15 konkurrentë, nga katër kontinente të ndryshme garuan në Tiranë, në edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, që u zhvillua nga 28-30 mars.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga shpallja e çmimeve të këtij festivali, i cili u zhvillua në Teatrin e Rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit.
“Mirëmëngjes dhe me atmosferën që Edicioni XVIII të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, krijoi në Teatrin e Rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit, ju uroj një të diel të paqme”, tha Rama.
Sopranoja shqiptaro-gjermane Carolina Lopez Moreno u shpall fituese e çmimit të parë të edicionit të 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, që u zhvillua në Teatrin e Operës dhe Baletit nga 28-30 mars.
Juria e përbërë nga drejtorët e përgjithshëm të disa teatrove europiane, kryesuar nga Presidentja e Opera Europa, Anna Maria Meo, vlerësoi me çmime 4 konkurrentë mes 15 konkurrentëve pjesëmarrës.
Me çmimin e dytë u vlerësua baritoni Samueol Park, nga Koreja e Jugut, me çmimin e tretë sopranoja Yulia Merkudinova nga Ukraina, e cila fitoi edhe çmimin e këngës.
Çmimi i parë ju dorëzua në skenë sopranos fituese nga kryetari i bashkisë së Tiranës.
Festivali që i ka dedikuar një moment të veçantë ngjarjeve në Ukrainë, i dha çmimin e tretë sopranos Yulia Merkudinova, e cila ishte po ashtu e përzgjedhura e orkestrës së Teatrit të Operës dhe Baletit për çmimin e orkestrës.
Krahas interpretimit të arieve të njohura ndërkombëtare e shqiptare nën drejtimin e dirigjentit Martin Andre, nuk munguan as notat e spektaklit dhe baletit.
Në edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, morën pjesë 15 konkurrentë, nga katër kontinente./atsh/ KultPlus.com
Shtëpia e shkrimtarit të njohur Sterjo Spasse nga një rrënojë është kthyer në një muze.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje si ishte dhe si është transformuar kjo shtëpi muze.
“Nga një rrënojë, shtëpia e shkrimtarit Sterjo Spasse në Gollomboç, është shndërruar tashmë në një muze dinjitoz”, tha Rama.
Kthimi në muze i shtëpisë së Sterjo Spasses është edhe një vlerë e shtuar për fshatin Gollomboç, por edhe për të gjithë bashkinë e Pustecit. Shtëpia e shkrimtarit është pajisur me objekte, të cilat janë përdorur prej tij apo edhe me dorëshkrime dhe dokumente.
Veprimtaria letrare e Sterjo Spasses është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore u mor me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane etj. Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar.
Kjo ishte një periudhë në të cilën Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit. Botoi katër përmbledhje tregimesh: “Kuror rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) dhe “Të fala nga fshati” (1958) si dhe dhjetë romane: “Nga jeta në jetë – Pse!?” më 1935 – që mbahet si kryevepra e tij, “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë iqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978), dhe “Kryengritësit” (1983). /atsh/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau foto sot nga qytete të ndryshme të vendit, ndërsa theksoi se “Dita pa Makina” duhet të bëhet hap pas hapi pjesë e pandashme e kalendarit mujor.
Rama tha se pjesë e pandashme e punës së përbashkët me pushtetin vendor duhet të jetë edhe fuqizimi i transportit publik dhe nxitja e përdorimit të biçikletave në qytet.
“Dita pa Makina” duhet të bëhet hap pas hapi pjesë e pandashme e kalendarit tonë mujor, ashtu sikundër fuqizimi i transportit publik dhe nxitja e përdorimit të biçikletave në qytet, do të jenë pjesë e pandashme e punës së përbashkët me pushtetin vendor, për më shumë cilësi jete në hapësirat publike të komuniteteve tona”, tha ai.
