Zari: Festivali i Këngës – ‘wake up’ për skenën e artit në Kosovë

Këngëtarja Eda Zari nëpërmjet një shkrimi të gjatë ka përshëndetur organizimin e Festivalit të Këngës në RTK. Ajo ka thënë se tashmë talentet e reja kanë hapësirë dhe se kjo ka qenë ëndrra e Kosovës, Nexhmije Pagarushës dhe publikut.

“Festivali i Parë i Këngës në RTK – Kosovë, në ndjesinë time, shpreh dhe transmenton një dashuri të përbashkët për muzikën dhe kulturën, duke krijuar hapësira për talentet e reja vendase dhe gjithë krijuesve në trojet shqiptare duke promovuar artin dhe ekspresionin artistik kombëtar. Ky festival nxit një ndjenjë të bashkëpunimit dhe solidaritetit në skenën e muzikës në Kosovë dhe rajon, duke krijuar mundësi për artistët – të ndajnë talentin e tyre me publikun dhe me botën”, ka shkruar ajo.

Tutje këngëtarja e famshme ka kujtuar edhe bisedat që ka pasur me ikonën e këndimit, bilbilin e Kosovës, Nexhmije Pagarushën.

“E kam pritur festivalin e Këngës në RTK në Kosovë, dhe shumë herë kemi folur me ikonën e zërit të madh të kombit, zonjën e lartë dhe të pa harruar Nexhmije Pagarusha. Sa e sa herë e kemi vizualizuar rikthim e bukur të këtij festivali. Ëndrra e saj, ëndrra ime, dhe e gjithë Kosovës tanimë është realitet. Personalisht vërej një mobilizim të madh me një frymë të rinovuar në këtë festival. Ky është një moment i madh për kulturën dhe muzikën në Kosovë dhe një shenjë e fuqishme se ëndrrat mund të bëhen realitet kur punohet bashkë”, ka shkruar ajo.

Zari i ka bërë thirrje garës evropiane, “Euro Song Contest” që edhe Kosova ta gëzoj fatin e pjesëmarrjes.

“Ndaj ESC – bëj vend për Kosovën dhe Zërat e saj! Kuptimi i kulturës, artit, muzikës është thelbi i edukimit, është përcjellja dhe kultivimi i asaj që në vendet fqinje të Evropës quhet “civilizim”, është ura e parë paqësore për t´i dhënë dorën njëri-tjetrit”, ka shkruar ajo./rtk/KultPlus.com

Fundjava e Eda Zarit dhe Elina Dunit, në Porto Palermo Festival

Fundjava që lamë solli në Porto Palermo dy nga zërat dhe zhanret më interesante muzikore. Këngëtaret Eda Zari, Elina Duni, pianisti Genti Rushi e kuarteti AJS ishin disa prej artistëve që i janë bashkuar nismës së Olen Cesarit, në Porto Palermo Festival.

“Magjisë së trashëgimisë kulturore dhe detit, Eda Zari dhe AJS Quartet i shtuan magjinë e muzikës. Porto Palermo Festival , një nga destinacionet më të bukura kulturore të verës, mbështetur nga Ministria e Kulturës” shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale.

Skena e pazakontë e kalasë mesjetare të Porto Palermos u mbush me artistë të cilët shpërfaqën pasionin dhe aftësitë e tyre. Imazhi i mirë që ky festival ka krijuar edhe në netët apo edicionet e kaluara, ka bërë që një pjesë e spektatorëve të niseshin enkas nga qytete të tjera, për të ndjekur performancat e kësaj fundjave.

Porto Palermo Festival zhvillohet cdo fundjavë, nga 14 korriku në 14 gusht. Njëkohësisht në lokacione të tjera bregdetare, gjatë fundjavës u zhvilluan aktivitete artistiko-kulturore. Për të qenë të përditësuar me këto informacione, ministrja Margariti kujtoi edhe  një herë për të shkarkuar aplikacionin TEA. / atsh / KultPlus.com

Festivali MetroSound rikthehet me artisten Eda Zari

Në teatrin “Metropol”, nënë dhe bir, Eda Zari e Henning Jung si dhe perkusionisti i shquar Rhani Krija, do te performojne ne MetroSound Festival.

