80-të vjetori i piktorit Edi Hila, Gonxha: Magjia e penelit të tij ka skalitur një vend të përhershëm në historinë e artit shqiptar

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja uroi sot piktorin Edi Hila me rastin e 80 vjetorit të lindjes.

Gonxhja u shpreh se, magjia e penelit të këtij artisti të madh, ka skalitur një vend të përhershëm në historinë e artit shqiptar.

“Edhe 100 Edi Hila! Magjia e penelit të këtij artisti të madh, ka skalitur një vend të përhershëm në historinë e artit shqiptar, duke dhuruar vepra që flasin me gjuhën e shpirtit”, shkruan Gonxhja.

Edi Hila lindi në Shkodër më 13 tetor të vitit 1944. Ai është një nga piktorët e rëndësishëm në artin bashkëkohor shqiptar, i prirur drejt një pikture figurative.

Pasi përfundoi studimet e larta pranë Institutit të Arteve në Tiranë në vitin 1967, Hila filloi punë si skenograf në Radio Televizionin Shqiptar. Në vitin 1972 ai pikturoi Mbjellja e Pemëve, një pikturë që fillimisht u vlerësua nga publiku dhe kritika e kohës. Një vit më vonë, Hila kreu një formim profesional si skenograf pranë stacionit televiziv të Firences. Kontakti me muzetë si dhe pikturën rilindase do të kishte në të ardhmen një ndikim i rendësishëm në punën e Hilës.

Punët e tij janë në Koleksionin e Centre Pompidou, Paris, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë, Koleksioni privat i Rene Block, Frac-Auvergne, Koleksioni Ville de Paris. Veprat e tij janë  ekspozuar në galeri të artit në shumë qytete të botës, përshirë këtu në Athinë, Varshavë, Vjenë, Milano e të tjera./atsh/ KultPlus.com

Bashkëbisedim mes Edi Hilës dhe Shkëlzen Maliqit

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të mbahet një bisedë mes Edi Hilës dhe Shkëlzen Maliqit, të martën, më 28 maj, në orën 18:00.

Biseda do të fokusohet në punën artistike të artistit Edi Hila, si dhe ekspozitën e tij “A4 Print”, të kuruar nga Shkëlzen Maliqi, e cila është aktualisht e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.


Biografia e Edi Hila:

Lindur në Shkodër në vitin 1944, Edi Hila jeton dhe punon në Tiranë. Në vitin 1967 Hila u diplomua në Institutin e Arteve të Bukura në Tiranë. Nga viti 1968 deri në vitin 1974 ka punuar në Radio Televizionin Shqiptar dhe si ligjërues i jashtëm i Vizatimit në Institutin e Larte te Arteve. Në vitin 1973 ai ndoqi një trajnim profesional për skenografi televizive në degën e RAI-t në Firence. Në këtë periudhë ai pikturoi “Mbjelljen e Pemëve”, vepër që u kritikua më vonë në Plenumin e Katërt të Komitettit Qendror të PPSH-së. Ai u kritikua edhe për skenografinë e Festivalit të 11-të të Radio Televizionit Shqiptar. Më 1974 atë e larguan  nga Radio Televizioni Shqiptar dhe u dërgua për riedukim si punëtor në Pularinë e Tiranës në Laprakë ku punoi nga viti 1977 deri në 1978. Më pas, në periudhën e parë të rehabilitimit pas dënimit, Hila u transferua në ndërmarrjen e Dekorit të Qytetit te Tiranës. 

Në vitin 1980, pas rehabilitimit të plotë, filloi punën si redaktor arti tek “Horizonti”, revistë për pionierë e botuar nga Komitetit Qendror i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë. Në vitin 1988 Hila fillon mësimdhënien si profesor i jashtëm në Atelienë e Pikturës në Akademinë e Tiranës dhe në vitin 1991 emërohet profesor në Atelienë e Pikturës në Fakultetin e Arteve Pamore në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku edhe zgjidhet Dekan në vitin 1993. Nga viti 1996 deri në pensionimin e tij ka qenë profesor i Pikturës në Akademinë e Arteve të Tiranës, sot Universiteti i Arteve.

