Duaje

Poezi nga Ilire Zajmi

Duaje trupin tënd grua
është kryevepër arti
që nuk shitet në asnjë ankand të botës
është liria jote e fituar përgjakshëm në fushëbeteja
lufta e paqja e maskuar
burgu yt i përjetshëm
pasion i egër ëndërr burrash e shpupluar
bukuri e latuar Zotash lakmitarë
mallkim varrë dhimbje e plagë.

Grua moj, duaje fort trupin tënd
të bardhë, të zi, të butë, të vrazhdë, të lëmuar
të fortë, të brishtë, të lodhur, të pushuar.

Trupin tënd duaje fort o grua
është vula jote, identiteti yt
libër dëshirash.

Mbaje mend Grua,
Trupi është dashnori yt i parë dhe i fundit. / KultPlus.com