“Dita pa Makina” synon ndërgjegjësimin e qytetarëve që të shmangin të paktën për një ditë përdorimin e automjeteve të tyre, të cilat janë edhe ndotëset kryesore të ajrit. / KultPlus.com
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ku kanë biseduar për luftën që po ndodhë në Ukrainë nga pushtimi i Rusisë, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Edi Rama ka ndarë bisedën në formë të videos, ku edhe i ka shprehur presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë.
Postimi i tij i plotë:
“Sot pata një telefonatë nga Presidenti Zelensky, i cili më falenderoi për gjithçka Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Europën e për mbarë botën, duke nisur nga roli ynë si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm, në mbështetje të Ukrainës. I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse”, shkroi Rama. /KultPlus.com
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryesminitrin e Shqipërisë, Edi Rama, shkruan KultPlus.
Përmes një shkrimi në “Twitter”, Zelenskyy shkroi se në bisedën me Edi Raman u diskutua për pushtimin rus në Ukrainë dhe kohërat e vështira nëpër të cilat po kalon populli ukrainas.
“Pata një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Biseduam për luftën ndaj pushtimit rus. Gjithashtu, diskutuam edhe për punën e përbashkët në kuadër të Bashkimit Evropian. E vlerësojmë ndihmën e ofruar nga Shqipëria në këto kohëra të vështira. Po bëjmë çdo gjë që të ndalim luftën”, shkroi ai.
Zelenskyy është duke zhvilluar telefonata të ndryshme telefonike me zyrtarë të shteteve të botës. /KultPlus.com
Sot presidenti ukrainas Zelensky ka publikuar listën e shteteve që votuan kundër agresionit rus, shkruan KultPlus.
141 shtete kanë votuar pro rezolutës. 5 shtete kanë votuar kundër ndërsa 34 kanë abstenuar.
Me këtë rast, kryeministri Edi Rama nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, ai ka thënë se Rusia ka hyrë në periudhën e vetmisë më të madhe të historisë së saj.
“141 vende ndëshkojnë Rusinë me votimin e tyre në OKB kundër agresionit ndaj Ukrainës! Rusia hyn në periudhën e vetmisë më të madhe të historisë së saj me veç 4 vende ultradiktatoriale që i qëndrojnë në krah! Vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin”, ka shkruar Rama. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ka uruar sot shkrimtarin me famë botërore, Ismail Kadare, me rastin e 86-vjetorit të lindjes.
“Edhe 100”, u shpreh Rama.
Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill që në moshë të hershme. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.
Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës. / KultPlus.com
Dje, duke komentuar vizitën e presidentit të Republikës së Turqisë, disa miq këtu nuk u kursyen në sharje e në mallkime “në emër të Skënderbeut”! Rastësia e desh që vizita e djeshme të përkonte me ditën e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, çka e mësuan me këtë rast plot prej atyre të cilët rendin t’i fryjnë zjarrit të patriotizmit digjital apo opozicional, që ndizet sa herë unë takohem me “pushtuesin” nga Ankaraja.
Po çfarë lidhje ka me rrethimet e Krujës dhe me qëndresën e Gjergj Kastriotit, Republika e Turqisë, e cila fill pas formimit të saj ka firmosur me Shqipërinë, 100 vjet më parë, në vitin e largët 1923, “Marrëveshjen e Miqësisë së Përjetshme”?
Ku lidhet Turqia moderne, anëtare e NATO-s, mike e sprovuar e Shqipërisë e shqiptarëve, në më shumë se një rast dhe si ngatërrohen me shigjetat e rrethimtarëve të Krujës, vaksinat e ardhura në Shqipëri nga ky shtet mik falë kujdesit të veçantë mikut tim, Presidentit Erdogan, në kohën kur i tërë Ballkani mbeti si peshku pa ujë, në rrethimin e Armikut të Padukshëm?
Si mund të lidhen punëtorët e palodhur turq dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, të cilët vitin e fundit ndërtuan një lagje të re me 522 shtëpi për familjet e prekura nga tërmeti apo ata që ndërtuan një spital të ri ultramodern në Fier, me luftën e pesë e kusur shekujve më parë?
