Vizita e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron vijoi sot me një takim në vilën e ish–diktatorit, e cila është hapur për artin, duke u shndërruar tashmë në një rezidencë artistësh në bashkëpunim me fondacionin prestigjoz francez “Art Explora”.
Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, kryeministri Edi Rama u shpreh se “këto vende duhet të mishërojnë shpresën dhe të ardhmen, por duke mos larguar fantazmat nga muret”.
“Kemi përjetuar për shumë vite në një dilemë shumë të fortë për sa i përket të ardhmes së Piramidës, të ardhmes së kësaj shtëpie që gjatë gjithë rinisë sonë mishëronte të keqen, errësirën, një të kaluar që donte të ishte e ardhmja jonë, me kosto të pabesueshme. Shumica e njerëzve donin të fshinin gjithçka. Pati madje një pirje për ta shkatërruar piramidën dhe për ta shndërruar në një ndërtesë moderne për Parlamentin. Pati ide të ndryshme për këtë shtëpi, për ta shndërruar në një ndërtesë burokracie demokratike. Unë kam qenë gjithmonë kundër këtyre por në të njëjtën kohë isha i detyruar, i shtrënguar nga sfidat që duke përdorur këto vende, duhet të mishëronim shpresën dhe të ardhmen dhe në të njëjtën kohë, si mund të bëhej kjo duke mos larguar fantazmat nga muret”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se “në këto mure duhej bërë gjithçka që urrente pronari i tyre i mëparshëm dhe gjithçka që ai donte të largonte”.
“Në fakt një nga gjërat më të urryera dhe më të urrejtshme të diktaturës dhe të Enver Hoxhës personalisht, ishte shprehja e lirë, të shprehurit lirshëm të artistëve dhe të krijuesve. Ne jemi rritur me parullën: ‘artistët janë ushtarë të partisë dhe arti është një armë në dispozicion të partisë’. Si përfundim, e vendosëm këtë dhe filluam të bënin disa hapa të vegjël, të ndrojtur duke hapur dyert e kësaj shtëpie për krijues të rinj shqiptarë, për regjisorë por megjithatë nuk arritëm, nuk arrinim ta largonim fantazmën në hije”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, vijoi ai, “nuk po e fshijmë plotësisht të kaluarën por e shndërrojmë të kaluarën në një burim energjish për ta nxjerrë më mirë në pah lirinë e shprehjes, për të konsideruar me shumë më tepër respekt, me shumë më tepër admirim, faktin e të jetuarit në një hapësirë lirie”.
Sipas tij, “nuk duhet të harrojmë kurrë që kjo liri nuk është diçka që merret e mirëqenë dhe që na është dhënë si fakt jete pa bërë asnjë beteje”.
“Besoj se sot mund të festojmë këtë mundësi, mundësinë që bashkojmë të kaluarën me të tashmen në shërbim të së ardhmes dhe t’u japim të gjithë të rinjve që do të vijën këtu, artistëve nga e gjithë bota, mundësinë për të kuptuar se për lirinë e krijimit të tyre, që ata të kishin liri krijimi, ka pasur njerëz që kanë vdekur. Ka pasur njerëz që kanë dhënë vite, që mund të jepnin vite nga jeta e tyre për të pasur një ditë liri, ka pasur njerëz që nuk mundën të merrnin frymë, që nuk mundën të bënin që ëndrra e tyre të merrte frymë”, tha ai.
Kryeministri theksoi se kërkoi një projekt ku të mos shihej dora e arkitektit por të shihej vetëm ndryshimi i hapësirës nga errësira në dritë.
“Të krijohej energjia e lirë nëpër shtëpi ku kuptohet që ka pasur dikur një fantazmë , por që më në fund kjo hapësirë është e çliruar dhe fantazmën mund ta përmendim sa herë të duam, por ajo është në dispozicionin tonë, e kemi mposhtur. Jo ne në dispozicion të saj, shtoi ai.
Në përfundim, Rama i dha Presidentit Macron një bono me një kapital prej 200 mijë frangash.
“Një bono për një investim që ka qenë investimi i parë në historinë e Shqipërisë, për ndërtimin e një stacioni prodhimi energjish të rinovueshme, të financuar nga Shoqëria Gjeneralë e elektricitetet në Korçë ku në atë kohë të gjitha dokumentet, të gjitha procedurat, e gjithë burokracia ishte dhe në shqip dhe në frëngjisht”. Është një bono që ka një vlerë të rëndësishme, me një kapital prej 200 mijë frangash. Mund ta përdorini për të shtyrë Europën të investojë akoma më shumë në energji të rinovueshme në Ballkan”, theksoi ai./atsh/KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk përjashtoi mundësinë e një takimi mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në samitin e 16 tetorit në Tiranë, në një kohë kur tensionet mes palëve janë të larta.
“Nuk kemi planifikuar diçka të tillë, nuk e parashikoj. Çdo gjë mund të ndodhë sepse në situata të tilla ku të gjithë flasin me njëri-tjetrin, nëse ka një hapësirë ose nëse liderët e Gjermanisë dhe Francës që do të jenë këtu, do të duan të flasin me ta si bashkautorë të planit franko-gjerman që është në tryezë, ndoshta mund të ndodhë”, deklaroi Rama në intervistën e tij në podkastin Inside Albania.
I vënë përballë kritikave të shumta nga klasa politike në Prishtinën zyrtare, përfshi kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Jashtme Donika Gërvalla për idetë e tij për të ngritur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në një nivel konference si dhe propozimin e tij për Asociaicionin e komunave me shumucë serbe, Rama kishte një përgjigje të gjatë por të qartë.
