Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Dr. Blerina Rogova Gaxha është takuar sot me Dr. Ivanka Stričević, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kroacisë. Në takimin e mbajtur në Zagreb, u diskutua për projekte, iniciativa dhe tema me interes të përbashkët.
Drejtoresha e BKK-së tha se ky takim krijon mundësinë për ta forcuar partneritetin ndërmjet Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kroacisë: “Është misioni ynë ta avancojmë kauzën e bibliotekës sonë kombëtare, duke punuar më mirë së bashku në shkëmbim të përvojave dhe duke arritur më shumë sesa mund të bëjmë vetëm.” Prof. Stričević ndërkaq pohoi se “Ne jemi entuziastë për mundësinë e bashkëpunimeve në të ardhmen dhe besojmë se vizita juaj do të jetë një hap kyç në thellimin e bashkëpunimit tonë në të ardhmen”.
Tutje, u diskutua për rëndësinë e bibliotekës si institucion lider i kujtesës dhe rolin e rëndësishëm që luan ajo në zhvillimin intelektual, arsimor, kulturor e social të vendit dhe komunitetit të cilit i shërben.
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare në Zagreb, është biblioteka më e madhe kroate dhe funksionon si bibliotekë kombëtare e Kroacisë dhe si bibliotekë qendrore e Universitetit të Zagrebit. /Gazeta Express/ KultPlus.com