Salla e re multimediale në Korçë, e para e këtij lloji në rajon

Salla multimediale e Korçës është infrastruktura më e re digjitale, e para e këtij lloji në rajon, që sjell një eksperiencë unike e ku gërshetohen teknologjia dhe arti.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së qytetit Sotiraq Filo vizitoi sot sallën e re multimediale, pjesë e  Qendrës së Inovacionit në Korçë, së bashku edhe me një grup të rinjsh artdashës, frekuentues të rregullt të qendrës, të pasionuar gjithashtu pas teknologjisë dhe inovacionit.

“Kjo është salla multimediale e Korçës. Është bërë e mundur falë një mbështetje me investim nga Ministria e Sipërmarrjes me Grantin e Inovacionit, falë të cilës u bë e mundur investimi në infrastrukturë, në pajisje. Ndërkohë që, jemi duke punuar me projekte të ndryshme për të trajnuar edhe një grup të rinjsh të cilët do të punojnë në këtë gërshetimin ndërmjet teknologjisë edhe artit, sidomos në pjesën e videove dhe të multimedias. Kjo është ekspozita e parë që po organizojmë, që iu kushtohet motrave Zengo, piktoret e para femra shqiptare”, shpjegoi kryetari i bashkisë Filo.

Ndërkohë që një prej të rinjve të angazhuar në realizimin e këtij projekti, Arbri, tregoi se perspektiva është për ta bërë sallën funksionale edhe për shumë aktivitete të tjera, ku arti ndërthuret me teknologjinë.

“Është eksperienca e parë e këtij lloji në Shqipëri. Jam shumë i lumtur që nëpërmjet iniciativës së Europe House dhe bashkisë së Korçës ne kemi mundësi të punojmë në një sallë të tillë, që për hir të së vërtetës është e para ndoshta në rajon. Gjëja më e mirë është që kjo sallë të jetë funksionale, të jetë një muze virtual digjital si në gjithë botën, që ka çmime biletash, ka vizitorë, punësohen të rinjtë, mëson të rinjtë në artet e reja dhe teknologji digjitale dhe për më tepër shpresojmë të bëjmë dhe shumë punë të tjera, ekspozita të tjera. Ne mendojmë që këtu të aplikojmë shumë arte të reja, duke filluar nga artet e reja gjenerative dhe inteligjenca artificiale”, u shpreh ai.

Nga ana e tij, kryeministri Rama u interesua për detaje të projektit dhe vlerësoi punën e bërë për realizimin e plotë të tij, duke inkurajuar risi të tjera në të ardhmen./atsh/KultPlus.com