Në portin e Durrësit u ankorua sot veliera “Sea Cloud” me turistë të huaj në bord.
Autoriteti Portual Durrës ndau pamje nga vizita e velierës, e cila vjen prej më shumë se 10 vitesh në Durrës.
“Dhjetëra turistë amerikanë erdhën sot me velierën turistike “Sea Cloud”, për të vijuar turin e tyre njohës në vendin tonë. Shumë prej tyre u nisën drejt Krujës dhe Tiranës, ndërsa të tjerët do të vizitojnë qendrat historike dhe arkeologjike të Durrësit”, theksoi APD.
Veliera “Sea Cloud”, me një personel prej 58 personash, është e gjatë 110 metra dhe është e regjistruar në portin e La Valetas./ atsh/ KultPlus.com
Më 2 qershor 1961, Gjirokastra, Berati, nëntoka e Durrësit dhe pazari i vjetër i Krujës u shpallën qytete-muze.
Bazuar në këtë vendim të Këshillit të Ministrave u ngarkua Universiteti Shtetëror i Tiranës (USHT) që të kryente studimin dhe projektimin për zonifikimin e këtyre qyteteve.
Ndërkohë këto qytete duhet të mirëmbaheshin, të restauroheshin dhe të administroheshin në përputhje me dispozitat e Rregullores së qytetit-muze të Beratit dhe me udhëzimet e veçanta të Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Sipas Rregullores së përmendur, qyteti i Beratit ndahej në zonën muze, në zonën e mbrojtur dhe në zonën e lirë. Zona muze ruante monumente të kategorisë së I-rë dhe të II-të, në dallim nga zona e mbrojtur ku gjenin vend vetëm monumente të kategorisë së I-rë.
Ndërsa, në zonën e lirë bënin pjesë vetëm monumente të izoluara të kategorisë së I-rë, në pjesën e mbetur të qytetit pa pikëprerje me dy zonat e tjera. /Ata
Arkitekti Stefano Boeri prezantoi një projektide mbi restaurimin dhe rijetësimin e disa prej monumenteve më të rëndësishme në Durrës, me të cilëve edhe Amfiteatrit gati 2000-vjeçar.
Në takimin prezantues ishin të pranishëm kreu i bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim The_AADF, Michael Granoff, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, arkitektë, specialistë të monumenteve, etj.
Ministrja Margariti duke e cilësuar amfiteatrin një vlerë të jashtëzakonshme jo vetëm për trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, por gjithë rajonit, tha se “synimi është që zona arkeologjike e Durrësit të shndërrohet në një qendër model vizitueshmërie, e aksesueshme nga të gjithë, por mbi të gjitha që evidenton pasurinë e trashëgimisë sonë”.
“Një planifikuesit urbanë dhe arkitektët më të mirë ndërkombëtarë, Stefano Boeri prezantoi në Ministrinë e Kulturës, një projektide që nxjerr në dritë ato monumente që janë gur të çmuar të trashëgimisë tonë kombëtare por edhe pse jo botërore dhe që nuk e ka marrë ende vëmendjen që meritojnë”, tha Margariti në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Margariti u shpreh se “një ndër to është amfiteatri një monument 2 000 vjeçar që pret ende të zbulohet dhe duhet të angazhojë edhe më shumë arkeologë, studiues, arkitektë, restauratorë si një laborator i hapur dialogu dhe idesh. Për të vazhduar me Forumin bizantin dhe Banjat romake dhe të gjithë rrugëtimin që do të lidhë këto monumente me njëra tjetrën në një shtegtim në qytetin antik, por edhe në histori edhe në format digjitale”.
“Jemi duke çuar përpara miratimin e planit të menaxhimit të zonave arkeologjike në Durrës që do të mishërojë vizionin tonë për një qytet kaq të rëndësishëm ku bëhen bashkë ruajtja e trashëgimisë kulturore patjetër e zhvillimin ekonomik”, tha Margariti. / atsh / KultPlus.com
Durrësi është qyteti me rritjen më të madhe të vizitorëve këtë sezon veror dhe si i tillë i ka dhënë peshë gjithë rajonit qendror. Të dhënat e Institutit të Statistikave për strukturat akomoduese në korrik treguan se në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë rajoni qendër ku bën pjesë Durrësi u rrit me 50 për qind.
Veriu nga ana tjetër ka pasur një rritje modeste prej 3 për qind në korrik 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Jugu sipas statistikave ka mbetur në të njëjtat shifra sikurse viti 2021 ku “braktisjen” e vendasve e kanë balancuar të huajt.
Vizitorët jo-rezidentë u rritën me 23 për qind në rajonin qendër në korrik 2022 krahasuar me 202-in. Turoperatorët në fakt raportuan se për Durrësin vetëm kishte një kërkesë 30 për qind më të lartë sesa kapaciteti akomodues i qytetit. Heqja e kufizimeve të pandemisë dhe çmimet më të arsyeshme në raport me shërbimin që ofrohet duket se nxitën kompanitë e huaja që ta kthenin në një destinacion të rëndësishëm. Durrësi edhe pse jemi në shtator vijon të ketë shkëlqimin e pikut të sezonit ku referuar fluturimeve nga Rinasi rezultojnë të paktën 14 chartera nga Polonia, Norvegjia e Suedia të gjithë pjesë e turizmit të organizuar.
Qendra shënoi dhe rritjen më të madhe të turizmit vendas, me 138% në korrik 2022, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në rajonin e jugut numri i turistëve vendas ra me 3.5% dhe në veri tkurrja ishte më e lartë me -20%. Tkurrja e turistëve vendas në veri u kompensua nga rritja e të huajve me 12%. Veriu është dhe rajoni më interesant për të huajt, duke tërhequr 41% të totalit, ndërsa qendra 31% dhe jugu 28%.
