Një rrëfim i rrallë i Dritëro Agollit: E kemi një të keqe të madhe, që anojmë nga fryn era

Kjo intervistë me shkrimtarin e shquar është bërë në datën 26 maj 2006 në Durrës dhe është transmetuar në atë kohë në TV Kopliku.

Në vijim po sjellim një përmbledhje të saj botuar sot nga DITA.

K.Ujkaj: – Dritëro, gjithmonë kur lidhej një vajzë korçare me një djalë shkodran apo anasjelltas, si shkodranët, si korçarët e quanin një lidhje martesore të gjetur. Ju si do ta shpjegonit këtë traditë si dhëndërr i Shkodrës?

D.Agolli: -Gjithmonë Korça dhe Shkodra kanë bërë krushqira, ilakara, siç e quajmë me këtë fjalë të vjetër turke. Në përgjithësi, si popull kemi patur shumë afri, qoftë nga kultura e përgjithshme, qoftë si dy qytetet më të kulturuara të vendit si dhe më të mëdhatë në tërësi, pas Tiranës, që ndonjëherë ia kalonin edhe asaj. Shkodra dhe Korça, dy qytetet që gjithmonë kanë patur lidhje shpirtërore mes tyre, që jepnin e merrnin nuse, apo që bënin dashuri, si qytetarë në lëvizje të përhershme, që për pasojë transmetonin të tilla lidhje mes njëri-tjetrit.

Dhe pastaj lidheshin edhe me anë të tjera: Në Korçë botoheshin shumë revista, them para viteve ’40, por edhe në Shkodër, gjithashtu. Grupet e shkrimtarëve në këto dy qytete të mëdha të kulturës ndaheshin sipas anëve të progresit. Në Shkodër kishte shkrimtarë të shquar që mendonin për një botë të re, po edhe në Korçë kishte një revistë me emrin “Bota e re”. Gjithë këto kanë ndikuar edhe në krushqitë, që të merrnin rrugë të pandalshme, apo në dashuritë, sepse ishim njerëz që udhëtonim, pra gjallonim e jo njerëz të mbyllur.

Dashuria natyrisht nuk njeh kufizime, që të thuash në Shkodër, apo vetëm në Korçë do të bëheshin të tilla lidhje, sepse dashuria do të lindë edhe në një vend tjetër. Takon njeriun, njihesh! Kështu më ngjau mua me Sadijen. Më pëlqeu Sadija dhe unë i thashë: do të marr për grua. Kështu ne krijuam familje. Nga ana tjetër, këto lidhje ndihmonin të shtoheshin lidhjet mes ne, shqiptarëve. Lidhje Jugë-Veri, lidhje mes Veriut me Shqipërinë e Mesme etj. Shqipëria është një komb, një kulturë, ka të njëjtat zakone kudo, ka të njëjtën botë shpirtërore, një konstitucion shpirtëror. Këto e ndihmojnë shqiptarin që të mos jetë, thjesht, provincial, por të shkojë më larg, të bashkohet me të tjerët.

Nga këto lidhje në largësi, jo mes kushërinjve, edhe raca del më e mirë se sa kur lidhemi brenda kushërinjve.

– Si e kujtoni Shkodrën në harkun e këtij tranzicioni? Thonë që kur keni ardhur në fillim të viteve ’90 me Ramiz Alinë, shkodranët janë shprehur: “Po të kishe ardhur vetëm si njeriu i madh Dritëro Agolli, do të shetisnim mbi shpinën tonë në tërë Shkodrën me gjithë makinën tuaj”. Si e kujtoni këtë moment?

D.Agolli: -Po, në atë kohë ishte një gjendje e acaruar në përgjithësi. Kishin ndodhur edhe ato vrasjet e prillit, vriten disa djema atje në demonstratë, pra ishte koha kur sapo kishte rënë ay sistem dhe po vinte dalëngadalë tjetri. Shumë njerëz të entusiazmuar nga demokracia që vinte, nuk kishin qejf të shihnin drejtues të dikurshëm, ish-udhëheqës të PPSH, si Ramiz Alia, megjithëse Ramiz Alia ishte një njeri i butë dhe do të thosha i ndershëm dhe jo njeri diktator. Ai ishte i pari president shqiptar në pluralizëm, sepse atëhere u vendos pluralizmi, kurse Sali Berisha erdhi një vit më vonë në pushtet.

Në teatrin “Migjeni” Ramiz Alia po vinte si i ftuar në një aktivitet për Fishtën, nga vetë shkodranët. Ramiz Alia më merr mua në telefon dhe më thotë: Pres të shkojmë së bashku në Shkodër me këtë rast. Në Shkodër ndodhi një konflikt i vogël, ku disa njerëz kishin dalë para teatrit “Migjeni” dhe hidhnin parulla kundër Ramiz Alisë. Ky i fundit shkoi në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit për t’u takuar me autoritetet lokale, kurse unë do të shkoja tek vjehrra ime. Dhe rrugës mua më takuan disa shkodranë, me të cilët kam patur miqësira që në vitet ’60 kur kam qenë gazetar pranë “Zërit të Popullit”, si Q.Draçini, mes të cilëve njëri u shpreh: “Ne do të mbanim në shpinen tonë me gjithë makinë duke të shetitur nëpër Shkodër si Dritëro, po të kishe ardhur pa Ramiz Alinë”. Kurse një tjetër, simpatizant i PD-së u shpreh: “Ne edhe me Ramiz Alinë gabuam, sepse ne vetë e ftuam atë. Tradita jonë kur e fton tjetrin nuk e lejon ta fyesh. Kurse Dritëroi, për mua bëri shumë mirë që erdhi me të”.

Ti mund të jesh me mendime kundër, por jo ta shajsh tjetrin, kur e fton vetë. Për fat u kuptuam me miqtë e mi dhe shkova në punën time! Ky ishte një aksident, them unë. Më vonë nuk do të bëhej, por ishte kohë ndryshimesh të mëdha dhe mund të justifikohej. Ajo nuk qe gjë për t’u dëshpëruar. Këto janë të zakonshme kur ndrrohen kohët.

Ndërsa unë si Dritëro do të respektoja cilindo protokoll presidenti, pa kurrfarë paragjykimi, sikur të ishte edhe Sali Berisha, me një fjalë edhe me atë do të vija, po të më kërkonte si i tillë.

– Korrieri i vogël partizan i 43-it, D.Agolli, shprehet në librin “Njerëz të krisur”, vëllim me tregime:

“Lufta ishte e rreptë,

tragjeditë kishin shumë ngjyra….

Nëse do të ishim me të humburit në këtë luftë, do të ekzistonte sot Shqipëria e pavarur? Ndryshe, sipas jush, fitorja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte një fitore e hidhur, apo një fitore e denjë për ne?

-Nëse ne do të bashkoheshim me nazifashistët dhe të humbnim, siç humbën ata, ne do të quheshim bashkëpunëtorë të tyre. Kështu, një pjesë jona do t’i jepej Greqisë, një pjesë Jugosllavisë, Italisë etj., sepse kjo do të diktohej nga statusi i humbësit. Edhe në vendet e tjera, që janë bashkuar me nazizmin, kanë korrur vetëm humbjen. Bie fjala, në Rumani një pjesë e Vllahisë iu dha Rusisë, sepse ishin me nazistët. Po të ishim me nazistët, duke llogaritur pjesët që do t’u jepeshin fqinjve tanë si shpërblim për luftë kundër fashizmit, Shqipëria do të mbetej vetëm pjesa mes Matit dhe Shkumbinit, kur dihet se pjesët e tjera do t’i jepeshin sa Jugosllavisë, sa Greqisë etj. Me aleatët e mëdhenj SHBA, Rusi dhe Angli, që ishin kundër nazifashizmit, si koalicion botëror progresist, ne u bashkuam dhe fituam pikërisht këtë Shqipëri që është, pavarësisht se ç’u vendos në Jaltë. Kjo është e para. E dyta, sikur të fitonin gjermanët, ne do të ishim tjetër Shqipëri. Ç’do të ishte, do të thuash? Kurrsesi një vend i lirë. Ne do të bashkoheshim me Kosovën ndoshta, jo vetëm me të, por me të gjithë: Me Italinë, me Greqinë etj., por gjithmonë nën pushtuesit e huaj nazistë. Dhe siç thonë fetarët, ata që besojnë, Zoti na ruajt, ne na ruajti me të vërtetë duke u ngjitur me koalicionin në krahun e antifashizmit.

Ujkaj: – Z.Agolli, i përkthyer në afro 20 shtete, nga kritika perëndimore që në vitet ’70 jeni cilësuar si Uitmani shqiptar, ndryshe poet i tokës shqiptare, kurse pas daljes së “Shkëlqimit dhe rënies së shokut Zylo”, jeni cilësuar si Gogoli shqiptar, duke krahasuar “Revizori”-n e këtij të fundit me ronanin tuaj në fjalë. Megjithatë ju jo vetëm nuk keni denjuar të preokupoheni nga përcaktimi juaj si modern, edhe pse jeni i tillë, por përkundrazi, që tani për së gjalli, keni thurur në vargje amanetin tuaj befasues:

Po, unë atje në varreza,

Përzjerë me dhè, sigurisht,

Një gur me shkronja të zeza,

Po prehet një ish-komunist.

Cili është komenti juaj?

D.Agolli: -Këto krahasimet jo me Kafkën, jo me Gogolin, tjetrin me Shekspirin a Uitmanin etj. janë zakone të kritikëve të huaj, të cilët sipas meje i bëjnë për t’u bërë qejfin shkrimtarëve të vendeve të vegjël si yni. Prandaj të tilla vlerësime gjithnjë, i dashur Kadri, i kam marrë me shumë rezerva duke i quajtur gjithnjë si ana periferike e gjërave, pa mohuar faktin që letërsia jonë e madhe, si e tillë, nuk është aspak më e vogël se letërsia e huaj. Ka disa personalitete letrare tek ne që i kanë marrë serioze këto konsiderata, kurse mua kurdoherë më ka pëlqyer t’i marr si serioze ato vlerësime që vërtet janë si të tilla – të vërteta. Jo të them që tani unë u bëra Homer, Shekspir, Gogol etj….Këtë nuk e kam zakon. Tjetër pastaj krahasimi…. kur krahasohemi me Uitmanin, Gogolin nga të huajtë, të cilët gjykojnë që ne i këndojmë tokës sonë, qëndresës, pavarësisë apo ideologjisë që ne kemi patur…Unë edhe duke iu referuar asaj që cituat më sipër, kam mendimin: Sado të thuhet që ky ka qenë komunist, përsëri atje është hiri im, kurse e vërteta është libri im. Nuk dua të them unë kam qenë ndryshe nga shkrimtarët e tjerë të asaj periudhe, se kam qenë disident etj….Jo, unë kam qenë siç ishte koha, madje unë besoja se sistemi që kaluam do të ishte një sistem ku nuk do të kishte varfëri, ku njerëzit do të ishin të barabartë, prandaj edhe e përqafova atë ideologji komuniste si pjesa jonë e madhe, duke qenë njëri nga bijtë e asaj shoqërie, e cila s’na ka penguar aq shumë për të thënë disa të vërteta. Veprat janë bërë në Shqipëri dhe janë përkthyer në Evropë. Madje atëhere janë përkthyer shumë më tepër se përkthehen sot. Kjo është biografia jonë, jeta nuk reduktohet. Nuk mund të merret si një faqe libri dhe ta reduktosh. Dita që iku nuk mund të kthehet. Të djeshmen që iku mund ta kthesh e të thuash tani kështu e ashtu?! Në këtë kuptim them që këto të vërteta s’duhen shtrembëruar. Ne entuziazmohemi kur bëhen jashtë recensione për shkrimtarët tanë, mirëpo, sipas meje, ky entuziazëm nuk është individual, por është i vendit tënd.

