Durrësi bën bashkë Kosovën dhe Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se Durrësi është qyteti që bën bashkë Kosovën dhe Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Në rrjete sociale, Çeku ka shkruar se sot është zyrtarizuar marrëveshja e bashkëpunimit mes dy shteteve tona për organizimin e sportit të lundrimit në këtë qytet. 

“Puna jonë e përbashkët është një nga hapat e këtij rrugëtimi, i cili do ta bëjë Kosovën vendin mirëpritës për sportistët e 26 shteteve nga 3 kontinentet e Mesdheut”, ka shkruar ministri Çeku./KultPlus.com

Rama: Galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës po rilind me një projekt inovativ

Në Durrës vijon puna për rikonstruksionin tërësor të Galerisë së Arteve Pamore “Nikolet Vasia”.

Kryeministri Edi Rama, ndau sot pamje nga punimet që po zhvillohen për rikonstruksionin e galerisë, teksa e cilëson projektin inovativ, që përmirëson cilësinë e kësaj galerie si nga ana teknike, dhe nga ajo funksionale, në shërbim të të gjithë artistëve dhe artdashësve durrsakë

“Galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës po rilind nga e para, me një projekt inovativ që synon të përmirësojë cilësinë e kësaj galerie si nga ana teknike dhe funksionale në shërbim të të gjithë artistëve dhe artdashësve durrsakë që do të bëhen pjesë e eventeve që do të zhvillohen aty”, shkruan Rama në postimin e tij në rrjetet sociale.Recently Spotted Asteroid Set for Near Miss With EarthKeep WatchingKeep Watching

Më herët, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako u shpreh se “pas rreth 50 ditësh kjo galeri do të mirëpresë në ambientet e saj moderne si artistët ashtu edhe artdashësit durrsakë në eventet e shumta që zhvillohen aty.”

Galeria e arteve pamore në Durrës që nga viti 2011 mban emrin e piktorit Nikolet Vasia, duke përjetësuar kështu një nga artistët me emër të Durrësit.

Nikolet Vasia la pas një sërë veprash kryesisht në pikturë, një cikël me disa mijëra skica të objekteve arkeologjike të Durrësit, si dhe disa punime mozaikësh në Durrës dhe në Krujë./tema/KultPlus.com

Elbasani dhe Durrësi në festë: Aktivitetet e nëntorit dhe magjia e fundvitit ndezin qytetet

Elbasani ka nisur festimet që për 80-vjetorin e Çlirimit të qytetit, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, Gledian Llatja.

Gjatë këtij muaji, qyteti do të mbushet me aktivitete, koncerte dhe ngjyra festive që do të zgjasin deri në fund të vitit. Zëdhënësja e këtij institucioni, Miranda Sadiku thotë për ATSH se atmosfera festive e ka përshkruar qytetin me simbolet kuqezi, duke krijuar një atmosferë ngazëlluese për të gjithë qytetarët.

28 Nëntori, Dita e Pavarësisë, do të jetë kulmi i festimeve, ku do të zhvillohen aktivitete speciale për fëmijët e kopshteve dhe shkollave të Elbasanit. Shumë nga ta do të performojnë në koncertet që do të organizohen në teatrin “Skampa” dhe Qendrën e Artit. Qendra e Artit, me koncerte dhe aktivitete për fëmijët, do të shërbejë si një pikë e veçantë e këtyre festimeve. Fëmijët, në këto aktivitete, do të ndajnë me qytetarët emocionet e tyre, duke kontribuar në atmosferën festive që do të mbizotërojë në qytet.

Përveç aktiviteteve edukative dhe kulturore, qyteti do të shndërrohet në një oaz dritash shumëngjyrëshe, simbol i pritjes së Vitit të Ri. Dritat e pemës së madhe që simbolizon festat e fundvitit  në qytet do të ndizen më 6 dhjetor, duke i dhënë Elbasanit një pamje të mrekullueshme dhe një atmosferë magjike. Pjesë e këtyre festimeve do të jenë gjithashtu  lodrat dhe shtëpiza të improvizuara pranë portës së kalasë, ku qytetarët do të mund të shijojnë aktivitete dhe produkte festive.

Në vazhdim të festimeve, koncertet festive do të vijojnë me aktivitete të ndryshme, për të kaluar një fundvit të paharrueshëm. Mbrëmjet Gala, si një traditë e qytetit, do të përmbyllin festimet, duke sjellë një atmosferë festive për të gjithë qytetarët dhe mysafirët e Elbasanit.

Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, theksoi se “festimet për këtë vit janë më të shumta dhe më të larmishme. Po krijojmë një atmosferë të ngrohtë, të gëzueshme dhe plot shpresë për të gjithë qytetarët, ku secili do të mund të shijojë aktivitete të veçanta dhe të kontribuojë në ruajtjen e traditave tona”.