Edhe në Veri numri i turistëve jo-rezidentë ka qenë ë i lartë këtë korrik sipas të dhënave të strukturave akomoduese ku rritja e raportuar është 12.4 për qind. Në Jug numri i të huajve në korrik 2022 ishte 4.2 për qind më i lartë se korriku i një viti më parë.
Vendasit nga ana tjetër këtë verë ishin në një “eksod” masiv drejt destinacioneve të huaja si një tendencë post-pandemi por edhe për shkak të paketave agresive konkurruese me të gjitha të përfshira të ofruara nga destinacione si Turqia, Mali i Zi dhe Greqia. Gjithsesi pushuesit vendas në korrik patën rritje vetëm në rajonin qendër me 138% rritje ndërkohë që në Jug strukturat akomoduese kanë raportuar rënie me 3.4 për qind në raport me një vit më parë. Rajoni i Veriut është prekur edhe më shumë nga mungesa e vendasve me një ulje prej 20 për qind në korrik 2022 krahasuar me korrikun e një viti më parë.
Shifrat e INSTAT për korrikun në strukturat akomoduese konfirmojnë edhe një herë deklaratat e turoperatorëve ku Jugu u raportua sipas zonave nga Vlora në Sarandë me një okupancë që në korrik luhatej mesatarisht mes 50-70 për qind edhe për shkak “të fushatës” së çmimeve të shtrenjta që nisi që qarkullonte masivit në rrjete sociale. MONITOR/ KultPlus.com
Reality show i famshëm holandez “Kush është i infiltruari” është ndalur këtë herë në Gjirokastër dhe Durrës, duke promovuar këto destinacione turistike shqiptare te publiku holandez.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro solli sot momente nga ky program televiziv, që ka zgjedhur Shqipërinë për xhirimet e radhës.
“Mirëmëngjes nga mbrëmja e djeshme që mblodhi sërish disa milionë teleshikues rreth ekranit të AVROTROS në Hollandë, për të parë “reality show”-n më të ndjekur që këtë sezon ka zgjedhur Shqipërinë e bukur, si skenën ku zhvillohen aventurat e personazheve”, tha Kumbaro.
Ajo theksoi se “Gjirokastra, ishte kryefjala e episodit te mbrëmshëm që shpalosi bukurinë e jashtëzakonshme te gurit të punuar në shekuj dhe magjepsjen e artizanatit që mbahet gjallë nga duarartat e Gjirokastrës së sotme”.
“Po ashtu edhe Durrësi, me intensitetin e portit dhe hapësirat e plazhit që nuk munguan, si për të treguar se Shqipëria është e bukur se i ka të gjitha brenda si një zemër e madhe, i ka të gjitha në një”, tha Kumbaro.
Shqipëria është përzgjedhur si destinacion për xhirimet e 12 serive të sezonit 22 për vitin 2022 të emisionit televiziv më të shikuar në Holandë, (Cili është i infiltruari?).
Në emisionin me audiencë prej mbi 4 milionë shikuesish, 11 konkurrentë, personazhe VIP holandezë erdhën në Shqipëri dhe xhiruan lojërat me sfida dhe aventura, në vendet më të bukura dhe mbresëlënëse të Shqipërisë.
Emisioni Wie is de Mol? shfaqet çdo vit në Holandë, që prej vitit 2000.
Përpara Shqipërisë, destinacionet e këtij programi kanë qenë gjithashtu vende nga më të veçanta të botës, si psh., Australi, Zelandë e Re, Shtetet e Bashkuara, Kinë, Kanada, Kolumbi, Portugali, Argjentinë, Tajlandë, Meksikë, Jordani, Japoni, Irlandë e Veriut, Skoci, Itali, El Salvador, Nickaragua, Islandë, Spanjë, Gjeorgji, Republika Ҫeke, Afrikë e Jugut, Hong-Kong, Filipine, Sri-Lanka, Republika Domenikane./atsh/ KultPlus.com
Gjatë gërmimeve të realizuara në muajt shtator-tetor 2021 nga arkeologët u arrit të zbulohet një rit varrimi shumë i veçantë dhe që haset për herë të parë në territorin e Durrësit. Ai mendohet se është i pari i këtij lloji edhe në territorin e Shqipërisë.
Refrigeriumi ishte një vakt përkujtimor i konsumuar mbi (ose brenda) një varri. Ai bëhej në mënyrë ciklike ditën e vdekjes, ditën e nëntë pas vdekjes dhe më pas në çdo përvjetor.
Gjatë realizimit të tij derdhej ujë, verë, qumësht ose mjaltë mbi varrin e të vdekurit, me qëllim ngushëllimin apo “freskimin” (nga këtu vjen fjala latine ‘Refrigerium’) e shpirtit të tij, i cili siç besohej asokohe qëndronte gjithnjë afër trupit.
Brikena Shkodra-Rrugia është arkeologia që drejtoi kërkimin shkencor që u zbatua nga Instituti i Arkeologjisë dhe ajo rrëfen në videon “Kultura në 1 minutë” mbi zbulimin që u has në një varrezë me 12 varre, që i përkasin 3 periudhave të ndryshme kronologjike, që mendohet se nisin nga fundi i shekullit 6 të Erës Sonë. / KultPlus.com
Aktualisht janë duke u kryer disa punime konservuese dhe përforcuese në “Kullën C” në Kalanë e Durrësit. Po ashtu, janë kryer një seri analizash të cilat ndihmojnë të përcaktohen ndërhyrjet konservuese të cilat janë duke u zbatuar, duke filluar me konsolidimin dhe riparimin e murit të themeleve duke përdorur teknika tradicionale.
Tërmeti i nëntorit shkaktoi shembjen e një pjese të mureve.
