Anija Art Explora, Rama: Durrësi me statusin “port arti” për 10 ditë

Kryeministri Edi Rama ka vizituar nga afër anijen “Art Explora” duke u njohur me gjithë gamën e aktiviteteve kulturore që do të ofrohen për dhjetë ditë në qytetin bregdetar të Durrësit, nga ekspozita, te shfaqjet artistike, festivalet dhe koncertet, duke synuar që ta sjellë artin më afër publikut shqiptar.

Kryeministri Rama ka ndarë një video në rrjetet sociale, i shoqëruar nga kryebashkiakja e Durrësit Emirana Sako, kreu i fondacionit francez “Art Explora”, Frédéric Jousset, ministri francez për Evropën Benjamin Haddad dhe organizatorë të tjerë të aktivitetit, ndërsa e ka cilësuar “anijen “Art Explora” një eksperiencë unike, që i jep Durrësit për dhjetë ditë me radhë statusin e një porti arti”.

Qyteti i Durrësit mirëpret kështu një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të vitit, teksa katamarani më i madh në botë i llojit të vet, pjesë e iniciativës ndërkombëtare Art Explora, ndalet në portin e qytetit për të sjellë një eksperiencë unike për publikun.

Për dhjetë ditë me radhë, qytetarët dhe vizitorët do të kenë mundësinë të përjetojnë një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike të një niveli të lartë, të hapura për publikun.

Ky aktivitet i jashtëzakonshëm e kthen Durrësin në një pikë takimi midis artit klasik dhe bashkëkohor, duke promovuar qytetin si një qendër kulturore mesdhetare./atsh/KultPlus.com

Rama: 238 mijë nxënës marrin librat falas, paga mesatare e mësuesit u dyfishua

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se në mandatin e katërt qeverisës paga mesatare e mësuesit do të shkojë 1250 euro, ndërsa do të vijojnë investimet në infrastrukturën arsimore.

Nëpërmjet rubrikës “Sy m’sy”, ku Rama u kthen përgjigje ndjekësve të tij në rrjetet sociale, Kryeministri informoi se në shkollat e vendit po ndjekin sot arsimin mbi çerek milion fëmijë, nga të cilët 238 mijë marrin librat falas.

“Gjithë ato projekte rindërtimi e ndërtimi shkollash nga e para dhe thua: Nuk ka fëmijë Shqipëria dhe i harxhoni lekët kot. Shqipëria ka afro çerek milioni fëmijë në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme dhe dhjetëra e mijëra të tjerë në moshë për të shkuar në çerdhe e kopshte”, replikoi Rama me ndjekësin në rrjetet sociale.

Shkollat, tha Rama ishin në gjendje të keqe, teksa paga mesatare e mësuesit ishte 420 euro.

“Kur ne morëm detyrën kishte mbështetje thuajse zero. Shkollat ishin në gjendje të keqe dhe të gjithë prindërit ishin të detyruar të blinin vet librat për fëmijët e tyre. Ndërsa sot 238 mijë nxënës i marrin librat falas. E ti thua nuk ka fëmijë. Paga mesatare e mësuesit sot është dyfishuar krahasuar me kohën kur ne morëm detyrën ishte 420 euro sot është 950 euro dhe brenda mandatit tonë të katërt do të jetë 1250”, shtoi Rama.

Kryeministri bëri të ditur se edhe në 4 vitet e ardhshme do të ndërtohen edhe 200 shkolla të reja, ndërsa numri i laboratorëve inteligjentë dot shkojë në 1 mijë.

“Deri në fund të mandatit të ardhshëm 430 shkollave të reja që kemi ndërtuar do t’u shtohen edhe 200 të tjera. Kur ne morëm detyrën nuk kishte laboratorë, nuk bëhej fjalë, kishte klasa me kompjuterë që nuk ndizeshin. Sot kemi laboratorë inteligjentë në 340 shkolla dhe brenda mandatit të katërt numri i laboratorëve inteligjentë do të jetë 1 mijë, që do të thotë që asnjë nxënës nuk do të mbetet pa akses në mësimin e teknologjisë digjitale në të gjithë territorin e vendit”, theksoi Rama.

Po ashtu, vijoi ai, do të ngrihet një shoqëri publike e transportit të nxënësve.

“Ka plot fëmijë që duhen mbështetur me transportin në shkollë falas”, deklaroi Rama.

Rama solli në vëmendje edhe situatën në palestra, të cilat sipas tij, ishin të ndërtuara që në kohën e komunizmit.

