Edi Rama, uron 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë me flamurin Kombëtar dhe atë të Kosovës (FOTO)

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, me një fotografi të Flamurit Kombëtar dhe Flamurit të Kosovës, uron gjithë shqiptarët për 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, shkruan KultPlus.

“Të gjithë shqiptarëve kudo janë, nga Vlora u uroj GËZUAR 105 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË”, ka shkruar Edi Rama, në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com

Shtëpia e Flamurit në Korçë hapet nesër, takohen dy Qeveritë: Rama e Haradinaj

Shtëpia e Flamurit në Korçë është gati për tu hapur ditën e nesërme. Madje ajo do të promovohet së pari nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Shqipëri-Kosovë. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ka postuar këto foto të transformimit pas djegies e rrënimit shkruan se Ministria e Kulturës të cilën ajo po e drejton edhe në këtë mandat të dytë, e mbajti premtimin dhe e ndërtoi.

“Në 2013, premtuam që do e rindërtojmë, sepse është një ndërtesë shumë e rëndësishme historie për Korçën dhe për Shqipërinë, për Kombin dhe për Kulturën. Ministria e Kulturës e mbajti premtimin, e ndërtoi! Sonte ajo është gati, për të hapur dyert për të parën herë nesër, për qeverisjen e përbashkët Shqipëri-Kosovë dhe më pas për t’u kthyer në një qendër kulture e për kulturën”,- shkruan ministrja Kumbaro.
Kumbaro nuk lë pa përmendur edhe kalvarin e gjatë të shkatërrimeve e lënies në harresë nga shteti deri në vitin 2013, ku siç shkruan ministrja e Kulturës “hetimi nuk bëhej kurrë për “mungesë provash”./KultPlus.com

Edi Rama e Ramush Haradinaj do të shpallin zyrtarisht llogon e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut

Në dy ditë mbledhje të përbashkët, qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës do të firmosin 4 marrëveshje. Axhenda tashmë është gati.

Qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës, do të takohen të hënën dhe të martën, më datë 27 dhe 28 nëntor, në Korçë dhe Vlorë.
Mbledhja e përbashkët do të nisë në orën 16:00 të së hënës dhe në orën 17:15 do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare, e cila do të pasohet nga një konferencë e përbashkët e dy kryeministrave, Rama dhe Haradinaj.

Të dy delegacionet do të zhvendosen në ditën e pavarësisë, në qytetin e Vlorës, ku në mesditë do të organizohet ceremonia e ngritjes së Flamurit në sheshin e “Pavarësia”.
Pas ceremonisë, do të shpallet zyrtarisht edhe logoja e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, shkruan 27.al.

Pas axhendës së ditës, dy delegacionet do të nisen për në Tiranë, ku do të marrin pjesë në pritjen që organizohet nga Presidenti i Republikës, me rastin e festës kombëtare. Edhe qeveria e Kosovës ka shpallur ditën e 28 nëntorit, si festë kombëtare dhe ditën e shqiptarëve./KultPlus.com

Edi Rama: Akademia e Shkencave sot është kufomë e vetvetes

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar me grupin reformator të Akademisë së Shkencave, me ç’rast u diskutua ecuria e mëtejshme e institucionit.

“Unë kam kërkuar reformimin e Akademisë së Shkencave si një proces që duhet të vinte në udhën e një reflektimi brenda jush, brenda gjithë trupës së përfshirë në këtë institucion me propozime konkrete, mbi të cilat pastaj ne do të mund të zhvillonim një diskutim të përbashkët në funksion të transformimit të domosdoshëm të këtij institucioni në diçka tjetër. Siç e kam thënë dhe në diskutimin që kemi pasur më parë e vërteta është që Akademia e Shkencave sot është kufoma e vetvetes. Ajo nuk reflekton as vizionin e etërve themelues”, tha kryeministri Rama në fillim të takimit./ KultPlus.com

Edi Rama: Aleksandër Lalo, poeti i tastierës

Mbrëmë është ndarë nga jeta kompozitori i njohur shqiptar Aleksandër Lalo, i cili njihet për një punë të shkëlqyer në fushën e tij, shkruan KultPlus.

Ai poashtu ka punuar kolonat zanore të shumë filmave shqiptarë dhe vdekja e tij ka prekur jo vetëm artistët. Kryeministri shqiptar Edi Rama ka shprehë dhimbjen për humbjen e kompozitorit.

“Aleksandër Lalo, poeti i tastierës u nda nga jeta duke lënë pas një pemë të bukur mbushur plot me cicërima. U prehtë në paqe”, ka shkruar Rama në facebook./KultPlus.com

Sali Berisha: Rama censuroi këngën e Kastro Zizos në RTSH

Emri i Kastro Zizos ishte përmendur si kandidat i mundshëm i edicionit të sivjetmë të RTSH-së, por dje janë bërë publik emrat e këngëtarëve pjesëmarrës, ku emri i Zizos mungon në këtë listë, shkruan KultPlus.

Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha nëpërmjet një statusi në fb ka reaguar duke thënë se këtë këngë e ka censuruar Rama, dhe sipas tij, po kthehet censura e viteve të 70-ta. Poashtu në reagimin e Berishës është publikuar edhe teksti i kësaj kënge, sipas të cilit, është edhe arsyeja që është censuruar kjo këngë.

Më poshtë është reagimi i plotë i Sali Berishës,sikurse edhe teksti i këngës së Kastro Zizos.

Rikthehet Censura!
Kjo eshte kenga qe u censurua!
Te dashur miq, Noriega me Gellçin e tij te zi rikthyen censuren ne festivalin e kenges ne RTSH.
Njelloj si dikur ne vitet 1970 Kristaq Rama censuronte artistet, sot Edvin Kristaq Rama vazhdon vepren e zeze te te atit si xhelat i lirise se krijimit.
Lexoni mesazhin e kompozitorit dixhital! sb
“Pershendetje Doktor. Pa ju besdisur po ju nis nje kenge ende te pa bere publike interpretuar nga Kastro Zizo e cila sonte me urdher te Gellquit u hoq nga konkurimi ne festivalî e RTSH-se. Pikerisht se eshte me mesazh dhe shume e angazhuar…! Teksti eshte mesazh i cili prek nje nga plaget e shoqerise shqiptare.
Per te gjithe ata qe iken nga vendi i tyre me dhimbjen e familjareve qe lane mbrapa, per nje jete me te mire. Siguruan nje vend nje jete jashte kufinjeve, por mbeten te huaj, madje edhe ne vendin e tyre…
Pra si nje vals qe nuk ndalon… pra kercejne me jeten deri ne fund, nuk dorezohen…
Kur çensurohet artisti apo artistet si dhe krimtaria e angazhuar nje shoqeri ka marre fund…!
Ps: forca eshte te teksti i kesaj kenge me nje vals (vals jete) ne mes…!
Me falni per mesazhi e gjate…ju falenderoj dhe shume respekt”
I huaj…
I përgjumur një mëngjes vere
Lash në tavolinë një letër të ftohtë
Duke mbajtur shtrënguar fort lotët
Me fjalët: M’duhet të iki, nuk rri dot
Pastaj vazhdova me fjalë të tjera
“M’duket se vendi nuk më përket”
Më prisje që në agim tek dera
Me the: ikja jote larg, po më vret!
S’ka kuptim të qëndrojë këtu
Mjaft me mëshirë për njeriun e lirë
Do endem i huaj, diku,
Se Burgun e mjerimit se kam kapërdirë
Më fute në xhepin e ftohtë
Një shami nëne që thotë lamtumirë
Të duhet të jesh e fortë
Se kjo është krenaria e njeriut të lirë
Ika larg teje atë natë
Si një ëngjëll që nuk kishte më krah
Se kështu më thërrisje i vogël
Isha vecc një djalosh mama
Tani më sheh me maska
Tek endem i vetëm në mërgim
Me ikjen time të vrava,
E shoh vështirë të ketë më kthim
Këtu është ndryshe nëna ime
Është një parajsë me qiell sterr të zi
Njerësit qëndrojnë herë pas herë dyshe,
Po mes tyre ka shumë vetmi
Dhe unë gjeta punë, shoqe jete
Gjeta mundesinë për pak ngrohtësi
Por kam shumë mallë për rrugët e mjera
Udhëtojë në ëndrra tek shtëpia ku rri ti
Tani kam një djalë të vogël
I kam vënë emrin e vëndit tim
Arbër e thërrasin shokët
Dhe ai i huaj këtu në këtë vegim
Mezi sa pres të vij
Të tregojë jetën time të plotë
Do të ishte shumë krenare
Do të gëzoheshe, e heshtur në lotë
Ti me zgjon dreq (djall’), me th’rret të bie, në dëshpërim
Unë i huaj, të ftoj në një vallëzim
Hidhu, kërce me jetën o njeri
Valsin e ëmbël të robërisë
Me shiko me zjarrë në sytë e mi
Do të digjesh si njeri i lirë
Eja të ngjitemi në qiell të dy
Si shtegëtarë pa emër në errësirë
Do t’tregojë me mijëra yje që shndrisin si ty
Që nuk shuhen asnjëherë

