Rama: Ismail Kadare e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, Ismail Kadare e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur.

Në fjalën e tij në ceremoninë shtetërore të lamtumirës, Rama u shpreh se, “ndërkohë qysh se lajmi i vdekjes së Ismail Kadaresë mori dhenë në kutinë e mesazheve të shpeshta të ditëve të mia të zakonshme më vinin hera-herës opinione të ngutura nga një ankth i çuditshëm për vendvarrimin e tij”.

“I lexoja dhe më kujtohej Ismaili. përpiqesha të merrja me mend sesi do t’i merrte ai ato propozime të pakërkuara për ta varrosur tek vëllezërit Frashëri, tek parku përballë Rognerit, tek fusha e gjelbër mbrapa Kryeministrisë, tek varrezat e dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, e deri tek Varrezat e Dëshmorëve në Kosovë. Nuk e di dot çfarë do të thoshte, po e di njësoj si ai arkëmort ku është shtrirë trupi i tij, se po t’ia kishit treguar dot vigjiljen time të këtij ceremoniali dje në darkë, atje në Durrës tek shtëpia buzë detit, ku u mbyll për të ndjekur perëndimin e diellit të vet si një spektator i zbritur nga jeta e gjatë në zenit, do të argëtohej shumë. E siç thoshte Gabriel Garcia Markez do t’i vinte plasja që nuk do të merrte dot pjesë në funeralin e vet”, u shpreh Rama.

“Kur edhe Helena më çoi fjalë se donte veç fjalën tim në këtë funeral, duke i qëndruar besnike si në të gjitha herët Isit të saj, i cili kishte një alergji të rëndë nga tubimet, nderimet e sidomos fjalimet, zgjodhi besoj të keqen më të vogël. Një fjalim të pashmangshme të rastit, por të paktën nga dikush që nuk flet thjesht se e kërkon detyra, por dhe si dikush me të cilin Ismailin e lidhte kënaqësia e bisedave jo të shpeshta. Kështu ky nder kaq i posaçëm përveçse një barrë e rëndë përgjegjësie mu pranë arkëmortit të njeriut që e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj, ndërsa letërsinë shqipe në panteonin e mbarë botës së letrave, mu bë dhe një siklet i ububushëm, po aq i rrallë sa dalja në një provim përpara fytyrës tallëse të Ismailit me tubimet, me nderimet, me fjalimet”, tha Rama.

“Sa e mora vesh që vdiq dhe mendova pashmangshmërinë e përgatitjes së ceremonialit, bashkë me pamundësinë për ta shmangur dhe unë vetë përfshirjen në këtë tubim, nderim dhe fjalim, më është bërë si një pullë poste që s’më ndahet nga sytë pamja e tij e sëkëlldisur gjatë ceremonisë së gradimit me shkallën më të lartë të Urdhrit të Legjionit të nderit nga vetë Presidenti i Francës në Pallatin e Brigadave”, tha Rama.

“Dhe qysh se filluan të merrnin jetë Komisioni i Posaçëm Shtetëror i ceremonialit funebër dhe paralelisht përplasjet e opinioneve në skenë dhe në prapaskenë për të dhe vendvarrimin e tij u ndjeva personazh i kurthit të fundit letrar të Ismail Kadaresë, një vorbull e hatashme ëndrrash në zhgjëndër me mua vetë si nëpunësin e pallatit të zhgjëndërrt të atyre ëndrrave. Kërkohej një varr. Kush mundej, thoshte të vetën, si në një garë të vetëshpallur ethesh letrare ku ai apo ajo që do të gjente vendin ideal për gropën e trupit të pajetë të autorit të Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur dhe komisionit të festës do të siguronte dhe vendin më pranë tij në botën tjetër”, theksoi Rama./atsh/KultPlus.com

Vjosa në “Canadian Geographic”, Rama: Lumi i fundit i egër në Evropë josh vizitorë nga gjithë planeti

Revista “Canadian Geographic” ka botuar një shkrim kushtuar Vjosës, lumit të fundit të egër të Evropës.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale shkrimin e Suzanne Morphet të publikuar në “CanadianGeographic”.

“Canadian Geographic udhëton në Shqipërinë tonë përmes Vjosës, lumit të fundit të egër të Evropës që vërshon i lirë dhe i mbrojtur si Park Kombëtar, peizazheve mbresëlënëse që rrjedha e saj krijon dhe jetës së larmishme që gëlon në brigjet e saj bashkë me traditat e komuniteteve lokale, që po joshin drejt Vjosës vizitorë nga gjithë planeti”, shkruan Rama.

“Më 15 mars 2023, kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi formimin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, duke mbrojtur më në fund Vjosën dhe katër degët kryesore – Drinon, Kardhiqin, Bënçën dhe Shushicën – që mbulojnë 12 727 hektarë. Gjëja e vetme më domethënëse e Vjosës është se ajo është e egër, ekosistemi i saj me rrjedhje të lirë i paprekur nga burimi në det – diçka e padëgjuar në Evropë, ku shumica e lumenjve u penduan, u kanalizuan dhe u drejtuan dekada më parë”, theksohet në shkrimin e Morphet.

Në shkrimin e saj Morphet përshkruan edhe qytetin e Përmetit dhe Gjirokastrës./atsh/KultPlus.com

Rama: Një nga sekretet e bukura të Adriatikut në Durrës

Bregdeti i Adriatikut vijon të mbetet një nga destinacionet më të kërkuara nga turistët vendas e të huaj, të cilët e zgjedhin jo vetëm për plazhet e gjera ranore, por edhe për lagunat e turizmin e natyrës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga një pjesë që mbetet ende për t’u zbuluar përgjatë bregdetit të Durrësit.

“Një nga sekretet e bukura të Adriatikut në Durrës”, shkruan kryeministri, ndërsa ndan pamjet spektakolare nga bashkimi i detit me lagunën.

Me një ofertë të plotë turistike, Shqipëria është vendosur në “top” destinacionet e përzgjedhura nga turistët e huaj edhe këtë vit.

Më shumë se 3.3 milionë turistë të huaj vizituan vendin tonë në 5 muajt e parë të vitit, ndërkohë që vetëm në muajin maj Shqipëria u vizitua nga rreth 974 mijë turistë të huaj./atsh/KultPlus.com

“Shqipëria e bukur”, Rama ndan pamje nga Dhërmiu

Dhërmiu, i cilësuar si parajsë tropikale tërheq çdo vit mijëra turistë vendas e të huaj.

Në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur”, kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga Dhërmiu duke ftuar turistët ta vizitojnë atë.

Dhërmiu fshati i vogël bregdetar arrihet nga një rrugë piktoreske. Duke qenë se vija bregdetare është e pacënuar, vizitorët mund të shijojnë pamje befasuese të detit nga plazhi i Dhërmiut.

