Në Bruksel u mbajt sot Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, që shënon hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e vendit tonë në BE.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Konferencë u shpreh se, “është e vështirë të besohet se kjo po ndodh. Për mjaft kohë ne luftuam kundër besimit se nuk do të ndodhte fare. Megjithatë të hiqnim dorë nuk na ka shkuar kurrë në mendje.
“Ju e dini të gjithë shumë mirë që në Shqipëri nuk jemi dakord pothuajse për gjithçka. Por ka një besim që i mbijeton të gjitha mosmarrëveshjeve tona. Nuk ka rrugë tjetër veç Bashkimit Evropian. Është ëndrra jonë, sfida jonë, misioni ynë. Është fati ynë”, tha Rama.
“Për shekuj na është dashur të jetojmë nën perandori dhe regji që nuk i kemi zgjedhur. Këtë herë është ndryshe. Evropa është e para herë që për ne të gjithë të kishim një zgjidhje të lirë dhe zgjodhëm t’i japim gjithçka Evropës. E bëmë, sepse besojmë në këtë hapësirë lirie, paqeje dhe sigurie, ku bëjnë pjesë fëmijët dhe nipërit tanë. Por edhe sepse frymëzon një mënyrë tjetër të të menduarit për përkatësinë në rajonin tonë. Një mënyrë që shkëputet njëherë e përgjithmonë me të kaluarën”, theksoi Rama.
“Evropa, me vlerat, parimet dhe standardet e saj, është ajo që bën të mundur një Ballkan tjetër, një Ballkan paqeje, prosperiteti dhe sigurie. Një Ballkan i hapur i 4 lirive të BE-së, gjithashtu”, shtoi Rama.
“Duke filluar nga sot bisedimet e anëtarësimit nuk e bën ëndrrën tonë realitet, por e bën realitetin një vend më të mirë për të ndjekur ëndrrën. Ne e dimë se ajo që që kemi arritur deri tani është vetëm fundi i fillimit. Të gjithë e dimë se rruga jonë për të qenë këtu sot nuk ka qenë e lehtë. Vitet e fundit kanë qenë një sagë e vërtetë, mes punës së palodhur, vlerësimeve, pritshmërive, premtimeve të pambajtura dhe rinisjeve të mundimshme. Një histori e rrokullisjes së gurit në një kodër dhe rënies. E përpjekjes për të arritur majën dhe kthyer poshtë herë pas here, si në “Mitin e Sizifit”. Por ne vazhduam të ecnim përsëri dhe përsëri, duke mos e humbur besimin tonë, edhe kur u përballëm me dhimbjen e fundit të shuplakës së padrejtë në fytyrë”, tha Rama./ atsh / KultPlus.com
Shqipëria pritet që sot të hapë negociatat me Bashkimin Europian, 16 vite pas firmosjes së marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.
Çfarë nënkupton hapja e negociatave me BE-në?
Hapja e negociatave do të thotë një proces teknik që do të nisë me kontrollin e plotë të administratës shtetërore shqiptare dhe të gjithë legjislacionit shqiptar që të përafrohet me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Komisioni Europian do të nisë ekipet që do t’i bashkëngjiten administratës shtetërore në Shqipëri, ku do të kontrollojë ligjet dhe zbatimin e tyre.
Me përafrimin e këtyre ligjeve do të hapen dhe mbyllen kapituj me sukses ose dështim, që në total do të jenë 35.
Kapitulli i parë me të cilin do të nisë procesi i negociatave është ai i të drejtave themelore të njeriut dhe më pas do të ketë kapituj për reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, liria e medias etj.
Më pas do të ketë kapituj dhe për lidhjet ekonomike dhe tregtare. Ky proces do të ndiqet hap pas hapi nga Komisioni Europian. Ky proces pritet të zgjasë disa vite.
Sot, në godinën e Këshillit Europian pritet që në orën 11:00, kryeministri Edi Rama, ministrja Xhaçka dhe kryenegociatori Zef Mazi do të zhvillojnë takimin politik për hapjen e negociatave në mënyrë zyrtare, më pas do të zhvillojnë takime teknike./ Gazeta express / KultPlus.com
Ka nisur dita historike për Shqipërinë e cila do të mbajë sot Konferencën e Parë Ndërqeveritare që do shënojë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Pritja e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski në Bruksel është bërë nga Presidente e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Më pas ka nisur dhe takimi mes tyre ku i pranishëm do të jetë edhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala, vend që udhëheq Presidencën e BE-së. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ka folur për raportet Shqipëri-Serbi gjatë një interviste për gazetën gjermane ”Frankfurter Rundschau”. Rama ka thënë se ka marrëdhënie të mirë personale më Presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Gjatë intervistës kryeministri është shprehur se beson që pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë megjithëse theksoi se kjo do kohë.
