Pamje nga kantierët e rilindjes së trashëgimisë kulturore (VIDEO)

Ashtu si prej kohësh, edhe këtë të shtunë, Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me promovimin e zonave turistike.

Ai publikon pamje nga Voskopoja, ku janë bërë ndërhyrje për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

“Me këto pamje nga kantierët e rilindjes së vlerave të trashëgimisë sonë kulturore në Voskopojën e bukur, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan Rama.

APS_

Në videon më poshtë gjeni pamjet e publikuara nga kreu i qeverisë.

Voskopoja është një fshat 20 km në perëndim të qytetit të Korçës me rrugë të asfaltuara. Ai është i vendosur në një pllajë 1160 m të lartë e rrethuar me male e pyje me pisha e bredha, me ajrin plot ozon dhe burime ujore të kristalta, si “Burimi i Floririt” etj. Vendbanim i hershëm që nga viti 1330.

Në dimër funksionon pista e skive ku dhe zhvillohen gara rajonale dhe kombëtare. Vera është e freskët dhe dimri i ftohtë me reshje dëbore gjatë pjesës më të madhe të stinës./ KultPlus.com

“MOS KINI FRIKË NGA SHQIPONJA”

Kryeministri shqiptar Edi Rama, në një postim në rrjetin social ‘facebook’, ka prezantuar llogarinë bankare ku mund të derdhen mjetet për të paguar gjobën prej 25 mijë frangash, gjobë të cilën FIFA ua shqiptoi tre futbollistëve të Kombëtares së Zvicrës.

“MOS KINI FRIKE NGA SHQIPONJA është emri i llogarisë bankare ku gjithkush mund të japë një kontribut simbolik, për të paguar gjobën absurde të FIFA-s ndaj Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit”, ka shkruar kryeministri Edi Rama.

Sipas tij shqiponja është shenjë e cila parqet gëzimin dhe se i vije keq që kjo është keqinterpretuar.

“Shenja e duarve shqiponjë është shenja jonë dalluese e komunikimit në raste gëzimi dhe me keqardhje për ata që e keqinterpretuan shenjën e gëzimit krejt spontan nga një moment i bukur sportiv, në Raiffeisen Bank është hapur llogaria MOS KINI FRIKE NGA SHQIPONJA”, ka shkruar ai.

“Kjo llogari u hap falë nxitjes së shumë miqve të këtij rrjeti social nga e gjithë bota, si falënderim e mirënjohje për dy sportistët që ngritën peshë në një gëzim sportiv miliona shqiptarë”, ka shkruar kryeministri Edi Rama.

Postimi i Plotë i kryeministrit shqiptar Edi Rama:

MOS KINI FRIKE NGA SHQIPONJA është emri i llogarisë bankare ku gjithkush mund të japë një kontribut simbolik, për të paguar gjobën absurde të FIFA-s ndaj Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit
Shenja e duarve shqiponjë është shenja jonë dalluese e komunikimit në raste gëzimi dhe me keqardhje për ata që e keqinterpretuan shenjën e gëzimit krejt spontan nga një moment i bukur sportiv, në Raiffeisen Bank është hapur llogaria MOS KINI FRIKE NGA SHQIPONJA
Kjo llogari u hap falë nxitjes së shumë miqve të këtij rrjeti social nga e gjithë bota, si falënderim e mirënjohje për dy sportistët që ngritën peshë në një gëzim sportiv miliona shqiptarë./ KultPlus.com

Rama: Europa është feja e shqiptarëve

“Shqiptarët janë mbështetës entuziastë të BE-së dhe Europa është feja jonë”. Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ku foli për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Me anëtarësimin në BE, theksoi Rama, “ne do të ndërtojmë një urë mes të kaluarës dhe të ardhmes sonë”.
Duke folur për rëndësinë që ka për Shqipërinë integrimi në Bashkimin Europian, Rama tha se “për ne dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është çështje për jetë a vdekje”.

“Pas aq shumë e shumë vitesh dhimbjeje dhe ankthi, Europa përcakton të ardhmen tonë. Siç mund të jeni në dijeni, Shqipëria ka patur regjimin më të frikshëm komunist në Europë dhe jo shumë larg në kohë, ne kemi përjetuar disa prej luftrave më të përgjakshme në Europë gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë ose në Kosovë”, tha Rama.

“Shoqëritë tuaja nuk kanë përjetuar luftra prej tre brezash. Shoqëritë tuaja janë në njëfarë mënyre të shkëputura nga realitetet e ashpra të botës përtej BE-së. Nga këndvështrimi ekonomik, shoqëritë tuaja janë në gjendje të mirë dhe kjo ndoshta mund të jetë arsyeja përse europianët harrojnë se sa me fat janë”, tha Rama.