– Si njëri nga “bashkëthemeluesit” e PSSH-së më 12 qershor 1991, kam patur fatin që në këtë moment historik të njihem nga afër me Ju. Dritëro, sa ndjeheni brenda vetes dhe sa ndjeheni i zhgënjyer brenda spirales së kěsaj force poltike, të cilës shqiptarët i besuan një qeverisje radhazi 8 vjeçare, një precedent në tërë ish-Lindjen komuniste?

D.Agolli:
-Në kohën që u mblodh Kongresi i 10-të i PPSH-së, unë në të vërtetë bëra disa kritika të rrepta ndaj atij sistemi. PPSH-ja ka patur shumë gabime, filluar me acarimin e luftës së klasave, me tufëzimin etj., që i dimë shumë mirë, së bashku me abuzimet që bëheshin deri në internimet e familjeve në emër të luftës së klasave. Këto gjëra çdo njeri me mend mund t’i kuptonte edhe atëhere, por sot erdhi koha që t’i themi lirisht në emër të përparimit dhe jo të kthimit mbrapa. Duke u formuar PS-ja, si e majtë moderne, pavarësisht se vinte nga PPSH, kisha një besim të plotë që do të rinovohej dhe do të përparonte duke kapërcyer shumë mentalitete të PPSH-së. Kjo parti do të arrinte edhe fitore, siç qe ardhja e saj për 8 vjet në pozitë, ku krahas arritjeve, si ndërtimi i rrugëve të reja, ngritja e institucioneve demokratike në një Shqipëri të shkatërruar nga 97-ta etj., pati edhe mungesa të drejtimit, u vërejt një burokraci, korrupsion, ngathtësi të administratës etj, kuptohet krahas arritjeve dhe përparimeve të bëra, pavarësisht se kemi të bëjmë me inisiativën private.

Personalisht nuk ndjehem i zhgënjyer, sepse e di dhe e kuptoj që një parti nuk do ta ketë gjithnjë pushtetin, por herë njëra, herë tjetra, si në pluralizëm.

Pasatj rëndësi ka që secila është shqiptare. Kush të garanton që pas 20 vjetësh mund të vijë një parti tjetër, kush di me ç’emër dhe mund ta marrë pushtetin.

A nuk ndodhi në Itali, që një parti si ajo e Berluskonit, Forca Italia, për 6 muaj jetë arriti të dalë edhe në krye të politikës italiane, duke marrë edhe pushtetin. Kështu që nuk është ndonjë hata të lësh pushtetin, mjafton që edhe ajo të jetë shqiptare, tjerat gjëra nuk duhet të habisin njeri. Sot opozita ka për detyrë të korrigjojë qeverisjen e pozitës, që kjo e fundit të na qeverisë më mirë. Kështu që nuk e quaj ndonjë zhgënjim.

Socialistët kanë një anë shumë të mirë debatin brenda vetes. Më thuaj, cila parti ka aq polemika, apo debat të brendshëm në parti? Bile, këtë përvojë tani po e ndjekin edhe partitë e tjera. Kjo është ana e mirë e socialistëve, që t’ja kenë për nder edhe partitë e tjera shqiptare.

K.Ujkaj: – Para 3 korrikut, analistë shqiptarë dhe perëndimorë, bile edhe brenda vetë të djathtës shqiptare, kishin shumë skepticizëm për kthim në pushtet të PD-së me Berishën në krye. Ju si e shpjegoni këtë rotacion të pushtetit në favor të PD-së? A mund t’i besojmë versionit se Nano u tërhoq në emër të plotësimit të standardit, një rotacioni model të qeverisjes që kërkonte nënshkrimi i marrëveshjes së asocim-stabilizimit, duke plotësuar kështu maksimalisht edhe karizmën e vet si politikan liberal perëndimor?

D.Agolli: -Sipas meje, ardhja në pushtet e PD-së qe e vetvetishme, falë një situatë të atillë në PS, kur kjo nuk mund të drejtonte më me të metat që u panë në qeverisje, por sidomos pas ndarjes më dysh, me daljen më vete të LSI-së. Kështu të ndara, votat do t’i fitonte PD-ja. Po aq edhe në popull sikur u ndje nevoja e ndryshimit të qeverisjes me shpresën se mundet të jetë më mirë. Kështu erdhi në qeverisje Sali Berisha.

Nga ana tjetër, gjatë viteve 1992-97, Sali Berisha ka bërë shumë gabime në qeverisje, si: Piramidat, kufizimi i demokracisë, nuk i lejonte të bëheshin normalisht demonstratat, rrihte deputetët. Asokohe nuk kishte, si tani, televizione private, media ishte vetëm ajo shtetërore, TVSH, mungonte liria e mendimit etj. Këto bënë që të rrëzohej nga pushteti. Mirëpo duhet thënë që gjatë qeverisjes së tij, Sali Berisha ishte shumë aktiv, njeri me energji shumë të mëdha, punëtor i madh, i pakursyer dhe e bindi popullin që të shkonte pas tij. Ky fakt bëri që populli të gjykojë që ky njeri kaq i gjallë do ta reformonte edhe shoqërinë shqiptare. Nuk e përcaktoj dot të ardhmen me Sali Berishën në qeverisje, por fatkeqësisht shoh pas afro një viti qeverisjeje shumë varfëri, papunësi, të meta që të bëjnë të zhgënjehesh nga klasa politike shqiptare.

K.Ujkaj: – Dritëro, shumë lëvizje shihen në gjirin e forcave politike, qoftë majtas me formimin e një aleance të re ku përfshihet edhe LSI, qoftë djathtas, një lëvizje të Nard Ndokës, njëri ndër politikanët aktiv e “reformator”, më ndryshe nga pikëpamja e moderacionit brenda së djathtës. Ju, si do ta komentoni këtë lëvizje?

D.Agolli: -E shoh si një lëvizje progresive qoftë nga e majta, qoftë nga e djathta, sepse kjo do të bëjë që nesër të mos i bindet asnjëra palë pushtetit të Njëshit brenda mazhorancave. Natyrisht dihet që partitë e vogla janë forca politike me 300-500 anëtarë dhe që të fuqizohen u duhet pushtet, por që të kesh pushtet më shumë dhe elektorat më shumë, duhet të kesh deputetë më shumë, sepse vetëm kështu merr edhe në qeverisje pjesën më të madhe, përmes së cilës do të rregullosh në punë edhe njerëzit që të mbështesin.

Problemi i këtyre lëvizjeve dhe aleancave do të rritet kur të vijë puna tek zgjedhja e presidentit, ku duhet 5/7 e votave në parlament. Mirëpo llogaritë bëhen për levërdi në vetvehte nga secila parti, qoftë minorancat, qoftë mazhorancat. N.q.s PD i jep më shumë se i takojnë PDK-së, do të ngrihen anëtarët e saj: Ti ua fal pushtetin të tjerëve, prandaj kështu nuk pranojmë, apo anasjelltas, ata të PDK-së për pjesën që u takon, sidomos në lëvizjen e re të Nard Ndokës. Është një punë e ngatërruar, prandaj drejtuesi i një koalicioni duhet të jetë shumë i zgjuar. Kurse unë mendoj që brenda partive duhet forcuar ana ideologjike, që të fitojmë bashkë. Të mos i ndajmë postet si një bakllava, siç ka thënë Rama. Unë mendoj se koalicioni Rama-Meta-Gjinushi-Milo dhe Ceka është pozitiv, që së paku të fitojnë së bashku. Kjo është një përpjekje pozitive e të gjitha partive. Ndërsa e djathta ka problemet e pronës, ku PR kërcënon së do të dalë më vete. Tek ne problemet janë të ngatërruara nga bajraktarizmi që zë krye me kryetarin e fisit, të lagjes deri në krye të vetë partive. Filozofia jam unë – kjo pengon edhe hyrjen tonë në Evropë.

K.Ujkaj: Do të pranojnë Meta dhe Lesi, sipas jush, që të vihen në rrjeshtin e mazhorancave përkatëse me nga një post ministri, aq më teper ku Lesi njihet si rebel dhe si politikan modern pragmatist?

D.Agolli: Di që edhe mbreti i ka qejf lëvdatat dhe peshqeshet.Kështu që edhe këta i pelqejnë dhuratat.E ka thënë vetë Nikolla: Po nuk më dhatë….kështu që kjo nuk është moderne. Modernia nuk kërkon poste, por pragmatizëm prandaj më me kursim atë modernen…

K.Ujkaj: -Dritëro, të gjithë e dënojmë sot braktisjen e djeshme të eshtrave të Fishtës, apo të amanetit të Konicës për t’u varrosur në vendin e vet. Po sot në Shqipërinë Demokratike, madje në kështjellën e saj, një artist i përmasave botërore si Lukë Kaçaj në 2001, apo një poet i talentuar si Frederik Reshpja në 2006-tën, të dy antikomunistë dhe ish-të burgosur politikë, shoqërohen me një cinizëm profetik në ditëlamtumirën e fundit të tyre. Askush nuk denjoi të hidhte një grusht dhè mbi varrin e artistit të madh në ditën e përcjelljes mortore. Pak më ndryshe nga pushteti lokal, por nga ai qendror demokratik, as në 2006-n nuk e ndryshoi imazhin e këtij cinizmi kur u përcuall poeti i talentuar Frederik Reshpja. Nga Tirana do të vinte një shok dhe mik yni, si Dr.Moikom Zeqo e ndonjë dikush nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe vetëm kaq. Si e gjykoni këtë stinë antikulturë në klimën e një kultpragmatizmi deri në banalitet?

D.Agolli: -Unë Lukën e kam pasë mik edhe në kohën e socializmit, edhe më vonë. Ka ardhur shpesh herë në shtëpinë time. Kur u burgos, erdhi e shoqja, Ana Jakova e m’u lut ta ndihmoja, se donin t’ia merrnin pianon. E garantova se nuk do t’ia merrnin. Nuk ma merr mendja, i thashë, se do të hyjë këtu gjykata apo dikush tjetër, edhe pse ne si LSHA nuk kemi gjë në dorë. Pianon ia kishte dhuruar atij dhe Mentor Xhemalit vetë Mehmet Shehu. Në këtë mënyrë u mundova ta ndihmoj të shoqen dhe Luken, çka ma dinte për nder gjithnjë Luka. Kur doli nga burgu ndërhyra për letrat me vlerë që i takonin Lukës në fabrikën e tullave ku punonte.

Luka ishte një artist i madh, njëri nga më të mëdhenjtë. Për problemin më sipër e pati pritur edhe Spartaku (ministri). Lukës duhet t’i bëheshin nderimet deri në fund, aq më shumë në një shoqëri pluraliste, siç ishte kur vdiq ai Shqipëria. Megjithatë shpesh herë këto gjëra harrohen, meqenëse merremi më shumë me politikë. Mediat shkojnë pas një politikani, sepse pas tij shkojnë më shumë edhe vetë njerëzit. Është ky problem, pse do të çuditemi? U bë 150 vjetori i Naimit, para 10 vjetësh dhe s’foli asnjeri. Po kështu edhe për Fishtën, Lasgushin, Konicën, Reshpjen. Për Reshpjen bile është folur e shkruar më shumë se për të tjerët…Vërtetë ishte një poet i shquar, i veçantë, njeri që vuajti aq shumë nga varfëria dhe burgosja në socializëm.