“Nuk po përpiqem të bëj të zgjuarin. Jam i sigurt që shumë prej tyre, përfshi vetë ata, mund të jenë më të zgjuar dhe ashtu janë. Por e kam problem t’i bëj njerëzit ose veten për budallenj. Nuk mund të gënjejmë veten. Ajo që ne kemi bërë deri më tani si komunitet shqiptar qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, na ka mësuar shumë qartë se kemi bërë gjithë këto arritje duke u qartësuar se në cilin krah jemi, me kë bashkëpunojmë ngushtësisht dhe cila është mënyra jonë për t’u përmirësuar si faktor shqiptar brenda vendeve tona dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Rruga është e shumë qartë: puna e palodhur drejt paqes, prirja drejt së ardhmes dhe të mos mbeturit peng i të shkuarës. Ne nuk i japim leksione miqve dhe aleatëve tanë të mëdhenj si ata duhet ta shohin botën, por kemi një bashkëpunim konstruktiv me ta dhe i qëndrojmë gjithnjë pranë. Kështu ja kemi dalë deri më sot. Çfarë ka këtu për t’u çuditur? Më e rëndësishmja, Serbia e ka humbur luftën. Kosova e ka fituar luftën. Historia ka treguar se kush ka humbur luftën nuk është i interesuar për paqen, ndryshe nga ai që e ka fituar luftën”, u shpreh Rama.
Për Ramën, Kosova duhet të këmbëngulte për zbatimin e planit franko-gjerman, për të arritur atë që synon: njohjen përfundimtare.
“Plani franko-gjerman është ujdia më e mirë që Kosova mund të marrë, sepse është njohje de facto. Është propozim tolerant dhe i hap rrugën njohjes nga të tjerët. Përse nuk e nxisin ata? Përse nuk këmbëngulin? Përse Kosova nuk është pala që t’ju kërkojë të gjithëve që ky propozim të bëhet? Në politikë dhe në zgjidhjen e diçkaje që është në interesin tënd, nuk është asnjëherë ide e mirë të fillosh të gërmosh në mendjen e tjetrit. A është tjetri vërtet i interesuar? A e do ai vërtet diçka? Ndoshta jo dhe nëse do të hiqnim fuqitë e mëdha që janë me ne dhe do ta imagjinonim dialogun vetëm mes Serbisë dhe Kosovës, atëherë Serbia ndoshta nuk do të ishte ulur farë në tryezë, por do të kishte bërë diçka krejt të çmendur. Por, realiteti është se kemi mbështetje të fortë që të bëjmë një hap madhor drejt njohjes përfundimtare. Dhe ne nuk po e pranojmë këtë? Përse? Për çfarë arsye? Pyetja nuk është nëse kanë ata interes. Pyetja është a kemi ne interes apo jo? Mendoj se ata e kuptojnë se janë shumë të interesuar që kjo çështje të mbyllet njëherë e mirë. Si bëhet kjo? Duke humbur vëmendjen dhe duke krijuar situata apo duke bërë që të krijohen situata që më pas të bllokojnë, apo duke u përpjekur të qetësosh gjithçka, të japësh një gjë të vogël në këmbim të diçkaje më të madhe? Mendoj se zgjidhja është kjo e dyta. Nuk është shkencë, është logjikë e thjeshtë”, sqaroi Kryeministri.
Sipas Kryeministrit të Shqipërisë, nuk ka asgjë të keqe nëse Serbia do të mbështeste financiarisht Bashkësinë e Komunave Serbe.
“Serbia e ka humbur luftën dhe nuk ka vend të imagjinojë një hakmarrje ushtarake. Ka marrë fund kjo gjë! Kosova është njohur nga një komunitet vendesh që nuk do lejonin kurrë kthimin pas. Kurrë! Çfarëdo që të ndodhë! Kjo e para. E dyta, nëse Bashkësia krijohet sipas kuadrit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe është rezultat i një marrëveshjeje që bazohet aty, atëherë nuk do të jetë një hapësirë që të vijnë njerëz të armatosur dhe të thonë se janë anëtarë të asaj Bashkësie. Do të jetë një hapësirë që komunat të kenë vetë-menaxhim, të kenë mbështetje nga Beogradi. Pse jo? Kemi komunat në jug dhe lindje të pakicave greke. Ata do të ishin shumë të lumtur nëse Greqia do t’i mbështeste financiarisht. Pse jo? Është e rëndësishme të shohim nga e ardhmja dhe të bëjmë çdo gjë për ta afruar, sesa të mendojmë gjithnjë vetëm për të shkuarën. E shkuara ka kaluar”, deklaroi Rama.
I pyetur nëse Bashkimi Europian nuk është treguar i drejtë në qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë, Rama, tha “Ne patëm një debat të zjarrtë kur BE-ja doli me deklaratë pas sulmit kriminal në veri”.
“Ishte e gjitha për Kosovën. Ata na shpjeguan se e tillë është procedura e BE-së, Këshillit dhe deklarata ishte miratuar nga 27 vendet anëtare para se të ndodhnin ngjarjet, ndaj edhe e publikuan. I thamë se mund ta publikonin bashkë me një tjetër deklaratë që do të dënonte atë që kishte ndodhur, do të dënonte Beogradin për aktin e pajustifikueshëm të shpalljes së ditës së zisë. E pajustifikueshme! Kërkuam masa konkrete edhe ndaj Serbisë, jo thjesht dënim të aktit. Ata thanë se nuk mund të bëhej për shkak të kohës, sepse duhet shumë kohë për të bërë këto deklarata. Atëherë ne i thamë se nuk do të linjëzoheshim. Për herë të parë në 10 vite, ne nuk u linjëzuam me një deklaratë të BE-së. Nuk do thoja se BE-ja është treguar e padrejtë. Do të thoja se fatkeqësisht Kosova i ka dhënë BE-së shumë arsye që të tregohet më e ashpër me ta. Ndërsa Serbia e ka luajtur lojën me më shumë inteligjencë, një lojë e cila vetëm vijon, nuk ka mbaruar”, përfundoi Rama. /EuronewsAlbania/
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga grykëderdhja e Vjosës në Levan, Fier.
Rama e cilësoi grykëderdhjen e Vjosës një peizazh magjik për t’u vizituar.
Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall më 13 mars të këtij viti nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”.
Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.
Për shkak se, lumi Vjosa dhe lugina e tij është një park shumë kompleks, është marrë ekspertizë ndërkombëtare përveç asaj të brendshme, që të gjitha procedurat e shpalljes të Vjosës Park Kombëtar, të jenë me standardet më të larta ndërkombëtare.
Lumi Vjosa, në jug të Shqipërisë, është një nga lumenjtë më të njohur në Shqipëri, për sa i përket trashëgimisë natyrore dhe vlerave të biodiversitetit që mban. Formacionet e ndryshme gjeologjike, karakteristikat e relievit dhe kushtet klimatike të pellgut të Vjosës kanë kontribuar në një diversitet të madh habitatesh dhe speciesh, shumë prej të cilave mbeten të pazbuluara edhe sot e kësaj dite. Bollëku i Vjosës me peshq, duke përfshirë grykëderdhjen e saj dhe lagunën e Nartës, e bëjnë këtë rajon mjaft të rëndësishëm për peshkim dhe shumë banorë vendas e kanë ndërtuar jetesën e tyre bazuar në peshkim me praktika kryesisht tradicionale të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite./atsh/KultPlus.com
Faik Konica është një poet dhe autor/publicist shumë i njohur. Faik Konica mori mësimet e para në Konicë dhe i vijoi për pakë kohë te Jezuitët në veri, në Shkodër. Më pas u shkollua në shkollat franceze në Lindje, në Stamboll. Në Dizhon dhe në Paris, ndoqi studimet për filozofi.
Ai fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonshme. U diplomua për letërsi në Universitetin e Harvardit të SHBA. Ai mësoi gjithnjë dhe thoshte vetë se ishte një student i perjetshëm.
Njëra ndër thëniet e tij më të njohura është ajo për Shqipërinë, e cila lidhet me politikën.
“Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj duhet të shkruhet: “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”, – Faik Konica. /KultPlus.com
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, ka dhënë një prononcim për gazetën e njohur britanike “Financial Times”, ku ka folur për situatën politike në Kosovë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit. Sipas Ramës, Kosova është “një pikë e nxehtë”. Për më shumë, në këtë prononcim, Rama ka përdorur edhe një togfjalësh të çuditshëm, duke iu referuar Kosovës si “tokë e askujt”. Çka tha Rama?
Në artikullin e Financial Times, Rama ka përsëritur kërkesën për rivendosë e kontrollit të veriut të Kosovës nga ana e NATO-s. Kryeministri shqiptar u ka bërë thirrje liderëve perëndimor për të zgjidhur “çmendurinë e pafund” ndërmjet vendeve të Ballkanit.
“NATO duhet të rivendosë kontrollin e veriut të Kosovës ose të përballet me dhunën e vazhdueshme midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve në rajon, sipas kryeministrit të Shqipërisë”, shkruan FT.
Rama e ka quajtur Kosovën si një pikë të nxehtë, duke shtuar se “me kalimin e viteve” Kosova është “bërë toka e askujt”.
“Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur” – deklaroi Rama për Financial Times. /KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale shifrën e lartë të vizitorëve që gjatë muajit gusht zgjodhën të shihnin mrekullitë e Alpeve Shqiptare.
“Magjia e Alpeve Shqiptare, që këtë gusht priti mbi 130 mijë vizitorë, të cilët zgjodhën të udhëtonin drejt majave madhështore, luginave si parajsa, shtigjeve e lumenjve duke konfirmuar se turizmi malor është në ditët e tij më të mira dhe harta e atraksioneve për t’u zbuluar sa vjen e zgjerohet”, shkroi Rama.
Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij.
Lartësia mesatare e tyre mbi nivelin e detit arrin në 1500 m. Këtu ndodhen shumica e majave të Shqipërisë me lartësi mbi 2000 m.
Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat.
Blloku i Jezercës shtrihet në qendër të Alpeve dhe ka reliev më të lartë, më të ashpër dhe më të thepisur. Aty ndodhet maja e Jezercës 2694 m, më e larta në Alpe dhe e dyta në Shqipëri, pas majës së Korabit.
Bukuria mahnitëse e Alpeve pasqyrohet në ujërat kthjellta të lumenjve si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, etj., si dhe në liqenet akullnajore të tilla ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës etj. Ato ofrojnë një qetësi përrallore dhe një nivel adrenaline, e cila ndryshon çdo moment, të atyre që shijojnë bukuritë e shumta të kësaj hapësire./atsh/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama solli sot pamje nga lumi Vjosa, ku adhurues të sporteve ujore gjejnë oaz freskie dhe mundësi për rafting.
“Nga Vjosa, i vetmi Park Kombëtar i një lumi të egër në Europë, që dhuron eksperienca të paharrueshme dhe peizazhe mbresëlënëse, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Vjosa fillon në Greqi si Aoos, përpara se të kalojë në Shqipëri, duke gjarpëruar nëpër malet e Ballkanit dhe në fund të arrijë në detin Adriatik.
Gjatë rrugës, ajo kalon nëpër fusha të blerta dhe përgjatë shpateve malore duke krijuar kanione mbresëlënëse, ishuj rërë dhe kthesa të mrekullueshme.
Bukuria dhe domethënia e lumit e kanë fituar emrin “Zemra Blu e Evropës”.
Në 13 mars lumi i Vjosës, i fundit i egër në Europë, u shpall nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”.
Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”./ KultPlus.com
Rritja e pandalshme e turistëve që po e zgjedhin Shqipërinë konfirmohet edhe nga të dhënat e vetë “google”.
“Google” rendit Shqipërinë të tretën sa i takon destinacioneve me rritjen më të madhe të këtij sezoni turistik, ndërsa Tiranën të dytën ndër qytetet e vizituara më shumë.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot të dhënat e “google” teksa theksoi se Tirana la pas qytete të stërkonfirmuara prej dekadash në turizëm.
