Prishtina ka hapur dyert këtë vit për një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës dhe artit në Evropë, Manifesta Biennal, e cila është hapur më 22 korrik 2022 duke e shndërruar kryeqytetin në kryefjalë të artit, shkruan KultPlus.
Një program artistik 100 ditor me performanca, punëtori e organizime të ndryshme artistike i kanë ofruar publikut një spektër të gjerë të mundësive këto ditë vere.
Ndër vizitorët e shumtë të Manifestës, së fundmi është edhe Dua Lipa, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa e cila këto ditë ka qëndruar në Kosovë për shkak të festivalit “Sunny Hill” por e ka shfrytëzuar mundësinë ta vizitojë edhe bienalen Manifesta e të ja prezantojë milionë ndjekësve të saj në rrjetet sociale.
Përmes publikimit të disa fotografive, Lipa ka bërë thirrje që të vizitohet Manifesta në Prishtinë.
“Dje isha në Manifesta Biennal që po mbahet në Prishtinë, Kosovë. Ka instalacione të pabesueshme arti dhe ekspozita publike në të gjithë qytetin, por veçanërisht në vende që kanë nevojë për pak dashuri dhe vitalitet.
Ekspozita kryesore mbahet në hotelin Grand i cili tani është pothuajse i braktisur me përjashtim të ngjarjeve të rastësishme private.
Është një ekspozitë e mrekullueshme që pret artistë nga Kosova dhe nga e gjithë bota dhe ju bëj thirrje nëse nuk keni qenë ende ose po mendoni të shkoni, kjo është një gjë që ju duhet në listën tuaj të gjërave për të bërë në Prishtinë këtë verë”, thuhet në postimin e Dua Lipës. / KultPlus.com
Të performosh përpara një numri të madh njerëzish është gjithnjë e vështirë, sidomos kur ju jeni njeriu kryesor dhe gjithë sytë e publikut janë te ju. Gjatë gjithë kohës duhet të keni prezicitet në matjen e nivelit të energjisë në pistën e kërcimit në mënyrë që të krijoni tranzicionin e duhur. Përkufizimi më i thjeshtë i një “DJ” është se ai luan muzikë. Megjithatë, gjërat janë më komplekse kur je përballë një turme dhe duhet të kontrollosh të gjithë njerëzit. DJ-të duhet të kujdesen deri në pikën e fundit që të përziejnë këngët dhe kështu të krijojnë edhe tranzicione muzikore për të rritur energjinë e audiencës. DJ duhet të ketë aftësinë për të bërë që muzika të rrjedhë natyrshëm dhe pa probleme në veshët e dëgjuesve, shkruan KultPlus.
Me të dalur në skenë, Diplo nuk humbi kohë duke e ngritur volumin, duke filluar një shfaqje të lehtë të tijën dhe duke i ngritur të gjithë në këmbë duke kërcyer. Interaktiviteti me audiencën ishte mjaft i ulët në fillim, por ishte e qartë se njerëzit erdhën për të kërcyer dhe dëgjuar muzikë – dhe Diplo po u jepte atyre atë që dëshironin.
Në mesin e shumë linjave që ai po thoshte gjatë mbrëmjes, Diplo u sigurua që të shfaqte dashurinë për Kosovën, duke bërtitur disa herë “të dua Kosovë”, gjë që ndikoi absolutisht në entuziazmin e publikut. Dukej sikur audienca kishte pritur kaq gjatë për t’u futur në frymën e vallëzimit dhe muzikës së mirë të Sunny Hill Festival- dhe Diplo sigurisht ia doli.
Diplo bëri të gjithë të pranishmit në natën përmbyllëse të Festivalit Sunny Hill të lulëzojnë me energjinë elektrizuese që solli në skenë, si një profesionist i vërtetë.
Ky ishte rikthimi i Sunny Hill pas tre vitesh për shkak të mbylljeve nga COVID-19, i cili ndryshoi tërësisht proceset e jetës, për një kohë relativisht të gjatë. Në këto katër ditë, sa zgjati festivali, të rinjtë e Kosovës përjetuan diçka shumë më ndryshe nga ajo që ishin mësuar.
Gjithashtu, për gjatë gjithë këtyre ditëve, Sunny Hill Festival, në krye me Dua Lipën, u munduan që gjithnjë të shtyjnë përpara kauzën e liberalizimit të vizave për Kosovën, pasi ata e shohin si një diskriminim i madh që po ju bëhet shqiptarëve. “Set Me Free” ishte një ndër thirrjet më të përsëritura në festival.
Ndërkaq, së bashku me kryesorin e natës, aty performuan edhe: Adrian, Rrrron, Bookie, Caboo, Vertigeux, Art Haliti, Jimpong, Labi Ramaj, Romeo Blanco, Burak Yeter dhe Regard. /KultPlus.com
Festivali më i madh në vend, “Sunny Hill” për gjithsej katër ditë e ka shndërruar Prishtinën në një vend ku muzika ka dominuar dukshëm, shkruan KultPlus.