“Kur ne morëm detyrën palestrat numëroheshin me gishtat e duarve. Ishin akoma ato të kohës së vjetër të komunizmit, sepse nuk ishte ndërtuar një palestër e re. Sot kemi mbi 200 palestra të reja në shkolla dhe kemi një lëvizje të tërë në shkolla, e cila ka përfshirë mbi 12 mijë fëmijë dhe ka rilindur frymën e sportit te brezi më i ri. Do të shtojmë edhe disiplina të tjera sportive nëpër shkolla dhe synojmë ta çojmë në 20 mijë të paktën, numrin e nxënësve të angazhuar në një sport”, tha ai.

Rama tha se PS është forca politike për Shqipërinë në Europë. Kudo tjetër, sipas tij ka “gropë“./ KultPlus.com

Ndarja nga jeta e Margarita Xhepës, Rama: Lamtumirë Yll

Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktores së njohur Margarita Xhepa.

Në një postim në rrjetet sociale Rama publikoi një kolazh fotosh nga jeta artistike e ikonës së kinematografisë shqiptare.

“Lamtumirë yll”, shkruan Rama.

Margarita Xhepa, një nga zonjat më të mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, gjatë karrierës së saj, ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi./KultPlus.com

Rama: Ndërhyrja në Bibliotekën e qytetit, xhevahir që i shtohet gjerdanit të monumenteve të kulturës së Elbasanit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se rikonstruksioni i Bibliotekës së qytetit do të jetë një xhevahir që i shtohet gjerdanit të monumenteve të kulturës së Elbasanit.

I pranishëm në aktivitetin e prezantimit të projektit të Automotoparkut në Elbasan, Rama u shpreh se, si pasojë e moti ky aktivitet u mbajt në Bibliotekën e qytetit, e cila do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të rëndësishme.

“Ky aktivitet mbahet në sallën ku 90 vite e kusur më parë u vu në dispozicion të komunitetit nga një familje e vjetër e Elbasanit, mes shumë të tjerash, që i ka përkitur rrethit kulturor të kësaj bashkësie, e cila bleu tokën dhe ndërtoi këtë godinë që njihet historikisht si Biblioteka e qytetit”, tha Rama.

“Këtu ne duam që të bëjmë një ndërhyrje të rëndësishme përmes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e para për t’i rikthyer kësaj godine gjithë atë shkëlqimin si një monument i mirëfillte kulture dhe për të krijuar një destinacion të librit që të ketë çka është ruajtur këtu, por të ketë brenda edhe kohën e re, teknologjinë e kështu me radhë”, theksoi kreu i qeverisë.

Pra, shtoi Rama, “nga një projekt shumë i madh dhe ambicioz që do të jetë një motor i shtuar në ekonominë kombëtare, tek një projekt i vogël dhe lokal që do të jetë një tjetër xhevahir që i shtohet gjerdanit të monumenteve të kulturës së Elbasanit, i nxjerrë nga kjo lloj situate këtu me një fqinj atje në formën e një ndërtimi absurd që i është ngjitur në kurriz edhe do t’i ndajmë”.

“Ecim më tutje për të çuar më tej atë vizionin e e bashkimit të Tiranës me Elbasanin dhe e bashkëngjitjes së Elbasanit me Tiranën si një gjymtyrë e një metropoli që tashmë, gjithmonë e më shumë po merr formë si metropoli i dekadës së ardhshme me qendër Tiranën me dalje në det në Durrës, me shtrirje në verilindje në Dibër edhe me këtë krah në Elbasan, ku ndërkohë kalojnë edhe infrastrukturat e rëndësishme siç është edhe rrjeti evropian i korridoreve, Korridori 8 që ne e përfshimë në rrjetin evropian në samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë në 2023-in”, u shpreh Rama./atsh/KultPlus.com

Rama: Bashkim unik mes dy kulturave në Paris, përmes muzikës

Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe Musique de la Garde Républicaine e Francës performuan pak ditë më parë në një nga kishat më të vjetra franceze, kishën Val De Grace, në Paris.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga kjo natë speciale që solli një bashkim unik mes dy kulturave.

“Mbrëmje të paqtë me këtë moment krenarie. Një natë speciale në zemër të Parisit ku Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe Musique de la Garde Républicaine sollën një bashkim unik mes dy kulturave përmes muzikës së luajtur nga shërbëtorët e dy shteteve nën uniformë, të cilët bashkuan në një hapësirë mjeshtërinë e Kujtim Laros dhe magjinë e Georges Bizet”, u shpreh Rama.

Eventi ishte me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të kitaristit francez, Emmanuel Rossfelder, solist i njohur ndërkombëtar.

Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe Musique de la Garde Républicaine përcollën për publikun një përzgjedhjeje të larmishme repertori nga të dyja vendet./atsh/KultPlus.com

Rama: Qendër e re kulturore dhe rekreative në vendlindjen e At Gjergj Fishtës

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fishtë, Lezhë, në vendlindjen e At Gjergj Fishtës, ku hapi dyert një qendër e re kulturore dhe rekreative që i dedikohet jo vetëm kujtesës, por edhe jetës së gjallë të shpirtit krijues.