Unë them që gjithë shoqëria jonë duhet emancipuar, duhet të ketë një kujdes më të madh, sidomos për shtyllat e kulturës sonë. Edhe për Fishtën do të thoja një nga figurat më të mëdha të letërsisë sonë, por po kaq një njeri edhe me shumë kontradikta. E keqja jonë qëndron se e mbajmë gjithnjë inatin, shumë gjatë. Fishta politikisht i takonte një krahu tjetër, por ato nuk kishin atë peshë që kishte vepra e tij. Kështu që duhej bërë dallimi dhe seleksionimi. Po kështu, Konica nga antizogist u bë ambasador i Zogut. Dihej që Zogu nuk pranohej atëhere. Kjo gjë iu mbajt mend gjatë. Por edhe Konica ka fyer deri shqiptarët, thjesht si popull: këta thoshte janë pa din e pa iman, të pabesë, sepse Konica ishte kritik që s’kritikonte vetëm burokratët, por edhe vetë popullin.

Nga kjo anë ne kemi disa të meta që i trashëgojmë nga patriarkalizmi ynë. Po morëm inat, e mbajmë shumë inatin. Fjala vjen, një poeti që ka qenë fashist, ia harrojmë këtë gjë dhe i kujtojnë vetëm vlerat, kurse mua që kam qenë komunist më kujtojnë vetëm komunizmin. Atëhere në këto gjëra duhet të gjejmë një gjuhë të përbashkët: vlerat t’ia kujtojmë si atij që ka qenë fashist, si atij që ka qenë komunist, pa paragjykuar gjithnjë vetëm këta të fundit, siç po ndodh.

Heshtin për komunistin intelektual dhe i thonë bravo të qoftë fashistit! E kemi të keqen të madhe, që anojmë nga fryn era: Kur qe e majta në pushtet – me të majtën, erdhi e djathta – vetëm me të djathtën!./ KultPlus.com

“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, përkthehet për herë të parë në Turqi

Një roman rreth rënies duke u ngritur dhe ngritjes duke rënë!

Dritëro Agolli në romanin e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ka trajtuar me një stil satirik, temën të cilën e njohim të gjithë ne, përmes absurditetet e burokracisë dhe rregullave të vështira të socializmit. Tema dhe gjuha e romanit është bërë në atë formë, sa kurrë nuk do ta humbasë orgjinalitetin e saj, por do të jetë gjithmonë universale!

HÜMEYRA ÇALIŞKAN

Me tiparin e të qenit një labirint misterioz, natyra e njerut pa marrë parasysh se në çfarë sistemi apo vendi ai jeton, premton një aventurë universale për ata që janë të prirur. Dhe dihet, çdo shkrimtar i madh e ndjek këtë aventurë. Sa është e mundur që ne mund të hasim një karakter të Dostojevskit në jetën tonë të përdishme aq është e mundur është që të jenë personazhet si ai i Kemal Tahirit (shkrimtari turk) ende rreth nesh. Pra qenia e lirë nga një segment kohor dhe nga një hapësirë gjeografike, e shpëton një shkrimtar nga tipari i nje qenieje të zakonshme. Poashtu shpëton një libër duke e klasifikuar universal dhe klasik. Dritëro Agolli, një nga dy shkrimtarët më të mëdhenj që Shqipëria i dha botës, është një shkrimtar që mund ta quajmë klasik. Një roman nga seria e Letërsisë Ballkanike i cili është botuar nga Shtëpia Botuese “Ketebe” Me titull: “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, përkthehet për herë të parë në turqisht.

Një roman që nuk do ta humbasë kurrë orgjinalitetin e tij

Ky roman, në një qytet siç është Tirana, në një kohë në të cilën “liria” kurrë nuk mund të përmendej, në vitin 1972 pasi qe botuar kapituj-kapituj në një revistë humoristike të asaj kohe u botua më vonë i plotë si roman. Dritëro Agolli në romanin e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ka trajtuar me një stil satirik temën të cilën e njohim të gjithë; Absurditetet e burokracisë dhe rregullat e ngurta të socializmit të asaj kohe. Tema dhe gjuha e librit është lëvruar në atë formë që kurrë nuk do ta humbasë orgjinalitetin e saj, por do të mbetet gjithmonë universale dhe e kuptueshme. Shoku Zylo, është Drejtori i Politikave dhe Çështjeve kulturore në një Drejtori në Tiranë. Demka, është sekretari dhe ndihmësi i shokut Zylo njëkohësisht është edhe krahu i djathtë i tij, i cili veprimet, mendimet dhe tiparet e shokut Zylo i tregon në mënyrë objektive. Romanin e lexojmë nga goja e Demkës. Ana më tërheqëse e romanit është rrëfimi i Demkës, i cili shokun Zylo e tregon në mënyre objektive.

Zylo-t janë në çdo kohë!

Historia e shokut Zylo, i cili na shfaqet si një personazh i lidhur përherë me pushtetin, i jashtzakonshëm, i fortë, ndonjëherë dinak dhe tek-tuk oportunist; sipas thënies së vetë Dritëro Agollit, romani lexohet nga lexuesi si një “përgjigje ndaj botës qesharake”. Zyloja është një karakter, i cili merr pjesë në burokracinë shtetërore dhe si autoritet. Për këtë personazh nuk mund të themi totalisht se, është i keq ose i mirë. Përveç kësaj Zyloja nuk del as si një njeri i tmerrshëm ose i pështirë para lexuesit. Talenti i shkrimtarit zbërthehet pikërisht këtu, sepse ai shokun Zylo ia prezanton lexuesit si viktimë. Ai është një viktimë e burokracisë, e cila ka qenë shkaku i shumë dëmeve dhe i ideologjive të pakuptimta. Në fakt Zylot janë në çdo vend dhe për ne kjo nuk është një gjë e re! Siç është shprehur edhe vetë gazetari Amerikan Christopher Hitchens; “Fillimi i çlirimit të njeriut është aftësia e tij për të qeshur dhe për t’u tallur me autoritetin!” Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, është një roman që është botuar në kushtet e vështira të periudhës së socializmit dhe nën hijen e autoritetit. Dritëro Agolli këtë roman e ka shkruar duke u bazuar në njerëz dhe personazhe të vërteta, dhe me një liri të kufizuar aq sa u ka lejuar regjimi i asaj kohe i Enver Hoxhës, shkrimtarëve. Ky roman percjell tek lexuesit atmosferën e kësaj periudhe të Shqipërisë.

Është jashtëzakonisht interesant që ky vend që ka jetuar diktaturën në një hapësirë të mbyllur dhe me një varfëri të skajshme, mund të prodhojë vepra kaq të vlefshme të cilat sjellin një zë universal. Kur shqyrtojmë shembujt e burokracisë në këtë roman, shohim se asnjë person dhe karakter nuk ofendohet dhe nuk fajësohet. Ky roman na ballafaqon, në esencë me dobësitë e botës sonë të brendshme. Alegorinë penale, e cila kërkon fajin e Kafkës, këtë herë ne e kërkojmë në një rreth të jetës së përditshme dhe me stilin e humorit. Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, edhe pse në shikim të parë duket sikur është një roman që ndjek rregullat strikte të realizmit socialist, i cili nuk lejonte lirinë dhe diskriminimin; në fakt është një vepër e shkruar me inteligjencë dhe mjeshtëri të madhe. Agolli ka bërë një vepër, e cila mund ta kritikojë sistemin me një humor të hollë dhe me një zgjuarsi të mprehtë. Romani i cili është përkthyer në shumë gjuhë të botës ka marrë vëmendje të konsiderushme në të gjitha vendet ku është botuar. Rrugëtimi i personazhit Zylo ka siguruar një ballafaqim për njerëzit e çdo kulture. Çdo lexues në këtë roman do ta gjejë një njeri të njohur nga jeta e tij, sepse do të përballet me vërtetën e qënies njerëzore. A nuk janë të gjitha romanet e mira të shkruara sikur na kanë edhe ne brenda vetes të tyre?!

Burimi: Gazeta Yeni Şafak

marrë nga: ina-online.net

S´ka asgjë për të qeshur

Poezi nga Dritëro Agolli.

S´i kam dashur kurrë gjërat e bujshme
Dhe shpesh jam menduar duhan duke pirë;
Ka gjëra lakuriqe që s’janë të turpshme,
Siç ka dhe gjëra të ç’ndershme të veshura mire.

Ja, e vërteta rri lakuriqe ngaherë,
Ja, dhe gënjeshtra me petka rri veshur!
Me thoni: cila ka turpin dhe cila ka nderë?
Kjo që ju thashë s´ka gjë
për të qeshur!

Dritëroi, shkrimtari dhe njeriu i paarritshëm

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi mori pjesë në festën e 87-vjetorit të ditëlindjes së shkrimtarit të shquar të letrave shqipe, Dritëro Agollit, që u zhvillua në Menkulas të Devollit.

Me ftesë të Bashkisë së Devollit dhe Shoqatës “Devolli”, në vendlindjen e Dritëroit, Menkulas, u organizua një festë e bukur në nderim të këtij patriarku të kulturës shqiptare, në 13 tetor, ditën e tij të lindjes. Në këtë aktivitet ishin edhe deputetët Spartak Braho, Edlira Bode, Ilir Xhakolli, Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane Haxhi Baba Edmond Brahimaj dhe personalitete të tjerë.

Festa filloi me këngët më të dashura të Dritëroit, ato që dëgjonte e këndonte me miqtë si dhe me këngë kushtuar poetit të madh nga artistët e zonës. Vajza e djem të zonës recituan poezi të Dritëroit dhe kërcyen valle tradicionale të Devollit.

Në përshëndetjen e tij, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, shprehu vlerësimet, ndjenjat dhe nderimin e thellë për veprën letrare, kontributin shoqëror e politik dhe përmasat e pakrahasueshme njerëzore të Dritëro Agollit, mikut, kolegut dhe shkrimtarit, kaq shumë të admiruar.

“Kam shkuar nëpër mend shumë vlerësime, por të gjitha më janë dukur të varfra para pasurisë së Dritëroit. Janë të vakëta, para furisë së pasionit dhe të cekëta para thellësisë së mendimit të tij. Tingëllojnë prozaike dhe rutinore, krahasuar me poetikën dhe talentin e tij. Dritëroi është ndër diamantet e letërsisë, kulturës dhe të botëve shqiptare të të gjitha kohrave. Dritëroi u bë shenjt i botës së letrave shqipe. Dritëroi është borizani që u priu socialistëve shqiptare drejt shndërrimit në një forcë politike e demokratike të majtë dhe i inspiroi atë të bëhen partia më progresiste e vendit. Dritëro Agolli është njeriu i madh që mbeti i drejtë, kur rrethohej nga padrejtësitë, i vërtetë përballë gënjeshtrës, i mirë përballë të keqes.”, u shpreh Ruçi.

Aktiviteti vazhdoi me mozaik urimesh në vargje, këngë e valle nga grupi i serenatave të Bilishtit dhe nxënës të shkollës “Dritëro Agolli”.

Elona Agolli, vajza e shkrimtarit te shquar, shprehu mirënjohjen për të gjithë dashamirësit dhe miqtë e Dritëroit dhe falënderoi organizatorët e kësaj feste të bukur./ata

Shqiptarë, urime datëlindja e Dritëro Agollit!

Sot një komb i tërë shqiptar e festojmë datëlindjen e Dritëro Agollit.

Nuk ka gjeneratë që nuk e ka lexuar poezinë e Agollit e nuk është mrekulluar prej saj. 12 tetori i vitit 1931 ishte dita kur erdhi në botë Agolli.

Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore.

Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë.

Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit.