Njëherësh, qyteti i Durrësit ka rezervuar një seri aktivitetesh në kuadrin e festave të nëntorit dhe atyre të fundvitit. Zëdhënësi i kësaj bashkie, Dorian Agolli thotë për ATSH se për kalendarin e këtyre ngjarjeve artistike është punuar prej kohësh, nga ideimi te projektimi dhe materializimi i secilit syresh prej tyre, ndërkohë që qëllimi është që të aktivitetet të jenë sa më gjithëpërfshirëse për të gjitha grupmoshat. Nga mbrëmë, në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës në orën 19:00 të pasdites nis koncerti festiv në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, që quhet “Këngët e vendit tim”. Me pjesëmarrje të gjerë të këngëtarëve dhe artistëve të njohur të këtij qyteti. Në javën e parë të dhjetorit, pra në datat 6-7-8 dhjetor në po të njëjtën qendër kulturore është parashikuar të jepet për publikun shfaqja “Anonimi i Venedikut”. Vepra trajton historinë e një çifti të divorcuar që ritakohen pas tetë vjetësh dhe bëjnë një udhëtim  në Venecia, duke rikujtuar kohët e kaluara ku zihen si gjithmonë, dashurohen si gjithmonë, por është personazhi kryesor i veprës, burri ai që e ka kërkuar këtë takim, sepse është duke vdekur.

Në datat 17-18-19 dhjetor, bashkia Durrës organizon Festivalin Kombëtar të Këngës për Fëmijë “Tingujt e Adriatikut”, me një repertor të pasur këngësh për festat, ndërkohë që do të jenë të ftuar edhe personazhe të njohura të sferës publike. Këto ditë pritet të ndizen edhe dritat e pemës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri në qendër të qytetit të Durrësit./atsh/KultPlus.com

‘E ardhmja hibride’, hapet edicioni i parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Durrës

Këtë fundjavë, në Durrës u çel edicioni i parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor me temë Inteligjenca artificiale: “E ardhmja hibride”. 

Kjo temë bëri bashkë 40 artistë nga 17 vende të ndryshme të botës. Artistët pjesëmarrës kanë prekur kufijtë mes reales dhe surreales në veprat e tyre që janë ekspozuar në disa prej institucioneve dhe hapësirave publike të qytetit, duke përfshirë monumentet e trashëgimisë kulturore.

“Është një risi për Durrësin dhe vendin pasi nuk ka pasur një bienale kushtuar artit bashkëkohor. Patjetër që duhet të kthehet në një brand për qytetin për artin pamor dhe për ta kthyer atë në një hapësirë shumë të mirë promovimi për turizmin”, tha Oltsen Gripshi,  Kurator i Bienales.

Në ceremoninë e hapjes, u ndanë disa çmime të rëndësishme, përfshirë Çmimin për Pavionin më të Mirë të Bienales që shkoi për pavionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  Çmimin Special për Artistin e Ri që e mori Lai Junjie nga Kina, si dhe atë të karrierës për skulptorin shqiptar Sadik Spahija.

“Është sukses kjo bienale duke parë artistët pjesëmarrës që vijnë nga përvoja të rëndësishme dhe i bashkon shpirti. Inteligjenca artificiale padyshim qw do ta ndihmojë botën të bëhet më e mirë, por arti gjithnjë do të përfaqësojë, në bashkëpunim me të, një nga motivet bazë për zhvillimin e kulturës dhe njerëzimit“, tha Massimo Scaringella, kryetar i Jurisë.

Bienalja e Durrësit synon të kthehet në një event të qëndrueshëm duke i dhënë vlerë të shtuar dhe turizmit në Durrës. Punimet e saj do të vazhdojnë të ekspozohen deri më 24 nëntor./ Top Channel/ KultPlus.com

Në Durrës zbulohen varreza mesjetare

Një varrezë e periudhës mesjetare është zbuluar së fundmi në Forumin Bizantin të qytetit të Durrësit.

Ky zbulim erdhi nga ekspedita e katërt arkeologjike brenda dy viteve të fundit në këtë vend.

Dokumentimi i këtyre varreve, që datojnë nga periudha mesjetare, sjell informacione të reja, duke përmirësuar të dhënat e deritanishme që kanë qenë sporadike.

Gërmimet e fundit janë përqendruar në pjesën jug-lindore të Forumit Bizantin, me qëllimin për të mbledhur sa më shumë të dhëna mbi këtë monument historik.

Veliera turistike “Panorama” me turistë amerikanë viziton portin e Durrësit

Eksploruesja e ishujve grekë “Panorama” ka zgjedhur bregdetin shqiptar për tu ndalur këtë mëngjes.

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se “veliera turistike ka sjellë 40 turistë amerikanë të cilët janë duke shijuar turin e tyre në Mesdhe, ku pjesë e ndalesave është bërë dhe Durrësi”.

“Panorama” ofron pamje mahnitëse, përbërë nga tri direkë, gjatësi prej 54 m dhe renditet ndër më të mëdhenjtë në llojin e vet, lundron nën flamurin grek dhe është një eksploruese e sprovuar, e cila ka përshkuar nga Oqeani Altantik deri në Detin e Zi.

