Sot është shënuar një vit nga vdekja e Edi Shukriut, shkrimtares, arkeologes dhe historianes së shquar kosovare.
Humbja e saj është jashtëzakonisht e madhe për vendin tonë dhe një dhimbje e pashërueshme për të gjithë ata që e njohën.
Në kujtim të saj, ne po ju sjellim një fotografi të rrallë të Edi Shukriut pranë Ukshin Hotit, ish-bashkëshortit.
Ukshin Hoti, ishte profesor, shkrimtar, filozof, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare në Kosovë, gjatë viteve 80’ dhe 90’. Ndërsa Edi Shukriu, është arkeologia e parë dhe shkrimtarja e parë shqiptare në Kosovë që botoi përmbledhjen me poezi “Sonte zemra ime feston” 1972. / KultPlus.com
Dielli mbi Pashtrik i Zjarrtë përgjak qiellin e dridhmuar
Qytet i ndriçuar i udhëkryqeve ç’festë feston?
Mirë e di se fitorja s’vjen pa gjak e gjakderdhje – thellë në tokë janë nisma që s’u harrua kurrë e vajtimet e nemitjet që s’i zunë dot arkivat
Sa foshnje i ke gurthemel Qyteti im
Sa nëna i ke varrosur në flijim
Sa palë sy t’u mbyllën duke jermuar ujin e Shatërvanit që robëron shpirtin kudo e kahdo që të jesh
Mbi çdo rrugë e rrugicë u rrijnë mbi kokë frymët e frymëmarrjet e kohërave që shtrihen të shtrira me Urti mbi supet të gjumit të shkëmbinjve e flauron mbi lerana
Qetë shfletohet libri i kohës se monumentet janë guri dhe buka djersa dhe shpresa e banorëve të qytetit tim
Sunduesit, po, i merr furtuna
Dielli shikon në perëndim se si vdekjen e mashtron
Kosova dje mbeti pa një prej figurave më të rëndësishme të kombit. Akademikja, arkeologia, historiania, poetja e profesoresha Edi Shukriu sot “u përshëndet” për herë të fundit me familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e deshën e e respektuan për veprimtarinë e pazëvendësueshme e për njeriun që ishte, shkruan KultPlus.
Vendi ku ajo ka kaluar shumë ditë të jetës së saj, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u bë hapësira ku për herë të fundit po mirëpriste Edin Shukriu.
Një intelektuale, arkeologe dhe historiane e njohur, Edi Shukriu dha një kontribut të rëndësishëm në fushën e arkeologjisë nëpërmjet kërkimit të saj novator dhe botimeve të shumta. Ajo u respektua gjerësisht për ekspertizën e saj në qytetërimet e lashta dhe përkushtimin e saj në ruajtjen e vendeve dhe objekteve historike.
Puna e madhe dhe përkushtimi, Edin e çoi në shumë vende të botës, ku kontribuoi në fusha të ndryshme. Ajo ishte një mësuese dhe mentore e përkushtuar për shumë studentë dhe arkeologë të rinj, të cilëve do t’u mungojë shumë udhëzimi dhe mençuria e saj.
Vdekja e Edi Shukriut është një humbje e madhe për komunitetin akademik dhe për botën e arkeologjisë, dhe jo vetëm. Ajo do të mbahet mend si një studiuese e shkëlqyer dhe një avokate e pasionuar për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.
Për të nderuar veprën e saj, AShAK sot mbajti mbledhje komemorative në nderim të kësaj figurë të rëndësishme dhe më pas po në këto ambiente u mbajtën edhe homazhe.
Salla ishte mbushur përplot më akademikë, familjarë, miq e artistë që kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit Edi Shukriut.
Kryetari i AShAK-ut, Mehmet Kraja mori fjalën para të pranishmëve i cili tha se kujtimi për Shukriun do të jetë i përhershëm, duke shtuar se ajo do t’u mungojë të gjithëve.
“Edi Shukriu do të lë një vend të zbrazët. Nga sot do të jemi më të varfër për një arkeologe, historiane të shkëlqyeshme, profesoreshë universitare e poete. Edi do t’u mungojë të gjithëve edhe atyre që e deshën dhe atyre që nuk e deshën. Por të jetojë mes nesh respekti dhe vepra e saj”, u shpreh Kraja.
Pas Krajës, fjalën e mori Gjyljeta Mushkolaj – sekretare e seksionit të Shkencave Shoqërore e cila u shpreh se me dhimbje dhe pikëllim të madh janë mbledhur për të kujtuar veprën e gruas të parë të Akademisë së Shkencave.
Biografia e gjatë dhe e jashtëzakonshme për Edi Shukriun u dëgjua me vëmendje nga të pranishmit e të jepte përshtypjen se po flitej për veprimtarinë e një grupi njerëzish e jo për një grua të vetme që kontributi i saj në shumë sfera e bëjnë një figurë unike.
Për të folur për një aspekt tjetër të Edit, tutje fjalën e mori Valtida Shukriu, mbesa e Edi Shukriut, e cila në emër të familjes tha se ndihen të nderuar me pjesëmarrjen e kaq shumë miqve në përkujtimin e saj.
“Faleminderit që jeni sot këtu të ndani dhimbjen me ne. Falënderoj Akademinë dhe të gjithë ata që po e bëjmë këtë ditë më të lehtë për ne. Për veprimtarinë shkencore dhe profesionale të Edit, për përkushtimin e saj në fushën e arkeologjisë e të historisë, folën kolegët dhe bashkëpunëtorët e saj. Si për të gjithë shoqërinë, edhe për ne, Edi Shukriu ishte një intelektuale e veprimtare. Këtu për çështjen e popullit tonë, aty për çështjen e gruas. Ne veç patëm rastin të përjetonim për së afërmi zjarrin e saj. Përpjekjet e saj këmbëngulëse e kokëfortë për emancipim e barazi, mes popujve e gjinive, përtej popujve e përtej gjinive”, u shpreh Valtida.
Pas këtyre fjalëve, të pranishmit u shpërndanë e shumë prej tyre po prisnin në ambientet e Akademisë për të bërë homazhe të cilat prisnin të fillonin pas pak. Gjatë këtyre minutave, për KultPlus ndau disa fjalë edhe politikania e njohur Edita Tahiri, njëherit mike dhe bashkëpunëtore e ngushtë me Edi Shukriun.