Përmes programit të tyre artistk do të krijojnë imazhe tingullore që reflektojnë emocionet më të thella të njeriut, duke tërhequr publikun në një udhëtim shpirtëror. Kitaristi, saksofonisti dhe sinergjia pianistike, ajo e baterise dhe kontrabasi i bashkëngjiten shkëlqyer zërit të Eda Zarit me improvizime magjike, duke shtuar një dimension të ri në këtë përzierje të mrekullueshme të zhanreve, plot spontanitet dhe surpriza.

Teatri i Metropolit fton në këtë lojë artistike e cila shpalos pikëllimin dhe nostalgjinë e zemrës, duke sjellë një emocion të pazëvendësueshëm te dëgjuesi. Në këtë natë magjike të poezisë, jazz-it, këngëve të mallit, bossa nova ́s dhe tingujve mistikë, artistja Eda Zari dhe muzikantët që e shoqërojnë, bëjnë të ndihesh i humbur në një botë ku koha dhe hapësira gjejnë një kuptim të ri.

Festivali “MetroSound” këtë vit do të zhvillohet në katër mbrëmje dhe ky është edicioni i pestë i tij me muzikën më të mirë të viteve `90.

Të tjerë emra të njohur që do t’i bashkohen këtij edicioni janë edhe Ritfolk, Petrit Çarkaxhiu i Jericho, Blla Blla Blla etj./ atsh / KultPlus.com

Eda Zari sjell festivalin e jazz-it në Tiranë

Për të apasionuarit e muzikës jazz, në Tiranë do të vijë festivali Jazz & Wine International Festival Albania.

Ky festival jazz-i do të sjellë në Tiranë artisten Eda Zari dhe miqtë e saj artistë, nga vende të ndryshme të botës. Ky edicion i Jazz & Wine, me moton “Tingulli dhe fjala si një palimpsest”, vjen në kuadër të “tetorit gjerman”.

Së bashku me kolegë të tjerë, Eda Zari do të interpretojë mbrëmjen e datës 28 tetor, në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse Tiranë.

Me të do të jetë Rhani Krija, artist me të cilin prej më shumë se dy dekadash, Zari ka krijuar një simbiozë melo-ritmike unike, kimi që ka rivitalizuar repertorin e këngëve tradicionale shqiptare.

Rhani Krija, zotëron çdo instrument perkusiv. Ai ka lindur në Marok por jeton e krijon në Këln të Gjermanisë. Krija ka realizuar turne koncertale me yje botërore dhe vlerësohet jashtëzakonisht në skenën ndërkombëtare, ku shquhet për duart magjike dhe sensin e pakrahasueshëm ritmik. Ai ka luajtur me Sting, Peter Gabriel, Annie Lennox, Herbie Hancock dhe Prince, Lady Gaga etj.  Sipas tij “Muzika tradicionale shqiptare, është një pasuri për muzikën botërore”.

Në këtë natë “Jazz dhe Poezi”, artistja, e cila këtë herë do të performojë në skenë edhe me djalin e saj Henning Jung, bashkon ‘creme de la creme’ të skenës aktuale të xhazit për të formuar një septet unik, botë orkestrale, ritme dhe poezi, të bashkuara në një ngjarje zanore kinematografike. Një varietet shpërthyes, i sofistikuar dhe tërheqës.

32 vitet e Eda Zarit mes shqipes dhe gjermanishtes tashmë, na sjellin “një shkëlqim të fshehtë ”brenda “Palimpsestit” të mendjes dhe zemrës, Lasgush Poradecit dhe Heinrich Heine-s. / atsh / KultPlus.com

Pas pesë vitesh mungesë, Eda Zari kthehet me albumin e ri “Palimpsest” (VIDEO)

Pas pesë vitesh Eda Zari kthehet me një album të ri – si gjithherë – konceptual. “Palimpsest” Lasgush Poradeci Heinrich Heine My life is one Palimpsest, so is yours! “Ç’është truri i njeriut përveçse një palimpsest kolosal? Truri im është një palimpsest i tillë” – kështu Thomas De Quincey në “Libra – Suspiria de Profundis“.

Kjo metaforë vlen për zemrën, poezinë dhe muzikën! Pergamenat dhe letrat e shkruara rishtas u quajtën palimpsest. Ky kompleksitet është karakteristika kryesore e albumit dygjuhësh, shqip dhe gjermanisht, të Eda Zarit quajtur  “Palimpsest”.

