Rama: Lumi i Shalës, destinacion i një buqete fantastike përvojash

Lumi i Shalës, që derdhet në liqenin e Komanit, po tërheq çdo vit një numër të lartë turistësh vendas e të huaj, për shkak të bukurisë që natyra i ka falur kësaj zone.

I cilësuar nga mediet e huaja si një “parajsë e vogël”, ky lumë është pa dyshim destinacioni më i preferuar sidomos nga të rinjtë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje që tregojnë atmosferën nga Lumi i Shalës, “deri para pak vitesh një sekret, ndërsa sot destinacioni i një buqete fantastike përvojash”.

Turistët shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës dhe ushqimet tradicionale që ofrohen në bujtinat e ngritura pranë tij.

Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi i Shalës dallohet për ujin e tij të veçantë ngjyrë blu të thellë.

Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin./atsh/KultPlus.com

Shkodra gjithnjë e më tërheqëse në sytë e turistëve, tashmë edhe për sportet e aventurës me varka

Shkodra po kthehet gjithnjë e më tërheqëse në sytë e turistëve vendas e të huaj jo vetëm për atraksionet historike, por tashmë edhe për sportet e aventurës me varka.

Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau pamje nga sportet ujore që turistët po zhvillojnë në këto ditë gushti në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna.

Rama tha se turistët po ushtrojnë sportet e aventurës me varka, kanoe, paddle boards, mbi lumin Buna dhe liqen, që pak e nga pak do të rijetësohet me mjete lundruese të të gjitha llojeve.

Drini Xhafa, themelues i “Drini Times”, tha se ky aktivitet zhvillohet në Shirokë që në vitin 2020. Kjo nuk është thjesht një mënyrë për të bërë sport, por për të bërë një eksplorim shumë të magjishëm në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna”.

“Fillon në Shirokë dhe bëhet në një trajktore mbi 26 km, ku turistët mund të eksplorojnë pjesë të liqenit të Shkodrës, pjesën e zambakëve në liqenin e Shkodrës, të ligatinës që është e mbushur me vegjetacion të dendur me zogj të ndryshëm dhe peshq”, tha Xhafa.

Lumi Buna, vijon Xhafa, përbën një risi për turizmin e paeksploruar të Shqipërisë, ku çdo pjesëmarrës që kemi pasur deri tani është ndier i privilegjuar dhe i habitur se përse nuk eksplorohet një destinacion i tillë.

“Është një perlë, shumë shpesh e krahasuar me lumin Amazona”, tha Xhafa.

Një turist tha se “jam këtu prej 7 ditësh, kemi vizituar Kalanë, liqenin këtu, do të shkojmë në liqenin e Komanit dhe më pas do të kthehemi në Holandë”.

“Është shumë këndshëm, shumë mikpritje, sidomos nëse shkon në restorante. Çmimet? Nëse i krahason me Gjermaninë janë shumë të lira”, tha ai.

Tashmë Shkodrës me bukuri të shumta natyrore dhe historike i është shtuar dhe lundrimi me kanoe, varka, padle boards duke u kthyer në turizmin e aventurës për turistët që e vizitojnë çdo vit.

Në lundrimin me kanoe në lumin Buna mund të vëzhgosh shpendët të cilët ndodhen anës lumit. Në kallamishte ka disa lloje: çafka e vogël të bardhë (Egretta garzetta); pula e ujit (Gallinula chloropus); kllinza e zallit (Tringa glareola) apo shumë baltakë të tjerë që mund të vrojtohen lehtësisht me sy ose me mjete optike, teleskop apo dylbi.

Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv. Ai është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ekosistemi i liqenit ushqen faunën dhe florën e pasur dhe unike, duke e shndërruar atë në një qendër të rëndësishme biodiversiteti në Evropë./atsh/KultPlus.com

Rama: Bjeshkët e Namuna në Tropojë, zgjohen çdo ditë me zërat e eksploruesve të maleve tona

Bjeshkët e Namuna në Tropojë janë shndërruar gjithmonë e më shumë në një destinacion mjaft të preferuar turistik.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale, pamje nga Bjeshkët e Namuna në Tropojë, ku vera ka ndryshuar peizazhin e ashpër të dimrit duke sjellë pamje baritore, ndërsa liqenet alpine dhurojnë ngjyrën e kaltër.

Rama u shpreh se, Bjeshkët e Namuna në Tropojë zgjohen çdo ditë me zhurmën e këmborëve dhe zërat e eksploruesve të maleve tona.

Turizmi malor po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj edhe në zonat që dikur ishin pothuajse të panjohura.

Bjeshka e Doberdolit është një bjeshkë e bukur e vendosur në lartësitë e maleve të Tropojës, 2200 m mbi nivelin e detit.