Jam i ngopur e dashur
20 vjet vallëzova me shpirtin tim
kërceva valsin si xhonglier nate
dhe askush se kuptojë që ishte vec një film
Tani më duhet të kthehem tek ty
Ka ardhur koha të të kthejë shaminë e ftohtë
Të ecim në pragun e derës të dy
Dhe ti të shpërthesh e lodhur në lotë
Shikoj fytyrën tënde
Dhe eci i ngjathët drejt teje nënë
Më dukesh si atëherë e re
Por sytë e rinisë të kanë lënë
Tani do jemi bashkë
Edhe pse gjumë pranë një shtrati të bardhë
Nuk lëvizë më ajri
Dhe lëkura e ngrohtë e duarve të është tharë.
Ti më zgjon djall, me th’rret të bie, në dëshpërim
Unë i huaj, të ftoj në një vallëzim
Hidhu, kërce me jetën o njeri
Valsin e ëmbël të robërisë
Me shiko me zjarrë në sytë e mi
Do të digjesh si njeri i lirë
Eja të ngjitemi në qiell të dy
Si shtegëtarë pa emër në errësirë
Do t’tregojë me mijëra yje që shndrisin si ty
Që nuk shuhen asnjëherë
Merre jeten tende tregoje si fëmijë
Merre dhe vallëzimin tonë të kercesh në pafundësi
Mos harro nga vjen, mos harro asnjëherë!
Se i huaji në këtë vënd nuk je ti
Eja të ngjitemi në qiell të dy
Si shtegëtarë pa emër në errësirë
Do t’tregojë me mijëra yje që shndrisin si ty
Që nuk shuhen asnjëherë”./KultPlus.com

Kryeministri Rama i dërgon letër vajzës nga Tropoja

LETËR NJË VAJZE NGA TROPOJA
E dashur vajzë nga Tropoja,
mora prej jush nga zyra ime e shtypit një letër të hapur në media (pa emër) të cilën ju e nisni kështu:
“Po ju drejtohem me një letër të hapur ju, kryeministër i vendit! Po ju drejtohem, me shpresën se nga ju do marr një përgjigje edhe pse e di që ajo përgjigje nuk do vijë, ndoshta kurrë”!
Nuk po ju pyes ku e dini ju që përgjigja ime nuk do t’Ju vijë, me siguri keni arsyet tuaja për ta thënë këtë me kaq forcë. Por dua ta mësoni, ndoshta për habinë tuaj më të madhe, se unë i’u përgjigjem të gjitha letrave që më vijnë.

Mbase s’do të keni më ndonjëherë frymëzimin a nevojën të më drejtoheni, po nëse do t’ju duhet të më shkruani, jo vetëm mua po edhe çdo anëtari të qeverisë, mjafton ta bëni këtë përmes platformës online shqiperiaqeduam.al dhe përgjigja nuk do të vonojë fare t’ju vijë! Për këtë herë, meqë ma keni dërguar letrën tuaj si ato shishet në det qëmoti, kështu po jua kthej dhe përgjigjen, me shpresën se shishja ime do t’u mbërrijë përmes detit të mediave online nëse nuk jeni pjesë e rrjetit këtu.
I kam ndarë të dyja në pjesë, edhe tuajën edhe timen, për lehtësinë e lexuesve që mund të mos e kenë lexuar tuajën e kësisoj mund të mos e ndiqnin dot timen.

“Sot po bie ndesh me të gjitha parimet e mia, me të gjithë ata kufinjtë që i kam vendosur vetes përgjatë këtyre viteve, sot po shemb gjithë ato kulte me të cilat jam rritur, dhe po i përgjerohem dikujt, po i lutem dikujt, në këtë rast ju. Zotëri! Të ju pyes diçka?

Keni dëgjuar ndonjëherë për nje vend alpin, të vogël të quajtur Tropojë?”, vijon letra juaj.
Natyrisht që ju e dini që unë kam dëgjuar për Tropojën dhe e kuptoj pozimin vetëviktimizues të pyetjes suaj, sinqerisht. Por më vjen mirë t’ju them me këtë rast se jo vetëm kam dëgjuar, po edhe e kam vizituar Tropojën, këtu e thuajse 30 vjet më parë si student i arteve, për një praktikë njëmujore, gjatë së cilës jam përpjekur t’ia pikturoj mrekullitë e kam pasur fatin të njihem me disa njerëz mbresëlënës, si edhe të dëgjoj për dervishin e famshëm të Luzhës. Pastaj, vite më vonë, jeta politike më solli përsëri në atë zonë që më pikëlloi me shëmbëlltyrën e papikturueshme të zymtisë prej paslufte që e kishte pllakosur dhe vënë përfund. Dhe së fundmi më risolli detyra si kryeministër, për të ndjekur projektet e Rilindjes Urbane që u financuan nga qeveria ime, duke çelur një kapitull të ri, shumë më të gjatë se sa faqja e çelur me ato projekte, të cilat sipas meje kanë sjellë ca dritë kundër zymtisë së trashëguar me vite të tëra… Apo ju nuk mendoni kështu ndoshta? Nuk e di, po kur e vizitova herën e fundit, gjatë fushatës elektorale, ndjeva përsëri dëshirën për ta pikturuar, mes rrezes së dritës së rikthyer në zemrën e Bajram Currit dhe zymtisë që ende mbretëron mbi ngrehinat në brendësi të trupit të qytetit, në pritje të investimeve të tjera për më shumë dritë.

Më pyesni pastaj, “Po ç’ju lidh ju ose mua me Valbonën?!”, dhe vijoni, “S’ma do mendja të mos keni qënë të paktën një herë në Valbonën alpine, ose të paktën një herë të mos jetë hapur një bisedë mes miqsh ku është përmendur emri i saj, ose, ose në takime zyrtare dhe konferenca ndërkombëtare kur u keni treguar të tjerëve për bukuritë e vendit tonë, s’ma merr mendja që s’e keni përmendur dhe Valbonën. Pastaj kur keni bërë mbledhje dhe keni diskutuar për buxhet, për fonde, për statistika, për turistë, besoj e keni dëgjuar dhe këtu emrin e Valbonës, kur ju kanë thënë që është rritur numri i turistëve në Shqipëri dhe një ndër vendet më të vizituara ka qënë Valbona”.