Ndonëse vetë shkrimtari D.Agolli është shprehur se “me Arkën e djallit, do të ndryshoj përfytyrimin e letërsisë shqipe”, për një shumicë lexuesish kontributi më i rëndësishëm letrar i tij në prozë është “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973). / KultPlus.com

Ftohja

U ftoha nga shumë gjëra
Disa i harrova e disa i lashë
Disa i humba si një unazë
Në çezme a govatë

Vërtetë e humba të ritë
Por zemër marr kur ende i dua gratë
Sikur të ftohem prej tyre një ditë
Thoni për mua: ndjesë pastë!…

“Mos ma kujto”, një ndër poezitë më të bukura të Dritëro Agollit

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

E shkuara ka çaste dhe orë të hidhura, mos ma kujto
për shembull, më pe me duar të lidhura, mos ma kujto!

Për shembull, më pe në rruge të pire, mos ma kujto,
Të pirë e të humbur, të sharë e të grirë, mos ma kujto!

Për shembull, më rrahën dy-tre vagabondë, mos ma kujto,
Tek shihja një grerëz tek rrinte mbi gonxhe, mos ma kujto!

Për shembull, pësova diku një disfate, mos ma kujto,
Dhe gjumi s’më zinte me ditë e me natë, mos ma kujto!

Për shembull, më pe duke ecur e qarë, mos ma kujto,
Mbështetur pas murit me zemër të vrarë, mos ma kujto!

Për shembull, me pe duke ngrënë e genjyer, mos ma kujto,
Të prishur, të shturur, të rënë e të thyer, mos ma kujto!

Për shembull, në shtrat s’u bëra për burrë, mos ma kujto,
I turpshëm i drodha si qengj nën lëkurë, mos ma kujto!

E shkuara ka orë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto,
Ka drojtje dhe heshtje kur lipsen të thirrura, mos ma kujto!

Dritëro Agolli për Naim Frashërin: Ty pluhurin e shenjtë askush s’ta shkelë

Poezia “Pluhuri yt” nga Dritëro Agolli.

Baltë e pluhur të bëhem,
Të më shkel këmbë e saj. –Naim Frashëri

Ty pluhurin e shenjtë askush s’ta shkelë,
As këmbë e saj, as këmbë e Shqipërisë
E kush e shkel, kur dhe një kokërr meli
Ky pluhur e bleron mes gjithësisë?/ KultPlus.com

Sadije Agolli për qëndrimin në Paris me Dritëron: Jemi si të hutuar nga kultura e lartë

Elona Agolli

Jo rrallë , këto muaj që lexoj e lexoj shënime , letra , përshtypje , poezi e dorëshkrime të babit , kam ndjerë fort të më rrahë zemra e po aq herë të lotoj . Sot , datën e lindjes së mamit , Sadijes , hapa atë të voglin bllok me kapak plastik blu , i vogël sa lehtësisht mbahet në xhep , me shënime të llojllojshme , numra telefonash miqsh të huaj por edhe përshtypje udhëtimesh . Niste me shënime të babit e pas një ndërprerjeje disafaqëshe niste ditari disaditor i Sadijes.

8.6.1990 Paris . Udhëtimi që përkon me botimin e Zylos në Francë .
“ Kemi katër ditë në hotelin Monparnas- shkruan ajo . Hotel me 3 yje , nata 120 dollarë. Dhoma është e vogël , me minibar që nuk guxojmë ta hapim . Shoqëruesja Ana Renard na tha që bëjnë shumë shtrenjtë. Çdo gjë është e shtrenjtë. Një fustan me lule bën 110 dollarë. Rrobat e mia janë si të një fshatareje. Dhomën e kemi nga rruga me shumë zhurmë. Deri tani kemi takuar drejtoreshën e drejtorisë së kulturës në Ministrinë e jashtme , zonjën Gaudini që na dha programin. Kemi parë muzeun Zhorzh Pompidu, një mrekulli . Shëtitëm mbi tre orë atje, pamë me qindra të rinj në bibliotekë ku lexonin , ku mësonin gjuhë të huaj , ku dëgjonin muzikë e vështronin piktura të artit modern. Në një qoshe ishte kafeneja, ku rrinin gazetarët , të rinj , ndërsa në një shesh ishin të rinj muzikantë , piktorë, që nxirrnin ndonjë lekë. Pamë edhe një ekspozitë pikture të aplikuar nga një piktor austriak , Andre Korabi .
Dje morëm pesë kopjet e Zylos . Hëngrëm një drekë me Gytin * (përkthyesi i romanit )në një restorant në periferi . Gyti prishi rreth 400 dollarë , vetëm me dy shishe verë.

Sot ishim rreth 3 orë në Louvër . Pamë një pavion skulpture dhe pavionet e pikturës franceze . Drejtori i muzeut ishte shumë xhentil dhe na shoqëroi gjithë kohës. Gjithë këto ditë kam qenë e hutuar, depresive , me dhimbje . Është një botë e pakonceptueshme për ne. Në muze kishte që nga nxënësit e vegjël të shkollave që bënin me mësueset orë mësimi deri tek të moshuarit nga gjithë anët e botës. Më erdhi keq që nuk kisha marrë aparatin . Drekën e hëngrëm në një restorant , Baltimore, shumë luksoz me një kryetar komiteti të kulturës, i ri , shumë i kulturuar dhe me shumë protokoll. Ishin të ftuar Mabëno , drejtor drejtorie i botimeve , Giju, shef i redaksisë në Gallimard, Gyti dhe Ana . Giju foli shumë mirë për librin . Dritëroi nuk është çkontraktuar .
Njeriu më i çuditshëm dje në ora 4.30 ishte Zhan Didnjë. Njeri ekstremist , në një zyrë me tavolinë trekëndëshe të vënë në mes të dhomës, me libra për tokë , pa dollap , me ca poltronë të vënë pa rregull. Njeri i shpërndarë , hynte e dilte , me shprehjen “ekskyze mua”. Ju drejtua Dritëroit : Çfarë kërkoni konkretisht nga unë? Qëndruam një çerek ore dhe na përcolli deri tek dera . Ky ishte drejtori i piktorëve të Francës. Dolëm përjashta dhe qeshëm të tre me të madhe . Në Turqi ishim shumë të gëzuar , ndërsa në Paris jemi si të hutuar nga kultura e lartë. Dritëroi lexon Zylon në frëngjisht , ndërsa unë shoh filma pambarim në 6 kanalet franceze . Do të shkojmë të shohim një balet modern dhe një shfaqje teatri në Komedinë franceze .
Ditët janë të ftohta , me shi dhe me erë, si në vjeshtë. Më shumë është moda e pantallonave të zeza, e minifundeve dhe e fustaneve me lule , të mëndafshta. Shumë makina, rruga tundet nga ato . Në kafene nuk mund të ulesh po nuk harxhove. Francezët nuk të qerasin . Në asnjë zyrë nuk nxorën kafe . Takimet i masin me minuta . Njeriu mund të mësojë për kursim ore kudo , në hotel, në Ministri , në rrugë , në kafene.

11.6.1990
Kaluam shumë mirë. Vizita në Versajë një mrekulli . Në këto kohë një nga drekat më të bukura është me Anë Barlukë, në një restorant ku kanë ngrenë Pikaso , Heminguej, Verlen e artistë të tjerë. Është një grua shumë romantike . Më tha çfarë të të ble për fëmijët.
Një kostum blu xhinsi për Lonën 40 dollarë, pastaj bleva gjëra të vogla. Për vete vetëm një teiko blu me të bardhë dhe një bluzë.
Shëtitëm me Anën në Pallatin Royal , tek Monumenti i Molierit , tek qendra Defense , me pallate moderne dhe shatërvanë, me skulptura moderne . Ishim ne Monmartrë ku pikturonin piktorēt. Pamë Pyllin e Bolonjës, ku qëndronin prostitutat . Nesër jemi në baletin modern.

13.6.1990
Sot dhe nesër janë ditët më të ngarkuara me gazetarë dhe fotografë të Gallimardit. Dreka është me Antuan Galimardin. Jam ulur në një poltron të studios së Galimardit . Dritëroi me Anën hynë në studio për foto . Sot kam emocione si asnjëherë. Bëhen foto të mëdha. Dritëroi është pak i kontraktuar megjithëse përpiqet të jetë i qetë. Ishim në shtëpinë e Hygoit. Bëmë ca fotografi . Mendoj në këto çaste për Elonën që po të ishte në Francë do të ishte njëlloj si unë. Hyjnë e dalin njerëz . Unë i kam mendimet shumë të shpërndara. Dritëroi i shkretë që do t’u përgjigjet gjithë këtyre gazetarëve, që i kanë vënë në plan . Janë ditët më të sikletshme .
Shoh fotografitë e mëdha të disa shkrimtarëve të botuar . Po të ketë sukses dhe fotografia e tij do të vihet krahas të tjerëve . Alen Boskeja foli shumë mirë Është nga librat më të mirë që kam lexuar – tha ai .”

Këto janë disa shënime të Sadijes, shënime që dëshmojnë shumëçka e dëftojnë të thëna e të pathëna për kohën , për raportet me të panjohurën botë të Perëndimit , për marrëdhëniet mes njerëzish me stil jetese e mënyrë të menduari kryekëput të ndryshëm nga ai i prindërve tanë. E megjithatë , fisnikë e plot vlera./ KultPlus.com

Agolli në vitin 2000: Ne kemi krizë burrash shteti

Një intervistë e Dritëro Agollit e shkruar për “Zërin e Kosovës” në 22 dhjetor të vitit 2000, ku ai shpreh dëshirën dhe besimin se Kosova do të arrijë lirinë e plotë.

Në këto rreshta, botuar në Facebook nga e bija Elona Agolli, shkrimtari flet gjithashtu për krizën e kombit tonë për udhëheqës. “Krizë burrash shteti”. Ai shprehet gjithashtu se e ardhmja e kombit përveçse njerëzve të ditur ka nevojë edhe për njerëz kurajozë, për të përballuar rreziqet.

Shqipëria dhe shqiptarët po kalojnë nëpër një periudhë të gjatë tranzicioni, lodhëse dhe rraskapitëse. Në periudha të tilla të mbushura plot ankth dalin sipër shoqërisë shumë lapanjozë dhe batakçinj që drejtojnë makinerinë kolosale të prodhimit të gjerë të degjenerimit, të krimit, të prostitucionit, të korrupsionit dhe të injorancës. Të gjitha këto ngjallin frikë dhe pesimizëm. Megjithatë jeta e individit, kolektivit dhe kombit është krijim, e mbushur me gjëra të reja paçka se kalon përmes rrezikut dhe ankthit. Individi apo kombi, që kërkon të ndërtojë diçka të re, duhet të dijë t’i përballojë këto rreziqe, ankthe dhe pesimizma. Dhe këto, siç thotë një sociolog, nuk përballohen vetëm me diturinë dhe inteligjencën, po edhe me kurajën. Dituria dhe inteligjenca, kur bashkohen me kurajën bëhen të pathyeshme në luftën e asaj të reje që duam të ndërtojmë. Dhe shqiptarët mendoj se i kanë këto tri dhunti, që i duhen realizimit të projektit të së resë. Puna është të gjenden ata arkitektë dhe kryearkitektë, që t’i organizojnë këto tri dhunti: diturinë, inteligjencën dhe kurajën, në një fjalë, të dalin udhëheqës shteti jo vetëm të ditur, të zotët dhe kurajozë po edhe organizatorë, largpamës dhe atdhetarë idealistë. Ta themi me guxim të vërtetën: ne kemi krizë udhëheqësish, krizë burrash shteti, krizë arkitektësh qeverish mendjendritur si rilindasit për një Rilindje të Re. Nëse vijnë të gjitha këto që thashë, edhe kultura, gjuha dhe tërë pasuria shpirtërore do të marrin një shkëlqim të ri dhe do të lindë qytetërimi i vërtetë për mbarë shqiptarët. Unë i lutem Natës që ndërron shekujt që, duke ikur, të ftojë ditët dhe vitet e qytetërimit tërësor të Shqipërisë, që Drini, ky lumë i bekuar të kalojë vërtetë “mespërmes Shqipërisë” dhe të sjellë vetëm ujë të kristaltë pa asnjë pikë gjaku. Dua të le edhe emër të mirë, të ruaj miqtë dhe shokët. Jam krejtësisht i bindur se shekulli pa u bërë burrë dhe pa u plakur, domethënë, që në moshë fare të re do ta shohë Kosovën me lirinë e plotë të saj. Madje unë vesoj se ky shekull që fëmijë do të luajë valle me lirinë e Kosovës. Shekulli i ri do t’i thotë të atit që shkoi: -Or atë, e pashë lirinë e plotë të Kosovës; e pashë atë që ti pe përgjysmë!