Disa monumente në Shqipëri ishin dëmtuar si pasojë e tërmetit në nëntor të 2019-s. Mes tyre i rëndë është dëmi që iu shkaktua Kalasë së Durrësit. Pas disa muajve një grup i restauruesve janë duke punuar në restaurimin e këtij objekti të rëndësishëm kulturor. Është bërë e ditur se ky është vetëm fillimi i ndërhyrjeve dhe se të tjera po ashtu të rëndësishme do të realizohen ditëve në vazhdim.
Ka qenë selia në Shqipëri e organizatës joqeveritare, “CHwB” (Trashëgimia Kulturore pa Kufij) që ka bërë të ditur se aktualisht janë duke u kryer punime konservuese dhe përforcuese në “Kullën C” në Kalanë e Durrësit.
Sipas njoftimit të publikuar në ueb-faqen e tyre është bërë e ditur se ky projekt u nis me mbështetjen financiare të Fondit të Ambasadorit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, mbështetjes shkencore të Fondit Botëror të Monumenteve, dhe Ministrisë të Kulturës, me qëllim adresimin e shembjes pjesore të kullës, shkaktuar nga tërmeti i nëntorit 2019.
“Deri tani ne kemi zbatuar stabilizimin emergjent me qëllim parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme në monument. Gjithashtu, kemi kryer një seri analizash të cilat na ndihmojnë të përcaktojmë ndërhyrjet konservuese, të cilat jemi duke i zbatuar, duke filluar me konsolidimin dhe riparimin e murit të themeleve duke përdorur teknika tradicionale”, është shkruar në njoftim.
Kalasë së Durrësit i ishin shembur një pjesë e mureve. Monumenti që ishte ndërtuar nga perandori bizantin Anastasi në shekullin VI, përbëhet nga dy pjesë: Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Në historinë e monumentit si një rast tjetër ku ishte dëmtuar shumë daton tërmeti i vitit 1273 për t’u rinovuar prapë. Muret e objektit janë të larta 4,6 metra.
Krahas viktimave, dëmeve materiale që kanë lënë shumë familje pa strehë, tërmeti në nëntor kishte shkaktuar dëme edhe në disa prej monumenteve të Shqipërisë. Kalaja e Durrësit, ajo e Prezës afër Tiranës e ajo e Krujës, sipas raportimeve kishin dalë të jenë më të dëmtuarat. Edhe në këto dy kala kishte nisur restaurimi i cili tashmë ka përfunduar me sukses.
Lëkundjet e fuqishme të tokës nuk janë të panjohura për bregdetin shqiptar. Në historinë mijëravjeçare në analet e historisë ruhen të kronikuara vetëm tri tërmete. Sipas burimeve historike, tërmeti i parë përkon me vizitën e Ciceronit në Durrës kah mesi i shekullit të parë para erës sonë. Disa shekuj më vonë, përkatësisht në vitin 345, një tërmet tjetër do të shkundullonte sërish portin më të njohur të Adriatikut. / KultPlus.com
Shiu pranveror, shoqëruesi ynë i veçantë në hyrje të kufirit të Shqipërisë kishte kapluar atmosferën në një mbizotërim të lehtë të pikave të cilat binin lehtësisht mbi dritaret tona e që njëkohësisht pamjet e bukura të reve kishin zënë tërësisht vendin e tyre në qiell, por ketë herë jo në formën e tyre të zakonshme, por ato frymonin në hapësirën personale të maleve të larta të cilat jepnin një përshtypje se po bashkoheshin dy botë krejtësisht të ndryshme në një mjegullinë të vetme që nuk po i dukej as fundi e as fillimi, shkruan KultPlus.
Tokat e shtrira e të punuara në vija dëshmonin se bujqësia është aq e pasur ku së bashku me natyrën që posedonte një gjelbërim herë të errët, herë të çelur e herë një e gjelbër e pa identifikuar dhe shtigjet e vogla të rrezeve që depërtonin pingul vende-vende në shkëmbinjtë përreth, në një ndërlidhje me trazirën e ëmbël të shiut dhe lulet shumëngjyrëshe të cilat dalloheshin akoma më shumë kur ngjyra e tyre gjallërohej nën pikat e shiut, këtë peizazh në hyrje të Shqipërisë e bënte akoma më të bukur për ta shijuar e sidomos kur vrojtohet behari që po binte dalëngadalë mbi një fund që ishte e pamundur ta kapje.
Ndalesa jonë e parë në qytetin e Durrësit, i vendosur në brigjet e detit Adriatik dhe i cili jo vetëm që ka një histori të jashtëzakonshme por ngërthen në vete imazhe të veçanta ku pas çdo blloku të banesave në një shtrirje të gjerë mund të admirohet pamja e detit e cila nga larg dukej se sapo kishte filluar shkëlqimin e portretit në një përndritje të ngrohtë por që në të vërtetë nga afër këto valë dinake sa vinin e u rritnin në një epërsi vrazhdësie që shkrihej në breg duke formuar një ikonografi të tyre dhe duke na dhënë një iluzion se këto valë të cilat përplaseshin sa andej e këtej, kanë jetë dhe po njëlloj si kujtimi ynë për dikë, edhe ato jetojnë në përjetësi.
Ndërsa, në mesditë atëherë kur dielli bëhet gati për ta lëshuar fronin e tij, në një tingëllimë mjalti që po ngjyroste kanvasin e zakonshëm të qiellit të kaltër në një ngjyrë rozë e cila po jetësohej përnjëherë duke pikturuar kështu ndjenja entuziaste me një pendë delikate në një spikatje mbretërore që na kishte zënë rob në mbështjelljen magnetizuese të perëndimit. Ndërkohë , aty pranë, siç pamë mund të zhvillohen edhe sporte të ndryshme si ‘kitesurfing’.
