Tenori Lahaj: Vllau i madh asht e duhet të jetë krah për të voglin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron në Prishtinë, në vizitën e tij të parë zyrtare pas marrjes së mandatit të tretë në krye të Qeverisë së Shqipërisë, me ç’rast ka reaguar edhe tenori i njohur shqiptar Ramë Lahaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan KultPlus.

“Kemi vuajt mjaftueshëm, ju andej kufini e na knej. Asht koha ma shumë se kurr të bashkohmi për të mirën e perbashkët”, ka shkruar Lahaj.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Vllau i madh asht e duhet të jetë krah për të voglin, për ma shumë që nxen edhe vendin e babës, atëherë kur ai nuk rron ma. Si asnjiherë ma parë, i lumtunum jam me qasjen e Kryeministrit Edi Rama, si me takimin e tij me OKB, e po ashtu edhe me vizitën e tij në Prishtinë.
Kështu të duam ne shqiptaret gjithandej globit. Si vllazen duam me ju pa gjithmonë krah për krah me njani tjetrin. Kemi vuajt mjaftueshëm, ju andej kufini e na knej. Asht koha ma shumë se kurr të bashkohmi për të mirën e perbashkët! / KultPlus.com

Rama publikon pamje nga festa e hapjes së TKOB: Kushte dinjitoze, artistët do të ndihen të respektuar

Kryeminitri Edi Rama ka postuar një video nga festa e hapjes së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

“Një video me emocionet e një mbrëmjeje krejt të veçantë; Festa e Hapjes së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit”, shprehet ai.

Rama thotë se teatri është shpresë për vendin dhe artistët duhet të ndihen të respektuar në vendin ku performojnë.

“Prej shumë vitesh, TKOB priste të dilte nga një periudhë e stërgjatë degradimi si rezultat i një kohe të pambarimtë mosndërhyrjeje për mirëmbajtjen apo lërë pastaj rikonstruksionin e vet. Më në fund dita erdhi dhe me një projekt që flet vetë, s’ka nevojë për koment ia dolëm të krijojmë kushte tërësisht të reja, ndryshe, dinjitoze për të qenë në lartësinë e të gjithë atyre zërave të njohur nëpër botë, por gjithë atyre zërave të rinj që ky vend fatmirësisht i nxjerr me shumicë dhe që u ngjitën shumë shpesh në këtë skenë pa pasur mundësinë të ndihen asnjëherë të respektuar dhe në shtëpinë e tyre për shkak të kushteve”, thekson Rama.

Kryeministri u shpreh se “sot ne kemi një Teatër të ri Kombëtar Operas, Baleti, Këngëve dhe Valleve Popullore i cili ofron një skenë ku zërat magjikë të operas shqiptare, por edhe kërcimtarët, valltarët, edhe këngëtarët popullorë jo vetëm të mund të ndihen të respektuar, por të kenë përballë tyre dashamirës, njerëz të pasionuar pas prodhimit të kësaj skene që ulen dhe shijojnë art pa qenë të sulmuar nga i ftohti, lagështira, vapa, zhurmat prej kërcitjeve të të gjitha dërrasave të shtruara prej më shumë se 60 vitesh”.

“E pra, është një krenari dhe kënaqësi që pasi u kapërcye dhe ajo periudhë mallkimi e cila e pamundësoi hapjen e këtij teatri në kohë si rezultat i një tjetër agresioni mbi shëndetin e njerëzve, aktivitetin social, kulturor, ekonomik të COVID-19 të mund të ngremë perden e kësaj skene. Një skene ku kanë kënduar gjithë ata që kanë bërë historinë e këtij teatri, ku kanë luajtur në instrumente të ndryshëm në një orkestër gjithë ata që kanë bërë historinë e muzikës lirike apo muzikës koncertale apo të lehtë”, vijon Rama.

“Brenda kësaj skene nga ku dashamirësit, të apasionuarit pas gjithë aktivitetit dhe krijimtarisë së kësaj godine të mund të shijojnë duke u ndjerë pjesë e të njëjtit komunitet, komunitetit përtej kufijve, të gjithë atyre që ndjekin muzikën koncertale, operistike, të lehtë në teatrot më prestigjioze të botës, në ato teatro ku yjet e Shqipërisë shkëlqejnë fort. Nga momenti i ngritjes së perdes, ne nuk do kemi arsye t’i shohim me zili apo duke bërë vazhdimisht pyetjen kur do të vijë dita që në Shqipëri të kemi një teatër më të njëjtin dinjitet e respekt për ata që japin jetë, qofshin krijues, protagonistë, spirator”, tha Rama. / KultPlus.com

Kampionet olimpike të Kosovës në Forcat e Armatosura Shqiptare, Kuka: Kjo është privilegj dhe nder i veçantë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se do të përfshijë në Forcat e Armatosura të Shqipërisë dy kampionet olimpike të Kosovës, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, ky vendim është përshëndetur nga Agron Kuka, president i Federatës së Xhudos së Kosovës. 

