Bëhet promovimi i monografisë ‘Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën’

Të enjten, në Shtëpinë Botuese ‘Dukagjini’  u bë promovimi i librit monografik kushtuar jetës dhe veprës së Gazmend Zajmi të shkruar nga Nuhi Bytyçi, shkruan KultPlus.

Veprimtaria e kontributi i akademikut Gazmend Zajmi është përmbledhur nëmonografinë “Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën” me autor gazetarin veteran e dokumentaristin, Nuhi Bytyçi. Aty përfshihet jeta e kontributi arsimor, politik, shkencor, kulturor dhe jo vetëm.

Para publikut që kishte mbushur plot hapësirën në të cilën bëhej promovimi, i pari fjalën e mori profesori, Arsim Bajami, i cili po ashtu është edhe redaktor i kësaj monografie.

“Jam i nderuar që mund të them disa fjalë në cilësinë e redaktorit të librit të autorit Nuhi Bytyqi e cila tërësisht i dedikohet jetës dhe veprës së Gazmend Zajmit. Dua të përgëzoj autorin për këtë kontribut të jashtëzakonshëm. Të flasësh për Gazmend Zajmin është sikur të folësh për një figurë poliendrike, një kolos dhe një erodit të shkencave juridike dhe politike. Gazmend Zajmi është një figurë shumë dimensionale dhe që mund të shikohet nga shumë këndvështrim”, u shpreh Bajrami.

Për të folur rreth këtij libri që flet për jetën dhe veprën e Gazmend Zajmi,i pranishëm ishte edhe profesori dhe akademiku, Ksenofon Krisafi i cili shprehet i lumtur për prezencën e tij në këtë promovim.

“Kur kolegu dhe miku im, akademik Arsim Bajrami më propozoi që të isha pjesë e këtij auditori për të folur për monografinë e Nuhi Bytyqit kushtuar një kolosi të doktrinave juridike politike e shkencore në përgjithësi siç është Gazmend Zajmim dhe mund të them me sinqeritet që jam shumë i privilegjuar që jam këtu sot”, tha profesor Krisafi.

I pranishëm në këtë monografi ishte edhe profesori, Agim Zogaj, i cili ndau me të pranishmit edhe momente nga takimet e tyre të përbashkëta.

‘Është kënaqësi që të jesh në një auditor të tillë siç është ky sot këtu. Është kënaqësi që sonte i përmendim kujtimet tona përmes kësaj monografie për një nga eroditët më të mëdhenj të fushës intelektuale që Kosova ka pasur”, tha Zogaj, i cili në vijim u shpreh se përveç si një figurë shumë-dimensionale, Gazmend Zajmi është një figurë i cili mori pjesë dhe dha vulë në shumë momente të rëndësishme historike të vendit tonë.

E krejt në fund, fjalën e mori vetë autori i librit, Nuhi Bytyçi, i cili fillimisht falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij libri monografik.

“Së pari dua  të falënderoj familjen Zajmi, të cilët kanë kontribuar shumë që të kem në dispozicion të gjitha materialet, të gjitha dokumentet të cilat janë përfshirë në këtë monografi. Është përgjegjësi e madhe për çdo njeri e sidomos për mua në këtë rast që të marr këtë barrë shumë të madhe për të përgatitur dhe pasqyruar jetën dhe veprimtarinë shumë dimensionale dhe të rrallë  të Gazmend Zajmit”, u shpreh autori Bytyçi./KultPlus.com

Promovohet libri biografik për Fan Nolin ‘Apostulli’, nga autori Ilir Ikonomi

Në ambientet e Librarisë Dukagjini, promovohet libri “Apostulli” i autorit Ilir Ikonomi, shkruan KultPlus.

Libri ‘Apostulli’ është vëllimi i parë i një biografie për Fan Nolin.

Promovimi i librit bëhet të mërkuren, më 22 nëntor ora 18:00/ KultPlus.com

Nesër promovohet romani “Shpellat” në Librarinë Dukagjini

Nesër në Librarinë Dukagjini promovohet romani “Shpellat” i autores R. C. Anaider.

Ky roman është një rrëfim distopik për shpellat tona njerëzore dhe vjen si një udhëtim imagjinar në një botë të konceptuar në trajtën e shpellave, të cilat nuk janë aspak të zakonshme apo konvencionale. Aty përplasen konceptet e dritës dhe errësirës, lirisë dhe izolimit, dashurisë dhe urrejtjes, familjes dhe vetmisë, lumturisë dhe fatkeqësisë.

Shpellat grupohen në bashkësi të ndryshme shpellare. Ka shpella mbi oqean, siç ka edhe shpella nën oqean, ka edhe shpella mbi ajër… Në bashkësinë e madhe shpellare nuk ekziston asnjë shtet, qytet, apo fshat konkret.

Personazhi kryesor i romanit, Silueta C, është një vajzë jetime, e cila pasi arratiset nga jetimorja përballet me një jetesë tejet të vështirë në një bodrum të rrënuar, në një cep të largët të “Shpellës së Humbur”. Në kërkim të vazhdueshëm të një shpelle që mund ta konsideronte si shtëpinë e saj të munguar, Silueta C ndjek fatin, që do ta çojë atë nga njëra shpellë tek tjetra, duke udhëtuar kështu nëpër shtigje dhe dimensione të paparashikueshme, ku fantazia i tejkalon kufijtë.