“Edi Shukriu ishte dhe mbetet ikonë e kombit shqiptar. Gjithë veprimtarinë ka synuar cilësinë prandaj edhe ka shkëlqyer në çdo aspekt, si atë kombëtar, akademikë, politik, diplomatik e letrar. Ishte një luftëtare e vendosur, jo vetëm patriote, ishte një shtyllë e lëvizjes për çlirimin e Kosovës dhe pavarësi. Unë e kisha mike të madhe të jetës por edhe bashkëpunëtore në të gjitha angazhimet e mija. Njihet edhe për luftën e saj për barazi gjinore. Në fund dua të them se Edi do të jetë udhërrëfyese për të gjithë gjeneratat e ardhshme. Njerëzit e mëdhenj nuk vdesin kurrë, ajo ka lënë trashëgimi dhe gjeneratat e reja do të frymëzohen dhe do të marrin shembuj nga veprimtaria e saj”, u shpreh Tahiri.
Ndërkohë Don Lush Gjergji e vlerëson humbje të madhe vdekjen e Edi Shukriut, një grua shumëdimensionale e cila la gjurmë në shumë fusha, shpesh herë duke qenë edhe nismëtare e themelimit të disa prej institucioneve kulturore e shkencore, sikurse edhe nismëtare e shumë kauzave.
“Është humbje e madhe, po na ikin njerëz të mëdhenj, një brez po na shkon, e me këtë humbje po na shkëputet edhe zinxhiri. Më e keqja që hallkat e këtij zinxhiri nuk po kem kujt t’ia dorëzojmë, na kanë mbet hallkat në dorë”, tha Gjergji.
Kur homazhet nisën, ambientet e Akademisë së Shkencave ishin përplot njerëz që kishin ardhur ta nderojnë figurën e Edi Shukriut. Nën shoqërimin e tingujve muzikorë dhe leximin e poezive, Edit po i jepej lamtumira e fundit e dhimbja po vërehej në secilën fytyrë që dilte nga salla.
Edi Shukriu vdiq të martën në moshën 73 vjeçare, përderisa varrimi do të bëhet sot, e mërkure në varrezat në Prizren. / KultPlus.com
Ka vdekur sot Edi Shukriu, shkrimtarja, arkeologia dhe historiania e shquar kosovare.
Humbja e saj është jashtëzakonisht e madhe për vendin tonë dhe një dhimbje e pashërueshme për të gjithë ata që e njohën.
Në kujtim të saj, ne po ju sjellim një fotografi të rrallë të Edi Shukriut pranë Ukshin Hotit, ish-bashkëshortit.
Ukshin Hoti, ishte profesor, shkrimtar, filozof, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare në Kosovë, gjatë viteve 80’ dhe 90’. Ndërsa Edi Shukriu, është arkeologia e parë dhe shkrimtarja e parë shqiptare në Kosovë që botoi përmbledhjen me poezi “Sonte zemra ime feston” 1972. / KultPlus.com
KultPlus e risjell intervistën me Edi Shukriu që është realizuar me rastin e fundvitit 2021 nga kryeredaktorja e KultPlus, Ardianë Pajaziti.
Gjithçka është e pazakontë te kjo grua, emri i saj përfundon me prapashtesën i, që nuk është i zakonshëm te emrat e vajzave shqiptare, si vajzë e re është sfiduar edhe në boks, dhe në vitet e 60-ta, kur shumica e vajzave ëndërronin të bëheshin mësuese, ajo guxoi të ëndërronte për arkeologjinë. Është gruaja që kaloi rreth dhjetë vjet me Ukshin Hotin, dhe gruaja që qëndroi politikisht afër Ibrahim Rugovës. Edhe sot vazhdon të jetojë në të njëjtën banesë ku kishte jetuar me Ukshin Hotin, në lagjen Ulpiana, dhe pikë të dobët ka Parkun Arkeologjik “Ulpiana”. Edi Shukriu, në një intervistë për KultPlus ka dhënë detaje për krejt këto zhvillime, për studimet në Beograd, për jetën me Ukshin Hotin, divorcin, angazhimin politik përkrah Ibrahim Rugovës. Në këtë intervistë, ajo shpalosë edhe karakteristikat për këto dy figura të popullit shqiptarë.
Ardianë Pajaziti
Hapat e saj të vegjël nëpër kalldrëmin e Prizrenit, kureshtja e saj për ata gurë që shtronin rrugicat ku shëtitej me prindërit dhe vëllain e saj, ngjitja e shpeshtë deri të Kalaja e këtij qyteti, në shpirtin e saj kishin zgjuar një dëshirë të pazakontë për kohën në të cilën jetonte. Përderisa, shumë prej moshatareve të saj dëshironin të bëheshin mësuese, infermiere, e ndonjë edhe mjeke, Edi Shukriu ishte mes dilemës së arkitekturës dhe arkeologjisë. Dy profesione jo të shpeshta, as për djemtë e asaj kohe, e lëre më për vajzat.
“Dëshira për të studiuar arkeologjinë, mendoj se lindi nga ngjitjet e mia të shpeshta deri të Kalaja e Prizrenit. E mendoja si qendrën e botës, dhe njësoj e vlerësova deri në kohën kur udhëtova në shumë anë të botës, dhe pashë shumë e shumë kala, dhe atëherë e kuptova se Kalaja e Prizrenit, që e mendoja aq madhështore, në fakt nuk ishte kala, por një rrënojë, por një rrënojë që zgjoi te unë shumë dashuri për arkeologjinë”, kujton fillimet e saj Edi Shukriu, e cila për KultPlus tregon se po mos të ishte kjo pikë e Prizrenit, dhe vizitat e saj nëpër vende të ndryshme, nuk do të lindte dëshira për krahasime, pikë vendimtare e arkeologëve për gjetjet nëpër periudha të ndryshme kohore.
Po aq sa e inspiroi Prizreni për arkeologji, një pjesë të ‘fajit’ e ka edhe Shkupi, vend në të cilën Edi e kalonte një pjesë të madhe të kohës, pasi që në atë qytet i jetonte gjyshja.
Kurse guximi për të ëndërruar drejt një profesioni kaq të rrallë në Kosovë, ishte guxim që ishte ndërtuar në familjen ku edhe rritej Edi Shukriu. Ajo kujton për lexuesit e KultPlus, se edhe babai i saj kishte punuar shumë për trashëgiminë kulturore, se mamaja kishte një shkollë shumë të veçantë, atë të jetës, dhe këto dy elemente kishin bërë që në këtë familje guxonin të ëndërronin. Njëri mysliman, e tjetra katolike po mundoheshin të hapnin portat për dy fëmijët e tyre, e që Edi kujton se mamaja, babit të saj ia mësoi gjuhën shqipe, pasi që, Edi kujton se familjet e Prizrenit flisnin një gjuhë shqipe të çaluar, por se nëna Margaritë ia mësoi gjuhën e rrjedhshme shqipe.