Dje ishte nata e fundit që mbylli festivalin, ndërkaq sot këngëtarja me famë botërore Dua Lipa sapo ka postuar disa fotografi për këtë rast.
Ajo në mbishkrim ka shkruar: 4 ditë në qytetin tim / KultPlus.com
“Sunny Hill Festival” i cili u mbajt këto ditë në Prishtinë, solli yllin Dua Lipa në Kosovë ku përveç se performoi në natën e parë të festivalit, Lipa realizoi edhe shumë takime e vizita në vendin e saj të lindjes.
Performanca e saj e zjarrtë bëri që për të të shkruajnë edhe mediat ndërkombëtare të cilëve nuk ju iki edhe një lëvizje tjetër e Duas në Kosovë.
Gjatë këtyre ditëve të qëndrimit të saj në vendlindje, Lipa u nderua me titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani.
“Dua Lipa është emëruar ambasadore nderi e Kosovës.”
Ndërkohë që këngëtarja e “Don’t Start Now” u rrit në Britaninë e Madhe, prindërit e saj janë shqiptarë të Kosovës dhe familja u kthyen në Prishtinë kur ajo ishte tetë vjeçe, menjëherë pasi Kosova shpalli pavarësinë”, thuhet në një pjesë të prestigjiozes Independent. / KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Sunny Hill shkëlqen ndryshe me vajzën e artë të Kosovës, Dua Lipa, shkruan KultPlus.
Sipas Kurtit, festivali “Sunny Hill” i shton shije jetës së pasur kulturore të shtetit të Kosovës.
Postimi i plotë:
“U mbajt në Prishtinë, aty ku e ka vendin. Kosova shkëlqen ndryshe me Sunny Hill dhe vajzën tonë të artë, Dua Lipa, të cilën sot e prita në Kryeministri. Vendi ynë po shënon një nga vitet më të suksesshme kulturore në historinë e tij. Duan e falënderova për përfaqësimin e bukur e dinjitoz dhe promovimin e vlerave të Kosovës kudo në botë. Zëri, muzika e kënga e saj, na kanë bërë shumë më të njohur dhe mirënjohur anembanë. Kontributi që ajo jep për Kosovën është i pamatshëm.
Festivali “Sunny Hill” i shton shije jetës së pasur kulturore të shtetit tonë. Pas katër ditë performancë muzikore me emra të njohur ndërkombëtarë dhe vendorë, është momenti t’u themi faleminderit Duas dhe gjithë ekipit për punën dhe promovimin që i bënë Kosovës. Sunny Hill është edhe dobi për ekonominë lokale, ndërsa sivjet edhe mbështetje ndaj angazhimeve shtetërore për liberalizimin e merituar të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Sonte në parkun Gërmia në Prishtinë do të mbahet nata e fundit e ‘Sunny Hill Festival’, shkruan KultPlus.
Sonte në skenën e këtij festivali do të ngjiten artistët: Diplo, Regard, Burak Yeter, Romeo Blanco, Labi Ramaj, Jimpong, Art Haliti, Vertigeux, Caboo, Bookie, Rrrron, Adrian.
Përgjatë këtyre ditëve mijërë fansa të festivalit të organizuar nga këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, patën mundësi të argëtohen nën muzikën e artistëve të njohur vendorë e ndërkombëtarë./ KultPlus.com
Gjatë ditës së djeshme, Dua Lipës, i është ndarë titulli Ambasadore Nderi e Kosovës nga Presidentja Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.
Dua Lipa është shprehur shumë e nderuar që ka marrë këtë medalje presidenciale dhe ka shprehur këtë gëzim përmes një postimi në “Facebook”.
Postimi i plotë:
“Dje pasdite më është ndarë titulli Ambasadore Nderi e Kosovës nga Presidentja jonë Vjosa Osmani.Është nder dhe privilegj të jem në gjendje të përfaqësoj vendin tim në mbarë botën dhe të vazhdoj punën dhe përpjekjet e mia globalisht për të parë që ne të lëmë gjurmë dhe të bëjë një ndryshim. Rinia e Kosovës meriton të drejtën e liberalizimit të vizave, lirinë për të udhëtuar dhe për të pasur ëndrra të mëdha. Faleminderit”, thuhet në postimin e saj. /KultPlus.com
Sot, Kosovës i është shtuar edhe një pullë postare pasi Posta e Kosovës ka promovuar Pullën Postare ‘Dua Lipa’ në nderim të këngëtares kosovare me famë botërore, e cila këtë kohë po qëndron në Kosovë dhe po mban festivalin ‘Sunny Hill Festival’, përcjell KultPlus.