E vërtetë në fakt, kam qenë në Valbonën alpine dhe jam larë në ujin akull qelibar të asaj rrjedhe përrallore, asokohe kur ju tregova se e vizitova për herë të parë Tropojën. Edhe kur shumë më vonë kam diskutuar për buxhet e për fonde, e kam pasur parasysh Valbonën dhe kam kërkuar të financohet rruga e re e saj. E cila pat nisur nën qeverinë e mëparshme, po si të tëra rrugët e këtij vendi pat mbetur edhe ajo rrugëve, ndërkohë që tanimë është prej kohësh e përfunduar, në shërbim të banorëve dhe turistëve. Këta të fundit parashoh se do të shtohen, për çdo vit e më shumë, edhe falë këtyre e të tjera investimeve që do të bëjmë me patjetër për Tropojën (jo vetëm në qytet). Prandaj edhe po përpiqem të nxis investitorë për të ndërtuar hotele të klasit të parë në atë zonë të bekuar nga Zoti e të harruar nga robi për çerekshekulli liri-demokraci!

Këtu mbaron edhe pjesa që i përket pozimit vetëviktimizues të parashtresës suaj dhe më pas ju ekspozoni motivin e saj, “Dje ndodhi diçka që nuk duhej të ndodhte, ose ndoshta ishte e kushtëzuar që të ndodhte në mënyrë që unë t’u shkruaja ju. Dje morën një vendim zotëri, e dëgjuat?”.
Besoj e keni fjalën për vendimin e gjykatës lidhur me dy HEC-et që po ndërtohen në Valbonë apo jo?
“Dje vendosën “përfundimisht” ta shuanin Valbonën dhe lumin e saj. Nuk dua të them përfundimisht, prandaj dhe po e vendos në thonjëza, sepse nuk dua dhe as nuk do e besoj që nuk do ta dëgjoj më këngën e atij lumi. Ju, keni në dorë timonin apo jo?”.

Timoni që unë kam në dorë nuk drejton gjykatat, e dashur vajzë nga Tropoja! Sepse gjykatat janë një pushtet tjetër, i pavarur siç i përcakton kushtetuta dhe i korruptuar siç i përcakton populli; opinion që unë e ndaj plotësisht. Timoni që unë kam në dorë drejton thjesht dhe vetëm shumicën qeverisëse. E cila po ju mësoj nëse s’e dini apo nëse e keni harruar, ka ndërmarrë me kurajo e vendosmëri reformën në drejtësi dhe ka mundësuar Vetingun, të vetmet gjëra që mund të bënte pas çerekshekulli kalbëzim të drejtësisë, një shumicë qeverisëse e përgjegjshme për rolin e saj, në shërbim të drejtësisë që duan e që meritojnë njerëzit e këtij vendi. Por ju mbase e ligështuar prej vendimit të gjykatës, nuk doni ta dëgjoni këtë arsyetim, sepse përndryshe nuk do të ma kërkonit mua që me timonin tim të kthej nga rruga makinën e gjykatës!
“Prandaj bëni diçka se timoni po ju ikën nga duart! Bëni diçka ju lutem që të mos jeni as ju as ne humbës!” vazhdoni ju.
Në fakt unë e kam bërë detyrën time, domethënë gjithçka që mund të bëja, për një projekt që të miratuar më parë nga dikush që fjalën Tropojë e ka dëgjuar shumë dekada para meje dhe Valbonën e ka shijuar mijëra e mijëra herë më shumë se sa unë. Në projektin e miratuar prej tij nuk ishin dy, sa janë sot, po katër HEC-e dhe plus një varg të tjerësh me radhë, bash 13 HEC-e(!) përgjatë Valbonës! Dhe këta katër, që kishin kry punë me shtetin me të gjitha letrat, ishte qeveria ime që i frenoi për t’i rishikuar, duke i reduktuar në dy në numër dhe transformuar në formë e përmbajtje; ndërkohe që vargut të 9 të tjerave nuk u janë dhënë letrat e fundit që u mungonin.

Do të më vinte keq nëse do ta merrnit këtë shpjegim si fajësim të atij që i’a bëri peshqesh Tropojës e Valbonës këtë zhvillim të paarsyeshëm, sepse në fakt çka dua të bëj është vetëm t’ju tregoj se e kam bërë gjithçka ka qenë e mundur me timonin tim, që dy HEC-et e dala nga rishikimi të bëheshin miqësore me mjedisin. Dhe më besoni, janë shumë më të pranueshme se ç’ishin, edhe pse unë ato leje s’do t’i kisha dhënë kurrë (por as nuk i anulloja dot, sepse janë dhënë nga qeveria shqiptare e kjo, ligjërisht do të mjaftonte që në rast anullimi, HEC-et të bëheshin prapëseprapë – jo 2 po 13 – edhe shteti të merrte penalitet financiar, për mohimin po nga qeveria shqiptare të një të drejte të dhënë më parë).
“Po ju lutem, po ju përgjërohem ashtu siç nuk i jam lutur as përgjëruar askujt më përpara! Po ju lutem të vini dorën në zemër, po ju lutem me lot në sy! Po ju përgjërohem sepse vetëm ju mund të bëni diçka ! Ju lutem zotëri! Mos i lini të na e shkatërrojnë Valbonën! Do jem në pritje të një përgjigje nga ju, një përgjigje që uroj të vijë para se të jetë shumë vonë…”, përfundon letra juaj.

Përgjigjja ime siç e shihni erdhi shumë shpejt, edhe pse jo ashtu siç do ta donit ju përmbajtjen e saj! Sepse timoni që unë kam, nuk është çudibërës dhe makina që unë drejtoj as nuk i neutralizon dot të gjitha minat e vëna në të shkuarën në rrugën tonë, as nuk hyn dot në korsinë e pavarur të makinës së pushtetit gjyqësor. Të cilën vetëm zbatimi i reformës në drejtësi dhe Vetingut, mund ta çojë për skrap që, pastaj të futet në atë korsi një makinë e re me shoferë që nuk grabisin pasagjerët e tyre.
Por sidoqoftë, në mbyllje, për aq sa mund të vlejë kjo që po ju them, mos u ligështoni më shumë se sa ç’duhet, sepse Valbona nuk do të shkatërrohet nga ndërtimi i atyre dy HEC-eve! Thjesht nuk do të jetë më virgjëresha që ishte, por jini e bindur, do të mbetet një shtojzovalle e mrekullueshme me dy nishane të pakuptueshëm në trupin e saj./KultPlus.com

Edi Rama: Nuk e financojmë Akademinë e Shkencave, një nëndetëse që kalbet në rërë

Kryeministri Edi Rama edhe njëherë ka sulmuar ashpër Akademinë e Shkencave duke e cilësuar si një nëndetëse që kalbet në rërë, ndërsa tha se qeveria nuk do ta financojë atë. “Ne nuk do të financojmë ASH, do të duhet të hyjë në një proces reforme që nuk mund të diktohet nga shteti” tha zoti Rama gjatë takimit të grupit parlamentar dhe qeverisë, shkruan atsh.

“Nuk kemi disponibilitetin që të mbështesim një nëndetëse që kalbet mbi rërë dhe nuk jep asgjë për vendin prej shumë vitesh” tha zoti Rama. Si dhe më parë kryeministri socialist tha se “…paratë e shpenzuara kot për rrogat dhe shpenzimet e pajustifikuara do të shkojnë për kërkimin shkencor në Universitet”.