Në Beograd nisa studimet në vitin 1968, vit kur në Kosovë kishin nisur shkundjet e para shqiptare nëpërmjet protestave
Dhe përderisa ëndrra e saj për një arkeologe të ardhshme po merrte formë, tashmë kishte dilemën tjetër, se nëse do të duhej të studionte në Zagreb, që aq shumë e dëshironte, apo në Beograd, ku për shkak të rrethanave, u detyrua të zgjedhë këtë të dytën.
“Udhëtimi për Zagreb ishte shumë i gjatë, kurse në Beograd ishte më afër. Udhëtoja tërë natën, dhe në mëngjes isha në Beograd, kurse në Zagreb, më duheshin edhe 12 orë shtesë”, kujton Edi Shukriu, e cila studimet e arkeologjisë i nisi në vitin 1968, vit kur në Kosovë kishin nisur shkundjet e para shqiptare nëpërmjet protestave, e shkundje që e vështirësonin stabilitetin e studentëve shqiptarë në Beograd, të cilët nuk ishin të paktë dhe studionin në drejtime të ndryshme.
Edi Shukriu kujton edhe dallimet që kishte nuhatë edhe nga ana e profesorëve, kur shpesh herë ishin shumë më kërkues ndaj saj si studente shqiptare, se sa te studentët vendës, padrejtësi në nota dhe në shumë ngufatje të tjera, por që Edi Shukriu i vlerëson edhe si pozitive.
“Kisha një profesoreshë të frëngjishtes, që ishte serbe por që vinte nga Kroacia, aq kërkuese ishte ndaj meje, sa detyrohesha të mësoja aq shumë, vetëm që të mos më zinte ngushtë. Por si rezultat i kërkesave të saj, unë më vonë isha falënderuese, sepse, gjuha frënge është gjuha që e zotëroj më së miri, pas gjuhës shqipe”, kujton Edi Shukriu.
Viti i parë dhe i dytë i studimeve, në kryeqytetin e Serbisë nuk ishte i lehtë për Edi Shukriun edhe sa i përket anës së financave. Nuk i ishte siguruar ndonjë bursë, dhe studimet kishin rënë mbi barrën e familjes së saj.
“Më ka ndodhë që ndonjë ditë të mos ha ushqim, shumë shpesh më duheshin paratë edhe për blerje të librave, dhe detyrohesha që të rrija pa ushqim. Por këtë gjë nuk ia kam thënë asnjëherë prindërve, tash po e them, sepse të dy më nuk janë në mesin e të gjallëve”, rrëfen Edi Shukriu, e cila më pas detajon se pas vitit të dytë, bursa i ishte siguruar nga Universiteti i Prishtinës, dhe studimet ishin pak më të lehta. Dhe pas përfundimit të fakultetit, Edi Shukriu vazhdoi edhe magjistraturën, dhe paralelisht punonte edhe në Muzeun e Kosovës, për të vazhduar më pas edhe doktoraturën në Universitetin e Prishtinës, ku edhe mbrojti tezën mbi qeramikën e helenizuar të epokës së Hekurit në Kosovë (shek. VI-IV p.K) “Dardanët janë ilirë”, tezë që u mbrojt edhe para mentorëve serb, në vitin 1990.
Në Gradinën e Gadimes së Epërme po bëja kërkime arkeologjike, aty erdhi të më takojë Ukshin Hoti
Përderisa jeta e saj prej arkeologe po pasurohej edhe me hulumtime të herë pas hershme brenda lokacioneve arkeologjike të Kosovës, Edi po synonte edhe mësimin e gjuhës angleze, e që po shikonte ndonjë alternativë që të shkonte në Angli, për të mësuar gjuhën angleze.
Ishte viti 1972, koha edhe kur kishte përfunduar studimet në Beograd, dhe bashkë me mamin e saj ishin drejtuar në një zyrë, që të bënin kërkesën që ta mbështesnin për udhëtimin në Angli.
“Në atë takim na priti Ukshin Hoti, atëherë ishte në një pozitë që nuk e kishte titullin e ministrit të punëve të jashtme, por që në ato kompetenca ishte. Nuk u mbështeta për këtë udhëtim, por ky udhëtim ishte shkas që të njihem me Ukshin Hotin”, tregon Edi Shukriu.
Dhe, përderisa i kishte dështuar udhëtimi në Angli, Edi bashkë me një grup të arkeologëve po bënin hulumtime në Gadime të Epërme. Dhe në kodrën e Gadimës, Ukshin Hoti ishte ngjitur për ta takuar Edin, ku sipas saj, pas disa takimeve të shpeshta, ata edhe u lidhën, lidhje që solli edhe vendimin për martesë, në vitin 1974, ku nga ajo martesë kanë vajzën Erletën.
E kujton si njeriun që ka njohur më së miri marrëdhëniet ndërkombëtare, si një njeri që ka ditur shumë gjuhë të huaja, e që shumicën prej tyre, sipas Edit, i ka mësuar vet, si një njeri me një dashuri të paparë për kombin, e që sipas saj, nuk sheh aq shumë të tillë me këto karakteristika.
Edi me fjalë të pakta kujton jetën me Ukshin Hotin, jetë që e kishin bërë në banesën e vogël në Ulpianë, ardhjen në jetë të Erletës, rënien e tij në burg në vitin 1981, por edhe lirimin e tij nga burgu në vitin 1985, e që nuk doli të jetë me fat për familjen tre anëtarëshe, pasi që, ashtu sikur edhe kujton Edi Shukriu, Ukshini kërkoi divorcin, dhe familjes së re i iku fija e lumturisë.
Kur e pyes se çfarë dokumenti, letër apo ndonjë gjë personale të Ukshin Hotit e posedon edhe sot, Edi refuzon të flas. Ajo thotë se ka gjësende të Ukshin Hotit, por nuk dëshiron ti bëj publike, për faktin se, shumë të tjerë e kanë keqpërdorë emrin e tij.
“Unë dhe vajza ime jemi kujdesur shumë që ta ruajmë imazhin e tij, e kanë keqpërdorë shumë emrin e tij. Kanë shkruar shumë për Ukshinin, kanë bërë filma dokumentarë, kurrë askush nuk erdhi të më pyes rreth Ukshinit. Asnjë film nuk vlen, sepse mungon shumëçka në ato realizime. Kam qenë kundër edhe për Muzeun e Ukshin Hotit në Krushë të Madhe, ky kundërshtim erdhi si rezultat i asaj, sepse me atë muze ata e grimcuan Ukshinin, e ulën në nivele lokale, e Ukshin Hoti ishte i krejt Kosovës, nuk ishte vetëm i Krushës së Madhe”, shprehet Edi Shukriu, e cila vazhdon të jetojë edhe më tutje në banesën ku kishte jetuar me Ukshin Hotin, e që së fundi, kishte gjetur edhe një fletë dërgesë të burgut, kur i kishte dërguar ushqim e cigare. “Ishte data dhe përshkrimi, i dërgoja ushqim e cigare, në atë kohë pinte “Kent”, tregon Edi, për ato kujtime, e që vajzës i thoshte atëherë se babi po punonte, e asnjëherë si kishte treguar se ai ishte në burg.