Piramida në Tiranë ribëhet atraktive

Nga një ngrehinë e rrënuar prej vitesh, Piramida e Tiranës do të transformohet në një nga qendrat më të mëdha të inovacionit dhe teknologjisë, artit e kulturës, në rajon. Pas bashkëpunimit të suksesshëm për rikualifikimin e Pazarit të Ri, Bashkia e Tiranës dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, prezantuan projektin e rivitalizimit të Piramidës në një hapësirë multifunksionale në qytet, për fëmijët dhe të rinjtë, por edhe si mundësi për të bërë art dhe kulturë.

Kryeministri Rama e cilësoi nismën për rivitalizimin e Piramidës dhe projektin Tumo, si një nga projektet më të bukua që ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë. “Erioni kërkonte ta kthente këtë në një qendër për të rinjtë trendy të Tiranës, ndërkohë që unë i thosha: fëmijët, fëmijët, fëmijët. Sigurisht, besoj se kjo është më shumë merita e Zahos se e imja dhe e mbaj mend shumë mirë një ditë kur Erioni më telefonoi, i ekzaltuar si gjithmonë, edhe kur telefonon për një pusetë, edhe kur telefonon për një projekt transformues për brezat, dhe më tha: “E gjetëm lal. U zgjidh kjo punë”. Më foli për Tumon dhe është diçka sinqerisht përtej ëndrrës sime më të bukur”, tha Rama.

Ai shtoi se ky projekt arrin që të bëjë bashkë të fëmijët dhe të rinjtë me teknologjinë. “Është diçka e jashtëzakonshme dhe dua t’i përgëzoj me shumë përulësi ideatorët e kësaj qendre sepse besoj që është një model që arrin të bëjë bashkë dy gjëra që duken shumë të largëta për njëra-tjetrën: fëmijët dhe teknologjinë. Arrin të bëjë bashkë duke u dhënë në njëfarë mënyre mundësi fëmijëve jo thjesht të mësojnë të përdorin teknologjinë, por për t’ju dhënë mundësi që të orientohen”, u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi se kjo nismë shënon një tjetër hap të madh në rrugën e vështirë midis të bukurës dhe të shëmtuarës në Tiranë. “Më vjen mirë që është krijuar kjo amalgamë forcash dhe energjish, një tjetër hap konkret i madh në rrugën shumë të vështirë mes së bukurës dhe të shëmtuarës në Tiranë. Është një gjë e jashtëzakonshme për mua që, ky vend, i cili sot është një destinacion melankolik i shëmtisë, të kthehet në një destinacion energjik i bukurisë sepse potenciali është i këtu”, deklaroi Rama.

Ai vlerësoi kryebashkiakun Veliaj për punën e bërë për zgjimin e Tiranës nga gjumi dhe transformimin e saj në këto vite. “Kemi pasur shumë përpjekje gjatë viteve dhe me

Erionin kemi diskutuar që në fillim kur ai mori mandatin për ta zgjuar Tiranën nga gjumi. Vazhdimisht pyetja ishte: çfarë mund të ishte që mund ta mbante godinën gjallë? Është e vërtetë që në fund erdhëm te pika që kjo godinë duhet t’u shkonte fëmijëve dhe të rinjve”, tha Rama.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e vlerësuar bashkëpunimin me AADF-në si një garanci për suksesin e këtij projekti, theksoi se ky projekt do t’i japë Tiranës një tjetër xhevahir të çmuar pas sheshit “Skëndërbej” dhe Pazarit të Ri. “Më duket sikur këtë bisedë po e bëjmë në Suedi, sepse Suedia është vendi ku kodimi për fëmijët fillon që në klasën e parë. Në Tiranë do të fillojmë të kodojmë, të merremi me robotikë, me inteligjencë artificiale, softëare design nga mosha 5 vjeç deri 35 apo 45 vjeç. Sigurisht, fokusi më i madh do të jetë tek ata në moshë shkollore, pra shkolla 9 vjeçare dhe e mesme, pastaj do kemi programe të veçanta edhe për ata që janë në moshë më të rritur, universitare. Ideja është që të shkohet në një vend të bukur, jo në një tjetër shkollë ku dikush shkon me detyrim se do marrë një notë, por në një hapësirë që është jo vetëm në zemër të qytetit, por që është edhe xhavahiri më i çmuar i qytetit, pas projekteve si sheshi “Skënderbej” apo Pazari i Ri”, tha Veliaj.

Ai shtoi se zbatimi i modelit TUMO do ta kthejë Tiranën në një nga qendrat më të mëdha të zhvillimit të teknologjikë krijuese, jo vetëm në rajon. “Më vjen mirë që Tirana dhe Parisi janë dy stacionet e radhës të TUMO-s. Do të jetë në fakt një lloj ‘pallat pionierësh’ për teknologjinë e informacionit. Më vjen mirë që edhe në Tiranë kemi uri për dije, që do të lindin nga kjo piramidë, le më pastaj se çfarë mund të përdorim në të ardhmen”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se projekti i transformimit të Piramidës do të ruajë disa nga karakteristikat nostaligjike të kësaj godine, siç është rrëshqitja në muret e saj, si dhe do ta kthejë atë edhe si një pikë panoramike për qytetin.