Pyetje:Beogradi kohët e fundit është kthyer sërish drejt Rusisë. A ju shqetëson kjo?
Edi Rama: Historia bën diferencën. Kemi vuajtur shumë nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina. Kjo është arsyeja pse ne jemi pro amerikanë. Serbia ka një histori tjetër, por Beogradi nuk e mbështet në asnjë mënyrë luftën e Putinit. Por, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka një problem, pasi ekonomia e Serbisë është shumë e varur nga gazi dhe nafta ruse.
Pyetje:A keni marrëdhënie të mira me të?
Edi Rama:Ne kemi një marrëdhënie të mirë personale edhe pse herë pas here nuk pajtohemi. Për shembull, ai thotë “e ashtuquajtura Kosovë”. Unë them “shteti i pavarur i Kosovës”. Ne tani i zgjidhim mosmarrëveshjet tona në një mënyrë të civilizuar.
Pyetje: Miliona shqiptarë jetojnë në disa shtete, përfshirë Kosovën. Fakti që Serbia ende nuk e njeh Kosovën a ndikon në integrimin e Shqipërisë në BE?
Edi Rama:Ne jemi një komb, i njëjti gjak dhe flasim të njëjtën gjuhë. Por, ne jetojmë në dy shtete. Pajtimi mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë do të marrë kohë. Kush do ta kishte menduar se gjermanët dhe francezët do të ishin sërish partnerë të ngushtë kaq pak vite pas Luftës së Dytë Botërore? Vizioni dhe lidershipi politik nevojiten për të çuar përpara këtë proces. Por, ky proces do të ndodhë, jam i sigurt. Nuk ka kthim pas.
Rama e quajti një “turp për BE-në” faktin që qytetarët e Kosovës ende kanë nevojë për një vizë për të hyrë në Bashkimin Europian.
Pyetje: Qytetarët e Kosovës ende kanë nevojë për vizë për të hyrë në BE. Çfarë lidhje ka kjo me integrimin më të mirë të Ballkanit Perëndimor?
Edi Rama:Ky është turp për BE-në! Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në kontinentin tonë që nuk lejohen të udhëtojnë të lirë. Ata kanë jetuar më parë në ish-Jugosllavi dhe Serbi dhe kanë qenë të lirë të udhëtojnë. Dhe tani? A janë të pavarur dhe të lirë nga diktatura apo çlirimtarët i mbajnë në një lloj burgu?/Gazeta Express/KultPlus.com
Muzeu Etnografik dhe Muzeu “Ismail Kadare” bashkë me “Sokakun e të marrëve” e me shtegun “Edward Lear”, i kanë dhënë një përmasë të re turistike qytetit të gurtë të Gjirokastrës.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga dy muzetë e rinj në Gjirokastër, të cilët janë rinovuar tërësisht.
“Mirëmëngjes dhe me këto pamje ftuese të dy muzeve të rinj në Gjirokastër, Muzeut Etnografik dhe Muzeut “Ismail Kadare”, që bashkë edhe me “Sokakun e të marrëve” e me shtegun “Edward Lear”, i kanë dhënë një përmasë të re turistike qytetit të gurtë, ju uroj një ditë të bukur”, u shpreh Rama.
“Përmirësimi dhe Rinovimi i Sistemit të Muzeve në Qytetin e Gjirokastrës” është një projekt që u zhvillua në kuadër të Programit për Zhvillim të Integruar Urban dhe Turizmin, me financim nga Banka Botërore dhe zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. / KultPlus.com
Çmimet e larta në jug të Shqipërisë po bëjnë që numri i turistëve të jetë i vogël dhe plazhet të boshatisen.
I pyetur në lidhje me këtë, kryeministri Edi Rama u shpreh se nëse është e vërtetë, ky do të jetë një mësim për bizneset që abuzojnë me çmimet ndërsa ndodhen në një treg shumë konkurrues, ku kanë afër Turqinë, Greqinë, Malin e Zi e Kroacinë.
Rama gjithashtu u shpreh se Qeveria e tij ka ndryshuar për mirë kartëvizitën e Shqipërisë.
“Nëse ka një problem me çmimet e larta është për tu parë dhe analizuar në fund, jo tani. Nëse dikush vendos çmim të lartë dhe nuk i vjen njeri, dëm vetes së vetë i bën. Nëse në fund do të kemi këtë konstatim, do të jetë një mësim shumë i mirë, në treg konkurrues, duhet menduar mirë para se të vihen çmimet. Po qe kështu, ky do të bëhet një mësim i madh. Mos harrojmë se ku ndodhemi. Ndodhemi mes konkurrentëve të fortë të Mesdheut. Meqë u hap nami i Shqipërisë për të ardhur si një vend me të gjitha magjitë e veta, hajde t’u biem me top çmimeve. Investimet e Qeverisë kanë ndryshuar kartëvizitën e vendit. Në Lungomare nuk kishe ku kaloje se kishte jashtëqitje delesh, dhe në anën tjetër ndërtime pa leje, sot është ndryshe”, tha Rama. / KultPlus.com
“Shqipëria i ka dërguar një sinjal paralajmërues presidentit rus Vladimir Putin me ndërtimin e një baze të NATO-s në Durrës”. Në lajm pasqyrohet vizita e kryeministrit Edi Rama, të mërkurën e 13 korrikut në Bruksel me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg për të diskutuar propozimin.