Pas vizitës ditore në vendin tonë veliera luksoze do vijojë itinerarin drejt ishullit të Korfuzit./atsh/KultPlus.com

“Metro”: Plazhi i Durrësit kryeson mes destinacioneve evropiane të këtij viti

Në kërkim të diellit dhe pa turma turistësh? Plazhi më pak i mbushur me vizitorë në Evropë tashme është zbuluar – dhe ndodhet në një vend relativisht të panjohur, shkruan Eleanor Noyce në të përditshmen britanike “Metro”.

Plazhi i Durrësit në Shqipëri ofron një hapësirë më të madhe për vendosjen e peshqirave nga plazhistët. Në fund të fundit, nuk ka asgjë më të keqe sesa të ndihesh ngushtë në një vend të mbipopulluar gjatë pushimeve.

Hulumtimi, i kryer nga Wizz Air, analizoi mbi 50 vende evropiane dhe plazhet e tyre më të mira për të përcaktuar vendpushimet më pak dhe më shumë të populluara.

Llogaritja përfshinte matjen e plazhit, ndarjen e zonës së tij me madhësinë e një peshqiri plazhi, dhe më pas me numrin mesatar të vizitorëve ditorë – për të bërë një vlerësim se sa hapësirë ofron çdo plazh për person.

Plazhi i Durrësit – rreth 10,5 kilometra i gjatë – u rendit në vendin e parë – duke mposhtur vende të njohura në Francë, Portugali dhe Spanjë.

I ndjekur nga plazhi Camber Sands në Sussex-in Lindor, Britani e Madhe – i cili la pas plazhet si Praia da Falésia e Portugalisë dhe Playa d’en Bossa të Spanjës – që u renditën respektivisht në vendin e shtatë dhe të dhjetë.

Playa Sa Caleta në Ibiza, Spanjë, rezultoi plazhi më i mbipopulluar.

Aktivitet që mund të bëni pranë Plazhit të Durrësit, Shqipëri

Plazhi i Durrësit mund të jetë cilësuar si “i bukur” nga platforma Reddit, por edhe si një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri, këtu ka shumë histori për t’u zbuluar.

Amfiteatri i Durrësit është një trashëgimi e epokës romake dhe dikur kishte 20,000 njerëz. Ndërtimi filloi gjatë shekullit të II pas Krishtit, dhe ky mbetet amfiteatri më i madh i ndërtuar ndonjëherë në Gadishullin Ballkanik, kështu që ia vlen të vizitohet.

Aty pranë ndodhet edhe Muzeu Arkeologjik i Durrësit, i cili, si muzeu më i madh arkeologjik në vend, tregon historinë e Shqipërisë përmes objekteve prehistorike.

Përveçse është plazhi më pak i mbipopulluar i Evropës, Durrësi ofron shumë diell, det dhe rërë në plazhin Copacabana dhe në plazhin Ohana.

Gjithashtu, Durrësi është i njohur për kulturën e tij të verës.

Si të shkoni në Plazhin e Durrësit, Shqipëri

Mënyra më e lehtë për të arritur në Durrës është të fluturoni drejt Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, e cila është rreth 38 minuta larg me makinë.

Ofrohen fluturime nga Aeroporti Luton i Londrës nëpërmjet Wizz Air, të cilat zgjasin më shumë se 3 orë, ndërsa me linjën ajrore Ryanair nga Stansted zgjat 2 orë e 55 minuta.

Kur të shkoni në Plazhin e Durrësit, Shqipëri

Nëse jeni duke kërkuar pushime të minutës së fundit për t’i dhënë lamtumirën verës, lajmi i mirë është se temperaturat mbeten të larta në këtë periudhë të vitit në Shqipëri – duke arritur mesataren prej 21 gradë Celsius në shtator dhe 16 gradë Celsius në tetor.

Megjithatë, Shqipëria përjeton temperaturat më të ngrohta gjatë qershorit, korrikut dhe gushtit, me temperatura që variojnë midis 22 dhe 24 gradë Celsius./atsh/KultPlus.com

Festivali folklorik ndërkombëtar, Sako: Durrësi, qendër e aktiviteteve kulturore

Durrësi është kthyer tashmë në qendër të aktiviteteve kulturoro- artistike me organizimin e festivalit folklorik ndërkombëtar.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ndau sot momente nga ky festival me pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Turqia, Polonia, Ukraina Maqedonia e Veriut, Estonia, Italia, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Republika Çeke, Serbia, Sllovenia, Bosnja, Sllovakia, Franca etj.

Të gjitha grupet performojnë live dhe kanë në përbërje muzikantë, këngëtarë dhe instrumentistë duke bërë që çdo ansambël të ketë larmishmëri dhe një përfaqësim të plotë të vlerave dhe traditës së vendit përkatës.

Sako theksioi se të tilla evente kulturore dhe artistike janë ndjekur me interes të madh nga ana e artdashësve durrsakë por dhe turistëve të shumtë./atsh/ KultPlus.com

“La Belle De L’Adriatique” me 120 turistë francezë ankorohet në Durrës

Anija turistike “La Belle De L’Adriatique” është ankoruar ditën e sotme në portin e Durrësit.

Autoriteti Portual i Durrësit bëri të ditur se 120 turistët francezë, pasagjerë në këtë anije do të vizitojnë Shqipërinë dhe do të njihen me sitet turistike të Durrësit, Tiranës e Beratit.

