‘Familja’ nga Durim Kryeziu fiton mbështetje nga Just Film Works in Progress në Tallinn

Just Film Works in Progress në Black Nights Film Festival i jep çmimin filmit debutan ‘Familja’ me skenar dhe regji nga Durim Kryeziu dhe me producent Bardhyl Bejtullahun, përcjellë KultPlus.

“Familja” përcjellë Lonën, një vajzë 16 vjeçare e rritur në një familje tradicionale, e cila vendos ta ndjek pasionin e ri të saj për muzikën rok. Filmi i trajton raportet kontradiktore familjare mes tradicionales dhe bashkëkohores.

Drejtor i fotografisë: Isak Duraku, Skenograf: Zeni Ballazhi, Kostumografe: Natyra Simnica, Grimi: Pranvera Metolli, Kompozitor: Leonard Canhasi, Zëri: Labinot Sponca, Producent i terenit: Butrint Lumi, Organizator: Arben Bajgora.

Rrolet i luajnë: Eli Gashi, Hazir Sh. Haziri, Arbnesha Nixha, Xhevat Qorraj, Elvir Tahiri, Lum Veseli, Lulzim Guhelli, Luan Daka, Avdi Gervalla, Labinot Lajçi, Urim Canhasi, Ideal Nrecaj, Rron Ukimeraj, Vjollcë Osmani.

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike “2B studio”, dhe është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe sponzoret: Meridian, Petrol Company, Gegnia Film, Furra “Qerimi”, Kompania “Loti”, Ujë Pika.

Linku zyrtar i lajmit:

https://industry.poff.ee/award-winners-of-just-film-works-in-progress-and-script-pool-tv-revealed/

Kategoria kombëtare forcon konkurrencën në Festivalin e Filmit – DokuFest

Sarandë Selimi

E katërta ditë e festivalit DokuFest, pos projeksioneve të shumë dokumentarëve e filmave të shkurtër, në orët e mbrëmjes solli edhe katër filma të metrazhit të shkurtër të kategorisë kombëtare. Në këtë natë erdhën gjithsej 4 filma: ‘Fatalist’ – regjia Edin Alija, ‘Lulet Plastike’ me regji të Ylljet Aliçka , ‘Bon Appetit’ me regji nga Erenik Beqiri dhe ‘Meeting’ me regji të Durim Kryeziut.

‘Fatalist’ filmi që flet për fatin
‘Fatalist’, është filmi 12 minutësh me regji nga Edin Alija. Ky film edhe pse studentor, bëri publikun kureshtar me ngjarjen që u zhvillua brenda pak minutash nga pesë personazhe sa kishte filmi. ‘Fatalist’, ashtu si tregoi vetë regjisori Alija, është i bazuar në përvojat e tij që ka pasur me njerëzit që rrinë nëpër vendet ku pihet alkooli dhe të cilët flasin për gjëra të ndryshme. Kësisoj këtë përjetim regjisori e ka kombinuar me librat e Dostojevskit.
“Mesazhi i këtij filmi nuk është ndjenjë por është ide filozofike e parapërcaktimit. Filmi nuk imponon asnjë ide, vetëm e detyron audiencën të bëjë disa pyetje në lidhje me veten dhe rrethanat ku jetojnë ata. Filmin e kam xhiruar për një natë, me buxhet të vogël, por e mira ka qenë se ekipi ishte shumë entuziast dhe kemi punuar me shpirt”, tha për KultPlus Edini, njëherësh student i regjisorit Ismet Sijarina.
“Qysh sezonin e parë unë kam përcjellë filma në Dokufest, dhe aty jam dashuruar me filmin dhe pas disa vitesh po vij në Dokufest me filmin tim, është ndjenjë e jashtëzakonshme”, pohoi regjisori i ri, filmi i të cilit ka udhëtuar edhe në 16 festivale të tjera.
Në ‘Fatalist’ luajnë Xhevdet Doda, Labinot Lajqi, Ylber Bardhi, Basri Shala dhe Agim Sylejmani.

‘Lulet plastike’, dhe çifti i lezetshëm
‘Lulet plastike’, është filmi 28 minutësh i regjisorit Ylljet Aliçka. Ky film sjellë një histori të dhimbshme të një çifti në moshë, dy personazhe që jetojnë në një fshat të Shqipërisë. Ata thirren në një dasmë në kryeqytet, dhe dëshira e tyre për të qenë pjesë e asaj dasme, për të blerë dhuratën më të shtrenjtë në dyqanin e fshatit, për tu zgjuar herët që mos të vonohen asnjë minutë, e bëri publikun herë të qeshë e herë të ndihet goxha keq.
Në fund, ironikisht, ata nuk priten aq mirë në atë dasmë dhe ‘Lulet e plastikës’, nuk ishin dhurata më e mirë për qiftin e ri.
Ky film vjen nëpërmjet aktorëve Robert Ndrenika, Suzana Prifti, Elia Zaharia dhe Gentian Hazizi.

‘Bon Appetit’, film që flet për kanibalizmin politik
‘Bon Appetit’, film fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare erdhi kësaj radhe edhe në DokuFest. Erenik Beqiri, regjisor i këtij filmi, sjellë një qasje tjetër për politikën e keqe në shtetin shqiptar. Çfarë është në gjendje të bëjë një njeri për pushtet tregohet më së miri në filmin e Erenikut, ku personazhi kryesor, në këtë rast Presidenti (Arben Bajraktaraj) ushqehet me kundërkandidatin e tij.
Me role në këtë film paraqiten aktorët Arben Bajraktaraj, Romir Zalla, Ema Andrea e aktorë tjerë.

‘Meeting’, filmi i fundit në natën e katërt të DokuFest
‘Meeting’, film ky me regji të Durim Kryeziut, paraqet jetën e një drejtori, i cili rrin gjatë gjithë kohës duke pirë me shokët e tij aq shumë sa që as dhëmbët e tij nuk di se ku i ka. Gjatë gjithë kohës filmi flet për disa dhëmbë artificial të humbur të një drejtori të ‘humbur’. Në këtë film luajnë: Hysen Binaku, Miradije Muriqi, Ramadan Kurti…
Këta ishin katër filmat e prezantuar mbrëmjen e së hënës në Doku Plato. Sonte vijnë edhe katër të tjerë të regjisorëve shqiptarë në Doku Plato, në kategorinë kombëtare./ KultPlus.com