Kuka tha se vendimi i Qeverisë Shqiptare është privilegj dhe nderë i veçantë për garueset e tij dhe Federatën e Xhudos së Kosovës. 
Kuka tregon se mbështetja e shtetit shqiptar është edhe në aspektet tjera.

“Propozimi i kryeministrit shqiptarë dhe vendimi i qeverisë shqiptare që kampionet tona olimpike të përfshihen në Forcat e Armatosura Shqiptare është privilegj dhe nder i veçantë për garueset tona dhe federatën tonë.

Përveç kësaj nuk është hera e parë që institucionet e shtetit amë na kanë mbështetë nderuar e edhe dekoruar sportistët por edhe trajnerin Driton Kuka”, – thotë Agron Kuka për gazetën kombëtare “Bota sot”, transmeton KultPlus.

Më tej tregon edhe për mbështetjen tjetër të rëndësisë së veçantë, që i kanë tejkaluar pengesat që kanë hasur me disa shtete.

Mbështetja tjetër e rëndësisë së veçantë nga Shqipëria për federatën tonë ka ardhur edhe me pajisjen e sportistëve tanë me shtetësi shqiptare.

Me këtë ne kemi tejkaluar pengesat që kemi hasur në shtete të ndryshme që se njohin pasaportën kosovare.

Andaj si kryetar i federatës së xhudos e vlerësoj lartë vendimin e kryeministrit Edi Rama si dhe gjitha institucionet tjera shqiptare për mbështetjen. Veprimet e tilla eliminojnë barrierat ndërshqiptare e jo retorikat e zbrazëta”, shprehet Kuka. /botasot/ KultPlus.com

Rama: Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Në mbledhjen e parë të qeverisë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë me dije se dy medalistet e Lojërave Olimpike nga Kosova Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Sipas Ramës, ato kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e FA. Gjithashtu, kreu i qeverisë tha se janë duke punuar me ministrin e Mbrojtjes për të krijuar një njësi të kampionëve Të Forcave të Armatosura, transmeton KultPlus.

“Vendimi tjetër i rëndësishëm është vendimi për përfshirjen në strukturat  e FA të dy fituesve të medaljeve të arta, shqiptaret nga Kosova Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova që kanë arritur diçka që është e jashtëzakonshme. Kanë shprehur dëshirën që ti bashkohen Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Dhe me ministrin e  Mbrojtje jemi duke punuar që në FA të krijohet një njësi speciale e kampionëve që meritojnë gjithë jetën të trajtohen me një status të veçanta. Të jenë aty shembulli rrezatues por edhe mentorët e të rinjve me uniformë,” deklaroi Rama. /abcnews/ KultPlus.com

Rama takon këngëtarin: Super Ermal Meta e nis turin nga Tirana drejt Italisë

Këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta do të mbajë sonte  koncertin në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot si një bisedë të këndshme siç e cilëson ai me këngëtarin Ermal Meta.

“Super Ermal Meta e nis turin nga Tirana drejt Italisë. Ishte kënaqësi e posaçme që i ra rruga nga zyra ime, ku u ndal për një bisedë të këndshme”, shprehet Rama, teksa ka publikuar dhe një foto nga ky takim.

Ermal Meta, i cili jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij artistike në Itali, rikthehet pas tri vitesh në turin e tij të ri muzikor në Tiranë, ku dhe do të mbajë një koncert në stadiumin “Air Albania”.

“Nesër do mundohem të bëj koncertin më të mirë në jetën time. Është hera e parë që bëj koncert në një stadium dhe të gjitha energjitë do i shkrij mbi skenë”, tha ai gjatë konferencës për shtyp dje.

Ky do jetë koncerti i parë që organizohet në stadiumin e ri në kryeqytet.

Biletat janë pa pagesë. Respektohen të gjitha rregulloret antikovid, dhe do të mbahet në 30 % të kapacitetit. Ky koncert organizohet nga ambasada italiane në bashkëpunim me bashkinë Tiranë dhe FSHF.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij./atsh/KultPlus.com

Kryeministri ndan momente nga mbrëmja emocionuese (FOTO)

Mbrëmja e djeshme shënoi çeljen e ambienteve të reja të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ngritja e siparit përcolli jo vetëm një pamje të re të objektit 60-vjeçar të artit, por edhe emocion për artistët e artdashësit.

