Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci, ka njoftuar se 7 mijë nxënës do të marrin pjesë në testin PISA.
Në një konferencë për media, Popovci tha se është përzgjedhur mostra prej 237 shkollave, dhe se për këtë test tashmë kanë filluar përgatitjet nëpër komuna.
“Jemi të përgatitur për t’iu nënshtruar këtij testi. Është përzgjedhur mostra prej 237 shkollave, disa janë të mesme të larta disa të mesme të ulëta, sepse këtu shkojnë nxënës 15 vjeçarë. Janë përzgjedhur 7 mijë nxënës që do të marrin pjesë në testin PISA”.
“Ky test tashmë ka filluar përgatitjet nëpër komuna për zhvillimin e testit. Këta 7 mijë nxënës të njihen me mënyrën e kryerjes së testit, pra të mësohen me pyetjet që jepen përmes kompjuterit gjatë javëve në vijim. Koordinatorët e testit PISA në nivel të komunave dhe në nivel të shkollave do të punojnë secili me nxënësit e vetë”.
“Diku prej datës 25 prill deri më 20 maj do të mbahet testi sipas një orari të përcaktuar. Duhet të shkohet në dhoma ku ka numër të mjaftueshëm të kompjuterëve që janë të lidhur me internet përmes të cilëve, nxënësit do t’i nënshtrohen këtij testi. Rezultatet pritet të dalin në dhjetorin e vitit 2023”, tha Popovci, transmeton Klankosova./ KultPlus.com