Hila është fitues i çmimit “Onufri” në vitin 1993 dhe 1998. Në vitin 2017 ekspozon në “Dokumenta 14“, Athinë dhe Kassel. Në viti 2018 hap ekspozitën e parë retrospektive në Muzeun e Artit Modern në Varshavë, Poloni, ekspozitë e cila u hap edhe në Galerinë Kombëtare, Tiranë. Ai ishte i ftuar në programin “Berlin Artist” të DAAD-së, në vitin 2019. Në vitin 2020 ekspozon në “Secession“ në Vienë./ KultPlus.com

Hapet ekspozita e titulluar “A4” nga Edi Hila

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës është hapur dje ekspozita nga piktori Edi Hila e titulluar “A4 Print” dhe do të qëndrojë e hapur deri me 25 qershor.

Ekspozita ka për kurator Shkëlzen Maliqin, filozofin, kritikun e artit dhe intelektualin nga Kosova. Në hapjen e ekspozitës ishin dhe emra të njohur të artit shqiptar si Zef Paci.

Edi Hila njihet si piktor i veçantë që ka një marrëdhënie deri diku të pakrahasueshme me hapësirën si koncept. I frymëzuar nga piktorët e mëdhenj europianë ai duket sikur pikturon duke u nisur nga korniza për të shkuar drejt qendrës.

Edi Hila njihet edhe si mësuesi i Edi Ramës, në fillimet e tij të karrierës si piktor. Pavarësisht izolimit që i shkaktoi artit regjimi komunist, Edi Hila mundi të njihet me historinë e artit të shekullit të XX dhe të mësojë nga mjeshtrit europianë duke dalë jashtë korniza të realizmit socialist./tema/KultPlus.com

Piktori Edi Hila ekspozon ‘Princin e liqenit’ në galerinë ‘Mitterrand’ në Francë

Ekspozita personale “Princi i liqenit” i piktorit shqiptar Edi Hila është hapur në galerinë “Mitterrand” në Francë. Në këtë ekspozitë prezantohen vepra nga tre seritë e fundit me piktura që artisti i ka realizuar gjatë viteve 2018-2020.

Edi Hila është cilësuar si një nga figurat kryesore në skenën ballkanike, duke qenë dëshmitar në fillim të viteve ’90 për ndryshimet e thella që ka përjetuar një nga shoqëritë evropiane post-komuniste. Artisti ka refuzuar emigrimin në vendet e stabilizuara ekonomikisht, duke zgjedhur që të jetojë në Tiranë, për të zhvilluar një punë reflektimi mbi natyrën tranzitore të historisë së vendit të tij (kufiri natyror midis Perëndimit dhe Lindjes) dhe mbi pozicionin e pikturës shqiptare në historinë e artit mesdhetar. Në pak më shumë se njëzet vjet, piktura e Edi Hilës ka qenë si një pikë referimi në Evropë. Përdorimi i fotografisë si bazë për punën e tij, subjektet e tij historike të ngjyrosura nga ironia dhe melankolia, piktura e tij e një kursimi të dukshëm, duke përdorur një gamë gjithmonë të kufizuar dhe shpesh monokromatike, e çuan atë në rrethin e mbyllur të piktorëve më të mëdhenj bashkëkohorë. Historiani francez Eric de Chassey nuk heziton të evokojë krahasimin me mjeshtrin belg të pikturës Luc Tuymans. Kjo njohje e fundit për rëndësinë e veprës së Edi Hilës në historinë e pikturës bashkëkohore ka rezultuar në pjesëmarrjen e tij të fundit në “Documenta 14”, pastaj në retrospektivat e tij të njëpasnjëshme në Muzeun e Artit Modern në Varshavë (2018), në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë (2019) dhe në Sesionin e Vjenës (2020).

Titulli i ekspozitës “Princi i Liqenit” është gjithashtu titulli i pikturës së parë të një serie të re të iniciuar në vitin 2020. Motivi i preferuar i artistit, arkitektura është një vektor kuptimi gjatë gjithë veprës së tij. Në të vërtetë, për Edi Hilën, arkitektura është një burim i pashtershëm i njohurive të një shoqërie, vëzhgimi i saj na zbulon historinë e saj politike, kulturën e saj estetike, situatën e saj ekonomike dhe madje një dimension psikologjik. Duke provuar zhgënjimin e një vendi që po kalon rindërtimin, Edi Hila me ironi thekson megalomaninë dhe anakronizmat e arritjeve të fundit arkitektonike të sjella nga kultura e re liberale e vendit të tij.

