Tre artistë nga e njëjta familje kanë ekspozuar këto ditë në Galerinë e Arteve Pamore të Durrësit mbi 120 punime nga krijimtaria e kohëve të fundit.
Dhjetëra tablo të përmasave të vogla si dhe një sërë bocetesh në miniaturë i përkasin kryesisht periudhës së pandemisë, duke dëshmuar vitalitetin dhe shpirtin artistik të pjesëtarëve të familjes Llukaçi.
Piktori 82-vjeçar Nelo Llukaçi, mjaft i njohur edhe për kontributet e tij në skulpturë, ka risjellë temën e familjes, natyra të qeta, si dhe peizazhe të qytetit të Durrësit dhe Pogradecit, nga disa këndvështrime.
Romiri, i cili ka ecur në gjurmët e të atit, thotë për ATSH-në se në punimet e kësaj ekspozite ka trajtuar “përjetimet e çastit me emocione shpirtërore”. Romiri i ka shtuar autoportreteve të babait Nelo, edhe portretet e punuara prej tij, si dhe një grup peizazhesh nga Durrësi i vjetër.
Duke prezantuar punimet e së bijës 7-vjeçare, Romiri shton se Leopoldina ka ardhur në ekspozitë me çiltërsinë e një fëmije që rritet në një ambient plot art”.
Ekspozita familjare “E thjeshtë” do të qëndrojë e hapur në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” të qytetit bregdetar deri në mesin e muajit shtator./ atsh/ KultPlus.com
Parada e makinave retro është zhvendosur në Durrës, duke dhuruar spektakël në shesh dhe rrugët e qytetit bregdetar. Automjete të vjetra të viteve ’40-’80 kanë parakaluar nën tingujt e muzikës, transmeton KultPlus.
Rrallë ndodh që të shohësh në rrugë automjete që kanë shënjuar historinë. Durrësakët e kanë pasur këtë mundësi pasditen e së premtes kur parakaluan para shtëpive të tyre makinat e viteve ’40-’80. Për nostalgjikët dhe jo vetëm, kjo është një feste e veçantë.
Parada Retro solli në Durrës 48 automjete të ruajtja e mirëmbajtura nga koleksionistët të mbarë vendit.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit si dhe me “Heminguei fan club Albania” menduan të krijojnë pak gjallëri në këtë sezon të zymtë për qytetin më të madh bregdetar.
Automjetet fillimisht u vendosën në shesh kryesor të qytetit, ku u vizituan nga qindra qytetarë por edhe turistë që i ruajtën këto momente në foto.
Janë automobil të markave Ford, Benz, Chevrolete, Fiat, Roll Roys të viteve ’40-80.
Mbretëresha e këtij eventi u cilësua skoda, prodhim i vitit ’80 në pronësi të kuksianit Rrahim Meçka. Ky lloj automjeti ka mbajtur peshën kryesore të transportit në vend përgjatë viteve ’80. Ndaj u zgjodh për të kryesuar paradën në rrugët e Durrësit.
“I biri i shoferit të këtij automjeti e ka marrë në gjendje thuajse të shkatërruar e ka rindërtuar siç e mbante i ati në kohën kur bënte rrugën e Qafë Malit para viteve ’90”, tha koleksionisti Rrahim Meçka
Ina Haveri tha se ky event organizohet për herë të parë në Durrës fill pas Tiranës për ti dhënë gjallëri qytetit të goditur rëndë nga tërmeti i 29 nëntorit 2019.
“Eventi është konceptuar me paradën që e drejton skoda dhe ndiqet nga makinat e tjera retro”, tha Ina Haveri, zëdhënëse e Drejtorisë së Transportit.
Ndërsa përfaqësuesi i bashkisë, Adrian Gurra tha se po mendojmë aktivitete pa grumbullime masive për tu ruajtur nga covid 19.
Më pas automjetet udhëtuan së bashku në rrugët e Durrësit deri në plepa. Muzika cantry e përzgjedhur nga anëtarët e Hemingueit shoqëroi Paradën Retro. /shqiptarja/ KultPlus.com
Një nga format më të bukura, po të harruara të komunikimit njerëzor vjen në një mënyrë krejt origjinale nga teatri “Aleksandër Moisiu”.
Një projekt që nuk mbetet vetëm tek aktorët profesionistë, por angazhon dhe dashamirësit e teatrit në botën magjike të interpretimit. Ideatoren dhe regjisoren e teatrit Driada Dervishin e gjejmë teksa nxiton drejt laboratorit të Multimedias në universitetin e Durrësit. Aty e pret Uendi për të montuar “Letrën e Mbrëmjes”.
“Për të mos e humbur komunikimin iu rikthyem komunikimit më të hershëm njerëzor, që është letra. Këtu lindi ideja e letrave të mbrëmjes që vendosa të ishte një takim i përnatshëm me publikun ku aktorët e teatrit, po jo vetëm ata, janë bashkuar përmes letrave të personazheve të ndryshëm, vendas e të huaj, që na tregojnë anë që publiku nuk i njeh, të realiteteve dhe kohëve të ndryshme. Është një nismë që po tërheq mjaft vëmendje pasi siç thuhet kur një realitet nuk na pëlqen ne mund ta krijojmë atë”.
Xhelal Tafaj, Adelina Muça, Aishe Stari, Besmir Bitraku, Gjergj Doçi etj. janë disa prej protagonistëve të mbrëmjes në rrjetet sociale. Por “Letra e mbrëmjes” nuk mbetet vetëm te aktorët. Ajo është zgjeruar dhe me nismën “Lexo edhe ti një letërduke bërë pjesë të saj edhe njerëz të profesioneve të ndryshme, dashamirës të magjisë së artit.