Bjeshkët e Tropojës dallohen për larmishmërinë e bimësisë dhe klimën e shëndetshme duke tërhequr vit pas viti vizitorë./atsh/KultPlus.com

Rama ndan pamjet: Parajsë e fshehur në lumin Buna

Lumi Buna është një nga destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe të huaj që zgjedhin të vizitojnë Shkodrën.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të peizazheve mbresëlënëse që ofron Buna, e kthyer në këto ditë të nxehta vere në një oaz për shumë vizitorë që zgjedhin freskinë e ujërave të tij.

“Me një parajsë të fshehur në lumin Buna vetëm pak kilometra nga Shkodra, ku natyra shijohet në një tjetër përmasë për të krijuar emocione krejt të veçanta gjatë këtyre ditëve të gushtit”, u shpreh Rama.

Qeveria po zgjeron investimet në Shkodër, me qëllim nxitjen e turizmit në këtë rajon.

Aktualisht në hyrje të qytetit të Shkodrës, në afërsi të Urës së Vjetër të Bunës, po punohet për molin e ri me një platformë lundruese, e përshtatshme për lidhjen e varkave.

Ky investim që kap vlerën e 1.2 milion eurove, pritet të ketë ndikim të dukshëm jo vetëm në lundrimin e Bunës dhe liqenit të Shkodrës, por edhe në turizëm.

Ndërtimi i tre moleve në Shkodër si dhe ndërlidhja kufitare me lundrim dhe rrugë me fshatrat në breg të liqenit në Malin e Zi do t’i hapë një perspektivë krejt tjetër turizmit në këtë zonë./atsh/KultPlus.com

Rama: Xhubleta shpaloset në festivalin që promovon traditat malësore, “Logu i Bjeshkëve”

Xhubleta vjen e shpalosur në të gjitha dimensionet e saj në festivalin tradicional që promovon traditat malësore, “Logu i Bjeshkëve”.

Lajmin e dha dje kryeministri Edi Rama, i cili ndau foto nga kjo veshje shqiptare katërmijëvjeçare.

“Hijeshia e saj mbrohet nga UNESCO, si përkujdesje ndaj kulturës sonë kombëtare me vlera të pasura e të patjetërsueshme”, theksoi më tej kreu i qeverisë.

Në Malësinë e Madhe organizohet eventi i kthyer tashmë në traditë, “Logu i Bjeshkëve”, që bën bashkë artistët, këngëtarët dhe valltarët me fokus promovimiin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Ky aktivitet artistik është një shfaqje unike e folklorit dhe xhubletës.

Xhubleta shqiptare katërmijëvjeçare u pranua në 28 nëntor 2022 në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Veshja simbol e trashëgimisë tonë është tashmë pasuri e gjithë njerëzimit.

Xhubleta njihet si veshje tradicionale e grave të Malësisë. Dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u dorëzua në UNESCO, për shkak se veshja tradicionale unike po rrezikonte të humbiste.

Xhubleta është një veshje e punuar me dorë, e veshur nga gratë dhe vajzat në Shqipërinë e Veriut, e karakterizuar nga forma e saj e valëzuar e ziles. Kryesisht e zezë me motive shumëngjyrëshe të qëndisura, procesi i përpunimit përfshin përgatitjen e shajakut, prerjen, qepjen dhe qëndisjen e figurave simbolike. Xhubleta dikur përdorej në jetën e përditshme që nga mosha e pubertetit. Ajo tregonte statusin social dhe ekonomik të mbajtësit. Megjithatë, përdorimi dhe prodhimi i saj ka qenë në rënie gjatë dekadave të fundit për arsye socio-politike dhe ekonomike./tema/KultPlus.com

Rama: Turistë këtë sezon si asnjëherë më parë në Qafën e Valbonës

Turistët e shumtë që vizitojnë Shqipërinë zgjedhin përveç detit edhe freskinë e maleve për një përvojë fantastike.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga qafa e pakonkurrueshme e Valbonës, e vizituar këtë sezon si asnjëherë më parë nga turistë.

Qafa e Valbonës është shteg epik për krejt Alpet Shqiptare i kërkuar dhe përshkuar nga shumë udhëtarë shqiptarë e të huaj, tashmë në çdo stinë të vitit.

E vendosur në një lartësi 1759 m mbi nivelin e detit, ajo rrethohet nga maja të tjera më të larta si maja e Alisë, maja e Hekurave etj.

Shtegu i kalimit këmbësor fillon në lagjen Gjelaj, në fshatin Rragam të Shalës. Kalimi i Qafës mund të bëhet nga të dyja krahët, Valbonë – Theth apo Theth – Valbonë, por nga Valbona itinerari është më i lehtë.