Dorëzimin e kësaj pulle e bëri ushtruesa e detyrës së Kryeshefes Ekzekutive të Postës së Kosovës, Fakete Kadiu e cila shprehet e lumtur për promovimin e kësaj pulle, duke e cilësuar të merituar edhe nderimin me titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës.
“Dua është një këngëtare që në të gjitha anët e globit ka fansa të shumtë. Përmes përfomancave të shkëlqyera, talentit të saj, ka arritur të jetë një këngëtare me milionë fansa, po përmes përfomancave të saj, ajo e lartëson edhe Kosovën”, u shpreh Kadiu.
Ndërkaq në pranimin e kësaj pulle ishte e pranishme vetë protagonistja, Dua Lipa, e cila shprehet e lumtur për këtë nderim që i është bërë.
“Do të vazhdoj të bëj edhe më shumë që vendi ynë të ngritet sa më lart’, ka thënë mes emocionesh Lipa./ KultPlus.com
Festivali i përmasave ndërkombëtare ‘Sunny Hill Festival’ i cili mbahet në Prishtinë, mbrëmë jehoi në këngë të stileve të ndryshme nga artistë të njohur kombëtarë dhe ndërkombëtarë, shkruan KultPlus.
Kryefjala e kësaj mbrëmje ishte këngëtari kolumbian, J Balvin i cili edhe e përmbylli natën e dytë të këtij festivali. Ndonëse performoi i fundit, me të ngjitur në skenë ai dhuroi një energji të re në publikun që kishin zënë vend në çdo cep të parkut Gërmia në Prishtinë.
E për t’u shprehur mirënjohër për ftesën edhe pritjen këtu, J Balvin në mes të performancës së tij shfaqet në skenë me flamurin e Kosovës, veprim ky që u përcoll me duartrokitje e brohoritje në publik.
“Faleminderit Dua Lipa për ftesën. Ne jemi këtu për ty. Jemi këtu për juve dhe kam shumë respekt për ju. Unë vij nga Kolumbia, nga një vend që dikur ishte në situatë të vështirë andaj edhe e kuptoj shumë mirë se çfarë ndjeni tani. Por, dikur a vonë, drita vjen gjithmonë dhe ju do të jeni më së miri. Jemi këtu me ju”, ka thënë J Balvin përgjatë koncertit në “Sunny Hill Festival”, duke u solidarizuar kështu me situatën në Kosovë.
Me këngët si ‘Mi gente’, ‘In da Getto’, ‘Tranquila’, ‘Que mas pues’, ‘Tu me tienes loco’, ‘Rrelacion’ e shumë të tjera, J Balvin ndezi atmosferën duke ngritur publikun në këmbë, të cilët pa u lodhur vallëzuan e kënduan në sinkron me këngëtarin deri në orët e para të mëngjesit.
Përveç J Balvin, në skenën e ‘Sunny Hill Festival’ u ngjit edhe fituesi i dyfishtë festivalit të mirënjohur ‘Sanremo’, Alessandro Mahmood, i cili shpërndau muzikën e tij të veçantë për publikun. Ndonëse shumë prej tyre e dëgjonin për herë të parë, me performancat e tij madhështore si me zërin e tij ashtu edhe me paraqitjen skenike, Mahmood arriti të rrëmbejë zemrat e të gjithëve.
Nata e dytë e ‘Sunny Hill’ mirëpriti edhe këngëtarë të tjerë si Dhurata Dora, Azet & Zuna, Getoar Selimi, Cozman, Onat, Emir Taha, La Fazani, ZWADA, Yon Idy, Edon.
Ndërkaq sonte, në natën e tretë të ‘Sunny Hill Festival’ në skencë do të ngjiten artistët: Skepta, Aj Tracey, Mc Kresha & Lyrical Son, Ledri & Lumi B, Kamal, Lluni & Semi, Erno& Kreshnique, Nush, Dj Floë, Dj Banzz, Dj First, Fattizzle, Lekë dhe Liburn./KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka nderuar këngëtaren kosovare me famë botërore, Dua Lipë, me titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës, përcjell KultPlus.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se me këtë veprim e ka falënderuar atë në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për gjithçka që ka bërë dhe po bënë që zëri ynë të dëgjohet kudo në botë.
Postimi i plotë:
Sot, Dua Lipës, i ndava titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës, sepse ajo vazhdon ta nderojë vendin tonë në çdo hap e çdo paraqitje. E falenderova, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për gjithçka që ka bërë dhe po bënë që zëri ynë të dëgjohet kudo në botë.