Një mbrëmje gala ku ishin të ftuar personalitete të rëndësishëm të pritur nga zërat e mahnitshëm të sopranos Ermonela Jaho e legjendës së operës, Placido Domingo, ishte ngjarja e madhe pas rikonstruksionit total të strehës së artit. Në të, mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ndau disa foto nga shfaqja. Kryeministri u shoqërua nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Mirmëngjes dhe me disa momente nga mbrëmja emocionuese e ngritjes së perdes së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku talentet e Shqipërisë lirike shkëlqyen mrekullisht përreth yllit të Ermonela Jahos e Placido Domingos, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi ai në Facebook./tv klan/ KultPlus.com

Federata Evropiane e Gazetarëve i reagon kryeministrit Rama pasi nuk i lejoi gazetarët e Kosovës t’i bënin pyetje Merkelit

Federata Evropiane e Gazetarëve i ka reaguar kryeministrit Edi Rama pasi nuk i lejoi gazetarët e Kosovës që t’i bënin pyetje kancelares Angela Merkel.

Përmes një postimi në Twitter, Sekretari Gjeneral i kësaj organizate e ka quajtur të turpshëm veprimin e Ramës.

“Turp për kryeministrin Edi Rama, i cili me qëllim i injoroi pyetjen e gazetarëve nga Kosova. Federata Evropiane e Gazetarëve dënon këtë skandaloze”, ka shkruar ai.

Gazetarët nga Kosova nuk janë lejuar që të bëjnë pyetje në konferencën e përbashkët të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.

Për këtë ka njoftuar gazetari i Klan Kosovës, Enis Reçica, në një postim në Facebook

Sipas tij, në konferencë kanë qenë gazetarët e gjashtë mediave nga Kosova dhe për 40 minuta kanë kërkuar fjalën për t’i bërë pyetje kancelares Merkel, por që thotë se një gjë e tillë nuk iu është lejuar.

Tutje, ai ka treguar se pyetjet e tyre kanë qenë rreth Kosovës, marrëveshjes përfundimtare, dialogut, liberalizimit të vizave dhe Open Ballkan.

“Në këtë video është dora ime, dhe e dy kolegëve të tjerë nga mediat kosovare. E kërkuam fjalën që nga fillimi i konferencës mes Kancelares Angela Merkel e Edi Rama. Ishte e kot, as pas 40 minutave të konferencës nuk na u dha fjala, të 6 mediave nga Kosova (sa ishim prezente e të akredituara) që t’i bëjmë ndonjë pyetje kancelares gjermane. Sigurisht temë kyqe e jona ishte Kosova, Serbia, marrëveshja përfundimtare, dialogu, liberalizimi, Open Ballkan etj”, ka shkruar Reçica./KultPlus.com

Placido Domingo dhe Ermonela Jaho do të performojnë në sallën e re të Teatrit të Operas dhe Baletit

Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të mbahet një mbrëmje gala më 15 shtator, në kuadër të rikonstruktimit të godinës së teatrit.

Në inaugurimin e teatrit do të ngjiten në skenë të famshmit Placido Domingo dhe Ermonela Jaho. Ndërsa orkestra do të drejtohet nga dirigjenti anglez Martin Andre.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi bën me dije se shfaqja do të mbahet në orën 19:00, teksa thekson se mezi po pret që të ngrihet perdja e skenës.

“Mirëmëngjesi dhe me padurimin e ngritjes së perdes së skenës së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas e Baletit, ku në mbrëmjen e 15 shtatorit do të ngjiten artistë që u rritën aty për të kapur majat e botës, por edhe artistë të huaj të atyre majave të botës, ju uroj të diel të mbarë”, shkruan Rama. / KultPlus.com

Kryeministri Rama: Lamtumirë Sherif Merdani

Sot ka ndërruar jetë këngëtari Sherif Merdani. Ai ka ndërruar jetë si pasojë e një sëmundje me të cilën luftonte prej kohësh.

Për vdekjen e këngëtarit ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Lamtumirë Sherif Merdani”- shkruan Rama në një postim në Facebook.

Sherif Merdani njihet si një nga këngëtarët më të mëdhenj të muzikës së lehtë shqipe./KultPlus.com

Edi Rama: Goran Bregovici kurrë nuk ka frymëzuar luftën serbe

Edi Rama vijon të mbrojë idenë e tij se Goran Bregoviç kurrë nuk ka frymëzuar ushtarët pushtues serbë dhe kurrë nuk u ka kënduar atyre.

Në statusin e sotëm si një përgjigje ndaj komenteve të djeshme kryeministri Rama vijon të mbrojë Bregoviçin duke i cilësuar komentuesit si një grup që shpërndajnë vetëm histeri fashiste.