“Edhe sipas të dhënave nga vetë google, Shqipëria renditet e treta sa i takon destinacioneve me rritjen më të madhe të këtij sezoni turistik, ndërsa Tirana jonë e dyta që lë pas plot prej qyteteve të stërkonfirmuara prej dekadash në turizëm”, u shpreh Rama.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se Shqipëria është vizituar nga 5.2 milionë të huaj në periudhën janar-korrik.
Gjatë shtatëmujorit, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me rreth 5 milionë shtetas, pasuar nga Amerika, Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 131 236 dhe 34 3721 shtetas./atsh/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama përcolli mesazh në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.
“5 Shtatori, Dita e Madhe e Shenjtërimit të Nënë Terezës, shqiptares që i dëshmoi botës forcën e dashurisë dhe dhembshurisë. “Në vend se të mallkosh errësirën ndiz një qiri” – Nënë Tereza”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Misionarja shqiptare Agnes Gonxhe Bojaxhiu, lindi në Shkup, në vitin 1910. Më 1928 shkoi në Indi, ku iu përkushtua ndihmës ndaj të varfërve. Në vitin 1948 ajo u bë një qytetare indiane dhe themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta, në vitin 1950, duke marrë famë për punën midis të varfërve dhe atyre që po vdisnin në atë qytet.
Për më shumë se 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve, jetimëve dhe të vdekurve, ndërsa drejtoi zgjerimin e Misionarëve të Bamirësisë, fillimisht në Indi dhe më pas në vende të tjera, duke përfshirë bujtina dhe shtëpi për më të varfërit dhe të pastrehët.
Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare.
Në njohje të rolit të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis kombeve, si dhe të përpjekjeve të organizatave dhe individëve bamirës, duke përfshirë punën e Nënë Terezës, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, përmes një rezolute, caktoi 5 shtatorin, ditën e vdekjes së Nënë Terezës, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë./atsh/KultPlus.com
“Paketat e turizmit kulturor gjatë kësaj fundjavë janë të mbushura plot me evente që do t’ju bëjnë të shijoni Shqipërinë nga veriu në jug mes traditës, kulinarisë, sportit e muzikës”.
Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau në rrjetet sociale kalendarin e aktiviteteve kryesore kulturore në vend.
Për pushuesit që vendosin të rrugëtojnë drejt Alpeve të bukura shqiptare, Logu i Bjeshkëve shpalos vlerat e pasura të traditës në Kelmend të Malësisë së Madhe me këngë e valle, në Polenë të Korçës i pret shija e mirë e lakrorit e në Përmet i mikpresin gjyshet e ëmbla nga e gjithë Shqipëria.
“Dhoskati e Libohova do t’ju bëjnë të përjetoni festivalet e traditës, në Delvinë ekspozohet panairi i qytetit; nga shëtitorja e Durrësit do të vijnë tingujt e Festivalit të folkut dhe mbrëmje fantastike do të përjetoni në Kalanë e Ali Pashës në netët e fundit të Festivalit të Porto Palermos por paharruar emocionet e ndeshjes miqësore Partizani – Roma në kryeqytet”, shtoi Rama.
Po ashtu me sugjerimet e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, aplikacioni TEA jep mundësinë e zgjedhjes së eventeve kulturore e festive që do të zbukurojnë ditët e verës nëpër destinacionet turistike të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka postuar në rrjetin e tij social një meme ku pasqyrohej një foto e anijes ”Vlora” të 8 gushtit 1991, me 20 mijë shqiptarë që zbarkuan në Bari, dhe pranë saj, i njëjti imazh i kundërt: turistët italianë që zbarkojnë në Shqipëri, shkruan gazeta italiane, “La Reppublica”.
Kryeministër Edi Rama, si ju lindi ta postoni në Instagram?
Edi Rama – Rashë në kurth. Mendova se ishte titulli i një gazete italiane. Në vend të kësaj, djemtë e rrjeteve sociale më thanë se ishte një meme… E postova sepse ky është një moment i veçantë për ne”.
Në çfarë kuptimi?
“Shifrat janë mbresëlënëse. Rritja e turizmit është 35% dhe po shkon drejt 45%. Vetëm gjysmë milioni italianë».
Është provokim i juaji?
“Jo kundër Italisë, jam i dashuruar me të. Gjyshja ime kishte gjak italian dhe më fliste në gjuhën tuaj që kur linda. Dhe Italia ishte e vetmja dritare drejt botës jashtë bunkerit të diktaturës. Televizorët ishin errësuar, por në Vlorë në verë, nëse moti ishte i mirë, mund të shihnim Rain dhe Telenorbën. Dhe hoqëm dorë të shkonim në plazh. Imagjinoni një duzinë fëmijësh të ulur në dysheme përpara televizorit bardh e zi të gjyshërve të mi. Më pas erdhën vitet nëntëdhjetë dhe zbuluam Lamericën, si në filmin e Gianni Amelio.
Zbarkimi i Vlorës ishte një dramë?
“Ishte pjesa e dytë e një filmi që filloi në vitin 1990, kur mijëra shqiptarë sulmuan ambasadat e huaja duke kërkuar azil politik. Më pas regjimi u shemb dhe kur ndodhi sulmi mbi anijet ishte kaos. Për ne që ishim në Shqipëri, vera e vitit 1991 ishte një moment gëzimi i madh. Po, për ata që largoheshin ishte një kërcim në errësirë, kushtet e udhëtimit ishin çnjerëzore. Por më në fund u liruam, ishte një psherëtimë e thellë lehtësimi pas shekujsh.
Dhe tani cili është efekti i anijeve që nisen nga Italia për në Shqipëri plot turistë?