Qendra e re kulturore dhe rekreative përfshin një hapësirë për programe rezidence artistike e letrare, ekspozita, sesione krijuese dhe aktivitete kulturore.

Kryeministri bëri të ditur se projekti nuk përfshin vetëm godinën por janë edhe 3 kilometra rrugë në një hapësirë rekreative që shkon te shtëpia ku ka jetuar Fishta.

Rama u takua po ashtu me familjarë të Fishtës dhe banorë të zonës me të cilët shkëmbeu batuta.

E ardhur nga Italia për këtë ceremoni, mbesa e Fishtës i shprehu kryeministrit mirënjohjen për realizimin e këtij projekti, i shumëpritur për familjarët dhe i premtuar për dekada, por që vetëm tani u realizua.

Qendra kulturore dhe rekreative përfshin hapësira të dedikuara për rezidenca artistike, sesione krijimtarie dhe ekspozime të artistëve vendas e të huaj. Ajo është e lidhur përmes një rruge këmbësore me shtëpinë ku ka jetuar At Gjergj Fishta, e cila është restauruar dhe është e hapur për vizitorët.

Investimi vjen pjesë e itinerarit Fishtian i cili përfshin vendet ku ka jetuar dhe shërbyer “At Gjergj Fishta dhe shërben si një ftesë për të zbuluar jetën dhe veprën e tij.

Projekti i Intenerarit Gjurmët Fishtiane përfshin restaurimin e Urës së Mesit, ndriçimin e Kalave të Durrësit dhe të Lezhës, muzealizimin e banesës ku Gjergj Fishta ka kaluar vitet e para te jetës si dhe ndërtimin e Hapësirës Memoriale ku besohet se ka lindur Gjergj Fishta në vendlindjen e tij.

Projekti i ri ka realizuar një godinë multifunksionale dhe një kullë muzeale në vendin ku thuhet se ka lindur Fishta. Godinat janë realizuar sipas projektit dhe aktualisht kanë përfunduar, së bashku me territorin e jashtëm. Godina e sheshtë multifunksionale është e mobiluar dhe synon të shërbejë si godinë për rezidencat letrare dhe organizime të ndryshme kulturore lidhur me librin dhe leximin./atsh/KultPlus.com

Rama fton të ndiqet versioni i restauruar i filmit ikonë “Ngadhnjim mbi vdekjen”

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ftoi të apasionuarit pas kinematografisë shqiptare të ndjekin versionin e restauruar të filmit “Ngadhnjim mbi vdekjen”. Kryeministri ka ndarë edhe linkun e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, ku mund të ndiqet filmi i plotë në cilësinë 4K.

“58 vite pas realizimit, vjen i restauruar në 4K, një nga filmat më ikonikë të kinematografisë shqiptare, “Ngadhnjim mbi vdekjen” (1967) me regji të Gëzim Erebara dhe Piro Milkani.

Ky version i restauruar në 4K rikthen shkëlqimin e plotë të imazhit dhe zërit duke rivlerësuar punën regjisoriale të Erebarës dhe Milkanit, kamerën e mrekullueshme të Saim Kokonës, lojën e aktorëve dhe muzikën drithëruese të Feim Ibrahimit”, shkruan kryeminitri Rama në rrjetet sociale.

Premiera e filmit të restauruar do të bëhet sonte, në kinema Millennium.

Ngjarjet e filmit “Ngadhnjim mbi vdekjen” zhvillohen në Shqipërinë e periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Vendi është nën pushtimin nazist. Gjermanët kapin dy vajza të reja dhe i torturojnë ato për të zbuluar lidhjet me lëvizjen komuniste. Në fund ata i ekzekutojnë duke i varur në litar në mes të qytetit për të trembur dhe terrorizuar popullin. Filmi është i bazuar në ngjarjen reale të dy heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, të interpretuara nga Eglantina Kume dhe Edi Luarasi, ndërsa personazhi i oficerit gjerman, u interpretua nga i madhi Naim Frashëri./atsh/KultPlus.com

Rama: Në janar dhe shkurt 20% më shumë turistë se vitin e kaluar

Shqipëria vijon që të jetë një destinacion i preferuar për turistët.

Kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur qytetarëve në platformat sociale në rubrikën “Sy m’sy” tha sot se në muajit janar dhe shkurt të këtij vitit Shqipëria u vizitua me 20% më shumë turistë se të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Mozaiku është gjëja e fundit që çon njeriu në mendje në këto ditë të vështira”, i komentoi një qytetar kryeministri.