Ecja drejt Qafës së Valbonës mund të fillojë nga bujtina në luginë apo nga fillimi i shtegut në Gjelaj të Valbonës ose Gjelaj të Thethit. Për të kursyer kohë mund të sigurohet një transferte lokale nga bujtina deri në fillimin e shtegut të shënuar.

Qafa e Valbonës mund të arrihet në 2.5 – 3 orë, bashkë me ndalesat, nga cilido krah. Në total ky shteg merr 6-7 orë ecje./atsh/KultPlus.com

Skena lëvizëse e TKOB në Durrës, Rama: Një mbrëmje plot drita e ngjyra

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga shfaqja që dhuroi skena lëvizëse e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Durrës.

Rama shkruan se 100 artistët dhuruan një mbrëmje plot drita e ngjyra.

“Skena vjen tek ju Skena lëvizëse e TKOB (Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor) në Durrës, ku solli në skenë më shumë se 100 artistë në një mbrëmje plot drita e ngjyra”, u shpreh Rama.

“Stacioni i fundit i baletit kontemporan UNI për këtë sezon veror ishte qyteti i Durrësit.

Energjia dhe vitaliteti që UNI transmeton te publiku është e ngjashme me luftën e secilit prej nesh me veten dhe botën që e rrethon. UNI na bën të rikthejmë vëmendjen te brendia jonë”, njofton në rrjetet sociale TKOB.


Baleti kontemporan UNI vjen me koreografinë e Julind Dervishit, asistencën e balerinëve Livia Lara dhe Rovena Shqevi, kostumografinë e Dea Bejlerit dhe muzikën e Barbatuques, Brent Lewis, David Toop, etj., të formuluar nga Andi Vrapi.

Skena lëvizëse e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit e Ansamblit Popullor, ka ndërmarrë një “udhëtim” nëpër disa qytete të vendit, për ta çuar artin sa më pranë artdashësve, e për të mos qenë ekskluzivitet i kryeqytetit./atsh/KultPlus.com

Rama ndan pamje nga turistët në Tiranë

Tirana është e mbushur me turistë në këto ditë të nxehta të korrikut.

Kryeqyteti shqiptar është shndërruar në një destinacion kryesor turistik në vend.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga grupe të turistëve të huaj që vizitojnë disa nga atraksionet më të bukura në Tiranë.

Në pikat turistike, por edhe në rrugicat më larg qendrës së kryeqytetit, ka turistë nga vende të ndryshme të botës, të interesuar të njohin Tiranën. Të organizuar në grupe, por edhe invidualisht, turistët i gjen pothuaj në çdo orë të ditës duke vizituar objekte të trashëgimisë kulturore apo dhe thjesht duke shijuar ushqimin tradicional e duke u bërë foto ndërtimeve të reja.

Në Tiranë mund të gjesh pothuaj të gjitha format e turizmit, nga ai kulturor, historik, arkitekturor e kulinar, e deri tek turizmi malor, të cilin e gjen duke udhëtuar për pak minuta larg zonës urbane.

Numri i turistëve ka ardhur gjithnjë në rritje, kjo falë edhe eventeve të ndryshme të organizuara në kryeqytet, sportive dhe artistike, të cilët kanë sjellë vizitorë të huaj si edhe nga trevat shqipfolëse.

Tirana ka rreth 56 objekte të trashëgimisë kulturore dhe 141 pika turistike si Kulla e Sahatit, e cila u rihap në qershor 2016 pas rikonstruksionit të kryer, Piramida,Muzeu “Shtëpia me gjethe”, Bunk’Art 1 dhe 2, sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Kalaja edhe shumë pika të tjera për t’u vizituar./atsh/KultPlus.com

Rama: Super energjia e Kanioneve të Osumit

Kanionet e Osumit në Berat janë shndërruar në një destinacion turistik gjithmonë e më të pëlqyer për aventurierët e sporteve të adrenalinës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Kanionet e Osumit, ku shihen turistë të dhënë pas aventurës, të cilët shijojnë energjinë dhe adrenalinën që të dhurojnë këto kanione.

“Super energjia e Kanioneve të Osumit”, shkruan Rama përbri videos së postuar.

Pamjet që të ofrojnë kanionet e Osumit janë mahnitëse, gjithë lartësi, kontraste për sa i përket dritës, bimësi e larmishme, një atraksion i vërtetë për turistët vendas dhe të huaj.

Ndërsa rafting në Kanionet e Osumit është tashmë një nga sportet më të preferuara të turistëve të huaj, por edhe atyre vendas sidomos në stinën e verës.