Vitet e fundit shumë nga e gjithë Evropa kanë ardhur tek ne pak nga pak. Por nuk e kisha imagjinuar kurrë që një ditë italianët do të vinin me kaq numër në pushime. Është një gjë e veçantë. Gjatë regjimit, këtu vinin mesatarisht pesë mijë turistë në vit. Nuk mund të vinte kushdo: vetëm grupe të organizuara marksiste-leniniste që panë te Enver Hoxha bastionin e fundit të komunizmit. Por ata nuk mund të flisnin me ne dhe nëse flisnin ne merrnim në pyetje dhe arrestoheshim. Në aeroportin e Tiranës ishte një berber që u preu mjekrën dhe flokët këtyre militantëve të majtë. Nëse Marksi dhe Lenini do të kishin qenë atje, nuk do të kishin mundur të hynin!”.
Më pas italianët zbuluan njerëz pothuajse të panjohur që jetonin në anën tjetër të Adriatikut. A është mikëpritja e familjeve tona me pushime tani një shpërblim?
“Nuk është si ‘tash e kemi bërë’. Është më tepër një konfirmim i ndjenjës sonë se jemi pjesë e Italisë. Ne kishim dominues, por kur erdhi radha e italianëve nuk mbajtëm mëri. Kur Italia fashiste kapitulloi, shumë shqiptarë i mbrojtën ushtarët italianë si vëllezër dhe shumë u shpëtuan nga nazistët nga familjet që i fshehën. Dhe pastaj gjuha, librat… Unë i detyrohem shumë letrave të gjyshit, falë të cilave zbulova Shopenhauerin, Platonin, Niçen, autorë të ndaluar. Dhe Repubblica e lexoj që nga viti 1993, kam filluar ta blej çdo ditë kur isha në Francë dhe e ndjek akoma: kur ua them kryeministrave italianë, megjithatë, më shohin gabim! (qesh red.). Janë këto arsye kulturore që na mbushin me gëzim kur shohim kaq shumë italianë këtu. Është një lidhje që na kthen në rini, ishin dy ultra fansa, fansat e Battisti-t dhe fansat e Celentanos”.
Dhe në cilën anë ishte ajo?
Celentano. Madje u përpoqa ta bëja të vinte këtu, por ai nuk udhëton si dikur.
Me pak fjalë, shumë dashuri për Italinë. Por a nuk është se tani doni të na vini në lojë?
“Jo, ne kurrë nuk mund të konkurrojmë me ju. Italia ka 70 për qind të trashëgimisë kulturore botërore. Ndihemi pjesë e Italisë, por pa Leonardo Da Vincin. Shpresa ime është tjetër”.
Cilin?
Se ky fluks turistësh tërheq pak më shumë investime italiane. Përveç Eni-t dhe disa markave, investitorët tuaj janë ende të paktë në vendin tonë. Turizmi është i lidhur me perceptimin e sigurisë, rehatisë dhe gëzimit të jetës. Për ne është një pikë kthese. Ndryshon imazhin e popullit tonë. Falë rrëmujës që bënin disa bashkatdhetarë, ne shkuam me kokën ulur, kishim një stigmë, si ju në emigracionin tuaj në Amerikë, kur ishit “picë e mafia”. Dhe përkundrazi Shqipëria është e fundit në Europë për vjedhjet në shtëpi.
Cili është sekreti i suksesit?
Feja jonë është mikpritja. Ndoshta do të vijë koha kur Shqipëria do të dëshirojë të kapërcejë turizmin popullor dhe të synojë luksin, por jo tani. Dhe ndihma e madhe ka ardhur nga Italia: shumë fëmijë filluan si pjatalarëse, pastaj ata shikuan në kuzhinë dhe mësuan sekretet. Tani këtu ata janë bërë kuzhinierë të zotë. / atsh / KultPlus.com
Në kufirin e Qafë Thanës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë hyri në fuqi programi i ri “Një ndalesë – Një kontroll”, duke lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave me procedura shumë të thjeshtuar. Tanimë të gjithë qytetarët dhe tregtarët e dy vendeve do të kenë vetëm një ndalesë në këtë pikë kufitare ku do të ketë përfaqësues të të dy ministrive të brendshme.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se kjo u ka munguar këtyre dy shteteve për më shumë se një shekull.
“Gjysmë shekulli i ka munguar Shqipërisë dhe në atë kohë Maqedonisë, megjithatë gjithçka mbetet në të kaluarën dhe sot ne japim shembull se si duhet të sillen dy shtete fqinje. Me këtë lehtësohet puna e 11 mijë kompanive nga shteti jonë të cilat janë të orientuara në transportin dhe tregtinë me shtetet tjera dhe në këtë mënyrë ju sigurojmë arritje më të lehtë deri në Shqipëri dhe në këtë mënyrë sigurojmë kalim më të lehtë deri në vendet turistike të Shqipërisë”, tha Kovaçevski.
Gjatë gjysmës së parë të këtij viti në këtë pikë kufitare kanë lëvizur mbi 770 mijë shtetas dhe mbi 352 mijë automjete tha kryeministri Shqiptar Edi Rama. Sipas tij vetëm një ndalesë në këtë pikë kufitare do të jetë më e favorshme për të gjithë.
“Unë dua shumë të shpresoj që të dyja ministritë e brendshme do të kalojnë në një tjetër nivel në këtë periudhë piku të sezonit dhe në të gjitha sezonet e tjera verore për të bërë kalimin pa kontroll apo më saktë me kontroll të rastësishëm të makinave të targetuara Republika e Shqipërisë dhe RMV në mënyrë që edhe më shumë të lehtësohet qarkullimi”, tha Rama.
Zv/ kryeministri Artan Grubi e quajti ditë të madhe në kapitullin e dy shteteve, si një thyerje të barrierës mes dy shteteve dhe lehtësimin e lëvizjeve për të gjithë.
“Kryeministër nuk ka gjë më të bukur se bashkimi dhe këtë sot po e realizojmë bashkërisht dhe vërtet më bënë shumë të lumtur ka disa ditë që ky kalim kufitar po funksionon tash më dhe qytetarë të dy vendeve tona po më shkruajnë po më thërrasin në telefon nga kënaqësia kur e përjetojnë që nuk ka kufi midis nesh që tash më ka vetëm një kontroll”, u shpreh Grubi.