Gjatë muajit qershor në Dhërmi u organizua Kala Festival, një festival muzike, por edhe  një festë e kulturës, diversitetit dhe frymës së bashkimit, ngrohtësisë dhe mikpritjes së popullit shqiptar./atsh/KultPlus.com

Rama: Aplikacioni TEA, udhërrëfyesi digjital i Shqipërisë turistike

Kalendari turistik i eventeve verore vjen edhe këtë vit i harmonizuar në aplikacionin TEA (Tourism Events of Albania).

Ndërsa ndau një video informuese mbi këtë aplikacion, kryeministri Edi Rama u shpreh se ky është udhërrefyesi digjital i Shqipërisë turistike.

“Shkarko aplikacionin TEA, udhërrefyesin digjital të Shqipërisë turistike dhe do të gjesh:

kalendarin e eventeve me detajet përkatëse; akomodim pranë vendeve ku shija lokale nuk mungon; si dhe kontaktet e emergjencës për çdo të papritur. Eksploro Shqipërinë si asnjëherë më parë, më sigurt, më lehtë”, shkruan kryeministri.

TEA (Tourism Events of Albania), kalendari digjital i turizmit është një platformë e mirëorganizuar e programeve turistike, kulturore dhe artistike që u shërben turistëve që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë.

Aplikacioni TEA është i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Në aplikacion gjenden aktivitetet që ndodhin gjatë sezonit turistik në çdo kohë dhe në çdo vend. Mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni do të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.

Ky kalendar turistik digjital është realizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit në koordinim me institucione të tjera si Ministria e Kulturës dhe të gjitha bashkitë e vendit./atsh/ KultPlus.com

Rama ndan pamje nga tuneli i Llogorasë: Hapet në 5 korrik

Tuneli i Llogorasë, një ndër veprat më të mëdha publike, afërsisht 20 km në jug të Vlorës, me vlerë investimi 142 milionë euro, po jetësohet me ritme të shpejta.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar sot në rrjetet sociale pamje nga punimet në kantierin e tunelit që pritet të inaugurohet në 5 korrik 2024.

Tuneli i Llogorasë pritet që të shkurtojë distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta në vetëm 7 minuta dhe do të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash.

Tuneli kryesor është i veshur me beton dhe i pajisur me sistemet komplekse të drenazhimit, ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit dhe tymrave, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës.

Gjithashtu është i pajisur në secilën anë me trotuare 1.17 m të gjerë. Tuneli kryesor është 7.70 m i gjerë dhe 4.70 m i lartë, si dhe i pajisur me sistem ajrimi, si dhe me një sistem të kullimit të urave nëntokësore dhe atyre sipërfaqësore.

Ndërsa tuneli ndihmës lidhet me tunelin qendror me 11 dalje, 5 prej të cilave janë dalje për automjete, ndërkohë 6 të tjerat janë për aksesin e këmbësoreve.

Lartësia e tunelit kryesor është 4. 7 m ndërkohë që gjerësia e gjithë rrugës 7.7 m. 1.7 m janë të vendosura si trotuar për të gjitha rastet e emergjencës siç parashikohet në kodin e sigurisë./atsh/KultPlus.com

Rama: 800 mijë vizitorë në zonat e mbrojtura në muajt e parë 2024

Parku natyror Korab-Koritnik po vizitohet gjithnjë e më shumë nga turistët vendas e të huaj.

I cilësuar si një nga zonat më të bukura që ka rajoni i Kukësit dhe veriu i Shqipërisë, ky park shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit dhe në të mund të gjesh gjithë bukurinë natyrore dhe peizazhet e mrekullueshme.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga peizazhet e parkut natyror Korab – Koritnik, një prej perlave të zonave tona të mbrojtura, që në muajt e parë të vitit kanë pritur plot 800 mijë vizitorë.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë.

Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë./atsh/KultPlus.com

Rama: Shqipëria me mundësi shumë më konkurruese për punësimin në turizëm

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në ceremoninë e  promovimit të kalendarit turistik veror TEA 2.0 se, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që punojnë në shërbime në vendet fqinje që të vijnë dhe të punojnë në Shqipëri.

“Sot janë të gjitha arsyet për t’u ndier optimistë, për t’u ndierë të inkurajuar, për t’u ndierë të bindur që kjo Shqipëri, që tek turizmi ka kartëvizitën e saj kuptimplotë, kjo Shqipëri ku falë turizmit dhe po ashtu edhe si rezultat i rritjes së ekonomisë dhe për këtë arsye i theksit që qeveria ka vënë tek rritja e pagave, po bëhet një vend ku për të gjithë ata që janë në shërbime, në vendet fqinje është më mirë të jenë këtu sesa të jenë atje”, tha Rama.

“Dhe e them sot me plot gojën që ata që punojnë në Greqi, në hotele, në restorante, në kafene, kamerierë, menaxherë dhe çfarëdo shërbimi tjetër bëjnë atje, nëse i bien lapsit krahasuar me ofertën që kanë këtu, në sektorin e shërbimeve dhe nëse nuk dëgjojnë mediet, nuk lexojnë portalet, nuk marrin për të mirëqena të gjitha ato llafet e kafeneve, por i referohen lapsit e kanë këtu vendin nuk e kanë atje, ku llogaria në fund të muajit iu del më mirë, pa as më të voglin diskutim”, theksoi Rama.

“E kuptoj shumë mirë pse disa nga protagonistët e sektorit tundin kokën për këtë se ata e dinë më mirë se të gjithë që janë në gjendje të ofrojnë paga konkurruese më Greqinë, paga pak a shumë të afërta me Italinë në këto shërbime dhe ndeshen me këtë mur paragjykimi dhe me këtë pengesë psikologjike për të kuptuar që sot Shqipëria është e gatshme, është e gatshme të përfshijë dhe të integrojë në tregun e punës në turizëm ata të cilët atje kanë bërë eksperiencë, kanë mësuar të shërbejnë, kanë mësuar të punojnë në kuzhinë, kanë mësuar të punojnë në recepsion e kështu me radhë, duke i ofruar pa diskutim një mundësi shumë konkurruese. Sepse siç e kam përsëritur vazhdimisht, nuk është ndonjë shkencë është logjikë e thjeshtë, tjetër gjë është paga kur e sheh nga larg, tjetër gjë është kur e sheh me faturën e taksave dhe detyrimeve të tjera nga mbrapa”, u shpreh Rama.

“Dhe nëse sheh nga larg pagën e një kamerieri në Greqi dhe pagën e një kamerieri në Radhimë, duket sikur ai kamerieri në Greqi fiton më shumë. Por nëse pastaj shikon që ai kamerieri në Radhimë pasi mbaron punën shkon tek shtëpia ku s’paguan qera, ndërsa ai kamerieri shqiptar në Greqi shkon tek shtëpia ku paguan qera. Dhe pastaj pasi shikon që në fund të muajit atij kamerierit në Radhimë i vjen një detyrim fiskal i ulët dhe atij në Greqi më i madh. Dhe pasi shikon pastaj dhe të ardhurat nga bakshishet, atëherë gjërat janë ndryshe”, shtoi Rama.

