Këshillat e Çabejit për mësuesit: Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën

Eqrem Çabej ka qenë një arsimtar, gjuhëtar dhe albanolog i shquar shqiptar. Më poshtë ju sjellim letrën që ai ua kishte kushtuar mësuesve, duke ua kujtuar që mësuesia është mision dhe se shembullin duhet ta japin përmes sjelljes së tyre.

Më poshtë letra dhe këshillat e Eqrem Çabejit për mësuesit.

Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut.
Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun.

• Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur.
• Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet.
• Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën.
• Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura.
• Mos jini kategorikë.
• Gjithçka shikojeni me sy kritik.
• Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe.
• Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta
• Gjërat e paqarta nuk mbahen mend.
• Mos bëni asnjë punë shkel e shko.
• Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj.
• Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet.
• Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë.
• Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja m

Himni i flamurit që shkroi Çabej, në konkursin e vitit 1937: Atje lidhet besa e Zotit, për liri dhe për Atdhe!

Këtë “Himn të Flamurit”, e ka shkruar Eqrem Çabej më 1937, në konkursin e shpallur nga shteti shqiptar “për një himn të ri me frymë thjesht shqiptare”. Çabej e tërhoqi këtë krijim nga konkursi, kur merr vesh se në të merrnin pjesë personalitete të cilët i nderonte e i çmonte lart e me të cilët nuk e quante veten të denjë të matej.

Pas pëlqimit të përgjithshëm të ‘Rreth flamurit të përbashkuar’ si himn kombëtar (1912), në mënyrë të vazhdueshme janë shkruar këngë apo qoftë edhe vetëm poezi për himn kombëtar. Poezi për himn kombëtar kanë shkruar At Gjergj Fishta më 1913, Ernest Koliqi më 1921 si fitues i vendit të parë në konkursin për himn kombëtar shpallur nga Ministria e Arsimit, Fan S.Noli më 14 nëntor 1926 me titull ‘Hymni i flamurit’, Mihal Grameno me titull ‘Kënga Kombëtare’, Hil Mosi me ‘Himn i Bandës së Lirisë’. Himn kemi edhe nga poeti Lasgush Poradeci më 1933, të botuar tek ‘Vallja e yjeve’ etj.

Himni i flamurit që shkroi Çabej, në konkursin e vitit 1937: Atje lidhet besa e Zotit, për liri dhe për Atdhe!

Në vitin 1922, Këshilli i Ministrave shpall konkursin për bërjen e ‘Himnit zyrtar kombëtar’. Për shpalljen e konkursit dhe kriteret e tij caktohet Ministria e Arsimit ku ndër të tjera u përcaktua edhe masa e shpërblimit prej 1000 franga ari për vjershëtarin e himnit dhe 3000 franga ari për kompozitorin e tij. Më tej, në vitin 1937, në përvjetorin e 25 pavarësisë, u organizua një konkurs, me qëllim bërjen e një himni tjetër kombëtar. Sipas arsyetimeve të Komisionit të ngritur për kremtimet e 25 vjetorit të vetëqeverimit, ‘… hymni i sotëm i flamurit kombëtar asht fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun dhe gjithashtu melodija e tij asht nji kopjim i plotë i muzikës rumune”’.

Duke e konsideruar ekzistencën e këtij himni ‘… si një cen për ndërgjegjen kombëtare dhe për sedrën t`onë atdhetare”, komisioni i përbërë nga Parashqevi Kyrias, Mati Logoreci, Kol Rodhe, Telki Selenica, Sotir Papakristo, Karl Gurakuqi, Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci, Qemal Butka dhe Odhise Paskali në mbledhjen e datës 5 mars 1937 vendosën hartimin e një himni tjetër me frymë thjesht shqiptare. Ky komision ngriti edhe një komisioni e cila do të vendoste për caktimin e krijimit artistik i cili do të ishte himni i ri kombëtar. Komisioni përbëhej nga At Gjergj Fishta, Mid`hat Frashëri dhe Konstantin Cipo. Nga 76 krijime, fitues u shpall himni i krijuar nga Beqir Çela, i cili mbante pseudonimin ‘Osoja i Ri’.