Se kanë humbur shumë dokumente, materiale të rëndësishme, Edi Shukriu kujton edhe hyrjet e shpeshta të policisë serbe, e që sipas saj, sa herë që kanë hyrë në banesën e tyre, ata kanë marrë gjësende të ndryshme.
Jam arkeologia e parë që kam iniciuar hulumtime të nivelit ndërkombëtar në Ulpianë, bashkë me një koleg timin futëm edhe para tona, sepse nuk patëm mbështetje
Profesoreshë e UP-së, akademike, publiciste, poete dhe një grua aktiviste, Edi Shukriu konsiderohet si arkeologia e parë që ka iniciuar hulumtime të nivelit ndërkombëtar në lokacionin e Ulpianës, e që sipas saj, para luftës ishin bërë nga arkeologë serb dhe ekipe prej Beogradit.
“Hulumtimin në nivel ndërkombëtar e realizova me një profesor francez, e që ishte prej vitit 2006 e deri në vitin 2010, po sikurse në çdo fushë tjetër, edhe në këtë pikë patëm probleme financiare. Më vinte keq që ti tregoja profesorit francez se kemi probleme me financa, unë dhe një ish student i imi futëm mjetet vetanake, kolegu im që i dha paratë për hulumtim, ato mjete i kishte të ndara për blerjen e një banese, por i futi bashkë me mua në hulumtim”, tregon Edi, e cila shprehet të jetë e lumtur se hulumtimet po ecin edhe sot, por, sipas saj jo në tempo të duhur.
Edi Shukriu, e cila në rininë e saj u sfidua edhe në skijim, boks, pingpong e hendboll, duket se nuk mjaftohej me angazhimet. Duke anashkaluar krejt titujt shkencor, angazhimin institucional dhe atij prindëror, bashkë me shumë gra të tjera, shumë shpesh dolën rrugëve të Prishtinës, për të kundërshtuar terrorin serb, e që shumë shpesh ishin të rrethuara nga forcat serbe.
“Nuk mendonim për vete në atë kohë, ishte një proces i përgjithshëm. U pata propozuar që të jem edhe në kryesi të LDK-së, po nuk pata pranuar. Vajza më rritej pa baba, kisha frikë se mund të më burgosnin edhe mua, edhe nuk ishte e lehtë ta lija vajzën pa asnjërin prind”, tregon Edi, e cila, pos që kishte fatin të kishte për bashkëshort njërin prej figurave më të rëndësishme të historisë shqiptare, ajo në të njëjtën kohë punonte afër një njeriu shumë të rëndësishëm për popullin shqiptar, Ibrahim Rugovës.
Rugovën e kujton si një njeri që e ka njohur më së miri mentalitetin shqiptar, një njeri që ka pas shumë guxim për rrethanat më të vështira të shqiptarëve.
“Por unë mendoj që një njeri duhet të shihet në krejt kompleksitetin e tij, shumë herë më është kërkuar që të shkruaj rreth Rugovës, por kam refuzuar. Refuzoj të shkruaj në superlativ për njerëzit, sepse kështu po krijojmë mite, e duke krijuar mite, jemi aty ku edhe jemi”, ka thënë Edi.
Vazhdon të jetojë edhe më tej në banesën e njëjtë ku edhe e kurorëzoi martesën e saj me Ukshin Hotin. “Shumica e interierit është e njëjtë, sikurse ai i viteve të 70-ta. Edhe muret janë kujtesë”
Kjo grua që në lëkurën e saj ka përjetuar rëniet dhe ngritjet, momentet kur njerëzit bëheshin se nuk po e shihnin në rrugë, vetëm për faktin se Ukshini ishte në burg, momentet kur duhej të ishte vetë nënë e vetë baba, kohën kur dilte me një bukë në dorë, për të kundërshtuar regjimin e Millosheviqit, kurrë asnjëherë nuk e kishte menduar që të ikte e ta linte Kosovën.
“Edhe si fëmijë patëm pas një krizë, kur babi ngeli pa punë për një vit, dhe menduam të shkonim në Zarë të Kroacisë, falë të afërmeve të mamit. Babi na përgatiste për këtë udhëtim, duke na treguar rrëfime për detin, lundrat e shumëçka rreth jetës në bregdet. Ishim në pikën e fundit për udhëtim, nëna ime refuzoi. ‘Nuk mund të lë kalldrëmin e Prizrenit’, pati thënë nëna, fjali që vendosi përfundimisht jetesën tonë në Kosovë. Si duket edhe unë kam trashëguar këtë element nga nëna ime. Kam pas mundësi të udhëtoj në shumë vende të botës, por asnjëherë se kam menduar të lë Kosovën”, shprehet Edi.
Me titullin akademike, me një emër të çuditshëm për emrat e vajzave shqiptare, pasi merr prapashtesën i, Edi Shukriu që ka publikuar shumë punime shkencore, ka shkuar deri në Harvard dhe ka publikuar edhe poezi. Krejt këtë angazhim shkencor, human e letrar e vlerëson si një punë që e ka bërë pse është dashur ta bëj, pa i menduar asnjëherë pasojat.
Deputete, themeluese e Forumit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, themeluese e partisë Alternativa Demokratike e Kosovës, anëtare e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve në Salzburg, 71 vjeçja, vazhdon të jetë edhe sot aktive, e që vazhdon të jetojë edhe më tej në banesën e njëjtë ku edhe e kurorëzoi martesën e saj me Ukshin Hotin. “Shumica e interierit është e njëjtë, sikurse ai i viteve të 70-ta. Edhe muret janë kujtesë”, tregon Edi, e cila përkundër shumë peripecive, ka një humor shumë të theksuar.
Dhe në momentin kur po mendoja se po mbyllej kjo intervistë, Edi Shukriu më zbuloi diçka nga thesari i përbashkët me Ukshin Hotin. “Kam një shigjetë nga Ukshini, e solli prej Afrikës”, ishte pjesa që zbuloi, pa dhënë më shumë detaje se edhe çfarë gjësende apo dokumente zotëron kjo grua, që hulumton në lokacionin Ulpiana, dhe vazhdon të jetojë në lagjen Ulpiana./ KultPlus.com
Politikania e njohur Edita Tahiri është shprehur e tronditur nga vdekja e Edi Shukriut, anëtares së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“U trondita thelle nga humbja jote mikja ime e madhe e jetes dhe luftes per liri dhe pavaresi, Edi Shukriu ishe dhe mbetesh ikonë e kombit shqiptar, shkelqeve në gjithë veprat kombëtare, akademike, politike, diplomatike, letrare”, shkroi Tahiri në një postim në Facebook.
