Nga Raymond Carver
Tani që do rrish larg pesë ditë,
do tymos gjithë cigaret që m’i do qejfi,
aty ku ma do qejfi. Do gatuaj biskota dhe do i ha
me reçel e proshutë të dhjamosur. Do ngarritem. Do ia bëj
qejfin vetes. Do shëtis në plazh nëse do ma ketë
ënda. Fillikat, nëse do ma ketë ënda, e
duke menduar për kohën kur isha i ri. Pastaj
për njerëzit që më deshën tej mase.
Dhe sa i desha unë më shumë se të tjerët.
Përveç dikujt. Po them se do bëj gjithçka
që ma do qejfi sakaq që je larg!
Ama veç diçka nuk do bëj.
Nuk do fle pa ty në shtratin tonë të përbashkët.
Jo. Nuk më pëlqen ta bëj.
Do fle aty ku dreqin të ma ketë ënda –
atje ku fle më mirë kur ti je larg
dhe ku s’mund të të shtrëngoj siç bëj unë:
mbi divanin e shembur të dhomës sime të punës.
Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com