“E ka fjalën për mozaikun e Tiranës. Po mirë mo, mos e ço ti në mëndje, s’ka problem, po mos harro se Tirana është destinacion turistik dhe njerëzit që vijnë janë miliona, miliona dhe meqë ra fjala vitin e kaluar patëm 12 milionë turistë në Shqipëri dhe në janar-shkurt të këtij viti kemi 20% më shumë se janar-shkurt të vitit të kaluar, kështu që ata e duan dhe kulturën shqiptare, ata i duan dhe muzetë. 10 muze kemi bërë këto vite. 10, dakord? Edhe 10 teatro kemi rindërtuar apo bërë komplet nga e para siç është dhe Art Turbina në Tiranë e ndërkohë po ndërtojmë dhe Teatrin e madh Kombëtar. Tani i duan. I duan fëmijët, i duan të rinjtë,i duan artdashësit, nuk i do ti, dakord. S’je fare i detyruar që t’i duash”, tha Rama./atsh/KultPlus.com

Rama: “Condé Nast Traveller Germany” e rendit Shqipërinë ndër destinacionet turistike më premtuese në Europë

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot një artikull të botuar nga revista prestigjioze “Condé Nast Traveller Germany”, e cila e rendit Shqipërinë si një nga destinacionet më të rëndësishme të ardhshme të turizmit në Europë.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Rama thekson se artikulli vlerëson Shqipërinë për përvojat autentike që ofron në natyrë dhe për mikpritjen e sinqertë. Ai nënvizon gjithashtu rëndësinë e lumit Vjosa si një kartvizitë unike për vendin tonë.

“Me gjigantin e udhëtimeve “Condé Nast Traveller Germany”, që i kushton këtë superartikull Shqipërisë, si destinacioni i përvojave autentike të natyrës dhe një mikpritjeje të sinqertë, të cilat e bëjnë një prej destinacioneve të ardhshme më në zë të turizmit të Europës, me Vjosën si kartvizitë unikale”, shkruan Kryeministri, duke shpërndarë artikullin që promovon Shqipërinë si një destinacion të veçantë për turistët./atsh/KultPlus.com

Rama: Shqipëria, e para si destinacioni me rritjen më të madhe të numrit të turistëve për vitin 2024

Shqipëria renditet e para si destinacioni me rritjen më të madhe të numrit të turistëve për vitin 2024.

Kryeministri Edi Rama ndau sot tabelën e renditjes së UN Tourism, organizata më e madhe botërore e turizmit, anëtarë të së cilës janë shtetet anëtare të OKB.

Rama shprehet se kjo renditje e Shqipërisë një zhvillim i paimagjinueshëm deri disa vite më parë.

Shqipëria ka një rritje të numrit të turistëve për vitin 2024 me 80% në krahasim me vitin 2019, duke lënë pas Arabinë Saudite me 69% dhe Kolumbinë me 37%.

“Me këtë tabelë, që s’është imja, s’është jona, po e UN Tourism, organizata më e madhe botërore e turizmit, anëtarë të së cilës janë krejt shtetet e OKB, e të dhënat e së cilës janë botërisht të respektuara; me Shqipërinë që zë vendin që shihni si destinacioni me rritjen më të madhe të numrit të turistëve për vitin 2024, një zhvillim i paimagjinueshëm deri disa vite më parë”, shkruan Rama./atsh/KultPlus.com

Rama: Shqipëria turistike i flet botës nga Berlini

Shqipëria turistike i flet botës nga Berlini, me krenarinë e vendit të nderit në panairin më të madh botëror të turizmit ITB Berlin.

Shqipëria si vendi i nderit i ITB Berlin 2025 prezanton evente, diskutime dhe përvoja gjithëpërfshirëse nën sloganin “Albania All Senses” në panairin që nis të martën e 4 marsit dhe përfundon të enjten, më 6 mars.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ceremonia e hapjes së këtij panairi.

Në një prononcim për televizionin gjerman ZDF Rama u shpreh se, “është e mahnitshme. Ne jemi këtu në një pozicion që disa vite më parë do të ishte e paimagjinueshme”.

Pas fjalimeve në ceremoninë e hapjes në CityCube Berlin u prezantua një vitrinë magjepsëse e pasurive kulturore të vendit tonë nën sloganin “Albania All Senses”.

Elementet kryesorë të prezantimit të Shqipërisë përfshinë një udhëtim kinematografik nëpër Shqipëri, performanca e drejtpërdrejtë me “Shkodra Elektronike” – përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovision 2025 –, muzikë tradicionale të njohur nga UNESCO dhe performanca të vallëzimeve tradicionale shqiptare nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve.

Shqipëria prezanton trashëgiminë e saj të pasur natyrore e kulturore në tri ditët e këtij panairi global të turizmit dhe ceremoninë e hapjes më 3 mars.