Në një distancë prej 13 kilometrash dhe rrethuar me shkëmbinj prej 100 metrash, praktikuesit e rafting kalojnë disa ujëvara si dhe një sërë operash arti natyral të krijuara nga erozioni, të pagëzuara me emra si “syri”, “porta e djallit”, “krokodili” apo “katedralja”./atsh/KultPlus.com

Sezoni turistik, Rama ndan pamje nga plazhi i Shëngjinit

Bregdeti i Shëngjinit është shndërruar në pikë referimi për turistët vendas dhe të huaj gjatë sezoneve verore.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Shëngjinit, ku shihet se moti me temperatura të larta, ka nxitur qytetarët të frekuentojnë plazhin e bukur të kësaj zone.

Shëngjini dhe Lezha vitet e fundit janë shndërruar në destinacione turistike shumë të kërkuara ku gjen plazhin, natyrën, historinë, kulturën, gastronominë, traditën dhe shpirtin mikpritës të banorëve.

Plazhet e Shëngjinit janë të njohura për rërën dhe ujin e ngrohtë. Një nga plazhet që tërheq vëmendjen e pushuesve është ai i “Ranës së hedhun”, por edhe plazhet e Kunes dhe Tales.

Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror dhe kulinaria e pasur e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

Rreth 38 kilometra vijë bregdetare, male, lumenj e laguna, histori, arkeologji dhe një trashëgimi e pasur kulturore, Lezha mund t’i ofrojë të gjitha në një paketë të plotë turistike./atsh/KultPlus.com

Rama: Sivjet është rritur numri i turistëve nga Kosova

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar po shpërndahen informata të rreme se turistët i kanë braktisur plazhet shqiptare, duke shtuar se sivjet është rritur numri i turistëve nga Kosova.

Në një tubim me qytetarë, Rama është shprehur të mërkurën se është e ulët përpjekja për ta prezantuar se kosovarët s’po e vizitojnë Shqipërinë, duke theksuar se ka rritje edhe të turistëve turq dhe polakë.

“…Ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin. Kam folur me kryetarët e bashkive, janë skandalizuar nga shumë video lajme komente të rreme të manipuluara… Përpjekje e ulët që shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë, ndërkohë këtë vit ka 25% më shumë se vjet. Ka një rritje shumë të fortë të turistëve turq, polak”, është shprehur Rama.

Kryeministri i Shqipërisë ka theksuar se profile të rreme po shpërndajnë dezinformata në internet për rënien e turizmit bregdetar.

Ai ka deklaruar se sipas Komisionit Evropian, Shqipëria për turizëm veror është në vendin e parë dhe ka rritje për 86 për qind./ KultPlus.com

Restaurimi i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rama: Hapësira të reja të ekspozimit dhe laboratorë

Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, një tjetër monument kulture po i nënshtrohet restaurimit për të krijuar hapësira të denja për veprat e artit dhe artistët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga puna në kantierin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

“Galeria Kombëtare të Arteve në Tiranë po rilind me hapësira të reja të ekspozimit, bibliotekë, laboratorë dhe koncept të ri të sallave”, shprehet Rama.

Investimi i buxhetit të shtetit nuk synon tjetërsim e godinës aktuale, por ruajtjen edhe zgjerimin e hapësirave ekzistuese duke dyfishuar edhe vëllimin nga pjesa e pasme e godinës. Nga 4.600 m2 që është sot, muzeu do të shtrihet në 10.100 m2.

GKA i ka fillimet e saj me përpjekjet e një grupi artistësh shqiptarë dhe  të Komitetit të Arteve të vitit 1946.

Pinakoteka ishte institucioni i pare i arteve figurative ne Shqipëri. Pas një pune të mirëfilltë dhe përpjekjesh të shumta në 11 janar 1954 u hap zyrtarisht për publikun Galeria e Arteve në Tiranë.

Në vitin 1956, si rrjedhojë e pasurimit të fondit të veprave të artit, prej lulëzimit të krijimtarisë dhe blerjeve të kohës, Galeria u zhvendos në një godinë më të përshtatshme, me tre kate në rrugën “Fortuzi” dhe me hapësira ekspozuese të shumta, si brenda ashtu edhe jashtë saj.

Vizionet e reja rreth zhvillimit dhe ekspozimit të arteve figurative si dhe blerjet rritën numrin e veprave të artit dhe sollën kërkesën për një ndërtesë më funksionale, e cila u inaugurua më 29 nëntor 1974, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërtesë, ku ndodhet edhe sot. Ky është dhe momenti i riorganizimit dhe rikonstruktimit të parë, i cili konsistoi në ngritjen e një strukture administrative, që përbëhej nga disa sektorë përkatës dhe në funksion të veprimtarive artistike.