Qëndrimi i zotit Rama ndaj akademisë është bërë publik pak kohë më parë në prag të zgjedhjeve të organeve drejtuese të saj. “Nëse nuk reformohet Akademia e Shkencave nuk do marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të duhet të dorëzojë godinën! Prandaj #StopFarsës” u shpreh zoti Rama në prag të zgjedhjeve. Ndërsa menjëherë pas zgjedhjeve i pakënaqur nga mënyra e zgjedhjes zoti Rama shkruajti: “Meqë “Akademia” zgjodhi farsën, uroj të gjejnë dhe fondet për vijimin e farsës!Fondet tona do t’i shkojnë universitetit për kërkim shkencor!”/KultPlus.com

Blendi Fevziu në ‘Letërsi në nxitim’, komenton fyerjet e Edi Ramës ndaj gazetarëve (VIDEO)

I ftuar për të folur për “Letërsi në nxitim” në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë të zhvilluar në Tiranë, gazetari Blendi Fevziu, interesit të bashkëbiseduesve për polemikat e shkaktuara nga sulmi i Kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarëve iu përgjigj kështu:

“Nuk Besoj se i ka fyer, sepse që të të fyejë duhet të jetë njeri shumë i rëndësishëm. Unë mendoj se Rama më shumë se sa në raport me mediat, ka tentuar të tërheqë vëmendjen nga skandalet e radhës dhe ka tentuar të tërheqë furtunën mbi vete dhe kjo është një strategji PR-i në të cilën për hir të së vërtetës Rama është shumë i mirë”, ka thënë Fevziu.

Si autor i dy librave biografik ai për Enver Hoxhën dhe Ahmet Zogun, ai vlerëson se politikani që mund të jetë në të ardhmen personazh i librave të tij është Sali Berisha.

“Është shumë interesant. Pas vitit 1990, por edhe tani vazhdon të ketë një ndikim, Berisha ka qenë ndoshta personazhi më influent i historisë së Shqipërisë”, thotë tutje ai.

I mendimit se çdokush që angazhohet të shkruajë, pavarësisht vlerave letrare, jep një kontribut për vendin e tij, Blendi Fevziu e ka një kritikë edhe për historianët, qofshin ata të vjetër apo të rinj.

“Kanë një paaftësi totale të reagimit ndaj shikimit serioz të historisë. Në qoftë se ne kemi një fushë që e kemi sot më problematike dhe gati-gati qesharake, ajo është historiografia.”

Cili është roli i medias?

“Po mund të kishe pyetur Edi Ramën më mirë për këtë sepse këto ditë është edhe më në formë për këtë çështje.”
Në bashkëbisedimin me të rinjtë dhe nën moderimin e gazetares Alda Bardhyli, Blendi Fevziu foli për poezinë e tij të parë të shkruar në klasë të shtatë për Arbëreshët e Italisë, për dy kritikët që i beson krijimtarinë e tij, Aurel Plasari dhe Pirro Misha, për interesin e momentit ndaj librave historikë dhe shkrimtarin e fundit që lidhet me luftën në Kosovë.(Marrë nga KlanTV)./ KultPlus.com

Gazetarët evropianë bëjnë thirrje të ndalen fyerjet e Ramës

Edhe Federata Evropiane e Gazetarëve ka reaguar rreth ofendimeve të lëshuara nga kryeministri Edi Rama në drejtim të gazetarëve, pak orë pas seancës së Kuvendit për Saimir Tahirit.

Përmes një deklarate për media shoqata në fjalë shoqata ne fjalë dënon veprimin e kryeministri dhe inkurajon gazetarët që të bëjnë punën e tyre.

EFJ mbështet shqetësimin e gazetareve shqiptare pas fyerjeve dhe intimidimit që bëri kryeministri Edi Rama një ditë më parë.

Në deklaratë konkludohet: Federata Europiane e Gazetareve sjell në vëmendje se çdo gazetar ka të drejtën të bëjë pyetje që edhe mund të mos u pëlqejnë politikaneve dhe kjo nuk është një arsye për t’i intimiduar e sulmuar ata për punën e tyre investiguese. Kjo sjelle e përsëritur ndaj gazetareve shqiptare, duhet te ndalet./KultPlus.com

Edi Rama: Pas 27 vjetësh, në maj përfundon rruga turistike për në Velipojë

Në sezonin e ri turistik, turistët do të kenë lehtësi më të mëdha sa i përket udhëtimit, sidomos ata që kanë destinacion Velipojën, shkruan KultPlus.

Vetë kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur për nisjen e punëve në rregullimin e kësaj rruge, nëpërmjet një statusi në fb.

“Mirëmëngjes dhe me lajmin e mirë se, pas 27 vjetësh, përfundon në maj rruga turistike për në Velipojë, një nga destinacionet më të populluara të bregdetit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në FB./KultPlus.com

Sot shënohet Dita e Lumturimit të Nënë Terezës

Sot shënohen 14-të vjetori nga Lumturimi i Anjeze Gonxhe Bojaxhiu-Nënë Tereza, humanistja shqiptare fituese e Çmimit Nobel për Paqen, shkruan KultPlus.

Këtë ditë, e ka uruar edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili çdo ditë iu uron mëngjesin e mirë ndjekësve të tij në rrjetin social Facebook, me nga një lajm të këtij lloji.
“MIRËMËNGJES
dhe gëzuar Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës”, ka shkruar Rama.

Nënë Tereza e Kalkutës u lumturua në 19 tetor të vitit 2003 nga Papa Gjon Pali i II-të, si simbol i ndihmës dhe respektit për “më të varfëritë e të varfërve”, të cilëve ajo u kushtoi krejt jetën.

Pikërisht kjo ditë është shpallur festë kombëtare nga shteti shqiptar./ KultPlus.com

Në Qeverinë Rama, edhe në Ministrinë e Arsimit një zëvendësministre nga Kosova

Me publikimin e listës së zëvendësministrave në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, është bërë e ditur se në këtë përbërje ka edhe zëvendësministra që vijnë nga Kosova, shkruan KultPlus.

Përpos Valbona Shujakut që tashmë është emëruar zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës dhe Hajrulla Çeku në atë të Turizmit, bazuar në këtë listë, në Qeverinë Rama është edhe një zëvendësministre nga Kosova.

Në Ministrinë e Arsimit, zëvendësministre është zgjedhur Besa Shahini, poashtu nga Kosova./KultPlus.com

Rama prezanton dy zëvendësministra nga Kosova (FOTO)

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sapo ka publikuar listën e zëvendësministrave në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, shkruan KultPlus.


Bazuar në këtë listë, në Qeverinë e Shqipërisë, risia e emrave të zv/ministrave ishin dy emrat nga Kosova. Valbona Shujaku emërohet zv/ministre e Kulturës, ndërsa Hajrulla Çeku – zv/ministër i Turizmit dhe Mjedisit. Emërimi i dy zv/ministrave nga Kosova është një nga risitë e Ramës në kabinetin qeveritar. /KultPlus.com

BBC sjellë kronikë kushtuar muzikës së sazeve shqiptare (VIDEO)

BBC, ka publikuar një video bashkë me një shkrim të shkurtër për muzikën e mrekullueshme të sazeve shqiptare, përcjell KultPlus.

Kjo kronikë, tregon se si kjo muzikë saze, që për shumë veta mbetet ende e panjohur , të mbërrijë tek një audiencë botërore. Poashtu këtë kronikë e ka publikuar edhe kryeministri shqiptare Edi Rama, me të cilën edhe ua ka uruar shqiptarëve ditën e diel.