“Shtëpia në Korçë”, 1945 është një tjetër seri e prodhuar në vitin 2020 në të cilin Edi Hila kujton dhunën e dëbimeve të ushtruar mbi popullsinë e qytetit të Korçës në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këto shtëpi të zbrazëta, të braktisura me nxitim, janë dëshmitare të një jete të shkuar. Pikturat në këtë seri i ofrojnë vizitorit një vizion të shkretëtirës dhe fantazmës së këtyre shtëpive. Me trajtimin e tij simbolik dhe abstrakt, Edi Hila shndërron skena të zakonshme të brendshme në një sukses të peizazheve mendore, melankolike dhe medituese.

“Muzeu i Hapur” është një seri pikturash të filluara në vitin 2018 në reagim ndaj valës së sulmeve që Evropa përjetoi midis 2015-ës dhe 2017-ës. Këto vizione shqetësuese rimarrin historinë e civilizimit tonë përmes prizmit të dhunës: Forca të blinduara mesjetare, një dollap plot me armë ose Metroja e Tiranës në flakë. Ndërsa, tema e këtyre punimeve është figurative dhe alegorike, ndërtimi i tyre vizual është shumë i strukturuar, rigoroz dhe pa kompromis, në limit të abstraksionit.

Piktori Edi Hila u lind në vitin 1944 në Shkodër. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare, si Bienalja e Venecias (1999), Muzeu i Artit Modern “Moderna Museet” në Stokolm (1999) dhe Muzeu Ludëig në Budapest (2000), Gjak & Mjaltë, E Ardhmja në Ballkan e kuruar nga Harald Szeeman në Muzeun Essl në Vjenë (2003), Bienalen e Liverpool (2010) apo edhe në Documenta 14 në Athinë (2017). Punimet e tij janë të pranishme në koleksionet e Musée Kombëtar të Artit Modern – Centre Pompidou, në Museun e Artit në Varshavë etj./shqiptarja/ KultPlus.com

Studiuesi Zef Peci ju fton në një bisedë të hapur për artin e Edi Hilës

Galeria Kombëtare e Arteve ju fton në një bisedë të hapur për publikun nga studiuesi Zef Paci, një bisedë përmes së cilës do të keni mundësinë të njihni artin e Edi Hilës, artistit të ekspozitës “Piktori i Transformimit”.

Biseda do të zhvillohet më datë 25 korrik në Galerinë Kombëtare të Arteve (Tiranë).

Zef Paci është diplomuar për Pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe ka gradën Doktor prej Qendrës së Studimeve Albanologjike Shqiptare pranë Institutit të Studimeve të Antropologjisë dhe Artit në një studim mbi fotografinë e Marubit.

Prej vitit 1999 ai është profesor i Historisë së Artit dhe Pikturës në Universitetin e Arteve në Tiranë pranë Fakultetit të Arteve të Bukura.

Përkrah veprimtarisë didaktike ai ka marrë pjesë në ekspozita si autor, ka realizuar disa skenografi teatri (2008, 2009, 2016), afreske (1995) evitrazhe përndërtesa kulti (2005 -2007) si dhe pjesëmarrës në konferenca e ëorkshope. Në vitet 2009, 2010, 2011 dhe 2012 ishte organizator dhe kurator i Çmimit “Ardhje” për artistët e rinj organizuar nga T. I. C. A.
Në 2008, 2011, 2013, 2015 dhe 2017 ishte kurator i ekspozitës “Idromeno”, një çmim kombëtar për artistët e rinj e organizuar nga Galeria e Artit e qytetit të Shkodrës.

Ka kuruar dhe bashkëkuruar ekspozita të ndryshme kolektive e vetjake të disa e fotografëve (Marubi, Idromeno, Pici, Jakova, Rraboshta, Nënshati) dhe disa artistëve të njohur shqiptarë (Edi Hila, Franc Ashiku, Lek Tasi) si dhe ndërkombëtare (What happened to the general?”, etj). Në 2016 ishte kurator i ekspozitës permanente të Muzeumit Kombëtar të Fotografisë Marubi.