Nuk e di a e ka ndonjë popull tjetër atë shprehjen, “për inat të s’ime vjehrre shkoj e fle me mullixhinë”. Por dihet me siguri, se përgjatë historisë së tij, ky popull ka parë shumë dyndje shqipesh të inatosura në derën e mullixhiut. Inati ndaj njëri-tjetrit na ka penguar rëndom, ne shqiptarëve, të shohim të mirën e shtëpisë sonë të përbashkët. Kjo e rreshtimit të djeshëm të shumëkujt (që inatin në fakt e ka me qeverinë e me mua), në ushtrinë imagjinare të mbrojtësve të kështjellës sonë nga pushtuesit turq, ishte një ilustrim i radhës për rrugën pa krye ku të shpie “inati ndaj vjehrrës”.
Natyrisht këto spazma urrejtjeje sportive, të cilat burojnë nga tifozllëku i sëmurë partiak, mllefi i pangushëllueshëm “intelektual” dhe fatkeqësisht, ndonjëherë edhe nga budallallëku islamofobik, nuk e ndryshojnë as përmbajtjen e miqësisë tradicionale me popullin turk, as kursin e partneritetit strategjik me Republikën e Turqisë.
Dikush ndër të inatosurit e djeshëm denonconte hipokrizinë time. Sipas tij isha vetëdemaskuar nga mikpritja që i rezervova Presidentit Erdogan në Tiranë, pas mikpritjes që më rezervoi Papa Françesku në Romë. Në fakt jo, ky shembull tregon krejt të kundërtën e hipokrizisë; vërtetësinë dhe thellësinë e marrëdhënieve të posaçme personale për shkak të detyrës.
Këto e të tjera marrëdhënie të këtij niveli, reflektojnë bindjen time se Shqipëria nuk duhet të jetë “më katolike se Papa” në politikën e saj të jashtme, po mund të jetë “trimi i mirë me shokë shumë”. Po shokë ama, natyrisht!/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në përurimin e restaurimit të Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, së bashku me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
“Ju e dini historinë e dhimbshme tragjike, të fesë në Shqipëri dhe njëkohësisht e dini dhe historinë e rëndë përmes së cilës kaluan objektet e kultit pavarësisht se cilës feje i përkisnin, përgjatë gjithë periudhës së barbarisë komuniste”, tha Rama.
“Dhe sigurisht që në Shqipërinë e pas rrëzimit të diktaturës plagët ishin të panumërta, nevojat ishin të panumërta, hallet ishin të panumërta dhe adresimi i kësaj plage i shërimit të objekteve të kultit, mbeti për një kohë të gjatë pas dore”, u shpreh Rama.
“Mirëpo nga ana tjetër unë besoj se këto objekte, xhamitë, kishat, teqetë dhe të gjitha objektet, të cilat në shekuj u ngritën brez pas brezi në emër të Zotit, nuk u përkasin vetëm atyre që i vizitojnë ato për të kryer ritet e tyre, por i përkasin thesarit të kulturës sonë, i përkasin kujtesës sonë historike, i përkasin shpirtit tonë dhe si të tilla ato duhen me patjetër pasur kujdes, duhen patjetër rilindur, duhen me patjetër t’i vihen në dispozicion brezave që vijnë”, tha Rama.
“Për Shqipërinë ato janë po ashtu dëshmia e jashtëzakonshme dhe e prekshme e një bashkëjetese fetare që na ka karakterizuar vijimësisht si një shembull i mrekullueshëm që e kemi trashëguar nga të parët tanë dhe e kemi detyrë t’ua trashëgojmë fëmijëve tanë. Dhe në përpjekjen tonë për ta rilindur këtë aspekt të trashëgimisë tonë kulture, ne kemi gjetur tek presidenti Erdogan një partner të pazëvendësueshëm”, theksoi Rama.