““La Belle De L’Adriatique”, vizitorja jonë besnike është rikthyer sot në Autoritetin Portual Durrës” me 120 turistë francezë që do të njihen me sitet turistike të Durrësit, Tiranës, Beratit, etj”, njoftoi APD.

Sezoni turistik vijon të sjellë flukse vizitorësh nga mbarë bota, të cilët zgjedhin transportin detar për të eksploruar vendin tone

Të gjithë operatorët portualë janë të angazhuar për të mirëpritur me qindra vizitorë çdo ditë.

Mbi 6.3 milionë të huaj kanë zgjedhur Shqipërinë për ta vizituar gjatë 7 muajve të këtij viti, nga 5. 1 milionë që e vizituan atë në të njëjtën periudhë të një viti më parë./atsh/KultPlus.com

Amfiteatri në Durrës, një nga destinacionet më të vizituara

Më shumë se 14 mijë persona kanë vizutuar Amfiteatrin e Durrësit nga janari deri në muajin korrik. Kjo shifër është më e lartë se një vit më parë ndërsa turistët janë të grupmoshave të ndryshme ndërsa janë jo vetëm vendas, por edhe të huaj.

Jona Saraçi, specialiste: Numri shkon në 14 mijë turistë në të gjithë harkun 6-mujor të kësaj periudhe, që do të thtoë jemi me ritme të kënaqshme për këtë sezon turistik.

Vjeshta është një nga periudhat më të pëlqyera për të vizutar Amfiteatrin e qytetit bregdetar ndaj pritshmëritë janë të larta edhe për muajt në vijim

Jona Saraçi, specialiste: Stina e vjeshtës gjithmonë ka qenë e preferuar sepse dhe vapa e këto kushte klimaterike , ajo është më e rehatshme për turistët.

Turistët janë nga shtete të ndryshme, kryesisht nga Europa ndërsa thonë se i tërheq historia e qytetit bregdetar.

“Më pëlqen shumë këtu, më duket një vend i mrekullueshëm. Unë vij nga Sllovakia dhe më pëlqen historia.”

“Është hera e parë që vij në Shqipëri, jam nga Polonia. Isha më parë në Vlorë e tani në Durrës.”

“Është impresionuese se çfarë kanë ndërtuar në këtë qytet. Pak muaj më parë vizitova Koloseun dhe është një strukturë e ngjashme.”

Amfiteatri i Durrësit ka një kapacitet prej 15 mijë spektatorësh dhe është përdorur për sfida gladiatorësh dhe lojëra të ndryshme./tvklan/KultPlus.com

Tingujt magjike të flautit në muret e lashta

Qytetarët durrsakë, së bashku me turistët e shumtë që frekuentojnë qytetin në këtë periudhë, patën fatin të përjetojnë një koncert të rrallë, i cili solli në jetë muzikën klasike në mënyrë unike dhe emocionuese. Tingujt magjikë të flautit përshkuan muret e lashta të Termave Romake në qytetin e Durrësit.

Për interpretueset, ky event nuk është thjesht një koncert, por një udhëtim muzikor që i lejon dëgjuesit të bëhen pjesë e antikitetit dhe artit.

Interpretueset, Majlinda Spiro dhe Xhejsi Kalziqi, dhuruan një shfaqje të paharrueshme, duke i mbajtur të pranishmit të magjepsur gjatë gjithë kohës me virtuozitetin e tyre.

Programi i koncertit përfshinte vepra të zgjedhura nga disa prej kompozitorëve më të shquar të historisë së muzikës, të cilët përmes notave të tyre, krijuan një lidhje të fuqishme mes së kaluarës dhe së tashmes./tvklan/KultPlus.com

Arkivat shëtitëse “ankorohen” në Durrës

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) vijon turin shëtitës të një prej ekspozitave të saj më të suksesshme, “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.

Durrësi ishte ndalesa e radhës, ku DPA-ja “u ankorua” në përmbushje të angazhimit për të promovuar trashëgiminë dokumentare të kombit. Në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit, DPA-ja shfaqi në një nga sheshet e qytetit ekspozitën, që na rrëfen përmes fotografive galerinë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare.

Mes materialeve të ekspozuara, gjendeshin imazhe të: Figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare); Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e veriut; Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e mesme; Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e jugut; Kostumeve popullore të trevave të shqiptarëve jashtë trojeve; Kostumeve popullore nën petkun fëmijëror (kostume vajzash).

Ekspozita ngjalli kureshtjen e mjaft banorëve dhe turistëve të qytetit bregdetar./atsh/ KultPlus.com

Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor rikthehet në Durrës

66 instrumentistët nga 17 vendet e ndryshme të Evropës kanë performuar mbrëmjen e së premtes në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu “, nën drejtimin e dirigjentit, Desar Sulejmani. Duke e cilësuar si një sfidë, Maestro Sulejmani thotë ndër të tjera se dëshira është ta kthejnë në traditë këtë aktivitet.

Edhe për instrumentistët rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë. Megjithëse është hera e parë që marrin pjesë në këtë koncert janë të bindur se do t’ia dalin, pasi muzika i ka bërë bashkë, pavarësisht vendeve që përfaqësojnë.