Autor i disa katalogëve dhe botimeve mbi artin, imazhin dhe fotografinë: Monografinë: “Marubi,fotografia si ritual” (2012); MARUBI: The moving lens of an archive”, Botim i Galerisë Kombëtare të Kosovës (2014); The History of Europian Photography 1939-1969 II, 2014, dhe The History of Europian Photography 1970-2000III,2016 (fotografia shqiptare), (Central Europian House of Photography). / KultPlus.com

“Edi Hila: Piktor i Transformimit”, bëhuni pjesë e 7,255 vizitorëve të ekspozitës

Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, ka bërë ftesë publike që edhe ju të bëheni pjesë e 7,255 vizitorëve që kanë vizituar deri tani ekspozitën “Edi Hila: Piktor i Transformimit”, në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, hapur që nga data 24maj.

Ekspozita është kuruar nga Joanna Mytkoëska, Kathrin Rhomberg dhe Erzen Shkololli
Arkitektura e ekspozitës nga Büro Meyer-Grohbrügge

“Edi Hila: Piktori i Transformimit” është një projekt i përbashkët i Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut të Artit Modern të Varshavës dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë.

Ekspozita mund të vizitohet gjatë orareve 9:00 – 19:00, hyrja e fundit 18:30, çdo ditë, nga e hëna në të diele.
Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 29 korrik 2018.

Për çdo informacion shtesë në lidhje me guidat, apo orët e edukimit në kuadër të programit “Edukimi përmes Kulturës”, mund të kontaktoni në 04 222 60 33, ose të shkruani në [email protected]. /KultPlus.com

Edi Hila në bashkëbisedim me Eleni Laperin

Galeria Kombëtare e Arteve ka organizuar një bashkëbisedim të hapur për publikun mes artistit Edi Hila dhe studiueses së artit Eleni Laperi, përcjellë KultPlus.

Në këtë bashkëbisedim, folësit do të diskutojnë më gjerë për ekspozitën e parë retrospektive të Edi Hilës, si edhe për veprimtarinë e tij artistike gjatë dy kohëve në Shqipëri, periudhës komuniste dhe asaj post-komuniste.

Edi Hila dhe Eleni Laperi do të bashkëbisedojnë më datë 12 korrik duke filluar nga ora 20:00, pranë Sallës së Ekspozitave të Përkohshme, sallë në të cilën është çelur ekspozita Piktori i Transformimit. Ekspozita, e cila u çel më datë 24 maj dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 29 korrik, është një projekt i përbashkët midis Galerisë Kombëtare të Arteve (Tiranë), Muzeut të Artit Modern (Varshavë) dhe Koleksionit Kontakt (Vjenë), nën kurimin e Joanna Mytkoëska, Kathrin Rhomberg dhe Erzen Shkolollit.

Edi Hila (Shkodër, 1944) është artist bashkëkohor shqiptar. Ai u diplomua nga Instituti i Lartë i Arteve në Tiranë (1967), dhe ka kryer një formim profesional si skenograf pranë stacionit televiziv të Firences. Kontakti me muzetë si dhe pikturën rilindase do të kishte në të ardhmen një ndikim të rëndësishëm në punën e Hilës, ndërsa në vitet 90-të qëndrimi i tij estetik do të ndikohej nga vëzhgimi i jetës dhe realitetet e transformimit të Shqipërisë post-komuniste. Seritë më të rëndësishme të tij përfshijnë Paradoks (2000-2005), Marrëdhëniet (2002-2014), Kërcënimi (2003-2009), Objekte anash rrugës (2007-2010), Penthouses (2013), Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit (2015) dhe Tenda mbi Çatinë e Makinës (2017). Ai ka ekspozuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Jeton dhe punon në Tiranë.

Eleni Laperi (Tiranë, 1949) është studiuese arti dhe kuratore. Ajo u diplomua për pikturë nga Instituti i Lartë i Arteve në Tiranë (1972). Është ndër themeluesit e revistës PamorART, botim i Galerisë Kombëtare të Arteve (G.K.A.), kryeredaktore e saj (1999), si edhe nismëtare e Programit të Edukimit në G.K.A. (2000). Laperi është autore e artikujve mbi artin shqiptar, e librave dhe përkthimeve mbi artin dhe kulturën. Së fundmi, Laperi është duke kryer një studim mbi autorin Kolë Idromenon, themelues i pikturës realiste shqiptare dhe mbi zhvillimin e artit shqiptar nga viti 1883 deri më 1945. U zgjodh Kryetare e Bordit të Galerisë Kombëtare të Arteve në vitin 2018. Jeton dhe punon në Tiranë. / KultPlus.com