One Stop Shop erdhi si projekt i Ballkanit të hapur me qëllim të lehtësimit dhe evitimit të pritjeve të gjata nëpër pikat kufitare të shteteve fqinje ballkanike.
Kryeministri Edi Rama gjatë ditës së djeshme ka postuar dy fotografi të një objekti që ka nisë të ndërtohet në Tiranë, dhe ai i është drejtuar ndjekësve të tij se ata që e gjejnë deri në mesnatë, do ti sigurojë fanellën me nënshkrimin e cilitdo sportist apo këngëtar, shkruan KultPlus.
Dhe para disa minutave, kryeministri Rama ka zbuluar destinimin e këtij objekti që do të jetë Spital Veterinar, edhe pse shumë prej komentuesve menduan se mund të jetë Galeri e Arteve.
KultPlus ju sjell të dy postimet e kryeministrit Rama./ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama organizoi një pritje madhështore për ish presidentin e Amerikës Bill Clinton, vizitë që përfundoi gjatë ditës së sotme, shkruan KultPlus.
Kryeministri Rama përpos që ka ndarë një foto nga takimi përcjellës, ai ka ndarë më ndjekësit e tij edhe fjalët e Clinton për Shqipërinë.
““Ishte e gjitha e jashtëzakonshme! Nuk do doja të ikja sot dhe po iki duke menduar se emri tjetër i Nju Jorkut është West Albania” – Bill Clinton ”, ka shkruar Rama./ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në nder të ish-presidentit të SHBA, Bill Clinton tha se vendimi i këtij të fundit për të çliruar Kosovën ishte nga forcat serbe ishte historik.
Sipas kjo vendimmarrje largoi diktatorin e fundit në Ballkan dhe nisi një epokë të re për lagjen e vogël në perëndim të Europës.
Pjesë nga fjala e Ramës:
“Clinton nuk do t’i kishte gjetur kurë aleatë për çlirimin e Ballkanit nga diktatori i fundit, jo vetëm Blair, por edhe krye e majtë të Anglisë, bashkë me kryen konservator të Spanjës, ishin pesëshja kyçe që ia mundësuan Cilnton vendimmarrjen historike të NATO-s për realizmin e çlirimit të Kosovës dhe çeljen e një epoke të re, për këtë lagje të njohur si fuqia e barutit në zemër të Eruopës.
Ne shqiptarët kemi pasur privilegjin ta përjetojmë drejtpërdrejtë forcën rrëqethëse të fjalës së Clinton në 24 mars 1999 kur iu drejtuar mbarë botës, “Sot Forcat tona të Armatosura, së bashku me aleatët tanë të NATO-s morën pjesë në goditjet ajrore kundër forcave serbe, të cilat janë përgjegjëse për brutalitetin e ushtruar në Kosovë.
Ai fjalim është për historinë e Kosovës dhe rajonin tonë një gur përcaktuar i rrugës së të ardhmes” tha Rama./abcnews.al/KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media është pyetur për anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që ishte paraparë të mbahet sot në Gjakovë.
Ajo tha se është detyrim kombëtar që Kosova e Shqipëria të bëhen bashkë kur kanë sfida.
“Sa i përket mbledhjes së dy qeverive, kjo është çështje mes dy qeverive, besoj se mund t’i merrni përgjigjet më konkrete prej tyre se pse ka ardhur deri te kjo. Jam e bindur se Kosova e Shqipëria do të ulen bashkë, duhet të ulen bashkë. Jo vetëm që e kemi detyrim si dy vende që janë fqinj, por si dy motra. Është detyrim kombëtar që të punojmë me njëra-tjetrën edhe kur nuk kemi sfida, por sidomos kur kemi sfida”, tha presidentja Osmani. / Express / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat pasditen e sotme ka njoftuar anulimin e mbledhjes ndërqeveritare me Kosovën, që ishte planifikuar për t’u zhvilluar ditën e nesërme në Gjakovë.
Kreu i qeverisë tha se i ka kërkuar Kurtit një takim më formal dhe i ka dhënë kohë mjaftueshëm për t’u menduar, por kryeministri i Kosovës, sipas tij e ka refuzuar. Gjithashtu Rama paralajmëroi vendosjen në fuqi të sanksioneve për Prishtinën zyrtare nga ana e bashkësisë Euroatlantike, në rast se nuk ka përpjekje për të zbutur tensionet në Veri me ndryshim kursi.
Fjalimi i Ramës
Është një komunikim i jashtëzakonshëm i cili lidhet me takimin e nesërm të dy qeverive në Gjakovë. Në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë Euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borell i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë, me një format më të ngushtë, përkatësisht me Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes.
Në një pikë të paimagjinueshme, kur kjo e fundit ka vënë gishtin faktikisht në butonin që do të vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që ka krijuar vetë., Për fat të keq dhe me shumë keqardhje duhet të them se nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurtin për një ndryshim të formatit. Ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe më pas të diskutojmë edhe për këtë, por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh me realitetin e Kosovës sot.
Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit. Shpresoj shumë të takohemi për të ballafaquar opinionet kur jemi në prag të vënies në zbatim të planeve për masa shtrënguese të një shteti të krijuar nga ata që qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit.
Kam bërë një përpjekje për t’ju kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do vihet në lëvizje/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se është gati plani për prodhimin e supermakinës shqiptare, si një partneritet i kompanisë TIMAK me shtetin shqiptar.
Kryeministri ndau në rrjetet sociale një foto me Arjeta Pucën, sipërmarrësen që aktualisht prodhon makina në fabrikën e saj në Shqipëri dhe është përzgjedhur nga OKB për të prodhuar 500 autoambulanca që do të dhurohen për Ukrainën.