Tani, nisja për në qytetin e Vlorës, qyteti bregdetar në jugperëndim të Shqipërisë, na zuri në një adrenalinë të këngëve shqiptare që si dukej na bëri gati për atë se çfarë do të pasonte më vonë. Hyrja e këtij qyteti i cili ka përballë një mal shtatë lart që ishte prezent në çdo kënd ku sytë arrinin të shihnin dhe së bashku me shtëpitë e boshatisura që dhuronin kënaqësi estetike, rrugicat e ngushta me kalldrëm, dyqanet e vogla të vendosura radhazi në dy anët e rrugës të mbushura me suvenire, palmat që nga larg shtriheshin në pëllëmbë të dorës, e shndërronin Vlorën në një klithmë renesance të antikitetit klasik, aty ku parajsa e shtatë magjepset e rrëmbehet pas mëkatit ngazëllues të ekstazës mistike.
Ecjet përgjatë qytetit të Vlorës, shijimi i ushqimit tradicional në gërshetim me atë detar dhe italian, pemët e vendosura në një vijë vertikale, dashamirësia e vlonjatëve, plazhet e shumta, monumentet kulturore, brigjet e pakrahasueshme, deti trazues e tufat e kafshëve që dilnin papritmas në një befasi të dëlirë si dhe përmes peizazheve të këndshme, mund të përjetohen në një rilindje njerëzore ku zgjuarsia, bukuria dhe e vërteta përjetohen në një afsh lirik.
Gjatë ecjes në këtë qytet unik, një kafene mjaft e veçantë e cila dallohet direkt përballë teatrit ‘Petro Marko’, aty ku u shënua historia e themelimit të Teatrit Profesionist të Dramës, e titulluar me emrin ‘Poema Bistro’, ofronte një rehati përmes soditjes së dizajnit bohem, shijimit të ushqimit tradicional, duke filluar nga mishi i pulës me patate dhe qofte, salca e djathit dhe qepëve, buka me vaj ulliri dhe erëza, djathërat e ndryshëm, sallama e pjekur në skarë, makarona, qofte, sallatat e deri tek verërat diversive e në veçanti e bardha që papritmas të bënte pas vetes. Ndërkohë , për të apasionuarit e pianos, për ata që personalisht nuk kanë pasur mundësi ta ndjejnë magjinë që instrumenti sjell, ekzistonte mundësia që të krijonin një interpretim çasti që lehtësisht mbahet mend në rrënjën surreale të kujtimeve.
Gjithashtu, hapja zyrtare e sezonit turistik veror në Vlorë u shënua me koncertin nga artistët si: Marsela Çibukaj, Bruno dhe Klajdi Haruni. Ky koncert mblodhi rreth vetes qytetarë dhe vizitorë të shumtë duke nisur nga moshat më të vogla e deri tek të moshuarit që po shijonin këngët shqiptare duke kërcyer e argëtuar jashtë mase. Malli për të parë një turmë të tillë i gjeti edhe banorët e shtëpive të afërta në ballkonet e dritaret e tyre duke dëgjuar këngë të vjetra shqipe ku ndër to ishte edhe kënga ‘E dehun jam’ nga bilbili i Kosovës Nexhmije Pagarusha, këngë kjo që në brendësinë tonë solli një qetësi shpirtërore.
Kurse, aty ku shtrihet prehri i shkëmbinjve që rrahet ëmbëlsisht nga tundimi i dallgëve manipuluese, ndodhet edhe vija bregdetare e Vlorës e pasuruar me ujërat e detit të kristaltë që ngjason me atë të ‘Côte d’Azure’ në Francë, pikërisht për arsye se ky peizazh ofron paroksizëm poetik, një burim frymëzimi ku krahnori i zjarrmisë pushon nën hijen modeste shpirtërore.
Gadishulli i Karaburunit ka formën e një harku në një gjatësi rreth 15 km që përqafon një peizazh natyror me bregdetin e përthyer, lëndinat e vogla që zbresin deri poshtë, gjiret e shumta dhe të fshehura, kullotat e pasura dhe gëlqerorët e periudhës së paleogjenit ku shikuesi lehtësisht përmes një udhëtimi me anije, mund ta admirojë këtë copëz gjigande e cila pranon puthjet e shumta të ujit përreth. Ndërkohë, në skajin veriperëndimor të Karaburunit, ndodhet Kepi i Gjuhëzës, pika më perëndimore e Shqipërisë ku është e vendosur shpella e Haxhi Alisë, aty ku rrezet e diellit nuk kanë prekur asnjëherë dhe syri i njeriut humbet në lartësinë dhe bukurinë e mahnitshme të saj që duket sikur zotëron një errësirë e cila frymon si gjurmë e vazhdueshme e këtij Gadishulli.
Ky port është i mbushur me anije të vogla të cilat pushonin afër bregdetit në një vijë çoroditëse, ofronin një pamje ku edhe shkrepja e fotografisë më të bukur nuk do të mund ta përçonte emocionin e huazuar për pak çaste nga soditja e bukurive natyrore dhe fluturimit të shpendëve që formonin një trajektore lëvizëse në horizontin përvëlues të venitjes që fishket në papërfytyrësinë e çiltër.
Ky udhëtim që i bashkoi gazetarët e Kosovës për një eksplorim të veçantë, na dërgoi për qëndrim dhe vizitë në disa hotele që ndodhen në qytetin e Vlorës, si: Albanian Star Hotel, Harmonia Hotels Group, Regina Garden Hotel dhe Kraal Hotel. Ndërsa, i pranishëm me ne gjatë gjithë udhëtimit ishte edhe drejtori Azem Bujupi nga portali ”Trip to Albania”, i cili do të hapet zyrtarisht më 30 maj të këtij viti.
Po ashtu, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli në një prononcim për të gjitha mediat kosovare të pranishme është shprehur se në muajt në vazhdim asgjë nuk do të duket më njëlloj në Vlorë.