“Shumë artdashës që e duan teatrin, po nuk e kanë ndjekur dot pasionin e tyre, janë bërë pjesë e leximit të letrave të mbrëmjes dhe unë ju ftoj që nëse keni një letër të bukur të bëheni pjesë dhe të na shkruani në faqen zyrtare të teatrit.”
Pandemia dhe nismat e teatrit të Durrësit, që nisëm me audiotregimet e Çehovit për të vijuar me letrat e mbrëmjes, kanë nxjerrë në pah dhe dëshirën e shumë njerëzve për artin dhe të bukurën.
“Në këto muaj kemi parë se sa krijues janë njerëzit. Besoj te e bukura dhe e mira që ndodhet brenda çdokujt dhe veçanërisht në këtë periudhë kemi shumë nevojë për t’u drejtuar nga e bukura dhe arti. Jo vetëm për të pasuruar mendjen dhe shpirtin, por edhe të përditshmen.” Top Channel / KultPlus.com
Në qytetin e Durrësit ka nisur puna për ringritjen e kullës C, një nga kullat fortifikuese të kalasë, e dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti inspektoi nga afër punimet për restaurimin e kullës.
“Rehabilitimi i kullës u bë i mundur nga një financim i qeverisë suedeze, që na ndihmoi në ditë të vështira. Bashkë me profesorët e nderuar Pirro Thomo e Gjerak Karaiskaj ishim sot pranë objektit, ku qytetërime, ngjarje historike e fatkeqësi natyrore kanë lënë gjurmët e tyre”, – tha Margariti.
Kalaja është e lashtë sa vetë qyteti i Durrësit. Gjatë shekujve ajo është prishur dhe rindërtuar disa herë. Muret rrethuese të Durrësit në pjesën e tyre kryesore i përkasin periudhës së perandorit Anastas (491-518) me origjinë nga ky qytet dhe përbëhen nga dy pjesë kryesore: Akropoli ose Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Riparime të mureve janë kryer që prej tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273.
Muret mesjetare aktualisht rreth 4,6 metra në lartësi dhe tri hyrjet e disa prej kullave të fortifikimit janë ruajtur në gati një të tretën e gjatësisë fillestare të qytetit kala.
Lëkundjet e tërmetit të 26 nëntorit nuk kanë kursyer as monumentet e kulturës, të cilat datojnë prej shekujsh. /Atsh /KultPlus.com
Tërmeti i 26 nëntorit mund të ndikojë në përshpejtimin e zbulimit të plotë të Amfiteatrit të Durrësit. Një pjesë e banesave që ndodhen ende mbi shkallaret e tij janë dëmtuar nga lëkundjet sizmike dhe bashkia ka nisur procedurat për sistemimin e familjeve. Këto shtëpi janë ndërtuar që në vitet 1930, kur askush nuk kishte dijeni për monumentin e madh të antikitetit.
“Akt ekspertizat e thelluara të Institutit të Ndërtimit kanë përcaktuar rrezikshmërinë e lartë që paraqesin këto objekte për banorët,” tha për BIRN, Alban Ramohito, drejtor i Muzeut Arkeologjik të Durrësit.
“Një nga banesat e dëmtuara me tre kate ndodhet në bulevardin kryesor “Epidamn”, shumë pranë bashkisë, dhe prishja e saj do të zbulonte për herë të parë, se si dukej amfiteatri nga ana e jashtme e tij,” shtoi ai.
E gjithë procedura do të ndiqet më tej nga bashkia, njëlloj si për familjet e tjera të qytetit, shtëpitë e të cilave u dëmtuan rëndë nga tërmeti shkatërrimtar.
Nëntë banesat e dëmtuara 1-3 katëshe ndodhen në pjesën lindore të amfiteatrit, zonë që ka mbetur njëlloj si në fillim të viteve 1960. Prishja e tyre i hap rrugë zbulimit të plotë të shkallareve dhe galerive të monumentit më të madh arkeologjik në vendin tonë.
Çlirimi i amfiteatrit nga banesat një histori shumëvjeçare
Historia e zbulimit të Amfiteatrit të ndërtuar në shek 1-2 të erës sonë, ka nisur 55 vjet më parë, kur arkeologu Vangjel ToçI, duke vlerësuar të dhënat e pakta dokumentare, si dhe dëshmitë e banorëve të lagjes mbi anomalitë e ndryshme të terrenit, u bë shkak për prishjen e 33 shtëpive dhe largimin e 50 familjeve të njohura durrsake si Kthupi, Njala, Velja, Kapedani, Bebeziqi, Plepi dhe të tjerë.
Ato u sistemuan në apartamente kryesisht në periferi të qytetit dhe duket se të njejtin fat do të kenë edhe familjet e fundit që vazhdojnë të jetojnë mbi monumentin antik.
Prej asaj kohe ndërhyrjet ishin sporadike. Një përpjekje shpronësimi u bë në fillim të vitit 2015, në kuadër të fazës së parë të një projekti të qeverisë aktuale që ka premtuar zbulimin e amfiteatrit, prishi 3 banesa që ndodheshin brenda amfiteatrit.
Familjet liruan shtëpitë dhe u kompensuan sipas sipërfaqeve përkatëse, ndërsa transferimi i familjeve të tjera u shty për një kohë të pacaktuar për shkak të faturës së lartë financiare të shpronësimit, rreth 100 milionë lekë.
Por tërmeti i 26 nëntorit, përtej fatkeqësisë, duket se ka krijuar një mundësi të re për të nxjerrë në dritë pjesën e mbetur mbuluar të amfiteatrit.
Specialistët e Institutit të Ndërtimit, të cilët pas tërmetit të vitit të kaluar kanë ekzaminuar teknologjinë dhe kohën e ndërtimit, si dhe shkallën aktuale të degradimit nga faktorë të ndryshëm, përfshirë edhe forcat dinamike sizmike, kanë konkluduar se “duke parë dëmtimet e kolonave antisizmike dhe hekurat e korroduar të objektit, si dhe degradimin e madh ndër vite, objekti është me rrezik shumë të lartë për humbjen e jetës së njerëzve”.
