë. Madje, kundër tij dolën edhe ata që i kishte vendosur anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ishte një situatë e vështirë, për të cilën akademiku Ali Aliu me të drejtë thotë: “Sulmet që iu bënë Dritëro Agollit në fillim të demokracisë ishin të tilla, që vetëm një njeri me kapacitete të mëdha si Dritëroi mund t’u përgjigjej”.

Ju, si i gjykoni qëndrimet dhe sulmet ndaj Dritëroit? Shihnit frikë tek ai?
Frikë nuk kishte, por ama ruhej shumë pasi dëgjonte vërshëllima rrugaçësh ngado. Ai nuk ka lënë gjë pa ia thënë në sy për sy dhe jo si të tjerët mbas shpine. Edhe pse gjendja ishte e tensionuar, im vëlla e menaxhoi pozitivisht, ku përpiqej t’i përgjigjej me kujdes dhe mprehtësi në shtyp çdokujt që e sulmonte. Kujtoj që artikullin e parë kundër Dritëroit e botoi Sabri Godo. Fill pas kësaj, Dritëroi shkroi disa faqe si reagim, ku i kujtonte të shkuarën dhe Godo nuk foli më. Që prej atij artikulli, ai ndryshoi sjellje, duke dalë në intervista bashkë me Dritëroin dhe vinte shpesh në shtëpi. Ndonjëherë, me shaka im vëlla i thoshte: “Ti je i mirë Sabri, por kjo e mirë të vjen ngaqë e ke gruan bejlereshë”.

Po Ismail Kadare?
Ismaili u nda vetë nga Dritëroi. Që nga koha kur u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Kadare pati njëlloj paragjykimi, duke menduar se Dritëroi ishte veçuar nga shoqëria. Kjo s’është aspak e vërtetë, pasi vëllai im ishte një paqësor i madh. Këtu vlen të përmend edhe disa detaje gjatë një takimi të mëvonshëm mes të dyve, ku dialoguan në një intervistë me Pirro Milkanin: Ai i tha: “Pa debat nuk ka përparim, ndaj debati është i rëndësishëm. Nëse ta bëjnë shesh me lule, atëherë kjo është shenjë treguese se ke të meta. Prandaj, debati i zgjidh kritikat. Edhe një filiz që del mbi shkëmb ka nevojë të ketë shoqëri me pemë të tjera rreth e rrotull, pasi i vetëm është i destinuar të thahet”.

Historinë me Sali Protopapën, një personazh real që jetonte në USA dhe vizitën e tij tek Dritëroi, a e di?
Theksoj se te Sali Protopapa nuk ka ndonjë personazh të caktuar dhe real. Letërsia është përgjithësuese që çdokush ta gjejë veten aty, ndaj s’duhet marrë sikur ka dashur të shigjetojë një njeri konkret. Nëse krijimtaria s’është e tillë, atëherë duhet thënë se nuk është letërsi. Ardhja e Sali Protopapës në shtëpinë e Dritëroit ishte surprizuese dhe dera për të qëndroi e hapur si për të gjithë njerëzit pa dallim. Nisur nga ato që më ka thënë Dritëroi, im vëlla i ka thënë se nëse s’e kupton letërsinë, nuk i përgjigjet dot, duke i shpjeguar se qëllimi i përshkrimit të personazhit ishte të demaskonte të gjithë personat që punuan kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas tij, në banesë trokiti edhe nipi i Lefter Ruços për t’u ankuar mbi personazhin Lefter Lefteri, që Dritëroi e sjell te libri “Komisari Memo”. Atij i shpjegoi se në Korçë kishte mjaft emra të ngjashëm që shërbenin si spiunë në kohën e luftës, ndaj e këshilloi që para se të dilte në konkluzione, të ulej dhe të rilexonte librin me kujdes. /Panorama /KultPlus.com

“Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin”

Thënie të pavdekshme nga Dritëro Agolli:

“Gabimi i një doktori varroset në tokë. Gabimi i një arkitekti bie në tokë, kurse gabimi i një mësuesi ecën nëpër tokë”.

“Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet”.

“Nëse njeriu nuk ndjen as kënaqësi, as dhimbje; nëse nuk ndjen as gaz, as hidhërim, as shpresë, një gjë po jua them me ndershmëri dhe bindje, lëreni të vdesë”.

“Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin”.

“Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti”.

“U zumë të dy aq shumë për punën
Dhe s’flasim dhe s’vemë e s’vijmë!
Eh, budalla!
Edhe dhëmbët zihen me gjuhën,
Zihen dhe bashkë rrinë”.

“Dashuria është një libër që e lexojnë të gjithë, por të paktë janë ata që arrijnë deri në faqen e fundit”.

“Duaje gruan edhe me gabime, ashtu siç do një libër të bukur edhe me gabime shtypi”.

“Dashuria nuk i dhuron, por i jep të gjitha. Ndofta kjo mund të mos jetë e përjetshme, por i përjetshëm mbetet çasti”.

“E vërtetë e pabesueshme
E mbajta në krah tërë ditën
Edhe zemër i dhashë:
‘Mbahu!’
Të nesërmen ne fshat kur arritëm,
U tha te tjerëve:
‘Më rrahu!’”

“Jeta është e vështirë . Po vdekja ? Kur do të kthehet ndonjëri të na tregojë?”. / KultPlus.com

I përndjekuri i dashurisë

Poezi nga Dritëro Agolli

Unë jam i burgosuri yt,
Rroj me prangat që ti më ke vënë
Po çudi, as qelia s’më mbyt,
Dhe s’më mbyt as dritarja e zënë.

Kur ti prangat m’i hodhe në mish,
Unë i putha duart e tua.
Është rast i pashembullt ta dish,
Që xhelatin ta puth a ta dua!

I përndjekuri yt erotik,
I përndjekur të mbetet gjithmonë!
Erotik i mirë a i lig,
Hidhmi duart në fyt, torturomë!

Dritëro Agolli: Kur në Kosovë takova Azem Shkrelin

   

Azem Shkreli ishte nga shkrimtarët e parë të Kosovës që njoha nga afër. Nga ai kisha lexuar poezi dhe kisha dëgjuar të më tregonte ndonjëri, se jeton në Prishtinë një poet me emrin Azem Shkreli , se ka një pamje të tillë dhe se flet kështu apo ashtu dhe kaq. Por kur shkova për herën e parë në Kosovë në vjeshtën e 1972-së për Ditët e Poezisë që organizoheshin në Gjakovë e takova edhe Azemin mes grupit të shquar të poetëve të asaj ane të Shqipërisë.

Në fillim më bënë përshtypje lëvizjet e tij të përhershme si veriu. Ai ulej pak në tryezë dhe papritur ngrihej, shkonte të takonte ndonjërin, kthehej për të qëndruar pakëz në tryezë dhe ikte përsëri ,se dikush e priste në ndonjë anë. Por edhe kur rrinte në tryezë , shpesh heshtëte me sy të përhumbur diku dhe dukej sikur nuk dëgjonte asgjë nga ç’flitej. Vetëm kur fjala vinte tek poezia dhe tek arti në përgjithësi dhe kur ndizej ndonjë polemikë, sytë e tij dilnin nga përhumbja duke shkrepëtirë, shikonte me kokën mënjanë dhe pastaj hidhej për të pohuar apo mohuar ndonjë mendim . Atëherë harronte të lëvizte nga tryeza dhe bëhej një bashkëbisefues i mirë. Megjithatë ai nuk fliste shumë.

Kjo ishte përshtypja ime e parë në takimet e fillimit me Azem Shkrelin. Në ato takimet poetike të Gjakovës , ku lexonim nga një vjershë poetët pjesëmarrës , unë lexova disa vargje kushtuar nënës sime, që fillonin: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat, Atje në minder mbi një dyshemé, Më polli mua kur u kthye nga arat.

