Asistenti i Universitetit të Prishtinës, Durim Abdullahu ka ndarë disa fotografi mjaft interesante me rastin e 52 vjetorit të Universitetit të Prishtinës, përcjell KultPlus.
Në Dekretin për shpalljen e ligjës për themelimin e Universitetit të Prishtinës, të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969, neni 3 thoshte “Universiteti në Prishtinë do të fillojë punën jo më vonë se më 15 shkurt 1970.”
“Më 15 shkurt 1970, duke nisur nga ora 10:00, Kuvendi Krahinor i Kosovës mbajti mbledhjen solemne të themelimit të Universitetit të Prishtinës”, ka shkruar Abdullahu në rrjetet sociale.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:
52 vjetori i Universitetit të Prishtinës
Më 13 shkurt 1970, u mblodh Kuvendi i Parë i Universitetit të Prishtinës, ku u zgjodhën organet drejtuese: rektori, prorektorët dhe 29 anëtarët e Pleqësisë. Rektor u zgjodh Dervish Rozhaja, kurse prorektorë: Bozhidar Jovanoviq dhe Minir Dushi. Rektori dhe prorektorët ishin automatikisht edhe anëtarë të Pleqësisë. Dy ditë më pas, Universiteti i Prishtinës do të themelohej edhe solemnisht.
Më 15 shkurt 1970, duke nisur nga ora 10:00, Kuvendi Krahinor i Kosovës mbajti mbledhjen solemne të themelimit të Universitetit të Prishtinës. Në foltoren me tetë mikrofona, u mbajtën 13 fjalime, ndër të cilët nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Dervish Rozhaja, Rektori i Universitetit të Beogradit, Dragisha Ivanoviq, Rektori i Universitetit të Lublanës, Roman Modiq, Rektori i Universitetit të Zagrebit, Ivan Supek, Rektori i Universitetit të Sarejevës, Hamdija Çemerniq, Rektori i Universitetit të Shkupit, Kiril Penushlinski etj.
Në Dekretin për shpalljen e ligjës për themelimin e Universitetit të Prishtinës, të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969, neni 3 thoshte “Universiteti në Prishtinë do të fillojë punën jo më vonë se më 15 shkurt 1970”. Të nesërmen, gazeta Rilindja kishte për titull në ballinë: “Universiteti në Prishtinë do të japë dritë, shkencë e kulturë”. / KultPlus.com