Dua dhe Anda kishin kënaqësinë e veçantë ta takojnë super yllin tonë, ikonën e pop muzikës, e cila është shndërruar në inspirim e model për vajzat anekënd botës. Ajo po e shfrytëzon zërin dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm, jo vetëm për t’i ofruar botës këngë që lënë gjurmë, por edhe për ta prezantuar imazhin më të mirë të Kosovës kudo në botë. Sot, për shkak të Duas, nuk ka njeri që nuk e njeh Kosovën, të cilën edhe kësaj radhe e ka bërë kryeqendër të kulturës botërore, nëpërmjet festivalit Sunny Hill.
Prandaj sot në Presidencë, së bashku me Prindonin dhe vajzat tona, kishim kënaqësinë që ta presim Duan së bashku me prindërit e saj, Dukagjinin dhe Anesën, për t’i falënderuar për këtë kontribut të madh për imazhin e Kosovës në botë si dhe për ta përsëritur mesazhin tonë të përbashkët për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, i cili njëherit është edhe moto e edicionit të sivjetëm të festivalit Sunny Hill.
Faleminderit Dua e mirëserdhe në shtëpi!/ KultPlus.com
“Sunny Hill Festival” nisi mbrëmë ku si performancë kryesore ishte padyshim ylli Dua Lipa e cila me performancën e saj ka dalë jashtë çdo parashikimi të publikut.
Ndërsa, ditën e djeshme, festivali doli edhe me një thirrje të re për liberalizimin e vizave për Kosovën. Fushata nisi me moton “SETMEFREE” (Më lër të lirë).
Madje, Dua këtë e potencoi edhe dje në një konferencë për media, duke u shprehur se shpreson që kjo të ndodhë sa më shpejt.
Për këtë nismë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka falënderuar artisten shqiptare përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram.
“Faleminderit Dua Lipa që po i bashkohesh thirrjeve tona kolektive për t’i dhënë qytetarëve tanë liberalizimin e vizave të vonuar prej kohësh”, ka shkruar Osmani.
Këtë postim të Osmanit e ka rishpërndarë edhe Dua Lipa. / KultPlus.com
Posta e Kosovës do të promovoj nesër Pullën Postare “Dua Lipa”, përcjellë KultPlus.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje do të jetë edhe vetë Dua Lipa dhe Dukagjin Lipa.
Ndërsa nga Posta e Kosovës pjesëmarrës do të jenë: Fakete Kadiu – Ud. Kryshefe Ekzekutive e Postës së Kosovës, Kamber Demaku – Shef i Administratës dhe Protokollit, Kryesuesi i komisionit për aprovimin e pullave postare/MZHE dhe pjesëmarrës tjerë/Filatelia e Postës së Kosovës. / KultPlus.com
Dua Lipa është një yll botëror, e jona dhe e duam shumë. Por, ajo nuk e meriton një organizim amator e mediokër ku rinia më shumë dëshpërohet se i gëzohet ngjarjes.
· Kemi pritur në rend me të shtyra e bërtima policore gati 3 orë.
· Miqtë tanë me bileta (2*96 EUR) pas 2 orë pritje nuk kanë arrit me hy meqë organizatorëve ju ishin harxhu shiritat e dorës.
· Është leju të afrohet tek hyrja çdokush me dhe pa bileta. Lejimi me vetura të ndryshme ka shkaktu nervozi e prishje të rendit. Autobusët e Taxit kanë sjell çdokënd deri tek hyrja e gërmisë.
· Nuk ka pas ndarje të shiritave që në fillim me i kategorizu mysafirët. Jemi trajtu si dele.
· Organizatorët ia kan transferu policisë mbajtjen e rendit derisa dihet për çka është policia aty. E organizatori nuk kishte numër të mjaftueshëm të stafit me organizu e kategorizu si duhet hyrjen.
· Policia herë pas herë shpërndante aty këtu ndonjë britmë e shpullë burrave para grave të tyre apo arrestim të përkohshëm.
· Shkaku i turmës dhe shtyrjeve nuk kishte mundësi për kontrolle të duhura të sigurisë fizike e të biletave. Qantën të cilën e kisha as që u kontrollua se çka kam brenda, e kjo tregon për sigurinë brenda në “festival ndërkombëtar”.
· Mos të flasim për kontrolle të ID e identifikim të biletave, kjo mbrëmë nuk ekzistonte. Mesazh i mirë që mos u boni budallë me ble bileta, se ato janë sa për me ju vjel e me hy mundet kushdo që vjen aty. Shumë kan hy pa bileta, meqë kthim mbrapa nuk kishte. Sonte mund të jetë ndryshe por është vonë.
· Në 3 vende të ndryshme bëhej kinse kontroll por realisht asnjë kontroll nuk bëhej pasi kishte aq shumë njerëz e shtyrje sa ishte e pamundur, dikur e lshun frontin edhe sigurimi.
· Vendet për me mbush “shiritin e dorës” nuk ishin funksionale e sistemi shiritave nuk ju punojke.