Dituria dhe inteligjenca, kur bashkohen me kurajën bëhen të pathyeshme në luftën e asaj të reje që duam të ndërtojmë.

Agolli në vitin 2000: Seleksionimi i veprave të totalitarizmit, një tjetër skematizëm

Në një intervistë të vitit 2000, shkrimtari Dritëro Agolli flet për letërsinë në kohën e diktaturës komuniste. Në këtë artikull, Agolli thekson se gjykatësi më i mirë për letërsinë e tij të krijuar në atë periudhë mund të jetë vetëm koha.

Me gjithë kushtet e vështira që krijoi totalitarizmi u zhvillua një letërsi shumë e madhe, një letërsi e fuqishme që nuk ishte krijuar më parë. Së pari u plotësuan të gjitha ciklet e gjinive. Dikur para 60 vjetësh në kohën e monarkisë romani s’ishte zhvilluar fare. Në këto vite u krijua romani ynë si romani evropian dhe dëshmi për këtë është botimi i letërsisë shqipe jashtë shtetit. Përshembull, ¾ e veprës së Kadaresë filloi të botohej jashtë, po kështu edhe veprat e mia apo të të tjerëve. E pra kjo krijimtari e kësaj periudhe u bë pronë e të tjerëve, por edhe sikur kjo të mos ndodhte kjo letërsi nuk mund të mohohet. Ka pasur skarcitete, ka pasur vepra skematike, por këto vepra edhe sikur të mos vinte demokracia ishin gati të harruara sepse nuk i lexonte njeri. Koha për mua është gjykatësi më i mirë, askush tjetër s’ka të drejtë të gjykojë. Përshembull po të ngrihet një kritik të bëjë seleksionimin e veprave të kësaj periudhe, natyrisht unë do t’i them “kush je ti?”, biles për mua kritikët shqiptarë janë fajtorët më të mëdhenj që është orientuar një letërsi e tillë, ndaj me të drejtë them që koha është seleksionuesi më i madh dhe me kalimin e kohës ju e keni parë se si gjërat humbasin apo fitojnë vlerën e vërtetë të tyre. Dua të them edhe diçka tjetër, të rrish me laps në dorë për të seleksionuar do të thotë të kalosh në një skematizëm tjetër, pra të përsërisësh kohën e Realizmit Socialist kur seleksionoheshin veprat e të tjerëve që nuk publikoheshin. Nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë, pra që të mos lejohet publikimi i veprave të filanit sepse ka qenë komunist, ne s’bëjmë gjë tjetër, veçse përsërisim atë kohë. Letërsia është pasqyrë e jetës e epokave dhe nuk pyet se çfarë pikëpamjesh ka shkrimtari. Kështu përshembull, Balzaku ishte ruajalist, por kjo s’do të thotë që ai të mos përshkruante revolucionin borgjez. Pastaj ne ngatërrojmë metodën e realizmit socialist me letërsinë socialiste që është krijuar. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Të gjitha ato vepra që janë shkruar sipas metodës së Realizmit Socialist nuk bëjnë si në atë kohë ashtu edhe sot.

Koha për mua është gjykatësi më i mirë, askush tjetër s’ka të drejtë të gjykojë./ KultPlus.com

Si e përjetoi Dritëro Agolli sëmundjen e Xhevahir Spahiut?

Në kohën kur poeti Xhevahir Spahiu kaloi një sëmundje jo të lehtë , Dritëroi , me optimizmin që e shquante në çdo situatë sado të vështirë, i shkruante mikut të tij, Xhevos, plot humor:

D: – Si je, o Xhevo? Xhevua qesh.

D: – Jam Dritëroi. Mos u mërzit. Do të të hapet në mendje një vidhë që do ta shpjesh poezinë në një shkallë më të lartë; do të bësh një poezi të çuditshme. Përsëri Xhevua qesh.

D: – Edhe unë u sëmura dhe u shtrova në spital për 11 ditë. Unë e humba jo vetëm mendjen, po edhe këmbët, por m’u hap një vidhë në tru: vidha e të shkruarit aforizma, dmth fjalë të urta. Xhevua qesh dhe thotë: -Ashtu.

D: – Nuk dua të të shqetësoj. Së shpejti do të vij të të vizitoj me helikopter, se këmbët mezi më punojnë.

Letrat me këto shënime janë bërë publike nga e bija Elona Agolli. / KultPlus.com

Dorëshkrimet e papublikuara të Dritëro Agollit, diktatura në fshat

Viteve ’90 po u vinte fundi dhe një tjetër fund ndihej në ajër. Diktatura, si një kafshë e plagosur, shkaktonte viktimat e fundit… Por, kishte jetuar gjatë dhe pasojat dhe varret që kishte hapur ishin të thella, ndoshta të pashërueshme.

Varfëria e njerëzve nuk mund të mbulohej dot më. Po aq e dhimbshme ishte edhe varfëria shpirtërore. Ndalimi i besimit fetar qysh në vitin 1967, u kishte mohuar shqiptarëve të kishin shpresë, të besonin përtej së prekshmes.

Ndonëse Dritëro Agolli besonte te letërsia, dukej se e vuante mungesën e besimit në Zot. Kështu shkruan ai në shënimet e mbajtura mes viteve 1988-1990. “Unë jam pa perëndi. E kam gjoksin e zbrazur”. Asokohe e kishte të ndaluar ta thoshte hapur këtë, ndaj e mbajti ndryrë në shënimet e tij, të publikuara nga e bija, Elona.

Ai e kishte vështrimin e mprehtë. Gazetaria ishte profesioni i tij, por syri i gazetarit e ndihmonte edhe në shkrimtari, në ndërtimin e ngjarjeve, vizatimin e karaktereve… Ishin detajet ato që e bënin diferencën. Dhe, prej këtij vrojtimi dhe ndjeshmërie, veprat e Dritëro Agollit janë aq të pasura, me ngjyra të gjalla, si të shikoje vetë jetën.

Dritëro Agolli pati mundësi të botonte shumë në gjallje dhe ta thoshte të vetën nëpër biseda e faqe të shtypit, por duket se s’kanë të sosur shënimet e Dritëroit. E bija, Elona, teksa vazhdon të rrënojë nëpër shënimet e të atit, herë pas here ndesh nëpër blloqe e fletore, gjëra të atilla dhe nuk i reziston dot tundimit që t’i ndajë me të tjerët. Thuajse çdo ditë ajo boton poezi e faksimile të shënimeve të Dritëroit, aq sa duket sikur ai është i pranishëm më shumë se kurrë.

Dje ajo ka publikuar disa copëza shkrimesh, që datojnë përpara rënies së komunizmit. Ndonëse ishte i majtë në bindje, madje për shumë vite kishte drejtuar Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, një organ me shumë autoritet përpara viteve ’90, ai nuk e kishte të vështirë të shquante problematikat. Ato i haste kudo ku shkonte me bllokun e gazetarit dhe mbante shënime nga ato që shihte apo ia tregonin. Elona i ka quajtur “thagma të komunizmit”, sepse të atilla ishin në atë kohë dhe vazhdojnë të mbeten. Madje, sot, marrin edhe më tepër një karakter qesharak dhe të pabesueshëm.

“Thagmat e komunizmit në shënimet e Dritëroit. Blloku shënjon në faqen e parë ‘Shënime, 1988- 1990’. I ruajtur së bashku me blloqe të tjera të vogla: shënimet e gazetarit, shënime udhëtimesh, ngjarje për tregime, aforizma e thënie (syresh mjaft të guximshme për t’u shkruar e ruajtur) shënime me kuriozitete nga shtypi ndërkombëtar apo lajmet e ATSH etj.”, shkruan Elona Agolli.

Përmes këtyre shënimeve shprehet shqetësimi i Dritëroit për gjithfarëlloj temash, që kishin të bënin me jetën në fshat, me kulturën, vëzhgime që lidheshin me përditshmërinë e shqiptarëve, me mungesën e kulturës shëndetësore… “Në vendin tonë shpenzohen një milion e gjysmë tubeta dhëmbësh në vit. D.m.th, gjysmë tubete në vit për frymë. Aq pak sa s’bëhet!”, shkruan në fletoret e tij Dritëroi.

Si një devolli, bir fshatari, që nuk e mohoi asnjëherë lidhjen me vendlindjen dhe me tokën, Dritëro Agolli duket se ishte i shqetësuar për atë që ndodhte në fshat. Edhe për atë ishte e pakuptueshme se si fshatarit t’i hiqej e drejta mbi tokën, të prodhonte, të mbillte e të korrte, të rriste shpezë në oborr.

Këtë dëshmojnë edhe shënimet në fletoret e tij, të shkruara mes humorit dhe keqardhjes. Ndërsa e vlerësonte shumë punën që pa gdhirë, mirënjohje që e shpreh përmes këtë aforizëm: “Zgjohet dielli mbi pikën e parë të djersës”, shkruante ai.

Ishte ndaluar të mbaje në fshat pula e gjela deti. Njëri e mbante fshehurazi. E mori vesh kryetari i këshillit dhe shkuan me dy-tre veta për t’ia hequr.

– Është klloçkë. Është mbi vezë! – tha i zoti i shtëpisë.

– There! S’duhet ta mbash.

Donte, s’donte, e theri në sy të tyre dhe e hodhi, pasi klloçka nuk hahet. /KultPlus.com

Ndarja

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Trupi m’u nda nga shpirti pak e nga pak.
Tani të dy jetojmë me vete me ditë e me net,
Trupi djersitet, ecën në rrugë, ha në tryezë e prehet në shtrat,
Shpirti me ëndrrat, mendimet e dhimbjet flet…

Asgjë s’kuptoj qysh ndodhi me mua, qysh!
Kjo ndarja ime e trishtuar më tremb.
Kjo ndarja ime në dysh
Në palcë më dhemb.

Një bisedë e panjohur me Dritëro Agollin për Kosovën, Çamërinë, politikën dhe letërsinë

Nga Mihal Gjergji*

Takohem me Agollin, si gjithmonë, përzemërsisht. Ai s’mbetet kurrë pa vizitorë. Ata janë pothuajse të përditshëm dhe ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri: politikanë, deputetë, artistë, shkrimtarë, poetë, diplomatë, gazetarë, etj. Mirëpo, të mirëpriturit e veçantë të shkrimtarit të madh, janë edhe njerëzit e thjeshtë, ata që mbajnë në shpinë barrën e halleve.