“Falë kujdesit të tij të posaçëm dhe të drejtpërdrejtë, falë angazhimit të agjencisë turke të bashkëpunimit, TIKA, falë bashkëpunimit me historianët, me inxhinierët, me restauratorët turq dhe atyre shqiptarë, ne sot kemi disa nga xhevahiret më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore që i përkasin fesë islame, të cilat janë rilindur plot shkëlqim, siç ka rilindur plot shkëlqim dhe kjo xhami e Ethem Beut që është një nga simbolet më domethënëse të historisë sonë, por edhe një nga pasqyrat ku mund të shihet lidhja jonë e vjetër tradicionale me popullin vëlla turk”, u shpreh Rama.
“Xhamitë e qendrës mesjetare të Beratit, xhamia e mrekullueshme e Gjirokastrës, të cilat janë po ashtu restauruar dhe kanë rilindur falë kësaj përkujdesjeje nuk janë sot vetëm objekte kulti, të cilat u shërbejnë më së miri besimtarëve myslimanë, por janë edhe pika referimi për të gjithë ne, për të gjithë komunitetet dhe për të gjithë ata që e vizitojnë Shqipërinë në të gjithë diversitetin e saj. Kjo është një përpjekje që vazhdon”, theksoi Rama.
Rama shprehu kënaqësinë, “që së shpejti falë marrëveshjes të nënshkruar dhe punës që po bëhet aktualisht për projektin do të fillojë edhe puna për rilindjen e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, një nga perlat e trashëgimisë tonë kulturore”.
Ndërkohë, shtoi kryeministri Rama, “me mbështetjen e Presidentit dhe në bashkëpunim me agjencinë TIKA, do të vijojmë punën edhe me ndihmën e vyer të ministrit të Turizmit dhe të Kulturës së Turqisë dhe të gjithë strukturës së asaj ministrie për të vazhduar përpjekjen e bukur për rilindjen e Beratit, të Gjirokastrës dhe vetë Shkodrës”.
Xhamia e Et’hem Beut, një xhevahir i trashëgimisë sonë kulturore, në zemër të Tiranës rikthehet plotësisht e restauruar, falë kontributit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti turk Erdogan ishin të pranishëm sot në inaugurimin e Xhamisë së Et’hem Beut, e cila shërben jo vetëm për besimtarët myslimanë, por edhe si një atraksion turistik për kryeqytetin.
Kjo xhami, e cila është monument kulture i kategorisë së parë, është pjesë e ndërtesave që përbëjnë qendrën historike të Tiranës dhe së bashku me Kullën e Sahatit përbën një kompleks arkitektonik. Është një nga xhamitë e vetme në vend që i ka rezistuar periudhave të ndryshme, përfshirë atë të komunizmit.
Xhamia e Et’hem Beut e restauruar tashmë në mënyrë spektakolare, përbëhet nga salla e lutjeve, portiku që e rrethon atë nga lindja dhe veriu, si dhe minarja.
Nga ky restaurim dolën në pah elementë që me kohën ishin dëmtuar dhe mbuluar. / KultPlus.com
Së fundmi, Shqipëria është “pushtuar” me flamuj të Turqisë, në nderim të pritjes me ceremoni zyrtare të Presidentit, Recep Tayyip Erdogan, shkruan KultPlus.
Ky i fundit veçse ka arritur në tokën arbërore, derisa pritet që gjatë ditës së sotme të zhvillojë një sërë aktivitetesh.
I pari i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur në aeroport arritjen e Erdoganit, për të vazhduar më pas ekspeditën e planifikuar.
Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë aktivitetin e tyre, ndërsa një fjalë përshëndetëse do ta bëjë edhe presidenti i Turqisë.
Data e sotme, pra 17 janari, është pikërisht dita kur edhe ka vdekur heroi i kombit, Gjergj Kastrioti.