Ky është teksti i konkluzioneve për një nga banesat, por ai është mjaft i ngjashëm me tetë aktet e tjerë të ekspertimit për banesa që kanë mbi dokument siglën “E papërdorshme”.
Ndërkohë ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj tha në një mbledhje të qeverisë për ndërtimin e banesave të prishura nga tërmeti, se për amfiteatrin do të ndaheshin fonde nga 100 milion eurot e dhëna prej Bashkimit Europian.
“Shumë shpejt do fillojmë detajimin e 100 milionëve (euro) në dy fasha kryesore, një pjesë për arsimin dhe pjesa tjetër për trashëgimisë kulturore duke përfshirë edhe Amfiteatrin e Durrësit, ku do bëjmë një projekt shembull,” tha Ahmetaj.
“Banorët e amfiteatrit”, siç i quajnë në Durrës kanë patur një ndjeshmëri të lartë për monumentin më të cilin bashkëjetojnë prej disa dhjetëvjeçarësh. “Ne e dimë se zbulimi i plotë i shkallareve dhe galerivë është çështje kohe” – thotë Eugen Simaku, pinjoll i një familjeje që jeton në të njëjtën shtëpi që nga viti 1942. Por ai shton se do tu pëlqente të kishin një sistemin dinjitoz, pasi kanë jetuar gjithnjë në qendër të qytetit.
Të njëjtin mendim ka edhe Nexhmije Kacani, e cila shprehet se nuk ka patur dëmtime të rënda nga tërm eti i fundit. “Nga tërmeti janë plasaritur disa mure, jo më shumë. Më shumë më tremb rrëshqitja e dyshemesë , që ndodhet mbi muret e amfiteatrit” – shton ajo.
Shumica e familjeve që banojnë ende mbi amfiteatër nuk kanë kryer thuajse asnjë riparim, në pritje të zgjidhjes, që duhet të vinte nga shteti. E vetmja banesë, e cila i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje të thellë restauruese është gjetur e padëmtuar nga specialistët e Institutit të Ndërtimit.
Amfiteatri antik, njëlloj si 50 vjet më parë
Që nga viti 1970, kur përfundoi faza e parë e zbulimit, monumenti ka thuajse të njejtën pamje. Punimet për zbulimin kanë qenë sporadike dhe kanë kaluar peripeci të shumta.
Në fund të viteve 1980 në pjesën pranë bashkisë së Durrësit pati një përpjekje tjetër për të zbuluar fasadën e jashtme të amfiteatrit, si dhe hyrjen e galerisë së madhe veriore. Ndërhyrja synonte të paraqiste imazhin e amfiteatrit madhështor edhe përballë sheshit qendror të Durrësit.
Gjithçka u bllokua gjatë vitit të parë të tranzicionit dhe lulishtja u rimbush me dherat që ishin larguar nga zona pranë xhamisë së madhe të qytetit. Projekti u ndërpre siç kishte nisur, brenda pak muajsh.
Të njejtin fat pati edhe ndërhyrja e forcave xhenjere të NATO-s me mision paqeruajtës në Kosovë, të cilat mbështetën nismën e arkeologëve durrsakë për hapjen e arenës së amfiteatrit, një projekt i parealizuar ende. Ishte viti 2000 dhe për afro 2 muaj ushtarakët e huaj nën vëzhgimin e arkeologëve vendas larguan dhjetra metër kub dhera, duke zbritur drejt kuotës 0 të arenës.
Pastrimi i përgjithshëm i monumentit u ndërpre shumë shpejt dhe pa sqarime.
Kështu iu mbyll rruga një procesi profesional dhe pa shpenzime, i pari i këtij lloji i viteve të tranzicionit.
Më pas puna 10-vjeçare e një ekipi italo-shqiptar kishte kryesisht efekte studimore, duke u fokusuar në pjesën juglindore të mureve. Por përveç anës studimore, edhe ai nuk mundi të zgjerojë gamën e zbulimit.
Shkencëtarë vendas dhe të huaj e konsiderojnë amfiteatrin e shek 1-2 të erës sonë, si një nga monumentet me vlerë në shkallë eurupiane. Në vitin 2013 fondacioni “Europa Nostra” e shpalli Amfiteatrin e Durrësit si një nga monumentet më të rrezikuar në kontinent.
Projekti për zbulimin e plotë të tij bashkë me investimin financiar kërkon bashkërendimin e punës së institucioneve dhe specialistëve nga disa fusha. Elipsoidi me moshë 1,900-vjeçare dhe me përmasa 130-113 metra do të vinte i plotë për vizitorët vendas dhe të huaj. /Koha jonë /KultPlus.com
Një objekt arkeologjik në qendër të qytetit të Durrësit pas godinës së prefekturës. Objekti është zbuluar teksa një subjekt po gërmonte për të realizuar një projekt infrastrukturor. Ajo që dallohet për momentin është një bllok guri si dhe fragmenti i një muri me tulla të kuqe.
Puna është ndërprerë dhe është njoftuar Ministria e Kulturës. Disa specialistë të fushës e kanë evidentuar objektin, fotografuar dhe filmuar. Ata nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë se çfarë përfaqëson ky fragment i zbuluar dhe cilës periudhë i përket.