“Gjithçka është ndryshe dhe për këtë arsye thirrja ime është që ndryshimi i madh që ndodh çdo ditë do të jetë jashtëzakonisht i dukshëm, i prekshëm dhe i panevojshëm për t’u vënë më në diskutim për pak vite kur ne të ngjitemi në atë majën e Shqipërisë 2030 dhe kur padiskutim të jemi në kushtet që nuk do rrimë të presim sa turistë të tjerë më shumë do vijnë, por do të jemi të kujdesshëm që të ruajmë balancën mes numrit dhe të ardhurave pa shkuar vetëm pas numrit, por duke shkuar në radhë të parë pas të ardhurave”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Rama./atsh

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në ceremoninë e  promovimit të kalendarit turistik veror TEA 2.0 se, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që punojnë në shërbime në vendet fqinje që të vijnë dhe të punojnë në Shqipëri.

“Sot janë të gjitha arsyet për t’u ndier optimistë, për t’u ndierë të inkurajuar, për t’u ndierë të bindur që kjo Shqipëri, që tek turizmi ka kartëvizitën e saj kuptimplotë, kjo Shqipëri ku falë turizmit dhe po ashtu edhe si rezultat i rritjes së ekonomisë dhe për këtë arsye i theksit që qeveria ka vënë tek rritja e pagave, po bëhet një vend ku për të gjithë ata që janë në shërbime, në vendet fqinje është më mirë të jenë këtu sesa të jenë atje”, tha Rama.

“Dhe e them sot me plot gojën që ata që punojnë në Greqi, në hotele, në restorante, në kafene, kamerierë, menaxherë dhe çfarëdo shërbimi tjetër bëjnë atje, nëse i bien lapsit krahasuar me ofertën që kanë këtu, në sektorin e shërbimeve dhe nëse nuk dëgjojnë mediet, nuk lexojnë portalet, nuk marrin për të mirëqena të gjitha ato llafet e kafeneve, por i referohen lapsit e kanë këtu vendin nuk e kanë atje, ku llogaria në fund të muajit iu del më mirë, pa as më të voglin diskutim”, theksoi Rama.

“E kuptoj shumë mirë pse disa nga protagonistët e sektorit tundin kokën për këtë se ata e dinë më mirë se të gjithë që janë në gjendje të ofrojnë paga konkurruese më Greqinë, paga pak a shumë të afërta me Italinë në këto shërbime dhe ndeshen me këtë mur paragjykimi dhe me këtë pengesë psikologjike për të kuptuar që sot Shqipëria është e gatshme, është e gatshme të përfshijë dhe të integrojë në tregun e punës në turizëm ata të cilët atje kanë bërë eksperiencë, kanë mësuar të shërbejnë, kanë mësuar të punojnë në kuzhinë, kanë mësuar të punojnë në recepsion e kështu me radhë, duke i ofruar pa diskutim një mundësi shumë konkurruese. Sepse siç e kam përsëritur vazhdimisht, nuk është ndonjë shkencë është logjikë e thjeshtë, tjetër gjë është paga kur e sheh nga larg, tjetër gjë është kur e sheh me faturën e taksave dhe detyrimeve të tjera nga mbrapa”, u shpreh Rama.

“Dhe nëse sheh nga larg pagën e një kamerieri në Greqi dhe pagën e një kamerieri në Radhimë, duket sikur ai kamerieri në Greqi fiton më shumë. Por nëse pastaj shikon që ai kamerieri në Radhimë pasi mbaron punën shkon tek shtëpia ku s’paguan qera, ndërsa ai kamerieri shqiptar në Greqi shkon tek shtëpia ku paguan qera. Dhe pastaj pasi shikon që në fund të muajit atij kamerierit në Radhimë i vjen një detyrim fiskal i ulët dhe atij në Greqi më i madh. Dhe pasi shikon pastaj dhe të ardhurat nga bakshishet, atëherë gjërat janë ndryshe”, shtoi Rama.

“Gjithçka është ndryshe dhe për këtë arsye thirrja ime është që ndryshimi i madh që ndodh çdo ditë do të jetë jashtëzakonisht i dukshëm, i prekshëm dhe i panevojshëm për t’u vënë më në diskutim për pak vite kur ne të ngjitemi në atë majën e Shqipërisë 2030 dhe kur padiskutim të jemi në kushtet që nuk do rrimë të presim sa turistë të tjerë më shumë do vijnë, por do të jemi të kujdesshëm që të ruajmë balancën mes numrit dhe të ardhurave pa shkuar vetëm pas numrit, por duke shkuar në radhë të parë pas të ardhurave”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Rama./atsh/KultPlus.com

Edi Rama publikon video të automjetit të parë ushtarak të prodhuar në Shqipëri, mban emrin “Shota”

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një video të automjetit të parë ushtarak të blinduar, që është prodhuar në Shqipëri.

Automjetit i është vendosur emri “Shota” dhe është prodhim i Arjeta Pucës bashkë me ekipin e saj të vajzave të tjera.

“Në zemër të Shqipërisë lindi një luftëtare, e fortë, sypatrembur, krenare. Ajo mban emrin “SHOTA”, thuhet në video.

“Mirëmëngjes, dhe me “Shotën”, automjetin e parë ushtarak të blinduar “Made in Albania”, një prodhim i ri i çikës sonë bulqizake Arjeta Puca dhe ekipit të saj fantastik të gocave profesioniste, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama./KultPlus.com

Rama: Korabi, një përrallë e bukur e bjeshkëve tona

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mëngjes ka publikuar pamje nga mali i Korabit, duke e cilësuar si një përrallë të bukur të bjeshkëve shqiptare.

Parku natyror Korab-Koritnik, është i preferuari i të pasionuarve pas ngjitjeve në male dhe një ndër shtigjet më të preferuara për turistët është Bele – Zbinec – Stanet e Pobregut.

Parku Korab ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri (2751 m), ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës./KultPlus.com

Rama: Nisemi nga Rinasi për vallen e dytë kuqezi në Europë

Kryeministri Edi Rama u nis sot nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit për takimin në Milano me shqiptarët e Italisë, në kuadër të turit me diasporën.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau pamje nga përgatitjet që po kryhen në pallatin e sportit “Busto Arsizio”  ku do të zhillohet takimi i orës 11:00.

“Nga Rinasi ku po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë, me shqiptarët e Italisë që sipas kërkesës së tyre do t’i mikpresim në një pallat sporti edhe më të madh se në Athinë, me shpresën që askush nuk do të mbetet pa gjetur vend siç fatkeqësisht na ndodhi në Greqi”, tha Rama.

Të dielën e 12 majit, Kryeministri Edi Rama nisi turin e takimeve “Krenar për Shqipërinë” me diasporën në Greqi, Athinë.

Turi i takimeve vjen në kuadër të takimit me bashkatdhetarët tanë që jetojnë e punojnë jashtë.