Ndërthurja e muzikës klasike me atë moderne ishte e veçanta e këtij koncerti, që edhe këtë vit u mirëprit nga artdashësit durrsakë që mbushën sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu ” mbrëmjen e së premtes./ balkanweb/ KultPlus.com

Dy superjahtet e themeluesit të ‘WhatsApp’ ankorohen në portin e Durrësit

Dy superjahtet e themeluesit të “WhatsApp” Jan Koum janë ankoruar në portin detar të Durrësit për disa orë.

Superjahti “Moonrise” është një mjet lundrues motorik rreth 100 metra i gjatë, i konsideruar si një tjetër kryevepër e prestigjiozit holandez Feadship, lançuar në vitin 2020.

Në bordin e jahtit, që mbërriti në portin e Durrësit pak para mesnatës së kaluar nga Palma De Mallorca e Spanjës, sipas burimeve nga kapiteneria e portit ndodhet edhe vetë Jan Koum. Ndërkaq jahti tjetër “Nebula”, po në pronësi të Koum, përdoret si anije ndihmëse për  “Moonrise”./tch/ KultPlus.com

Rama: Muzeu Etnografik i Durrësit do të rilindë duke ruajtur vlerat autentike që ka

Muzeu Etnografik i Durrësit, i ngritur në Shtëpinë Muze të Aleksandër Moisiut do të rilind nga e para me një godinë të rijetësuar.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot, përmes një postimi në rrjetet sociale, se “muzeu do të rilind nga e para, me një godinë të rijetësuar, duke ruajtur arkitekturën dhe tërësinë e vlerave autentike që ka”

Rama shton se rëndësinë historike që mbart muzeu.

“Monument kulture i kategorisë së parë në dhomat e këtij muzeu ndodhen më shumë se 300 objekte, koleksione të pasura të veshjeve popullore të trevës etnografike të zonës së Durrësit dhe të Shqipërisë së Mesme, punime artizanale, si dhe pavioni i biografisë familjare dhe artistike të Aleksandër Moisiut”, tha Rama.

Muzeu është hapur në vitin 1982 në ambientet e shtëpisë karakteristike durrsake të shek.XIX. Në dy dhoma të muzeut, shpalosen në stenda biografia familjare dhe artistike të Aleksandër Moisiut, bazuar në dokumente autentike, kurse në dhomën e dytë paraqiten vepra arti të krijuesve vendas për figurën e aktorit të madh. Në dhomat e tjera janë ekspozuar objekte origjinale të mjeshtërisë artizanale të banorëve të Durrësit e të rrethinave të tij.

Ky muze përmban koleksione të pasura të veshjeve popullore të trevës etnografike të zonës së Durrësit dhe të Shqipërisë së Mesme, si dhe punime artizanale në material leshi, mëndafshi, pambuku, briri, bakri e guri./atsh/ KultPlus.com

Muzika e Morricone interpretohet nga 100 artistë të TKOB në Durrës

Skena lëvizëse e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit ngjiti më shumë se 100 artistë në një mbrëmje plot drita e ngjyra, në skenën e ngritur në Durrësin antik, ku u interpretua muzika e kompozitorit të pavdekshëm Ennio Morricone.

Me një program ambicioz, ku u luajtën kolona zanore si “C’era una volta il West”, “L’estasi dell’oro”, “C’era una volta in America”, “The Mission”, dhe “Il clan dei siciliani”, ky koncert vokalo-simfonik mblodhi qytetarë dhe turistë, të cilët u mahnitën nga zëri i sopranove Rovena Xhelili dhe Marina Kurti, Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOB-së, nën drejtimin e maestros Benedetto Montebello dhe Dritan Lumshit.

Ennio Morricone (1928-2020) shkroi muzikën e 470 filmave e serive televizive si dhe muzikë bashkëkohore. Muzika e tij, është përdorur nga 60 filma të vlerësuar nga kritika e publiku, të cilët janë nderuar me çmime të rëndësishme.

Në vitin 2007 Morricones iu dha Oscar-i i karrierës me motivacionin “për kontributin madhështor në artin e muzikës së filmit”. Ky vlerësim erdhi pas 5 kandidaturash nga 1979 në 2001. Në shkurt të 2016 mori një tjetër Oscar për muzikën e filmit të Tarantinos, “The Hateful Eight”./atsh/KultPlus.com

Kolonat zanore që njohën botërisht Ennio Morriconen, në një koncert ‘hënor’ në Durrës

Kompozimet e famshme të kompozitorit dhe dirigjentit të shquar Ennio Morricone, të njohura në të gjithë botën për kolonat zanore të mbi 500 filmave dhe serialeve televizive, erdhën magjishëm për publikun durrsak në një koncert nën ndriçimin hënor dhe pranë detit Adriatik.

Veprat u sollën nga dirigjenti Benedetto Montebello i cili vizitoi Durrësin për herë të parë.