Ngjarja fillon nga ora 18:00. / KultPlus.com

Buxhovi kthehet me dyqind libra në shkollën ku i ati i tij shpërndau gjitha abetaret që kishte për nxënësit

Historiani Jusuf Buxhovi sot është kthyer në shkollën ku i ati i tij shpërndau gjitha abetaret që kishte për nxënësit, me c’rast ishin gjithsej dhjetë abetare të cilat mjaftuan për udhën e shkronjave në atë pjesë të Dukagjinit nëpër të cilën kanë kaluar gjenerata e gjenerata drejtë dijës, përcjell KultPlus.

NË JUNIK – NGA ABETARJA DERI TE LIBRI LETRAR…

Veprimtaria e vetaranit të arsimit, tim Atë, Aziz Buxhovi, normalist i Elbasanit, nga viti 1946 , pas Drenicës, në vitin 1949-1950, vazhdoi në Junik. Ishte ndër mësuesit e parë të shkollës së sapohapur fillore. Asokohe, me vete solli dhjetë abetare për tridhjetë nxënësit. Aq kishte. Po, edhe aqë mjaftuan për udhën e shkronjave në këtë pjesë të Dukagjinit nëpër të cilën kaluan gjenerata e gjenerata drejtë dijës.

Shtatë dekada më vonë, aty ku im atë shpërndau abetarët e para, ktheva me dyqind libra, të shumtën vepra të mia letrare dhe historiografike, dhuratë nxënësve dhe arsimtarëve të kësaj shkolle, po edhe lexuesve të bibliotekës “Din Mehmeti”.

Natyrisht, tradita vazhdon – nga abetarja te veprar letrare…“, shkruan Buxhvoi në rrjetet sociale. / KultPlus.com

“Anima”, kolana më e re e shtëpisë botuese “Dukagjini”

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur me kolanën më të re të librave letrarë, të quajtur “Anima”. Pas dy kolanave të mëhershme, me libra eseistikë, filozofikë, historikë dhe atyre nga letërsia shqipe etj., kjo shtëpi botuese nis këtë kolanë të re që është një ekskurs nëpër autorët dhe veprat më të njohura të letërsisë botërore, përcjell KultPlus.

Me një koncept editorial të mirëmenduar, me përzgjedhjen e autorëve dhe përkthyesve, po ashtu me kujdesin e veçantë të redaksisë së “Dukagjinit” synon qendërzimin e vëmendjes së lexuesit në letërsinë e mirëfilltë botërore.

Kolana nis me librin “Sonata e Krojcerit” të Lev Tolstoit, të përkthyer nga shkrimtari, profesori dhe përkthyesi Agron Tufa. Ky libër, i autorit klasik rus, trajton një ndër çështjet më fundamentale shoqërore, atë të martesës, problemeve që e shoqërojnë atë dhe luhatjen e individit mes dashurisë, xhelozisë, urrejtjes. Novela shoqërohet me një parathënie, që shpjegon ambientin kontekstual në të cilën u ngjiz ajo, ndërsa pasthënia, e shkruar nga vetë Tolstoi, përveç rrethanave të krijimit të novelës, shpërfaq idetë, mjaft aktuale, të autorit rreth problemeve shoqërore që prekin dhe ndikojnë institucionin e martesës.

Libri i dytë i kolanës është romani “Zhdukja e mistershme e markezes së re De Loria”, i shkrimtarit José Donoso. Donoso, pjesë e bumit latino-amerikan, thuajse i panjohur për publikun shqiptar, i prezantohet këtij të fundit, me një libër që, përveçse trajton dëshirat më intime të qenies njerëzore, lartëson erotiken në nivelin artistik. I përkthyer nga përkthyesi i mirënjohur Bajram Karabolli, ky libër është ftesë jo vetëm për një shkrimtar tepër të rëndësishëm, por të panjohur për lexuesin shqiptar, por edhe për thellimin e tij në kulturën latino-amerikane.

“Ledi Makbeth nga guberna e Mcenskut” i Nikolai Leskovit, trajton “dashurinë fatale” dhe fundin tragjik të heroinës së kësaj novele. Nisur prej titullit, trajtimit të personazheve dhe fundit tragjik, novela krijon lidhje intertekstuale me veprën e Shekspirit. Leskov, i konsideruar si një ndër autorët më të vështirë për t’u përkthyer, për shkak të një gjuhe idiomatike, i vjen lexuesit shqiptar, për herë të parë, me një përkthim të mrekullueshëm nga Agron Tufa.

“Mjegull” nga Miguel de Unamuno, është një ndër librat më të mirë të këtij autori që solli ndryshime të mëdha në letërsinë botërore, qoftë për nga trajtimi tematik, qoftë për nga risitë narratologjike. Personazhi i Unamunos gjendet gjithnjë në zgrip, duke u luhatur mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, mes reales dhe irreales, të vërtetës dhe të pavërtetës etj., dhe përmes këtij rrëfimi, autori trajton problemin më të madh të qenies njerëzore, dyshimin në ekzistencën e vet. Mendoj, prandaj jam apo jam, prandaj mendoj, fraza dekartiane bëhet lajtmotiv i këtij romani, që përveç lojës narratologjike dhe diskursit filozofik, shoqërohet fund e krye me një sentimentalizëm që rrjedh nga naiviteti i personazhit kryesor, Augusto Perezit. Libri është përkthyer nga Orjela Stafasani.

“Anima” është një ftesë, jo për një tip lexuesi në veçanti, por për lexuesin në përgjithësi, për atë që tërhiqet nga e bukura, duke na kujtuar se është gjithnjë koha e duhur për t’u kthyer kah arti dhe kah vlerat e vërteta letrare. / KultPlus.com