Balerinat e vogla të Operës

Çfarë fshihet pas vizatimeve, pikturave dhe statujave të Edgar Degas, në lidhje me jetën e përditshme të vogëlusheve balerina të Operës së Parisit në shekullin XIX?

Degas, piktor i balerinave. Degas, piktor i këngëtareve. Degas piktor i larëseve të lavanderisë… Të shumta janë shprehjet që na sillen ndërmend kur flasim për këtë artist të jashtëzakonshëm. Në të vërtetë, piktori përqendrohet tek lëvizja, me një kujdes të veçantë që i kushtohet dritës. Edgar Degas është një artist i kompletuar: piktura vaji, pastele, vizatime, gravura, skulptura dhe fotografi. Piktori madje ka provuar edhe poezinë: “Ai madje ka shkruar në periudha të caktuara të jetës së tij, sonete të shkruara për të cilat thuhet se janë shumë të bukura”.

I konsideruar për një kohë të gjatë si “piktori i balerinave”, gjithsesi Edgar Degas pati një karrierë shumë më të larmishme. Një nga mjeshtrat e Impresionizmit, Edgar Degas ishte i apasionuar pas fotografisë, vallëzimit dhe kuajve… I famshëm për valltarët e tij, Edgar Degas (1834-1917) shpesh konsiderohet një nga mjeshtrat e Impresionizmit, një klasifikim që ai e refuzonte, duke e mbajtur veten si realist dhe të pavarur. I pasionuar pas studimit të lëvizjes, ai u bashkohej të gjitha motiveve që përfaqësonin jetën: vallëzimi, natyrisht, por edhe garat me kuaj. Ashtu si miku i tij Manet, Degas ishte një nga piktorët e mëdhenj të jetës moderne, skena kafenesh, të shtëpive publike, kapelashitësve, lavanderive… Puna e artistit borgjez parizian, shumë i kulturuar dhe koleksionist, u shënua nga njohja e mjeshtrave të mëdhenj, veçanërisht e Ingresit, duke u konsideruar edhe si një prej trashëgimtarëve për nga cilësia e linjës së tij.

“Asnjë art, nuk është aq spontan sa i imi. Ajo që bëj unë është rezultat i reflektimit dhe studimit të mjeshtrave të mëdhenj”.

Degas përdorte bukur pastelin, të cilën e njihte mirë si teknikë, ndërkohë që gjithë piktorët e tjerë parapëlqenin bojën e vajit. Degas e konsideronte pastelin si “një pluhur mbi krahë fluturash”… Kështu u krijuan tablotë “Mësimi i baletit”, “Provimi i dansit”, etj. Megjithatë ai vazhdoi dhe me portretet e grave nëpër kafenetë, klubet e argëtimit, që atë kohë ishin të shumta në Paris, këngëtaret e kabareve, madje dhe larëset e rrobave, gratë që hekurosin, etj.

Lindur në Paris në 1834, në një familje borgjeze, Degas ishte mbartës i një kulture të trefishtë: italisht nga i ati, amerikane nga nëna dhe pariziane nga lindja. Studioi në Liceun “Louis-le-Grand”, ku u diplomua në vitin 1853. I talentuar për artet, projektues pjellor, ai iu bashkua ateliesë së Louis Lamothe. Pjesa e parë e krijimtarisë së tij shënohet nga tradita klasike. Fillimisht Degas ekspozoi piktura të historisë në Sallon, përpara se të bashkohej me qarqe të pavarura dhe të merrte pjesë në të gjitha ekspozitat impresioniste midis 1874 dhe 1886 (përveç në 1882), me tema frymëzuar nga jeta bashkëkohore. Në vitet 1870, Degas u interesua për botën e Operës dhe vallëzimit, e cila më pas do shndërrohej në temën kryesore në veprën e tij piktoreske, por edhe të skulpturës. Duke evoluar në një shoqëri ku muzika luante një rol kryesor (në mesin e Lerolle, Rouart), mik i Ludovic Halevy (libretisti i “Karmen” të Bizet), ai u fut në prapaskenat e Operës së Parisit.