Osmanët filluan të pushtonin Shqipërinë jugore deri në vitin 1415 dhe themeluan një jurisdiksion zyrtar mbi shumicën e Shqipërisë deri në vitin 1431, derisa disa rajone shqiptare u pavarësuan mes viteve 1443 dhe 1479, si pasojë e kryengritjeve të drejtuara nga Skënderbeu.
Territori i sotëm i Republikës së Shqipërisë mbeti pjesë e Perandorisë Osmane deri në vitin 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë. /KultPlus.com
Nga qyteti verior i Shkodrës nisi Viti i Ri i ekranit holandez me programin e famshëm “Wie is de Mol”, filmuar në Shqipëri në 2021.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pjesë nga ky emision, më i ndjekuri televiziv në Holandë.
“Nga Shkodra nisi Viti i Ri i ekranit holandez me programin e famshëm “Wie is de Mol” – filmuar në Shqipërinë 2021. Emisioni më i ndjekur televiziv në Holandë ka befasuar publikun me bukuritë shqiptare, çka pritet të rrisë ndjeshëm këtë verë numrin e turistëve holandezë në Shqipëri”, thekson Rama.
Shqipëria u përzgjodh si destinacion për xhirimet e 12 serive të sezonit 22 për vitin 2022 të emisionit televiziv më të shikuar në Holandë, (Cili është i infiltruari?).
Në emisionin me audiencë prej mbi 4 milionë shikuesish, 11 konkurrentë, personazhe VIP holandezë erdhën në Shqipëri dhe xhiruan lojërat me sfida dhe aventura, në vendet më të bukura dhe mbresëlënëse të Shqipërisë./atsh /KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar disa fotografi në rrjetin e tij social në “Facebook”, ku edhe ka bërë të ditur një lajm të mirë për njerëzit në Fushë Krujë, shkruan KultPlus.
Rama ka njoftuar se Fushë Kruja është e gatshme të mirëpres familjet që do të rikthejnë në shtëpi familjet për Vitin e Ri. /KultPlus.com
Me moton “Shqipëri e Pastër”, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria është duke vazhduar me planin Kombëtar të Pastrimit, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, i pari i Shqipërisë ka ndarë disa fotografi, ku shihet disa vende janë duke u pastruar.
“Pastrimi i vendit ku jetojmë është patriotizëm, ndërsa ndotja e plazheve është pjesa më e shëmtuar e fytyrës së përbuzjes ndaj vendit dhe të ardhmes”, ka shkruar ai.
Disa prej momenteve nga pastrimi në Durrës, Kavajë, Gjirokastër, Malësi e Madhe, Bulqizë, Përmet dhe Mallakastër
Kryeministri Edi Rama është nderuar me çmimin “Vital Voices Global” pas vendimit për të strehuar afganët në Shqipëri. Hillary Clinton e vlerësoi ndër të tjera kryeministrin Rama edhe për përfshirjen e grave në qeveri.
Ceremonia u zhvillua në New York. Kryeministri kishte shkuar së bashku me familjen dhe shoqërohej në takim nga bashkëshortja Linda dhe djali i vogël Zaho.
Në fjalën e tij, Rama u tha amerikanëve se në Shqipëri është nder i madh nëse quhesh Klinton dhe madje tregoi se ka djem që quhen BillKlinton. Pas kësaj deklarate të kryeministrit të vendit, salla ka shpërthyer në të qeshura.
“Kur të gjitha gratë në listë ishin shpëtuar e vendosur në Shqipëri, më telefonoi dhe sigurisht ishte nder shumë i madh sepse duhet ta dini që nëse quhesh Klinton në Shqipëri apo mes shqiptarëve, kjo është diçka shumë speciale që lidhet me çlirimin e gjysmës së kombit tonë, Kosovës. E meqë ra fjala, është i vetmi vend mbi këtë tokë, ku sot ka njerëz, djem, që e kanë emrin Klinton – emrin, jo mbiemrin. Madje ka edhe djem që quhen Billklinton. Kështu e kanë thjesht emrin, si të themi, Billklinton Rama dhe të gjithë këta djem që sot janë rritur, ishin bebe të sapolindura në kohën kur falë Presidentit Klinton, Zonjës së Parë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara asokohe, ai popull u çlirua nga një regjim, i cili u përpoq ta spastronte etnikisht që të gjithin”, u shpreh Rama./ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Elbasan platformën e Bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”, duke nisur kështu fushatën sensibilizuese.