“Shqipëria i ka dërguar një sinjal paralajmërues presidentit rus Vladimir Putin me ndërtimin e një baze të NATO-s në Durrës”, kështu e nis shkrimin e saj tabloidi britanik “Ekspres”. Në lajm pasqyrohet vizita e kryeministrit Edi Rama, të mërkurën e 13 korrikut në Bruksel me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg për të diskutuar propozimin.
Shqipëria po i dërgon një sinjal paralajmërues presidentit rus, Vladimir Putin, përpara një takimi të NATO-s për bazën e re detare në vend. Lajmi vjen pasi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të ulet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg për të diskutuar propozimin. Rama do të takohet me Stoltenberg të mërkurën e kësaj jave për të diskutuar projektin pas një njoftimi që do të publikojë lajmin më 1 korrik. Porti do të jetë i vendosur në Porto Romano, Durrës, 40 minuta nga kryeqyteti dhe do të përfshijë një seksion tregtar dhe një bazë detare ushtarake. Financimi do të sigurohet nga shteti shqiptar ashtu edhe nga NATO. Shqipëria shpenzon aktualisht rreth 1.53% të PBB-së së saj vjetore për mbrojtjen , shumë më pak se shifra minimale e sugjeruar prej 2%.
Duke folur për planin, Rama tha: “Do të kthehemi së shpejti në Bruksel për të vazhduar diskutimet në lidhje me propozimin tonë…për instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri në Durrës”.
Në maj, Rama tha se qeveria e tij i kishte ofruar NATO-s bazën detare të Pashalimanit. E vendosur në jug të Vlorës, ajo ishte e vetmja bazë e Bashkimit Sovjetik në Mesdhe gjatë viteve 1950, në një kohë kur regjimi komunist i Shqipërisë ishte në linjë me Moskën. Pas rënies së komunizmit, ajo u rindërtua me ndihmën e Turqisë, e cila ruajti të drejtën e përdorimit. Marina shqiptare ende sot e përdor bazën për disa operacione dhe stërvitje.
NATO po transformon gjithashtu një ish-bazë ajrore ushtarake të epokës komuniste në Kuçovë. Rinovimi i bazës do të kushtojë rreth 40 milionë euro dhe do të bëhet funksional në vitin 2023.
Baza do të shërbejë si një depo për municionet, si dhe do të veprojë si një qendër furnizimi me karburant. Aktualisht po punohet edhe për rikthimin e pistës dhe kullës së kontrollit në përdorim të plotë. Baza origjinale u ndërtua duke përdorur punën e të burgosurve nën regjimin e diktatorit komunist Enver Hoxha.
Pas gati 50 vitesh komunizëm, Shqipëria doli dhe u kthye nga perëndimi, duke iu bashkuar aleancës në vitin 2009 dhe me shpresën për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, megjithëse ka qëndruar në dhomën e pritjes së unionit për mjaft kohë.
Sipas Globalfirepower.com , Shqipëria ka aktualisht 8000 personel aktiv në radhët e saj ushtarake. 500 personel rezervë janë gjithashtu në dispozicion. Ushtria ka rreth 76 automjete të blinduara. Asetet aktuale detare të Shqipërisë përbëhen nga 19 mjete lundruese, të cilat të gjitha përbëhen nga anije patrullimi me detyrë të përgjithshme./ KultPlus.com
Leonardo di Caprio ka reaguar pas njoftimit të kryeministrit Edi Rama për ta shpallur zonën përgjatë lumit Vjosa si park natyror.
Aktori hollivudian ka postuar një video në rrjetet sociale, ku njofton se “qeveria Shqiptare është vetëm një hap larg shpalljes së Vjosës, Park Kombëtar”.
“Qeveria e Shqipërisë është një hap pranë shpalljes së Parkut të parë Kombëtar të lumit të egër në Europë, pasi së fundmi ka partneritet me Patagonia për të mbrojtur lumin Vjosa – një përpjekje që përfshin fushatën #SavetheBlueHeartofEurope. Lumi Vjosa i Shqipërisë është lumi më i madh i egër në Europë.
Lumi dhe degët e tij rrjedhin të pazbutur nga burimi në det, duke krijuar një ekosistem të biodiversitetit që mbulon mbi 300 km. Ajo është shtëpia e 1,100 llojeve të kafshëve, duke përfshirë 13 kafshë të kërcënuara globalisht dhe dy specie bimore”, shkruan Leonardo di Caprio. / KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se kompania holandeze e derivateve “Shell”, ka zbuluar sasi të mëdha nafte dhe gazi në Shqipëri.