Nga shtresëzimi duket si ndërtim i periudhës së Bizantit. Zbulimi është kryer në qendrën e Durrësit e cila ka qenë historikisht qendra e këtij qyteti qëkurse ai u themelua. Do të jenë specialistët ata që do të analizojnë këtë zbulim./ Shqiptarja.com / KultPlus.com
Nëntori i kaluar do të duhej të ishte muaji festiv, që bashkon çdo vit shqiptarët për festat kombëtare, por tërmeti i 26 nëntorit i bëri të gjithë bashkë në ndihmë të njëri-tjetrit. Ato ditë të vështira, shumë prej emrave të njohur iu përgjigjën menjëherë thirrjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të adoptuar një banesë të dëmtuar rëndë nga tërmeti apo duke dhuruar ndihma për familjet në nevojë. E njëra prej tyre ishte këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, e cila vendosi të rindërtonte nga e para shtëpinë e familjes Sala në fshatin Pinar.
Sot 6 anëtarët e kësaj familjeje kanë hyrë në shtëpinë e tyre të re, çelësat e së cilës ua dorëzoi kryebashkiaku Veliaj dhe kushërira e Rita Orës, Amantia. “Këto ditë kemi qenë me kryeministrin për hapjen e shtëpive të reja që u rindërtuan pas tërmetit, por nuk i bën dot shteti gjithçka. Edhe në Angli, edhe në Amerikë shteti bën aq sa ka takat, por ama secili bën diçka shtesë. Vetëm ideja që Rita ka njëqind koncerte e gjëra, por i vajti mendja dhe tha: Nuk i bëj dot të gjitha, por një shtëpi do ta bëj, një njeri do ta ndihmojmë”, tha ai, duke kujtuar bisedën që pati me këngëtaren shqiptare ditët e para pas tërmetit.
Familja Sala falënderuan kryebashkiakun Veliaj dhe këngëtaren Rita Ora për shtëpinë e re. E emocionuar, Edlira Sala tha se nuk kishte menduar që do të sistemonte fëmijët e saj në një banesë të tillë. “S’e kisha menduar ndonjëherë në jetën time që një këngëtare do vinte të më bënte shtëpinë këtu. E falënderoj shumë madje, që e bëri këtë për familjen time. Unë kam mbi 20 vite martesë, nuk arrita të bëj diçka”, u shpreh ajo.
Kryebashkiaku Veliaj tha se koha ka treguar që sa herë shqiptarët lënë pas sherret dhe bëhen bashkë, mund të bëjnë punë të mira. “Për çfarë zihemi dhe urrehemi?! Kishim një vit, ziheshim të bënim një copë rrugë aty tek Astiri. Ore, ti po merr lekët, po të japim një shtëpi, po të kompensojmë që të bëjmë rrugën… Edhe për Teatrin pyes: Ore, për çfarë zihemi? Një ditë jemi, një ditë jo, vjen tërmeti e shuhet gjithçka. Nëse Zoti do na japë një çikë mend për t’u bërë pak më të mirë, pak më të dashur me njëri-tjetrin, mund të bëjmë më shumë punë. Por, kur vëmë pengesa e shkaktojmë sherre, s’kemi të ardhme”, tha Veliaj.
Lajmin se kishte vendosur të ndërtonte shtëpinë e familjes Sala, Rita Ora e dha në ditën e Flamurit, kur në mediat sociale shkroi: “Gëzuar Ditën e Flamurit Shqipëri! Ditëlindjen time dhe ditët e fundit i kam kaluar duke menduar se cila është gjëja e duhur që duhet të bëj. Familja e parë që kam zgjedhur është familja Sala dhe ne do ta ndjekim procesin në vijim, sepse ka kaq shumë familje që kanë nevojë për të njëjtën ndihmë”./ Shqiptarja.com /KultPlus.com
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti mëngjesin kësaj të premte ka vizituar nga afër të prekurit e tërmetit në Durrës. Në një prononcim për “News24”, kreu i VV-së tha se të gjithë janë tronditur nga kjo fatkeqësi natyrore, ndërsa theksoi se të gjithë shqiptarët duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin duke shtuar se ndihma është një obligim kombëtar.
“Të gjithë shqiptarë jemi tronditur nga ky tërmet i tmerrshëm që ka goditur zonën e Durrësit. Fillimisht ishim të përfshirë nga ankthi i kërkim shpëtimit, të atyre që kishin ngelur nën gërmadhe, por tani duhet të kemi sa më shumë solidaritet për jetën e vështirë, për jetë shumë të rëndë të atyre që shpëtuan, qofshin familjarë të viktimave ose të tillë që nuk kanë pësuar. Jetesa është shumë e rrezikshme në këto ndërtesa, të cilat janë kaq të brishta pas dy valëve të fora të tërmeti, këtij të fundit por edhe atij të shtatorit”, tha Kurti.
Ai gjithashtu tha se “Kemi një sensibilizim shumë të madh të qytetarëve të Kosovës edhe për t’i marrë qytetarët e Durrësit, por edhe zonat e tjera ku ka pasur dëmtime, është kjo një rikthim të asaj çfarë shqiptarët kanë bërë, do ta shikojmë në këtë formë apo është thjesht një detyrim moral dhe kombëtar?”.
“Pavarësisht se çafër ka ndodhur në të kaluarën, shqiptarët gjithmonë e ndihmojnë njëri-tjetrin, sepse jemi një komb dhe besoj që kjo përkrahje që bëjmë, e japim dhe marrim është një detyrë kombëtare, prandaj këtu duhet të bëjmë më shumë punë se sa falënderime, sepse ta ndihmojmë njëri tjetrin e kemi obligim. Ndihma për njëri tjetrin nuk është dhuratë, por është obligim, por është e rëndësishme që të jetë sa më e organizuar. Unë dje kam pasur një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozin dhe me komandantin e FSK, gjeneral lejtnant Rrahman Ramën, dhe ky i fundit ishte i gatshëm dhe i interesuar që FSK ta marrë përsipër aspektin organizativ dhe logjistik, meqenëse kjo ndihmë nuk bën të shkojë dëm, por duhet të ketë efikasitet në grumbullim dhe në shpërndarje”, përfundoi ai. / KultPlus.com
Edicioni i 14-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës që po zhvillohet në Durrës ka vijuar mbrëmjen e kaluar me koncertin e Duos nga Spanja. David Martin në violonçel, i shoqëruar në piano nga Miguel Angel Ortega Chavaldas interpretoi me mjeshtëri një sërë veprash nga kompozitorë mjaft të njohur.