“Ngushellime te thella bijes se dashur Erletes dhe mbeses Nia dhe familjes Shukriu dhe miqeve!”, shtoi ajo. / KultPlus.com
Ka vdekur sot Edi Shukriu, shkrimtarja, arkeologia dhe historiania e shquar kosovare, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës të cilët njëherit edhe kanë njoftuar për detajet rreth varrimit të të ndjerës.
“Me dhembje dhe pikëllim të thellë njoftojmë opinionin se më 17 janar 2023 ndërroi jetë akademike Edi Shukriu, një emër i njohur dhe i çmuar në fushën e arkeologjisë, të historisë, të letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare”, thuhet në njoftim.
ASHAK tutje kanë bërë të ditur se varrimi i së ndjerës do të bëhet më datë 18 janar 2023, ora 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.
Ndërsa, mbledhja komemorative do të mbahet gjithashtu më datë 18 janar, në mjediset e ASHAK-ut në orën 11:00 dhe homazhet do të bëhen nga ora 12:00-13:00. / KultPlus.com
Ka vdekur sot Edi Shukriu, shkrimtarja, arkeologia dhe historiania e shquar kosovare.
Lajmi për vdekjes e Edit është pritur me reagime të shumta.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllimet e saj për vdekjes e Akademikes Edi Shukriu duke thënë së vdekja e Edit është humbje e thellë për dijet e për shkencën shqiptare, pasi ajo ishte një emër i çmuar në fushën e arkeologjisë e të historisë, fusha në të cilat ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme.
“Me dhembje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të profesoreshë Edi Shukriut, anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, profesoreshë shumëvjeçare e Universitetit të Prishtinës, si dhe veprimtare e shquar politike dhe inistiucionale.
Ndarja nga jeta e Edi Shukriut është humbje e thellë për dijet e për shkencën shqiptare, pasi ajo ishte një emër i çmuar në fushën e arkeologjisë e të historisë, fusha në të cilat ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Duke qenë ndër arkeologet e para shqiptare, ajo i vuri themelet e dijeve arkeologjike në Kosovë, së cilave ua kushtoi pothuajse tërë jetën, duke themeluar e drejtuar institucione e projekte të ndryshme kërkimore e shkencore. Njeri me vokacion të theksuar poetik, prof. Shukriu është e njohur edhe në fushën e letërsisë. Ajo na i ka lënë trashëgim disa vepra poetike.
Në këto çaste të vështira, bashkëndjej me familjen, miqtë e kolegët e saj.
I përjetshëm kujtimi për Edin!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Presidentes Osmani. / KultPlus.com
Ka vdekur Edi Shukriu, shkrimtarja, arkeologja dhe historiania e shquar nga Prizreni. Lajmin e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Edi Shukriu u lind në Prizren më 22 tetor 1950 nga prindërit Margarita (Gita) Mjeda-Shukriu dhe Muhamed Shukriu. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në Prizren, ndërsa studimet për arkeologji në Universitetin e Beogradit (1972). Magjistroi në Universitetin e Beogradit (1979) dhe titullin Doktor i Shkencave Historike e mori në Universitetin e Prishtinës (1990). Është profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe. Ishte Kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK, 2009-2012).
Është arkeologja e parë dhe shkrimtarja e parë shqiptare në Kosovë që botoi përmbledhjen me poezi Sonte zemra ime feston (1972). Anëtare e PEN qendrës së Kosovës (2004-) dhe nënkryetare e saj (2009-), anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1973). Ishte shkencëtare vizituese në Universitetin e Harvardit. Mori pjesë në International Writing Program 2005, University of Iowa, USA (2005). Përfaqësohet në antologjitë e autorëve shqiptarë e të huaj.
Deputete e Kuvendit të Kosovës (1992-1998, 2002-2004), Bashkëdrejtuese e Departamentit të Kulturës–UNMIK (2000-2001), Kryetare e Komisionit për Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës (2001-2004). Nënkryetare e Alternativës Demokratike të Kosovës (2004 – 2013). Ishte themeluese e Forumit të Gruas të LDK (1990) dhe kryetare e saj (1995-2000), si dhe organizatore dhe lidere e demonstratave të shumta të grave kundër regjimit serb.
Në dhjetor të vitit 2012 u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa nga viti 2013 anëtare e Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve.
– Çmimi letrar “Beqir Musliu”, Ars Clubi “Beqir Musliu” (2019).
– Çmimi për Veprimtari Jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore “Dea Dardanica”, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (2017).
– Çmimi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën poetike “Nënqielli’ (1990).
Varrimi i të ndjerës do të bëhet më datë 18 janar 2023, ora 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.
Mbledhja komemorative do të mbahet gjithashtu më 18 janar, në mjediset e ASHAK-ut në ora 11:00, ndërsa homazhet do të bëhen nga ora 12:00 – 13:00. / KultPlus.com
Ndërtesa e vuajtjeve të shumta dhe e persekutimit të shqiptarëve, por edhe e qëndresës së madhe të aktivistëve të çështjes kombëtare, Burgu i Prishtinës do të shndërrohet në hapësirë të komunikimit me të kaluarën dhe të edukimit për brezat e ri.
Këtë e bëri të ditur ministri Hajrulla Çeku nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ku po ashtu thuhet se në fazën e parë do të kurohet ekspozita e përkohshme, ndërsa ndërtesa do të jetë nikoqire e ngjarjeve publike.
Por së fundmi, Muzeu i Burgut të Prishtinës i ka zgjuar kujtime Edi Shukriut, e cila tregon se sa shumë orë e ditë ka pritur në korridoret e atij burgu për ti dërguar ushqim Ukshin Hotit.
“Veprim i qëlluar! Më kujtoi se sa shumë orë e ditë kam pritur në korridorin e errët të këtij burgu vetëm për t’i dërguar Ukshinit ushqimin, cigaret dhe robat – vizitat ishin të nduara për të në vitin 1981…”, ka komentuar Shukriu në postimin e ministrit Çeku.