Rama pritet të takohet dhe me shqiptarë që jetojnë e punojnë në Londër, Mbretëri e Bashkuar dhe Dyseldorf, Gjermani./atsh/KultPlus.com

Kryeministri Edi Rama së shpejti me ekspozitë në Paris, në një nga galeritë më prestigjioze të botës

Edi Rama riktheu në kujtesë artistin që qëndron pas kryeministrit, me një ekspozitë të artit bashkëkohor, një shkulm befasues ngjyrash e formash, që përfshin punime në qeramike, murale e deri edhe qëndisma të realizuara mbi konceptin origjinal të tij.

Kreu i ekzekutivit i rikthehet bashkëpunimit me galerinë prestigjioze “Marian Goodman”, këtë herë në degën e saj në Paris. Jo më larg se në muajin shtator, Rama pati rrëfyer në podcastin e tij “Flasim” sesi kishte bashkëpunuar në 2016-tën me “Marian Goodman” në New York.

Një përfaqësues i galerisë së famshme të artiti kontemporan e kishte kontaktuar, dhe ai kishte menduar fillimisht se mund të bëhej fjalë për një shaka. Por tani, ekspozon sërish për të, këtë radhë në kryeqendrën e rëndësishme të kulturës botërore, duke dëshmuar edhe këtë herë se po me aq lehtësi sa ç’mban në dorë penën e politikanit, mban dhe lapsin e artistit.

Marsin e vitit të kaluar, kryeministri Rama e nisi vizitën e punës në Athinë, Greqi me çeljen e një ekspozite me vepra artistike të realizuara prej tij, në Zappeion Megaron, e cila u mirëprit dhe vlerësua nga të pranishmit e nga personalitete të larta të politikës greke.

Në këtë mënyrë, shefi i ekzekutivit shton listën e ekspozitave të tij mbresëlënëse, si vazhdë e pjesëmarrjes në 2017-tën në ekspozitën kryesore Viva Arte Viva të Bienales së 57-të të Venecias, në 2018 ekspozoi në Kunsthalle në Rostock të Gjermanisë, ndërsa punimet e tij janë prezantuar gjithashtu në Art Basel dhe Artissima./top channel/ KultPlus.com

Rama: Drejt përfundimit skulptura “The Albanian Key” në hyrje të Shkodrës

“The Albanian Key”, një vepër publike në hyrje të qytetit të Shkodrës, e artistit shqiptaro-italian Alfred Mirashi Milot është drejt përfundimit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga punimet për vendosjen e kësaj skulpture në hyrje të Shkodrës.

Rama theksoi se, si një ndër projektet fituese të Konkursit Ndërkombëtar “Art në Hapësirën Publike”, përmes saj artisti përcjell mesazhin për t’i dhënë fund dyerve të mbyllura duke krijuar mundësi të barabarta për çdo njeri.

Kjo kryevepër artistike, një ndër projektet fituese të Konkursit Ndërkombëtar “Art në Hapësirën Publike”, program nën kujdesin dhe financimin e Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, do të vendoset në hyrje të qytetit të Shkodrës, duke sjellë një dimension të ri estetik dhe kulturor.

Përmasat e skulpturës janë mbresëlënëse. Çelësi do të jetë 20 metra i gjatë dhe 10 metra i lartë dhe simbolizon fuqinë dhe komunikimin përmes artit./atsh/KultPlus.com

Dita Botërore e Agroturizmit, Rama kolazh me pamje nga pikat agroturistike në Shqipëri 

Në Ditën Botërore të Agroturizmit, kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale një kolazh pamjesh të mrekullueshme, ku ndërthuret larmishmëria e bukurive natyrore të shndërruara në atraksione turistike, falë sipërmarrjeve agropërpunuese.

Rama shprehu mirënjohje të veçantë për sipërmarrjet agroturistike që kanë hapur dyert anembanë Shqipërisë, duke i dhënë jetë zhvillimit të ekonomisë familjare dhe industrisë turistike.

Sot në vendin tonë, janë mbi 260 qendra agroturistike, ndërsa fluksi i lartë i turistëve të huaj që po zgjedhin vitet e fundit Shqipërinë si destinacion turistik ka nxjerrë në pah nevojën për shtimin e kapaciteteve akomoduese.

“Në Ditën Botërore të Agroturizmit, një mirënjohje e veçantë për sipërmarrjet agroturistike që kanë hapur dyert anembanë Shqipërisë, nga njerëz të punës të mbështetur tek vendlindja apo kthyer nga emigracioni në vendlindje, të cilët kanë bërë një zgjedhje fituese për të ardhmen e tyre, duke rritur ekonominë familjare dhe kontribuar për Shqipërinë 2030 me zhvillimin e kësaj dege krejt të re të industrisë sonë turistike”, u shpreh Rama./atsh/KultPlus.com

Rama: Lumi i Shalës, spektakël i ngjyrave dhe relievit

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Lumi i Shalës i përshkruar nga shumë turistë të huaj si Tajlanda e Shqipërisë.

“Pamje nga peizazhet që Lumi i Shalës krijon në zonën e Shoshit të Dukagjinit, një spektakël i ngjyrave dhe i relievit, por edhe një atraksion turistik për të cilin flasin të gjithë”, shprehet Rama krahas videos së publikuar.

Lumi i Shalës buron në Parkun Kombëtar të Thethit dhe përshkon luginën e Shalës për rreth 25 km duke u derdhur në liqenin e Komanit.

Vitet e fundit ky liqen është kthyer në një prej destinacioneve më të frekuentuar në veriun e Shqipërisë.

I izoluar nga majat e larta, rrjedha e vrullshme e ujit të kaltër të Shalës, ofron për turistët një panoramë të magjishme mes natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron, ndërsa është përfshirë edhe në gudiat e agjencive turistike.

Aventurierët e natyrës mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës./atsh/KultPlus.com

Rama: Nuk na duhet turizmi masiv në Shqipëri, duhen turistë që konsumojnë shumë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Shqipërisë nuk i duhet thjeshtë rritja e numrit të turistëve të huaj, por duhet që të kthehet në një destinacion për të gjitha kategoritë e turistëve. 
Rama të hënën Konferenca Kombëtare “Për sigurinë e turizmit në Shqipëri” tha se Shqipërisë nuk i duhet një turizëm masiv. Ai nënvizoi se 100 mijë turistë që konsumojnë shumë janë më mirë se 1 milion turistë që konsumojnë pak.

“Ne nuk na duhet një Shqipëri destinacion i turizmit masiv. Ne nuk na duhet thjesht të rrisim numrin e vizitorëve të huaj, ne na duhet një vend që i ekuilibron të gjitha shtresat dhe kategoritë e turistëve dhe që arrin të formulojë një ofertë, ku nuk janë numrat në pamje të parë që kanë rëndësi, por është cilësia e numrave. Çfarë do të thotë cilësia e numrave, do të thotë që në varësi të konsumit të një turisti përcaktohet edhe sa interes ke dhe me çfarë pasojash e ushqen këtë interes, që të kesh 1 milion turistë që konusmojnë pak çdo ditë, apo sa interes ke që të kesh 100 mijë turistë më shumë që konsumojnë shumë çdo ditë. Ata 100 mijë që konsumojnë shumë mund të sjellin të ardhura më shumë se ata 1 milion që konsumojnë pak. Ama nuk e vendosin vendin nën presion e jashtëzakonshëm që lidhet me pastrimin, me trajtimin e mbetjeve. Pasi tjetër është të pastrosh dhe të trajtosh mbetje për 100 mijë dhe tjetër është të trajtosh dhe të pastrosh mbetje për 1 milion turistë”, tha Rama./EuroNews Albania

Takimi i Komisionit për Evropën të OBT-së në Tiranë, Rama: Ngre në një tjetër nivel promovimin e Shqipërisë

Shqipëria po mikpret për herë të parë Takimin e 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit, një ngjarje me rëndësi historike jo vetëm për fushën e turizmit, por edhe si një  organizim i nivelit të lartë të UNËTO që mbahet për herë të parë në vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale videon promovuese të këtij evenimenti.