Po e sjellim të plotë storien:

Kur rritesh nën regjimin komunist, në një kënd të izoluar të Europës, bota moderne nuk mbërrin tek ty. Gjërat e veçanta të vendit tënd, të cilave ti u gëzohesh, të formësojnë, mbeten me ty, ato edhe mund të të përndjekin. Tingujt e adoleshencës sime në Shqipëri, nuk ishin këngët e “The Beatles” apo “Rolling Stones”. Ne kishim kolonën tonë zanore. Ajo që po dëgjoni është një kaba për violinë, një vajtim. Është saze, muzika tradicionale e jugut të Shqipërisë. Kur vendi u hap ndaj botës dy dekada më parë, njerëzit filluan të lëvizin nëpër botë dhe me ta edhe muzika e tyre. Jam takuar me njërin prej artistëve që po e mbajnë gjallë këtë muzikë.

“Quhem Aurel Qirio. Jemi këtu jashtë kishës së Shën Lukës në Barbican Centre ku do të japim shfaqe pas disa javësh”. Aureli është violinisti i parë në një grup muzikantësh shqiptarë që po njihen në gjithë botën. Ata quhen Saz’iso dhe pas dy javësh do të publikojnë një album me pesëmbëdhjetë këngë tradicionale, që do të pasohet nga koncerti i tyre i parë jashtë Shqipërisë, këtu në kryeqytetin e Britanisë. “Kur erdha në Londër para pesë vjetësh, ishim vetëm unë dhe violina, fëmija im. Nuk dija se ku do të luaja me violinën time dhe muzikën e vendit tim. Jam shumë krenar dhe mendoj se njerëzit në Londër do e dëgjojnë me shumë interes këtë muzikë.”.

Por si mundi kjo muzikë saze, që për shumë veta mbetet ende e panjohur, të mbërrijë tek një audiencë botërore?

Joye Boyd është një producent muzikor me famë botërore. Ai ka prodhuar regjistrime për grupe si “Pink Floyd” dhe “Buena Vista Social Club” në Kubë dhe tani e ka kthyer vëmendjen e tij nga Shqipëria. Më takoi në studio me koproducentët e tij, Andrea Gerkler dhe Edit Pula nga Tirana.

Kur filloi ai të pasionohej pas muzikës? “E kam pasur gjithmonë ëndërr të shkoja në festivalin e Gjirokastrës. Çdo pesë vjet në Shqipëri organizohet një koncert i gjithë muzikës kombëtare. Lart në kështjellë, pamje fantastike, me malet rreth e rrotull dhe muret e kështjellës. E kam ditur prej vitesh dhe e kam pasur gjithnjë ëndërr që të shkoja. Herën e parë shkova para tre vjetësh e gjysmë. Dëgjova muzikën dhe u mahnita. Muzika e sazes ishte më e pasura dhe ajo që ia vlente më shumë të regjistrohej dhe të përhapej nëpër botë. Ka vërtet diçka të vetën, diçka të thellë, diçka, nuk e di, tragjike ose më komplekse që sigurisht që mund të pritet nga karakteri shqiptar. Sa më shumë e dëgjon, aq më shumë thellohesh në të, aq më shumë ndjenja, shpirt, më shumë thellësi ndjen dhe veçanërisht isopolifonia është aq mrekullisht komplekse. Mënyra sesi dy zëra improvizojnë, sesi ndërthuren me njëri-tjetrin në arabeskët e kësaj muzike eshtë diçka shumë joshëse. Nuk është se të rrëmben, por të bën për vete”.

Edit është nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë. Si u përfshive në këtë histori, në këtë projekt? “Edhe unë e zbulova këtë muzikë si një e huaj, sepse jetoja në Angli dhe kur u ktheva në Shqipëri vazhdova të zbuloj me tej muzikën tonë. Dhe siç e di, pas periudhës komuniste, muzika popullore konsiderohej totalisht demode. Por ajo ishte diçka shumë familjare e fëmijërisë sonë. Ti je rritur me muzikën popullore si muzika e vetme që mund të dëgjonim në të vetmen radio kombëtare që kishim. – Ajo ishte dhe muzika që shoqëronte stinën e verës, dasmat, të gjitha momentet e gëzuara që kishim gjatë kohës së komunizmit. Në një farë mënyre, ajo është çka na lidh me kujtimet tona të bukura. – Me thënë të drejtën, ajo ishte e vetmja, sepse ne s’e kishim kurrë mundësinë të dëgjonim asnjë muzikë tjetër. Pasi jetova trembëdhjetë vjet në Mbretërinë e Bashkuar, fillova të kuptoj se sa e pazbuluar është muzika shqiptare dhe ndaj fillova gradualisht dhe me mjete shumë modeste që t’i kthehesha asaj dhe të bëja diçka.”

Në një farë mënyre ishin muzika, tingujt e muzikës nga Jugu i Shqipërisë që i bashkuan. Joe, ti ke ardhur këtu me bashkëshorten tënde, Andrean. Muzika shqiptare është bërë si diçka shumë personale për ty, apo jo? – Po, ashtu është, sepse ne u martuam gjatë realizimin të këtij projekti dhe në një farë mënyre muzika shqiptare është kolona zanore e asaj ngjarjeje. Mendoj se jemi dakord se që të dy pëlqejmë këngën e tretë në listë, “Penxherene e zotërisë sate”, për dramën që mbart. Edhe pse flet për një djalë adoleshent, i cili i lutet vajzës që jeton në shtëpinë ngjitur që t’i japi shaminë. Zërat e grave tregojnë historinë dhe nuk është e nevojshme të kuptosh fjalët për të ndjerë emocionin”.

Edit, po të kthej pas në kohë. Shqiptarët kanë filluar të udhëtojnë. Njerëzit kanë filluar të dëgjojnë për Shqipërinë, për kulturën, për muzikën. A ka pasur kjo gjë impakt mbi muzikën dhe vendin?” – “Absolutisht! Brezat e rinj kanë filluar ta mësojnë atë, ta kërcejnë, ta praktikojnë. Madje dhe në lokale trendi tani mund të dëgjosh ansamble të muzikës folk që performojnë. Mezi po e prisja këtë ringjallje të muzikës tradicionale shqiptare”. A mendon se ka vend në skenën e muzikës botërore për muzikën shqiptare?” – “Mund ta shohësh të ashtuquajturën skenë të muzikës botërore në mënyrë shumë cinike dhe të thuash se moda ndryshon dhe se prozhektorët spostohen nga mali në tango, në gamelan, zhvendoset sipas një trendi të ri, një zbulimi të ri. Shqipëria tani është nën dritën e prozhektorit. Njerëzit po e ripëlqejnë këtë muzikë, e cila ka ngjallur interes. Sollëm në Tiranë Jerry Boys, inxhinierin e “Buena Vista Social Club” që të regjistrojë këtë muzikë dhe them se tingëllon njësoj, ka po të njëjtën ngrohtësi magjike. Shpresojmë që do të kapi momentin dhe interesi për muzikën të rritet nga anë të ndryshme të Shqipërisë dhe muzika shqiptare do t’i bashkohet standardeve të muzikës botërore, të cilën njerëzit anë e mbanë botës vërtet e respektojnë dhe kanë interes./ KultPlus.com

Kalaja e Lezhës, e restauruar dhe me shërbime të reja për vizitorët e turistët e shumëfishuar (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka postuar sot në rrjetin social një video me pamje nga Kalaja e Lezhës, e cila është restauruar dhe tashmë ofron shërbime të reja për vizitorët e turistët e shumëfishuar.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këto pamje fantastike nga Kalaja e Lezhës, e restauruar dhe me shërbime të reja për vizitorët e turistët e shumëfishuar”, shkruan kryeministri Rama.