Rama, të martën, ka theksuar se ky zbulim do të ndikojë në të ardhmen e vendit dhe atë energjetike të Evropës.
“Holanda e pranishme në Shqipëri. Ne kemi shumë shpresë se së shpejti mund të ndajmë me opinionin tonë publik, rajonal dhe përtej rajonit, një zbulim shumë të rëndësishëm që kompania holandeze ‘Shell’ po arrin në vendin tonë. Ata hezitojnë për momentin të flasin për shifra. Shenjat tregojnë se mund të jemi pranë një zbulimi shumë të rëndësishëm të gazit dhe naftës në nëntokë, që do të ndikojë të ardhmen e vendit tonë, por edhe do të luajë rol në të ardhmen energjetike të Evropës”, tha Rama.
Ndërkohë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se ky është zbulim i madh.
“Sa i takon energjisë, ‘Shell’ po punon në Shqipëri prej kohësh dhe ne po presim me padurim rezultatin e eksplorimit që do të jetë një zbulim i madh, por pa na dhënë detaje për atë çka presim. Shqipëria do të prodhojë sasi të rëndësishme gazi dhe nafte, e ndarë në 40% gazi dhe nafte 60%”, ka thënë ajo.
Shqipëria ka nxjerr edhe më herët sasi të naftës dhe gazit, por të cilësisë më të ulët që kryesisht përdoret pë ngrohje . /A2news / KultPlus.com
Gjatë mbledhjes së mbajtur mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, ku është marrë vendim që të hiqet pika kufitare në Morinë për sezonin turistik, shkruan KultPlus.
Turistët tani do ta kenë më lehtë që të udhëtojnë nga Kosova për në Shqipëri dhe anasjelltas, ku nuk pritet që të ketë asap kolona të gjata në kufi.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka postuar një video në “Facebook” ku ndan periudhat.
Pra, në video shihet se si ka qenë pika kufitare dhe si është në ditët e sotme. /KultPlus.com
Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka thënë se legalizimi i kanabisit mjekësor do të bëhet, pasi kështu kanë dashur shqiptarët që janë pyetur në këshillimin kombëtar.
Në përgjigje të pyetjes së gazetares së Abc News, Erneta Shevroja, Rama nuk kurseu ironinë me opozitën, për të cilën tha se nuk ekziston.
Rama u pyet se kush do të mbaje përgjegjësi nëse vendi kanabizohet me legalizimin e kanabisit, siç kanë qenë edhe akuzat e fundit të opozitës, dhe tha se do të pyesin sërish nëse do të bëhet edhe legalizimi për përdorim personal
“Ka opozitë akoma këtu? Sa mirë do ishte të kishte opoiztë por, nuk ka. Opozita e vetme e kualifikueshme si e tillë e jona jemi ne vetë. Sikur opozita e tërë, që quhet opozitë, të kishte gjysmën e energjisë dhe çerekun e vullnetit mund të merrte një licencë kualifikimi si opozitë. Shikoje se ça thonë. Ajo që unë po them, që për legalizimin e kanabisit mjekësor ne jemi konsultuar me shqiptarët në këshillimin kombëtar. Legalizimi i kanabisit do bëhet. Do pyesim dhe a doni të legalizohet përdorimi personal i kanabisit apo duhet të vazhdojë të jetë krim që dënohet. Do t’i pyesim, nëse do thonë po do e bëjmë sepse kemi një dilemë për këtë gjë. Po t’ju hap mendjen dhe zemrën jam i dyjëzuar në këtë pikë. Prandaj është këshillimi kombëtar. Amnistinë fiskale e njëjta gjë, shqiptarët kanë thënë masivisht po. Nuk kemi pse hyjmë në këto spirale helmi, çdo gjë që bën njeriu ka të mirat dhe të metat, s’mund të rrimë pa bërë asgjë që mos të marrim baltë dhe akuza. Siç thioshte edhe Loro Boriçi: “Shiu ka punën e vet, ne kemi punën tonë”, tha Rama.
Kryeministri u pyet gjithashtu nëse BE është më e shëndetshme pas një jave, me sinjale që tregojnë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pyetje e cila sipas tij ishte joserioze.
“Pyetja tjetër m’u duk humor nga ana juaj, s’mu duk serioze. Mbas një jave ti që bën pyetjen je më e vetëdijshme që kryeministri yt e mbron siç duhet interesin e vendit tënd në BE”, tha Rama. / KultPlus.com
Kalaja e Gjirokastrës do të ofrojë më tepër hapësirë për turistët vendas dhe të huaj.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga kjo kala ku shprehet se po punohet për restaurimin dhe konservimin arkitekturor.