Së bashku me familjen Arjeta ka themeluar në vitin 2016, kompaninë TIMAK, duke prodhuar deri tani mbi 150 autoambulanca, për spitalet shqiptare si edhe për vendet fqinje si Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Turqia etj./KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim falënderues me qytetarët e Gjirokastrës, ku theksoi se, “vitin e 2022 e kemi mbyllur me 200 mijë turistë”.
“Në 2013 e gjetëm me 6 mijë turistë e vizitorë dhe besoj që janë dy shifra që tregojnë gjithçka për çfarë është bërë”, tha rama.
“Sa herë vjen në Gjirokastër shikon gjëra të reja. Kur e nisëm rilindjen urbane kishte një hotel e gjysmë, sot janë mbi 250 dyer të hapura, të cilave iu shtohen edhe dyer që janë hapur në bashkitë e tjera deri në Tepelenë. Tepelena ishte një vend ku të gjithë donin të iknin dhe ku ata që ktheheshin ktheheshin për ndonjë vaki ose për dasëm për të marrë nusen e për të ikur prapë”, tha Rama.
Sot, vijoi Rama, “realiteti është tjetër. Janë 40 milionë euro të investuara nga tepelenasit, emigrantë, të cilët po i rikthehen Tepelenës për të ndërtuar hotele, bujtina dhe diçka e paimagjinueshme, investime private në Tepelenë përtej investimeve që ne kemi bërë që i kanë hapur rrugë këtij zhvillimi:.
Rama foli edhe për Përmetin për të cilin tha se, është në transformim të vazhdueshëm.
Kryeministri Rama u shpreh se, “sot në mëngjes ishim për të qëndruar tek pazari dhe një lokal aty kërkonte një sanitare 60 mijë lekë të reja. Paga minimale e hoteleve të Gjirokastrës është domethënëse, po të kemi parasysh nga kemi nisur”.
“Ndërkohë, nuk është më krijimi i vendeve të punës, por është plotësimi i tyre me forca të reja pune sfida më e madhe. Me rritjen e pagave që kemi nisur po lëviz piramida e pagave në sektorin privat, sipërmarrësit po e kuptojnë që duhet të rrisin pagat nëse duan të marrin mbrapsht investimet e tyre se mund të gjenden pa forcë pune”.
“Është plotësisht e mundur që numrin e turistëve në Gjirokastër ta çojmë gjysmë milionë, që do të thotë ta rrisim numrin e turistëve në të gjitha zonat e qarkut përfshirë edhe Dropullin”, tha Rama./KultPlus.com
Në ditën Europiane të Parqeve, kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetin e tij social një video me parqet natyrore në Shqipëri, mes tyre edhe Vjosën, i cili u shpall Park Kombëtar vetëm pak javë më parë. Rama shkruan se si asnjëherë më parë, zonat e mbrojtura përbëjnë 21% të territorit shqiptar
“MIRËMËNGJESI dhe në Ditën Europiane të Parqeve me këtë buqetë të disa prej mrekullive të natyrës shqiptare, të ruajtura si zona të mbrojtura që si asnjëherë më parë sot përbëjnë 21% të territorit shqiptar, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Me vendim të Këshillit të Ministrave Vjosa u shpall Park Kombëtar, çka do të thotë se në nuk do të lejohet asnjë lloj ndërtimi që cenon lumin Vjosa. E gjithë sipërfaqja e lumit Vjosa, zona bregore, një pjesë e sipërfaqes tokësore, bashkë me tre degët e lumit Drino, Bënsh, Shushicës është shpallur Park Kombëtar, me një sipërfaqja totale 12 727 hektarë. Shpallja e lumit Vjosa si Park Kombëtar ndihmon ruajtjen e një prej lumenjve të fundit të egër të Europës. Ky status nuk do të mbrojë vetëm lumenjtë, por pritet të kthehet edhe në një burim të ardhurash për zonën.
Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër, i ndërtuar vite më parë, në përgjigje të nevojës për të nderuar dhe memorializuar viktimat e krimeve të komunizmit, si dhe nevojës për të informuar brezin e ri, lidhur me periudhën e errët të krimeve, dënimeve dhe burgjeve të diktaturës komunistë në Shqipëri, – do të transformohet rrënjësisht, për t’u shndërruar në një muze mbresëlënës, së persekutimit komunist, destinacion kyç të Shkodrës historike, jo vetëm për vizitorët e për turistët, po edhe për nxënësit shqiptarë kudo jetojnë.
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Shkodrën dhe ndalesën e parë e bëri pikërisht në Muzeun e Memories, ku i shoqëruar nga kryetari i ri i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, si dhe drejtuesi i institucionit Pjerin Mirdita vizitoi mjediset e brendshme të ish-burgut, ku gjatë viteve të diktaturës janë burgosur e torturuar figura të njohura intelektuale të qytetit verior e më gjerë, mes tyre dhe klerikët At Zef Pëllumbi, Imzot Ernest Çoba, At Benardin Palaj, përfaqësues të tjerë të besimit klerik, si dhe qytetarë të njohur nga Shkodra e më gjerë.
“Ka kohë që e kemi pritur këtë vizitë për vetë simbolikën që ofron ky muze, për rëndësinë që ka për qytetin e Shkodrës sepse është i vetmi muze që faktikisht në Shqipëri është i hapur në ambientet e një ish-burgu, që ka qenë në funksion gjatë periudhës së diktaturës komuniste. E gjithë hapësira që ne kemi këtu është e konceptuar e atillë, kjo është një galeri faktikisht është ndërtuar për qëllime muzeale. Është një projekt që ka filluar në vitin 2010 mes bashkisë së Shkodrës, ministrisë së Kulturës së kohës normalisht, por edhe Kishën Franceskane. Faktikisht një aktivitet, i cili për publikun ka filluar në vitin 2014, pasi mbaroi e gjithë ndërtimi dhe konceptimi. Pjesa më e rëndësishme që ne kemi, është zona e qelive, hapësira e qelive e cila ndodhet si pjesë e strukturës së vjetër që ka qenë në shërbim këtu që nga viti 1936, ishte kolegj. Ishte kolegji ku edukoheshin të rinjtë dhe kishin edukues të tyre, mësues të tyre, le të themi, At Gjergj Fishtën e shumë figura franceskane të kohës. Pjesa e burgut, ka qenë edhe pjesa më e dëmtuar me ngjarjet e vitit 1998 e cila u dogj 2-3 herë. Deri në ‘97 ka qenë në përdorim të shtetit si komisiariat policie”, shpjegoi drejtuesi Pjerin Mirdita, teksa shtoi se tashmë synohet që ky vend të jetë një qendër e mirëfilltë edukimi, didaktike.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se është momenti për të ndërhyrë përmes një investimi në infrastrukturën e Muzeut, për t’u pasuruar me materiale të reja, të ndërthurura në mënyrë më interesante, sa i përket ekspozimit të tyre.