Kalaja e Lezhës ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440 ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe nga ana e tyre. Këtu mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane. Objektet më interesante për t’u vizituar janë rrënojat e ndërtesave osmane brenda kalasë, xhamia, kulla në murin juglindor me një hark romak dhe kulla ilire në murin jugor. Kalaja e Lezhës është monument kulture. Prej saj shihet një pamje mjaft e bukur e fushës së Lezhës dhe e detit Adriatik. /KultPlus.com

Haradinaj: ‘Viti i Skënderbeut’ do të bashkojë edhe më tej shqiptarët

Nën kryesinë e dy kryeministrave, Edi Rama i Shqipërisë, dhe Ramush Haradinaj, i Kosovës, në Tiranë është mbajtur sot takimi i parë inaugurues i Komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj është shprehur i kënaqur që një organizim i tillë do të bashkojë edhe më tej shqiptarët.

Viti i Skënderbeut do të nisë me mbledhjen e dy qeverive më 27 nëntor e vijon të nesërmen më 28 nëntor në 105 vjetorin e Pavarësisë. Kryeministri Rama e quajti këtë vit si motiv për të ripërtërirë lidhjet me njëri-tjetrin dhe si një yll orientues të rrugës së përbashkët, në funksion të një të ardhme të merituar për të gjithë shqiptarët.

“Nuk kishte se si sot, teksa kryeministri i Kosovës e nderon Shqipërinë me vizitën e tij zyrtare, mos të nguteshim që të çelnim siparin e përpjekjes së përbashkët për konkretizim të një viti simbolik që e duam të favorshëm dhe frymëzues për të gjithë shqiptarët, viti nën shenjën e paperëndueshme të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut” tha kryeministri Rama.

Nën kujdesin simbolik të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, Viti i Skënderbeut do të bëjë bashkë në aktivitete të ndryshme botën akademike e universitare të dy shteteve, por edhe të vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarët. /KultPlus.com

Obrist, harroje këtë histori me Edi Ramën

Shkruan Vincent W.J. van Gerven Oei

Kuratori zvicerian Hans Ulrich Obrist, në një artikull të botuar më 18 shtator, në revistën e artit artsy.net, përpiqet në mënyrë të dëshpëruar të fitojë pikë duke shfrytëzuar kapitalin kulturor të artistëve të mirënjohur botërorë, të tillë si gjermani Joseph Beuys dhe kubanezja Tania Bruguera. Të dy artistët njihen për ndërhyrjet e tyre në politikë.

Në artikull, Obrist nuk le pa përmendur edhe Kryeministrin Edi Rama (dhe “mikun e tij të ngushtë Anri Sala”), “programin” e të cilit ne “duhet ta kuptojmë [..] në kuadër të skulpturës shoqërore të Beuys-it”.

Obrist qëllimisht harron se të dy artistët Beuys dhe Bruguera ishin pjesë e lëvizjeve opozitare kundër regjimeve konservatore apo diktaturës — Beuys ishte themelues i Partisë së Gjelbër gjermane, dhe Bruguera është kritike e njohur e regjimit kubanez.

Ndërsa Edi Rama është, në fakt, pjesë e qenësishme e klasës së politikanëve/oligarkëve të vetëpasuruar, i cili e përdor artin për të shmangur vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar nga politikat e tij shkatërruese, përmes “idiotëve të dobishëm” të tipit të Obristit.

Që Obrist nuk di asgjë për politikën bashkëkohore shqiptare është e qartë nga referenca që ai i bën projektit “pastrim dhe gjelbërim” të gati 20 vjetëve më parë kur Rama ishte kryebashkiaku i Tiranës.

Por Obrist injoron me dashje politikat aktuale të Ramës si “artisti në detyrë”, të cilat përfshijnë shkatërrimin e thesareve natyrore në të gjithë vendin, kthimin e Shqipërisë në hambarin e drogës së Europës dhe shndërrimin e Shqipërisë në një “kosh” për hedhjen e mbeturinave të vendeve të tjera.

Siç e kam thënë shumë herë më parë, në vend që të përdorë artin për të rishikuar dhe ndryshuar politikën, Rama është shembulli i dikujt që përdor gjuhën e artit bashkëkohor për t’u dukur “perëndimor”, “kozmopolitan” dhe “i civilizuar”: pra, përdor zhgarravinat e tij shumëngjyrëshe e pa kuptim për të maskuar fytyrën e shëmtuar të një regjimi grabitqar.

Do të ishte e udhës t’i kujtonim Obristit se në të njëjtën revistë ku ai ka publikuar banalitetin e radhës, është publikuar dhe një recesion i dy kritikëve të artit për punën e Edi Ramës. Ata shkruajnë se “për të qënë tërësisht të sinqertë, punimet nuk do të kishin shumë rëndësi nëse ato nuk do të ishin bërë nga Kryeministri i Shqipërisë”.

Ndoshta, ne mund të kemi nevojë për më shumë artistë në politikë, por ama qartësisht edhe për më pak politikanë në art./ KultPlus.com

Fotografi e vjetër, Gjelosh Gjokaj bashkë me Edi Ramën (FOTO)

Sot shënohet përvjetori i parë i vdekjes së artistit të madh shqiptar Gjelosh Gjokaj, po gjurmët që ka lënë në artin shqiptarë vlerësohen të jenë një pasuri e madhe për këtë komb, shkruan KultPlus.

Se një marrëdhënie të mirë artistike kishte pasur Gjelosh Gjokaj me artistin shqiptar Edi Rama, tashmë kryeministër i Shqipërisë, pat treguar në statusin e vitit të kaluar vetë Edi Rama.

Kurse KultPlus ju sjellë një fotografi nga kjo miqësi, e realizuar në galerinë Schröder, Augsburg në vitin 1992. Në radhën e parë, nga e majta Schröder Galerist dhe Gjelosh Gjokaj, radha e dytë nga e majta Sami Bicaj Taki Pavlovski dhe Edi Rama./KultPlus.com

Një vit pa artistin e madh shqiptar Gjelosh Gjokaj (FOTO)

Ai la pas vetes më shumë se 3 mijë vepra në pikturë e grafikë, kurse Edi Rama me rastin e vdekjes së artistit, një vit me herët pat shkruar se ndarja e tij nga jeta është e trishtueshme, pasi ndërpret një fazë tejet interesante ku kishte hyrë krijimtaria e tij, në moshën që Pikaso e quante ideale për t’u rikthyer në fëmijë!, shkruan KultPlus.

Një vit pa artistin e madh shqiptar Gjelosh Gjokaj, i cili pat vdekur pikërisht më 25 shtator, në një spital të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ishte themelues i shkollës së artit pamor – grafikës në Prishtinë. Ai la pas vetes më shumë se 3 mijë vepra në pikturë e grafikë.
Akademik Gjelosh Gjokaj u lind në vitin 1933 në Milesh të Tuzit në Mal të Zi.

Shkollën e Mesme të Artit dhe më pas, studimet e larta në Akademinë e Artit i kreu në Beograd. Diplomoi më 1963. Në vitet 1964-1969 themeloi degën e grafikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Nga viti 1969 deri më 1983, punoi dhe jetoi në Romë. Që prej 1983 jetonte në Augsburg, Gjermani./KultPlus.com

Rama: TKOB transformim në një hapësirë dinjitoze dhe europiane për artin dhe kulturën (FOTO)

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në Facebook fotot nga kantieri i transformimit rrënjësor i Teatrit të Operas dhe Baletit.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këto pamje nga kantieri i transformimit rrënjësor të Teatrit të Operas dhe Baletit në një hapësirë dinjitoze dhe europiane për artin dhe kulturën”’, shkruan kryeministri Rama në “Facebook”.