Drejtori i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael D. Granoff u shpreh i bindur në suksesin e bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës, ashtu si edhe në rastin e Pazarit të Ri, për ta shndërruar këtë godinë në një hapësirë të dashur për shqiptarët. “Është një nder dhe kënaqësi që përfaqësoj Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe ky projekt përmbledh shumë prej gjërave që jemi munduar të bëjmë që nga fillimet tona. Shumë njerëz e shohin këtë piramidë në të shkuarën dhe ky projekt lidhet tërësisht me të ardhmen. Nëse mendojmë se si do të duket Shqipëria pas 10-20 vjetësh, është që të shohim fëmijët këtu dhe nëse fëmijët kanë akses në teknologji, është e sigurt se Shqipëria ka prosperitet. Po fusim diçka të re në sistem, që mund të sjellë ndryshim. Suksesi është të gjejmë modelet më të mira në botë, t’i përshtasim për mjedisin vendor dhe të arrijmë suksesin në Shqipëri”, deklaroi Granoff.

Projekti i rijetësimit të Piramidës parashikon një godinë transparente dhe plot dritë, për të krijuar idenë e një vendi që merr frymë në Tiranë. Për këtë parashikohen që të përdoren sa më shumë xhama, për të bërë të mundur që drita natyrale të dominojë në ambientet e brendshme të saj. Gjithashtu, projekti synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa të jetë e arritshme nga të gjitha anët.

Piramida do të shërbejë si një lloj inkubatori për bizneset në fushën e inovacionit, artit dhe kreativitetit. Risi e revitalizimit të qendrës qëndron në faktin se modeli TUMO është një lloj i ri i përvojës arsimore në kryqëzimin e teknologjisë dhe dizajnit. Të rinjve do t’u jepen mjetet dhe njohuritë që kanë nevojë për të arritur potencialin e tyre dhe ata do të jenë në gjendje të zhvillojnë aftësitë e tyre të të mësuarit për t’u përballur me sfidat e shekullit 21. Programi i të mësuarit TUMO përbëhet nga aktivitete të vetëmësimit, workshope dhe laboratorë në 14 programe të ndryshime nën mbikëqyrjen e ekspertëve më të mirë nga e gjithë bota./ KultPlus.com

Prezantohet në Torino botimi italisht i librit “Kurban”

Libri “Kurban” i Kryeministrit Edi Rama, i botuar tashmë në gjuhën italiane, është prezantuar në Panairin e Librit në Torino.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Rama shkruan “një surprizë e këndshme pjesëmarrja në Sallën Blu të Panairit të Librit në Torino, ku së bashku me të papërsëritshmin Vitorio Sgarbi, prezantuam botimin italisht të “Kurbanit”.

“Faleminderit Arlinda Dudajt për përkushtimin, Ada Prizrenit për përkthimin dhe Daria Bignardi-t, për parathënien, tre gra të veçanta pa të cilat libri nuk do kishte rënë dot në dorën e lexuesve italianë”, – citon Rama.

Libri “Kurban” i Kryeministrit Rama është përkthyer edhe në turqisht./ KultPlus.com

Rama ndër 10 liderët e botës më aktiv në Facebook

Kryeministri Edi Rama renditet në dhjetëshen e liderëve më interaktivë në botë në rrjetin social Facebook. Renditjen e ka bërë Twiplomacy, institucion që monitorin rrjetet sociale të liderëve dhe organizatave në të gjithë botën.

I pari në listë renditet presidenti amerikan Donald Trump me 204. 908.135 ndërveprime (përfshirë pëlqimet, komentet dhe shpërndarjet).

Kryeministri indian Narendra Modi arriti 113.6 milionë ndërveprime në faqen e tij, më shumë se dyfishi i presidentit indonezian Joko Widodo me gati 46 milionë ndërveprime.

Kryeministri i Kamboxhias bie nga vendi i dytë në vendin e katërt, me vetëm 36 milionë ndërveprime. Samdech Hun Sen shpesh ndan fotografitë familjare të vetes me gruan dhe nipërit e mbesat e fotot e tij duke luajtur golf. Ai gjithashtu ka kthyer faqen e tij në faqen e internetit për ngjarjet e drejtpërdrejta, transmetimin e ndeshjeve të futbollit dhe Zërin e Kamboxhisë.

Presidenti i Argjentinës Mauricio Macri është në pozitën e pestë me 33 milionë interaksione dhe një normë ndërveprimi prej 0.69 përqind në postimet e tij. Më tej renditet Shtëpia e Bardhë, Justin Trudeau i Kanadasë, Uhuru Kenyatta i Kenisë, faqja institucionale e Kryeministrit indian.