“Mirëmëngjes, dhe me këto pamje nga Kalaja magjepsëse e Gjirokastrës, ku punohet për restaurimin dhe konservimin arkitekturor të këtij objekti me peshë të veçantë në thesarin e trashëgimisë sonë historike e kulturore, ju uroj një javë të mbarë”, shprehet Rama.
Në kuadër të projektit të restaurimit në kështjellën e gurtë synohet rritja e sipërfaqes së vizitueshme si dhe konservimin dhe evidentimin e hapësirave të saj.
Një tjetër element i rëndësishëm është edhe gërmimi arkeologjik që synon evidentimin e një historie më të detajuar të kalasë dhe qytetit.
Ndërhyrjet për përforcimin e strukturave të kalasë dhe riparimin e çarjeve që ishin krijuar do të sigurojnë një qëndrueshmëri të sigurt të kështjellës dhe do të shmangin rrëshqitjet e gurëve.
Kalaja e Gjirokastrës është një ndër më të vjetrat dhe të mëdhatë në Ballkan dhe shtrihet në një hapësirë prej 335 metra.
Zbulimet arkeologjike në zonën e kështjellës, tregojnë se ky vend është jetuar që nga shekulli i IV-V./atsh/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama të shtunën ka marrë pjesë bashkë me kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, në Forumin Europian Wachau me temën “Ruajtja e së ardhmes së Europës dhe zgjerimi i BE’së”.
Në fjalimin e mbajtur, përvec kritikave që i adresoi ndaj BE’së që nuk po lëviz në raport me shtetet e Ballkanit, Rama bëri batuta edhe për ballkanasit. Ajo që mori vëmendjen ishte beteja për të “vërtetat historike” rreth lashtësisë së popujve ballkanikë. Rama, në këtë aspekt, përmendi garën ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve se kush është më i moçmi në Gadishull.
“Në Ballkan ne të gjithë kemi në mendje se jemi më të vjetrit. Ne shqiptarët mendojmë se jemi më të vjetrit, ata që erdhën pas majmuneve në evolucionin e Darvinit. Po t’i pyesësh serbët nuk të lënë hapësirë, e lëre me grekët që mendojnë se vetë majmunët erdhën pas grekëve. Le te shkojmë te turqit, ata mund të nisin një zënkë të madhe nëse është kafe turke apo kage greke. Nje kafe mjaftë e fortë që me mirë mos ta provoni. Keshtu edhe maqedono veriorët dhe bullgarët e njëjta gjë” ka thënë Rama.
Tutje Kryeministri Rama i cili gjatë javës që shkoi ishte i ashpër me BE’në gjatë fjalimit në Austri e pranoi se jo vetëm BE ka faj që nuk i zgjat dorën rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Keshtu që keni durim me ne miqtë e dashur dhe mos harroni dhe pavarësisht problemeve tona që më duhet t’i theksoj, sepse kjo nuk nënkupton se jemi viktimë e ndonjë padrejtësie nuk është kaq e thjeshtë është më e komplikuar se kaq. Jemi të gjithë viktima të historisë sonë e herë viktima të vetës, por jemi njerëz të mirë, jemi njerëz besnikë dhe jemi të çmendur, kështu që më mirë të na keni me ju. Keshtu që kur na keni me ju mund ta keni më të mirën tonë të qenit besnikë të qenitë të mirë, çmendurinë tonë mund tonë kur të merreni me të tjerët” ka theksuar Rama./ KultPlus.com
Me tone të ashpra, gjatë konferencës për shtyp pas samitit në Bruksel, kryeministri Edi Rama u shpreh se ajo që po ndodh me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën është një çmenduri dhe një turp.
“Një tjetër peng marrje është ajo e Kosovës. Është popullata e vetme në Evropë që nuk mund të lëvizë lirish. Imagjinojeni,. Ara ishin në diktaturën jugosllave dhe mund të lëviznin lirisht. Dhe që kur u liruan, çlirimtarët e tyre nuk i lejojnë të lëvizin lirisht. Kjo është e turpshme. Unë u thashë dhe ndihem i keqardhur që u ndjeva si të nevojshme, që Serbia është në realitet krejtësisht tjetër. Flasim për një vend ku popullariteti i Putinit është 80% dhe opinioni nuk është i prirur të vrapojë drejt Brukselit por jashtë çdo pritshmërie, edhe times, se sinqerisht nuk e prisja. 3 herë janë harmonizuar me Bashkimin Evropian dhe perëndimin kundër Rusisë, duke votuar edhe për përjashtimin e Rusisë nga këshillit i të drejtave të njeriut. Unë nuk e kuptoj çuarjen e gjërave në kufi në raport me kërkesat për sanksionet. Serbia nuk është në pozicion për të realizuar kaq shumë, kaq shpejt dhe çuarja deri në kufi jep efektin e kundërt! Dhe koston do ta ketë agjenda evropiane e Serbisë dhe popullate e rajonit”, tha Rama./express / KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë publike sot pamjet e projektit të Portit të Ri të Durrësit. Ky projekt u paraqit ditën e djeshme në mbledhjen e 8-të të përbashkët të dy qeverive, përcjell KultPlus.
