Baleti Etoile sjell shpirtin e Ukrainës në qytetin e Durrësit

Trupa e Baletit Etoile, ardhur nga Ukraina, i ka sjellë publikut durrsak e jo vetëm, traditën, kulturën dhe shpirtin e vërtetë ukrainas. 

Të pranishëm në teatrin “Aleksander Moisiu”, përveç artdashësve, kanë qenë edhe kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, ambasadori i Japonisë, Takada Mitsuyuki, si dhe mjaft personalitete të tjera. 

Teatri “Aleksandër Moisiu” hapi dyert dhe mikpriti për 3 javë këtë trupë, duke mbështetur në çdo aspekt të gjithë këtë sipërmarrje me përmasa të mëdha. 

Publiku për dy orë rresht ndoqi me vëmendje këtë shfaqje të vecantë.

“Yjet e Trupës së Baletit Klasik të Ukrainës vendosën që përpos çdo lloj traume e tragjedie që po kalon qyteti i tyre i origjinës, Kharkhivi, të gjejnë forcën e të krijojnë duke inspiruar e shpërndarë artin”, shkroi në rrjetet sociale ministrja Milva Ekonomi.

Trupa ukrainase interpretoi baletin “Princesha e akullit” me koreografi të Andrea Heise, e cila është një histori romantike me muzikën e Mozart, Vivaldi, Halvorsen dhe Leontovich. / atsh / KultPlus.com

Në Durrës zbarkojnë pasagjerë nga Australia, Meksika, Kanadaja dhe Amerika

 Shqipëria me bukuritë e saj natyrore dhe të trashëgimisë kulturore po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj.

Në portin e Durrësit mëngjesin e kësaj të shtuneje është ankoruar një tjetër krocerë.

Kryeminsitri Edi Rama teksa publikoi foto të krocerës së ankoruar në port, bëri të ditur se pasagjerët e saj janë nga Australia, Meksika, Kanadaja dhe Amerika.

“Sot në Durrës, pasagjerët nga Australia, Meksika, Kanadaja dhe Amerika. Pushime të bukura!”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë gjatë 5-mujorit të parë të këtij viti është 2.389.899.

Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, ky numër është rritur me 42.5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Nga këta mbi 2.2 milionë shtetas udhëtuan për pushime apo vizitë te të afërm, ndërsa 50 861 shtetas udhëtuan për qëllime biznesi dhe profesionale.

Sipas INSTAT-it, përgjatë pesëmujorit të 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 2 300 558 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 55 333 dhe 15 060 shtetas./atsh/KultPlus.com

Shëtitorja e re e plazhit të Durrësit, gati për banorët dhe turistët

Shëtitorja e re e plazhit është tashmë në shërbim të qytetarëve dhe turistëve të shumtë që frekuentojnë bregdetin e Durrësit.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako përcolli pamje nga shëtitorja e re, vepër e rëndësishme që i shërben turizmit, por edhe banorëve që jetojnë në këtë zonë.

Kjo shëtitore që ndryshon tërësisht imazhin e bregdetit të plazhit të Durrësit ka jo vetëm pistën e këmbësorëve, por edhe atë të biçikletave, hapësira argëtuese për fëmijë, ndriçim dhe gjelbërim.

Projekti parashikon edhe rikonstruksionin e fasadave të godinave si dhe zgjerimin e brezit të rërës.

Lungomarja e re është 3 kilometra vijë bregdetare, me gjelbërim, parqe dhe hapësira sportive.

Në gjithë vijën bregdetare janë rreth 58 godina hotelerie me 3100 shtretër.

Shëtitorja merr rëndësi të madhe duke pasur parasysh se gjatë sezonit turistik, popullsia në këtë zonë rritet me 600 mijë banorë./atsh/KultPlus.com

Durrësit i shtohet një tjetër vepër arti në hapësirat publike

Një skulpturë e re e titulluar “Rrënjët” është vendosur në një nga hapësirat e shëtitores “Taulantia”. Kjo skulpturë e derdhur në bronz është realizuar nga skulptori i mirënjohur Adrian Dule dhe i është dhuruar qytetit të Durrësit.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, së bashku me artistin, i cili ia dhuroi këtë vepër arti Durrësit, prezantuan para qytetarëve domethënien e saj dhe vlerën që ka arti në hapësirën publike dhe për turistët.

Sako tha se, ”Arti në hapësirat publike” është një qasje e qeverisë shqiptare dhe ne duam ta përqafojmë në mandatin që vjen. Është e rëndësishme për ne që çdo pjesë të qytetit, jo vetëm në shëtitoren “Taulantia”, në sheshin “Liria”, por dhe në lagje të tjera të qytetit të bëjmë të mundur vendosjen e veprave artistike të artistëve tanë, pse jo dhe të huaj, në mënyrë që të emocionojmë ata që janë vizitorë të qytetit tonë, turistët, jo vetëm me bukuritë që ka natyra, plazhi, shërbimin e mirë dhe të sigurt që japim në qytetin tonë. Mbi të gjitha për të dhënë dhe emocionet e një qyteti 2700-vjeçar. Kultura dhe arti do të jenë në fokusin tonë gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm”.