GKA, ka mision grumbullimin, koleksionimin, konservimin, dokumentimin, studimin, restaurimin, ekspozimin dhe zhvillimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, duke promovuar veprat më të mira të artit pamor shqiptar të traditës dhe atij bashkëkohor kombëtar e ndërkombëtar./atsh/KultPlus.com

Rama: Pushuesit e Velipojës, dëshmitarë të asaj që ka ndodhur me transformimin e hapësirave

“Velipoja ka përmirësime, çdo vit shikoj që ka ndryshime për mirë”.

Kështu u shpreh një qytetar në një video të publikuar nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.

Rama tha se “pushuesit e Velipojës janë dëshmitarët më të drejtpërdrejtë të asaj që ka ndodhur me transformimin e hapësirave, sistemimin, pastërtinë dhe të gjithë punën e bërë nga institucionet publike e bizneset private për t’u garantuar një sezon me standarde, të sigurt dhe mikpritës të gjithëve atyre që zgjedhin këtë bregdet”.

Një pushues tha se “jemi shumë të kënaqur për moshën time është mrekulli, vijmë për rërën dhe diellin të dyja i ka Velipoja”.

Një tjetër pushues u shpreh se “kam shëtitur gjithë Shqipërinë, por Velipoja ëstë hapësirë”.

“Velipoja është shumë mirë, puna ka filluar mirë dhe ka shumë turistë të huaj kanë ardhur, italianë janë shumë”, tha një menaxher biznesi në Velipojë.

Një turist italian theksoi se “ndihemi shumë mirë, është një vend mikpritës , falënderojmë komunitetin e Velipojës për gjithçka që ka bërë për ne, i ftoj të gjithëve të vijnë ta vizitojnë, të kalojnë kohën, të njohin njerëz të rinj.  Është një ambient shumë mikpritës,  një aventurë e bukur”.

Velipoja, rreth 30 minuta nga qyteti i Shkodrës edhe këtë sezon veror po tërheq një numër të lartë pushuesish. Për të gjithë të pasionuarit pas shëtitjeve në natyrë, kjo perlë e zonës ju ofron një aventurë interesante në ajrin e pastër, ku do ta gjeni veten të zhytur në një oaz të gjelbër./atsh/KultPlus.com

Rama publikon pamje nga fshati turistik: Mes freskisë dhe bukurive sekrete të Thethit

Thethi, fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare është kthyer në një prej destiancioneve më të vizituara nga turistë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.

I gjendur në qendër të Parkut Kombëtar, Thethi rrethohet nga bukuri të papërsëritshme natyrore dhe shtrihet mes majave nga ku buron lumi i Shalës; Majave të Radohimës, Harapit, e Alisë, majës së Hekurave dhe majës së Zorgjit.

“Mes freskisë dhe bukurive sekrete të Thethit”, shprehet Kryeministri Edi Rama krahas pamjeve të ka publikuara në rrjetet sociale si ftesë për ta vizituar në këto ditë me temperatura të larta.

Projektet për Thethin si një destinacion europian turistik, krahas përfitimit të titujve të pronësisë për shtëpi e bujtina, si dhe të një sërë masave të përfshira në paketën e maleve, e cila po përgatitet dhe është drejt përfundimit, – janë pjesë e objektivit të qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone të veriut, duke krijuar një ekuilibër midis natyrës, zhvillimit turistik, ekonomisë, kulturës dhe komunitetit.

Në fund të muajit qershor, në takimin e Kryeministrit Rama me banorët e Thethit u prezantua projekti për Thethin e së nesërmes, që në harmoni me të gjitha elementët e tjerë, do ta lehtësojë vendimin e shumë emigrantëve të këtyre zonave, që të kthehen dhe me kursimet e tyre të bëjnë më shumë ekonomi se sa në emigracion./atsh/KultPlus.com

Rama: Turistët i bashkohen festës në Berat për 16-vjetorin e hyrjes në UNESCO

Berati numëron 16 vite në UNESCO, si pjesë e listës së trashëgimisë kulturore që prej korrikut të 2008.

Për të festuar këtë ngjarje në qytetin e një mbi mbi një dritareve u zhvilluan disa evente artistike.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo festë të cilës iu bashkuan edhe turistët e shumtë që vizitojnë këtë qytet.

Në kuadër të festës “Xixëllonjat” u mbajt një ekspozitë me foto të vjetra të Beratit, muzikë, pije dhe shumë qejf.

Arkitektura e rrallë afro 2500 – vjeçare e qytetit të Beratit, historia që mbart, vlerat e tij të jashtëzakonshme kulturore dhe historike, tashmë prej shumë kohësh kanë qenë në vëmendjen e shumë vizitorëve nga mbarë bota.