Nën sloganin “Albania All Senses”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të prezantojë buqetën e ofertave turistike të vendit nga data 4 deri më 6 mars 2025.

Përmes një agjende të pasur, Shqipëria do të përpiqet të përfshijë të gjithë pjesëmarrësit e këtij panairi që t’i bashkohen një udhëtimi gjithëpërfshirës përmes larmisë së ofertave, një programi të zgjeruar eventesh, performancash dhe aktivitetesh./atsh/KultPlus.com

Rama uron Kosovën: Gëzuar pavarësinë dhe mbarësi gjithmonë

Kryeministri Edi Rama ka ururar Kosovën në 17-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë.

“Mirëmëngjes Kosovë. Gëzuar pavarësinë dhe mbarësi gjithmonë”, shprehet Rama në një postim në rrjetet sociale.

Më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë./atsh/KultPlus.com

Rama: Maskat veneciane të prodhuara në Shkodër, pjesë e artikullit në “The Guardian”

Maskat veneciane që prodhohen në Shqipëri janë bërë pjesë e artikullit të “The Guardian”.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale artikullin e botuar në “The Guardian”, ku pasqyrohet prodhimi i maskave veneciane në Shkodër.

“Maskat veneciane që prodhohen në Shqipëri janë bërë pjesë e artikullit të ‘’The Guardian’’, ku përmendet Shkodra si qyteti që jo vetëm e ka mirëpritur traditën e Karnavaleve çdo 20-22 mars, por dhe është kthyer në furnizues kryesor prej vitit 1996, me më shumë se 20 000 maska në vit të punuara më dorë”, shkruan Rama.

Maskat veneciane prodhohen në një atelie në Shkodër, ku artistët pikturojnë dhe dekorojnë me dorë dhjetëra mijëra maska veneciane, që pjesëmarrësit e festivaleve duan t’i mbajnë gjatë gjithë sezonit të karnavaleve në mbarë botën.

Atelieja përbëhet edhe nga një sallë ekspozite, ku vizitorët mund të admirojnë modelet e luksit të dekoruara me flori apo argjend, të zbukuruara me pendë, kristale Swarovski, perla. Ekspozita konsiderohet një atraksion shtesë për turistët e huaj që vijnë të vizitojnë Shkodrën, “Venecian e Shqipërisë”, e famshme për liqenin dhe kalanë e saj./atsh/KultPlus.com

Rama: Koleksioni i 300 objekteve shqiptare në Muzeun Etnografik të Budapestit, në qershor në Tiranë

Rreth 300 objekte si bizhuteri dhe veshje shqiptare që ndodhen në Muzeun Etnografik të Budapestit, Hungari, të cilat i janë shitur dikur këtij muzeu nga një tregtar me emrin Paolo Lazza, do të ekspozohen në qershor të këtij viti në Shqipëri.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, ku ndau edhe fotografi nga këto objekte, duke i cilësuar një pasuri kulturore të jashtëzakonshme.

“Këto objekte i janë shitur muzeut në Budapest nga Palokë Laca në shek.XX, një personazh që po rilind në dritën e hulumtimeve të thella dhe bashkëpunimit mes Muzeut Marubi dhe muzeologëve hungarezë”, tha Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur se “në qershor 2025, ky koleksion unik do të ekspozohet për herë të parë në Shkodër, në Muzeun Marubi, duke ofruar një mundësi të pazakontë për t’u njohur me artizanatin shqiptar dhe lidhjen e tij me kulturat e tjera”.

Drejtori i “Marubit”, Luçian Bedeni, së bashku me kuratoren Kim Knoppers dhe dizajnerin e modës Jozef Martini (njëherësh kushëri i Palokë Lacës) zhvilluan një vizitë dyditore në Muzeun e Etnografisë së Budapestit, ku panë nga afër koleksionin e mrekullueshëm.

Në maj 2024 pranë Muzeut Marubi erdhi një kërkesë për informacion nga Muzeu Etnografik i Budapestit, referuar një personi të quajtur Paolo Lazza. Nga hulumtimi i vënë në dispozicion, rezultonte që ai i kishte shitur departamentit të Muzeut Kombëtar të Etnografisë së Budapestit, rreth 300 objekte si bizhuteri dhe veshje shqiptare.