Ndryshe nga dashuria e epërme për të cilën John Coltrane në suitën e tij “A Love Supreme” shpreh muzikalisht qëllimin e tij – të jetonte jetën e vërtetë fetare, qëllimi i Eda Zarit është të shkruajë një vepër muzikore shpirtërore mbi poezinë lasgushiane që mbart konceptin kozmik, atë më të epërmin, të cilën Poeti e quan Dashuri. Muzikalisht Eda Zari ndihet si në shtëpinë e vet në varietetet e xhazit, muzikës kinematografike dhe world music. Për nderimin e vargjeve të Lasgush Poradecit, ajo zgjodhi një fjalor të saj melo- ritmik vokal në mënyrë që të përkthejë përshtatshëm vargjet poetit në muzikë. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=3WgyoTNFw7I

“Qan lulja për lulen”, projekti më i ri i Eda Zarit (VIDEO)

Këngëtarja e njohur Eda Zari e cila sjell muzikën shqipe në një version shumë të veçantë, së fundi do të sjell këngën “Qan lulja për lulen”, shkruan KultPlus.

Eda Zari ka njoftuar se ky projekt do të lansohet të shtunën, përderisa ka ndarë me ndjekësit e saj një pjesë të kësaj kënge që po ju sjell edhe KultPlus.

Kjo këngë do të lansohet në YouTube./ KultPlus.com

Eda Zari sapo ka publikuar këngën e saj më të re (VIDEO)

Këngëtarja e njohur shqiptare Eda Zari sapo ka publikuar këngën e saj më të re, shkruan KultPlus.

“Loving Art”  është kënga e këngëtares Zari, e cila ka njoftuar se është realizuar nga bashkëpunëtorët e saj, pjesë e së cilës është edhe djali i saj Henning Jung.

KultPlus ju sjell këtë këngë të Eda Zarit që tashmë e ka realizuar edhe me videoklip./ KultPlus.com  

‘Ku e lam e ku na mbeti filloi korona, sa na la tërmeti’ (VIDEO)

Virusi që tashmë ka lëshuar rrënjë në shumë shtete të botës, duke bërë kështu që të gjithë të mbyllen në karantinë, disa nga artistët kanë shpalosur kreativitetin e tyre në mënyra të ndryshme, shkruan KultPlus.

Ditë më parë qarkulloi një version më ndryshe i poezisë së Agollit ‘Kur të jesh mërzitur shumë’, ndërsa tashmë është publikuar një version ndryshe i poezisë së famshme të Nolit ‘Anës lumenjve’, që përmes zërit të këndshëm të Eda Zarit dhe nën tekstin e Anisa Kushtës, vjen si ‘Anës karantinës’.

Bashkangjitur gjeni tekstin dhe videon e këngës.

Anës karantinës

Frikësuar, çakërdisur
herë kthjellët
herë dalldisur

I laj duart pa përtesë
të vij fundi
menzi pres

Ku e lam e ku na mbeti
filloi korona, sa na la tërmeti
Anës diellit dot s’po ngrohem
nga kolltuku mezi çohem

Dua kafe si çdo ditë
se ndokujt do i nxjerrë sytë
se ç’u enjta, se ç’u mpiva
edhe pse dremita
prapë u shtriva

Pranë familjes e larg punës
mbaj alkool kot afër hundës

Por kam zot
e kam shpresë
ndaj e lumtur lirinë pres

Por një zë më zgjon nga gjumi
më thotë- mami shko merr qum’shtin

Sepse ora po afrohet
dhe fshatari do largohet
shtohet ankthi, me vrap çohem
nuk kam kohë të dezinfektohem

Ndaj qetësohuni
dhe pak duroni
se shumë shpejt do më takoni

Se kam zot e kam shpresë
Nja ca ditë, më shumë s’do të pres
se pas marsit do vijë prilli
Te kafja lagjes pres
të më vini. / KultPlus.com

Tirana s`ka nevojë për Kulla, pseudo trotuar biçikletash dhe kuti të nëndheshme parkingesh!

Në rradhën e reagimeve të shumta për mos shembjen e Teatrit Kombëtar është bashkuar edhe artistja shqiptare Eda Zari.

Në reagimin e saj ajo shprehet se nëse planet për shembjen e Teatrit do të zbatohen, ky do të ishte një hap masiv prapa jo vetëm në kulturën shqiptare por edhe në rënien sociale.

“Tirana s`ka nevoje per Kulla, pseudo trotuar biçikletash dhe kuti te nendheshme parkingesh!”– shkruhet më tej në reagim.

