Shqipëria do të jetë e ftuar nderi në eventin më të madh të fundvitit në Bruksel “Plaisirs d’hiver” (Kënaqësitë e dimrit), i cili tërheq mbi 2 milionë vizitorë nga e gjithë Evropa.
Verëra të kuqe, të bardha, birra, vaj ulliri, punime artizanale, por gjithashtu edhe shfaqje me kërcime tradicionale; ja çfarë qyteti i Tiranës do të propozojë gjatë Kënaqësive të Dimrit, që do të zhvillohen gjatë ditëve të fundit të vitit në sheshin qendror Sainte-Catherine të kryeqytetit belg.
Sipas gazetës belge, DH, që i kushton një faqe Shqipërisë, ky është një rast për prodhuesit lokalë, që të zbulojnë prodhimet e tyre në zemër të Evropës.
Edhe pse disa prej prodhuesve shqiptarë të verës apo vajit të ullirit tashmë shesin edhe në Zvicër, për gazetën belge shprehen se, shpresojnë që prodhimet e tyre t’i pëlqejnë tregut belg e të mund të futen edhe aty. Për qytetin e Brukselit ky bashkëpunim ka si objektiv që ta bëjë qytetin të shkëlqejë në nivel ndërkombëtar. Prania e vendeve apo qyteteve të tjera në këtë ngjarje do të vlejë edhe si promovim i Kënaqësive të Dimrit nëpër botë. Por nismëtarë për këtë pjesëmarrje të Shqipërisë janë bërë: deputeti i parlamentit të Belgjikës, Amet Gjanaj dhe Bashkia e Tiranës, përcjell RTSH.
“Ky event do t’i japë një ndriçim të jashtëzakonshëm Shqipërisë dhe Shqiptarëve dhe uroj, do të çojë në një përmirësim të ndejshëm të imazhit të Shqiptarëve dhe një promovim të madh për turizmin shqiptar”, shkruan Amet Gjanaj në faqen e tij në FB. Festimet e Kënaqësive të Dimrit pritet të çelen zyrtarisht në 24 nëntor e do të mbyllen në 31 dhjetor./ KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=dOKITv9PXgc