Bazuar në të dhënat e muzeologëve të Muzeut Etnografik të Budapestit, Dr. Vera Schleicher dhe Dr. Boglárka Macsa, rezultoi që personi quhej Palokë Laca. Gjatë kësaj periudhe, u ndërtua pema gjenealogjike e tij, u gjetën disa fotografi të familjes, si dhe kontaktet e pasardhësve që jetojnë në Shkodër dhe në Itali. Më pas, në shtator të 2024 muzeologet vizituan Shkodrën me qëllim hulumtimin më në detaje të figurës së tregtarit Palokë Laca. Nxjerrja në pak e kësaj figure si dhe zbulimi i këtyre reparteve në Budapest vjen në mesin e një pune të ngritur prej disa muajsh nga kuratorja Kim Knopper mbi një projekt që do të realizohet në Muzeun Marubi, me fokus etnografinë dhe artizanatin./atsh/KultPlus.com

Rama: Godoleshi në Elbasan, i veshur nën petkun e bardhë të dëborës

Fshati i Godoleshit, ose siç njihet ndryshe “fshati i qershive”, rreth 6 km larg Elbasanit, është mbuluar këto ditë janari nga flokët e dëborës.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga fshati turistik, ku vizitorët nuk mungojnë këto ditë të ftohta janari.

“Godoleshi në Elbasan, i veshur nën petkun e bardhë të dëborës”, shkruan Rama.

Dëbora e rënë i ka dhënë pamje magjepsëse fshatit turistik, ku shtëpitë e mbuluara me çati të kuqe janë veçantia e tij.

Në këtë fshat prej disa vitesh është kthyer në traditë festa e frutit të qershisë, aq të dashur për të gjithë, si një mundësi e mirë për të promovuar turizmin dhe resurset e zonës./atsh/KultPlus.com

Rama: Vjosa, mbretëresha e lumenjve të egër dhe të apasionuarve pas rafting

Kryeministri Edi Rama ka vënë sot në fokus lumin Vjosa, duke e cilësuar atë si një destinacion të veçantë për rafting dhe sportet ujore.

“Me adrenalinën në Vjosë, mbretëreshën e lumenjve të egër dhe të të apasionuarve pas përvojave në rafting dhe sporte ujore”, shkruan Rama në rrjetet sociale, duke e promovuar këtë zonë si një pikë të rëndësishme për turizmin e aventurës.

Lumi Vjosa është një dëshmi e bukurisë së jashtëzakonshme dhe biodiversitetit që mund të ruhet kur natyra mbetet e paprekur.

I vendosur midis maleve të thyera dhe fushave bregdetare, lumi Vjosa është përcaktuar si një zonë e mbrojtur, duke mbrojtur ekosistemet e tij të pacenuara dhe duke siguruar vendin e tij si një thesar natyror.

Zonat e mbrojtura luajnë një rol vendimtar në ruajtjen e ekuilibrit delikat të ekosistemeve të planetit tonë dhe përcaktimi i lumit Vjosa si i tillë nënvizon rëndësinë e tij.

I shtrirë nga mali i Gramozit, deri në detin Jon, lumi krijon një habitat të rëndësishëm për një llojshmëri të larmishme flore dhe faune. Ujërat e tij të pastra kristal dhe të freskët ofrojnë një strehë për lloje të ndryshme peshqish, bimësh ujore dhe një mori specie zogjsh që varen nga rrjedha e tij e patrazuar.

Ajo që e veçon lumin Vjosa është gjendja e tij e paprekur dhe e pandryshuar.

Lumi Vjosa nuk është vetëm një strehë për biodiversitetin, por edhe një burim vlerash kulturore dhe rekreative. Komunitetet lokale që jetojnë përgjatë brigjeve të tij kanë një lidhje të thellë me lumin, duke u mbështetur në burimet e tij për jetesën e tyre.

Për më tepër, lumi tërheq turistë të shumtë, entuziastët e natyrës dhe kërkuesit e aventurave, të cilët tërhiqen nga peizazhet e tij të pacenuara, duke ofruar një përvojë unike./atsh/KultPlus.com

Rama ndan pamje nga shëtitorja “Taulantia” në Durrës

Qyteti bregdetar i Durrësit është kthyer në një destinacion gjithëvjetor turistik.

Në këto ditë të para janari, Durrësi po frekuentohet nga vizitorë të shumtë vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga shëtitorja “Taulantia” në Durrës, e mbushur plot me njerëz.

Shëtitorja “Taulantia” ka tashmë ambiente të gjelbëruara, lulishte që shtrihen në një hapësirë 21 000 m2, me 500 pemë dhe rreth 6500 shkurre dekorative.

Krijimi i hapësirave të gjelbra, sistemi i ri i ndriçimit, këndet sportive, si dhe hapësirat rekreative e kanë shndërruar shëtitoren në një zonë shumëfunksionale.

Shëtitorja në vijën bregdetare të Durrësit një nga zonat turistike më të frekuentuara gjatë verës nga pushues vendas e të huaj, ka korsi të posaçme për këmbësorët dhe biçikletat.