Ndërkaq kujtojmë se synimi i MKRS-së është që Muzeun e Burgut të Prishtinës të shndërrohet në njërën nga hapësirat më të vizituara jo vetëm në qytetin e Prishtinës. / KultPlus.com
Gjithçka është e pazakontë te kjo grua, emri i saj përfundon me prapashtesën i, që nuk është i zakonshëm te emrat e vajzave shqiptare, si vajzë e re është sfiduar edhe në boks, dhe në vitet e 60-ta, kur shumica e vajzave ëndërronin të bëheshin mësuese, ajo guxoi të ëndërronte për arkeologjinë. Është gruaja që kaloi rreth dhjetë vjet me Ukshin Hotin, dhe gruaja që qëndroi politikisht afër Ibrahim Rugovës. Edhe sot vazhdon të jetojë në të njëjtën banesë ku kishte jetuar me Ukshin Hotin, në lagjen Ulpiana, dhe pikë të dobët ka Parkun Arkeologjik “Ulpiana”. Edi Shukriu, në një intervistë për KultPlus ka dhënë detaje për krejt këto zhvillime, për studimet në Beograd, për jetën me Ukshin Hotin, divorcin, angazhimin politik përkrah Ibrahim Rugovës. Në këtë intervistë, ajo shpalosë edhe karakteristikat për këto dy figura të popullit shqiptarë.
Ardianë Pajaziti
Hapat e saj të vegjël nëpër kalldrëmin e Prizrenit, kureshtja e saj për ata gurë që shtronin rrugicat ku shëtitej me prindërit dhe vëllain e saj, ngjitja e shpeshtë deri të Kalaja e këtij qyteti, në shpirtin e saj kishin zgjuar një dëshirë të pazakontë për kohën në të cilën jetonte. Përderisa, shumë prej moshatareve të saj dëshironin të bëheshin mësuese, infermiere, e ndonjë edhe mjeke, Edi Shukriu ishte mes dilemës së arkitekturës dhe arkeologjisë. Dy profesione jo të shpeshta, as për djemtë e asaj kohe, e lëre më për vajzat.
“Dëshira për të studiuar arkeologjinë, mendoj se lindi nga ngjitjet e mia të shpeshta deri të Kalaja e Prizrenit. E mendoja si qendrën e botës, dhe njësoj e vlerësova deri në kohën kur udhëtova në shumë anë të botës, dhe pashë shumë e shumë kala, dhe atëherë e kuptova se Kalaja e Prizrenit, që e mendoja aq madhështore, në fakt nuk ishte kala, por një rrënojë, por një rrënojë që zgjoi te unë shumë dashuri për arkeologjinë”, kujton fillimet e saj Edi Shukriu, e cila për KultPlus tregon se po mos të ishte kjo pikë e Prizrenit, dhe vizitat e saj nëpër vende të ndryshme, nuk do të lindte dëshira për krahasime, pikë vendimtare e arkeologëve për gjetjet nëpër periudha të ndryshme kohore.
Po aq sa e inspiroi Prizreni për arkeologji, një pjesë të ‘fajit’ e ka edhe Shkupi, vend në të cilën Edi e kalonte një pjesë të madhe të kohës, pasi që në atë qytet i jetonte gjyshja.
Kurse guximi për të ëndërruar drejt një profesioni kaq të rrallë në Kosovë, ishte guxim që ishte ndërtuar në familjen ku edhe rritej Edi Shukriu. Ajo kujton për lexuesit e KultPlus, se edhe babai i saj kishte punuar shumë për trashëgiminë kulturore, se mamaja kishte një shkollë shumë të veçantë, atë të jetës, dhe këto dy elemente kishin bërë që në këtë familje guxonin të ëndërronin. Njëri mysliman, e tjetra katolike po mundoheshin të hapnin portat për dy fëmijët e tyre, e që Edi kujton se mamaja, babit të saj ia mësoi gjuhën shqipe, pasi që, Edi kujton se familjet e Prizrenit flisnin një gjuhë shqipe të çaluar, por se nëna Margaritë ia mësoi gjuhën e rrjedhshme shqipe.
Në Beograd nisa studimet në vitin 1968, vit kur në Kosovë kishin nisur shkundjet e para shqiptare nëpërmjet protestave
Dhe përderisa ëndrra e saj për një arkeologe të ardhshme po merrte formë, tashmë kishte dilemën tjetër, se nëse do të duhej të studionte në Zagreb, që aq shumë e dëshironte, apo në Beograd, ku për shkak të rrethanave, u detyrua të zgjedhë këtë të dytën.
“Udhëtimi për Zagreb ishte shumë i gjatë, kurse në Beograd ishte më afër. Udhëtoja tërë natën, dhe në mëngjes isha në Beograd, kurse në Zagreb, më duheshin edhe 12 orë shtesë”, kujton Edi Shukriu, e cila studimet e arkeologjisë i nisi në vitin 1968, vit kur në Kosovë kishin nisur shkundjet e para shqiptare nëpërmjet protestave, e shkundje që e vështirësonin stabilitetin e studentëve shqiptarë në Beograd, të cilët nuk ishin të paktë dhe studionin në drejtime të ndryshme.
Edi Shukriu kujton edhe dallimet që kishte nuhatë edhe nga ana e profesorëve, kur shpesh herë ishin shumë më kërkues ndaj saj si studente shqiptare, se sa te studentët vendës, padrejtësi në nota dhe në shumë ngufatje të tjera, por që Edi Shukriu i vlerëson edhe si pozitive.
“Kisha një profesoreshë të frëngjishtes, që ishte serbe por që vinte nga Kroacia, aq kërkuese ishte ndaj meje, sa detyrohesha të mësoja aq shumë, vetëm që të mos më zinte ngushtë. Por si rezultat i kërkesave të saj, unë më vonë isha falënderuese, sepse, gjuha frënge është gjuha që e zotëroj më së miri, pas gjuhës shqipe”, kujton Edi Shukriu.
Viti i parë dhe i dytë i studimeve, në kryeqytetin e Serbisë nuk ishte i lehtë për Edi Shukriun edhe sa i përket anës së financave. Nuk i ishte siguruar ndonjë bursë, dhe studimet kishin rënë mbi barrën e familjes së saj.
“Më ka ndodhë që ndonjë ditë të mos ha ushqim, shumë shpesh më duheshin paratë edhe për blerje të librave, dhe detyrohesha që të rrija pa ushqim. Por këtë gjë nuk ia kam thënë asnjëherë prindërve, tash po e them, sepse të dy më nuk janë në mesin e të gjallëve”, rrëfen Edi Shukriu, e cila më pas detajon se pas vitit të dytë, bursa i ishte siguruar nga Universiteti i Prishtinës, dhe studimet ishin pak më të lehta. Dhe pas përfundimit të fakultetit, Edi Shukriu vazhdoi edhe magjistraturën, dhe paralelisht punonte edhe në Muzeun e Kosovës, për të vazhduar më pas edhe doktoraturën në Universitetin e Prishtinës, ku edhe mbrojti tezën mbi qeramikën e helenizuar të epokës së Hekurit në Kosovë (shek. VI-IV p.K) “Dardanët janë ilirë”, tezë që u mbrojt edhe para mentorëve serb, në vitin 1990.