Postimi i plotë:

“Une kerkoj nga Bashkia: energji elektrike, ujin dhe kanalizime te cilat funksionojne – sa i perket kultures, une tashme e zoteroj ate.” Me kete citim sarkastik nga Karl Kraus mund ta linim edhe me kaq. Por eshte e rendesishme te ndalohet nje zhvillim shkaterrimtar – jo vetem ne Tirane – por ne veçanti – Teatri Kombetar, kjo kulture e gjalle, ka dhe do te gjalleroj tensione pro luftes kunder prapambetjes kulturore qytetare, sikunder e ka kryer nder breza. Nese planet per Teatrin do te zbatohen (e kane thene mbrojtesit, aktivistet, artistet gjate gjithe fushates se solidarizimit per mbrojtjen e Teatrit), kjo do te nenkuptonte nje hap masiv prapa jo vetem per kulturen ne Tirane, por per kulturen e shoqerise sone ne vetvete. Nuk duhet injoruar publiku dhe dashamiresit qe vizitojne shfaqet. Teatri i nje kryeqyteti eshte ai qe zbut renien sociale dhe kulturore te shoqerise.

Tirana s`ka nevoje per Kulla, pseudo trotuar biçikletash dhe kuti te nendheshme parkingesh!

Edhe femijet luajne me bukur ne teatrin e jetes, se sa i rrituri NERO! #mosmaprekteatrin. (Foto by Eda Derhemi)”

Eda Zari rikthehet në Prishtinë, sjellë një “Udhëtim dimëror” në prag të festave të fundvitit

Më 1 dhjetor me fillim nga ora 20:00 në Teatrin Oda, rikthehet Eda Zari, për një koncert të radhës, shkruan KultPlus.

Eda Zari feat. Rhani Krija, Gert Kapo, Visar Kuçi, Ilir Bajri, Hayden Chisholm sjellin “Udhëtim dimëror – Spiritual Jazz – kanellë dhe verë”, në Teatrin Oda, aty ku do të lexojë Sokol Çunga.

“Një program i pazakontë përmbush dëshira të vogla nostalgjike muzikale dhe kyçet me përmasën shpirtërore në muzikë. Përmes aranzhimeve të larmishme xhaz gërshetohen melodi aq të njohura, që tingëllojnë familjare, dhe përgatisin shpirtin për sezonin e festave të fundvitit.

Dimensioni shpirtëror në muzikë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, ndaj shkojmë muzikalisht pas në histori, për të njohur vlerën e ritualeve, festave, simbolikave.

Ritualet që ngrohin zemrën janë gjithmonë të mira. Nuk janë domosdo vetëm pikëpamjet e tradicionale fetare. Janë, bashkë me to, dhe ato rituale laike që japin shembuj, na tregojnë, së pari, si të paqtohemi dhe të festojmë të gjithë së bashku, në emër të dashurisë dhe paqes.

“Ja na erdhi viti i ri”, “Silent Night” janë këngë të njohura për çdo moshë. Pothuajse kushdo mund të këndojë nën zë e me zë duke bërë të pranishme ndjesinë e bredhave plot borë, të nuhasim biskotat e sheqerit që vijnë nga furra, të shohim dritaret e kuzhinës me avull. Dëshirojmë t’ju kënaqim, ndonëse sezoni i festave ende nuk ka filluar, duke ju sjellë përjetimin e një nate dimri me tinguj nga muzikantë të përkushtuar, dhe “Përralla nga e shkuara“!”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

“Lum Lumi i Lirë”, kënga që bashkoi artistët drejt mbrojtjes së lumenjve (VIDEO)

Artistë shqiptarë janë bashkuar në një këngë për të mbrojtur lumenjtë e Shqipërisë. Kënga e gjelbër “Lum Lumi i Lirë” përpiqet të kontribuojë pro kauzave në mbrojtje të lumit Valbonë dhe lumit të fundit të egër në Europë, Vjosës.

Muzikantë, producentë, muzikologë, historianë e artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë: Elina Duni, Eda Zari, Linda Rukaj, Rhani Krija, Vlashent Sata, Emiljano Dhimo, Shpat Deda, Gert Kapo, Henning Jung, Kleidi Eski, Sokol Çunga, Mikaela Minga, të gjithë së bashku, bashkëpunuan për të realizuar këngën dhe videon “Lum Lumi i Lirë“. Kjo këngë (një nismë e duos Duni – Zari) lindi si nevojë për përhapjen e informacionit mbi padrejtësitë sistematike që po u bëhen lumenjve, natyrës, si dhe për të mbështetur zërin protestues të banorëve pranë zonave të këtyre lumenjve.