“Edi Hila–Piktori i Transformimit”, me piktura të jashtëzakonshme në GKA

“Edi Hila–Piktori i Transformimit”, kështu titullohet ekspozita që do të çel sezonin e ri artistik në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ekspozita e parë retrospektive e piktorit Edi Hila do të çelet sot në Galerinë Kombëtare të Arteve . Kryeministri Edi Rama uron mirëmëngjesi ndjekësit në facebok me ftesën për të ndjekur pikturat e jashtëzakonshme të Edi Hilës.

“MIRËMËNGJES, dhe me këtë ftesë për të kaluar një moment magjie artistike në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku ekspozohen nga sot pikturat e jashtëzakonshme të Edi Hilës, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan Rama.

Edi Hila ka lindur në Shkodër në vitin 1944. Ai jeton dhe punon në Tiranë.

Pasi përfundoi studimet e larta pranë Institutit të Arteve në Tiranë në vitin 1967, Hila filloi punë si skenograf në Radio Televizionin Shqiptar. Në vitin 1972 ai pikturoi Mbjellja e Pemëve, një pikturë që fillimisht u vlerësua nga publiku dhe kritika e kohës. Një vit më vonë, Hila kreu një formim profesional si skenograf pranë stacionit televiziv të Firences. Kontakti me muzetë si dhe pikturën rilindase do të kishte në të ardhmen një ndikim i rëndësishëm në punën e Hilës.

Gjatë kësaj periudhe në Shqipëri filloi ndëshkimi i shfaqjeve me influenca të huaja në art dhe kulturë. Si pasojë u kritikua Mbjellja e Pemëve si dhe dekori i Festivalit të 11-të. Mbjellja e Pemëve u cilësua si një pikturë me një ekspresivitet të theksuar që devijonte nga doktrina e realizmit socialist e të cilës i mungonte e ashtuquajtura “frymë revolucionare”. Për këto arsye, kjo pikturë së bashku me dekorin e Festivalit të 11-të, shërbyen si bazë për dënimin e Hilës, duke e dërguar për riedukim në fabrikën e rritjes së shpendëve në vitin 1974. Largimi nga realizmi socialist, i kushtoi Hilës tre vite në fabrikë, ku detyra e tij kryesore ishte transporti i thasëve. Gjatë viteve 1975-1978, ai krijoi fshehurazi një seri vizatimesh e grafikash në akuarel, motivet e së cilës frymëzoheshin nga puna dhe jeta e punëtorëve të fabrikës së pulave.

Në vitet 90-të, Hila vazhdoi të pikturojë duke kërkuar rafinimin e qëndrimit të tij estetik, duke e vëzhguar me kujdes jetën teksa ndryshonte thelbësisht pas rënies së regjimit komunist dhe duke u përpjekur të paraqesë realitetet e transformimit shqiptar. Hila krijoi serinë novatore Komfort (1997) gjatë krizës së thellë që pasoi rënien e skemave piramidale, e cila çoi vendin në një kaos të gjithanshëm. Seria paraqet utopinë e konsumit të pashtershëm që i ishte premtuar shoqërisë së re.

Hila kryesisht krijon seri mbi një temë të caktuar përgjatë disa pikturash. Seritë më të rëndësishme të Hilës përfshijnë Paradoks (2000–2005), Marrëdhëniet (2002–2014), Kërcënimi (2003–2009), Objekte anash rrugës (2007–2010), Penthouses (2013), Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit (2015) dhe Tenda mbi Çatinë e Makinës (2017). Të punuarit në mënyrë tematike i zhvesh transformimet e Evropës lindore nga rastësia apo aventura, të cilat gjënden rëndom në shumë interpretime të tjera të këtij fenomeni në rajon. Duke i dhënë këtyre transformimeve peshën e të vërtetave thelbësore, duket sikur është ai, pra artisti, kronisti i fundit i tyre.