· Vetura të ndryshme “VIP” dërgonin mesazhe vajzave të reja që nëse doni me hy pa prit 2 orë në rend duheni me hyp me naj Range Rover se shkon deri nalt direkt.
· Prindër e familjar të frustruar duke pritur me orë të tëra adoleshentët e tyre në 2-4am meqë skishte asnjë mjet transporti e as Taxi në dispozicion.
· Mysafir të huaj të cilët thonin “120 EUR for this shitty event”, sepse e dijnë çka është mirë dhe nuk vijnë përsëri ose ju thonë tjerëve mos shkoni se nuk ia vlen.
Dua Lipa dha një performancë fantastike por ajo që ngelet në mendje fatkeqsisht nuk është ajo 1 orë e Dua-s por janë këto foto, britma e djersa e personave përreth.
Kjo rini meriton të respektohet, tek e fundit festivali është i mundur nga blerja e biletave të këtyre 10-15K familjeve Kosovare, sepse te huaj kishte fare pak.
Urojmë rinia të ketë mundësinë të lëviz së shpejti jashtë vendit e të përjetohet se si organizohet një festival.
(Shkrimi është publikuar i plotë marrë nga profili i Fatmir Currit, pa ndërhyrje nga ana e redaksisë.) / KultPlus.com
Festivali më i madh në vend, “Sunny Hill” mbrëmë e ka shndërruar Prishtinën në një vend ku ishte tejet e vështirë të depërtoje nga qarkullimi i dendur.
Gjithë kjo tollovi erdhi si shkak që po niste festivali ‘Sunny Hill’ dhe në skenë do të ngjitej ylli Dua Lipa.
Emri i saj dje ishte kryefjala e kryeqytetit dhe hiq më pak se 25 mijë persona nga e gjithë bota kishin pushtuar rrugët e kryeqytetit e për të zënë pastaj vend në Parkun e Gërmisë.
Gjithë kjo kishte vlerën e vet, sepse të pranishmit pas disa performancave të artistëve vendor, patën rastin të shijojnë magjinë e yllit shqiptar Dua Lipa e cila e ndezi skenën me përformancën e saj.
Këngë pas kënge, Dua Lipa vetëm sa shkonte duke e elektrizuar skenën e bashkë me të edhe publikun me gjithë atë energji pozitive e të zjarrtë, po e sillte mbrëmë me një dashni të veçantë për bashkëvendësit.
Ditën e sotme, ajo publikoi edhe një video në Instagram të cilën e ka realizuar pak para ngjitjes në skenë dhe ku shihet duke e bërë simbolin e shqiponjës.
Epo, nuk është e vështirë të ja marrësh zemrën publikut të cilat duket se tashmë vetëm ta kanë dhuruar. / KultPlus.com
Mbrëmë, festivali më i madh në vend, “Sunny Hill” ka futur rrënjët në qytetin e Prishtinës. Më shumë se 25 mijë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës kanë pushtuar ambientin në Parkun Gërmia. E krejt kjo për të dëgjuar, shikuar e admiruar secilin artist që ka shkelur skenën me një qëllim të vetëm, e ajo është rrëmbimi i zemrave të gjithsecilit në publik, shkruan KultPlus.
Nuk është dashur shumë kohë që mesdita të jetë koha kur publiku të krijojë radhë të gjata për të hyrë brenda. E as për të zënë vendin e tyre aty mu afër skenës, në një pozicion të favorshëm për të qenë sa më afër këngëtarëve të tyre të preferuar. Një rrugë e gjatë dhe e ngushtë është shndërruar mbrëmë në një “oqean” që e kanë parë veç artistët mbi skenë, e kjo si pasojë e një tubimi që fundi nuk i shihej aspak.
Ylli i botës, Dua Lipa, ishte artistja që ka kryesuar natën e parë të festivalit. Me një veshje elegante, sharmi i saj u dallua qysh kur këmba e saj preki skenën. Ndërsa, brohoritjet lakoheshin në vazhdimësi pa ndalë, ajo nisi interpretimin me këngën “Physical”, një performancë që i la pa fjalë të gjithë. E njashtu ishin edhe gjithë interpretimet e tjera që kanë dalë përtej imagjinatës të çdo kujt.
Duke nisur qysh nga skena që këtë vit është në një avancim të shtuar, reflektorët që posaçëm kanë ndërruar formë e ngjyrë sipas agjendës, koreografia e suksesshme e Lipës në përputhje me valltarët e tjerë si dhe prezenca e saj skenike, ka bërë që pritshmëritë e audiencës të tejkalohen krejt lehtazi.
