Ekspozita “Felice Beato dhe Adolfo Farsari: Dy Italianë në Lindjen e Largët” kuruar nga Fondacione Alinari me konsulencën shkencore të Rossella Menegazzo u hap në Muzeun “Marubi” në Shkodër.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë Alessandro Ruggiera dhe drejtoresha e Fondazione Alinari per la Fotografia Claudia Baroncini.
Ekspozita shënon bashkëpunimin e parë mes dy institucioneve dhe prezanton veprat e dy autorëve të rëndësishëm për historinë e fotografisë italiane dhe botërore. Felice Beato dhe Adolfo Farsari ishin ndër të parët që fotografuan Lindjen e Largët, në veçanti Japoninë, duke dhënë kështu ndihmesën e tyre në përparimin e fenomenit kulturor të Japonezizmit në Europë.
Ministri Gonxhja në një postim në rrjetet sociale falënderoi drejtorin e “Marubit”, Luçjan Bedeni duke e cilësuar atë “drejtorin shembull, që mbrëmë gjatë prezantimit e quajtëm Luçjano Marubi”.
“E quajtëm kështu, aq i fortë është dedikimi i tij për Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, aq i madh është respekti ynë për ekipin e tij të shkëlqyer dhe vlerësimi i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për punën pasionante të institucionit të drejtuar prej tij – sot një oaz i mrekullueshëm e frymëzues për promovimin e historisë, artit, trashëgimisë kulturore dhe aktiviteteve të çmuara ndërkombëtare”, u shpreh Gonxhja.
“Falënderim e mirënjohje nga MEKI, me premtimin se mbështetja jonë ndaj nevojave, vizionit dhe projekteve të udhëhequra nga Luçjano do të jetë e pakrahasueshme me deri tash, sikurse dhe bashkëpunimi që suksesin e Muzeut “Marubi” në Shkodër t’a kemi referencë për sistemin tonë të administrimit publik”, përfundoi Gonxhja.
Ekspozita u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Istituto Italiano di Cultura a Tirana./atsh/KultPlus.com




