Ishte zhdukur 22 vjet më parë, kryevepra 60 milionë euro gjendet prapa një muri

Pas 22 vitesh, me shumë gjasa është zgjidhur një nga misteret më të mëdha të artit bashkëkohor, zhdukja e një prej veprave më domethënëse të mjeshtrit austriak Gustav Klimt, “Portreti i një zonje”.

Piktura, vlera e të cilës kalon 60 milionë euro, ishte zhdukur në mënyrë të mistershme në vitin 1997 në Piacenza të Italisë, në Galerinë e Artit Modern, përcjell A2CNN.

Autoritetet në atë kohë kishin deklaruar vjedhjen e pikturës, edhe pse mënyra sesi autorët ia kishin dalë mbanë nga një godinë e mbrojtur me sisteme të sofistikuara për kohën.

Misteri u zbulua krejt rastësisht disa ditë më parë, kur një punëtor që po punonte në një nga muret e jashtme të muzeut gjeti një thes të zi me një kuti, dhe për një moment mendoi ta hidhte, nga sasia e pluhurit. Një pluhur 22-vjeçar, nga momenti që pakoja kishte brenda pikërisht atë që mendohet të jetë piktura e shtrenjtë. Hajdutët e kishin fshehur aty, ndoshta duke menduar ta merrnin kur vëmendja e opinionit publik të harronte kryeveprën.

Edhe pse verifikimet paraprake të ekspertëve janë pozitive, analiza të mëtejshme po kryen, edhe pse vepra e pikturuar në periudhën e fundit të jetës së Klimt (1916-18), ishte realizuar mbi një tjetër portret, konturat e të cilit ende duhet të duken me mjete të përshtatshme.

Gustav Klimt (1862-1918), është një nga figurat më të rëndësishme të shkollës simboliste, dhe pikturat e tij, përgjithësisht portrete femërore, si “Puthja”, “Përqafimi”, “Judith me kokën e Holofernit”, “Tre epokat e Grave” janë shndërruar në simbol të bukurisë femërore.

Një pikturë e tij, Adele Bloch-Bauer, u shit në 2006 për shifrën rekord e 135 milionë dollarë në Nju Jork. / KultPlus.com