Nga kënga në këngë e nga çasti në çast, performanca e saj magjike ka krijuar një atmosferë që ka ndezur shpirtrat e pranishëm. Kjo dallohej më së miri edhe atëherë kur ndërveprimet e Lipës me publikun mirëkuptoheshin në sekondë.
“Është një ëndërr shumë e madhe për mua për të qenë këtu sonte e për tu munduar që të krijoj një festival kështu me familjen time, me shokët e mi dhe krejt këta njerëz që janë këtu në skenë me mua. Faleminderit shumë që e bëtë këtë natë kaq speciale për mua. Faleminderit edhe gjithë atyre që kanë ardhur në Prishtinën e bukur, për të përjetuar artin, muzikën, kulturën, kreativitetin, energjinë. Kjo do të thotë bota për mua”, ka thënë Lipa pak para se kënga “Be the one” të gjente fillimin.
Në këtë natë nuk kanë munguar as disa nga hitet më të njohura të Lipës, përfshirë këtu edhe disa nga këngët e albumit të saj të fundit “Future Nostalgia”, album ky që mbrëmë ka shfaqur sensualitetin, bukurinë dhe veçantinë e Lipës. Ajo kokë e këmbë ka dhënë shpirtin e saj, ndërsa publiku ia kthyer me të njëjtën mënyrë.
Nata e parë e “Sunny Hill” ka sjellë edhe artistë të tjerë që publiku shqiptar, dhe jo vetëm, i do aq shumë. Ishin: Galoski, Sahati, Art Lokaj&Eros, Jimpong&Friends, Sancet, grupi kosovar “SYTË”, Kida, Yll Limani si dhe Elvana Gjata.
Secili nga këta artistë ka krijuar mbrëmë një atmosferë që jehoi përtej Parku Gërmia. Zërat e tyre diversiv, stili i tyre aq unik si dhe ngrohtësia që përçuan ata në publik është thjesht “jashtë” kësaj bote. Në qoftë se shikoje lart atëherë do të vërehej dukshëm mungesa e prezencës së yjeve, kjo për shkak se “yjet” e vërtetë kishin zbritur mbrëmë mbi skenë.
Ndërkaq, sonte duke filluar nga ora 14:00 në skenë do të ngjitën artistët si: Jimpong&Friends, Edon, Yon Idy, “ZWADA”, La Fazani, Emir Taha, Onat, Cozman, Ghetto Geasy, Azet & Zuna, Dhurata Dora, Mahmood dhe J Balvin është këngëtari që do kryesojë natën e dytë të “Sunny Hill Festival”. / KultPlus.com
Sot është mbajtur konferenca për media e SunnyHill Festival, ku është diskutuar mes tjerash numri i vizitorëve, mesazhi i Dua Lipës dhe shumëçka tjetër, shkruan KultPlus.
Në një sallë të mbushur, hyrja e Dua Lipës u përcoll me shumë dashuri nga i gjithë publiku dhe të gjithë po e shikonin me ngazëllim atë.
Dukagjin Lipa, falënderoi të gjithë për mbështetjen dhe përkrahjen, pa të cilën edhe nuk do të mund të organizohej ky festival.
“Ju falënderoj për përkrahjen e juaj, pa të cilën nuk do mund ta organizonim gjithë këtë festival. E falënderoj Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e gjithëve që keni ardhur këtu. Siç e dimë në të gjithë botën e patëm një ndalesë të madhe, atë të COVID-19, por pas dy viteve tani po organizojmë festivalin më të madh në rajon, organizojmë festival në vendin ku e gjithë bota nuk e pret. Organizojmë në një vend që ka pasur trazira të shumta dhe vazhdon me pas trazira të tilla. Me vite me dekada e gjenerata, na kanë përcjellur probleme pak me fajin e fqinjëve, pak me fajin tonë por ne po ia dalim që të mbështetemi në gjërat pozitive”, thotë Dukagjin Lipa mes tjerash.
Ndërkaq, Dua Lipa u shpreh shumë e lumtur për këtë festival dhe ndjehet shumë krenare të performojë në vendlindjen e saj.
“Faleminderit për suportin, për ndihmën dhe dashurinë që po na jepni çdo ditë që ne ta bëjmë një festival të tillë. Ndihem shumë krenare që jam këtu, që kam mundësi me e sjell performancën. Kemi me u kënaq shumë sonte. Faleminderit shumë, po ndihem shumë mirë që në shtëpinë dhe vendin time me e bë një gjë të tillë”, tha këngëtarja me famë botërore.
Në anën tjetër, Përparim Rama falënderoi nga zemra Dua Lipën për dashurinë e saj ndaj Kosovës.