Komentuesi: Si mundesh me bë kësi lloj krahasimi me Dua Lipën dhe me këtë serbë..A nuk janë pikërisht familjet e Duas dhe Ritës që kanë ikur për shkak të Regjimit të Millosheviçit që ky pikërisht ju ka kënduar dhe e ka frymzuar ushtrin serbe , me keng.Si duhet ti vrasin Shqipëtaret.Nuk di qfar fakte kerkon ti o njeri!

Edi Rama: Une kerkoj nje gje shume te thjeshte, qe ti dhe ata qe flasin si ti, te lexojne perpara se sa te flasin dhe te mos u bejne te tjereve te njejten gje qe bejne te tjeret kunder nesh! Dhe do ti s’do ti, duan s’duan ata qe flasin keshtu, Goran Bregovici kurre nuk u ka kenduar ushtareve pushtues dhe kurre nuk ka frymezuar luften e tyre pushtuese! Sepse po te ishte kjo e vertete atehere do te kishte te pakten nje fakt te vetem qe e provon kete dhe urrejtja per gjuhen e tjetrit nuk eshte fakt!./KultPlus.com

Edi Rama: Shqiptarët që dolën kundër Bregoviqit janë të njëjtë me serbët që ofenduan Dua Lipën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë një reagim një ditë më vonë pas lëshimit të gazlotsjellësit në koncertin e këngëtarit serb, Goran Bregoviq në Festën e Birrës në Korçë. Pavarësisht se pati të lënduar nga gazlotsjellësi, koncerti nuk u ndërpre nga organizatorët.

Rama, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se shqiptarët që “e trajtuan si kriminel lufte” Bregoviqin nuk dallojnë me serbët që ofenduan këngëtaren shqiptare, Dua Lipa, nëpër rrjetet sociale, transmeton KultPlus.

ZJARRI KINSE PATRIOTIK I GUSHTIT

Një gazetare e mirënjohur shqiptare e Kosovës, e cila respektohet ndërkombëtarisht dhe kontribuon për tribuna prestigjoze të shtypit botëror, e tha shumë troç se Goran Bregoviçi nuk ka asnjë lidhje, me asnjë prej të zezave që iu faturuan nga zjarrnxitës mendjefikur, sa në Prishtinë dhe sa në Tiranë.

Por muzikanti i famshëm nga Sarajeva, me baba kroat, nënë serbe dhe grua muslimane boshnjake, u kthye në një “kriminel serb” që duhej djegur në zjarret e gushtit shqiptar, pavarësisht se as serb nuk është përveç të tjerash. Paçka se Bregoviçi nuk ka thënë asgjë kundër shqiptarëve, nuk i ka kënduar asfare masakrave të regjimit të Millosheviçit dhe nuk ka qenë gjëkundi mbështetës i atij regjimi as me fjalë as me vepra, e vërteta as që kishte rëndësi. Rëndësi kishte zjarri i politikës qorre, e cila krijon armiq, ushqehet armiqësisht dhe jeton për armiqësinë – thënë aq bukur nga një prej zjarrnxitësve mendjefikur, “Më pëlqen ta dëgjoj Bregoviçin, po nuk shoh dot me sy Edi Ramën!”.

Askush, hiç askund, nuk e dha asnjë provë të vetme për ta justifikuar histerinë mesjetare që shpërtheu kundër një muzikanti nga më të jashtëzakonshmit e Ballkanit. Ishte një histeri fashiste, e turpshme per qytetarinë europiane të shqiptarëve, për historinë dhe për traditën tonë po ashtu, e cila fatkeqësisht nuk dallonte aspak nga histeritë linçuese të grupeve fashiste kudo në botë.

Ku ndryshojnë për shembull ata që në Serbi i hakërrehen me fjalorin më të ndyrë Dua Lipës në rrjetet e saj sociale, vetëm pse ajo është një shqiptare krenare e Kosovës, e cila del mbështjellë me të dy flamujt e shteteve tona, me ata që iu hakërryen me shqipen më të ulët në rrjetet tona sociale Goran Bregoviçit, duke e trajtuar si një kriminel lufte e duke i mveshur faje që ai nuk i ka bërë vetëm se ai këndon serbisht?

Ndryshojnë vetëm në faktin se të parët shajnë e mallkojnë serbisht, ndërsa të dytët sharjet e mallkimet i lëshojnë në shqip. Të dyja palët i përkasin besnikërisht kategorisë së ulët njerëzore të urrejtësve të verbër, të cilës kjo botë i ka parë vetëm sherrin, kudo e kurdo që ajo ka arritur të imponojë mbi shoqërinë verbërinë e vet”, ka shkruar Rama. / KultPlus.com

Restaurohet Kisha e Shën e Premtes në Lukovë

Kisha e Shën e Premtes në Lukovë, e restauruar tashmë plotësisht, është kthyer në një stacion të ri përgjatë tureve të vizitorëve në jug të vendit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo kishë, e shpallur monument kulture i kategorisë së I-rë, e cila tashmë i është nënshtruar restaurimit tërësor që e ka nxjerrë nga gjendja e rrezikut për shembje.