Ai ta lexon menjëherë mendimin që të tundon, mirësinë apo ligësinë që mban brenda shpirtit, të shikon në dritë të syrit, dhe sipas kokës të pret edhe “festen”. Mosha s’e pengon për të qënë vëzhgues i kujdesshëm, për të sunduar tavolinën e bashkëbisedimit, për të gjetur e peshuar mirë fjalët, për të bërë pak humor, i cili është mishëruar brenda natyrës së tij. Një sjellje çuditërisht e ngjashme me atë të Lasgush Poradecit. Poetët e mëdhenj, mbase kanë shumë gjëra të përbashkëta. Po të ndjekësh me vëmendje gjestet, fjalët, tonin e zërit, lëvizjet, bindesh që Agolli vazhdon të vigjilojë në karakollin e kohës, duke përballuar të papriturat e saj, ndërsa brenda qenies së tij, është i gjallë mendimi që ka shprehur në vargjet e veta:

“Ndodh të kem pak gjumë e të gremisem /Mbi një shkëmb si cub e si kaçak /Por si presh i zier nuk zvarrisem /Vdes diku si një Shahin Matrak“. Mbasi kemi kthyer gotat e para, që shoqërojnë kafen e mirëseardhjes, i flet Sadies t’i mbush përsëri. Atëherë , ti e kupton që je në udhë të mbarë dhe ndjek fillin e bisedës. Për moshën s’duhet të qahemi-e thyen heshtjen Agolli-duke ndezur cigaren. Në pleqëri, njeriu asnjëherë s’mund të kënaqet, por kjo s’do të thotë që të humbasim durimin. Vjen kjo e shkretë pa të pyetur, por duke të paralajmëruar pak e nga pak. Natyrshëm, biseda fillon me hallet njerëzore, pastaj kalojmë te letërsia, objekt i së cilës është edhe kjo intervistë, mirëpo, atë që s’donim ta trajtonim, zhvillimet politike, jo vetëm që bën vend si e paftuar në tryezën tonë, por zë edhe “qoshenë”. Sa më shumë t’i shmangesh politikës, ajo e gjen një mënyrë për të qëndruar përballë e për t’u futur në ritmet e ditës.

Agolli, si e mendoni të nesërmen e Kosovës? Unifikimi i ritmeve të zhvillimit mes dy vendeve të banuara nga i njëjti popull, por të ndarë nga një kufi politik, çfarë ndryshimesh mund të sjellë?

Faza në të cilën ndodhet Kosova, është e parafundit. Them e parafundit, sepse në mënyrë të natyrshme do të vijë edhe bashkimi i saj me Shqipërinë, që do të shënojë edhe fazën përfundimtare. Pjesa më e përparuar do ndihmojë tjetrën dhe në një kohë të shkurtër, do bëhet edhe unifikimi i ritmeve të zhvillimit. Kur të ndodhë bashkimi, Shqipëria do jetë një faktor akoma më i rëndësishëm stabiliteti në Ballkan.

Po për Çamërinë, çfarë mendoni. A duhet të shpresojnë çamët për trojet e tyre?

Ka një ndryshim rrënjësor mes Kosovës dhe Çamërisë. Atë që serbi s’mundi ta realizonte dot në Kosovë, fatkeqësisht e realizoi greku në Çamëri. Kosova është e banuar nga shqiptarët, ndërsa Çamëria është zbrazur prej tyre, me mënyrat që tashmë dihen nga të gjithë. Në këto kushte, është koha ajo që do bëjë edhe zgjidhjen e duhur, në përputhje me zhvillimet rajonale.

Meqenëse e filluam me Kosovën, cili është gjykimi juaj për krijimtarinë e Rexhep Qoses dhe vendin që zë ajo në letërsinë shqipe?

Rexhep Qosja meriton një nderim e vlerësim të veçantë, së pari si njeri dhe mandej si krijues. Ai është një atdhetar i madh që vazhdon ende të kontribuojë për popullin të cilit i përket. E veçanta është se ai shikon edhe përtej Kosovës, te shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të zi, të Shqipërisë, edhe përtej kufirit jugor, në Çamëri, pra, është në mbrojtje të interesave kombëtare. Ai ka guxuar të mbrojë interesat e Kosovës në një kohë të vështirë, ka ndihmuar e mbështetur inteligjencën e saj. Si krijues, Rexhep Qosja është një mal i lartë në letërsinë shqiptare. Ai ka një gjykim të kthjellët, një vëzhgim të mprehtë dhe një mendim vizionar. Kontributet e tij në letërsinë shqipe janë të veçanta. Analizat e tij, kritikat, esetë apo krijimet që na ka dhënë, janë të një niveli shumë të lartë. Doja të theksoja gjithashtu, analizën e veçantë që, ky studiues i ka bërë krijimtarisë së poetit tonë kombëtar, Naim Frashërit. E ka realizuar me shumë pasion, dashuri dhe profesionalizëm. Njohja e mirë e krijimtarisë popullore dhe mandej e poezisë së kultivuar, njohja e letërsisë ballkanike dhe asaj evropiane, mënyra e krahasimit dhe analizat e bëra, tregojnë formimin e shëndoshë kulturor të këtij akademiku të shquar.

Cilën do veçonit nga veprat e Qoses?

Ato qëndrojnë denjësisht krahë njëra-tjetrës, por do të veçoja “Popull i ndaluar”. Brenda kësaj vepre, është Kosova, me djepet dhe varret e saj, ndihet frymëmarrja njërëzore, dhimbja e saj për plagët që kullojnë gjak, vikama e fëmijëve të mbetur pa prindër, psherëtimat e nënave të mbetura pa fëmijë, zëri i një populli që duan ta lënë pa të ardhme. Brenda saj, pasqyrohet përballja e madhe e popullit të Kosovës me dhunën dhe represionin serb, qëndrimi i përfaqësuesve të politikës së atjeshme shqiptare dhe inteligjencës qytetare, mënçuria dhe guximi i vetë autorit të librit, etj.

A duhet kritikuar Rexhep Qosja?

Edhe Homeri fle, është një shprehje e popullit.

Që do të thotë?…

…Që do të thotë se edhe ai mund të gabojë. Por, kritika dashakeqe, nisur nga interesa të ngushta egoizmi, smire apo paternalizmi, kurrsesi s’duhen bërë, jo vetëm ndaj tij, por ndaj çdo personaliteti të atij niveli. Për shembull, unë s’do ta mbështetja mendimin e shprehur nga Qosja, se letërsia shqipe s’ka vlera europiane, por kjo s’do të thotë që unë të filloj nga sharjet. Besoj se e ka thënë në një moment zemërimi, edhe ai është prej mishi e gjaku, si gjithë të tjerët, prandaj duhet mirëkuptuar. Ballkani është një provincë krahasuar me botën e madhe, aq më keq popuj të veçantë brenda gadishullit, por ka krijuar vlera të mëdha. Greqia p.sh, mes personaliteteve të shquara, që i ka të shumtë, ka nxjerrë edhe pesë nobelistë: Elitis, Seferis, Kazanzaqis (kandidat) etj.

Po nga Shqipëria, kë do veçonit?

Shqipëria ka nxjerrë personalitete të tjera të shquara si : Naimi, Fishta (i propozuar për Çmimin Nobel) Mjeda, Migjeni, Fan Noli etj. La Martíni do të thoshte për De Radën e madh se: vjen andej nga lindi poezia. Ne duhet të krenohemi me gjuhëtarët e pakrahasueshëm : Kostallari, Konda, Çabej etj, historianët që i kanë zili vendet evropiane, si Buda, Zamputi, Xoxi, Frashëri, Xhufi etj, studiuesit e talentuar, kritikët dhe përkthyesit shumë cilësor, etj. Unë i çmoj Esat Mekulin, Azem Shkrelin, Ali Podrimën, Agim Vincën, Ali Aliun, e të tjerë krijues të nivelit të tyre, sigurisht, për aq kontribut sa kanë dhënë. Duhen vlerësuar veprat e Ismail Kadaresë, përkthyer në shumë gjuhë dhe të njohura jo vetëm në Evropë, Fatos Kongoli për romanet e tij të fundit, Moikom Zeqo për krijimtarinë e bollshme e të arrirë, mendimin e fuqishëm poetik të Lasgush Poradecit, Fatos Arapit e Xhevahir Spahiut, lirikët e mrekullueshëm e të mirënjohur: Agim Shehu, Koçí Petriti, Jorgo Bllaci, Arben Duka etj, E megjithatë, Rexhep Qosja, duke mbrojtur çështjen kombëtare, ka mbrojtur edhe interesat e krijuesve shqiptarë, që kontribuojnë me veprat e tyre, edhe pse jo të gjithë kanë mundësi ekonomike për t’i promovuar ato në gjuhë të tjera. Kjo s’mund të bëhet veçse me ndihmën e shtetit, të institucioneve të veçanta të tij. Ndoshta, në një të ardhme mund të realizohet një gjë e tillë, për veprat më të arrira të autorëve tanë.

Ku do ta kërkonit analizën e thellë dhe forcën e arsyes: në mendimet kritike të Nolit apo Konicës?

Ka shumë gjëra që i ndajnë Nolin dhe Konicën, megjithëse i ka bashkuar çështja shqiptare. I pari është një njeri me formim të shëndoshë kulturor, i brumosur me një qytetari të spikatur. Si shqiptar, e ka provuar përkushtimin e tij shpirtëror e moral, ndaj interesave të këtij vendi. Ky burrë i madh, meriton të quhet tribun i përparimit. Si krijues, Noli është i pakrahasueshëm, si poet dhe si prozator. Këtë e kanë deklaruar edhe personalitete të kulturës botërore, bashkëkohës të tij. Si përkthyes, kryesisht i greqishtes së vjetër, anglishtes, persishtes etj, Noli ishte etalon i përsosmërisë. Në sajë të mjeshtërisë së tij, lexuesi shqiptar është njohur me Ibanjezin, Serevantesin, Khajamin, Shekspirin, Llongfelloun etj. Ai themeloi kishën autoqefale shqiptare, duke u bërë kështu, misionar shpirtëror në çështjen e bashkimit kombëtar. Ndërsa për Konicën, nuk di që të ketë filluar një punë dhe ta ketë shpurë deri në fund. Megjithëse me një formim të plotë, të zgjedhur dhe të pandërprerë, beu i ri i Konicës, s’mundi të zhvishej dot nga fodullëku i oxhakut të cilit i përkiste. Brilant me prozën e tij të shkurtër, mirëpo shumë i kursyer. Kishte një informacion të shumtë për Shqipërinë dhe shqiptarët, falë gjuhëve të shumta që zotëronte, përsëri s’i hodhi në letër. S’e përfundoi librin e tij “Shqipëria-kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, parathënien e së cilës e ka shkruar Fan Noli. Kishte ide interesante dhe mjaft të përparuara për gjuhën shqipe, për të gjetur një zgjedhje të vlerave më të mira mes toskërishtes dhe gegërishtes, e prapë s’e vazhdoi më tutje. Kishte meritën e botimit të revistave “Albania” dhe “Drita” që propagandonin idetë për pavarësinë e Shqipërisë, meritën e zbulimit të flamurit të Skënderbeut etj, mirëpo ishte një njeri plot kontradikta. Mbështet Esat Toptanin dhe s’përkrah Ismail Qemalin, lufton për pavarësinë e Shqipërisë dhe shpreson te mbështetja e Italisë, edhe pse e di që është pushtuese, shan vëllezërit Frashëri dhe pastaj kthehet t’i lavdërojë. Ja, ky është Konica. Mungesa e familjes, ka krijuar tek ai një zbrazëti e klimë të ftohtë, e cila mund të ketë ndikuar pastaj edhe në polemikat e tij të ndryshme.

Gjuha e ashpër e politikës ka zbritur deri tek njerëzit e thjeshtë. A do arrijë inteligjenca shqiptare të bëhet imponuese dhe të frenojë arbitraritetin e saj?