“Është një koncert dedikuar mjeshtrit të madhe Ennio Morricone dhe kolonave të rij zanore me të mëdha, më të  famshme dhe më të dashura. Ka shkruar shumë, rreth 500, dhe është e pamundur të mbahen mend të gjitha, por këto që luhen sot me siguri i njohin të gjithë. Mjeshtri nisi të shkruajë në vitet ‘60 me filmin “Federale” që e afirmoi zyrtarisht, dhe nga ajo kohë ka shkruar shumë të tjera.

Kam pasur kënaqësinë të vij edhe herë të tjera në Shqipëri, është gjithmonë kënaqësi të vish këtu, në Tiranë. Në Durrës jam për herë të parë, deti është shumë i bukur. Këtë natë kemi edhe hënën që na asiston, me të vërtetë bukur”, u shpreh dirigjenti Benedetto Montebello.

Kjo mbrëmje u përshëndet nga pjesëmarrja masive e artistëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit: sopranove, Rovena Xhelili dhe Marina Kurti, të shoqëruara mjeshtërisht nga Orkestra Simfonike dhe Kori, nën drejtimin e maestro Dritan Lumshit.

Koncerti vokalo-simfonik u ndoq jo vetëm nga qytetarët durrsakë, por turistët e shumtë të cilët kanë zgjedhur Durrësin si destinacionin e tyre të pushimit./tema/KultPlus.com

Durrës, dy pedagoget hapin ekspozitën në shtëpinë e familjes Mima

Dy pedagoge dhe eksperte të turizmit, Brunilda Liçaj dhe Arjana Isaku e kthyen banesën e vjetër të familjes Mima në një nga rrugicat e Durrësit në shtëpi-dëshmi të asaj kohe, deri në detaje.

Ekspozita sjell në vëmendje copëza të jetës dhe survejimit shqiptar gjatë regjimit totalitar komunist që përpiqej të mbante nën kontroll edhe turistët e huaj, duke nisur që nga paraqitja e tyre.

Turistët ishin kureshtarë. Donin të zbulonin dhe kuptonin më shumë nga vendi më i izoluar i globit, që gjithçka e realizonte me forcat e veta, por përballeshin me lëvizje dhe informacion të kontrolluar nga partia-shtet. Një nga elementet më domethënëse të kësaj ekspozite që rrëfen në çdo detaj të saj është dhe vendstrehimi nëntokësor, një dëshmi autentike e asaj kohe. Me rënien e sirenës së alarmit, ashtu si dikur, vizitorët nxitojnë të improvizojnë futjen në vendstrehim.

Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët e huaj dhe vendas, duke ofruar një dritare të çmuar informative për të njohur dhe reflektuar mbi këtë periudhë të errët të historisë shqiptare./tema/KultPlus.com

Taverna e Adriatikut, panairi me prodhime artizanale në rrugët e qytetit të Durrësit mirëpritet nga turistët

Për të dytin vit radhazi, qyteti i Durrësit organizon panairin “Taverna e Adriatikut”, që synon të promovojë produktet gastronomike dhe artizanale të fshatrave turistikë dhe qytetit bregdetar.

“Një aktor shumë i fuqishëm është gastronomia në fushën e turizmit dhe turizmi është motori i ekonomisë lokale. Ju ftoj të vizitoni stendat”, u shpreh Gentian Kallmi, zv.kryetar i bashkisë Durrës.

Artizanë, kantina vere, agroturizme, prodhues të vajit të ullirit dhe bletërritës ofruan një larmi produktesh për vizitorët. Nuk munguan as stendat e librit dhe guidave turistike.

 “Ushqimet janë shumë të mira. I kemi bërë vetë ne nxënësit. Shkolla jonë është shumë e mirë dhe ia rekomandoj çdokujt që hyn në vit të parë”, tha një nxënëse e shkollës profesionale “Hysen Çela”.

“Falenderoj bashkinë që mundësoi promovimin e produkteve vendore. Shpresojmë që sezoni të jetë dhe më i mirë. Njerëzit e kanë pëlqyer si produkt. Kryesisht i pëlqejnë produktet shqiptare, po vajin e ullirit e preferojnë”, u shpreh një prodhues.

“Bukuroshen e Durrësit e kemi stampuar, e kemi hedhur në letër e pastaj në copë dhe e kemi qendisur dhe kjo ka një punë shumë të madhe”, tha një tjetër.

Përveç ekspozimit dhe degustimit të produkteve të zonës, banorë dhe turistë ndoqën një program të pasur artistik.

“Blemë vaj ulliri dhe ata na dhuruan dhe ullinj. Ishte vërtet e këndshme nga ana e tyre. Unë jam adhuruese e flaktë e vajit të ullirit. Më pëlqen dhe atmosfera e krijuar këtu”, rrëfeu një turiste.

“Jemi nga Estonia. Shumë interesante. Kemi qenë në shumë vende, po nuk kemi hasur në një vend si ky“, shtoi një tjetër turiste.