Vetëm 24 vjeç, shumë i talentuar dhe me një teknikë të lartë profesionale, David Martin solli për dëgjuesit dy Sonata nga Ludvig van Beethoven (1770-1827) dhe nga Sergey Prokofiev (1891-1953).
Artistët spanjollë mjaft të vlerësuar për karrierën e tyre muzikore, në pjesën e dytë të programit interpretuan “Shtatë këngë popullore”, kompozuar nga Manuel de Falla (1876-1946). Më pas ata luajtën intermezzo nga opera “Goyescas” të kompozitorit Enrique Granados.
Shikuesit e shumtë në sallën e muzeut arkeologjik të Durrësit duartrokitën gjatë lojën e instrumentistëve nga Spanja, të cilët u kthyen përsëri në skenën e improvizuar me “Dance of the elves” nga Popper.
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës që organizohet nga Nevila Kalaja do të mirëpresë edhe tre koncerte të tjerë me instrumentistë nga Italia, Austria dhe Shqipëria.
Nisi lundrimin sot anija e parë turistike në Durrës, duke shtuar kapacitetet për turistët që vizitojnë Shqipërinë.
I pranishëm ishte dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i cili tha se, “është pak e habitshme pse kaq vonë, por mbase edhe sot që kemi anijen e parë kuptojmë që sa probleme kemi me këtë fushë, me këtë biznes, me rregullat sesi lundrohet, ku parkohet, cilat janë lehtësirat që duhet të marrin këta investitorë për sa i përket menaxhimit më të thjeshtë të këtyre anijeve turistike dhe të mos ngatërrohen me problematikat që kanë biznesi i jahteve apo gjërave që kalojnë kufirin. Pra ka problematika të cilat ne duhet t’i zgjidhim të gjithë së bashku. Por unë më shumë se kaq dhe prandaj kërkuam ta realizojmë këtu në mes të detit një takim me të gjithë ju, investitorët e hoteleve të bregdetit të Durrësit dhe më gjerë se kaq, me të gjithë kryetarët e shoqatave që shumë faleminderit që jemi bashkë këtu për të hapur një debat të ri në vendin tonë që ka të bëjë me turizmin e detit”.
Sipas tij, në Shqipëri flitet shumë pak për bregdetin, plazhet, për investimet në rërë, pra për industrinë e detit në tërësi.
“Unë ju siguroj që ju duhet ta rishikoni këtë pjesë të biznesit pasi ai zhvillim që shikojmë që këtu që ka ndodhur në rërë, shumë shpejt duhet të ndodhë edhe në det. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të disafishojë potencialin e saj turistik duke investuar në biznesin e detit. Ky vend duhet të ishte plot me jahte, me anije të shpejta me gjithë biznesin që ofron deti por dhe shërbimin që duhet të ketë në tokë, për detin. Tani jeni në një fazë që ju pothuajse i keni mbaruar hotelet tuaja, jeni në fazën e shtimit të hoteleve të reja, por kjo nuk mjafton. Ne na duhet që ta disafishojmë potencialin tonë duke folur për detin, për marinat, për portet e mëdha apo të vogla të jahteve, por edhe për shërbimin që duhet të krijojmë në det”, tha ministri Klosi.
Nga Durrësi, në një udhëtim simbolik me anijen e parë turistike në rajonin bregdetar të Durrësit, ministri i bëri thirrje komunitetit të biznesit të investojë për krijimin e një industrie të re në hoteleri, që është industria e detit.
Klosi tha se, “të shikojmë me shpejtësi politika të reja për detin dhe të kemi mundësinë që të krijojmë një biznes që padyshim t’i afrohet Shqipërisë dhe ne të jemi pionierët dhe ta ndërtojmë së bashku me rregulla të reja, me parime të reja, me norma të reja, dhe natyrisht me më shumë biznes për ju. Përmes anijes së parë turistike në Durrës, turistët e huaj do të kenë mundësi të vizitojnë bukuritë e Kepit të Rodonit, të Bisht Pallës, të kenë mundësinë të vizitojnë Durrësin antik nën det, të kenë mundësinë që të vizitojnë pasuritë e mëdha natyrore që kanë zonat e mbrojtura që janë në të dyja krahët e gjirit të Durrësit”.
“Ky det duhet të shfrytëzohet më shumë dhe kjo ka nevojë që edhe ju biznesi lokal i Durrësit dhe i gjithë bregdetit të keni mundësi që të shikoni më shumë shërbime për detin. Mbase ai agresiviteti i Vlorës do të vijë edhe në Durrës që të shtohen anijet. Në Vlorë vjet ka pasur 2 anije, sivjet ka 27 anije dhe kjo është një çmenduri dhe shpresojmë që ky biznes do të fillojë edhe në Durrës me shpejtësi”, tha ministri. /atsh / KultPlus.com
Me rastin e 20 nëntorit 1943, në lapidarin simbol të kësaj dite, bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni në përkujtim të gjithë atyre të rinjve luftëtarë e patriotë që u internuan në kampet e përqendrimit nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetari i bashkisë Vangjush Dako, kreu i këshillit të qarkut Alfred Mullaraj, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor e qendror, veteranë të luftës etj.
Të pranishmit bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në nderim të sakrificave të gjithë atyre të rinjve që u persekutuan dhe u internuan në kampet e shfarosjes masive gjatë pushtimit nazist të vendit.
