Margariti: Nderim aktorëve Edi Luarasi dhe Rikard Ljarja

Në kuadër të muajit të kinematografisë shqiptare, ministrja Margariti sot risolli në vëmendje filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen”. Filmi i vitit 1967, ka regjinë e Gëzim Erebarës e Piro Milkanit. Ministrja e Kulturës në postimin e saj në rrjetet sociale, veçon aktorët e nderuar Edi Luarasi e Rikard Ljarja, të ndarë nga jeta pak kohë më parë.

Filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen” është xhiruar në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Skenaristi i tij është Peci Dado, ndërsa muzika është e Feim Ibrahimit.

Ngjarjet zhvillohen në kohën e Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin nazist. Gjermanët arrestojnë 2 vajza dhe i torturojnë, në përpjekje për të zbuluar lidhjet e tyre me elementë komunistë.

Vajzat interpretohen nga Edi Luarasi dhe Eglantina Kume, ndërsa komunisti që strehohet në shtëpinë e njërës prej tyre, interpretohej nga Rikard Ljarja. Ne rolin e oficerit gjerman, interpretonte i mirënjohuri Naim Frashëri.

Filmi është i bazuar në ngjarjen reale të dy heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima./ata/ KultPlus.com

TKK kujton aktoren Luarasi: Do të mbetet simbol i shprehjes së lire

Teatri Kombëtar i Kosovës kujton aktoren Edi Luarasi, e cila ndërroi jetë sot, përcjell KultPlus.

Në një postim në Facebook, TKK shpreh ngushëllime në adresë të familjes së saj, komunitetit artistik dhe Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të Teatrit Kombëtar të Kosovës:

Duke e kujtuar aktoren Edi Luarasi, që sot, mori rrugën e përjetësisë!

Do të mbetet simbol i shprehjes së lirë – përkthyer në gjuhën juridike, pushteti diktatorial e kishte përjashtuar nga teatri më 1974, për të organizuar pastaj ajo jetën e saj të mbijetesës, në teatrin e rrobaqepësisë, deri në shembjen e diktaturës dhe ardhjes së demokracisë më 1991.

Teatri Kombëtar i Kosovës, shpreh ngushëllime në adresë të familjes së saj, komunitetit artistik dhe Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.

Në shenjë nderimi,

Menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Kosovës./KultPlus.com

Presidenti Meta: Edi Luarasi do të mbetet një figurë frymëzuese për artistët e rinj

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar me shumë keqardhje për ndarjen nga jeta të aktores së mirënjohur dhe të talentuar, Edi Luarasi, një prej ikonave të filmit dhe skenës shqiptare.

Vetëm pak muaj më parë Meta e vlerësoi me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit”.

“Sfidoi diktaturën për të triumfuar si dëshmitare e padrejtësive absurde të regjimit të kaluar. Duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe komunitetit të artistëve, lutem të prehet në paqen e merituar”, shkruan Meta në Facebook.

Sipas tij, Edi Luarasi, do të mbetet një figurë frymëzuese për artistët e rinj, veçanërisht për vajzat dhe gratë, si shembull i kurajës qytetare, lirisë, vlerave dhe dinjitetit njerëzor./KultPlus.com

Ndërron jetë aktorja e njohur, Edi Luarasi

Aktorja e njohur shqiptare, Edi Luarasi ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.

Njoftimin e ka bërë të ditur, djali i saj, Eldon Luarasi përmes një postimi në Facebook.

Edi Luarasi lindi në Tiranë më 7 maj 1940. Luarasi ka debutuar në skenë në moshë të re.

Fillimisht në 1956, kur ishte 16 vjeçe, së bashku me të motrën këndonin në skenën e Teatrit të Estradës.

U diplomua për aktore në 1963 dhe emërohet aktore në Teatrin Popullor.

Roli i parë i saj ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin.

Më pas, në dhjetë vjet, vijnë një sërë rolesh të arrirë, ku veçojmë Lenën tek “Doktor Aleksi”, Kordelja tek “Mbreti Lir”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Kristina tek “Fytyra e dytë”, etj.

Përjashtohet nga Teatri Kombëtar në 22 janar 1974 për arsye politike e më pas u rikthye në skenë në mars 1991, me interpretimin dinjitoz në rolit e damës plakë në dramën “Vizita e Damës plakë”./KultPlus.com

Aktorja e njohur shqiptare Edi Luarasi feston sot 81-vjetorin e lindjes

Aktorja e njohur shqiptare Edi Luarasi feston sot 81-vjetorin e lindjes.

Teatri Kombëtar e uron sot aktoren duke kujtuar disa nga rolet në karrierën e saj të suksesshme.

Edi Luarasi ka lindur në Tiranë më 7 maj 1940. Luarasi ka debutuar në skenë në moshë të re. Fillimisht në 1956, kur ishte 16 vjeçe, së bashku me të motrën këndonin në skenën e Teatrit të Estradës.

U diplomua për aktore në 1963 dhe emërohet aktore në Teatrin Popullor. Roli i parë i saj ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin.

Më pas, në dhjetë vjet, vijnë një sërë rolesh të arrirë, ku veçojmë Lenën tek “Doktor Aleksi”, Kordelja tek “Mbreti Lir”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Kristina tek “Fytyra e dytë”, etj.

Përjashtohet nga Teatri Kombëtar në 22 janar 1974, për arsye politike e më pas, rikthehet në skenë në mars 1991, me interpretimin dinjitoz në rolit e damës plakë në dramën “Vizita e Damës plakë”.

Interpretoi edhe në 1995 në dramën “Hekurat”, më vonë, me sukses në dramat “Cilindri”, “Streha e të harruarve”, etj. Ajo është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”. / atsh / KultPlus.com