Realizmi i pikturës së Hilës është i veçantë, i bazuar në vrojtimin e vëmendshëm të detajeve, të cilin ai e shfrytëzon për të përçuar të vërtetën psikologjike të fenomenit të vëzhguar. Ky reduktim thelbësor vjen nga prirja e Hilës ndaj klasicizmit si dhe magjepsja me burimet e pikturës rilindase. Duket sikur modernizmi ka avulluar nga fusha e interesave të tij. Ndaj transformimi i paraqitur në punën e Hilës përcjell një përçarje e sulm ndaj rregullit dhe harmonisë. Ndërkohë, rrënjët e punës së tij ndodhen në dilemat njerëzore, e këto vështirë se mund të fshihen pas shëmbëlltyrës së modernizimit.

Edi Hila: Piktori i Transformimit është një projekt i përbashkët i Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut të Artit Modern të Varshavës dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë./a.g/

Në muajin mars hapet ekspozita retrospektive e Edi Hilës në Varshavë

Do të jetë ekspozita e parë retrospektive e artistit Edi Hila.

Muzeu i Artit Modern në Varshavë kësisoj nga 2 marsi e sjellë piktorin shqiptar, një mësues i pashoq dhe “një prej mjeshtërve të fundit të lënë pas dore nga Evropa Lindore”.

“Arsyeja pse po e sjellim punën e Hilës në këtë kohë është vendimi strikt i një artisti që ka refuzuar të jetë i mashtruar nga gjurmët e transformimit, gjithmonë duke ndjekur kërcënimet nënlëkurore që bartë ajo” thuhet në komunikatën e Muzeut.

Kathrin Rhomberg, Erzen Shkololli dhe Joanna Mytkowska janë kuratorë të ekspozitës.

“Edi Hila: Painter of Transformation” do të jetë e hapur deri me 6 maj.


Edi Hila, Propaganda


Edi Hila, The Suburbs

Edi Hila ka lindur në Shkodër në vitin 1944, ndërsa punon në Tiranë. I edukuar në Shkodër, ai ka pasur qasje në rrënjët e kulturës klasike. Në studimet e tij në vitet 60-të, ai ka eksperimentuar me deformime.
Piktura “The Planting of Trees” e vitit 1972 bëri që ai të përfundonte në një kamp ri-edukimit. Për disa vite ai ishte i detyruar të jetonte në periferi dhe të punonte në një fermë pule, duke e pasur të pamundur punën si piktor. Nga kjo kohë vjen edhe seria e pikturave POULTRY (1975-1976), shkruan KultPlus.

Vlejnë të përmenden ciklet PARADOX, RELATIONS, THREAT, ROADSIDE OBJECTS, PENTHOUSES, BOULEVARDS dhe A TENT ON THE ROOF OF THE CAR.

Ekspozita në fjalë është pjesë e një serie të ekspozitave që kanë për fokus artistët nga Evropa Lindore. Muzeu viteve të fundit ka përgatitur ekspozita monografike të Grigorescu, Július Koller dhe Mária Bartuszová. Por ky projekt, sic thuhet në faqen e muzeut, shkon përtej kuriozitetit akademik ose nevojës historike.
Hila është profesor dhe pjesë e Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë. / KultPlus.com

Tirana ‘brutaliste’ e Edi Hilës shkon në Paris (FOTO)

Galeria Miterrand në Paris do të mirëpresë punët e artistit shqiptar Edi Hila.

Dhe Edi Hila nuk një piktor i ‘nxehtësisë’. Hila e sjellë pikturën e ftohtë që i ngjallë peizazhet e Shqipërisë së tij dhe i prezanton ato më pas për publikun. Akull.

Ekspozita që vjen në Miterrand e sjellë artistin rreth të shtatëdhjetave i cili refuzon ta lë periferinë e Tiranës. Ata janë njerëzit që ai përfaqëson, në pikturat ku dominon ngjyra e kaltër, ngjyra gri.
Ekspozita “Tirana-Versailles” është hapur në fillim të muajit nëntor ndërsa me datë 23 dhjetor mbyllet. Ajo sjellë punët e Hilës pas vitit 2000, shkruan KultPlus.

Një pjesë e mirë e pikturave bazohen në arkitekturën, e cila sipas artistit, është pjesa e privilegjuar e shprehjes së identitetit shqiptar. Është me anë të prezantimit të tij kur edhe ndodhë materializimi i vizuales dhe fuqisë politike, trashëgimisë kulturore por edhe klimës psikologjike të Shqipërisë, shkruhet në konceptin e ekspozitës.

