Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu është adresuar komunitetit serb në Kosovë përmes një videoje në gjuhën serbe. Kurti ka thënë se arsyeja e rregullores së re të BQK’së nuk është ndalimi i dinarit por formalizimi i parave. Sipas tij, Serbia ka financuar terrorizëm, duke dërguar para me thasë për në Kosovë.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për fushatën e ngritur mbi baza të rrejshme, kundër institucioneve të pavarura të themeluara me Kushtetutë, siç është Banka Qendrore e Kosovës, për hir të ruajtjes së mënyrave tashmë të konsoliduara të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duke dërguar para të gatshme në thasë përmes kufijve të Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë ai.
“Më 1 shkurt të këtij viti, ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore për pagesat me para të gatshme. Kjo rregullore nuk i referohet dinarit dhe as nuk e përmend atë si të tillë. Prandaj, synimi i Bankës Qendrore është formalizimi i pagesës dhe procedurat lidhur me të, për dallim nga përpjekjet për të dëshmuar se qëllimi i saj është heqja e dinarit apo e ndonjë monedhe tjetër në Kosovë”, vijon ai.
Tutje, ai ka thënë se shuma e parave që vjen nga Beogradi, do të dihet saktësisht nga autoritetet e Kosovës. /Insajderi.org/KultPlus.com