Edhe polítika është inteligjencë, madje më e kualifikuar. Teoria e dijetarëve të lashtë grekë, si Platóni etj, se: duhet të udhëheqin filozofët, e ka humbur vërtetësinë, d.m.th, ka rënë poshtë. Shkencëtarët dhe filozofët kanë shumë hamendje dhe ngrejnë dyshime pa fund, për çdo hap të hedhur, që do të thotë se mbeten në vend. Prandaj, është detyrë e politikanëve të reformojnë vendin dhe të reformohen në përputhje me kushtet dhe situatat e krijuara, d.m.th, vazhdimisht të ndryshojnë diçka brenda vetes. De Goli, pas dorëheqjes u ringrit përsëri në pushtet, mirëpo meqënse drejtoi si në kohën e luftës dhe s’mundi të ndryshonte, dështoi, Çurçilli po kështu, etj. Raste të tilla ka pa fund. Komunizmi në Shqipëri dështoi, sepse krizat e krijuara s’mund të zgjidheshin me të njëjtat mënyra dhe prona kolektive s’mundi të plotësonte nevojat e konsumit. Drejtuesit e asaj kohe s’pranonin ndryshimin brënda vetes dhe në platformat e tyre, u detyruan kështu të dështojnë. Sikur betejat luftarake t’i drejtonin politikanët dhe jo strategët, bota do vazhdonte ende të mbytej nga gjaku. Shkencëtari duhet të punojë në laboratorin e tij, akademiku në studio, kirurgu në sallën e operacionit, ushtaraku në krye të formacioneve luftarake, ndërsa shtetin duhet ta drejtojnë politikanët e shkolluar për artin e drejtimit. Inteligjenca shqiptare që është jashtë lojës politike, s’mund të ndikojë fare në uljen e tensioneve për të cilat po flasim.

Në këto kushte, ç’farë sugjeroni?

Vetëm pjesa e emancipuar e inteligjencës, pjesëmarrëse në politikë, deputetë, ministra, etj, që janë të lidhur shpirtërisht me fatet e këtij vendi, pra që janë atdhetarë, vetëm ata kanë mundësi të ndihmojnë në uljen e tensioneve dhe zbutjen e klimës politike, ndryshe, ata që s’pranojnë ndryshimin në përputhje me kushtet që krijohen, janë të destinuar të humbasin vetë, por edhe fatet e popullit të tyre. Në këto kushte, inteligjenca e pushtetshme dhe e përgjegjshme, duhet t’i kujtojë politikës se: i përjetshëm është vetëm populli, prandaj, interesat e tij duhet të dalin në plan të parë

Poezia juaj ka brenda satirën dhe vargun pamfletik, fuqinë e kompozimit, simbolikën dhe figura mjaft të realizuara e tepër intensive, karakteristika këto të përbashkëta me poezinë e Viktor Hygoit (kryesisht vargjet shumërrokësh). Si shpjegohet kjo ngjashmëri, ndërkohë që poezia juaj mund të ishte ndikuar nga ajo ruse, lirikët e mëdhenj të së cilës, jo vetëm i njihni shumë mirë, por edhe i keni përkthyer në gjuhën shqipe?

Sigurisht që kjo është një rastësi. Unë e njoh mirë dhe e çmoj shumë poezinë e fuqishme të Hygoit. Ai është ndër poetët më të mëdhenj të Francës, mirëpo, kjo ngjashmëri, e cila ndodh edhe mes autorësh të tjerë, mbase ka një gjë të përbashkët: njeriun e punës, atë që rropatet për të siguruar mbijetesën. Zhan Valzhani i tij është i pakrahasueshëm, është model i njeriut të paepur. Edhe unë kam rendur pas këtij njeriu; pas luftëtarit të pushkës në rreshtat partizane, pas njeriut të halleve në jetën e vështirë, në krahë të njeriut të penës, në fushën e dijes. Me këta personazhe kam ndërtuar romanet e mia, kam ushqyer poezinë, kam frymëzuar prozën. Pastaj, Hygoi ka qenë edhe i internuar, sepse perandori Lui Bonoparti nuk e donte. Në përgjithësi, diktatorët nuk i përkrahin krijuesit që guxojnë, ata që s’mund të jenë veçse të lirë. Veçanërisht poetët s’mund të jetojnë dot të pushtuar.

Përse të ndodhin këto?

Sepse inteligjenca bëhet pengesë për ozurpatorët. Ka dy lloj pushtuesish: të jashtëm, kur vendin tënd e pushtojnë të huajt dhe ti detyrohesh të luftosh me armë në dorë, dhe të brendshëm, kur diktaturën e instalojnë njerëzit e tu, të popullit tënd. Kjo është më e rrezikshmja dhe më e rënda peshë që mund të durojë njeriu, aq më tepër krijuesit. Shumica e krijuesve provojnë pushtimin e brendshëm, por ka edhe fatkeq që, sa rrëzojnë barrikadën e parë, atëherë kur presin të gëzojnë frytet e punës së tyre, përballen me atë që s’e presin, me pushtimin e dytë.

Franca ka njohur një qytetërim të hershëm krahasuar me vendet e tjera evropiane, apo jo?

Sigurisht. Fenomene të tilla, s’mund të quhen të tejkaluara as në vende të tjera me nivele të larta zhvillimi, pavarësisht nga madhësia e tyre. Kur klasa politike e një vendi i tradhton interesat e popullit, i cili e ka vendosur në krye, atëherë diktatura ka lindur. Kur ndarja mes politikës dhe popullit vazhdon të thellohet pa ndërprerje, diktatura është ligjëruar. Kur popullit i ka vajtur thika në kockë dhe zëri i tij s’dëgjohet, atëherë diktatura është kurorëzuar. Këto gjendje të ndera, mjerisht, i kanë provuar shumë vende, kryesisht ato të varfra dhe të tjera në zhvillim. Evropa dhe Ballkani, ende luftojnë për t’i shëruar të tilla sëmundje të rrezikshme.

Humor i hollë i Dritëroit ka lënë gjurmë në shumë tavolina bashkëbisedimi. Brenda këtyre bisedave është mençuria popullore, e denjë për të qëndruar në krah të artit modern. Cila do të jetë e ardhmja e tyre, do marrin jetë brenda kujtimeve të ardhshme apo…?

Ende s’kam marrë vendimin përfundimtar. Në një farë mënyre s’dua që të “lëndoj” ndonjë bashkëbisedues të asaj kohe, por edhe ndonjë fëmijë, nip apo mbesë të tyre që do ti lexojnë në kohën e botimit. Sidoqoftë do ta gjej një zgjidhje në varësi të kohës.

Edhe në botimet tuaja, humori është ai që shkëndion zjarrin. Si keni mundur që të ruani masën, në raport me tërësinë e veprës?

Periferitë, ose zonat urbane siç quhen sot, kanë mënyrën e tyre të jetesës, kanë edhe kulturën e tyre. Është urtësia popullore te fjala e bujkut apo bariut, është përvoja e gjatë që e mënçuron fshatarin dhe mundet kështu të përballojë e zgjidhë hallet e jetës. Unë kam jetuar në fshat deri në moshën 17-18 vjeçare, mes atij ambienti e atyre njerëzve të mrekullueshëm. Humori është pjesë e jetës së tyre. Fatmirësisht unë mora ‘pjesën time’ dhe e përdora me nikoqirllëk. Mirëpo ka një dukuri, veçanërisht humori, duhet të jetë me masë, le të themi si kripa e gjellës. Brënda këtij humori duhet ta ndjejë veten edhe autori i shkrimit, d.m.th. krijuesi. Poezia në mënyrë të veçantë, është shumë sqimatare, e kërkon humorin atëherë dhe aq sa duhet. Do të thosha se edhe veprat më serioze kanë nevojë për një dozë humori, për një rreze drite…

Po për botimet biografike, cili është mendimi juaj?

Para shumë vitesh, një kolegu im–shkrimtar, më kërkoi mendim. Donte të shkruante një roman jetëshkrimor ose monografi, për një personalitet të shquar të kohës. I thashë që të mos lodhej, mirëpo e mori si mosvlerësim ndaj personit të tij dhe u revoltua. Më tha se shoku filan është ashtu e kështu…Dakort i thashë, por a di gjë ti, se cila është jeta e tij e panjohur nga publiku, lidhjet e fshehta dashururore të kohës së rinisë, apo të sotshmet, preferencat e hershme dhe hobit e tanishme, etj. Kolegu heshti. I tregova pastaj për jetëshkrimin e Abraham Linkolnit që e kisha lexuar, sesi shkoi me tren për të marrë detyrën e re në presidencë, lidhjet e tij me punëtorët e thjeshtë, nga të cilët e shkëputi fati etj. Pikërisht, gjërat intime, të pathëna e të panjohura, e bëjnë veprën intriguese për lexuesin. Pastaj, po ta shikosh kalanë nga afër, duket vetëm porta e hyrjes, ndërsa nga larg, duken edhe kullat e vrojtimit, frëngjitë, lartësia e mureve etj. Faktori kohë është shumë i rëndësishëm, kryesisht për krijuesin, sepse piqen mendimet dhe vepra merr vlera.

Mos duhet ta konsideroj këtë si përgjigje ndaj propozimit tim, për të shkruar një monografi tuajën të ardhshme?

Aspak. Unë i lexoj me kënaqësi shkrimet e tua dhe i çmoj ato. Megjithatë, s’do të hiqja dorë nga sugjerimi që i bëra kolegut për të cilin folëm më lartë. Çdo gjë në kohën e duhur.

Mendoni se njeriu ka kohë për t’u turpëruar edhe në moshë madhore?

Jo vetëm kaq, por të shkruash për bashkëkohësit ka edhe vështirësi të tjera, të cilat përsëri i mënjanon koha.

Së fundmi, flitet për një regjistrim të mundshëm të popullsisë sipas përkatësisë fetare. A mund të quhet normale?

Deri në vitet ‘48 apo ‘50, ka ekzistuar një ligj i tillë, pastaj u hoq. Më kujtohet që kam mbushur dy herë formularin e aplikimit dhe kam shkruar: i pafe, megjithëse prindërit e mi ishin bektashinj.

Atëherë numri i ortodoksëve mund të shtohet dhe shqiptarët të dalin në minorancë?

Janë rreth një milionë shqiptarë që punojnë dhe banojnë familjarisht në Greqi, të vajtur pas viteve ‘90. Shumica e tyre, gjersa kanë ndërruar emrat, mund të ndërrojnë dhe përkatësinë fetare. Pastaj, të mos harrojmë se atdheu i të papunit është puna. Shteti shqiptar s’ka forcë t’u thotë: kthehuni këtu, se do t’iu bëj më të pasur nga ç’jeni. Si fjalë, “ortodoks” me sa di unë, do të thotë, dogmatik, i drejtë, i palëkundur, megjithëse sikush çmon vlerat e besimit të tij. Megjithatë, unë shpresoj se ortodoksët shqiptarë do ti ruajnë dhe shpien më tej, vlerat e krijuara nga paraardhësit e tyre të nderuar, pionierë të rilindjes, si Jani Vreto, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri, Papa Kristo Negovani etj, të cilët punuan e luftuan aq shumë për lartësimin e kombit. Në qoftë se edukata e shoqëron njeriun si roje, besimi fetar e drejton andej nga beson ai, se merr edhe bekimin e Perëndisë. Përpjekje dashakeqe do ketë, padyshim. Raqi Qirinxhiut i thanë në Greqi: ti je ortodoks dhe si i tillë, je grek. Mirë u tha Raqi, po Pjetri i madh i Rusisë, grek është edhe ai? Greqia ka meritën e themelimit të bazave të filozofisë, matematikës, fizikës, materializmit, letërsisë, por jo të ortodoksisë. Ortodoksë ka e gjithë bota. Greqia ka shumë gjak shqiptar brenda gjirit të saj, janë më shumë se dy milionë arvanitas. Po ti referohesh folklorit, një këngë e hershme thotë: Selanik e tatëpjetë/ shqiptare do të jetë… Ja që shumë zona dhe qytete të rëndësishme që ishin shqiptare dhe banoheshin prej tyre, sot s’i administrojmë ne. Koha s’mund të kthehet prapa. Në parlamentin grek, deri vonë flitej shqip, sepse shumica e deputetëve ishin me orgjinë shqiptare dhe shqipen e kishin gjuhën e nënës, madje, edhe në votimin e vitit 1931, përsëri fitoi gjuha shqipe. Mirëpo, meqenëse s’kishte alfabetin e saj dhe ishte një gjuhë që s’shkruhej, u përdor gjuha greke në vend të saj. E përsëri, kryetari i parlamentit grek, u drejtohej deputetëve me fjalën shqipe ‘pushoni’ dhe jo me fjalën greke ’skaste’. Në Groelandë, për shembull, banorët kryesorë të saj janë eskimezët dhe një pjesë mongolë. U pushtua nga anglezët, më vonë nga norvegjezët dhe në shekullin e 18-të nga danezët, por gjaku i atyre banorëve, pavarësisht nga ndryshimet e sundimeve, mbetet gjak eskimez dhe mongol.