Në një takim publik me qytetarë, ndër të tjera Rama nuk hezitoi të shkëmbente edhe batuta. Teksa argumentonte se si do të hiqen sportelet nga viti 2022 për të shmangur korrupsionin në administratë, Rama përmendi sërish faktin se nuk ka patentë.
“Nuk kam për të marrë patentën se nuk jam i zoti që të ngasë makinë, plus kam dhe këmbët shumë të gjata”, tha Rama. / KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është shprehur të jetë krenar me suksesin e disenjatores shqiptare Nensi Dojaka, e cila së fundi është shpërblyer edhe me një çmim prestigjioz, pas atij të Luis Vuitton, shkruan KultPlus.
Nensi Dojaka ka marrë çmimin BFC në British Fashion Aëards, duke e renditur kështu në mesin e stilistëve më të mirë.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e kryeministrit Rama.
Pas çmimit prestigjioz të Luis Vuitton për stilistët e rinj Nensi Dojaka, ylli shqiptar i modës, ka fituar mbrëmë çmimin tjetër prestigjoz, British Fashion Award, duke u shpallur stilistja e vitit në Britaninë e Madhe
Urime nga zemra dhe krenar për ty Nensi./ KultPlus.com
Edi Rama rezulton të jetë lideri i tretë më i ndjekur në Facebook për Europën, gjatë vitit 2021, me 1.3 milionë fansa dhe 19.7 milionë reagime.
I pari është renditur presidenti turk, Recep Tayip Erdogan dhe i dyti është Giuseppe Conte, ish kryeministri i Italisë.
Rama ka popullaritet mjaft të lartë në Facebook dhe ka lënë pas kryeministra si Johnson, Macron, Orban, Mitsotakis, etj.
Si lider më i ndjekur në raport me popullsinë e vendeve që përfaqësojnë, Rama renditet në vendin e parë edhe për numrin e fansave dhe për reagimet në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rendit i dyti në raport me popullsinë.
Të dhënat janë analizuar nga Terra Data.
Kujtojmë se Edi Rama, është mjaft aktiv në Facebook, ku transmetohen të gjitha aktivitetet dhe daljet e tij publike./ KultPlus.com
Hapet zyrtarisht për qarkullim Rruga e Arbërit. Kjo rrugë e shumë pritur prej vitesh është inaguruar sot nga kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e infrastrukturës, Belinda Balluku.
Rama njofton se provizorisht kalohet me “By Pass” në Tunelin e Murrizit, ku për shkak të formacioneve gjeologjike komplekse, puna ka ecur më ngadalë dhe përfundon në pranverë.
Sipas Ramës pas hapjes së këtij tuneli, rruga do të bëhet për vetëm 47 minuta, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se Rruga e Arbrit bëhet e kalueshme për të gjitha mjetet duke nisur nga ora 14:00 e ditës së sotme.
MIE tërheq vëmendjen e drejtuesve të mjeteve, që të bëjnë kujdes në rrugë, për shkak të kushteve të motit, veçanërisht në zonën e bypass-it të Murrizit.
Kryeministri Edi Rama ka uruar festën e 28 Nëntorit me një mënyrë të veçantë .
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama ka zgjedhur që urimin për ditën e Flamurit ta shoqërojë me disa foto të stemës së aeroportit të Vlorës.
“Mirëmëngjesi, gëzuar 28 Nëntorin”, shkruan ai.