“Me entuziazmin e ndjesinë e Shqipërisë Turistike ku me të njëjtën energji i japim mirëseardhjen delegacioneve të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit që do ta kthejë Tiranën në një pol dinamik të eventeve dhe ngre në një tjetër nivel promovimin e Shqipërisë”, shprehet Rama.

Pasditen e së dielës u zhvillua pritja e mbërritjes së delegacioneve të UNËTO përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate Zurab Pololikashvili, Drejtoresha Ekzekutive e UN Tourism Natalia Bayona si dhe ministra të Turizmit e përfaqësues të lartë të këtij sektori nga 40 vende të Europës.

Sipas agjendës së bërë publike nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ditën e hënë më 8 prill do të mbahet mbledhja të 70-të të Komisionit për Evropën të UNWTO, ku do të marrë pjesë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Më date 9 prill, do të mbahet edhe një Konferencë për Investimet në turizëm me tre panele diskutimi, gjatë së cilës do të prezantohet përmes një ceremonie zyrtare udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania.” Ky botim vjen si një punë e përbashkët e Organizatës  Botërore të Turizmit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit së Shqipërisë që do t’u prezantohet aktorëve dhe palëve të interesuara të industrisë së turizmit.

Një ditë më parë ministrja Kumbaro bëri publike shifrat e vizitorëve të huaj për muajin mars, duke nënvizuar se ky muaj shënoi një rekord të ri në flukset hyrëse prej 1.7 milionë turistësh të huaj./atsh/KultPlus.com

Rama uron “Ditën e Verës”

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka uruar ndjekësit e tij me një fotografi nga Elbasani, meqë sot festohet “Dita e Verës” në Shqipëri.

“Mirëmëngjes dhe me ditën që paralajmëron më shumë diell e mbarësi, ju uroj një pranverë të bukur”, ka shkruar kreu i qeverisë shqiptare.

Për “Ditën e Verës”, në Shqipëri do të mbahen aktivitete të ndryshme. /KultPlus.com

Piramida e Tiranës edhe në fokusin e medias gjermane, MDR

Kryeministri Edi Rama ndau sot shkrimin e medias gjermane, MDR për transformimin e Piramidës së Tiranës.

“Piramida e Tiranës edhe në fokusin e medias gjermane, MDR. Në artikull theksohet fakti se si Piramida është transformuar në qendrën më të madhe teknologjike në rajon”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

MDR shkruan se, “piramida” e ndërtuar në kujtim të diktatorit në qendër të kryeqytetit Tiranë, tani është një qendër e teknologjisë së lartë.

MDR nënvizon se, Piramida shihet nga qytetarët e saj si simbol i Tiranës dhe se godina e ish-diktatorit tani synon të përçojë mesazhin e lirisë.

Shkrimi i plotë:

Për dekada në Shqipëri u hoq gjithçka që të kujtonte të kaluarën komuniste. Nga të gjitha ka mbijetuar “piramida” e ndërtuar në kujtim të diktatorit në qendër të kryeqytetit Tiranë. Tani po bëhet një qendër e teknologjisë së lartë. Një ndryshim, edhe në përballjen me të kaluarën e dhimbshme?

Është një mbrëmje e hënë vjeshte në qendër të kryeqytetit Tiranë. Dielli tashmë kishte perënduar kur kryebashkiaku Erion Veliaj doli pranë mikrofonit. Pas tij ngrihet një ndërtesë në formë koni prej betoni dhe xhami. Vizitorët kuriozë grumbullojnë shkallët që të çojnë në majë. Piramida ishte fshehur pas një gardhi ndërtimi për një kohë të gjatë, por tani qendra e re kulturore dhe e teknologjisë së lartë po inaugurohet me ceremoni.

Ndërtesa monumentale në fakt kishte për qëllim të përkujtonte përgjithmonë ish-diktatorin e Shqipërisë. Në vitin 1988 u hap muzeu për jetën e Enver Hoxhës, i cili më pas do të etiketohej si “mauzoleum”. Për katër dekada, deri në vdekjen e tij në 1985, ai sundoi vendin pa mëshirë dhe e izoloi atë nga bota e jashtme. Shqipëria konsiderohej si regjimi më kufizues midis ish-diktaturave komuniste të Evropës.

Nga jashtë, ndërtesa tashmë të kujtonte piramidën e xhamit në oborrin e brendshëm të Luvrit. Nuk dihet nëse arkitektët janë frymëzuar nga kjo. Në çdo rast, diktatori kishte një marrëdhënie ambivalente me Francën. Gjatë studimeve atje ra në kontakt me idetë komuniste. Më vonë ai e shpalli vendin armik të imperializmit, por vazhdoi të kishte kostume të furnizuara nga një rrobaqepës parizien, ndërsa popullit shqiptar i ndaloi veshjet “dekadente” nga perëndimi.

Tani, tridhjetë e tre vjet pas ribashkimit, rinovimi u përurua si pjesë e samitit të Procesit të Berlinit, i cili synon të sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor më afër BE-së. Kancelarja federale Olaf Scholz dhe presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen gjithashtu mbërritën. Flamujt e shteteve të përfshira në proces dekoruan hyrjen e piramidës.

Shqipëria është kandidate zyrtare për anëtarësim që nga viti 2014 dhe BE-ja e hapi procesin në korrik 2022. “Enver Hoxha do të kthehej në varrin e tij”, tha kryebashkiaku i Tiranës, duke komentuar afrimin e Shqipërisë me Europën politike.

“Në atë kohë kishte shumë ndërprerje të energjisë. Gjithçka ishte e errët. Vetëm piramida shkëlqente, mermeri i bardhë reflektonte dritën”.

Historiania Gentiana Kera mbi kujtimet e epokës socialiste

Pas përfundimit të diktaturës, piramida u përdor për qëllime të ndryshme – si një qendër konventash, një park argëtimi dhe një klub nate. Gjatë Luftës së Kosovës në vitin 1999 ajo shërbeu edhe si bazë e NATO-s.