Ndërsa dhjetëshen e liderëve më interaktivë për 2017-n e mbyll kryeministri Edi Rama me mbi 13 milion reagime./ KultPlus.com

Libri “Kurban” i Ramës del në libraritë italiane

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën duke ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale lajmin se libri i tij “Kurban” sapo ka dalë në libraritë italiane, i përkthyer në italisht.

“Mirëmëngjesi dhe me librin e sapodalë në libraritë italiane ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama./ KultPlus.com

Edi Rama: Kam gjak shqiptari jo llum kazani në vena

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar pas zhurmës së ditës së sotme me rastin e protestave nga qytetarët e Kukësit, në lidhje me taksën e autostradës Kosovë- Shqipëri që është vënë së fundi nga Qeveria e Shqipërisë,shkruan KultPlus.

Rama ka reaguar mbi komunikimin e sotëm që është adresuar tek Rama, por ky i fundit ka deklaruar se ai ka gjak shqiptari, për më shumë mund ta lexoni të plotë reagimin e tij.

Kam nje lajm për ata që merren me frymëmarrjen time në komunikimin e sotëm: Kam gjak shqiptari jo llum kazani në vena. Zemrën e kam në vend jo në zorrë. Mish e shpirt i kam në dispozicion të detyrës dhe të atyre që e duan këtë vend megjithë mend e këtë popull megjithë zemër!/KultPlus.com

Përfundon projekti i Manastirit të Mesopotamit (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të diele duke promovuar anën kulturore të vendit.

Ai ka publikuar një video në Facebook, ku publikon pamje të manastirit të Mesopotamit në Sarandë.

Rama bën me dije se ka përfunduar projekti për ndërhyrjet e nevojshme mbrojtëse.

Kryeministri thotë se puna nis së shpejti, duke ruajtur pamjen historike të manastirit.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje fantastike të manastirit të Mesopotamit, për të cilin është përfunduar projekti për ndërhyrjet e nevojshme mbrojtëse dhe puna nis së shpejti, ju uroj një të diel të qetë”, shkruan Rama. / KultPlus.com

Mirush Kabashi për Teatrin Kombëtar: Pas projektit të Ramës, qëndron mafia e ndërtimit

Mirush Kabashi është një nga artistët e shumtë, kundër prishjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një teatri të ri.

Aktori i njohur i skenës dhe kinemasë, e sheh prishjen e Teatrit Kombëtar të lidhur me interesa të mafies së ndërtimit.

Ai thotë për “Panorama”, se pas projektit të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, qëndron mafia e ndërtimit.

“Nuk e pashë projektin për teatrin e ri sepse nuk isha i ftuar në Kryeministri, pasi konsiderohesha me biografi jo të mirë artistike. Kur e sheh se si është konceptuar në urbanistikën e saj, atëherë e kupton se ajo nuk është e sinqertë dhe ajo nuk përmbledh mundësitë e ndërtimit të një Teatri Kombëtar, pavarësisht se aty është paraqitur ana arkitektonike dhe jo ana funksionale. Për këtë nuk është folur fare, ndërsa karakteri kombëtar i godinës së re nuk është përfillur fare. Teatri i Durrësit është në qendër të qytetit, ai i Shkodrës po ashtu, i Elbasanit apo i Korçës. Ndërsa Teatrin Kombëtar po e bëjmë një teatër krejtësisht të maskuar, të jetë një kusur apo një apendiks i ndërtimeve shumëkatëshe që do ndërtohen, ky është një abuzim që i kalon interesat e artistëve”, thotë ai.

“Më shqetëson funksionaliteti dhe mundësia sesi mund të ndërtohet më mirë dhe fakti që imponohet dhe nuk bëhet një diskutim i hapur, sepse mund të ketë dhe variante të tjera, ndoshta më të mira. Ajo që kërkohet, mbi të gjitha është transparenca që të bëhet një gjë e qëndrueshme dhe artistike dhe të tillë mund ta bëjnë vetëm artistët dhe jo politika, e aq më tepër ekzekutivi, që mesa duket është i kapur dhe i lidhur me interesa të mëdha të një lloj organizmi të frikshëm, që quhet mafia e ndërtimit”, vijon më tej aktori i njohur./ KultPlus.com

Rama prezanton projektin e Teatrit të ri Kombëtar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë prezantimit të projektit të ndërtesës së re të Teatrit Kombëtar, e cila siç theksoi ai, do të realizohet në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe sipërmarrjen private, vuri në dukje se ndërtesa e re do të ketë trefishin e hapësirës që ka sot dhe nuk do të jetë me kullë.