“Ne kemi bërë një projekt të ri me Qeverinë Shqiptare dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit që do të ndërrohet tërësisht zona e plazhit të vjetër. Kur unë kam qenë fëmijë, ajo që ishte zona e prindërve dhe gjyshërve tanë, ishte pikërisht kjo këtu”, thotë Leli.
Sipas tij, pandemia gjunjëzoi globin por shqiptarët qëndruan bashkë për të mbajtur gjallë ekonominë e turizmit sepse të gjitha investimet që bëhen kanë nevojë për klientë dhe klientët kanë nevojë për mikpritje, shërbime dhe atraksione të vërteta në vijën bregdetare të Vlorës.
Në fund të këtij udhëtimi është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi nga portali ‘Trip to Albania’ dhe Bashkisë së Vlorës ku synohet promovimi masiv.
Aktivitetet e ndërmarra nga ky udhëtim janë mundësuar nga ’’Trip to Albania’’ dhe Asociaconi i Gazetarëve të Kosovës.
E themeluar në shekullin VI p.e.s., fillimisht me emrin Aulona, Vlora është qytet i lashtë ku është shpallur Deklarata e Pavarësisë shqiptare më 28 nëntor 1912 dhe konsiderohet si njëri nga portet kryesore të Shqipërisë dhe qyteti më i rëndësishëm ekonomik dhe kulturor i Shqipërisë jugperëndimore, andaj turizmi në këtë pjesë është joshja kryesore për një vizitë në tërë Shqipërinë që pasuri dominuese e ka natyrën dhe historinë. / KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka publikuar një intervistë të Mohamed Alabbar, drejtor i kompanisë Emaar Properties që do të ndërtojë Portin e Durrësit, të dhënë në CNN. ”Durrësi, Dubai i Vogël i Mesdheut, në CNN”, ka shkruar Rama në Facebook, përcjell KultPlus.
Alabbar thotë gjatë intervistës se do të jetë i pari që do të shkojnë në Shqipëri për të investuar pasi Europa e re është shumë tërheqëse, duke veçuar ato që kanë ndodhur në Shqipëri përgjatë këtyre viteve.
“Europa e re është shumë tërheqëse për mua. Kur shikoj Shqipërinë dhe atë që po ndodh me qeverinë atje, shoh sa shumë po punojnë të gjithë për të zhvilluar vendin dhe për ta çuar përpara. Dhe si ta them unë dua të jem i pari që shkon atje.
Sepse të gjithë treguesit janë të duhurit, dyfish rritje në turizëm, 450 km bregdet të mahnitshëm me pamje nga Greqia aty pranë. Rritja ekonomike është mbresëlënëse, qeveri që punon ditë-natë për t’u bërë pjesë e Europës së vërtetë.
Qeveria ka një të shkuar për shkak të qeverive të mëparshme. Asgjë nuk bëhet brenda nate dhe të gjithë treguesit janë pozitivë sipas meje”, shprehet ai./ KultPlus.com
Plazhi i Durrësit po bëhet gati për të pritur pushuesit, që pritet ta “pushtojnë” sapo të hiqen masat ndaj pandemisë.
Punonjës dhe makineri të rënda janë duke punuar përgjatë gjithë vijës bregdetare.
“Kemi disa ditë që po merremi me heqjen e leshterikut, jemi në përfundim të punës. Besoj se ditët e hënë përfundojmë komplet dhe plazhi pas dezinfektimit të ditës së hënë është gati për të pritur pushuesit”, ka thënë Alfred Dhuli, drejtori i Shërbimit komunal, për “TV Klan”.
Drejtoria e mirëmbajtjes thotë se i ka kapacitetet për të menaxhuar të gjithë vijën bregdetare nga Përroi i Agait deri tek Ura e Dajlanit, që është gati gjashtë kilometra e gjatë.
“Më 1 Qershor hapet sezoni dhe ne jemi thuajse gati e kemi infrastrukturën gati për të përballuar çdo lloj fluksi njerëzish. Ne i kemi marrë mjetet fondet, jemi në gatishmëri”, ka thënë kjo drejtori.
Në Durrës këtë vit plazhet private do të kenë vetëm hotelet, sipas numrit të dhomave që disponojnë. Ndërsa pjesa tjetër do t’i kthehet publikut, i cili do të duhet të respektojë distancën në vendosjen e çadrave.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte bërë të ditur se në fund të majit do të hapen kufijtë për kosovarët. Në anën tjetër, institucionet e Kosovës ende s’kanë bërë të ditur se kur mund të hapen kufijtë tokësorë. /KultPlus.com
Në muzeun arkeologjik të Durrësit kohët e fundit është restauruar një enë me përmasa të mëdha krejtësisht e veçantë për transportin detar të verës.
Bashkë me rëndësinë historike të trashëgimisë kulturore “dolium”, siç emërtohet ena në latinisht, dëshmon për herë të parë se në portin e Durrësit 1800 vjet më parë përpunoheshin anije për tregtinë e verës së hapur, që lundronin në itinerarin mes Durrësit dhe porteve të tjerë në Francë, Spanjë dhe Itali.
Grupi i restauratorëve nën drejtimin e arkeologut nënujor Adrian Anastasi, i cili zbuloi reliktin e anijes së mbytur jo shumë larg brigjeve të qytetit, punoi më shumë se një vit, fillimisht për shkripëzimin dhe më pas për konsolidimin e 296 pjesëve të enës, që u gjet e copëtuar nën det.
Anijet e specializuara të këtij lloji për transportin e verës së hapur janë quajtur edhe “anije çisterna” – tha Dr. Adrian Anastasi për Autoritetin Portual Durrës. Në pjesën qendrore të hambareve të tyre ato kishin të sistemuara enë të përmasave të mëdha, “doli”, me një kapacitet mbajtës prej 2.000 litra secila. Bashkë me to, në pjesët e lira të hambarit, kryesisht në kiç dhe në bash sistemoheshin edhe amfora të zakonshme. Këto tipologji anijesh kërkonin edhe porte të specializuar për ngarkimin dhe shkarkimin e tyre.