“Mirëmëngjes dhe me Kishën e rilindur të Shën e Premtes në Lukovë, monument i shek. XVII, tani gati për të pritur miqtë vizitorë, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Punimet që janë kryer në kishën Shën e Premte në Lukovë, për resturim dhe konservim, e kanë nxjerrë këtë monument kulture nga gjendja e rrezikut.

Kjo kishë e tipit bazilikë (nga greqishtja e lashtë, portiku mbretëror), e ndërtuar mbi një kodër, daton që nga shekulli i XVII-të. E pozicionuar në lagjen perëndimore të Lukovës, kisha ndodhet, pothuajse e braktisur, në mes të një ullishteje.

Kisha bën pjesë në grupin e bazilikave me kupolë. Në të mund të hyhet prej dy dyerve, një në anën jugore dhe tjetra në anë perëndimore. Kisha ka gjashtë kolona, mbi të cilat kalojnë harqe. Veçanërisht e rëndësishme ishte kulla e këmbanës, e dhuruar nga mbreti i Napolit në 1695, e cila u zhduk në 1967, me shkatërrimin e shumë kishave dhe xhamive gjatë periudhës të diktaturës.

Kisha është një prej objekteve më interesantë që duhen vizituar në Lukovë, fshatin e bukur bregdetar, 20 kilometra larg Sarandës. / KultPlus.com

Reagon “Mollëkuqja” për takimin e liderëve në Maqedoni: Gratë i trajtoni si shërbëtore

Organizata “Mollëkuqja” ka dalë me një reagim pas takimit të Zaev, Rama dhe Vucic, ku sipas kësaj organizate, edhe në këtë takim gratë janë në prapavijë. KultPlus ju sjell të plotë reagimin e tyre.

Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” është tejet e shqetësuar me fotografinë e takimit të fundit mes liderëve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë. Gratë në rajon dhe jo vetëm, e kanë dëshmuar në disa raste se janë shumë më shumë se sa shërbyese të burrave për shkak se ata janë të ulur në pozitat që ua ka dhuruar mendësia patriarkale.

Fotografia më poshtë pasqyron gjendjen aktuale të grave në rajon dhe se si këto gra, shihen në sytë e politikanëve tanë. I rikujtojmë kryeministrit Zoran Zaev , Edi Rama dhe Aleksandar Vučić se nuk mund qëllimi juaj të jetë “zhvillimi i rajonit” përderisa gjysmën e rajonit e trajtoni si shërbëtore tuajën.

“Mollëkuqja” vazhdimisht ka alarmuar për nevojën e përfshirjes të grave në politikë dhe ndarjes së pozitave menaxhuse (ekzekutive), grave. Për më shumë, shtetet me nivelin më të ulët të korrupsionit, njëherit dhe ndër më të zhvilluarat, udhëhiqen nga gra.

Mollëkuqja, 30.07.2021./ KultPlus.com

Dua Lipa me familje po kalojnë kohën në jug të Shqipërisë me kryeministrin Edi Rama

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa, po vazhdon qëndrimin e saj në Shqipëri.

Ajo bashkë me familjen e saj po kalojnë kohë në jug të Shqipërisë me kryeministrin, Edi Rama.

Babai i saj, Dukagjin Lipa ka ndarë me ndjekësit disa imazhe nga dreka e përbashkët, shkruan KultPlus.

“Mendoj se e kam bërë një mik, Edi Rama një njeri me sharm të pastër”-ka shkruar Lipa, duke shtuar se është Dua ajo që ka shkrepur foton e tyre./KultPlus.com

Edi Rama reagon pas triumfit të Krasniqit: Luaneshë, Bravo

Distria Krasniqi i ka siguruar medalje Olimpike Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke e rrëmbyer të artën, përcjellë KultPlus.

Kjo është medalja e dytë Olimpike për Kosovën, pas Majlinda Kelmendit që fitoi të artën në vitin 2016.

Krasniqin e ka uruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama e ka quajtur Distria Krasniqin luaneshë pasi fitoi medalien e artë.

Ai në rrjetin e tij social Facebook ka publikuar dy fotografi të Distrias, duke e uruar atë teksa është shprehur i lumtur për fitoren e saj. / KultPlus.com

Dua Lipa: Faleminderit Shqipëri për mikëpritjen e ngrohtë

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa, vizitoi ditën e djeshme Shqipërinë, ku u takua edhe me shumë figura të njohura politike, përcjell KultPlus.