Durrësi është prej qyteteve destinacione turistike, që vitet e fundit ka njohur rritje të numrit të vizitorëve të huaj, ndërsa të shumta janë kroçerat që sjellin turistë nga vende të ndryshme të botës./KultPlus.com

Rama: “Arrëthyesi”, baleti magjik i Krishtlindjes vjen në skenën e TKOBAP

“Arrëthyesi”, baleti magjik i Krishtlindjes, vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo kryevepër e baletit botëror, teksa ftoi qytetarët të ndjekin këtë eksperiencë të paharrueshme në TKOBAP deri më 30 dhjetor.

“Falë solistëve dhe trupës së baletit që dhurojnë perfeksion në çdo hap, nën koreografinë e Edi Blloshmit, nxënësve të shkollës së baletit, korit femëror dhe korit të zërave të bardhë, orkestrës simfonike të TKOBAP-së, nën dirigjimin magjik të Sergio Alapont dhe kostumografisë vezulluese të Edlira Qyshkës, Përralla e preferuar e Krishtlindjes vjen në skenën e TKOBAP-së. Ju presim për këtë eksperiencë të paharrueshme deri më 30 dhjetor. Ora 19:00”, shkroi kryeministri Rama.

Baleti me muzikë të Çajkovskit është kthyer tashmë në simbol të periudhës festive të fundvitit, në të gjitha teatrot anembanë botës dhe prej vitesh kjo traditë ka përfshirë edhe Tiranën./atsh/KultPlus.com

Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë, hapësira për 400 spektatorë

Pranë Parkut të Liqenit të Tiranës po vijon puna për ndërtimin e Qendrës Kulturore Kombëtare për Fëmijë.

E cilësuar si pol kulturor shumëfunksional për fëmijë, kjo godinë do të ofrojë një sipërfaqe të shfrytëzueshme për aktivitete social-kulturore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna për ndërtimin e Qendrës Kulturore Kombëtare për Fëmijë, e cila sipas tij, “po rilind me një ndërtesë të re me sipërfaqe 6500 m²”.

Rama theksoi se kjo qendër do të mikpresë 400 spektatorë me hapësira të reja të dedikuara jo vetëm për fëmijët.

“Kjo ndërtesë vjen me një koncept të ri të artit ku parashikohen klasa aktrimi, kërcimi, muzike, pikture, si dhe shfaqje në natyrë, me një skenë të hapur drejt Parkut të Madh të Tiranës”, u shpreh Rama.

Qendra do të jetë multifunksionale, duke ofruar hapësirat për aktivitete të ndryshme për fëmijët e grup-moshave 3-12 vjeç.

Kjo qendër do të ketë hapësira të dedikuara edhe për prindërit, që nga ato që ofrojnë lehtësira praktike (ambiente për ruajtjen e sendeve personale apo kënde të posaçme për ushqimin e të vegjëlve), edhe salla takimi apo multifunksionale.

Vendndodhja e kësaj qendre pranë Parkut të Liqenit krijon mundësinë e lidhjes me natyrën, duke organizuar aktivitete brenda e jashtë ndërtesës.

Ndërlidhja e fëmijëve me natyrën është pjesë e rëndësishme për zhvillimin e tyre, por edhe për kulturën e ruajtjes së mjedisit. Ndaj, hapësirat e dedikuara për aktivitetet në natyrë mund të shfrytëzohen për aktivitete të përshtatura agrokulturore, arkeologjike apo dhe artistike.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka inspektuar sot kantierin e Qendrës Kulturore Kombëtare për Fëmijë, ku ka ndjekur nga afër ecurinë e punimeve.

Projekti ka nisur zbatimin në vitin 2023 dhe pritet të përfundojë brenda 2 viteve. Me një vlerë financimi rreth 1 miliard lekë, projekti parashikohet të mbulohet me fondet e buxhetit të shtetit./atsh/KultPlus.com

Durrësi bën bashkë Kosovën dhe Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se Durrësi është qyteti që bën bashkë Kosovën dhe Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Në rrjete sociale, Çeku ka shkruar se sot është zyrtarizuar marrëveshja e bashkëpunimit mes dy shteteve tona për organizimin e sportit të lundrimit në këtë qytet. 

“Puna jonë e përbashkët është një nga hapat e këtij rrugëtimi, i cili do ta bëjë Kosovën vendin mirëpritës për sportistët e 26 shteteve nga 3 kontinentet e Mesdheut”, ka shkruar ministri Çeku./KultPlus.com

Bujtina e rilindur në Kalanë e Beratit, Rama: Destinacion unik për të gjithë turistët

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga një bujtinë në Kalanë e Beratit. Sipas Ramës, kjo bujtinë është shembull i rijetësimit të një ndërtese të amortizuar, duke ruajtur arkitekturën dhe traditën e qytetit.

