Fotoja e saj ndërsa linte me dhimbje shtëpinë që rrezikohet nga zjarret e pyjeve u bë virale jo vetëm në Greqi por edhe në botë.
Tashmë Panagiota Noumidi ka treguar për mediat ndjesitë e saj në atë moment kur zjarri me përmasa të frikshme po i afrohej Evia-s.
E moshuara u detyrua që të largohej nga shtëpia e saj në Gouves duke mos e ditur nëse do ta gjente të paprekur kur të kthehej.
“Më turbulloi mendjen. Unë nuk e dija se çfarë të bëja, bërtita, që të dëgjohesha. Nuk isha e vetëdijshme në atë moment.”
Me këto fjalë, 81-vjeçarja përshkruan se si e përjetoi braktisjen e shtëpisë së saj dhe shton: “Unë qava e dëshpëruar dhe nga tensioni i lartë i gjakut rashë në tokë. Policia më mori dhe më çoi në qendrën shëndetësore.”
Zonja Panagiota pohoi e shqetësuar se e gjithë Evia është duke u djegur ndërsa shton: “e dua vendin, ata janë njerëz të mirë dhe ndjenjat e mia janë të pafundme. Shumë fëmijë nga fshati u mblodhën dhe me tanke, provuan dhe shpëtuan shtëpitë ” .
Megjithatë, e moshuara u shpreh se pavarësisht situatës, ajo ka ende shpresë./KultPlus.com