Degas pikturoi skena orkestrale, portrete të muzikantëve, por veçanërisht klasa vallëzimi ku merrnin pjesë balerina të vogla. Artisti zbulon egërsinë e një bote kapur në të gjithë kompleksitetin e saj sociologjik: zotërinjtë që presin balerinat, rivalitetet, hierarkinë; asgjë nuk është harruar. Pjesa e fundit e jetës së Degas zymtohet nga verbëria, që e privon gjithnjë e më shumë nga arti i tij: artisti ndaloi të pikturojë në vitin 1912. Ai i kushtohet pastelit dhe prodhon vepra moderne, të lënë pas dore për një kohë të gjatë. Pas vdekjes së tij në 1917, në të njëjtin vit me Rodinin, shitjet e studios së tij dhe koleksionit të tij sublim të mjeshtrave (Ingres, Delacroix …) shënojnë vitin 1918.

Kryeveprat e Degas:

Familja Bellelli (1858-1867) – Duke kaluar nëpër Itali, Degas viziton familjen e tij napolitane, ku vizaton një portret të denjë për mjeshtrat flamandë. Vepra karakterizohet nga

struktura dhe ashpërsia e saj e përsosur, një shkapërderdhje e detajeve dhe një paletë e zymtë, ku Degas arrin të kuptojë psikologjinë e modeleve të tij.

Kuaj garash para stendave (1866-1868).

Klasa e Vallëzimit (1873 dhe 1876).

Përfshirë në prapaskenat e Operës të rrugës “Le Peletier”, Degas interesohet për botën e vogël të balerinave. Kemi të bëjmë me një klasë vallëzimi, ku balerinat ushtrohen nën syrin vigjilent të mësuesit të baletit, prania e vetme mashkullore. Tensioni dhe predispozita janë të dukshme. Disa kryejnë lëvizjet, ndërsa të tjerat duken të lodhura, madje edhe të rraskapitura. Piktori, duke iu afruar përbërjes diagonalisht, kursen ndërhyrjen e jashtme në këtë univers të mbyllur përmes pasqyrës.

Valltarja e vogël 14 vjeçare (1865 dhe 1881).

Në ekspozitën Impresioniste të vitit 1881, Degas prezantoi në një kafaz qelqi një skulpturë dylli të një balerine të re. Vepra shkaktoi skandal. Përballë fytyrës së saj me tipare simiane (majmuni), për disa ajo mishëronte një imazh shthurjeje (Opera shpesh perceptohej si një nga pasdhomat e prostitucionit borgjez). Manifest i natyralizmit në skulpturë, kjo vepër është një përzierje e vërtetë, pasi Degas e veshi balerinën e tij me një tutu dhe pantofla, të cilat tregojnë obsesionin e tij për të kapur realitetin e kohës ku jetoi.

Karakteri i Degas ishte shumë i plotë, njëherazi ai dallohej për një besnikëri dhe një delikatesë që shkonte deri në ekstremin e mundshëm. Ishte besnik i pak miqve, por ishte absolutisht, ndër të tjerë, për vëllezërit Rouart, për skulptorin Bartholome, për Forain./Konica.al/ KultPlus.com

Kujtime letrare, për Edgar Degasin

Do t’ju them tani disa fjalë për piktorin Edgar Degas, që e kam njohur mirë e që zë vend krejt natyrshëm pranë Huysmans-it dhe Mallarmé-së. Ju e njihni veprën e Degas-it; sot ajo ndodhet nëpër muze. Ky njeri ishte personaliteti më i palëkundur, më i gjallë, shpeshherë më i parehatshëm; njeri i mendjes dhe i një inteligjence të rrallë.