Azem Shkreli gjithë ato ditë që qëndrova në Prishtinë, sa më takonte , e bënte zërin si timin, më imitonte dhe përsëriste: -Dritëro! -Hë, Azem?-përgjegjesha unë. Dhe ai qëndronte para meje, duke më imituar në recitim dhe duke përsëritur vargjet: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat… Pastaj qeshte dhe tundte kokën: -E, Dritëro, nëna ime e bukura Hatixhé? Edhe ti boll i bukur ke dalë!… Kaluan vitet dhe ne u bëmë miq. Sa herë që vinte në Tiranë , kur ishte drejtor i Teatrit të Prishtinës dhe më vonë drejtor i Kosova Filmit, ne takoheshim herë në Hotel Dajti dhe herë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, takoheshim edhe me Beharen, të shoqen e tij , një grua e dashur, e këndshme në kuvendime , e pashme dhe atdhetare.

Por më vonë , pas lëvizjeve për liri dhe pavarësi në Kosovë, në fillimin e viteve 80-të, dhe pas mbylljes së kufinjve , rrallë takoheshim. Vetëm në vitet 90-të , filluan përsëri të vinin në Tiranë poetët e Kosovës, si zogj shtegtarë, të vinin nga vendet e tjera të Evropës, nga Gjermania, Zvicra apo Austria. Ne këtej po nuk mund të lëviznim për në Kosovë për ato arsye që përmenda . Megjithatë , në vitin 1992, pas Mbrëmjeve Poetike të Strugës, unë dhe gruaja ime Sadija, morëm guximin dhe shkuam në Prishtinë , duke e kaluar kufirin me Maqedoninë së fshehurazi.

Në Prishtinë ne fjetëm atë natë gushti në shtëpinë e mikut tonë të dashur, Ali Aliut , që bashkë me të shoqen e tij Merza, grua fisnike dhe e palodhur për mysafirët, na pritën ngrohtë dhe mirë. Të nesërmen dolëm nëpër Prishtinë, e cila nuk e kishte atë gëzimin e njëzet vjetëve të shkuar , por dukej sikur ishte mbuluar nga një hije e rëndë si teneqe, hije e pushtimit të egër sërb. Nën këtë hije si teneqe ne u takuam me Rexhep Qosen, me Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e të tjerë. Mes tyre takuam edhe Azem Shkrelin. Ai na tha se gruan e kishte të sëmurë rëndë nga veshkat dhe ne vumë re një trishtim në sytë e tij . Por Azemi ishte i çuditshëm! Na ftoi për drekë në shtëpi , edhe se Beharen e kishte të sëmurë. Në shtëpi ne e gjetëm Beharen duke punuar për tryezën e mysafirëve. Kishte një fytyrë gati gri, fytyrë prej të sëmuri të vërtetë, por sëmundjen mundohej ta vinte poshtë me punën. U përqafuam dhe u ulëm bashkë me Ali Aliun , që ishte me ne. Pastaj erdhi edhe Ibrahim Rugova dhe një tjetër që nuk më kujtohet. U ul edhe Beharja në tryezë dhe ne shijuam gjellët e saj të mira. Azemi, në fillim i heshtur, u gjallërua. Duke pirë ne filluam të flisnim për politikën , dhe vetëm për atë, për gjendjen në Tiranë , për rrugën e demokracisë në Shqipëri, për genocidin sërb në Kosovë, për problemet e Lidhjes Demokratike e me radhë. Azemi, i menduar, donte t’ia ndryshonte drejtimin bisedës: -E po, si nuk folëm për letërsinë!- tha ai dhe psherëtiu. -Kur gjëmojnë topat, hesht muza!- përsërita unë një shprehje latine. Vërtet , Azemin e shqetësonte letërsia : si do ecte ajo në kushtet e reja të ndryshimeve demokratike pas rënies së sistemit të socializmit totalitar, cilat do të ishin raportet mes shkrimtarëve dhe çfarë lidhje do të kishin shkrimtarët e Shqipërive këtej dhe andej Drinit.