“Ka nevojë për një rishikim, por edhe për t’i bërë një ndërhyrje si në syrin e muzeut të Marubit, sepse besoj se ka shumë mundësi që të bëhet akoma më mirë, sidomos kjo pjesa e hyrjes që mund të ketë më shumë figurat e personave të persekutuar, familjeve, me fotografi autentike. Mund të bëhet diçka shumë spektakolare”, theksoi ai.
“Ne nuk kemi asnjë muze tamam për persekutimin e fesë, për shembull dhe Shkodra është djepi në kuptimin e zjarrit që u ndez për të persekutuar fenë, plus edhe elementët e tjerë që kanë të bëjnë me qytetin. Jo thjesht klerikët, por edhe familjet, histori lokale dhe mund të jetë shumë interesante. Edhe me pjesën e dëshmitarëve, mund të bëhet arkivimi. Mund të jetë një gjë që është në proces, dëshmi. Mund të bëhet me këta që janë akoma gjallë, të merrni intervista, të digjitalizohen,mund të bëhen me kamera, nëpër qeli, me film. Pjesa e qelive është shumë spektakolare, por ka nevojë të ndërhyhet. Do një investim patjetër, duhet të bëjmë një projekt të mirë. Fati i madh këtu është që hapësira është. Këtu duhet të rikonceptohet komplet”, u shpreh Rama.
“Historinë e persekutimit dhe të fesë ne nuk e kemi në asnjë vend të përmbledhur dhe ky është vendi. Këtu ke gjithë hapësirën. Edhe biblioteka mund të pasurohet“, sugjeroi Kryeministri Rama
Edhe Benet Beci theksoi se “Marubi” është shumë pikë tërheqëse në Shkodër, por edhe ky muze po ashtu mund të bëhet shumë tërheqës./atsh/ KultPlus.com
Muzikali i rekordeve Guinness dhe shfaqja më e ndjekur në Evropë “Notre Dame de Paris”, nga novela e shkrimtarit francez, Viktor Hygo, për herë të parë do të jetë në stadiumin ‘Air Albania’ më 28 maj.
Lajmin e dha kryeministri, Edi Rama, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan se, shfaqja do të organizohet në stadiumin ‘Air Albania’ për publikun shqiptar dhe të gjithë vendeve të tjera të Ballkanit, prej nga pritet të vijnë vizitorë.
“‘Notre dame de Paris’ në Tiranë. Për herë të parë muzikali i rekordeve Guinness, show më i ndjekur në Europë, spektakli i emocioneve të shumta, bazuar në kryeveprën e Victor Hygoit dhe vënë në skenë nga legjenda e muzikës italiane, Riccardo Cocciante, vjen në ‘Air Albania’ stadium për publikun e Shqipërisë e të krejt Ballkanit, 28 maj, Tiranë. Muzikali që ka ”çmendur Europën”, shkruan Rama./atsh/ KultPlus.com
Tirana u kthye dje në kryeqytetin evropian të RETRO-s, duke mirëpritur në sheshin “Skënderbej”, koleksionin e mjeteve RETRO, pazarin vintage të punimeve artizanale, artefakteve, punime artistike me metal, dru e qeramikë, orendive të vjetra, si dhe një hapësirë dedikuar traditës folklorike shqiptare si pjesë e identitetit tonë kombëtar e si një aset kulturor.
Qilima shumëngjyrësh, veshjet me motive tradicionale, ushqimi i mirë, muzikë Jazz&Swing, së bashku me stendën e Targave Suvenir që asnjëherë nuk mungon pushtuna sheshin “Skënderbej”.
Kryeministri Edi Rama ndau fotoalbumin me disa nga momentet më të shënuara, teksa e shoqëroi me diçiturën: Retro po, mbrapa jo.
Gjithashtu, dje u mbajt edhe simpoziumi “Partneriteti dhe bashkëpunimi me qeverinë dhe institucione të tjera” nga Retro Albania – DPSHTRR FIVA duke mbledhur përfaqësues të komunitetit retro, ekspertë të sektorit, koleksionistë e promotorë të trashëgimisë automotive nga e gjithë bota.
Sipari i këtij takimi u çel Drejtori i DPSHTRR-së, nga Blendi Gonxhja, ku uroi fjalën e mirëseardhjes për të gjithë pjesëmarrësit e duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe të zhvillimit të këtij misioni. Në fjalën e tij, falenderoi qeverinë shqiptare për suportin e pakursyer si dhe presidentin e FIVA i cili pati besimin që Shqipëria do t’ja dilte këtij procesi duke e afirmuar Retro Albania si një ndër anëtarët ë saj me të drejta të plota.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj theksuan kënaqësinë e të paturit të një komuniteti të zyrtarizuar dhe njohur ndërkombëtarisht për Mjetet Historike Shqiptare, për rëndësinë e tyre në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë vendase.
Presidenti i FIVA, Tiddo Brester theksoi rëndësinë e këtij komuniteti, sfidat që hasin përgjatë rrugëtimit dhe këshillat që duhet të ndjekin për të lobuar me qeverinë dhe institucionet e tjera në promovimin e mjeteve historike./KultPlus.com