Kur e njoha unë, Degas jetonte në një shtëpi në rrugën Victor-Massé, sot e shkatërruar, ku ai kishte zënë tre kate. Në të parin ishte muzeu i tij vetjak. Kishte grumbulluar atje vepra të piktorëve që adhuronte. Kishte disa piktura shumë të bukura nga Delacroix, Corot, Ingres etj. Sipër, ishte apartamenti i tij, një nga apartamentet më të pluhurta që kam parë në jetën time. Kishte vetëm pluhur dhe mrekulli; skicat e tij të preferuara mbulonin muret. Në katin e tretë ishte atelieja. Atje gjendeshin vaska e banjos, legeni dhe sfungjerët që i kanë shërbyer aq shpesh si modele e që paraqiten në një numër të madh të kompozimeve të tij.

Por, nuk dua t’ju flas për Degas-në piktor dhe kritik të admirueshëm. Do flas për një Degas më pak të njohur, për Degas-në njeri të letrave dhe poet. Kishte brenda tij një shkrimtar latent e, para së gjithash, një njeri të mendjes, fjalët e të cilit janë aq të njohura saqë unë s’do t’i përsërit aspak përpara jush. Kishte gjithashtu një Degas poet, një Degas që u përket këtyre kujtimeve letrare që po ju tregojmë sot.

Nuk do flas për të si për një poet amator. Degas-i, mendje e përpiktë, nuk mund të duronte të mbetej në stadin larvor të amatorit. Ai kishte një kureshtje të drejtpërdrejtë e të pafundme për gjithçka që përbën zejen, do thoshim sot teknikën, në arte. Ai bënte, pra, vargje me ndjesinë e një zanati që nuk e zotëronte; nga ana tjetër, i bënte këto vargje me mundimin më të madh, sepse kush bën vargje pa mundim nuk bën aspak vargje. Kur e kapte shqetësimi, kur muza i mungonte artistit apo artisti muzës, ai merrte këshilla, shkonte të ankohej pranë njerëzve të artit. Rendte sa te Heredia, sa te Stéphane Mallarmé-ja; u shprehte këtyre mjerimet, dëshirat, pamundësitë e tij, thoshte:

“Kam gjithë ditën që punoj për këtë dreq soneti. Më iku një ditë e tërë, larg pikturës, duke bërë vargje dhe nuk arrij dot aty ku dua. Më ka zënë koka.”

Një herë që po i mbante këtë fjalim Mallarmé-së, përfundoi duke i thënë:

“Nuk e shpjegoj dot përse nuk arrij të mbaroj poezinë time të vogël, sepse, tek e fundit, kam plot ide.”

Dhe Mallarmé-ja iu përgjigj:

“Poezitë nuk bëhen me ide, Degas, por me fjalë.”

Ka në këtë frazë një mësim të madh.

Nga: Paul Valery
Përkthyer nga: Alket Çani /KultPlus.com

Piktura e vjedhur e Edgar Degas është gjetur në një autobus

Një pikturë e shekullit të XIX, e artistit francezë Edgar Degas e cila ka vlerë rreth 800 mijë euro (saktësisht 700 funta), është gjetur në një autobus afër Parisit, përcjell KultPlus.

Piktura e Degas është realizuar në viti 1877 kurse ishte vjedhur nga një muze në Marseilles, nëntë vite më parë.

Vepra e arti, u zbulua në një depo të bagazheve të një autobusi, pasi policia po bënte kontrolle të rastësishme, në një zonë pushimi në një autostradë, rreth 20 milje në lindje të Parisit. Asnjë nga pasagjerët e autobusi nuk e kishte marrë pikturën, kurse më vonëautenticiteti i pikturës ishte konfirmuar nga muzeu Orsay.

Ministri francez i kulturës, Francoise Nyssen, siç raporton independent është shprehur i lumtur më rikthim e kësaj vepre, zhdukja e të cilës pat qenë një humbje e madhe për trashëgiminë e Francës.

Artisti francezë është i famshëm për pikturat e tij dhe skulpturat e valltarëve. Ai ka lindur në Paris në vitin 1834, dhe konsiderohet si një nga themeluesit e impresionizmit francezë, lëvizje kjo e artit në shek. XIX. / KultPlus.com