Njëkohësisht, kënga vlen për të fuqizuar ndërgjegjësimin e çështjes në mbarë shoqërinë tonë. Muzika është e gjithëpranishme dhe gjithëpërfshirëse në jetën tonë. Ajo stimulon kënaqësi në tru dhe në gjendjen emocionale. Sidomos kënga është përherë e pranishme në të përditshmen e gjithkujt. Muzika, kënga, nuk është vetëm medium argëtues apo element që na mbledh për t’u dëfryer. Kënga është një mjet i shkëlqyeshëm efektiv, përmes të cilit transmetohet informacioni mbi çështjet e natyrës dhe ç’po ndodh me të, mbi jetën apo problemet sociale. A mund ta ndryshojmë botën me një këngë? Jo, por një këngë ndryshon botëzën dhe perceptimin e secilit prej nesh! Një këng solidarizon, frymëzon, shpëton, fal shpresë. Shqetësimet dhe vullneti për të krijuar një këngë-protestë rrjedhin nga niveli i vetëdijesimit për atë të keqe të pakthyeshme që po ndodh në Valbone, në Vjosë, apo ajo që po ndodh me ujin, ajrin, natyrën, tokën shqiptare, por edhe për natyrën e gjithë botës. Kjo këngë jep “ZA” për shërim, i piskat publikut, për t’i lënë secilit thellë një jehonë vetëdijeje.

Tek “Lum Lumi i Lirë” artistët me vetëdije morën nismën jo vetëm për të prodhuar muzikë, jo vetëm për t’i mëshuar thirrjes: “S’duam tuba, s’duam diga, s’duam pengesa edhe prita, duam çdo njeri i mirë të thërrasë: Lum Lumi i Lirë!”, por krijuan një këngë që ka një qëllim edhe më të epërm: Ku ka lumenj, ka gjithmonë arsye për të ndërtuar ura mbi të cilat ecim dhe përqafojmë hallet e njëri–tjetrit. Është një përpjekje për të bashkuar dhe solidarizuar aktivistët, shoqatat, si ato pro Valbonës dhe Vjosës, por edhe cilindo individ që punon e shqetësohet për ekzistencën dhe vlerat e shoqërisë sonë.

Nga ana tjetër, kënga dëshiron të shpërndajë mesazhin se nuk ka natyrë, lumë, ajër, tokë që të trajtohet si një i nënës e një i njerkës. Në mënyrë të pa partishme dhe vetëm duke bërë përpjekje të përqendruara, por të bashkuar, mund të mposhten vendimmarrësit e gabuar dhe planet e tyre fatkeqe. A do të mundemi të ndërgjegjësohemi për një të vërtetë të madhe se, as në një të ardhme të afërt, por as të largët, kurrë, s’ka për të pasur një Shqipëri të dytë me këtë natyrë si kjo që kemi? Prandaj ejani ta mbrojmë.

Ky është apeli i artistëve si vullnetarë, qytetarë, kolegë, bashkëkombës, mbi të gjitha si NJERËZ. Mos harro të thërrasësh: Lum Lumi I lirë! / KultPlus.com

(Të drejtat autoriale të tekstit përshkrues © Eda Zari)

Eda Zari me koncert në Sarajevë, shprehet e acaruar për kolegët kosovarë që nuk mund t’i bashkohen shkaku i vizave

Artistë të njohur nga Ballkani ngrenë zërin për të shpëtuar lumenjtë e fundit të egër të Evropës.

Përmes një koncerti këta artistë do të ‘protestojnë’ për mbrojtjen e lumenjve.

Në mesin e artistëve pjesëmarrës në këtë koncert është edhe artistja shqiptare Eda Zari.

Zari do të jetë e pranishme atje për të performuar para publikut, por me sa duket disa kolegë të saj nga Kosova nuk kanë mundësi të jenë prezent, kjo shkaku i vizave.

Kjo gjë e ka acaruar artisten e cila është shprehur se si është e mundur që në shekullin 21 ende u nevojiten vizat kosovarëve coftë për të dalë edhe tek fqinjët, si në këtë rast në Sarajevë.