Në Gradinën e Gadimes së Epërme po bëja kërkime arkeologjike, aty erdhi të më takojë Ukshin Hoti
Përderisa jeta e saj prej arkeologe po pasurohej edhe me hulumtime të herë pas hershme brenda lokacioneve arkeologjike të Kosovës, Edi po synonte edhe mësimin e gjuhës angleze, e që po shikonte ndonjë alternativë që të shkonte në Angli, për të mësuar gjuhën angleze.
Ishte viti 1972, koha edhe kur kishte përfunduar studimet në Beograd, dhe bashkë me mamin e saj ishin drejtuar në një zyrë, që të bënin kërkesën që ta mbështesnin për udhëtimin në Angli.
“Në atë takim na priti Ukshin Hoti, atëherë ishte në një pozitë që nuk e kishte titullin e ministrit të punëve të jashtme, por që në ato kompetenca ishte. Nuk u mbështeta për këtë udhëtim, por ky udhëtim ishte shkas që të njihem me Ukshin Hotin”, tregon Edi Shukriu.
Dhe, përderisa i kishte dështuar udhëtimi në Angli, Edi bashkë me një grup të arkeologëve po bënin hulumtime në Gadime të Epërme. Dhe në kodrën e Gadimës, Ukshin Hoti ishte ngjitur për ta takuar Edin, ku sipas saj, pas disa takimeve të shpeshta, ata edhe u lidhën, lidhje që solli edhe vendimin për martesë, në vitin 1974, ku nga ajo martesë kanë vajzën Erletën.
E kujton si njeriun që ka njohur më së miri marrëdhëniet ndërkombëtare, si një njeri që ka ditur shumë gjuhë të huaja, e që shumicën prej tyre, sipas Edit, i ka mësuar vet, si një njeri me një dashuri të paparë për kombin, e që sipas saj, nuk sheh aq shumë të tillë me këto karakteristika.
Edi me fjalë të pakta kujton jetën me Ukshin Hotin, jetë që e kishin bërë në banesën e vogël në Ulpianë, ardhjen në jetë të Erletës, rënien e tij në burg në vitin 1981, por edhe lirimin e tij nga burgu në vitin 1985, e që nuk doli të jetë me fat për familjen tre anëtarëshe, pasi që, ashtu sikur edhe kujton Edi Shukriu, Ukshini kërkoi divorcin, dhe familjes së re i iku fija e lumturisë.
Kur e pyes se çfarë dokumenti, letër apo ndonjë gjë personale të Ukshin Hotit e posedon edhe sot, Edi refuzon të flas. Ajo thotë se ka gjësende të Ukshin Hotit, por nuk dëshiron ti bëj publike, për faktin se, shumë të tjerë e kanë keqpërdorë emrin e tij.
“Unë dhe vajza ime jemi kujdesur shumë që ta ruajmë imazhin e tij, e kanë keqpërdorë shumë emrin e tij. Kanë shkruar shumë për Ukshinin, kanë bërë filma dokumentarë, kurrë askush nuk erdhi të më pyes rreth Ukshinit. Asnjë film nuk vlen, sepse mungon shumëçka në ato realizime. Kam qenë kundër edhe për Muzeun e Ukshin Hotit në Krushë të Madhe, ky kundërshtim erdhi si rezultat i asaj, sepse me atë muze ata e grimcuan Ukshinin, e ulën në nivele lokale, e Ukshin Hoti ishte i krejt Kosovës, nuk ishte vetëm i Krushës së Madhe”, shprehet Edi Shukriu, e cila vazhdon të jetojë edhe më tutje në banesën ku kishte jetuar me Ukshin Hotin, e që së fundi, kishte gjetur edhe një fletë dërgesë të burgut, kur i kishte dërguar ushqim e cigare. “Ishte data dhe përshkrimi, i dërgoja ushqim e cigare, në atë kohë pinte “Kent”, tregon Edi, për ato kujtime, e që vajzës i thoshte atëherë se babi po punonte, e asnjëherë si kishte treguar se ai ishte në burg.
Se kanë humbur shumë dokumente, materiale të rëndësishme, Edi Shukriu kujton edhe hyrjet e shpeshta të policisë serbe, e që sipas saj, sa herë që kanë hyrë në banesën e tyre, ata kanë marrë gjësende të ndryshme.
Jam arkeologia e parë që kam iniciuar hulumtime të nivelit ndërkombëtar në Ulpianë, bashkë me një koleg timin futëm edhe para tona, sepse nuk patëm mbështetje
Profesoreshë e UP-së, akademike, publiciste, poete dhe një grua aktiviste, Edi Shukriu konsiderohet si arkeologia e parë që ka iniciuar hulumtime të nivelit ndërkombëtar në lokacionin e Ulpianës, e që sipas saj, para luftës ishin bërë nga arkeologë serb dhe ekipe prej Beogradit.
“Hulumtimin në nivel ndërkombëtar e realizova me një profesor francez, e që ishte prej vitit 2006 e deri në vitin 2010, po sikurse në çdo fushë tjetër, edhe në këtë pikë patëm probleme financiare. Më vinte keq që ti tregoja profesorit francez se kemi probleme me financa, unë dhe një ish student i imi futëm mjetet vetanake, kolegu im që i dha paratë për hulumtim, ato mjete i kishte të ndara për blerjen e një banese, por i futi bashkë me mua në hulumtim”, tregon Edi, e cila shprehet të jetë e lumtur se hulumtimet po ecin edhe sot, por, sipas saj jo në tempo të duhur.
Edi Shukriu, e cila në rininë e saj u sfidua edhe në skijim, boks, pingpong e hendboll, duket se nuk mjaftohej me angazhimet. Duke anashkaluar krejt titujt shkencor, angazhimin institucional dhe atij prindëror, bashkë me shumë gra të tjera, shumë shpesh dolën rrugëve të Prishtinës, për të kundërshtuar terrorin serb, e që shumë shpesh ishin të rrethuara nga forcat serbe.
“Nuk mendonim për vete në atë kohë, ishte një proces i përgjithshëm. U pata propozuar që të jem edhe në kryesi të LDK-së, po nuk pata pranuar. Vajza më rritej pa baba, kisha frikë se mund të më burgosnin edhe mua, edhe nuk ishte e lehtë ta lija vajzën pa asnjërin prind”, tregon Edi, e cila, pos që kishte fatin të kishte për bashkëshort njërin prej figurave më të rëndësishme të historisë shqiptare, ajo në të njëjtën kohë punonte afër një njeriu shumë të rëndësishëm për popullin shqiptar, Ibrahim Rugovës.
Rugovën e kujton si një njeri që e ka njohur më së miri mentalitetin shqiptar, një njeri që ka pas shumë guxim për rrethanat më të vështira të shqiptarëve.