Kujtojmë që sot ka nisur puna zyrtarisht për ndërtimin e aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Pritet që kryeministri të vizitojë aeroportin, për të parë nga afër dhe nisjen e punimeve. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama është pritur zyrtarisht nga Papa Francesco gjatë vizitës së tij në Vatikan me rastin e 30-vjetorit të rivendosjes së raporteve diplomatike mes dy vendeve.
Rama ka qenë gjithashtu i shoqëruar nga zonja e tij, Linda dhe djali, Zaho.
Në shkëmbimet e para të fjalëve, Rama i ka dhuruar Atit të Shenjtë disa dhurata simbolike, ku përfshiheshin disa ikona, dorëshkrime të At Gjergj Fishtës si edhe një letër e këtij të fundit.
Vetë Papa Francesco, i ka dhuruar kryeministrit medaljen e Vatikanit.
Ndërsa, një bisedë mes të dyve, është zhvilluar, por detaje mbi diskutimet ende nuk janë bërë publike. / KultPlus.com
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë mbajtur mbledhjen e shtatë të përbashkët, ku edhe kanë bërë nënshkrimin e disa marrëveshjeve, shkruan KultPlus.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, ndodhi edhe një konferecë e përbashkët mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Kosovës, Albin Kurti.
Që të dy, kur u pyetën nga gazetarët nëse janë pro apo kundër bashkimit kombëtar, u përgjigjën pa hezitim se janë pro një gjëje të tillë.
Megjithatë, edhe Kurti edhe Rama thanë se bashkimi kombëtar nuk është diçka që është aty dhe vetëm duhet të thuhet ‘po’, por kërkohet diçka përtej kësaj.
Kosova dhe Shqipëria nënshkruan një sërë marrëveshjesh gjatë ditës së sotme. /KultPlus.com
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë mbajtur mbledhjen e shtatë radhazi në Elbasan, ku edhe kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, shkruan KultPlus.
Njëra prej pikave që mori vëmendje të madhe është “shkrirja” e kufirit, ku edhe nga viti i ardhshëm nuk do të ketë më kolona nëpër kufinjë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Raman, bënë nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve
Marrëveshjet e nënshkruara:
-Marrëveshja për krijimin e sekretariatit koordinues ndërqeveritarë
-Marrëveshja për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore ose të kontrollit hyrje/daljet e mallrave.
-Marrëveshja për lehtësimin e procedurave për marrjen e lejeqëndrimit të përkohshëm.
-Marrëveshja për rregullat e regjimit lokal të kufirit.
-Marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec-Kukës-Kryshevc-Dragash.
-Marrëveshja për sigurime shoqërore.
-Marrëveshja për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë
-Njohja dhe njësimi reciprok i diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet tjera të autorizuara.
-Marrëveshja për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.
-Kalendari i përbashkët kulturor vjetor Shqipëri-Kosovë
-Marrëveshja për avancimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë
-Marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Kosovës.
-Marrëveshja për bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve. /KultPlus.com
Qeveria e Republikës së Kosovës ka udhëtuar gjatë ditës së sotme për në Elbasan, që të takohet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për të nënshkruar një sërë marrëveshjesh, shkruan KultPlus.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati një fjalim në këtë mbledhje, ku edhe tha se duhet të flasim si diplomatë, por të punojmë sikurse patriotë.
“Të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi, Të thuash se jemi të lumtur që kemi dy shtete sepse kështu jemi të fortë, do të ishte sa tepri, po aq edhe shkurtëpamësi, Të thuash se angazhohesh për bashkim kombëtar, do të shquanin për nacionalist, Të thuash se do të bashkohemi në bashkimin evropian, të shquajnë për diplomat, Kam përshtypjen se këta të fundit po tregohen më të suksesshëm, kështu që, le të flasim si diplomatë, por le të punojmë si patriotë”, tha Kurti mes tjerash.
Disa prej marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen sot kanë të bëjnë me leje qëndrimin e shtetasve të Kosovës në Shqipëri, leje të punës dhe shumë gjëra të tjera. /KultPlus.com