Është e jashtëzakonshme që piramida ka mbijetuar. Gjatë viteve të vështira të transformimit, pothuajse gjithçka që të kujtonte të kaluarën socialiste u eliminua. Statujat u rrëzuan nga piedestalet e tyre dhe simbolet politike u hoqën nga peizazhi i qytetit. Në vitin 2012, partia në pushtet në atë kohë donte të vuloste triumfin e saj mbi diktaturën duke prishur piramidën. Banorët protestuan dhe që atëherë monumenti ka mbetur i paprekur por edhe i papërdorur.

Rinovimi është një sukses sepse ndalon piramidën nga prishja dhe i dha jetë të re asaj. Në të ardhmen, ndërtesa do të strehojë studio dhe restorante, si dhe zyra pune ku të rinjtë mund të mësojnë programim dhe robotikë. Përdorimet e reja janë të vendosura në 34 kuti shumëngjyrëshe që janë grumbulluar brenda dhe rreth ndërtesës si blloqe Lego.

Monumenti i ish-tiranit tani synon të përçojë mesazhin e lirisë. Ajo pretendon të distancohet nga ideologjia e regjimit të mëparshëm. Gjatë ridizajnimit, të gjitha simbolet që lavdëronin të kaluarën socialiste u hoqën, shpjegoi Ëiny Maas, partner në firmën arkitekturore të Roterdamit MVRDV, e cila projektoi rinovimin.

Piramida e re është kthyer në një “monument për njerëzit dhe aftësinë për të kapërcyer diktatorët”. Mendoni vetëm për shkallët e jashtme. Projekti ka tërhequr gjithashtu vëmendjen ndërkombëtare. Në shtypin gjerman, për shembull, trarët e lëmuar prej betoni midis disa shkallëve provokuan një interpretim krijues: qytetarët tani mund të “rrëshqisnin nga gunga e diktaturës”.

Të rinjtë nga Tirana: “Kemi luajtur shpesh këtu si fëmijë”

Në një ditë vjeshte me erë, katër studentë kalojnë pushimin e drekës në majë të piramidës. “Ne na pëlqen arkitektura dhe pamja”, thonë Martin Taka dhe Rexhina Papa. E pyetur se çfarë i kujtoi piramida, studenti ngriti supet. Dhe Rexhina shton: “Nëse nuk gabohem, ndërtesa daton në kohën e komunizmit. Por sot është shumë më e bukur!”

Në rrëzë të monumentit, një grua e re kërkon një foto. Ajo pozon në shkallë, duke kthyer kokën në profil para se të shikojë drejtpërdrejt në kamera. Më pas 33-vjeçarja Anxhela Malko kujton: “Kur isha fëmijë luanim shpesh këtu, ngjiteshim dhe rrëshqisnim piramidën kur nuk kishte shkallë”.

Edhe studentët edhe Anxhela kanë lindur të gjithë pas rënies së komunizmit dhe nuk e njohin diktaturën. Dhe nuk duket se e lidhin piramidën me Enver Hoxhën apo me të shkuarën socialiste. Një sondazh i vitit 2015 zbuloi gjithashtu se piramida nuk njihet as si një peizazh përkujtimor. Të rinjtë i shohin si simbol të Tiranës.

Historiani: “Rivlerësimi dështon për shkak të vullnetit politik”

Diktatura komuniste në Shqipëri pothuajse nuk është trajtuar – deri tani përparimi ka qenë i ngadalshëm. Për krimet e diktaturës deri më sot askush nuk ka marrë përgjegjësi dhe mijëra viktima janë ende të zhdukur.

“Dështon për shkak të vullnetit politik,” shpjegon historiania Gentiana Kera. Shumë nga ata që përfituan nga regjimi socialist do të mbanin poste politike sot. “Sigurisht që nuk është e lehtë të përballesh me të kaluarën tënde”. Deri tani është vërejtur më shumë përpunim artistik sesa historik. Ish-streha bërthamore e elitës partiake në periferi të Tiranës përdoret tani si një hapësirë ekspozite. Dhe artistë nga e gjithë bota së shpejti do të mund të banojnë në ish-vilën e diktatorit.

Kur kryetari i bashkisë zbret nga podiumi në inaugurim, piramida errësohet për herë të fundit para se të shkëlqejë në një shkëlqim të ri. Ngjyra të ndritshme rrjedhin përgjatë mureve të jashtme. Lazerët bëjnë që vija të gjelbra të ndezura të rrethohen nëpër hapa. Dridhet dhe shkëlqen, fillimisht në mënyrë hipnotike, pastaj në ekstazë. Shfaqja e dritës shoqërohet me muzikë që do ta prisnit në një techno club të Berlinit. Qeveria e paraqet veten si kozmopolite dhe të orientuar drejt së ardhmes.

Edhe pse historiania Kera në përgjithësi mirëpret një rinovim, ajo do të kishte dashur një muze për të burgosurit politikë ose për historinë e përditshme. “Një muze i tillë për diktaturën do të sillet në një ndërtesë që është ndërtuar për diktatorin. Kjo do të pajtohej me të kaluarën”./KultPlus.com

Ekspozita e legjendës së futbollit italian Paolo Rossi, në 26 janar në Tiranë

Në 26 janar 2024 në Tiranë do të përurohet ekspozita kushtuar djalit të artë të futbollit italian, Paolo Rossi që ngriti peshë edhe zemrat e tifozerisë shqiptare në vitet ’70-’80.

Në ambientet e COD në kryeministri, u prezantuan sot disa elementë të këtij koleksioni, në prani të kryeministrit Edi Rama, legjendës së futbollit botëror Arrigp Sacchi dhe Fondacionit “Paolo Rossi” i drejtuar nga bashkëshortja e Paolo Rossi-t, Federica Cappelletti.

Kryeministri vlerësoi se Paolo Rossi ishte një personalitet i lartë që pati edhe një kurajo të madhe.

Rama tha se është privilegj i madh që Tirana do të mirëpresë ekspozitën dhe koleksionin e një lojtari të madh të një skuadre që në vitet e errëta të Shqipërisë ka qenë një pikë referimi i një bote që për ne ishte e ndaluar.

“Kujtoj se kur Italia ishte në finale kundër Gjermanisë ka qenë një grup të rinjsh që ishin pjesë e komunitetit të madh të panumërt të tifozëve të Italisë në Shqipëri dhe që dolën nëpër rrugë me flamurin italian. Ky akt ishte herezi në ato vite. Ne pastaj e morëm vesh për këtë të nesërmen sepse ata u arrestuan dhe u gjykuan për një akt të një papërgjegjshmërie të lartë dhe për propagandë”, tha Rama.

Kryeministri informoi se ekspozita mbi Paolo Rossin përmban kuriozitete për objekte personale. ‘Bëhet fjalë për një ekspozitë me karakter historik se ka qenë e mbushur plot me kujtime dhe jetë”, tha ai.

Rama kujtoi takimin në Tiranë me Paolo Rossin në kohën kur ishte kryetar bashkie dhe ai vinte me ekipin e legjendave.

Kryeministri shprehu bindjen se ekspozita do të jetë një kujtim dhe nderim për këtë histori futbolli, pasi sjell simbolin e asaj kombëtareje të madhe italiane që për ne ishte më e rëndësishme se sa një skuadër futbolli.