Rama e cilëson një projekt ambicioz që do të transformojë rrënjësisht jo vetëm infrastrukturën tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, po edhe gravitetin ekonomik rajonal.
“MIRËMËNGJES dhe me projektin ambicioz të Portit të ri të Durrësit, paraqitur në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, si projekt i integruar me projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe portin e thatë në Prishtinë, që do të transformojë rrënjësisht jo vetëm infrastrukturën tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, po edhe gravitetin ekonomik rajonal, duke e kthyer Durrësin në një nga portat strategjike të ekonomisë së Mesdheut, ju uroj një ditë të bukur”, ka shkruar Rama. / KultPlus.com
Kosova herë pas here e ka treguar qëndrimin e saj për ” Ballkanin e Hapur”. Madje edhe sot, kryeministri Albin Kurti i tha kryeministrit shqiptar se nuk ka asnjë të re në qëndrimin e Kosovës për “Ballkanin e Hapur”.
“Duhet të theksojmë që arritën marrëveshje protokolle dhe memorandume 19 sot. Kjo është për tu përshëndetur, Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyet dhe vëllazërore. Vëllezërit nuk kanë ndërmjetësues mes njeri tjetrit. Prandaj është kjo mbledhje për të forcuar dy shtetet tona në interes të qytetarëve
Për çështjen e ngritur ajo është e një dimensioni tjetër, jo bilaterale, pra jo mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe për atë nuk kam asnjë të re për t’ju thënë”, tha Kurti.
Ndërsa Rama u shpreh: Është e vërtetë që Ballkani i Hapur nuk na bashkon, por është po kaq e vërtetë që Ballkani i Hapur nuk na ndan./ Gazeta Express / KultPlus.com
Është vërtetë dëshpruese që Festivali Sunny Hill nuk po mbahet në Prishtinë siç besonim të gjithë, edhepse një gjë e tillë ishte bërë e ditur një vit më parë, përveç të tjerash edhe në emisionin shumë të shikuar Krasta show! Ky lajm i vitit të kaluar u rilind këto ditë me njoftimin zyrtar nga Sunny Hill kompania ose fondacioni, Sunny Hill Foundation, ose “the Sunny Hill” sh.p.k., biznesi komercial, ose organizata e bamirësisë! Për shumë kend, krejt njejtë, por, siç thuhet, djalli është në detaje, e fshehja e detajeve e ndërton gjysëm të vërtetën. Lajmi mbi ikjen e festivalit, ose aratisjen e festivalit u bë, siç e do zakonisht gjysëm e vërteta, dramë. Drama, megjithatë, nuk filloi me këtë gjysmë të vërtetë, “ikje të befasishme.” Ikja e festivalit është vetëm “gjysëm e vërteta” e parë, por jo edhe më e gënjështra më qyqare, siç do të thishte Mark Twain.
Një ‘gjysmë e vërtetë” tjetër, është edhe ARËSYEJA e ikjes së Festivalit. Është, vonesa, zhagitja prej një muaji (?!) për dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetësh të 17 hektarëve tokë të Komunës për Festivalin “Sunny Hill!” Lajmi merr përmasa edhe më dramatike e mjegulla sa vjen e rritet! Vonesa dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetësh të 17 hektarëve tokë “e largoi Dua Lipën nga Prishtina!” Festivali është ngjarje, e ngjarja nuk aplikon për tokë. Aplikon individi, ose biznesi, ose ndonje organizatë tjetër. Aplikon organizatori i Festivalit! Nuk është dëgjuar ndonjë herë, në ndonjë vend që organizatori i ndonjë festivali në botë të aplikojë për dhënien e tokës në shfrytëzim në kohëzgjatje prej 99 vjetësh, por kjo është një çështje krejt tjetër. Çështja është te organizatori, Fondacioni ose Sh.P.K.-ja!
Për publikun e gjerë, organizator i festivalit është “Sunny Hill Foundation!” Kështu thotë faqja e përditësuar e Wikipedia-s! Kështu është prezantuar shumë herë Festivali edhe nga vet Dua Lipa, atëherë kur me entuziazëm e njoftonte botën për këtë ngjarje që pa ekzagjerim është bërë krenaria e Prishtinës! Dua Lipa e kishte prezantuar “Sunny Hill Foundation,” si “organizatë bamirëse e themeluar në Prishtinë-Kosovë, nën patronazhin e këngëtares/kantautores shqiptare britanike Dua Lipa.”