“Përmes këtij festivali do të promovohen edhe shumë të rinj të tjerë. Ne si kryqytet do të bëjmë çmos që të ndihmojmë gjithë këtë proces. Kam kënaqësinë e madhe që të njoftoj se kemi vizitu zonën e re, e cila në fakt është e vjetër, dhe është mbetur mbrapa me dekada të tana. Tani do të aktivizohet si rezultat i Sunny Hill Foundation. Kemi qenë aty me Dugin dhe kemi bisedu që t’i transformojmë disa pjesë, ku Sunny Hill do ta ketë mundësinë që të trajtojë një numër të madh të talentëve të rinj, sikurse në produksion, në këndim, në scrap-writing e shumë gjëra të tjera. Ajo pjesë do të jetë për talentët tanë, e me eksperta botërorë të kenë qasje të drejtpërdrejt në zhvillimin e talentit të tyre”.
Në mesin e shumë mediave të huaja dhe vendore në dhomën e konferencës, në një pyetje nga gazetarët, Dukagjin Lipa vazhdoi të insistojë se i gjithë SunnyHill Festival synon që të promovojë talentët e rinj.
“Derisa ne po mundohemi që të bëjmë çdo gjë që të sjellim evente kulturore në gjithë vendin, ne kemi një numër të madh të njerëzish në Kosovë që nuk e kanë të mundur udhëtimin jashtë, pa viza. Po fillojmë nga sot edhe kampanjën tonë për liberalizimin e vizave, që do ta promovojmë në atë nivel që të jetë një trend global. Do ta shihni sapo të jeni aty”.
E pyetur nga gazetarët se si ndjehet për faktin që ajo idollizohet nga shumë të rinj në Kosovë dhe vetë presidentja Vjosa Osmani.
“Jam shumë e lumtur me njerëzit në vendin tim. Ndjehem jashtëzakonisht e emocionuar dhe shumë e privilgjuar për këtë fakt”.
Performanca e sotme, veshje speciale për Dua Lipën
Lipa njoftoi se për këtë mbrëmje do të ketë një veshje speciale, derisa paraqitja e saj pritet që të përcillet me shumë dashuri nga i gjithë publiku.
“Ndjenjë shumë e mirë me ardhë me përformu në Prishtinë. Mezi po pres me i ndje emocionet përpara se me dalë në skenë”.
Më shumë se 25 mijë vizitorë
Dukagjin Lipa tregoi se në këtë festival pritet që të ketë më shumë se 20 mijë pjesëmarrës nga vende të ndryshme, përpos qytetarëve të Kosovës.
“Kemi planifikuar që të mbahet fillimisht në lokacionin e parë me 40 mijë pjesëmarrës, por tani mund të konfirmoj, jo saktësisht me shifra, por ky do të jetë edicioni më i madh i Sunny Hill ndonjëherë, me line-upin më të mirë”.
Mesazhi i Dua Lipës për rininë e Kosovës
“Dua që të them se sado që të jetë e madhe ëndrra e juaj, ju mund të realizoni atë në qoftë se përkushtoheni për të. E besoj fuqishëm këtë. Mendoj që mundësitë tona mund të arrihen në të gjithë botën. Dhe shpresoj që së shpejti të kemi edhe liberalizimin e vizave që të vazhdojmë edhe më tutje në Evropë. Vazhdoni të ëndërroni, gjithçka është e mundur, unë jam këtu të ju mbështes në çfarëdo forme”.
SunnyHill Festival veçse ka filluar, derisa performanca e Dua Lipës në Parkun e Gërmisë pritet që të fillojë pas mesnate. /KultPlus.com
Sot në Prishtinë do të fillojë festivali ‘Sunny Hill Festival’, shkruan KultPlus.
E para fillimit të festivalit, këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa e cila është edhe organizatore e këtij festivali, ka mbajtur një konferencë për media.
E në këtë konferencë i pranishëm edhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama.
Me këtë rast, Përparim Rama i dhuroi Dua Lipës simbolin e qytetit të Prishtinës ‘Hyjneshën në Fron’./KultPlus.com
Sot në Prishtinë do të fillojë festivali ‘Sunny Hill Festival’, shkruan KultPlus.
E para fillimit të festivalit, këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa e cila është edhe organizatore e këtij festivali, ka mbajtur një konferencë për media.
E në këtë konferencë i pranishëm edhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama.
Me këtë rast, Komuna e Prishtinës dhe ‘Sunny Hill Foundation’ kanë nënshkruar një marëveshje bashkëpunimi./ KultPlus.com
Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa mbrëmë ka arritur në Prishtinë pasi sonte do të ngjitet në skenën e festivalit “Sunny Hill” që do të mbahet në Parkun e Gërmisë më datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht, shkruan KultPlus.
Lipa sot ka publikuar një foto nga Gërmia ku ka shkruar: Kontrolli i zërit në mëngjes, mezi po pres natën e sotme, nata 1 nga 4, Sunny Hill Festival.