“Relikti i zbuluar dëshmon që porti i Dyrrahut i kishte këto struktura përpunuese, pra ishte në kuptimin e plotë një port i rëndësishëm”, -thekson dr. Adrian Anastasi, punonjës shkencor në Institutin e Arkeologjisë. /KultPlus.com
Durrësi i është kthyer në normalitet dy javë pas tërmetit shkatërrues që tronditi qytetin.
Qendra e qytetit antik dhe rrugët janë zbukuruar me drita duke sjellë një atmosferë festive. Në sheshin “Liria” është vendosur Pema e Krishtlindjeve ndërsa në shesh janë vendosur edhe e zbukurime argëtuese për më të vegjlit e qytetit.
Edhe pse atomsfera e këtij viti është më e zymtë se vitet e kaluara, qytetarët e Durrësit vazhdojnë jetën duke u munduar t’i rikthehen normalitetit pas tragjedisë që iu ra për pjesë.
Si Durrësi, ashtu edhe Tirana e zonat e tjera të prkura nga tërmeti u zbukuruan për festat e fundvitit në mënyrë që të lihej pas krahëve tërmeti i 26 nëntorit dhe të vazhdojë jeta. / KultPlus.com
Si për të kujtuar shkakun e vdekjes një shkundje tërmeti nxjerr nga lokalet pranë një grup njerëzish. Përsëri tërmet, 4.9 ballë siç thotë një nga të rinjtë që sheh të dhënat në kohë reale në telefon.
Durrësi duket sikur po përjeton ditët më të rënda të historisë së tij. Por nuk është e para herë; qyteti 3-mijëvjeçar është rrënuar disa herë nga tërmetet shkatërrimtare dhe përsëri është ringritur.
Jo shumë larg nga vendi ku bëhen homazhet, pjesët e murit murit bizantin që u shembën mëngjesin e së martës e kanë parë qytetin të gjunjëzohet para pushtimesh dramatike dhe lëkundjesh tragjike edhe në vitin 1273, kur për më shumë se 50 vjet qyteti mbeti krejtësisht bosh.
“Katër nga viktimat e atij tërmeti vdjekjeprurës u gjetën vetëm para 10 vjetësh gjatë ekspeditës italo-shqiptare pranë galerive të amfiteatrit antik” – thotë arkeologu Afrim Hoti. Ai shton se skeletet e dy të rriturve dhe dy fëmijëve ndodheshin pranë njeri tjetrit, teksa duket se tentonin të largoheshin nga banesa e tyre për t’i shpëtuar fatkeqësisë.
Vetë muret rrethuese, një pjesë e të cilëve u shembën para 50 orësh janë ndërtuar pas një tjetër tërmeti, edhe më të hershëm, atij të vitit 345, një nga fatkeqsitë e shumta që ka goditur qytetin antik në shekujt e kaluar.
Por qyteti ka mbijetuar përsëri. As pas lëkundjeve të fundit periferia e Durrësit e cila është prekur më shumë nuk është dorëzuar. Nga qendra e qytetit ka qytetarë që vijnë orë e minutë me biçikleta dhe përpiqen të jenë të vlefshëm e të ndihmojnë. /KultPlus.com
Në vitin 2006 gjatë gërmimeve arkeologjike të kryera në amfiteatrin e Durrësit doli në dritë ajo që sot njihet si thesari raguzian.
Restauruesi Frederik Stamati thotë se thesari prej 549 copë monedhash argjendi ishte futur në një poçe qeramike të glazuruar. Poçja ishte e thyer, siç edhe shihet në foto. Thyerja sipas tij nuk është e tanishme. Rezulton që thesari të ketë pasur një histori interesante. “Nga radiografitë me rreze X rezultoi se monedhat ishin hedhur në ‘dy duar’. Pastaj ishin fshehur poshtë dyshemesë së dhomës. I zoti i thesarit vdiq pa e treguar vendin. Me kohë shtëpia u shemb. Ata që ndërtuan më vonë, gërmuan themele të reja. I shkuan përbri poçes, por që nuk e vunë re nga hedhurinat e ndërtimit. Dhe ashtu e lanë, të groposur. Po të kishin gërmuar 2-3 gisht më anash, do ta kishin gjetur. Përsëri pati shembje dhe thesari nuk u gjet, deri sa u ra për hise arkeologëve”, thotë Stamati.
Monedhat janë shumë të brishtëzuara nga qëndrimi në tokë, thyhen edhe po të duash t’i pastrosh me penel të butë. Argjendi është i përzier me bakër. “Monedhat e thesarit tashmë ruhen shumë mirë në tabaka të posaçme, me folezësa të veshura me pelush, punë e bërë me shumë përkushtim nga numizmatja Shpresa Gjongecaj Vangjeli”, thotë Stamati. Ai shton se problemet e restaurimit ishin të shumta dhe të komplikuara. U ‘përzjenë’ shumë shkenca, si kimia, fizika bërthamore, metalurgjia etj. Puna ishte shumë-shumë delikate, si rikthimi i strukturës, pastrimi, konservimi etj., etj., por u arrit. Thesari është me monedha të Raguzës, të qarkulluara gjatë viteve 1510-1530. Pra, në atë kohë Durrësi zhvillonte tregti me Raguzën. Në monedha në njërën anë paraqitet shën Blazius, shenjti mbrojtës i Raguzës, që mban në dorë maketin e portit, njëlloj si ai që vizitojmë sot/ ATSH/ KultPlus.com
Muzetë e Shqipërisë sot do jenë të hapura për publikun gjatë ditës e deri në mesnatë, ku vizitorë do kenë mundësi të shijojnë një rrugëtim mes historisë dhe artit falas.