Kalaja e Beratit, kishat dhe xhamitë e tij të vjetra, Muzeu Kombëtar Ikonografik Onufri, përveçse disa nga atraksionet e qytetit, janë edhe një dëshmi e rrallë e bashkëjetesës harmonike të kulturave dhe traditave të ndryshme që në hershmëri./atsh/KultPlus.com

Rama: Përjetoni përvojën magjike të “Zâ Fest” në Shkodër

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes rrjeteve sociale ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen aktivitetit “Zâ Fest” në Shkodër më 18-19-20 Korrik.

“ZA Fest” është një krijim artistik i kantautorit Vlashent Sata dhe vjen këtë vit me edicionin e tij të tetë, që do të mbahet në qytetin artdashës të Shkodrës.

Rama ndau një video informuese mbi këtë aktivitet artistik ku përgjatë 3 netëve do të perfomojnë artistë shqiptarë e të huaj.

“ZA Fest” synon promovimin e traditës, vlerave dhe kulturës së Shkodrës. Më herët ky festival është zhvilluar edhe në Theth, duke tërhequr një numër të madh vizitorësh.

Kësaj here vëmendja mbetet brenda qytetit, e sidomos te kalaja e Rozafës./KultPlus.com

Rama: Gjithnjë e më shumë turistë drejt Thethit

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Thethi, një nga destinacionet më piktoreske të turizmit malor në vendin tonë.

Rama, në një postim në rrjetet sociale, thekson se numri i turistëve që vizitojnë një nga zonat më të bukura në vend, është gjithnjë e më shumë në rritje.

“Gjithnjë e më shumë turistë drejt Thethit, vizitorë vendas e të huaj duke eksploruar një nga zonat më të bukura në vend”, shkruan Kryeministri Rama.

Thethi është kthyer prej vitesh në një nga pikat më të rëndësishme turistike të veriut të Shqipërisë. Parku Kombëtar, i themeluar në vitin 1966, mbulon 2630 ha (26,3 km2) dhe është vendosur në qendër të Alpeve shqiptare, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luginës së Shalës. Parku është themeluar për të mbrojtur ekosisteme të ndryshme, biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit.

Organizata ndërkombëtare IUCN (Unioni për Ruajtjen e Natyrës) e ka vlerësuar Thethin si park të Kategorisë II, i vlerësuar veçanërisht si zonë e rëndësishme për shpendët e bimësinë. Në 2017 Thethi u shpall Qendër Historike e Mbrojtur.

Kryesisht turistët e huaj që vizitojnë Thethin, preferojnë të përshkojnë një shteg që kalon në lartësinë 1795 m, për të shkuar në Valbonë ose anasjelltas. Ndërsa fshati shtrihet në lartësinë 850 metra mbi nivelin e detit. Si shumica e Alpeve Shqiptare, parku mbizotërohet nga shkëmbinj gëlqerorësh dhe dolomitesh.

Për shkak të zonës së tij të kufizuar, parku karakterizohet nga një florë shumë e larmishme, me vlerësime që variojnë midis 1500 dhe 1650 specie bimësh, midis të cilave 70 specie janë të rrezikuara. Ekzistojnë tre lloje të pyjeve që gjenden në park. Kati i lisit shtrihet nga një lartësi prej 600 metrash deri në 800 metra, kati i ahut që është i mbuluar kryesisht me ah të zakonshëm, bredh argjendi dhe sikor, midis 900 metra dhe 1900 metra dhe kati alpin që shtrihet nga 1900 deri në 2300 metra.

Vitet e fundit, në Theth janë shtuar strukturat mikpritëse. Në shumicën e rasteve, jane kullat e vendasve të kthyera në bujtina, që kanë pritur vizitorë nga të gjitha anët e globit.

Rama: Ismail Kadare e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, Ismail Kadare e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur.

Në fjalën e tij në ceremoninë shtetërore të lamtumirës, Rama u shpreh se, “ndërkohë qysh se lajmi i vdekjes së Ismail Kadaresë mori dhenë në kutinë e mesazheve të shpeshta të ditëve të mia të zakonshme më vinin hera-herës opinione të ngutura nga një ankth i çuditshëm për vendvarrimin e tij”.

“I lexoja dhe më kujtohej Ismaili. përpiqesha të merrja me mend sesi do t’i merrte ai ato propozime të pakërkuara për ta varrosur tek vëllezërit Frashëri, tek parku përballë Rognerit, tek fusha e gjelbër mbrapa Kryeministrisë, tek varrezat e dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, e deri tek Varrezat e Dëshmorëve në Kosovë. Nuk e di dot çfarë do të thoshte, po e di njësoj si ai arkëmort ku është shtrirë trupi i tij, se po t’ia kishit treguar dot vigjiljen time të këtij ceremoniali dje në darkë, atje në Durrës tek shtëpia buzë detit, ku u mbyll për të ndjekur perëndimin e diellit të vet si një spektator i zbritur nga jeta e gjatë në zenit, do të argëtohej shumë. E siç thoshte Gabriel Garcia Markez do t’i vinte plasja që nuk do të merrte dot pjesë në funeralin e vet”, u shpreh Rama.