“Eshte nje cmenduri e pa arsyetueshme. Ne shek 21 kolegeve te mi nga Prishtina per te promovuar vlera artistike muzikale jashte vendit ende u nevoitet vize (turp e mekat, nevoitet vize per te dale qofte dhe deri tek fqinjet ne Sarajevo) te perballet, dhe te perballemi duke diskutuar ne nivele diskriminuese. Kur do marre fund ky poshterim?!”, ka shkruar Zari në Facebook.

Artistët tjerë pjesëmarrës në këtë koncert janë: Rambo Amadeus, Damir Imamovic,
Tamara Obrovac dhe DJ Ismar.

Koncerti do të mbahet më datë 29 shtator në Sarajevë dhe organizatorët bëjnë thirrje: Ejani dhe kërceni me ne për lumenjtë e lirë! / KultPlus.com

Paralajmërohet koncerti në mbrojtje të Lumit Vjosa (VIDEO)

Artistët kthehen sërish pas një viti nga koncertet protestë “Mos ma prek Valbonën“, dhe “Jo, importit të mbetjeve në Shqipëri“, në Sheshin e Kryeqytetit, pranë Muzeut Kombëtar, në mbrojtje të Lumit Vjosa.

Në këtë koncert sensibilizues do të marrin pjesë artistët si: Elina Duni, Eda Zari, Gent Rushi, Rob Luft, Vlashent Sata, Marsela Çibukaj, Linda Rukaj, Charles Lamouroux, Ermal Rodi, Florian Garcin, Emiljan Dhimo Grupi Ppolifonik Lunxhëria, Grupi i Bençës dhe Dj. ODA.

Artistët po shprehen entuziastë për këtë koncert, madje Eda Zari ka postuar edhe një video ku shihet përkrahë artistit Vlashent Sata teksa shfaqin edhe bukuritë e këtij Lumi dhe paralajmërojnë për koncertin nesër i cili thuhet që do të sjellë edhe disa befasi.

Koncerti mbahet nesër duke filluar nga ora 19:00 në Tiranë – Sheshi përballë Muzeut Kombëtar. / KultPlus.com

Artistët forcojnë zërin në mbrojtje të xhevahirit të egër të Evropës

Artistët kthehen sërish pas një viti nga koncertet protestë “Mos ma prek Valbonën“, dhe “Jo, importit të mbetjeve në Shqipëri“, në Sheshin e Kryeqytetit, pranë Muzeut Kombëtar, në mbrojtje të Lumit Vjosa.

Në këtë concert sensibilizues do të marrin pjesë artistët si: Elina Duni, Eda Zari, Gent Rushi, Rob Luft, Vlashent Sata, Marsela Çibukaj, Linda Rukaj, Charles Lamouroux, Ermal Rodi, Florian Garcin, Emiljan Dhimo Grupi Ppolifonik Lunxhëria, Grupi i Bençës dhe Dj. ODA.

Në Shqipëri planifikohet ndërtimi i më shumë se 500 hidrocentraleve, fakt i cili kërcënon të gjithë lumenjtë e Shqipërisë. Eksperiencat e kaluara na tregojnë se formatet e solidarizimit, thirrjet për bashkim në kauzë, ndërgjegjësimet kolektive, shumica (fatkeqësisht) nuk i kuptojnë, me dashje ose pa. Politikë-bërësit nuk duan t´ja dinë. Por as artistët nuk duan t´ja dine. Solidarizim, duhet të tregojnë të gjithë ata që kanë një fije atdhetarizmi, ndjejnë akoma se kanë ende lidhje me mëmë-dheun, se kjo kauzë ju përket edhe brezave të ardhshëm dhe kush është indiferent i bën dëm të pakthyeshëm të ardhmes së vet dhe pasardhësve. Fakti që politikë-bërësit nuk përfillin fare edhe kur bëjmë tubime /protestë /koncert etj., kjo na forcon më fort zërin. Janë shkelur konventa dhe ligje kaq hapur, ndaj dhe çështja ndodhen në gjykatë, dhe kështu ajo do të shkojë qoftë dhe në atë ndërkombëtare. Nuk mund të lihet diçka kaq madhore në ndërgjegjen e njerëzve skepto-apatikë që i ua kanë gozhduar trutë me propagandë-konsumizmi, thuhet në njoftim.

Koncerti mbahet më datë 18 tetor, nga ora 19:00 në Tiranë – Sheshi përballë Muzeut Kombëtar. / KultPlus.com