Referenca e Versailles vjen tek punët që paraqesin Bulevardin dhe që janë paraqitur në edicionin e fundit të Documenta. Në këtë seri fotografish, ku shohim ndërtesat kryesore rreth Bulevardit të Martirëve të Kombit, Hila sjellë një paralele mes urbanes dhe arkitekturë së kohës klasike.

Hila ka lindur në Shkodër ndërsa jeton në Tiranë. Ai ka marrë pjesë në disa ekspozita, përfshirë këtu Bienalen e Venecias në vitin 1999, Moderna Museet në Stokholm, Ludvig Museum në Budapest, Essl Museum në Vjenë dhe në Bienalen e Liverpoolit në vitin 2010-të. / KultPlus.com

Anti-pushtetet (mbi ekspozitën e piktorit E. Hila, Paris)

Shkruan Luan Rama

Anti-pushtet janë akte revolucionare, janë fjalë, deklarata, vërshime në rrugë, janë tablo, poezi, vepra arti. Anti-pushtetet janë të gjithkohëshme, siç janë dhe në veprat e Edi Hilës, që na prezantohen edhe në ekspozitën e fundme të tij në Paris, e hapur mbrëmë në “Galerie Mitterand”, galeristi i tij francez.

“Tiranë-Versailles” është titulli i kësaj ekspozite për të ballafaquar antipodet në kuptimin e imazhit dhe të semantikës së tyre, por që në thelb Tirana dhe Versaja janë shumë larg, ashtu si vetë buevardet e tyre, pasi edhe pse Versaja kishte në vetvete simbolikën e absolutizmit, përsëri ajo kishte dhe shkëlqimin e artit dhe të prurjes historike, ndërkohë që Tirana mbetet ende rob i pushtetit, çka për Hilën është një koncept i vazhdueshëm, madje në thelb të krijimtarisë së tij prej më shumë se katër dekadash.

Ky piktor është një piktor revolucionar, pasi ai denoncon pushtetet, denncon de-humanizimin që sjellin këto pushtete absolutist, ku shfaqja më spikatëse në këtë ekspozitë është tabloja “Piramidat” e mbytur nga një blu e shplarë dhe që edhe pse imazh real dhe tepër i njohur nga ne por dhe evropianët, ai e vendos në një atmosferë hënore, e vendos në konceptin e dikurshëm që kishin gazetarët perëndimorë për kohën totalitare shqiptare kur për “vendin e shqipeve” shkruanin : “Shqipëria një planet tjetër”.

Shikuesi i afrohet kësaj tabloje, e vështron gjatë, mediton rreth saj dhe e ka vështirë të largohet, pasi ajo, ashtu dhe godina e bashkisë së Tiranës, në tablonë tjetër, po me tonet e blusë së shpëlarë, i tregojnë se kur pushtetet janë dhunuese, ato largohen nga njeriu, nga jeta njerëzore, nga dëshirat dhe nevojat e shoqërisë që pretendojnë se mbrojnë. Ja pse qëllimthi, ngjyrat në këto tablo të Hilës janë të shplara, pa jetë, janë ashtu siç është shpirti i njerëzve, ta që janë përballë ca barrierash si në tablonë “Pritja”, e cila ka një domethënie të madhe:
ç’është kjo pritje, çfarë presin këta njerëz që i shohim me kurriz dhe të rrënuar, ç’është kjo shoqëri e përhumbur, e cila pret si në një “shkretëtire tartarësh” po të rikujtojmë Buzatin? Dhe sa do presin?… Vështron tablotë dhe më kot ta kërkosh njeriun, pasi ai nuk është aty, i përjashtuar nga vetë artisti për të mishëruar idenë e tij të anti-pushtetit. Ai na prezanton kështu pasojën, viktimën, në vend të tij na ofron të shohim shtëpitë-bunker të një kohe.

Por, Hila e tejkalon kufirin e një periudhe historike, ai e çon këtë koncept dhe pas përmbysjes së sistemit politik. Ja pse ka një aktualitet të veçantë vepra e tij si dhe në tablonë “Monumenti” gjithashtu, (ku heroi historik është vendosur në një dekor absurd dhe që s’do ta shohësh), ja pse ka një tingëllim revolucionar në konceptin e tij, një dëshirë për t’i thënë publikut të vendit të vet: Do të prisni ende?…/ KultPlus.com