Në mëngjesin e 20 nëntorit të vitit 1943 qytetarët durrsakë përjetuan një ngjarje tronditëse, bastisjen e shtëpive nga nazistët dhe marrjen me forcë të bijve të tyre. Këta të rinj durrsakë u sollën me dhunë në fushën e Shkozetit, aty ku ndodhet ky lapidar, dhe më pas i hipën nëpër kamionët e ushtrisë gjermane duke i dërguar fillimisht në burgun e Tiranës e po atë ditë në kampet e shfarosjes si në Prishtinë, Mat’hauzen, Dakau etj.
Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako pasi kreu homazhet dhe vendosi kurorë me lule në lapidarin që përkujton patriotët durrsakë, deklaroi se sakrificat e këtyre njerëzve dhe të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për lirinë e Durrësit dhe të krejt vendit do të përkujtohen me nderim në çdo kohë.
Në emër të Bashkisë fjalën e rastit e mbajti drejtori i Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve Fetare në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra i cili u shpreh se “në pllakat memorative në varrezat e dëshmorëve të qytetit janë 43 emra të rinjsh që u vranë në kampet e Dakau, Mat’hauzenit etj. Ata të rinj durrsakë me sakrificën e tyre dhanë një mesazh të rëndësishëm, atë të luftës për liri duke sakrifikuar edhe jetën pasi atdheu është më i shtrenjti”.
“Sakrificat e këtyre të rinjve mbeten një mesazh i fuqishëm për të gjithë brezat që e duan Shqipërinë. Ne i kujtojmë me respekt të thellë ngjarjet e protagonistët që e shkruan atë histori të lavdishme në të shkuarën, duke reflektuar për lirinë dhe vlerat e lirisë në jetën që bëjmë, shoqërinë ku jetojmë, botën që ndërtojmë”, nënvizoi Gurra.
Sipas tij, nderimi i veprave të mëdha patriotike e i vetë protagonistëve të lavdishëm të së shkuarës së qytetit tonë duhet të mos mbetet thjesht një nderim ceremonial për të shkuarën, por të jetë njëkohësisht edhe vijimi i atyre veprave, përmes reflektimit në jetën e punën tonë, të vlerave që sot na mblodhën këtu, në emër të lirive e të të drejtave që u mbrojtën me jetë njerëzish.
Gurra tha se ne jemi krenarë teksa kujtojmë të gjithë këta durrsakë dhe shqiptarë, që kanë luftuar e kanë dhënë jetën, për vlera monumentale që sot qëndrojnë në themel të ekzistencës tonë.
“Kjo është një ditë historike, një nga momentet kur secili prej nesh qytetarë, të rinj, të moshuar, të gjithë brezat reflektojnë mbi të shkuarën dhe të ardhmen mbi përpjekjet dhe sakrificat njerëzore deri në humbjen e jetës në emër të një kauze të madhe, në emër të lirisë së Atdheut. Mirënjohje dhe respekt për të ata të rinj që bënë rezistencë antifashiste dhe vuajtën në burgjet dhe kampet e përqendrimit nazist”, theksoi Gurra.
Në këtë ceremoni e kanë marrë fjalën edhe veteranë të luftës të cilën sollën kujtimet e tyre nga lufta antifashiste nacionalçlirimtare dhe nga dita kur të rinjtë patriotë të Durrësit u internuan drejt kampeve të përqendrimit./ KultPlus.com
Është hapur në Durrës edicioni i tretë i panairit ndërkombëtar të librit shqip “Durrës Script”, një aktivitet që organizohet nga shoqata kulturore “Durana” dhe Bashkia e Durrësit, i cili do të zgjasë deri në 12 gusht, në shëtitoren Taulantia.
Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako vizitoi tendat e këtij panairi.
“Ky aktivitet është tashmë një traditë e qytetit të Durrësit dhe ndër aktivitetet më të mira kulturore që zhvillohen. Interesi i shtëpive botuese është i madh, gjithashtu edhe i lexuesve durrsakë, por edhe atyre që vizitojnë Durrësin, duke arritur qëllimin që ka ky panair, për ta çuar librin sa më pranë lexuesit”, tha Dako./ ata
Reperi i njohur i cili ka mbajtur me dekada një profil diskret, tashmë po bëhet më publik me postime në rrjete sociale e koncerte.
E nisi në Europë dhe duket që s’do ndalet.
Unikkatil më datë 4 gusht do të mbajë një koncert madhështor në Durrës. Tashmë kanë dalë edhe biletat në shitje. Më poshtë po ju sjellim lokacionet ku mund t’i siguroni ato. / KultPlus.com
Një pikë informacioni për udhëtarët e kroçerave dhe jahteve do të funksionojë gjatë gjithë sezonit turistik në portin e Durrësit.
Gjithçka është instaluar në sheshin pranë Drejtorisë Ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD), në kuadër të një projekti që mbështetet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Bashkë me Info-point turistik, një instalacion me çadra shumëngjyrëshe do t’i urojë simbolikisht mirëseardhjen me “1000 buzëqeshje për turistët e huaj”, që zgjedhin të vizitojnë Durrësin dhe qytetet historikë të vendit. / KultPlus.com
Muzeu arkeologjik në Durrës, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, gjatë muajve janar-qershor të këtij viti është vizituar nga 5386 turistë vendas e të huaj.
Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, muzeu po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve sidomos atyre të huaj, ku në 6 muajt e parë të vitit është vizituar nga 2414 të huaj dhe 936 nga vendi.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, bën të ditur për ATSH-në se “vizitorët e huaj kanë qenë nga shtete të ndryshme si USA, Gjermania, Anglia, Polonia, Suedia, Franca, Italia, Kina, etj”.