Këto shqetësime ai i kishte të sinqerta, pasi ishte një shkrimtar i vërtetë, një poet i shquar me një origjinalitet të papërsëritshëm. Ai është njê poet modern i një natyre të veçantë. Në poezinë e ti shkrihet fryma kombëtare me frymën evropiane me një harmoni të natyrshme, duke krijuar një variacion të lakmueshëm në artin poetik. Vargjet e tij janë metrikë dhe ametrikë , të matur e të lirë , po gjithmonë të shoqëruar me muzikalitetin poetik. Në to ndjehet shqetësimi për kohën dhe njeriun, kombin dhe lirinë. Në gjithë poezinë e Azem Shkrelit mbizotërojnë zogjtë dhe guri. Këto janë dy simbole apo metafora të qëndresës dhe ëndrrës , që përbëjnë jetën. Edhe vëllimi i fundit poetik , i botuar pas vdekjes, në qendër ka këto dy metafora. Këtë e tregon edhe titulli”Zogj dhe gurë”. Unë këtë libër e kam lexuar në dorëshkrim para nja dy muajve se të vdiste Azemi .Ai erdhi në shtëpi tek unë , si gjithmonë kur ndodhej në Tiranë , dhe ma dha dorëshkrimin në gjysma letrash . -Ky është libri im i fundit-tha ai. -Jo i fundit , por i gjashtëmbëdhjeti !- thashë unë duke qeshur. -Fjala që vjen !- tha ai i skuqur pakëz. Unë pastaj e pyeta për Ali Podrimjen se çfarë po bënte, biseduam për Fahredin Gungën dhe e kujtuam me dhimbje për vdekjen e tij të papritur.

Folēm për Din Mehmetin dhe për poezinë e tij , që unë e çmoj shumë, e me radhē. Pastaj kujtuam ato shtatë-tetë ditë të vitit 1992, kur ai bashkë me Ali Podrimjen banuan në shtëpinë time . Në ato ditë mbrëmjeve polemizonim për partitë e majta dhe të djathta në Shqipëri. Unë mbroja të majtën , ata anonin nga e djathta. Kur polemika ndizej. Azemi ngrihej në këmbë me kokën mënjanë dhe me duart në xhepa, ndërsa Aliu shtrihej në kanape me krahun nën qafë. Heshtnim për një çast dhe pastaj fillonim e lexonim vjetsha. Ata kishin qenë në Vlorē dhe kishin shkruar vargje me motive nga ai qytet dhe nga deti . -E , Azem? Poezia nuk na zemëron si politika!-thosha unë. -Po të mos ishte poezia , do të kishim ngrënë njëri-tjetrin , siç ke thënë ti njëherë!- kujtonte Azemi një thënien time të vjetër diku në ndonjë tryezë. Pas disa ditëve nga çasti që ma la dorëshkrimin “Zogj dhe gurë”, erdhi dhe e mori, doemos të përcjellë me lavdërimet e mia të përzemërta. Kur hyri në shtëpi ai ishte skuqur dhe merrte frymë me zor. – Janë të larta këto shkallët tuaja!- i tha ai Sadijes. Dhe këto ishin fjalët e fundit që dëgjova prej tij.

***

Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

Shkreli zë vend në krye të poezisë aktuale shqiptare. Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik; e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive.

Poezia e tij, shënoi kthesën e parë më të rëndësishme, në radhë të parë, duke e çliruar unin lirik intim nga ai kolektlv, duke skalitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj.

Ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.

Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezísë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.

Vdiq në pranverën e vitit 1997. / KultPlus.com