“Ndërtesa do shembet dhe mbi gërmadhat e të shkuarës do ngrihet teatri i ri kombëtar. Kushtet e teatrit sot janë poshtëruese për artistët. Nuk do jetë teatër me kullë, por s’do kishte asnjë mëkat të ishte nën kullë, se njerëzit shkojnë të shohin teatër dhe jo kullë. Këtu nuk është historia se çfarë ka sipër, apo anash, pavarësisht se sipër do ketë hapësirë teatrale në qiell të hapur dhe anash do ketë hapësirat e veta për artistët. Ne kemi bërë për teatrin aq sa pasur mundësi, por kemi bërë më shumë se të gjitha vitet e marra së bashku. Nga 3000 metra katror rrënoja do të kemi 9 mijë metra katror. Nga 1 sallë do të kemi 4 salla për shfaqje. Teatri është pjesë e një propozimi për një partneritet publik privat. Sipërmarrësi garanton projektin për teatrin e ri, por nuk vjen për të humbur”, u shpreh Rama.

Në Shtëpinë e Bardhë, kryeministrit Rama i dorëzohet çmimi për ruajtjen e kujtesës së Holokaustit (VIDEO)

Kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës, dje i është dorëzuar çmimi për pluralizëm kulturor, ceremoni kjo që është mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, dorëzuar nga i emëruari i Presidentit Trump në krye të Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Amerikane në Botë, Paul Packer, shkruan KultPlus.

“Një surprizë e posaçme ceremonia e marrjes sot, në Shtëpinë e Bardhë, të ÇMIMIT PËR PLURALIZMIN KULTUROR, dorëzuar nga i emëruari i Presidentit Trump në krye të Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Amerikane në Botë, Paul Packer.

Çmimi për angazhimin në ruajtjen e kujtesës së Holokaustit dhe mbrojtjen e së vërtetës historike, një nder shumë i veçantë për mua, qeverinë tonë dhe padiskutim Shqipërinë që rrezaton, gjithnjë e kudo, me shembullin e saj të mbrojtjes së popullit hebre, gjatë orëve të zeza të Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar Rama nw facebook./KultPlus.com

Rama nga Uashingtoni: Shqiptarët dorëzuan listën e floririt, por hebrenjtë kurrë tek nazistët

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në Konferencën e Komitetit Izraelit-amerikan të Çështjeve Publike prej ku foli për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Përgjatë intervistës së zhvilluar në Uashington, Rama theksoi se vendi ynë është në vend të parë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Ne jemi kundër ekstremizmit të dhunshëm, dhe Netanjahu na ka premtuar se do jetë ndër partnerët kryesorë që do të na mbështesë. Jemi shembull i jashtëzakonshëm ku myslimanët e të krishterët bashkëjetojnë më së miri,” tha Rama, shkruan konica.al

Kryeministri gjithashtu foli për miqësinë që kanë dy vendet Shqipëri dhe Izrael dhe dha lajmin se për herë të parë këtë verë do të këtë udhëtim të drejtpërdrejtë me avion nga Shqipëria për në Izrael.

Rama gjithashtu kujtoi kohën kur populli ynë ka mbrojtur hebrenjtë duke mos dorëzuar asnjë tek nazistët, por duke i mbajtur në shtëpitë e tyre: “Shqipëria tregoi listën e floririt, po asnjë hebre.”

Shqipëria ka Xhaminë e Beqarëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, koordinatori i TİKA Tiranë Necip Özay Özütok, drejtoresha e IMK-së, Arta Dollani, së bashku me anëtarët e këshillit të ministrave dhe deputetë, vizituan Xhaminë e Mbretit në Berat, ku inspektuan dhe morën informacion rreth punimeve të restaurimit.

Një marrëveshje bashkëpunimi e cila u nënshkrua ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Skënder Bruçaj i ka hapur rrugën këtij procesi, që parashikon 5 Monumente kulture të besimit islam ti nënshtrohen ndërhyrjes restauruese.

Gjatë vitit 2018 nis zbatimi i disa projekteve të restaurimit, investime të rëndësishme, në tre prej objekteve të kultit në Berat:

Projekt restaurimi i Xhamisë Mbret, Projekt restaurimi i Xhamisë së Beqarëve, Projekt restaurimi i Teqesë Helvetive.

Ky projekt realizohet nga IMK, në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Koordinim dhe Bashkëpunim TIKA.
Xhamia Mbret është një nga objektet e kultit islam më të rëndësishëm në qytetin e Beratit dhe monument kulture i kategorisë së I. Ndërtimi i saj daton në shekullin e XV-të, dhe vazhdon me disa faza deri në shek. XIX.Xhamia Mbret së bashku me Teqenë Helvetive dhe Konakët e Teqesë përbënin qendrën e qytetit të Beratit në periudhën mesjetare. Projekti i restaurimit të Xhamisë Mbret ka si qëllim kryesor nxjerrjen në pah të vlerave të trashëgimisë kulturore të këtij monumenti.

Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në: Konsolidimin strukturor të monumentit, Restaurimin e çatisë, Çlirimin e muraturës nga ndërhyrjet e papërshtatshme me llaç çimento dhe realizimi i suvatimit me teknika dhe materiale tradicionale, Konservimin dhe restaurimin e piktures murale, Restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë si tavanet, mafili etj., Instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes.

Projekti trajton Xhaminë Mbret dhe Teqenë Helvetive si pjesë e një kompleksi duke i dhënë shumë rëndësi përfshirjes së punimeve për sistemimin dhe vlerësimin e territorit.

Teqeja Helvetive është ndërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në vitin 1781 dhe mban statusin e Monumentit të Kategorisë së I. Tavani i dekoruar i këtij monumenti cilësohet si një nga tavanet e dekoruara prej druri më të bukura në Ballkan. Ambienti kryesor i monumentit është i dekoruar me pikturë murale si dhe ka një mafil me strukturë druri. Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në:

Konsolidimin strukturor të monumentit, Restaurimin e çatisë, Punime konservuese dhe restauruese të pikturave murale dhe të pikturave në strukturën drusore të mafilit, Restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë si tavani, mafili etj, Restaurimin e dritareve me elementë gipsi dhe xham me ngjyrë, Instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes.

Xhamia e Beqarëve është ndërtuar nga i biri i Ibrahim Pashë Vlorës, Sulejman Pashë Vlora në vitin 1827. Xhamisë i janë bërë ndërhyrje pas Luftës së Dytë Botërore në vitet ‘40 dhe ’50, ndërsa në vitet 1968 dhe 1978, xhamia i është nënshtruar ndërhyrjeve të thella restauruese. Projekti i restaurimit mbështetet mbi një analizë të thellë historike dhe arkitektonike duke shfrytëzuar gjithë materialet arkivorë dhe bibliografinë mbi këtë monument. Veçantia e këtij monumenti janë pikturat murale në fasadë që datojnë në të njëjtën periudhe me ndërtimin e vetë objektit.

Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në:
– Konsolidimin strukturor të monumentit
– Restaurimin e çatisë
– Punime konservuese/restauruese të pikturave murale në ambientet e brendshme dhe fasadë
– Restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë
– Instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes./KultPlus.com

Princi Leka i përgjigjet Ramës: Unë, mbreti i Shqipërisë dhe Kosovës

Pas deklaratës së Ramës që Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një president të përbashkët, Princ Leka ka hedhur një tjetër propozim.

Sipas princit, Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkohen me një Mbret.

Pavarësisht debateve, Princ Leka është shprehur se kjo nuk ishte një deklaratë e tij emotive, por një qëndrim i Familjes Mbretërore ndër vite dhe breza.
“Një mbretëri kushtetuese, do të sillte sigurisht më shumë stabilitet, pasi është një institucion që qëndron larg partive politike. Këtu u referohem mbretërive evropiane. Një tjetër shembull janë Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e Commonwealth, ku 16 shtete i janë bashkuar kurorës mbretërore.Kjo është një formulë e ngjashme dhe e suksesshme propozuar gjithashtu nga i ndjeri Arbër Xhaferri, i cili ishte nga të fundit vizionare të rrallë të kombit tonë”, tha ai.

“Mbretëritë kushtetuese janë gjithashtu vendet me demokratike që njohim.Familjet Mbretërore sot nuk bëjnë politikën e vendeve respektive, por garantojnë stabilitetin e institucioneve, garantojnë unitetin kombëtar nëpërmjet promovimit dhe mbrojtjes së traditës, vlerave, kulturës dhe historisë së vendit!”- ka deklaruar Princ Leka për Diell Online.

A është gati Princ Leka për të qenë mbreti i shqiptarëve?
Familja Mbretërore do të respektojë kurdoherë vullnetin e popullit! Të jesh Princ trashëgimtar apo Mbret, është një betim dhe dedikim i jetës në shërbim të kombit, dhe jo një post pune!

Përse Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkohet me një mbret?

Për qëndrueshmëri dhe përforcim të mëtejshëm të imazhit kombëtar, gjë e cila do të sjellë më shumë prosperitet dhe begati në vendet tona.
Për Mbretërinë Shqiptare Atdheu është një komb i vetëm, fatkeqësisht sot i ndarë në pjesë.

Edi Rama: Kam një lidhje me Konicën dhe Nolin

Mënyra e të veshurit, stili i tij i veçantë i mbajtjes së një palë atleteje apo kollaret shumëngjyrëshe, nuk është se i kanë shpëtuar vemendjes së moderatorit Mustafa Nano në emisionin “Provokacija”, në “ABC News”. Trendi që ai ka ofruar i ka dy anët e medaljes. Ka nga ata që e kanë përqafuar, por pas nuk ngelen edhe kritikat.

