Këngëtarja Dua Lipa, është në rrugën e duhur për t’u bërë ylli më i pasur femër i popit në Britani pasi bleu të drejtat për publikimin e gjithë punës së saj të deritashme.
Sipas “The Sun”, ajo këtë biznes e nisi me babanë e saj.
Dua ka krijuar një kompani, “Radical 22 Publishing Limited”, në pronësi të përbashkët të saj dhe babait të saj, Dukagjinit, i njohur si Dugi, për të menaxhuar të gjitha asetet e saj komerciale.
Kjo informatë vjen vetëm disa ditë pasi ajo njoftoi se do të ndërpresë të gjitha lidhjet me ish-kompaninë menaxhuese TaP, raporton “The Sun”, transmeton Klankosova.tv.
Një burim tha: “Është një lëvizje tepër e guximshme dhe një deklaratë e madhe e qëllimit për Dua Inc. Dua dëshiron të rimarrë kontrollin e karrierës së saj dhe Dugi është shumë praktik”.
“Ai ndjeu sikur ajo po jepte një përqindje shumë të lartë të të ardhurave të saj dhe pasi u bë menaxheri i saj, ai ndjeu se hapi tjetër logjik ishte të hynte si një partner zyrtar biznesi”.
“Ashtu si kur një futbollist i Premier League përdor vëllain e tij si agjent, ka të bëjë me mbajtjen e familjes afër dhe mbajtjen e kontrollit”.
“Disa njerëz në industri po bëjnë krahasime me Britney Spears dhe babanë e saj Jamie – Dugi është padyshim shumë kategorik – por absolutisht ai ka në zemër interesat e saj më të mira”, shtoi burimi.
Edhe pse Dua e bëri këtë veprim për arsye të ndryshme, megjithatë na bën të kujtojmë grindjen e gjatë të Taylor Swift me Scooter Braun pasi firma e tij bleu regjistrimet kryesore të gjashtë albumeve të saj të parë në 2019 – kohë kur ajo ka ri-regjistruar të gjashtët për të rimarrë pronësinë e këngëve.
Burimi tha për strategjinë e re të Duas: “Në thelb, ky veprim rezonon te Taylor Swift – një yll i madh femër pop që rishkruan narrativën dhe fiton para sipas kushteve të saj”.
“Derisa të mbushë 40-vjeç, ajo do të bëhet miliardere”.
Nesër ajo rikthehet me një këngë të re shumë të përfolur, Houdini, që do të lansohet njëkohësisht në Londër, Tokio dhe Los Anxhelos.
Albumi i saj i tretë do të publikohet vitin e ardhshëm dhe vjen pas një turneu të shitur me 91 shfaqje në ShBA dhe Australi, me të ardhura prej më shumë se 80 milionë funte. /Klankosova.tv / KultPlus.com