Lipa vizitoi edhe ”Sunny Hill Kindergarten”, një qendër që do të hapet në shtator të këtij viti për 300 fëmijë, ndërkaq ishte e pranishme edhe në një konferencë për media.

Sot, Lipa ka publikuar disa fotografi të vizitës së djeshme, ku njëherit edhe ka falenderuar Shqipërinë për mikëpritjen e ngrohtë që ju bë asaj dhe familjes së saj.

”Mirënjohëse për mikëpritjen e mrekullueshme, faleminderit Edi Rama dhe Erion Veliaj”, ka shkruar Lipa në mbishkrimin e fotografive të publikuara. / KultPlus.com

Edi Rama: Dua Lipa ka kapur qiellin e botës muzikore

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot ka takuar këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, me ç’rast ai është shprehur se Dua ka kapur qiellin e botës muzikore dhe nuk ka nevojë për asnjë koment tjetër, përcjellë KultPlus.

“Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, po brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi”, ka thënë Rama.

KultPlus ju sjell statusin e tij të plotë:

DUA LIPA që ka kapur qiellin e botës muzikore s’ka nevojë për asnjë koment, ndërsa një koment për Duan që pata kënaqësinë të njoh, unë dua ta ndaj me ju.
Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, po brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi, e cila është me siguri krenaria e lumturia e prindërve dhe e krejt familjes së saj, pikërisht sepse çka i takon botës nga ylli i muzikës, nuk ka prekur asnjë fije atë çka u takon atyre nga vajza e tyre. Çfarë çike.

Zbulimi i monumentit të rrallë në Parkun Arkeologjik të Amantias, destinacion për turistët

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga zbulimi në Parkun Arkeologjik të Amantias  të një tjetër monumenti të rrallë.

“Për turistët që dashurojnë të udhëtojnë edhe në kohë e histori mund të ndalojnë të shohin një ekzemplar që daton nga Shek III p.Kr”, u shpreh Rama.

Pamjet tregojnë zbulimin e rrallë në Parkun Arkeologjik të Amantias. Pas 2 muajsh gërmime të arkeologjisë së shpëtimit del në dritë varri monumental. Një ekzemplar i rrallë për nga përmasat dhe mënyra e ndërtimit. Studime paraprake e datojnë në shekullin e 3 para Krishtit.

Varri, i cili i përket tipit të mbuluar me qemer është një ndër ekzemplarët e rrallë të këtij tipi, që i ruan pothuajse të gjithë elementët arkitektonik. Përmasat e mëdha, veçoritë në elementët e ndërtimit, si dhe veçoritë në elementët e mbulimit i japin monumentit vlera unikale

Rezultatet e procesit të gërmimit dhe dokumentimit janë ende në fazë studimi nga specialistët përkatës, kështu që për kronologjinë e ndërtimit të varrit monumental mund të propozohet vetëm një datim paraprak, i cili mendohet që daton rreth shek. III p.Kr.

Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit. Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin III para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit./atsh/ KultPlus.com

Shqipëria bëhet pjesë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Me 175 vota nga 117 të nevojshme, Shqipëria ka arritur të zgjedhet anëtare e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për dy vitet e ardhshme, përcjell KultPlus.

Këtë e bëri të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me anë të një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

“Me 175 vota nga 117 të nevojshme, Shqipëria sapo u zgjodh anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022-2023”, ka shkruar Rama, derisa ka njoftuar për këtë lajm që ai e quajti të bukur.

Shqipëria do të jetë pjesë e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pasi u votua për të marrë një nga pesë vendet e përkohshme në këtë këshill me një mandat dyvjeçar.

Në votim morën pjesë 190 vende anëtare, por 15 prej tyre nuk e mbështetën shtetin shqiptar në këtë votim.

Në garë për pesë vende ishin gjashtë shtete, përveç Shqipërisë edhe Brazili, Republika Demokratike e Kongos, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shqipëria ishte vendi i vetëm që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. / KultPlus.com

Thesaret e ikonografisë shqiptare në Muzeun e ri të Artit Mesjetar, arsye e rëndësishme për të vizituar “Parisin e Vogël” të Shqipërisë (VIDEO)

Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë është një ndër destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga ky muze duke theksuar se është një arsye e rëndësishme për të vizituar “Parisin e Vogël” të Shqipërisë.

“Thesaret e ikonografisë shqiptare, një arsye e rëndësishme për të vizituar “Parisin e Vogël” të Shqipërisë. Muzeu i ri i Artit Mesjetar, Korçë”, shprehet Rama krahas videos.