Megjithatë, sipërfaqen prej 17 hektarësh për të organizuar këtë Festival, nuk e ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës “Sunny Hill Foundation!” 17 hektarë tokë i ka kërkuar një entitet krejt tjetër, The Sunny Hill SH.P.K., një biznes i regjistruar si Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, ku emri i Dua Lipës nuk figuron fare!!!
Kontrata për dhënjen në shfrytëzim të sipërfaqes prej 17 hektarësh është votuar nga Kuvendi komunal, bazuar në perceptim, për të mos thënë huti, se toka po i ndahet entitetit “Sunny Hill Foundation,” Festivalit të Dua Lipës! Në të vërtetë, Kontrata, askund nuk e përmendë entitetin “Sunny Hill Foundation”! Kontrata e votuar nga Kuvendi Komunal për ti dhënë në shfrytëzim prej 99 vjetësh 17 hektarë tokë biznesit The Sunny Hill SH.P.K, me një pronar të vetëm, Dukagjin Lipën! Kontrata nuk e përmendë askund Dua Lipën!
Këto gjysëm të vërteta, për të mos thënë, si Mark Twain, rrena kaq qyqare, e kanë ndërtuar këtë dramë kaq të madhe, kaq tronditëse, kanë shkaktuar aq dëshprim, siç rëndom bën secila propagandë! E në këtë rast, nuk mund ta akuzosh askend për rrenë, se shumë lehtë mund ti ikësh përgjegjësisë për manipulim me të vërtetën nga mosdija.
Sidoqoftë, festivalet më të rëndësishme të muzikës, mund të organizohet qoftë nga fondacionet e bëmirësisë, apo nga korporatat dhe individët me qëllim përfitimi vetanak. Që të dyja janë të ligjshme. New Orleans Jazz and Heritage Festival, ku kanë performuar yjet si Stevie Wonder, e që sjellë fitim prej 400 milion dollarësh është Fondacion bëmirës; Coachella, festivali ndër më të mëdhenjtë në botë, ku ka performuar Lady Gaga është gjithashtu bëmirës; Summerfest, ku ka performuar Paul McCartney e Bob Dillan është organizatë e bëmirësisë, e lista është e gjatë, shumë e gjatë e festivaleve të bëmirësisë…Në festival të tilla, të organizuara nga Fondacione bëmirëse, merr pjesë edhe vet Dua Lipa. Në fund të këtij muaji, për shembull ajo do të këndoj në Festivalin Roskilde, që e organizon një Fondacion qind për qind bëmirës.
Edhe festivalet pronë e korporatave e individëve, janë në rregull. Festivali Glastonbury, si festivali më i rëndësishm britanik, është i tillë. Emrat më të mëdhenj të muzikës, performojnë në atë festival, madje për pagesë shumë më të vogël se zakonisht. Festivali është ngjarje madhështore e kulturës dhe sjell fitime të mëdha, por edhe e ka një veçori, se zhvillohet në Worthy farm, që është pronë private e organizatorit e jo e falur nga komuna. Edhepse biznes, që paguan taksa dhe zhvillohet në pronë të vet, Festivali Glastonbury, gati gjithë fitimin e jep për kauza të mëdha, e mbështet financiarisht organizatën Oxfam, që në tridhjetë vjetët e fundit bën punë të rëndësishme humanitare edhe te ne dhe lëvizjen GreanPeace, që vepron globalisht për parandalimin e ndryshimeve klimatike.
Përkundër kësaj, kushdoqoftë organizator i Festivalit Sunny Hill dhe sidoqë të vendosë Komuna për dhënjen në shfrytëzim prej 99 vjetësh të sipërfaqes prej 17 hektarësh tokë, procesi nuk guxon të mbetet në mjegull. Vendimet nuk guxojnë të mbështeten në gjysmë të vërteta. Transparenca duhet të jetë e plotë dhe përfundimisht, nëse një kontratë e tillë bëhet, duhet ta dijmë se kujt ia dhuron Komuna e Prishtinës në shfrytëzim prej 99 vjetësh sipërfaqen prej 17 hektarësh tokë — “Sunny Hill Foundation,” si “organizatë bamirëse e themeluar në Prishtinë-Kosovë, nën patronazhin e këngëtares/kantautores shqiptare britanike Dua Lipa, ” ose, biznesit privat the Sunny Hill SH.P.K, me një pronar të vetëm, Dukagjin Lipën! Dhe, një kontratë të këtillë, shumë të mundëshme pas këtij dëshprimi të madh, prej 17 hektarësh tokë për shfrytëzim 99 vjet, Komuna e Prishtinës, të plotë, duhet ta bëj publike në shqip e në anglisht, për ne dhe për të gjithë ndërkombatarët dashamirë, që bashkë me ne, janë zhgënjyer e mërzitur që kët vit mbetëm pa Festival.