Me rastin e 18 majit, Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, muzetë,
parqet arkeologjike dhe drejtoritë rajonale të vendit janë mobilizuar për të
ofruar një buqetë të gjerë ngjarjesh për publikun, nga nxënësit e shkollave e
deri te qytetarët artdashës.
Muzetë janë të shumtë në Shqipëri, ku vlen të përmenden
Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeun Etnografik në Berat, muzetë
arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeun e armëve dhe atë Etnografik në
Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë
etj.
Tashmë këto muze çdo vit e më shumë po mirëpresin vizitorë të huaj dhe vendas. /atsh/KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta priti në një takim kryesinë e shoqatës “Durrësi” të përfaqësuar nga intelektualët, Shpëtim Metani, Lumturi Ngjala, Agim Shehi, Rifat Bilali dhe Gjon Huli.
Pasi u njoh me aktivitetin e kësaj shoqate, Presidenti Meta vlerësoi lart kontributin e saj për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave qytetare e patriotike, trashëgimisë së pasur historike, arkeologjike dhe kulturore të kësaj treve.
“Durrësi është një xhevahir i çmuar i historisë së Shqipërisë, për vlerat e spikatura patriotike, intelektuale, artistike e kulturore, si vatër e rëndësishme e atdhedashurisë dhe dijes nga ku kanë dalë personalitete të shquara në të gjitha fushat. Por veçanërisht për trashëgiminë e pasur, autentike dhe të jashtëzakonshme arkeologjike, që e dallon nga trevat e tjera duke e kthyer në një atraksion të rëndësishëm turistik”, tha Meta.
Mbrojtja dhe promovimi i këtyre vlerave që na bëjnë krenarë si shqiptarë, tha Kreu i Shtetit, duhet të jetë një prioritet madhor për të gjithë ne.
“Sepse duke dashur vendlindjen, rrënjët tona, të parët tanë dhe trashëgiminë e vyer që na kanë lënë, fëmijët dhe të rinjtë do mund të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt në Shqipëri. Duke vlerësuar punën e shkëlqyer me pasion e përkushtrim që keni bërë në këtë drejtim, ju inkurajoj të vijoni më tej”, – u shpreh Presidenti Meta.
Përfaqësuesit e shoqatës “Durrësi” e falënderuan Kreun e Shtetit për vëmendjen e treguar ndaj këtij qyteti dhe promovimit të vlerave kombëtare, duke i shprehur dëshirën për një bashkëpunim më të ngushtë për këtë qëllim të përbashkët. /a.g/KultPlus.com
Dritat shumëngjyrëshe kanë ndriçuar këtë fundvit edhe qytetin bregdetar të Durrësit.
Qytetarët durrsakë po shijojnë atmosferën e bukur e të veçantë të festave të fundvitit në sheshin “Liria” dhe në rrugët e tjera të qytetit, të zbukuruara nga ndërmarrja e dekorit të qytetit.
Ky dekorim i ka dhënë një pamje mahnitëse qytetit që pret mijëra turistë gjatë sezonit veror.
Qytetarëve të Durrësit u mbetet të shijojnë atmosferën e ngrohtë gjatë shëtitjeve të mbrëmjeve./ A.T.SH/ KultPlus.com
Një muaj i mbarë ka qenë korriku për portin e Durrësit, ku prej datës 1 deri më 24, plotë 81 jahte turistike janë ankoruar në këtë port.
Numri i jahteve turistike gjatë vitit 2018 pritet të dyfishohet, krahasuar me vitin e kaluar.
Zyrtarisht mësohet se në Durrës që nga viti 2017 është ankoruar një numër i madh jahtesh me gjatësi nga 30-100 metra, përgjithësisht prodhime të viteve të fundit në kantiere të njohura të botës.
Përveç shërbimeve portuale, turistët dhe drejtuesit e jahteve kanë vizituar qendrat arkeologjike të qytetit tonë.
Nga fillimi i muajit janar 2018 në Durrës kanë mbërritur 214 jahte, ndërsa shifra e të gjithë vitit 2017 ka ndaluar në 294 jahte gjithsej.
Media britanike “Emerging Europe” promovon vlerat turistike dhe kulturore të Durrësit, në një artikull mjaft interesant.
Guida e Qytetit të Durrësit: 48 orë në perlën e bregdetit shqiptar
Qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë, Durrësi, ka qenë një portë ballkanike për të gjithë botën. Grekët, romakët dhe bizantinët shfrytëzuan të gjithë portin e tij të mrekullueshëm natyror dhe ende vazhdon të mbetet një nga portet më të frekuentuara të Adriatikut.
Përse duhet vizituar tani?
Me amfitetatrin më të madh romak në Ballkan, muret bizantine, frutat e mrekullueshme të detit dhe një jetë argëtuese nate, Durrësi ka një bregdet plot stil dhe elegancë të cilin në pak vende mund ta gjesh. Çmimet gjithashtu mbesin një fraksion i asaj që do t’ju duhej të paguanit në ndonjë vend tjetër.
Si mund të vini në Durrës?
Durrësi ka një distancë të shkurtër nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, vetëm një gjysmë ore larg, (kur trafiku nuk është i rënduar). Taksia mund t’ju sjellë nga aeroporti i Tiranës vetëm për 30-40 euro. Nga qendra e Tiranës ka autobusë dhe mini autobusë të cilët nisen çdo 30 minuta dhe kushtojnë pothuajse asgjë. Durrësi është përqendruar në portin e tij: qyteti i vjetër zë gadishullin e vogël në perëndim të portit, plazhi i gjatë ranor është në lindje.
