Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ka mbështetur nga viti 2015 deri më vitin 2018 nxitjen e dialogut në Shqipëri për të kaluarën e saj komuniste.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Bernd Borchardt u shpreh në konferencën “Emigracioni politik shqiptar 1944-1990” se, “Prezenca e OSBE-së e ka mbështetur dialogun për shkeljet e të drejtave të njeriut në të kaluarën prej shumë vitesh”.
“Pranimi dhe dënimi i krimeve të së shkuarës, mbart në vetvete një dimensionin transformues konsolidimi publik i të cilit sjell çlirimin e shoqërisë. Ekspozimi i gabimeve stigmatizon autorët e tyre, i nxjerr jashtë loje dhe i lë ata pas te një e kaluar e keqe. Një gjë e tillë përshpejton lëvizjen normative që është shumë e rëndësishme për këtë tranzicion çlirues”, tha Borchardt.1 nga 11
Sipas tij, “janë zhvilluar shumë studime rreth mënyrës se si armiqtë e luftës apo armiqtë politikë të së shkuarës mund të pajtohen pas luftës apo pas një shtypjeje të madhe, veçanërisht sa i përket Luftës së Dytë Botërore dhe shpërbërjes së diktaturave, qofshin ato komuniste apo të djathta dhe se si shoqëritë mund të pajtohen”.
“Përfundimet ende nuk kanë arritur të kenë karakterin e një paradigme mbizotëruese, por vërej një opinion të gjerë akademik, sipas të cilit, pa u marrë me të kaluarën, ndasitë në shoqëri do të qëndrojnë të thelluara dhe kthehen në hendeqe edhe më të vështira për t’u kaluar”, u shpreh Borchardt.
“Duke parë Shqipërinë e sotme unë vërej argumente të forta që e mbështesin këtë pikëpamje akademike: Shpesh dëgjojmë – dhe sa më i ndezur debati, aq më shpesh ndodh – fajësim pa kursim për ata që mendojnë ndryshe. Nuk dëgjojmë vetëm argumente kundër këndvështrimeve të tyre, gjë që do të ishte normale, por dëgjojmë përpjekje për t’u zhbërë figurën. Dëgjojmë refuzimin e dialogut me kundërshtarin politik. Dëgjojmë sulme ndaj atyre që përpiqen të vendosin faktet përballë miteve”, tha ai.
“E gjitha kjo më duket si mbetje nga modeli i sjelljes komuniste. Sikurse e përshkruajnë shkencëtarët, në pak vende polarizimi politik është kaq i thellë sa në Shqipëri dhe “përballja me të kaluarën”, me krimet e neveritshme të diktaturës komuniste, vetëm sa ka filluar” theksoi Borchardt.
“Dialogu rreth së kaluarës, për mua, është një akt i rëndësishëm për përparimin e lëvizjes normative të transformimit politik që përmenda më herët. Konferenca e sotme përbën një tjetër hap të rëndësishëm e të nevojshëm drejt të kësaj të vërtete. Vrasjet e njerëzve që përpiqeshin të largoheshin nga Shqipëria, ekzekutimi i atyre që kapeshin ndërsa përpiqeshin të largoheshin, eksodi i një pjese të mirë të elitës së para luftës në vitin 1944, largimi i detyruar i bashkëshortëve të huaj të shqiptarëve pas shkëputjes me Bashkimin Sovjetik – së bashku sollën kaq shumë dhimbje te njerëzit. Kjo vuajtje e meriton të theksohet këtu – dhe të jetë pjesë e përballjes me të kaluarën e keqe”, tha ai.
Ne, vijoi Borchardt, “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, kemi mbështetur nga viti 2015 deri më vitin 2018 nxitjen e dialogut në Shqipëri për të kaluarën e saj komuniste. Po ashtu, kemi ndihmuar në zhvillimin e Autoritetit të Dosjeve të Ish-Sigurimit. Sot po punojmë me Fakultetin e Shkencave Sociale, Fakultetin e Drejtësisë dhe Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës për krijimin e një programi studimi të nivelit Master për Drejtësinë Tranzitore, në mënyrë që të krijojmë mbështetjen e duhur akademike në Shqipëri për këtë detyrë të vështirë. Jemi të lumtur që kontribuojmë në këtë dialog”. / atsh/ KultPlus.com