Ritmet intensive gjatë ndërhyrjeve pritet te sjellin përfundimin në kohë të projektit. Thënë ndryshe, në vitin 2019 publiku në TKOB do të mund t’i ndjekë shfaqjet në një teatër tërësisht të transformuar dhe modern.

Projekti për rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, shumëfishon hapësirat, si për publikun, por edhe për artistët, të cilët do të kenë ambiente më komode për prova, shkruan VP./ KultPlus.com

Akademikët i shkruajnë letër kryeministrit Rama

9 anëtarë nderi të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nga Italia, Kosova, Greqia, Holanda dhe Mali i Zi, iu drejtuan kryeministrit Edi Rama me një letër, ku i apelojnë atij që të mos e shpërbëjë strukturën aktuale të akademisë, pas deklaratave te tij publike qe pasuan zgjedhjet për kryetarin atje.

Eliminimi i këtij institucioni sipas 9 profesorëve, do të çonte në një pikë pa kthim që mund të dëmtojë të ardhmen e kërkimit shkencor në Shqipëri.

Anëtarët e nderit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, thonë se shkrirja e akademisë, do të sillte krijimin e strukturave të tjera të cilat do të jenë në varësi tërësore nga politika, ashtu siç akademia, sipas tyre është ndodhur shpesh herë gjate viteve të tranzicionit.

9 akademikët në letrën drejtuar kryeministrit e përkrahin atë për idenë e reformimit të këtij institucioni, por sipas tyre, potenciali i nevojshëm për ta bërë këtë, ekziston aktualisht në Akademinë e Shkencave.

Sipas tyre detyra për rilindjen e Akademisë së Shkencave i takon kryeministrit ndërsa kolegët e tyre kanë detyrën e realizimit të reformimit të institucionit drejt standardeve moderne të kërkimit shkencor, shkruan GSH.

Letra e plotë:

Shkëlqesia Juaj Zoti Kryeministër

Ne, nënshkruesit e kësaj letre publike, në cilësinë e anëtarëve të nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ju drejtohemi me këtë apel të sinqertë, me qëllim që Ju të mos vijoni drejt shpërbërjes së institucionit në të cilin e kemi për krenari të jemi pjesë. Për më tepër Ju ftojmë të bëheni promotor i hapjes së një faze të re të dialogut me botën akademike, duke vazhduar në qëllimin përfundimtar të propozimit të një reforme të mundshme dhe rigoroze të sektorit delikat të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Edhe ne, nënshkruesit, ndajmë bindjen se pjesa më e madhe e kohës që ishte në dispozicion për të ndërmarrë një proces radikal reformues të Akademisë ka kaluar jo në mënyrë efikase, dhe se sot, ndoshta, është më se e nevojshme dhe e përshtatshme transformimii saj në një qendër kërkimore moderne dhe konkurruese ekselente.

Për shkak të ndjenjës së përgjegjësisë individuale dhe kolektive, ne mendojmë se lëvizja drejt eliminimit të institucionit do të çojë në një pikë pa kthim, që mund të dëmtojë të ardhmen e kërkimit shkencor në Shqipëri. Kjo është ajo që ne themi, pa ushqyer supozimin se disponojmë zgjidhje përfundimtare dhe efektive, dhe pa pretenduar të zëvendësojmë pritshmëritë legjitime të programit të ri qeveritar që do të bëni. Por, ndonjëherë kurajoja për të qendruar dhe për të diskutuar mund të rezultojë më përmbushëse e ndoshta edhe më e dobishme, duke evituar të biem në gabime të pariparueshme si ato kur në të njëjtën kohë bashkë me ujërat e pista hedhim edhe foshnjen. Akademia e Shkencave, si institucionet e tjera publike shqiptare, ka përjetuar tranzicionin e gjatë dhe të pafund nga diktatura në demokraci, që ka tronditur shoqërinë shqiptare. Ju vetë e keni bërë të vetëdijshme atë, kur keni theksuar nevojën për të ngritur strukturat publike shqiptare, në radhë të parë universitetet, në një regjim normaliteti.

Formula Juaj “të bëjmë shtet” ishte më e pranuara, sa më të dukshme ishin mosfunksionimet burokratike, padrejtësitë sociale, format korruptive, që, në kompleksitetin e tyre, rrënojnë shoqërinë shqiptare dhe fshikullojnë qytetarët në jetën e tyre të përditshme. Në vitet kur shqiptarëve u mohohej e drejta për t’u ndjerë “qytetarë europianë” shumë nga ne kanë qenë mbështetës aktivë të kërkesave të paraqitura në universitetet tona nga studentët e vendit Tuaj, të cilët, të dekurajuar nga kushtet e universiteteve shqiptare, synonin të studionin jashtë vendit. Ata ishin të rinj që linin shuma të konsiderueshme si “peng” për t’iu përmbajtur standardeve që i përulnin dhe i poshtëronin. Megjithatë, u arrit që shumë prej tyre të diplomohen, disa të vazhdojnë trajnimet e tyre shkencore jashtë shtetit dhe në disa raste edhe të rekrutohen në universitetet tona. Gjithë kjo ndodhi në sintoni dhe me mbështetjen e plotë të kolegëve tanë të shquar nga universitetet publike shqiptare dhe Akademia e Shkencave. Ka qenë një periudhë e gjatë tranzicioni që ende nuk ka mbaruar, por që, edhe falë ndërhyrjes Tuaj të vendosur reformuese prej disa vitesh, është karakterizuar nga një ndryshim i rëndësishëm i trendit.

Ne e gjejmë në universitetet, të cilat, ndërsa ende ankohen për hendekun me standardet evropiane (por ne i sigurojmë ata se kjo nuk është “primati” negativ ekskluziv i Shqipërisë). Megjithatë nuk mund të thuhet se janë në të njëjtin nivel me anarkinë e njëzet viteve të kaluara, ndërkohë që ka një burim optimizmi në rrugën e ndërmarrë nga universitetet shqiptare për të rindërtuar besimin tek familjet dhe studentët, duke iu bashkuar përpjekjeve të sinqerta të stafit akademik për realizimin e trajnimeve shkencore gjithnjë e më konkurruese.

Ne nuk e fshehim se xhepat e mëdhenj të rezistencës pasive pengojnë një përfundim të mirë të procesit reformues, por ky argument është fitimprurës vetëm për ata që nuk kanë kulturë qeveritare dhe i dorëzohen populizmit të zakonshëm: “sa më keq të shkojë, aq më mirë”. Sigurisht nuk është kjo tema më e përshtatshme për të trajtuar çështjen që në këto ditë ka shpërthyer në mënyrë mediale duke supozuar trajtat e një improvizimi dhe jo të një serie dramatike të vështirësisë institucionale që lëngonte prej kohësh dhe që akoma nuk ka gjetur zgjidhjet e duhura. Akademia e Shkencave ka vuajtur kërcënime politike, duke pësuar censurë të pashembullt, që, sipas nesh, përfshihet dhe ajo në faktorët që e kanë zvogëluar dhe sjellë në gjendjen komatike që ajo ndodhet sot.