Panairi do të vazhdojë edhe të shtunën në mbrëmje, duke ofruar jo vetëm shijen e mirë dhe ofertat e prodhuesve lokalë, por dhe atmosferën festive në shëtitoren bregdetare “Taulantia”/ Top Channel/ KultPlus.com

Pas 12 vitesh, Gëzim Myshketa rikthehet me një koncert recital në Durrës

Baritoni i famshëm shqiptar, Gëzim Myshketa, rikthehet në qytetin e tij të lindjes pas 12 vitesh me një koncert recital madhështor në Amfiteatrin e Qytetit Antik të Durrësit, shkruan KultPlus.

Ky koncert madhështor i cili vjen më 6 korrik në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit dhe Teatrin e Operas do të ketë edhe artistë të ftuar special si Arjola Shehu, Gerald Murrja, Anxhelo Mucollari, Renisa Lacka, Adela Mucollari, Brikel Guga dhe Viktor Yankovski, nën udhëheqjen e dirigjentit italian Jacco Supa.

Po ashtu, baritoni Myshketa për herë të parë organizon edhe një masterclass me mjeshtrat më në zë të panoramës operistike ndërkombëtare si: Angelo Gabrielli, Daniela Schillaci, Mario de Carlo, Mirca Rosciani dhe Elda Laro për të perfeksionuar mbi 40 talente me prejardhje nga Shqipëria, Kosova, Brazili, Mauritania, Kina, Polonia, Gjermania, Franca, Italia, etj.

Ngjarja do të mbahet më datat 1,2,3 dhe 4 Korrik duke u përmbyllur me një gala koncert Final në ADRIATIK HOTEL DURRËS ora 21:00./ KultPlus.com

Art me rërë në Durrës, në mesin e 16 të huajve në garë çmimin e parë e fitoi artisti nga Kosova

Skulptorë të ardhur nga e gjithë bota, e kthyen bregdetin e Durrësit në një galeri në natyrë për 3 ditë me radhë.

Ky ishte “Seaside Sand Art”, aktiviteti që bëri bashkë 16 artistë nga vende të ndryshme, të cilët kompozuan e riprodhuan në rërë portrete nga më të veçantat.

“Marrin pjesë rreth 16 artistë shqiptarë dhe të huaj nga Kroacia, Armenia, Kosova, Kina, Italia dhe shqiptarë. Ata kanë përgatitur veprat e tyre në rërë në formën e një rrethi me 12 punë, që simbolizon orën, kohën që shkon, përkohshmërinë e përjetimeve”, tha organizatori Indrit Hamiti

 “Me çfarë shohim, të gjithë ata që kalojnë në shëtitore ndalojnë bëjnë foto, hyjnë komunikojnë me artistët. E shoh një atraksion shumë interesant dhe në kontrast ndoshta edhe me një lloj kulture kolektive të tallavasë.”

Interesant ishte ky aktivitet edhe për pjesëmarrësit e huaj, të cilët e vizitonin Shqipërinë për herë të parë.

 “Unë vij nga Italia, kam një eksperiencë botërore përsa i takon skulpturës, por kjo është e parë që vij në Shqipëri. Mendova të vij të shoh, çfarë është kjo tokë për të cilën flasin kaq shumë në Itali.

Deri tani jam me përshtypjet më të mira. Ky organizim është mjaft interesantë dhe pjesëmarrësit po ashtu”,- Angelo Gabriele Fierro, skulptor.

“Ne vijmë nga Kina dhe kjo është vizita jonë e parë në Shqipëri, për të marrë pjesë në këtë aktivitet artistik dhe për të komunikuar dhe bashkëpunuar edhe me shumë artistë.

Ne këtu prezantohemi me dy vepra, një është kjo panda pas nesh dhe tjetra është një skulpturë me dy pjesë, “yin and yang”-u pranë detit. Siç besoj e dini, kjo e fundit është një filozofi antike kineze, të cilën donim ta sillnim këtu.”

Ndërsa shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës apeluan që aktiviteti të kthehej në një traditë të përvitshme.

“Mendoj se do të ishte shumë mirë që dhe për ne si artistë, por edhe për vetë qytetin, që kjo të kthehej në një kulturë të përvitshme”,-tha skulptori Alep Toska.

“Besoj se tashmë do të bëhet një lloj tradite, pse mos me u kthy në një event të përvitshëm?”-u shpreh Arton Behrami.

“Durrësi është i njohur për komunitetin e artistëve që ka, kështu që i ka të gjitha mundësitë që të kthehet në një qendër të artit për Shqipërinë” –tha organizatori Indrit Hamiti.

Në fund të aktivitetit, juria e përbërë nga emra të njohura të artit shqiptar vlerësoi më të mirët.

Çmimin e parë e rrëmbeu artisti nga Kosova, Selam Kastrati, i cili realizoi në rërë një ide të inspiruar nga e dashura e tij.

Vepra përfaqësonte një përqafim intim mes çiftit, që i përngjet një oktapodi, ku gjymtyrët shkrihen në një nga forca e dashurisë./euronews/KultPlus.com

Zbulohet mozaiku i një pishine të lashtë në Durrës, daton në shekullin e parë para Krishtit

Gërmimet me kantierin e shkollës së mesme Gjergj Kastrioti në Durrës kanë nxjerrë në dritë një tjetër mozaik, edhe më i veçantë se mozaiku i zbuluar një muaj më parë, në të njëjtin vend.