Me veshjen, sipas Nanos, kryeministri është i ngjashëm me natyrën e Faik Konicës.

Edi Rama: E di që kam një lidhje kështu…

Mustafa Nano: Me Konicën?

Edi Rama: Po e di. Me Konicën dhe me Nolin. E kam jetuar gjithmonë si një lidhje timen të fshehtë me ta./konica.al

Edi Rama: Shqipëria dhe Kosova ta kenë një President

Kryeminsitri Edi Rama,ka thënë se Kosova dhe Shqipëria pas dhjetë vitesh mund ta kenë një President.

Shefi i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka propozuar një President gjithëkombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.

Këto dy propozime, Rama i ka bërë gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, për nder të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta po pse jo një president simbol të unitetit kombëtarë dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, ka thënë Rama, në fjalimin e tij.

E ka pranuar se një ide e tillë nuk është e realizueshme tash po ka thënë se edhe dicka që ëndërrohet mund të realizohet.

“Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i qëllueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, ka shtuar ai.

Ai ka këshilluar Kosovën dhe Serbinë të vazhdojnë dialogun për fqinjësi të mirë dhe të bëhen pjesë e BE’së si dy Shtete të pavarura./KultPlus.com

Edi Rama publikon pamjen e re të Teatrit të Tiranës (VIDEO)

Nga rrënoja të harruara për dekada me radhë tani është duke u ndërtuar Teatri i ri i Tiranës, duke u transformuar çdo ditë në hapësira evropiane me artin dhe kulturën e munguar.

Me këto fjalë e ka nisur kreu i qeverisë Edi Rama, mëngjesin e sotëm.

“Mirëmëngjesi dhe me këto pamje nga progresi i punimeve për ndërtimin e Teatrit të ri të Tiranës, ku rrënojat e një ndërtese të harruar për dekada të tëra po transformohen çdo ditë në një hapësirë europiane më shumë, të munguar për dekada për artin dhe kulturën, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Punimet për ndërtimin e Teatrit të ri të Tiranës kanë nisur në vitin 2016 në kuadër të Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane./ KultPlus.com

Edi Rama publikon vulën e akteve shtetërore të Skënderbeut (FOTO)

Edi Rama kryeministri shqiptar, mëngjesin e së mërkurës ka publikuar vulën e akteve shtetërorë të Skënderbeut, shkruan KultPlus.

“MIRËMËNGJES
dhe me këtë imazh spektakolar të vulës së akteve shtetërore të Gjergj Kastrioti Skënderbeut (që mund ta kundroni sot në sallën e krijuar enkas në Pallatin e Kongreseve, në këtë 17 janar të 550-të të vdekjes së Heroit Kombëtar), ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Edi Rama.

Muzeu i hapur te Pallati i Kongreseve do të vizitohet ditën e mërkurë dhe të enjte nga ora 10:00 deri në 22:00 të mbrëmjes.

Në të mund të shihni imazhe të Skënderbeut dhe artefakte autentike pjesërisht të pashfaqur më parë, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes se Gjergj Kastriotit Skënderbeut./ KultPlus.com

“Ylli i mëngjesit” me imazhe të Skënderbeut dhe artefakte autentike, që nga sonte në Tiranë (VIDEO)

Që nga fillimi i vitit 2018-të, nuk ka ndonjë ditë që nuk po organizohet dhe paralajmërohet ndonjë ngjarje në shënim të 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Kësisoj, kryeministri shqiptar, Edi Rama, është ai që bashkë me qeverinë e tij shpalli vitin 2018-të, Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ndërsa ky vit duket se po festohet në mënyra të ndryshme e mjaft kreative. Rama, e ka nisur ditën sot duke publikuar pamjet e përgatitjeve të fundit të muzeut muzeal “Triditëshi i Yllit të Mëngjesit”, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për një labirint ndërveprues imazhesh të Skënderbeut dhe artefaktesh autentike pjesërisht të pashfaqur më parë, që nga mbrëmja e sotme pritet të çelet në Tiranë, në hollin e Pallatit të Kongreseve, si pikë kulmore e 550 vjetorit të vdekjes se Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

“MIRËMËNGJES
dhe ju uroj një ditë të mbarë me përgatitjet e fundit për ta bërë të ndriçojë siç duhet Yllin e Mëngjesit, i cili, pasi mori rrugëtimin e tij fantastik më 28 nëntor në Vlorë, do të qëndrojë në Tiranë gjatë tre ditëve të jubileut të Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, ka shkruar Rama.
Mësohet se muzeu do të vizitohet falas prej ditës së sotme, ora 19:30 me 22:00 të mbrëmjes si dhe të mërkurën e të enjten, nga ora 10:00 me 22:00 të mbrëmjes./ KultPlus.com

Turizmi malor në Malësinë e Madhe, pamje përrallore (FOTO)

Kryeministri shqiptar Edi Rama, mëngjesin e së hënës, u ka uruar të gjithë shqiptarëve një ditë të mbarë, me pamje përrallore nga Malësia e Madhe, shkruan KultPlus.