“Falë një bashkëpunim të ngushtë me agjencitë turistike vendase dhe të huaja, kemi bërë të mundur mirë koordinimin për një mbarëvajtje sa më të mirë të vizitës në objektet e trashëgimisë kulturore të Durrësit”, shprehet DRKK, Durrës.
Guidës së qytetit të Durrësit këtë vit i është shtuar dhe monumenti Banka Kombëtare Tregtare (Durrës), si dhe është dërguar për propozim për shpallje monument kulture Katedralja e Shën Luçisë në qytetin e Durrësit.
Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë, përcjell ata.
Objektet e para qenë vendosur në një vilë 2-katëshe, që njëlloj si godina e muzeut të ri ndodhej në shëtitoren “Taulantia”. Një emër që kujton banorët ilirë të cilët u bënë bërthama e qytetit, që fillimisht u thirr Epidamn e Dyrrah e në kohët e vona Durrës, ashtu siç e quajmë edhe ne tani.
Ndërtesa e muzeut të parë arkeologjik rrethohej nga dy oborre të mëdha, me dy portikë krejtësisht origjinalë.
Perimetrin e oborrit të parë e zbukuronte portiku i Xhamisë së Kavajës, që pas viteve 1990 u rikthye në qytetin ku ishte marrë 25 vjet më parë, ndërsa streha me monumente e oborrit tjetër mbante në mes një nga lulishtet më të bukura të qytetit tonë. Një shembull për tu admiruar.
Edhe projekti i muzeut aktual lidhet me emrin e arkeologut Vangjel Toçi. Planet për ndërtimin kishin nisur që në fillim të viteve 1980, por dalja e tij në pension dhe përkeqësimi i buxhetit financiar të shtetit e shtynë për një kohë mjaft të gjatë realizimin e tij.
Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, vetëm në katin e parë të godinës janë riekspozuar rreth 2100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4-t pas erës sonë.
Në muzeun më të madh arkeologjik në Shqipëri paraqiten objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit. Përveç amforave dhe spirancave të zbuluara në fundin e detit, muzeu ka edhe një fond të pasur, që në të ardhmen do të jetë pjesë e pavijonit të mesjetës. / KultPlus.com
Në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Bashkia e Durrësit dhe shoqata kulturore Smat me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës organizuan “Festën për Gjergj Kastrioti Skënderbeun në ditën e lindjes së tij’.
Ky aktivitet dy ditor që zhvillohet në Bashkinë e Durrësit dhe në kepin e Rodonit, u organizuar nën kujdesin e veçantë të kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako.
>
Delegacioni i përbërë nga rreth 50 vetë nga komunat arbëreshe të Italisë, Casalvecchio dhe Chieuti, të veshur me kostume popullore dhe duke kënduar këngë të vjetra shqip kanë çelur këto festime në sallën e këshillit bashkiak të Durrësit për të vijuar më pas edhe sheshin Liria.
Në këtë ceremoni delegacioni është pritur nga drejtori i kabinetit të bashkisë së Durrësit Lavdosh Beqiraj dhe drejtori i arsimit dhe kulturës Adrian Gurra të cilët i kanë uruar mirësardhjen arbëreshëve të Italisë dhe kanë vënë theksin në thellimin e mëtejshëm të shkëmbimeve kulturore midis arbëreshëve të Italisë dhe Durrësit për të cilën shërbeu edhe kjo festë dy ditore për nder të Skënderbeut që i bashkoi në Durrës shqiptarë nga të gjitha trevat ku ata ndodhen.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe dy kryetarët e komunave arbëreshe, kryetari i komunës Casalvecchio, Noe Andreano dhe kreu i komunës Chieuti, Diego Iacono./ ATA/ KultPlus.com
“A jeni kurioz për të parë mozaikët e rrallë apo të provoni vet sesi ndërtoheshin këto vepra arti dikur? Atëherë duhet të shkoni patjetër në Durrës!”, kjo është ftesa që bën Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro teksa ka publikuar një video të veçantë nga vizita në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, ku shihet sesi po punohet për të riprodhuar një nga mozaikët e rralle te qytetit te Durrësit, ai i hipokampit.
“Mozaiku i hipokampusit, ku është? Si është? Doni të provoni si ndërtoheshin mozaikët e Durrësit? Në Muzeu Arkeologjik Durrës, tryeza e Qazim Kertushes dhe Ivo Mojit eshte krijimtari dhe zbavitje që rikrijon mozaikun e fshehur nen toke. Vizitoni muzeun dhe zbavituni ! #NdertoMozaikun Mos e humbni keto dite procesin e krijimit, Behuni bashkeautore te mozaikut! #EjaNeMuze #EdukimPermesKultures”, shkruan Kumbaro në Facebook.
Mozaiku i Hipokampit ndodhet në lagjen nr.5 të qytetit të Durrësit. Mozaiku në fjalë është zbuluar në vitin 1947 nga arkeologu Vangjel Toçi dhe pas konservimit të tij, ai ka qëndruar për shumë vite i mbuluar me rërë. Në fund të viteve ‘80, mozaiku është rihapur nga arkeologu Moikom Zeqo, i cili ka kryer dokumentimin dhe mbulimin e tij.
Mozaiku ndodhet 2.5m nën trotuarin e rrugës Kasem Durrësi, me një sipërfaqje rreth 50m2.
Mozaiku është punuar me teknikën bardh e zi dhe paraqet katër skena me motive nga mitologjia të punuar me gurë kubik të zinj në sfond të bardh. Hipokampi (kal deti me bisht peshku), erosi me delfin si dhe triton me krahë të hapur. Mozaiku ka zbukuruar dyshemenë e një godine luksoze të shek. i pas Krishtit.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, falë dokumentave arkivore dhe vizatimeve me detaje të mozaikut me Hipokamp (kal deti me bisht peshku), ka nisur punën për riprodhimin e mozaikut për ta ekspozuar në ambjentet e Muzeut Arkeologjik Durrës që vizitorët të njohin vlerat e këtij mozaiku.