Si i keni shpëtuar ndikimit të prindërve për besimin te Zoti?

Në fshat, kur isha i vogël, shumë i vogël, mbaja një manar, i cili më ndiqte nga mbrapa kudo që shkoja. Mirëpo një dite prej ditësh, im atë, më tha se e kishim caktuar si kurban për babain e Teqesë. S’kisha forcé të kundërshtoja, isha fëmijë, kështu që ndoqa nga pas tim atë, derisa babai i Teqesë e mori shelegun dhe i futi thikën në grykë si një katil. Mbase ky ishte momenti që brenda meje u projektua urrejtja për këta “shërbëtorë” të Perëndisë. Megjithatë, bektashinjtë, janë shumë tolerantë nga natyra e besimit, një këmbë e mbajnë në hyrje të teqesë dhe tjetrën te dera e pijetores. Baba Reshati s’mërzitet, sepse këndon edhe vetë këngë dashurie, në pritjet që u bën miqve të tij dashamirës. Naim Frashëri i ka dhënë një pamje shqiptare, bektashizmit. Po të lexosh me kujdes “Qerbelanë”, do shikosh përpjekjet e frashërlliut të mençur, se si përshkruan në mënyrë metaforike Abaz Aliun, fisnikërimin e shpirtit të njeriut, nën ndikimin e besimit te zoti, etj.

*Intervista e botuar nga Dita është shkëputur nga libri i Mihal Gjergjit me kritika letrare “Ngjyrat e Mendimit”

Gri

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Shumë ujë gri, shumë qiej gri,
Gri në dritare, gri në vetmi.
Ikin lejlekët larg në arrati,
Shumë ujë gri, shumë qiej gri.

Pikojnë strehët melankoli,
Shumë strehë gri, shumë pika gri.
Postjer përtaci vjen në shtëpi
Me pallto gri, me letra gri.

Hesht pas dritares maçoku i zi,
Gazeta hapet me tituj gri.
Gri në dritare, gri në vetmi,
Ikin lejlekët larg në arrati…

“Në veri ma grabisin Kosovën serbët, në jug maqedonët, në perëndim malazezët…”

Vajza e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli ka postuar sot një letër që shkrimtari i njohur Ali Podrimja i niste të atit të saj, me një shqetësim shumë të madh.

“Vendlindja e Azem Shkrelit nuk është më nën jurisprudencën e Kosovës, po të Malit të Zi, ndërsa varri i Fahredin Gungës gjendet nën jurisprudencën e Serbisë … E, unë ku të prehem? Shqipëria, mund të më ofrojë azil?”- i shkruan Podrimja, Agollit në një letër të vitit 2003.

Postimi

“ E, unë ku të prehem ?” – një shpirt i shqetësuar poeti atdhedashës, sa herë duhet ta ketë përsëritur këtë pyetje. E kur Kombi është në duart e bajraktarëve, pyetja është e thekshme, e dhimbshme.

Me kë mund të ndante këtë shqetësim i madhi Ali Podrimja, përveçse me të ngjashmin dhe “vëllain” e tij poet dhe atdhetar, Dritëroin.

– I dashur Dritëro , Ç’të bëj? Në veri ma grabisin Kosovën sërbët, në jug maqedonët, në Perêndim malazezët…

Vendlindja e Azem Shkrelit nuk është më nën jurisprudencën e Kosovës, po të Malit të Zi , ndërsa varri i Fahredin Gungës gjendet nën jurisprudencën e Serbisë …

E, unë ku të prehem ? Shqipëria, mund të më ofrojë azil? Kam rënë në hall me bajraktarët e kombit . Nuk di ç’të bëj ?…

Të qafon yt vëlla,

Ali Podrimja

26 shkurt 2003 , Ulpianë

Pse nuk shkruaj drama

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Kjo jetë as nuk i qaset fare dramës,
Dhe dramën nuk e vlen vërtet njeri.
Sot flet e Ëmë e Zeqos majë Thanës,
Nga thana bën me botën komedi .

Tani hamletët ikën larg nga drama ,
“Të rrosh a të mos rrosh “- njeri s ‘bërtet.
Po veç e Ëmë e Zeqos flet nga Thana
Dhe zërin ia dëgjon një parlament.

Vdekja e Nënës

Poezi nga Dritëro Agolli.

U zvogëlua nëna dhe u tret e gjitha,
U bë si pulëbardhë e lehtë
Dhe një mëngjes pa zbardhur ende drita
Rënkoi e fluturoi mbi retë

Andej u fsheh si ylli Afërdita
Dhe ne pastaj s’e pamë, pastë ndjesë!
Veç ndodh që valë e ëndrrave të trishta
E sjell në breg te shtratit tim si shpezë. /KultPlus.com

“Nuk ka Shqipëri dhe Kosovë”

Dritëro Agolli ishte një poet e shkrimtar i madh që shpesh në veprimtarinë e tij artistike e politike ka prekur edhe çështjen e Kosovës, shkruan KultPlus.

“Nuk ka Shqipëri dhe Kosovë, por ka Shqipëri këtej Drinit dhe Shqipëri përtej Drinit”, thoshte Agolli.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në datëlindjen e 85-të të shkrimtarit Agolli, i ka dorëzuar atij dekoratën e Pavarësisë së Kosovës, për kontributin e çmuar që ka dhënë, në ditët më të vështira të Shqipërisë së andej Drinit, siç e quante Agolli Kosovën./ KultPlus.com

Fytyrën kam ngjitur në xham

Poezi nga Pol Elyar, përktheu Dritëro Agolli.

Fytyrën kam ngjitur mbi xham si rojë pikëllimi
Dhe nën mua dergjet qielli i natës
Dhe në pëllëmbët e mia u shtrinë pllajat
Në heshtjen e dyfishtë të horizontit.
Fytyrën kam ngjitur në xham si rojë pikëllimi,
Ty të kërkoj tej sinoreve të pritjes,
Tej sinoreve të vetes sime;
Aq shumë të dua, sa nuk e marr vesh
Se cili mungon këtu nga ne të dy./KultPlus.com

E gjalla ime e vdekur

Poezi nga Pol Elyar, përktheu Dritëro Agolli.

Në brengën time s’pipëtin asgjë,
Pres kot së koti, s’vjen njeri tek unë,
S’vjen ditën e s’vjen natën
Dhe vetë unë s’vij ashtu siç vija.

Nga sytë e tu u ndanë sytë e mi.
Besimin humbën edhe dritën humbën;
Të miat buzë u ndanë nga të tuat,
Të miat buzë u ndanë nga zbavitja,
Nga jeta dhe dëshira e dashurisë;
Dhe duart nga të tuat janë ndarë
Dhe s’mbajnë dot në gishta asnjë pupël;
Dhe këmbët janë ndarë nga të tuat,
S’çapiten dot e rrugë s’bëjnë dot.
Kështu na qenka thënë të shoh fundin,
Me fundin tënd;
Se jeta ime qenka nën pushtetin tënd,
Kjo jetë që më dukej pambarim,
E vetmja shpresë qenka varri im,
Ashtu si yti mes botës së shkujdesjes.

Kam qenë pranë teje, kam ftohtë me të tjerët./KultPlus.com

Gënjeshtrat

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

O popull,ç’të bëjnë!
Të japin lodra të luash,
Të mbajnë me përralla,
Të flesh në shtrat sa të duash,
Pa zhurma e andralla,
Të quajnë të vogël,
Dhe thonë se ende s’di shumë,
Të japin në duar një lodër
Dhe thonë:
pusho, mos bëj zhurmë!
Refren i përhershëm në kohët.
O popull, ç’të bëjnë!
Të thonë:
“Gërvisht e fito” në letra!.
Dhe ti gërvisht me thonjtë e paprerë
Nën mëngët e vjetra ,
Dhe fati s’të vjen asnjëherë.
Të marrën përdore me lekë
T’i shohësh Miss-et,
Kur zhveshur kërcejnë,
Me brekë e pa brekë,
Në skenë.
O popull, ç’të bëjnë!
Të japin lodra në duar
Me Tomin dhe Xherrin ,
Të bëhesh fëmijë i duruar ,
Mos njohësh telashin dhe sherrin.

Sadije Agolli: Kur u martova me Dritëroin

“E shtunë , vesha fustanin e bardhë; Kisha zgjedhje edhe kostumin kombëtar, por ishte mjaft i ngarkuar dhe rëndonte shumë. Unë isha 54 kg dhe benevrekët më rrinin të mëdha. Ai ishte një kostum popullor i trashëguar, që kalonte nga një nuse te tjetra. Më përgatitën dy gra, duke më lyer fytyrën me sarikan.

Por ajo ishte tepër e fortë për lëkurën time të bardhë, me cipë të lëmuar e tejet të bardhë ,lëmuar vetëm me ujin e ftohtë të çezmës. Kështu lëkura u acarua dhe u skuq vende-vende dhe vetëm me fasho prej lecke të lagura me ujë të ftohtë u kthye në gjendjen e mëparshme. Dasmën e bëmë në oborrin e shtëpisë sonë , vilë e bukur dykatëshe, me shumë lule, me dy selvi të larta, me një portë të madhe e të rëndë druri.

Ishin ftuar tërë të afërmit ; isha fëmija e parë në shtëpinë tonë të madhe me dhjetë fëmijë, 5 djem e 5 vajza, që mbarova shkollën e lartë. Dritëroi erdhi në dasmë me të vëllain, Tajarin, dhe një kushëri nga Devolli, Njazimi. Dritëroi ishte shumë i gëzuar, pak i trullosur e i ndrojtur, ndoshta nga respekti që tregonin njerëzit e mi , pasi po martohesha me një gazetar e shkrimtar.

“Pjesë nga ditari i Sadijes, 4 korrik 1965” .

Tre shkrimtarë të njohur shqiptarë në një fotografi të rrallë (FOTO)

Dritëro Agolli, Rexhep Qosja dhe Alfred Uçi janë tre emra të njohur që kanë kontribuar në letërsinë dhe gjuhën shqipe, shkruan KultPlus.

KultPlus sot ju përcjellë një fotografi ku shihen së bashku Dritëro Agolli, Rexhep Qosja dhe Alfred Uçi. Fotografia është shkrepur në vitin 1972 në Tiranë, ndërsa është publikuar ditë më parë nga Micky Haxhiislami./ KultPlus.com