“Kur edhe Helena më çoi fjalë se donte veç fjalën tim në këtë funeral, duke i qëndruar besnike si në të gjitha herët Isit të saj, i cili kishte një alergji të rëndë nga tubimet, nderimet e sidomos fjalimet, zgjodhi besoj të keqen më të vogël. Një fjalim të pashmangshme të rastit, por të paktën nga dikush që nuk flet thjesht se e kërkon detyra, por dhe si dikush me të cilin Ismailin e lidhte kënaqësia e bisedave jo të shpeshta. Kështu ky nder kaq i posaçëm përveçse një barrë e rëndë përgjegjësie mu pranë arkëmortit të njeriut që e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj, ndërsa letërsinë shqipe në panteonin e mbarë botës së letrave, mu bë dhe një siklet i ububushëm, po aq i rrallë sa dalja në një provim përpara fytyrës tallëse të Ismailit me tubimet, me nderimet, me fjalimet”, tha Rama.

“Sa e mora vesh që vdiq dhe mendova pashmangshmërinë e përgatitjes së ceremonialit, bashkë me pamundësinë për ta shmangur dhe unë vetë përfshirjen në këtë tubim, nderim dhe fjalim, më është bërë si një pullë poste që s’më ndahet nga sytë pamja e tij e sëkëlldisur gjatë ceremonisë së gradimit me shkallën më të lartë të Urdhrit të Legjionit të nderit nga vetë Presidenti i Francës në Pallatin e Brigadave”, tha Rama.

“Dhe qysh se filluan të merrnin jetë Komisioni i Posaçëm Shtetëror i ceremonialit funebër dhe paralelisht përplasjet e opinioneve në skenë dhe në prapaskenë për të dhe vendvarrimin e tij u ndjeva personazh i kurthit të fundit letrar të Ismail Kadaresë, një vorbull e hatashme ëndrrash në zhgjëndër me mua vetë si nëpunësin e pallatit të zhgjëndërrt të atyre ëndrrave. Kërkohej një varr. Kush mundej, thoshte të vetën, si në një garë të vetëshpallur ethesh letrare ku ai apo ajo që do të gjente vendin ideal për gropën e trupit të pajetë të autorit të Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur dhe komisionit të festës do të siguronte dhe vendin më pranë tij në botën tjetër”, theksoi Rama./atsh/KultPlus.com

Vjosa në “Canadian Geographic”, Rama: Lumi i fundit i egër në Evropë josh vizitorë nga gjithë planeti

Revista “Canadian Geographic” ka botuar një shkrim kushtuar Vjosës, lumit të fundit të egër të Evropës.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale shkrimin e Suzanne Morphet të publikuar në “CanadianGeographic”.

“Canadian Geographic udhëton në Shqipërinë tonë përmes Vjosës, lumit të fundit të egër të Evropës që vërshon i lirë dhe i mbrojtur si Park Kombëtar, peizazheve mbresëlënëse që rrjedha e saj krijon dhe jetës së larmishme që gëlon në brigjet e saj bashkë me traditat e komuniteteve lokale, që po joshin drejt Vjosës vizitorë nga gjithë planeti”, shkruan Rama.

“Më 15 mars 2023, kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi formimin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, duke mbrojtur më në fund Vjosën dhe katër degët kryesore – Drinon, Kardhiqin, Bënçën dhe Shushicën – që mbulojnë 12 727 hektarë. Gjëja e vetme më domethënëse e Vjosës është se ajo është e egër, ekosistemi i saj me rrjedhje të lirë i paprekur nga burimi në det – diçka e padëgjuar në Evropë, ku shumica e lumenjve u penduan, u kanalizuan dhe u drejtuan dekada më parë”, theksohet në shkrimin e Morphet.

Në shkrimin e saj Morphet përshkruan edhe qytetin e Përmetit dhe Gjirokastrës./atsh/KultPlus.com

Rama: Një nga sekretet e bukura të Adriatikut në Durrës

Bregdeti i Adriatikut vijon të mbetet një nga destinacionet më të kërkuara nga turistët vendas e të huaj, të cilët e zgjedhin jo vetëm për plazhet e gjera ranore, por edhe për lagunat e turizmin e natyrës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga një pjesë që mbetet ende për t’u zbuluar përgjatë bregdetit të Durrësit.

“Një nga sekretet e bukura të Adriatikut në Durrës”, shkruan kryeministri, ndërsa ndan pamjet spektakolare nga bashkimi i detit me lagunën.

Me një ofertë të plotë turistike, Shqipëria është vendosur në “top” destinacionet e përzgjedhura nga turistët e huaj edhe këtë vit.