Fakt është se ky konkurs për poezinë e himnit nuk u pasua edhe nga një tjetër konkurs i cili do t`i kushtohej muzikës së tij. Për këtë arsye, duke mbetur vetëm një tekst, kjo poezi nuk pati popullaritet dhe si e tillë u fshi nga qarkullimi, megjithëse pjesëmarrësit dhe krijimet e këtij konkursi u botuan në shtypin e kohës.

Pas çlirimit të vendit më 29 Nëntor 1944, rreth fundit të vitit 1945 dhe fillimit të vitit 1946, u organizua konkursi i parë shtetëror për himn kombëtar. Krahas shumë krijimeve të paraqitura, si krijimi më i mirë u shpall ‘Himni i Shqipërisë së re’, me poezi të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos, rezultat që u bë i ditur me shpalljen e Shqipërisë republikë më 11 Janar 1946.

Koha tregoi se edhe ky krijim artistik nuk u ligjërua që të zëvendësonte himnin ekzistues për arsye nga më të ndryshmet, megjithëse ‘Himni i Shqipërisë së re’ (në ndonjë rast edhe me fjalë të tjera), pati interpretime të ndryshme, kryesisht nga kori i ushtrisë.

Pas kësaj, përpjekjen tjetër serioze për të shkruar një himn, e kemi në fillim të viteve ’70. Nga Këshilli i ministrave të asaj kohe, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës si dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, u shpall një konkurs për ‘Himnin e Republikës’. Në këtë konkurs morën pjesë ajka e krijuesve tanë, ndër ta Çesk Zadeja, Ismail Kadare, Tish Daija, Fatos Arapi, Nikolla Zoraqi, Xhevahir Spahiu, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Tasim Hoshafi etj. Pas seleksionimit u arrit në dy variante. Në himnin e krijuar nga Çesk Zadeja dhe në atë të Nikolla Zoraqit me poezi të Fatos Arapit të titulluar ‘E lirë u ngrit toka jonë’. Pati mendime që të njihej si himn edhe kënga e Pjetër Gacit: ‘Për ty atdhe’.

Por, historia e himneve vazhdoi pa sjell ndonjë…

Sidoqoftë, në vëllimin ‘Konkursi për Hymnin e Flamurit’ nr. 2, (Tiranë 1937), ku janë publikuar tekstet e konkursit për një himn të ri kombëtar që u shpall me pëlqimin e Këshillit Ministrit të Shqipërisë – ku aplikoi fillimisht edhe Çabej – ngjyra e kuqe cilësohej simbol i sakrificës, flijimit për idealin më të lartë kombëtar – çlirimin e Shqipërisë nga armiqtë.

HIMNI I FLAMURIT

Nga: Eqrem Çabej

Buzë valësh që rreh deti
Përmbi shkrepe mijvjeçare
Përmbi mal ku sundon shqipja
Edhe rrit gjini krenare,
Ku jep burri besa-besën
E ku vdes si vdiq qëmotit,
Po valon e lëshon hije
Flamuri i Kastriotit.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!
Te kështjell’ e bardh’ e Krujës
Rreth e qark e mbi bedena
U mblodh komb’ i fort’ i Arbrit
Rreth Shqiponjës me dy Krena.
U droth toka fort e vjetër
Kur i ranë kaq dëshmorë
Rreth flamurit të përgjakun
Si dhandurë me kunorë.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!
Ju Shqiptarë djemt e shqipes
Mos harroni se kush jemi.
Këtë flamur kurr të thyem,
Këtë gjak në dej që kemi,
Këtë truell që na dha Zoti,
Bani be se do t’i mbroni,
Dhe sa jet nji frym’e gjallë
Kurrëkuj s’do t’ia lëshoni.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!