Duke i prerë qendrat nevralgjike jetike, institutet historikë, të cilët përbënin motorin e vërtetë propulsiv të kërkimit shkencor gjatë periudhës komuniste, Akademia u katandis në një strukturë të thjeshtë honorifike me burime njerëzore të kufizuara e me pak stimuj, shpesh e akuzuar se ishte në “opozitë” dhe disa herë “bashkëudhëtare” e qeverive të ndryshme; duke iu nënshtruar akuzave dhe shpifjeve më të rënda , pa patur asnjë zë, të brendshëm ose të jashtëm, që të ngrihet për të kujtuar se kjo është e njëjta Akademi e Shkencave, që në periudhën më obskurantiste të historisë së Shqipërisë kishte përfaqësuar, në të mirë dhe të keq, një pikë referimi dinjitoze dhe të respektuar për albanologjinë ndërkombëtare, për të cilin asnjë studiues i huaj – ne të parët – nuk ia mohoi kurrë rolin e bashkëbiseduesit të privilegjuar. Ajo që ka ndodhur në më shumë se dy dekada ka qenë një sulm serioz ndaj lirisë së shkencës dhe së drejtës së shenjtë të kërkimit shkencor për t’u organizuar në përputhje me procedurat dhe standardet e miratuara në çdo pjesë të botës demokratike. Tentativat e sabotimit të funksionit primar, të diskreditimit të profilit profesional, të pikturimit si të një karikaturë e së shkuarës, të braktisjes në fatin e vet dhe madje deri në frikësimin e atyre që guxojnë të propozojnë përpjekje të ndrojtura për ta përshtatur atë me nivele më të pranueshme; për më tepër këtyre u janë shtuar forma të pashpjegueshme të imobilitetit, strategji konfuze që kurrë nuk u konsoliduan në projekte të vërteta dhe reale, teorema të tymosura të asimiluara nga leximi i nxituar i statuteve të të tjerëve që konsideroheshin si të përshtatshme për Shqipërinë, siç ishin ato të Anglisë, Francës ose Italisë, vende plotësisht ndryshe dhe që me të drejtë mburren me eksperienca të konsoliduara në këtë sektor. E gjitha kjo ndodhi pa hapur një diskutim të sinqertë edhe të zgjatur në kohë, për situatën aktuale dhe për shkaqet që e sollën atë, mbi hipotezën e një reforme të mundshme të përshtatshme për potencialin e një vendi në zhvillim si Shqipëria, dhe për të përmbushur njëkohësisht pritshmëritë për një specializim të lartë të gjeneratave të reja dhe për një vleftësim të avancuar të mallrave dhe burimeve ekonomike, mjedisore, kulturore dhe industriale të vendit. Me një fjalë, një projekt të vërtetë dhe të përshtatshëm i cili shikonte të ardhmen e Akademisë pa iu nënshtruar domosdoshmërisht polemikave të paqarta dhe debatit të kryer këto ditë nga filozofët e rinj me qëndrim gjakftohtë, nga të cilat Shqipëria duket se ka mrekullisht me shumicë pas rrëzimit të regjimit të vjetër.

Zoti Kryeministër,

Nuk Ju fshehim se eliminimi përfundimtar i Akademisë së Shkencave nga tabloja institucionale e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor trondit ndërgjegjet tona për një arsye tjetër që mendojmë se është e nevojshme të ngrejmë: ajo krijon një mundësi shumë më të dëmshme nga sa mund të jetë në vetvete tentativa e shkrirjes, që është ajo e ndërtimit të strukturave alternative në varësi tërësore nga politika, nga stinët dhe humori i saj. Në botën e sotme shumë të globalizuar, është më e nevojshme të sigurohet autonomia e kërkimit shkencor, duke e bërë atë gjithnjë e më të lirë nga kushtëzimi i jashtëm i interesave të politikës, përfshirë dhe ato të industrisë. Në asnjë vend të botës nuk përndiqet shërbimi i shkencës, me përjashtim të vendeve nën diktaturë. Autonomia në mjediset e shkencës dhe promovimi shkencor është në fakt një nevojë thelbësore për të matur jo vetëm shkallën e demokratizimit të brendshëm të një vendi, por edhe për për të studiuar aftësinë e tyre për të identifikuar dhe zhvilluar, në një autonomi të përsosur dhe të vetëdijshme, bashkëpunime të frytshme dhe të qëndrueshme me institucionet ndërkombëtare akademike dhe universitare në bazë të interesave të përbashkëta kërkimore. Ndërhyrjet e jashtme mund të jenë shkak i ndryshimit të procedurave normale të protokollit dhe shpesh ndikojnë në bashkëndarjen e projekteve me interes reciprok të dyanshëm të partnerëve, për shkak të faktit se gjuhët e shkencës dhe politikës shpesh nuk takohen dhe nuk ndajnë të njëjtën gramatikë bazë. Duke ripërsëritur këtë parim universal, ne ripërtërijmë gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në çdo diskutim me kolegët tanë akademikë shqiptarë për të filluar stinën e re të rilindjes së Akademisë së Shkencave. Ne jemi plotësisht të bindur se aty ekziston potenciali, burimet dhe vullneti për të ringjallur fatet e institucionit prestigjioz që për vite me radhë i ka dhënë shkëlqim dhe orientim albanologjisë. Akademia nuk u ndërtua as nga godina dhe as nga pagat, por nga burrat bujarë, intelektualët e apasionuar, studiues eruditë me vlera të respektuar nga kolegët e tyre në botë, si Aleks Buda, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Ylli Popa, Kristo Frashëri, Jorgo Bulo, Stefanaq Pollo, Dhimitër Shuteriqi, Selaudin Betekshi, Petrit Gaçe, Petraq Pilika dhe eksponentët e tjerë të shumtë të brezit të parë të akademikëve, që ditën të disenjojnë një rol dhe një funksion për Akademinë “e tyre”, duke u ofruar brezave të ardhshëm me angazhimin e tyre një model të jetës dhe të shkencës, me respekt për kolegët dhe me pasion për kërkimin. Ndjekësve të tyre u takon detyrimi, pikërisht në këtë moment të vështirë dhe të papërsëritshëm që të imitojnë shembullin e tyre bujar.

Juve, Zoti Kryeministër, ju takon detyra të nisni “Rilindjen” e Akademisë, kolegëve tanë u takon ajo e realizimit, edhe me kontributin tonë të pa interes nëse do të na kërkohet.

Për sa më sipër, mbetemi në dispozicion kur dhe nëse Juve e shihni të nevojshme t’Ju takojmë personalisht për të ofruar bashkëpunimin tonë.

Ju falenderojmë për vëmendjen Tuaj.

Prof.
ALIU Ali Anëtar nderi Kosovë
ALTIMARI Francesco Anëtar nderi Itali
DJUROVIĆ Momir Anëtar nderi Mal i Zi
ISMAJLI Rexhep Anëtar nderi Kosovë
J. D. DRENTH Pieter Anëtar nderi Hollandë
JOCHALAS Titos Anëtar nderi Greqi
MANDALÀ Matteo Anëtar nderi Itali
PIERONI Andrea Anëtar nderi Itali
QOSJA Rexhep Anëtar nderi Kosovë

Rama: Vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 si “Viti i Skënderbeut”

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se është mbyllur diskutimi maratonë me skuadrën e re qeverisëse duke treguar tutje edhe vendimin e parë që do ta marrë qeveria në vitin 2018, përcjellë KultPlus.

Sipas Ramës, vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 si “Viti i Skënderbeut”.

“Mbyllëm diskutimin maratonë me skuadrën e re qeverisëse. Vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 VITI I SKENDERBEUT”, shkruan Rama në Facebook.

Viti 2018 përkon në 5050 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. / KultPlus.com