Sot qyteti i Gjakovës u zgjua me një pamje të pakëndshme për qytetarët e vendit. Drunjtë 40 – 50 vjeçar u prenë në rrugën kryesore të qytetit “Nëna Terezë”, për t’u zgjeruar rruga për më shumë makina, për t’u ngushtuar trotuaret dhe për t’u vështirësuar ecja e këmbësorëve. Mirëpo, ky akt ka bërë që Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë ka reaguar duke dorëzuar kallëzim penal, shkruan KultPlus.
Kallëzimi penal është dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës ndaj kryetarit të Komunës, Ardian Gjinit.
Më poshtë gjeni Kallëzimin e plotë Penal të publikuar në faqen zyrtare të Facebook-ut të Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë.
Prokurorisë Themelore në Gjakovë
Adresa: Rruga “Tirana” p.n
Bazuar në nenin 79 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, se “Çdo përson ka të drejtë të kallëzojë veprën penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare dhe detyrohet ta bëjë këtë në rastin kur moskallëzimi I veprës penale paraqet vepër penale”, ngrisim
KALLËZIM PENAL
Ndaj:
Z.Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës
ARSYETIM
I pandehuri Ardian Gjini, Kryetar i Komunës së Gjakovës, në kundërshtim me LIGJIN NR. 03/L-040 PËR VETËQEVERISJEN LOKALE neni 68, pika 68.3, ka mbajtur të fshehtë projektin për zgjerimin e rrugës “Nënë Tereza” në Gjakovë dhe për të njejtin projekt nuk ka zhvilluar procedurat ligjore konkretisht, konkursin e projektimit sipas LIGJI NR. 04/L-042 PËR PROKURIMIN PUBLIK NË REPUBLIKËN E KOSOVËS, neni 20, LIGJI NR.03/L-025 PËR MBROJTJEN E MJEDISIT, neni 29, LIGJI NR. 03/L-214 PËR VLERËSIMIN E NDIKIMIT NË MJEDIS, neni 7, shtojca 2, pika 10.5.
Për me shume kryetari i Komunës, përkundër peticionit të biznesve të rrugës “Nënë Tereza” në muajin Maj 2020, protestave të qytetarëve dhe kërkesës së vazhdueshme për publikim të projektit, në mënyrë të jashtë ligjshme ka filluar punimet për projektin e zgjerimit të rrugës “Nënë Tereza”, me 15.09.2020, ku prap kishte reagim qytetar.
Projekti i zgjerimit të rrugës nuk ka kaluar në debatin publik dhe nuk është trajtuar fare me banorë dhe qytetarë të Komunës së Gjakovës.
Ideja e kryetarit për zvogëlimin e trotuareve, shtimin edhe të një korsie tjetër për automjete dhe prerja e 156 drunjëve në rrugën “Nënë Tereza”, cenojn lirinë e lëvizjes për këmbësorët, nënat me fëmijë, përsonat me aftësi të kufizuara si dhe ngasësit e biçikletave.
Me këtë rast kërkojmë nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjakovë fillimin e menjëhershëm të hetimeve për procedurat e ndjekura nga ana e Komunës së Gjakovës për realizimin e projektit të zgjerimit të rrugës “Nëna Terezë”, si dhe vendosjen e menjëhershme të masës së përpkohëshme, e cila do pezullonte çfardo lloj tentative për të realizuar punimet përmes një projekti të jashtëligjshëm.
Subjektet politike:
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE – Gjakovë dhe ALTERNATIVA – Gjakovë. / KultPlus.com