Më shumë se 3.3 milionë turistë të huaj vizituan vendin tonë në 5 muajt e parë të vitit, ndërkohë që vetëm në muajin maj Shqipëria u vizitua nga rreth 974 mijë turistë të huaj./atsh/KultPlus.com

“Shqipëria e bukur”, Rama ndan pamje nga Dhërmiu

Dhërmiu, i cilësuar si parajsë tropikale tërheq çdo vit mijëra turistë vendas e të huaj.

Në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur”, kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga Dhërmiu duke ftuar turistët ta vizitojnë atë.

Dhërmiu fshati i vogël bregdetar arrihet nga një rrugë piktoreske. Duke qenë se vija bregdetare është e pacënuar, vizitorët mund të shijojnë pamje befasuese të detit nga plazhi i Dhërmiut.

Gjatë muajit qershor në Dhërmi u organizua Kala Festival, një festival muzike, por edhe  një festë e kulturës, diversitetit dhe frymës së bashkimit, ngrohtësisë dhe mikpritjes së popullit shqiptar./atsh/KultPlus.com

Rama: Aplikacioni TEA, udhërrëfyesi digjital i Shqipërisë turistike

Kalendari turistik i eventeve verore vjen edhe këtë vit i harmonizuar në aplikacionin TEA (Tourism Events of Albania).

Ndërsa ndau një video informuese mbi këtë aplikacion, kryeministri Edi Rama u shpreh se ky është udhërrefyesi digjital i Shqipërisë turistike.

“Shkarko aplikacionin TEA, udhërrefyesin digjital të Shqipërisë turistike dhe do të gjesh:

kalendarin e eventeve me detajet përkatëse; akomodim pranë vendeve ku shija lokale nuk mungon; si dhe kontaktet e emergjencës për çdo të papritur. Eksploro Shqipërinë si asnjëherë më parë, më sigurt, më lehtë”, shkruan kryeministri.

TEA (Tourism Events of Albania), kalendari digjital i turizmit është një platformë e mirëorganizuar e programeve turistike, kulturore dhe artistike që u shërben turistëve që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë.

Aplikacioni TEA është i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Në aplikacion gjenden aktivitetet që ndodhin gjatë sezonit turistik në çdo kohë dhe në çdo vend. Mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni do të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.

Ky kalendar turistik digjital është realizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit në koordinim me institucione të tjera si Ministria e Kulturës dhe të gjitha bashkitë e vendit./atsh/ KultPlus.com

Rama ndan pamje nga tuneli i Llogorasë: Hapet në 5 korrik

Tuneli i Llogorasë, një ndër veprat më të mëdha publike, afërsisht 20 km në jug të Vlorës, me vlerë investimi 142 milionë euro, po jetësohet me ritme të shpejta.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar sot në rrjetet sociale pamje nga punimet në kantierin e tunelit që pritet të inaugurohet në 5 korrik 2024.

Tuneli i Llogorasë pritet që të shkurtojë distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta në vetëm 7 minuta dhe do të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash.

Tuneli kryesor është i veshur me beton dhe i pajisur me sistemet komplekse të drenazhimit, ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit dhe tymrave, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës.

Gjithashtu është i pajisur në secilën anë me trotuare 1.17 m të gjerë. Tuneli kryesor është 7.70 m i gjerë dhe 4.70 m i lartë, si dhe i pajisur me sistem ajrimi, si dhe me një sistem të kullimit të urave nëntokësore dhe atyre sipërfaqësore.

Ndërsa tuneli ndihmës lidhet me tunelin qendror me 11 dalje, 5 prej të cilave janë dalje për automjete, ndërkohë 6 të tjerat janë për aksesin e këmbësoreve.

Lartësia e tunelit kryesor është 4. 7 m ndërkohë që gjerësia e gjithë rrugës 7.7 m. 1.7 m janë të vendosura si trotuar për të gjitha rastet e emergjencës siç parashikohet në kodin e sigurisë./atsh/KultPlus.com

Rama: 800 mijë vizitorë në zonat e mbrojtura në muajt e parë 2024

Parku natyror Korab-Koritnik po vizitohet gjithnjë e më shumë nga turistët vendas e të huaj.

I cilësuar si një nga zonat më të bukura që ka rajoni i Kukësit dhe veriu i Shqipërisë, ky park shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit dhe në të mund të gjesh gjithë bukurinë natyrore dhe peizazhet e mrekullueshme.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga peizazhet e parkut natyror Korab – Koritnik, një prej perlave të zonave tona të mbrojtura, që në muajt e parë të vitit kanë pritur plot 800 mijë vizitorë.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë.

Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë./atsh/KultPlus.com