Gjumi
Nëse dëshironi të qëndroni në qytetin e vjetër atëherë zgjedhja jonë është Hotel Nais, mjaft i thjeshtë, por shumë i këndshëm, ku do të gjeni nje shtrat dhe mëngjes të shijshëm dhe një kafene të mrekullueshme buzë rrugës. Nëse dëshironi pak më shumë luks dhe një hotel ku të bëni dhe plazh, Hotel Palace është ai që ju kërkoni.
Dita 1
Grekët dhe romakët
Fillo ditën me Muzeun Arkeologjik (Rruga Taulantia 32), ndoshta muzeu më i mirë në qytet dhe një abetare e vërtetë në historinë shqiptare. Më pas kthehu pranë Amfiteatrit Romak. Në shikim të parë ju mund të mendoni se është lënë pak pas dore; e vërteta është që është ndërtuar gjatë sundimit të Adrianit rreth vitit 100 pas Krishtit, u dëmtua nga tërmeti dy herë dhe më vonë u shkatërrua nga osmanët në shekullin e 16-të. U gërmua në vitin 1966, dhe e rrethuar nga ndërtimet moderne, ajo që ka mbetur është më se e mjaftueshme për të përcjellë një shkallë dikur epike. Një kishë e krishterë, e shtuar në shekullin e 13-të, është e ruajtur mjaft mirë me pamjet e saj të brendshme mahnitëse.
Gjenden dhe disa mbetje arkeologjike të tjera, Forumi Bizantin dhe banjot Romake, të cilat gjenden në veri të sheshit “Liria“, një hapësirë mjaft e këndshme e rrethuar nga ndërtesat moderne, ku pasditeve gjallërohet nga qytetarët që ulen e bisedojnë e fëmijë që luajnë. Nëse do të bëni një shëtitje në kodrën e Durrësit do të shihni një vilë mbretërore të braktisur e njohur si vila e mbretit Zog, i vetmi mbret i Shqipërisë i cili mbretëroi nga viti 1928-1939. Ndërtesa u përdor si një shtëpi mysafirësh për personalitete të huaja gjatë sundimit komunist në Shqipëri, e më pas u rrëmbye në 1997 gjatë futjes së Shqipërisë në anarki kur një numër skemash piramidale u shembën.
Mbrëmjet Veneciane
Bulevardi elegant “Epidamn”, rruga kryesore e qytetit të vjetër, e veshur me palma, kafene, restorante, dyqane dhe bare, të çon deri në port. E ashtuquajtura “Torra Veneciane” pranë detit dhe muri rrethues i saj janë mbetjet më të ruajtura të fortifikimeve bizantine të qytetit. Ka disa vende të këndshme për të ngrënë në këtë zonë (duke përfshirë dhe kafenenë tek ‘Torra’), por ia vlen të shëtisni vetëm 10 min përgjatë bregut ku do të gjeni Bar–Restorant “Aragosta“ (Rruga Taulantia 71), restoranti më i mirë në zonë ku ju mund të hani ushqim deti.
Dita 2
Plazhi
Me rërën e tij të artë dhe të butë me një sipërfaqe të gjerë, plazhi i Durrësit është një qytet vibrant në vetvete. Gjatë fundjavës në stinën e verës duhet të shkosh herët për të gjetur një vend: nëse jeni duke kërkuar një plazh të vetmuar duhet të shkosh më në jug. Në momentin që je stabilizuar, nuk ke pse të lëvizësh më gjatë ditës: shitësit ambulantë gjatë gjithë ditës do t’ju ofrojnë kafe, çaj, kokteile, panine dhe çdo gjë tjetër që do t’ju nevojitet. E ndërkohë që të gjitha lokalet konkurojnë me njëra-tjetrën se kush të vendosë muzikën më të bukur në sfond, çdo gjë kthehet në një atmosferë tipike ballkanike, të zhurmshme.
Ditët larg
Nëse nuk mund të shkoni në bregdetin e Durrësit, (në të vërtetë shumë njerëz do t’ju pëshpërisnin në veshin tuaj që më e mira e rivierës shqiptare gjendet në Jug).
Duhet të drejtoheni për në Parkun kombëtar të Divjakë-Karavastasë ose thjesht (Laguna e Karavastasë) rreth 20 minuta në jug të qytetit, një zonë e gjerë me laguna, pyje dhe këneta. Jo larg prej këtej gjendet Manastiri më i vjetër i Shqipërisë, Manastiri i Ardenicës i shekullit të 13-të, kisha e Shën Marisë, e cila përmban disa ikona të holla të pikturuara nga Athanas Zografi, një shqiptar që ishte një nga artistët kishtarë më të kërkuar të shekullit të 18-të.
Darka e fundit
Restoranti në Hotelin Oaz, në Golem në fundin jugor të plazhit të Durrësit, ka tryeza aq afër detit sa ju mund të ndjeni aromën e jodit. Peshk i freskët, ushqim deti i mahnitshëm nën një perëndim të mrekullueshëm e bëjnë një nga vendet më të preferuara në qytet.
Durrësi në një paragraf
Plotësisht ballkanik, me një gusto të pagabueshme italiane. Peshk dhe fruta deti të mrekullueshëm dhe me një çmim që nuk mund ta gjeni në asnjë vend tjetër. Gjenden të gërshetuara mbetjet e një të kaluare shqiptare kristiane me minaret dhe xhamitë e myslimanizmit të sotëm. Merr me qira një makinë dhe bëj një xhiro gjatë gjithë bregdetit deri në Lagunën e Karavastasë./ATA/ KultPlus.com
The Guardian, sot përmes fotografive ka treguar bukuritë e bregdetit të Durrësit, shkruan KultPlus.
Fotografitë i ka shpërndarë në rrjetin social Facebook, edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili njëkohësisht ka uruar një ditë të mbarë me këto fotografi./ KultPlus.com