I pozicionuar përgjatë Bulevard “Fan Noli” në Korçë dhe restauruar në 2016, ky muze është jo vetëm një ekspozitë vizive vlerash por edhe një institucion unikal në rajon.

Ky muze ka një fond prej 8000 objekte të artit mesjetar ndër të cilat 6500 janë ikona të ekspozuara në një frymë bashkëkohore me një rend kronologjik të zhvillimit të mjeshtërisë ikonografike në Shqipëri. Prezantimi i trashëgimisë së Artit Mesjetar të rikthen në gjenezën e mistikes dhe ritualeve të shenjta.

Eksponatet dhe fondet e pasura të tij përbëhen nga objekte historike, kulturore e artistike të periudhës mesjetare, që lidhen kryesisht me trashëgiminë e krishterë bizantine dhe pasbizantine.

Ikonat, objektet prej guri, koleksioni i objekteve prej metalesh të çmuara, druri të gdhendur, tekstili, letre etj., janë shembuj të një pasurie e larmie vlerash të paçmuara të krijuar në shekuj e që pasqyrojnë momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre.

Gjithashtu, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar ofron një audio guide në tre gjuhë të huaja nëpërmjet një aplikacioni për të gjithë vizitorët./ATSH/ KultPlus.com

Për herë të parë, Shqipëria kalon 24 orë pa asnjë të infektuar me Covid-19

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka treguar se sapo kanë kaluar 24 orët e pata pa asnjë të sëmurë ne Covid-19, shkruan KultPlus.

”LAJM I BUKUR
Sapo kanë kaluar 24 ORËT E PARA pa asnjë të sëmurë me Covid të paraqitur në dyert e Spitalit Infektiv qysh nga marsi i vitit 2020
”, ka shkruar Rama.

Shqipëria është ndër vendet e Evropës që procesin e vaksinimit e ka zhvilluar shumë shpejt dhe deri më tani është bërë e ditur se janë vaksinuar mbi 500.000 persona. / KultPlus.com

Edi Rama: Me Dua Lipën rrugës për në Fier (VIDEO)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një video në rrjetin social “Facebook”, duke dëgjuar këngën e këngëtares kosovare me famë botërore, Dua Lipës, gjatë udhëtimit të tij për në Fier, raporton Express.

Në Shqipëri zgjedhjet do të mbahen më 25 prill, ku tani janë duke zhvilluar takimet me qytetarë të ndryshëm, Rama postoi videon gjatë rrugës së tij për në Fier, ku do të bëj takimin e radhës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një video në rrjetin social “Facebook”, duke dëgjuar këngën e këngëtares kosovare me famë botërore, Dua Lipës, gjatë udhëtimit të tij për në Fier, raporton Express.

Në Shqipëri zgjedhjet do të mbahen më 25 prill, ku tani janë duke zhvilluar takimet me qytetarë të ndryshëm, Rama postoi videon gjatë rrugës së tij për në Fier, ku do të bëj takimin e radhës.

“Me Dua Lipën për në Fier”, ka shkruar kryeministri Rama në mbishkrimin e videos.

Edi Rama tani është në përfundim të mandatit e tij të dytë, duke i fituar zgjedhjet në vitin 2013-të dhe në 2017-tën.

Hapet ekspozita ’88 Dritëhije dhe ngjyra’ e Sali Shijakut në ambientet e COD-së

Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot piktorin e madh Sali Shijaku një pikë referimi e padiskutueshme e arteve pamore dhe një figurë kyçe e historisë së pikturës.

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) ka organizuar sot një ekspozitë me rastin e 88-vjetorit të piktorit shqiptar Sali Shijaku ku janë ekspozuar 112 vepra në vizatime, pikturë dhe skulpturë, që përmbledhin një hark kohor krijimtarie prej 50 vitesh.

Të pranishëm në ekspozitë ishin artisti Sali Shijaku dhe familjarë të tij, Kryeministri i vendit Edi Rama, drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Çano dhe artistë të tjerë.

Kryeministri Rama e falënderoi piktorin Shijaku për praninë dhe kontributin e tij në hapjen e kësaj ekspozite.

“Besoj është një nder i madh për qendrën tonë, për këtë godinë e mua personalisht që na u dha mundësia falë gatishmërisë së profesorit që ne ta ekspozojmë Sali Shijakun, është një pikë referimi e padikutueshme e arteve pamore, një figurë kyçe e historisë së pikturës sonë dhe një person me të cilin lidhet jeta artistike e shumë të tjerëve qofshin kolegë, breza të tërë studentësh që u inspiruan dhe motivuan nga ai”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se, “është një kontekst shumë i posaçëm që të hapet një ekspozitë që sidoqoftë është një moment festiv për veprat që ekspozohen dhe autorin e  tyre dhe kjo të zhvillohet me kaq pak njerëz si rezultat i këtij konteksti shumë të posaçëm ku jemi”.