Kuptimi parësor i kësaj skulpture, sipas autorit të veprës, janë rrënjët që zgjaten nga toka në det ashtu siç është vetë qyteti, i cili është i lidhur përjetësisht me detin.

Artisti Dule tha se, “kjo vepër arti tregon në thelbin e saj rrënjët në tokë dhe tentakulat në det, siç ka Durrësi një të përbashkët mes tokës dhe detit. Sa i përket pjesë së kulturës së qytetit ajo që më ka pëlqyer shumë tek Emiriana kur kemi biseduar është se ka disa plane interesante përsa i përket anës së artit vizual të aplikuar në sheshet dhe paraqet e Durrësit. Do të ketë mbështetjen time të plotë jo vetëm si artist por dhe si këshillues sesi mundet që gjithë ky plan i saj me vlerë të realizohet”.

Nga ana tjetër, simbolika e kësaj skulpture flet për lidhjen e bashkëatdhetarëve tanë me vendin e tyre. Për këtë arsye kjo vepër arti është vendosur në afërsi të monumentit përkujtimor të eksodit të vitit 1991, ku mijëra shqiptarë emigruan jashtë atdheut, por duke qëndruar të lidhur fort me rrënjët e tyre në Shqipëri. / atsh / KultPlus.com

Zbulimet arkeologjike në Durrës, sondazhe gjeologjike të reja në Amfiteatër

Në Amfiteatrin Antik të Durrësit ka nisur sondazhi i shtresave gjeologjike të pazbuluara dhe të panjohura deri më sot nga studiuesit dhe arkeologët. Këto sondazhe i paraprijnë ndërhyrjes së mëtejshme për zbulimin e plotë të monumentit më të madh të botës antike në vend dhe rajon.

“Ministria e Kulturës ka bërë përzgjedhjen e një kompanie që do të bëjë sondazhet duke nxjerrë kampionet nga pjesa e arenës dhe pjesë të tjera dhe pasi të bëhet analiza dhe studimi i sondazheve pritet dalja në konkluzion nga ana e specialistëve deri ku mund të shkojë tabani dhe lloji i shtresave. Punime këto që nuk kanë mundur të bëhen më parë”, ka thënën drejtor i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohito.

I zbuluar në vitin 1966, Amfiteatri i Durrësit, një nga 30 amfiteatrot e botës antike, është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Për afro 2 shekuj ai u përdor për dyluftimet e gladiatorëve dhe të kafshëve të egra dhe kishte një kapacitet për 15 mijë shikues. Sipas autoriteteve muzeore, sondazhet e sapo nisura nuk do të pengojnë në vizitueshmërinë e monumentit antik për këtë sezon turistik, që gjithsesi do të ofrojë më pak objekte të trashëgimisë sonë për t’u vizituar, pasi dhe muzeu më i madh arkeologjik në vend është nën rikonstruksion.

 “Në këtë moment kemi vetëm Amfiteatrin të vizitueshëm, pasi Muzeu është në rikonstruksion, Hamami gjithashtu. Edhe Torra Veneciane, që shpresojmë të hapet para sezonit turistik. Me hapjen e Torrës, po dhe të Amfiteatrit do të kemi një fluks të konsiderueshëm vizitorësh të cilin e mirëpresim për t’u dhënë shërbimet e dëshiruara”, është shprehur Alban Ramohito.

Amfiteatri dhe zonat kryesore arkeologjike A dhe B, në Durrës, pritet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve të shumta për të nxjerrë në pah vlerat që ato mbartin nën dhe mbi tokë, për ta kthyer Durrësin në një nga destinacionet turistike më tërheqëse në 10 vitet e ardhshme. / Top Channel / KultPlus.com

Restaurohet Kulla Veneciane në Durrës

Kulla Veneciane në Durrës është restauruar pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti së bashku me zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell, ishin në Durrës për të përuruar punimet restauruese dhe rijetësuese në Kullën Veneciane, të cilat u finalizuan falë programit EU4CULTURE, zbatuar nga UNOPS.

“Shijuam një performancë befasuese, e cila tanimë është e prekshme për vizitorët. Kulla Veneciane, një thesar që jo vetëm ka dalë në dritë, por ka fituar edhe më shumë vlerë falë teknologjisë”, shkroi ministrja Margariti, në një postim në rrjetet sociale.

Tashmë ky monument kulture është shndërruar në një qendër informuese për historinë e qytetit. Vizitorët shqiptarë e të huaj, e mbi të gjitha të rinjtë do të mund të marrin aty informacion për të gjitha objektet me rëndësi historike e kulturore të Durrësit.

Kulla, përveç se do të rrëfejë historinë e Durrësit, do të orientojë vizitorët përmes monumenteve te tij./atsh/KultPlus.com/