Gjatë këtyre katër ditëve sa zgjat festivali, në skenë do të ngjiten emra të njohur botëror dhe vendor si: J Balvin, Diplo dhe Skepta, Yll Limani, Kida, Ledri, Elvana Gjata, e shumë emra të tjerë.
Lipa gjithashtu sot do të mbajë një konferencë për media, duke filluar nga ora 14:00 ne hotel Emerald. / KultPlus.com
Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa ka arritur në Prishtinë dhe si duket menjëherë është drejtuar drejt parkut të Gërmisë për të parë nga afër përgatitjet e fundit dhe skenën ku do të ngjitet nesër, shkruan KultPlus.
Lipa ka publikuar një foto nga Gërmia ku ka shkruar: Ja ku jam.
Kujtojmë se Dua Lipa do të performojë në natën e parë të festivalit Sunny Hill i cili do të mbahet në Parkun e Gërmisë më datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht.
Lipa gjithashtu nesër do të mbajë një konferencë për media, duke filluar nga ora 14:00 ne hotel Emerald. / KultPlus.com
Nesër në Prishtinë do të fillojë Sunny Hill Festival, ku do të performojnë këngëtarë e Dj të njohur botërorë, përcjell KultPlus.
Pak para mbërritjes në Prishtinë, këngëtari kolumbian, J Balvin vjen me video-mesazh për publikun e këtij festivali.
“Hey Prishtina, unë jam J Balvin, do të shihemi shumë shpejt në Sunny Hill Festival. Do të kënaqemi shumë, ju s’jeni gati. Shihemi atje”, ka thënë këngëtari me famë botërore.
Përveç J Balvin në këtë festival do të performojnë edhe Dua Lipa, Skepta, Diplo, Azet e shumë këngëtarë të tjerë të njohur./ KultPlus.com
Dua Lipa bëri një deklaratë të enjten pas incidentit që ndodhi në koncertin e saj në Scotibank Arena në Toronto, ku kishte disa të lënduar nga fishekzjarret.
Artistja shqiptare me famë ndërkombëtare në një postim në InstaStory bëri të qartë se ishte e tronditur në lidhje me ngjarjen që ndodhi.
Ajo ishte duke përfunduar shfaqjen e saj në Scotiabank Arena, kur fishekzjarret filluan të shpërthejnë brenda vendit të koncertit pak para orës 23:45.
“Mbrëmë fishekzjarrë të paautorizuara shpërthyen në turmë gjatë koncertit tim në Toronto”, tha interpretuesja e “Cold Heart”.
“Krijimi i një hapësire të sigurt dhe gjithëpërfshirëse në shfaqjet e mia është gjithmonë prioriteti im i parë, dhe ekipi im dhe unë jemi po aq të tronditur dhe të hutuar nga kjo ngjarje sa të gjithë ju”.
“Do të bëhet një hetim në vazhdim dhe po punohet për të zbuluar se si ndodhi incidenti”, vazhdoi ajo.
“Më vjen keq shumë për këdo që ishte i frikësuar, ndihej i pasigurt ose që shijimi i shfaqjes u ndikua në ndonjë mënyrë”.
“Me shumë dashuri”, përfundoi shkrimin 26-vjeçarja.
Cindy Chung, një oficer i marrëdhënieve me median me Shërbimin Policor të Torontos, i tha People se tre pjesëmarrës të koncertit u trajtuan pasi pësuan ‘lëndime të lehta’.
Një pjesëmarrës i koncertit foli gjithashtu për median dhe vuri në dukje se shumë pjesëmarrës të tjerë me siguri nuk ishin të vetëdijshëm se shfaqja e improvizuar e fishekzjarreve ishte e paplanifikuar. / KultPlus.com
Edhe këtë vit do të mbahet evenimenti MTV Video Music Awards pranë adhuruesve në kushte normale, transmeton KultPlus.
Dua Lipa është përfshirë sërish në listat e MTV Video Music Awards dhe këtë vit është një nga artistet më të nominuara në disa nga kategoritë më të rëndësishme. Artistja me origjinë shqiptare është e nominuar në kategorinë: “SONG OF THE YEAR”- me këngën Cold Heart, “BEST COLLABORATION” – me këngën Cold Heart, “BEST COLLABORATION” – me këngën Sweetest Pie, “BEST ART DIRECTION” – me këngën Sweetest Pie, “BEST VISUAL EFFECTS” – me këngën Sweetest Pie.
Ndërkohë listën e nominimeve e kryesojnë Jack Harlow, Kendrick Lamar dhe Lil Nas X me shtatë nominime secili.
Ju mund të votoni KËTU. Votimi mbyllet të premten, më 19 gusht 2022. Të nominuarit në kategoritë sociale, duke përfshirë “Grupin e Vitit” dhe “Këngën e Verës”, do të shpallen në një datë të mëvonshme. / KultPlus.com