Të dy mozaikët mendohet se i përkasin shekullit të I para erës sonë. Arkeologët thonë se mozaiku në ngjyrat e bezhë dhe me pika blu i përket pishinës së një vile, ku tregon nivelin e lartë të ndërtimeve për kohën.

Arkeologu Luan Përzhita tregon se kemi të bëjmë më zbulimin e një vile dy katëshe me të paktën 8 hapësira të mëdha banimi, ndërsa interes të lartë arkeologjik ka pasur edhe zbulimi i sistemeve hidraulike të kohës, me kanale të veçanta për të kaluar uji i ngrohtë.

“Kemi zbuluar hapësira banimi të lashta që kanë qenë të ndritura në atë kohë në 2 kate, linjat e murit tregojnë se kemi dhe një hapësirë tjetër për të gërmuar që është 3 metra e gjysmë që lidhet me katin e pare të banimit. Kjo vilë përbëhet nga 7 ose 8 hapësira të mëdha deri sa kemi zbuluar deri tani. Një tjetër sektor i rëndësishme lidhet edhe me sistemin hidraulik, kemi gjetur disa mbulesa të kanaleve që kalonte uji i nxehtë në atë kohë si dhe kemi një zbulim sensacional që ndodhi sot, ku u zbulua një mozaik i dytë. Kemi një mozaik me ngjyrat e bezhës ose panës i alternuar me disa pika në ngjyrë blu. Mendohet se janë të periudhës që lidhet me fund të shekullit të I të erës sonë. Ky mozaik është zbuluar në pishinën e kësaj vile, kemi të bëjmë me ndërtimin e një pishine që tregon për një nivel të larë të ndërtimeve për kohën dhe trajtimin e kësaj pishine me afreske shumëngjyrëshe. Gërmimet kanë sjellë zbulimi dhe struktura të reja arkeologjike, kemi elementë qeramike apo zbukurim të lashtësisë”, tha arkeologu.

Pak ditë më parë në këtë vend , me rifillimin e gërmimeve  dolën në drite gjetje të rëndësishme si rifiniturat e veshjeve të brendshme të vilës,  pllaka me dekoracione të Mesdheut, veçanërisht në Pompei, të cilat datonin të periudhave para dhe pas lindjes së Krishtit./rtsh/KultPlus.com

Rama: Rrugëtim përmes thesareve të trashëgimisë kulturore në Kullën Veneciane në Durrës

Kulla Veneciane në Durrës, e ndërtuar gjatë shekullit XV, pas restaurimit është shndërruar përmes teknologjisë, në një qendër fantastike informacioni për qytetin antik.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga kjo kullë e cila pas dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019, u restaurua nga fondi evropian EUCulture.

“Kulla e rilindur Veneciane e Durrësit, pas restaurimit të thellë falë edhe mbështetjes nga fondi europian EU4Culture është instaluar një program teknologjik i rrugëtimit përmes thesareve të trashëgimisë sonë kulturore”, shprehet Rama.

Ky monument i mrekullueshëm i trashëgimisë tonë kulturore dhe pikë referimi i qytetit të Durrësit, iu nënshtrua restaurimit me mbështetjen e Projektit EU4Culture financuar nga BE dhe u ekzekutua nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Punimet restauruese, përfshinë pajisje multimediale me një buxhet prej 700,000 € dhe rreth 300,000 euro shtesë u investuan për zhvillimin e përmbajtjes multimediale.

Me mbështetjen e projektit, Kulla Veneciane është shndërruar në një Qendër të Interpretimit të trashëgimisë më moderne.

Kjo qendër u ofron vizitorëve mundësinë për të eksploruar ngjarje dhe vende historike përmes mjeteve të ndryshme digjitale dhe multimediale, si kufjet VR, periskopët digjitalë, projeksionet multimediale në kupolë dhe aktivitete të tjera që kombinojnë argëtimin me një vështrim më të thellë të historisë së lashtë të qytetit./atsh/KultPlus.com

Bashkia e Durrësit miraton vendimin, Mirush Kabashi merr titullin ‘Qytetar Nderi’ 

Bashkia e Durrësit miratoi sot vendimin për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” aktorit të mirënjohur të teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi (pas vdekjes).

Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako në një postim në rrjetet sociale.

Ditën e nesërme në qytetin e Durrësit do të organizohet nën kujdesin e kryebashkiakes Sako edhe ceremonia e dhënies së titullit për aktorin Mirushin Kabashi.

Ceremonia do të zhvillohet në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Gjatë kësaj ceremonie do të shfaqet edhe intervista e fundit e aktorit të madh Mirush Kabashi, një rrëfim për jetën në skenën e Teatrit dhe jo vetëm.

Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi ndërroi jetë më 5 dhjetor të 2023 në moshën 75-vjeçare.

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër, por u rrit në Durrës. Origjina e tij ishte nga Gjakova. Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare ndërsa numërohen rreth 100 role në teatër dhe filma.

Kabashi në Festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë”, si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.

Kabashi është vlerësuar me titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”./atsh/KultPlus.com