“Nga ana tjetër çka unë po mendoja kur e pashë për herë të parë këtë ekspozim të këtyre punëve të vogla në përmasa, por domethënëse në bashkësinë e tyre është pikërisht ideja e një muzike dhome. Profesori ka pasur shumë momente festive me turma të mëdha që viziton ekspozita të mëdha për veprat shpeshherë monumentale të tij, ndërsa një koncert me muzikë dhomë duket se është hera e parë nëse unë nuk gaboj. Kam shpresë që në ditët në vijim dhe javët në vijim kur ekspozita të jetë e hapur për publikun pavarësisht numrit të kufizuar kjo ndjesi e muzikës së dhomës dhe privilegji i të shijuarit të gjithë këtyre punëve me pak njerëz, pa zhurmë, pa të presionin e një mase të madhe njerëzish në një farë mënyre di të sjellë një kënaqësi të madhe për ata që do e vizitojnë”, – nënvizoi Rama.

Më tej Rama tha se, “e kujtoj profesorin si një prani hijerëndë në jetën tonë artistike dhe për të gjithë ne që ishim më të rinj ishte një ëndërr të takonim Sali Shijakun të na fliste apo të na jepte këshillat e tij dhe ka qenë privilegj për mua që kam marrë disa mësime që sot e kësaj dite i mbaj mend nga profesori në studion e tij. Ashtu si ka qenë privilegj nga të gjithë ata që kanë pasur mundësi të kenë më shumë afërsi me të e të ndihmohen prej tij”.

“Profesori tha se koha tanimë pas 30 vjetësh e ka zgjidhur lidhur me artin e krijuar në periudhën e totalitarizmit nën diellin e realizmit socialist që ishte në njëfarë mënyre një diell verbues për të gjithë ato rrugët e tjetra të shikimit dhe që përcaktonte një rrugë të vetme shikimi dhe është e qartë se pavarësisht kohës kur u krijuan pavarësisht kontekstit dhe instrumentave të kufizuar në dispozicion të artistëve ka padiskutim sot dhe do ketë gjithmonë më shumë vend për të vlerësuar ato vepra të cilat nga pikëpamja artistike kanë qenë dhe mbeten me peshë dhe me autoritet në sallat ku ekspozohen”, – tha Rama.

Kryeministri Rama tha se “pavarësisht kontekstit dhe mënyrës së shikimit të asaj kohe mbi p.sh., tabloja e Vojo Kushit, Mic Sokolin tablo momentale të Sali Shijakut sot i qëndrojnë kohës më së miri dhe i flasin shikuesit që është i zhveshur nga pesha e ideologjisë së dikurshme apo komplet i distancuar me çfarë ka ndodhur rreth e rrotull veprës. Janë jo pak vepra të asaj kohe që sot në kontestin e një kohe tjetër ku liria për të ekzistuar dhe për të shikuar është shumë më e madhe se atëherë ato përfitojnë nga kjo liri dhe qëndrojnë aty padiskutim si gur kilometrik i historisë së artit tonë”, – tha Rama.

Kryeministri gjithashtu ftoi studentët e artit për të vizituar ekspozitën në ditët e hapjes për publikun, për të hyrë në kuzhinën e një mjeshtri të madh siç e quajti ai, dhe për ta lexuar krijimtarinë e tij në një këndvështrim shumë më informal dhe konfidencial.

Ekspozita “Sali Shijaku – 88 Dritëhije dhe ngjyra” është ekspozita e parë vetjake e piktorit në ambientet e COD, ndërsa është fokusuar kryesisht në punimet e tij në letër.

Veprat e artit të ndara nëpër disa kategori artistike paraqiten nën Ciklin e nudove, ku për herë të parë ekspozohen 12 vepra në vizatim të realizuara në harkun kohor 2000-2010, Ciklin e abstrakteve, ku bëjnë pjesë 16 vizatime e piktura abstrakte të autorit, dhe Ciklin e legjendave, ku janë prezente figurat homerike të trajtuara shpesh nga autori përgjatë jetës së tij artistike.

Një tjetër element i veçantë i ekspozitës është ekspozimi i skicave dhe bocetit të monumentit të “Lirisë”, me një detaj të rëndësishëm, sepse piktori e ka ripunuar bocetin e statujës monumentale pak ditë përpara ekspozimit, duke krijuar një cikël pune që nga viti 1976 e deri më 2021.

Në ekspozitë nuk mungojnë as autoportretet e piktorit, i fundit nga të cilët është realizuar në vitin 2010./atsh/ KultPlus.com