Për këtë verë, në Prishtinë do të mjaftohemi me MANIFESTA!/ KultPlus.com
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në Kiev pas takimit me presidentin Volodymyr Zelensky, se vendet e Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën. Tha se e dinë se çfarë po kalon Ukraina, për shkak se e kanë përjetuar luftën disa dekada më parë.
“Do të keni mbështetjen e plotë për rindërtimin e vendit tuaj. Ne nuk kemi shumë kapacitete, jemi të vogla por megjithatë do të japim kontributin tonë ashtu siç tani po japim kontributin duke ndihmuar me disa pajisje e një lloj mbështetje financiare që ndoshta nuk është mjaft, por është përgjegjësia jonë”, tha Abazoviq.
Avazoviq tha se ata kanë mirëpritur refugjatët ukrainas.
“Nga ana jonë do të keni mbështetjen tonë”, shtoi ai.
“Dua të përmend se çdo ukrainas që është tashmë në Malin e Zi, dhe janë 10 mijë tashmë, 1.8 për qind e popullsisë tonë, sepse ne jemi një komunitet i vogël, janë mëse të mirëpritur”, tha Abazoviq.
Abazoviq tha se populli i Ballkanit Perëndimor e di se çfarë po përjetojnë ukrainasit pasi kanë përjetuar luftën.
“Ne do të bëjmë më të mirën për tu mbështetur dhe të jeni të sigurt se ne e ndajmë këtë përvojë prej rreth tre dekadave më parë në Ballkanin Perëndimor dhe e dimë saktësisht se çka është agresioni, shkatërrimi i luftës dhe krimet e luftës”, tha ai. / KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po qëndron në kryeqytetin ukrainas Kiev i shoqëruar nga kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Të dy patën takim me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Në një konferencë të përbashkët për media, Rama përmendi edhe Kosovën.
Ai tha se përveç 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë rreshtuar krah Ukrainës, është edhe një vend, Kosova të cilën nuk e ka njohur Ukraina.
Kryeministri shqiptar tha se Kosova po bën të njëjtën gjë që kanë bërë shtete tjera me sanksione kundër Rusisë, anipse Ukraina nuk e ka njohur.
“Ka edhe një gjë që ende nuk munda ta flas me presidentin, por dua t’ja them më vonë. Ballkani Perdimor ka 5 vende në Kombet e Bashkuara, të gjitha ato janë rreshtuar krah Ukrainës, pavarësisht historisë së ndryshme, pavarësisht konteksteve të ndryshme, pavarësisht marrëdhënieve me Rusinë. Por, ka edhe një vend të 6 që Ukraina ende nuk e ka njohur, Kosova e cila pavarësisht kësaj, po bën saktësisht të njëjtën gjë që po bëjnë të gjithë me sanksione dhe me mbështetje të plotë.
Kjo do të thotë se jemi në një linj të mirë përkufizuar, pastaj çfarë jemi dhe çfarë përfaqësojmë, besoj fortë që është gjëja e duhur për t’u bërë”, tha Rama. / KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bashkë me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq po qëndrojnë këto ditë në Kiev ku po shohin nga afër dëmet e shkaktuara nga lufta me Rusinë, përcjellë KultPlus.
Kryeministri Rama ka shpërndarë në profilin e tij në facebook disa fotografi nga ajo çka ka parë gjatë kësaj vizite teksa i ka shoqëruar me një emoji me zemër të thyer për Ukrainën.
Rama dhe Abazoviq janë nisur dje drejt Kievit, me ftesë të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky./ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur lajm të mirë shkuarjen e festivalit Sunny Hill në Tiranë.
“Sunny Hill Festival” sot ka konfirmuar që për edicionin e sivjetmë do të zhvendoset në Tiranë.
Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e tij të plotë:
LAJM I MIRË
Festivali “Sunny Hill” vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me organizatën globale mjedisore “Patagonia”për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar, Rama sulmoi aktorin hollivudian Leonardo Di Caprio, ndërsa deklaroi se ai u bë i gjallë vetëm për të goditur qeverinë, ndërkohë që nuk reagon tani që sipas tij qeveria merr një vendim në përputhje me kauzën që ylli i kinemasë e mbronte.
Ai shtoi me ironi se ndoshta duke e sharë pak, mund t’i vejë ndonjë fjalë në vesh dhe ta bëj të reagojë.
“Leonardo Di Caprion u bë i gjallë për të goditur qeverinë, por nuk u bë i gjallë për ta mbrojtur qeverinë. Tani që qeveria po bën atë që atij i kishin thënë që nuk kishim ndërmend ta bënim, por që ndërkohë po e bëjmë. E ka shok të mirë Ministrja e Turizmit, prandaj nuk po i bie më shumë. Mbase këto goditje do t’i shkojnë në vesh, pasi mund ta kishim lajmëruar dhe nuk do t’i vente në vesh fare. Mbase duke e sharë pak do t’ia kapi veshi”, tha Rama./ KultPlus.com