“Bujtina “KRIS Guesthouse” në zemër të Kalasë së Beratit, është një ndër shembujt e rijetësimit mbështetur nga ne, për ta rilindur duke ruajtur në të njëjtën kohë edhe arkitekturën karakteristike të qytetit”, shkruan Rama.

Sipas tij, “KRIS Guesthouse”, tani një destinacion unik për të gjithë turistët, në çdo orë të ditës./atsh/KultPlus.com

Rama: Së shpejti, Teatri i Kukullave hap dyert për të gjithë vogëlushët

Së shpejti, Teatri i Kukullave do të hapë dyert për të gjithë vogëlushët.

Lajmin e dha Kryeministri Edi Rama, i cili ndau pamje nga Teatri i rinovuar i Kukullave.

“Së shpejti, Teatri i Kukullave do të hapë dyert për të gjithë vogëlushët, në zemër të sheshit “Skënderbej” me shfaqje të reja dhe emocionuese”, theksoi Rama.

Teatri Kombëtar i Kukullave është rinovuar plotësisht, në përputhje me standardet bashkëkohore të shfaqjeve audio-vizuale, me një skenë dhe auditor multifunksional.

Ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kukullave u ndërtua në vitet ’20  të shekullit XX dhe aty fillimisht u vendos parlamenti i parë shqiptar. Në vitet ’50 u zgjerua dhe u bë Teatër Kukullash. Përveç dëmeve ndër vite prej amortizimit kohor, ndërtesa pësoi dëme strukturore edhe prej tërmetit të vitit 2019./atsh/KultPlus.com

Rama: Dhjetori i festave në Fier

Edhe qyteti i Fierit ndezi sot dritat e festave të fundvitit.

“Dhjetori i festave në Fier”, shkroi Kryeministri Edi Rama, i cili ndau sot pamje nga festimet në qytetin e Fierit, ku në sheshin qendror u ndezën dritat e festave.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi u shpreh se ndezja e dritave sjell ngrohtësi, dashuri dhe gëzim.

“I ndezim dritat e pemës së fundvitit, duke sjellë ngrohtësi, dashuri dhe gëzim në zemrat tona. Me shpresën që viti i ri të na dhurojë mbarësi, paqe dhe suksese. Gëzuar Festat dhe një vit të ri plot lumturi 2025”, shkroi Subashi në rrjetet sociale.

Fëmijë dhe qytetarë u mbldhën në sheshin qendror të qytetit të Fierit, duke festuar ndezjen e dritave shumëngjyrëshe si dhe duke shijuar shfaqjen me këngë e kërcime.

Dekori i këtij viti është shtrirë gjithashtu përtej qendrës dhe këtë vit ka risi që mbeten për t’u zbuluar si nga banorët, ashtu edhe turistët.

Dritat festive të vendosura në të gjitha hapësirat publike të Fierit e kanë zbukuruar atë, duke e shndërruar në një qytet vërtet magjik.

Dritat dhe zbukurimet janë vendosur në të gjitha pemët përgjatë rrugëve kryesore si dhe përgjatë pedaonales në lumin Gjanica, ndërkohë që edhe rrugët janë mbuluar nga dekori festiv./atsh/KultPlus.com

Rama: Galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës po rilind me një projekt inovativ

Në Durrës vijon puna për rikonstruksionin tërësor të Galerisë së Arteve Pamore “Nikolet Vasia”.

Kryeministri Edi Rama, ndau sot pamje nga punimet që po zhvillohen për rikonstruksionin e galerisë, teksa e cilëson projektin inovativ, që përmirëson cilësinë e kësaj galerie si nga ana teknike, dhe nga ajo funksionale, në shërbim të të gjithë artistëve dhe artdashësve durrsakë

“Galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës po rilind nga e para, me një projekt inovativ që synon të përmirësojë cilësinë e kësaj galerie si nga ana teknike dhe funksionale në shërbim të të gjithë artistëve dhe artdashësve durrsakë që do të bëhen pjesë e eventeve që do të zhvillohen aty”, shkruan Rama në postimin e tij në rrjetet sociale.Recently Spotted Asteroid Set for Near Miss With EarthKeep WatchingKeep Watching

Më herët, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako u shpreh se “pas rreth 50 ditësh kjo galeri do të mirëpresë në ambientet e saj moderne si artistët ashtu edhe artdashësit durrsakë në eventet e shumta që zhvillohen aty.”

Galeria e arteve pamore në Durrës që nga viti 2011 mban emrin e piktorit Nikolet Vasia, duke përjetësuar kështu një nga artistët me emër të Durrësit.

Nikolet Vasia la pas një sërë veprash kryesisht në pikturë, një cikël me disa mijëra skica të objekteve arkeologjike të Durrësit, si dhe disa punime mozaikësh në Durrës dhe në Krujë./tema/KultPlus.com