“Kjo ekspozitë që është hapur edhe në Zyrih, por edhe në qytete të ndryshme të Italisë do të sjellë objekte të Paolos, por edhe legjendave të mëdha botërore si Maradona, Pele etj”, bëri të ditur Rama.

Ekspozita në përkujtim të Paolo Rossit organizohet nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me ambasadën italiane në Tiranë.

Ekspozita, e cila do të çelet pranë Muzeut Historik Kombëtar e që do të mund të vizitohet prej datës 26 janar e deri më datë 20 shkurt 2024, tregon jetën e Paolo Rossit dhe legjendave të futbollit ndërkombëtar.

Midis sendeve personale, realitetit virtual, bluzave origjinale, intervistave, Topit të Artë dhe Këpucës së Artë 82, vizitori i ekspozitës do të mundë të hyjë në kontakt me një prej atletëve më të vlerësuar në historinë e futbollit kombëtar e atij ndërkombëtar.

Një kampion që ka bërë të ëndërrojë Italinë dhe Shqipërinë: “Paolo Rossi, djalë flori”. /ATSH /KultPlus.com

Shqiptarët nga të katër anët të bashkuar në paradën “Kuq e Zi”

111-vjetori i Pavarësisë do të festohet më 28 Nëntor, shkruan KultPlus.

Këtë vit, do të organizohet edhe një paradë, e quajtur “Parada Kuq e Zi 2023”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se shqiptarët do të mbledhën nga të katër anët në një paradë të vetme.

“Një ide e ardhur nga një grup të rinjsh në diasporë, do të mbledhë shqiptarët nga të katër anët në një paradë të vetme më 28 nëntor. Nëse moti do të ndihmojë pak, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nis në mesditë”, u shpreh Rama.

Kjo ngjarje do të zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. /KultPlus.com

Kryeministri Rama arrin në Pallatin “Elysee” për darkën me Macron (VIDEO)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbërritur në pallatin “Elysee” për darkën me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Lajmin e ka bërë të ditur Rama përmes një postimi në Facebook, përcjell Klankosova.tv.

“Paris, Elysee Palace – Për darkën zyrtare me Presidentin Macron”, ka shkruar Rama krahas disa pamjeve që ka publikuar./

Vila 31 në rezidencë të artistëve, Rama: Mishërojmë të ardhmen duke mos larguar fantazmat nga muret

Vizita e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron vijoi sot me një takim në vilën e ish–diktatorit, e cila është hapur për artin, duke u shndërruar tashmë në një rezidencë artistësh në bashkëpunim me fondacionin prestigjoz francez “Art Explora”.

Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, kryeministri Edi Rama u shpreh se “këto vende duhet të mishërojnë shpresën dhe të ardhmen, por duke mos larguar fantazmat nga muret”.

“Kemi përjetuar për shumë vite në një dilemë shumë të fortë për sa i përket të ardhmes së Piramidës, të ardhmes së kësaj shtëpie që gjatë gjithë rinisë sonë mishëronte të keqen, errësirën, një të kaluar që donte të ishte e ardhmja jonë, me kosto të pabesueshme. Shumica e njerëzve donin të fshinin gjithçka. Pati madje një pirje për ta shkatërruar piramidën dhe për ta shndërruar në një ndërtesë moderne për Parlamentin. Pati ide të ndryshme për këtë shtëpi, për ta shndërruar në një ndërtesë burokracie demokratike. Unë kam qenë gjithmonë kundër këtyre por në të njëjtën kohë isha i detyruar, i shtrënguar nga sfidat që duke përdorur këto vende, duhet të mishëronim shpresën dhe të ardhmen dhe në të njëjtën kohë, si mund të bëhej kjo duke mos larguar fantazmat nga muret”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se “në këto mure duhej bërë gjithçka që urrente pronari i tyre i mëparshëm dhe gjithçka që ai donte të largonte”.

“Në fakt një nga gjërat më të urryera dhe më të urrejtshme të diktaturës dhe të Enver Hoxhës personalisht, ishte shprehja e lirë, të shprehurit lirshëm të artistëve dhe të krijuesve. Ne jemi rritur me parullën: ‘artistët janë ushtarë të partisë dhe arti është një armë në dispozicion të partisë’. Si përfundim, e vendosëm këtë dhe filluam të bënin disa hapa të vegjël, të ndrojtur duke hapur dyert e kësaj shtëpie për krijues të rinj shqiptarë, për regjisorë por megjithatë nuk arritëm, nuk arrinim ta largonim fantazmën në hije”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, vijoi ai, “nuk po e fshijmë plotësisht të kaluarën por e shndërrojmë të kaluarën në një burim energjish për ta nxjerrë më mirë në pah lirinë e shprehjes, për të konsideruar me shumë më tepër respekt, me shumë më tepër admirim, faktin e të jetuarit në një hapësirë lirie”.

Sipas tij, “nuk duhet të harrojmë kurrë që kjo liri nuk është diçka që merret e mirëqenë dhe që na është dhënë si fakt jete pa bërë asnjë beteje”.

“Besoj se sot mund të festojmë këtë mundësi, mundësinë që bashkojmë të kaluarën me të tashmen në shërbim të së ardhmes dhe t’u japim të gjithë të rinjve që do të vijën këtu, artistëve nga e gjithë bota, mundësinë për të kuptuar se për lirinë e krijimit të tyre, që ata të kishin liri krijimi, ka pasur njerëz që kanë vdekur. Ka pasur njerëz që kanë dhënë vite, që mund të jepnin vite nga jeta e tyre për të pasur një ditë liri, ka pasur njerëz që nuk mundën të merrnin frymë, që nuk mundën të bënin që ëndrra e tyre të merrte frymë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se kërkoi një projekt ku të mos shihej dora e arkitektit por të shihej vetëm ndryshimi i hapësirës nga errësira në dritë.

“Të krijohej energjia e lirë nëpër shtëpi ku kuptohet që ka pasur dikur një fantazmë , por që më në fund kjo hapësirë është e çliruar dhe fantazmën mund ta përmendim sa herë të duam, por ajo është në dispozicionin tonë, e kemi mposhtur. Jo ne në dispozicion të saj, shtoi ai.

Në përfundim, Rama i dha Presidentit Macron një bono me një kapital prej 200 mijë frangash.

“Një bono për një investim që ka qenë investimi i parë në historinë e Shqipërisë, për ndërtimin e një stacioni prodhimi energjish të rinovueshme, të financuar nga Shoqëria Gjeneralë e elektricitetet në Korçë ku në atë kohë të gjitha dokumentet, të gjitha procedurat, e gjithë burokracia ishte dhe në shqip dhe në frëngjisht”. Është një bono që ka një vlerë të rëndësishme, me një kapital prej 200 mijë frangash. Mund ta përdorini për të shtyrë Europën të investojë akoma më shumë në energji të rinovueshme në Ballkan”, theksoi ai./atsh/KultPlus.com

Rama: Mund të ndodhë një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk përjashtoi mundësinë e një takimi mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në samitin e 16 tetorit në Tiranë, në një kohë kur tensionet mes palëve janë të larta.