Me disa fotografi në Lepushkën e Kelmendit, Edi Rama, ka treguar se aty ka nis të jetësohet turizmi malor.

“MIRËMËNGJES
dhe me këto pamje përrallore nga Lepusha e Kelmendit, në Malësinë e Madhe, vetëm pak kilometra larg nga Shkodra ku ka nisur të jetësohet turizmi malor, ju uroj një javë të mbarë”, ka shkruar Edi Rama./ KultPlus.com

Rama për Nolin: E pamundur të mos ulim gju për të pavdekshmin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dje ka përkujtuar Fan Nolin në 136 vjetorin e lindjes së tij.

“Sot, më 6 janar, është e pamundur të mos ulim gju, siç thuhej dikur, në përnderim të 136 vjetorit të lindjes së të pavdekshmit Imzot Nolit, prelat dhe poet, themelues, 110 vjet më parë, i Kishës ortodokse të shqiptarëve në Amerikë, historiograf ekzigjent sot e gjithë ditën i vlerësuar, i jetës dhe gjesteve të Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, thotë Rama.

“Viti Mbarëkombëtar 2018, në frymën e trashëgimisë së heroit kombëtar, është i të gjithë bashkatdhetarëve, por, edhe ca më shumë borxhli i veprës noliane”, shprehet më tej ai në Facebook, duke e përfunduar postimin me “Për shumë vjet o Kryezot!”./ KultPlus.com

Edi Rama: Faik Konica rizbuluesi i simboleve dhe gjuhës së pavdekshme shqipe

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, përmes rubrikës së tij Amarcord, kujtoi Faik Konicën në 75 vjetorin e vdekjes së tij, shkruan KultPlus.

Rama, tha se edhe 75 vite pas ndarjes së tij nga jeta, Faik Konica vjen prapë me jehonën e një fjale të mprehtë si shpata me dy tehe, për të na kujtuar sa stimuluese, ndonëse jo pa mundime, është të përpiqesh të përfaqësosh denjësisht vendin amë, në mërgim dhe në kohë të turbullta.

“AMARCORD – Viti i Skënderbeut
I vetmi, i paarritshmi Faik bej, në venat e të cilit rridhte gjaku i spikatur i oxhaqeve më zulmëmëdhenj shqiptarë, na vjen edhe 75 vjet pas ndarjes së tij nga jeta, me jehonën e një fjale të mprehtë si shpata me dy tehe, për të na kujtuar sa stimuluese, ndonëse jo pa mundime, është të përpiqesh të përfaqësosh denjësisht vendin amë, në mërgim dhe në kohë të turbullta.
Në këtë Vit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, më shumë se kurrë meriton të kujtohet rizbuluesi i simboleve dhe gjuhës së pavdekshme shqipe, Faik bé Konitza!”, shkruan Rama, në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com

Kur Edi Rama ndau çmime në “Këngën Magjike” (VIDEO/FOTO)

Edicionin e parë e nisi në vitin 1999. “Kënga Magjike”, një ndër festivalet më të mëdha të muzikës në trojet shqiptare, rriti shumë breza dhe popullarizoi shumë emra të këngëtarëve shqiptar të cilët tashmë po korrin suksese edhe ndërkombëtare.

Ky festival mirëpriti emra të shumtë si për të kënduar në atë skenë të madhe që sjellë emocion, ashtu edhe për të ndarë çmime. 2 çmime të dy edicioneve të ndryshme të “Kënga Magjike”, i ndau tashmë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Çmimin e parë të edicionit të parë të “Kënga Magjike”, e ndau kryeministri Rama, çmim ky që i takoi këngëtares Elsa Lila me këngën “Vetëm një fjalë”, shkruan KultPlus. Ndërsa çmimin e dytë kryeministri Edi Rama e ndau në vitin 2002, çmim ky që shkoi për Mira Koncin me këngë “E pathëna fjalë”.

https://www.youtube.com/watch?v=idwrXQTeDwQ

Një çmim në vitin 2000 e pati ndarë edhe këngëtarja e madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha, çmim ky që u takoi Irma dhe Eranda Libohova me këngën “Një mijë ëndrra”.

“Kënga Magjike” në vitin 2004 u pati mbajtur në Kosovës, në sallën 1 Tetori, ndërsa çmimin e parë e pati fituar Irma Libohova me këngën “Prapë tek ti do vijë”.

Sivjet ky festival festoi edicionin e 19-të, ku fituese doli të jetë Anxhela Peristeri me këngë “E çmendur”./ KultPlus.com