Ky riprodhim po kryhet nga skulptori Qazim Kërtusha (restaurator pranë DRKK Durrës) dhe restauratori Ivo Moja.
Vendin se ku do të ekspozohet ky mozaik do të shqyrtohet për vendimmarrje në Komisionin Shtetëror të Muzeve./ KultPlus.com
Në vitin e dytë të vijimit të projektit “Durrësi në antikitetin e Vonë”, del në dritë pjesa tjetër e një ndërtese luksoze me funksion publik, që i përket periudhës bizantine.
Drejtuesja e projektit të Institutit të Arkeologjisë, arkeologia Brikena Shkodra Rrugia, u shpreh për “Amfora.al” se këtë vit është zbuluar vijimi i ndërtesës madhështore, ku ka dalë në dritë një pilastër në formë kryqi, me lartësi rreth 3.5 metër, pranë të cilit gjendet një sipërfaqe e shtruar me pllaka mermeri, ambient që besohet të ketë shërbyer si pishinë.
Arkeologia Rrugia bën me dije se në sipërfaqen e shtrojes me pllaka mermeri, janë zbuluar varre, inventari i të cilave i daton ato në shek VII të Erës Sonë. Ndërtesa luksoze duket se ka pasur edhe mozaik, për shkak se numri i copërave të gjetura orientojnë mbi ekzistencën e një mozaiku mural.
Monumenti që nga periudha bizantine ka njohur 4 nivele përdorimi, ku pas çdo braktisjeje të niveleve të banimit, hapësira shfrytëzohej për varreza. Një shtresë e djegur jep detaje për banimin e monumentit në mesjetën e hershme dhe të mesme. Por edhe në sipërfaqe, një pus dhe muret e një banese të shek XVIII, dëshmojnë për përdorimin në vijimësi të monumentit.
Zbulimi ka ngjallur interesin e qytetarëve durrsakë, të cilët e kanë vizituar monumentin përgjatë muajit që kryhej sondazhi arkeologjik. Gjithashtu zbulimi krijoi një “forum” ekspertësh, ku arkeologë, arkitekt, restaurator, dhe emra të njohur, si Artan Shkreli, përveç vizitës jepnin mendimin e tyre mbi zbulimin dhe funksionin e godinës publike.
Vendi ku u krye sondazhi arkeologjik gjendet në rrugën “Mustafa Varoshi”, në lagjen numër 11, që ka falur mrekulli të nëntokës së Durrësit, si mozaiku “Bukuroshja e Durrësit. Aktualisht objekti i zbuluar është mbuluar me dhe, me qëllim ruajtjen e tij, pasi gjendet midis shtëpive të banuara.
Gërmimet e këtij viti nuk do të ishin bërë të mundura pa kontributin e çmuar të familjes Dakoli, të cilët lejuan që në bahçen e tyre të bëhej sondazhi arkeologjik. Projekti “Durrësi në antikitetin e vonë” pritet të vijojë vitin e ardhshëm, për njohjen e pjesës tjetër të ndërtesës luksoze me funksion publik, po në pronën e familjes Dakoli. / KultPlus.com
Një tjetër zbulim i ri arkeologjik në Durrës përforcon bindjen mbi rëndësinë dhe madhështinë e qytetit buzë Adriatikut edhe në periudhën e antikitetit të vonë, kur Perandoria Bizantine përballej me një sërë problemesh dhe investime të tilla ishin të pazakonta.
Sipas drejtueses se gërmimeve, arkeologes Brikena Shkodra, bëhet fjalë për elemente strukturore të ndërtuara me materiale të kushtueshme për kohën dhe që i përkasin një godine të antikitetit të vonë, që mund të jetë një pallat perandorak bizantin.
“Ajo që ne mundëm të zbulojmë këtë vit është një ambient që shtrohet me pllaka cilësore mermeri të importuar ndoshta nga Prekonezi; faqet anësore janë të shtruara me shtresë llaçi me karakter hidroizolues; si dhe fasada e jashtme është e veshur me pllaka cilësore të mermerit prekonezian. Këto na bëjnë të mendojmë se kemi të bëjmë me një hapësirë që ka funksionuar si një fontanë ose pishinë, pjesë e një kompleksi shumë të madh publik në antikitetin e vonë. Nëse tentojmë të mendojmë mbi funksionin e këtij kompleksi, gjetjet, nisur nga cilësia e punimit, na shtyjnë të mendojmë se mund të kemi të bëjmë me një pallat perandorak. Kjo tregon se Durrësi ishte një qytet shumë i rëndësishëm për Perandorinë Bizantine gjatë shekullit të V-VI”, thotë Shkodra.
Një ide tjetër është se këto gjetje mund t’i përkasin edhe një terme (banjo termale) të së njëjtës periudhë historike, por arkeologia shprehet se priten të tjera elemente për të sqaruar përfundimisht funksionin e godinës.
“Pritet gjetja e elementeve të tjera nëse bëhet fjalë për një pallat perandorak, apo një terme. Është e rëndësishme që kemi të bëjmë me një godinë të karakterit publik dhe jo fetar”, vijon Shkodra.
Gjatë këtyre gërmimeve të bëra në oborrin e pasmë të një banese private, në rrugën “Mustafa Varoshi”, në një nga lagjet e hershme të qytetit të Durrësit, atë 11 ka dalë në drite dhe një pus me thellësi 4.7 metra që i përket shekullit XVIII.
Dëshmitë e reja historike kanë dalë në dritë gjatë zbatimit të një projekti të Institutit Arkeologjik me fokus studimin e qytetit të Dyrrachiumit. / KultPlus.com