“Nuk kemi planifikuar diçka të tillë, nuk e parashikoj. Çdo gjë mund të ndodhë sepse në situata të tilla ku të gjithë flasin me njëri-tjetrin, nëse ka një hapësirë ose nëse liderët e Gjermanisë dhe Francës që do të jenë këtu, do të duan të flasin me ta si bashkautorë të planit franko-gjerman që është në tryezë, ndoshta mund të ndodhë”, deklaroi Rama në intervistën e tij në podkastin Inside Albania.

I vënë përballë kritikave të shumta nga klasa politike në Prishtinën zyrtare, përfshi kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Jashtme Donika Gërvalla për idetë e tij për të ngritur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në një nivel konference si dhe propozimin e tij për Asociaicionin e komunave me shumucë serbe, Rama kishte një përgjigje të gjatë por të qartë.

“Nuk po përpiqem të bëj të zgjuarin. Jam i sigurt që shumë prej tyre, përfshi vetë ata, mund të jenë më të zgjuar dhe ashtu janë. Por e kam problem t’i bëj njerëzit ose veten për budallenj. Nuk mund të gënjejmë veten. Ajo që ne kemi bërë deri më tani si komunitet shqiptar qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, na ka mësuar shumë qartë se kemi bërë gjithë këto arritje duke u qartësuar se në cilin krah jemi, me kë bashkëpunojmë ngushtësisht dhe cila është mënyra jonë për t’u përmirësuar si faktor shqiptar brenda vendeve tona dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Rruga është e shumë qartë: puna e palodhur drejt paqes, prirja drejt së ardhmes dhe të mos mbeturit peng i të shkuarës. Ne nuk i japim leksione miqve dhe aleatëve tanë të mëdhenj si ata duhet ta shohin botën, por kemi një bashkëpunim konstruktiv me ta dhe i qëndrojmë gjithnjë pranë. Kështu ja kemi dalë deri më sot. Çfarë ka këtu për t’u çuditur? Më e rëndësishmja, Serbia e ka humbur luftën. Kosova e ka fituar luftën. Historia ka treguar se kush ka humbur luftën nuk është i interesuar për paqen, ndryshe nga ai që e ka fituar luftën”, u shpreh Rama.

Për Ramën, Kosova duhet të këmbëngulte për zbatimin e planit franko-gjerman, për të arritur atë që synon: njohjen përfundimtare.

“Plani franko-gjerman është ujdia më e mirë që Kosova mund të marrë, sepse është njohje de facto. Është propozim tolerant dhe i hap rrugën njohjes nga të tjerët. Përse nuk e nxisin ata? Përse nuk këmbëngulin? Përse Kosova nuk është pala që t’ju kërkojë të gjithëve që ky propozim të bëhet? Në politikë dhe në zgjidhjen e diçkaje që është në interesin tënd, nuk është asnjëherë ide e mirë të fillosh të gërmosh në mendjen e tjetrit. A është tjetri vërtet i interesuar? A e do ai vërtet diçka? Ndoshta jo dhe nëse do të hiqnim fuqitë e mëdha që janë me ne dhe do ta imagjinonim dialogun vetëm mes Serbisë dhe Kosovës, atëherë Serbia ndoshta nuk do të ishte ulur farë në tryezë, por do të kishte bërë diçka krejt të çmendur. Por, realiteti është se kemi mbështetje të fortë që të bëjmë një hap madhor drejt njohjes përfundimtare. Dhe ne nuk po e pranojmë këtë? Përse? Për çfarë arsye? Pyetja nuk është nëse kanë ata interes. Pyetja është a kemi ne interes apo jo? Mendoj se ata e kuptojnë se janë shumë të interesuar që kjo çështje të mbyllet njëherë e mirë. Si bëhet kjo? Duke humbur vëmendjen dhe duke krijuar situata apo duke bërë që të krijohen situata që më pas të bllokojnë, apo duke u përpjekur të qetësosh gjithçka, të japësh një gjë të vogël në këmbim të diçkaje më të madhe? Mendoj se zgjidhja është kjo e dyta. Nuk është shkencë, është logjikë e thjeshtë”, sqaroi Kryeministri.

Sipas Kryeministrit të Shqipërisë, nuk ka asgjë të keqe nëse Serbia do të mbështeste financiarisht Bashkësinë e Komunave Serbe.

“Serbia e ka humbur luftën dhe nuk ka vend të imagjinojë një hakmarrje ushtarake. Ka marrë fund kjo gjë! Kosova është njohur nga një komunitet vendesh që nuk do lejonin kurrë kthimin pas. Kurrë! Çfarëdo që të ndodhë! Kjo e para. E dyta, nëse Bashkësia krijohet sipas kuadrit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe është rezultat i një marrëveshjeje që bazohet aty, atëherë nuk do të jetë një hapësirë që të vijnë njerëz të armatosur dhe të thonë se janë anëtarë të asaj Bashkësie. Do të jetë një hapësirë që komunat të kenë vetë-menaxhim, të kenë mbështetje nga Beogradi. Pse jo? Kemi komunat në jug dhe lindje të pakicave greke. Ata do të ishin shumë të lumtur nëse Greqia do t’i mbështeste financiarisht. Pse jo? Është e rëndësishme të shohim nga e ardhmja dhe të bëjmë çdo gjë për ta afruar, sesa të mendojmë gjithnjë vetëm për të shkuarën. E shkuara ka kaluar”, deklaroi Rama.

I pyetur nëse Bashkimi Europian nuk është treguar i drejtë në qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë, Rama, tha “Ne patëm një debat të zjarrtë kur BE-ja doli me deklaratë pas sulmit kriminal në veri”.

“Ishte e gjitha për Kosovën. Ata na shpjeguan se e tillë është procedura e BE-së, Këshillit dhe deklarata ishte miratuar nga 27 vendet anëtare para se të ndodhnin ngjarjet, ndaj edhe e publikuan. I thamë se mund ta publikonin bashkë me një tjetër deklaratë që do të dënonte atë që kishte ndodhur, do të dënonte Beogradin për aktin e pajustifikueshëm të shpalljes së ditës së zisë. E pajustifikueshme! Kërkuam masa konkrete edhe ndaj Serbisë, jo thjesht dënim të aktit. Ata thanë se nuk mund të bëhej për shkak të kohës, sepse duhet shumë kohë për të bërë këto deklarata. Atëherë ne i thamë se nuk do të linjëzoheshim. Për herë të parë në 10 vite, ne nuk u linjëzuam me një deklaratë të BE-së. Nuk do thoja se BE-ja është treguar e padrejtë. Do të thoja se fatkeqësisht Kosova i ka dhënë BE-së shumë arsye që të tregohet më e ashpër me ta. Ndërsa Serbia e ka luajtur lojën me më shumë inteligjencë, një lojë e cila vetëm vijon, nuk ka mbaruar”, përfundoi Rama. /EuronewsAlbania/