“Por unë mendoj që një njeri duhet të shihet në krejt kompleksitetin e tij, shumë herë më është kërkuar që të shkruaj rreth Rugovës, por kam refuzuar. Refuzoj të shkruaj në superlativ për njerëzit, sepse kështu po krijojmë mite, e duke krijuar mite, jemi aty ku edhe jemi”, ka thënë Edi.
Vazhdon të jetojë edhe më tej në banesën e njëjtë ku edhe e kurorëzoi martesën e saj me Ukshin Hotin. “Shumica e interierit është e njëjtë, sikurse ai i viteve të 70-ta. Edhe muret janë kujtesë”
Kjo grua që në lëkurën e saj ka përjetuar rëniet dhe ngritjet, momentet kur njerëzit bëheshin se nuk po e shihnin në rrugë, vetëm për faktin se Ukshini ishte në burg, momentet kur duhej të ishte vetë nënë e vetë baba, kohën kur dilte me një bukë në dorë, për të kundërshtuar regjimin e Millosheviqit, kurrë asnjëherë nuk e kishte menduar që të ikte e ta linte Kosovën.
“Edhe si fëmijë patëm pas një krizë, kur babi ngeli pa punë për një vit, dhe menduam të shkonim në Zarë të Kroacisë, falë të afërmeve të mamit. Babi na përgatiste për këtë udhëtim, duke na treguar rrëfime për detin, lundrat e shumëçka rreth jetës në bregdet. Ishim në pikën e fundit për udhëtim, nëna ime refuzoi. ‘Nuk mund të lë kalldrëmin e Prizrenit’, pati thënë nëna, fjali që vendosi përfundimisht jetesën tonë në Kosovë. Si duket edhe unë kam trashëguar këtë element nga nëna ime. Kam pas mundësi të udhëtoj në shumë vende të botës, por asnjëherë se kam menduar të lë Kosovën”, shprehet Edi.
Me titullin akademike, me një emër të çuditshëm për emrat e vajzave shqiptare, pasi merr prapashtesën i, Edi Shukriu që ka publikuar shumë punime shkencore, ka shkuar deri në Harvard dhe ka publikuar edhe poezi. Krejt këtë angazhim shkencor, human e letrar e vlerëson si një punë që e ka bërë pse është dashur ta bëj, pa i menduar asnjëherë pasojat.
Deputete, themeluese e Forumit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, themeluese e partisë Alternativa Demokratike e Kosovës, anëtare e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve në Salzburg, 71 vjeçja, vazhdon të jetë edhe sot aktive, e që vazhdon të jetojë edhe më tej në banesën e njëjtë ku edhe e kurorëzoi martesën e saj me Ukshin Hotin. “Shumica e interierit është e njëjtë, sikurse ai i viteve të 70-ta. Edhe muret janë kujtesë”, tregon Edi, e cila përkundër shumë peripecive, ka një humor shumë të theksuar.
Dhe në momentin kur po mendoja se po mbyllej kjo intervistë, Edi Shukriu më zbuloi diçka nga thesari i përbashkët me Ukshin Hotin. “Kam një shigjetë nga Ukshini, e solli prej Afrikës”, ishte pjesa që zbuloi, pa dhënë më shumë detaje se edhe çfarë gjësende apo dokumente zotëron kjo grua, që hulumton në lokacionin Ulpiana, dhe vazhdon të jetojë në lagjen Ulpiana./ KultPlus.com
KultPlus – e para gazetë online shqiptare që i kushtohet raportimit të denjë mbi artin dhe kulturën, edhe këtë fundvit është përkujdesur për lexuesit e saj.
Sukseset e Kosovës ishin të shumta këtë vit nëpër sfera të ndryshme, andaj KultPlus këto suksese do t’i gëzojë edhe njëherë duke sjellur intervista ekskluzive të cilat do të mund t’i lexoni më 31 dhjetor, 1 e 2 janar në ditët e festive të Vitit të Ri 2022.
Arona Zyberi, Zgjim Terziqi, Ferit Zekolli, Memli Kelmendi, Nora Gjakova, Doresa Rexha, Edi Shukriu, Distria Krasniqi, Yllka Gashi, Saranda Bogujevci, Hajrulla Çeku, Kaltrina Krasniqi, Dori Basha e Gzim Gashi vijnë me rrëfime ekskluzive duke sjellur histori shumë interesante nga sirtarët e veprimtarisë së tyre, të gjitha këto intervista mund t’i lexoni në www.kultplus.com, që do të publikohen gjatë ditës së sotme.
Si çdoherë, ju ftojmë të na lexoni por edhe të na shkruani mbi personazhet, tregimet dhe momentet që ju doni t’i shihni në KultPlusin tonë dhe tuajin.
Shkrimtarja dhe arkeologia Edi Shukriu është shpalluar sot fituese e çmimit letrar ja “Beqir Musliu”, të cilin e ndan kryetari i Komunës, Lutfi Haziri për arritje të veçanta në letërsi.
Fituesi është përzgjedhur nga juria e konkursit letrar
“Beqir Musliu”, në përbërje Ibrahim Kadriu, Sadete Tërnava Osmani dhe Hasan
Bunjaku.
Haziri, e ka falënderuar jurinë profesionale për punën dhe
vlerësimin, ndërkaq e ka uruar shkrimtaren dhe arkeologen, Edi Shukriu, për të
cilin tha se ka dhënë kontribut të madh në lëminë e letërsisë dhe të
arkeologjisë.
“Nominimi i sivjetmë i Edi Shukriut i bën nder murit të lavdishëm të çmimit “Beqir Musliu”, pasi veprimtaria e saj, udhëtimi, letrat dhe librat që ajo sot i ka, natyrisht që edhe neve na bëjnë nder. Madhështia e Beqir Musliut nuk është vetëm në libra, por madhështia e tij qëndron edhe në dashurinë dhe përkushtimin që pati gjithmonë për Gjilanin, për Kosovën dhe për kombin e tij. Por, pa dyshim, ai është përshkruesi më i mirë i Gjilanit në veprat e tij, përshkrim ky që shkon deri në perfeksion”, theksoi kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Shkrimtari Ibrahim Kadriu, tha se ata kishin në shqyrtim një numër emrash prej shkrimtarëve, biografitë e të cilëve arrinin në nivelin e lakmueshëm për këtë çmim, por që juria vendosi për të nominuaren, Edi Shukriu.
“Kur merret parasyshë krijimtaria e Edi Shukriut në fushën e
letërsisë dhe arkeologjisë, mund të them se ishte arkeologe dhe shkrimtare e
parë shqiptare në Kosovë, e cila e botoi përmbledhjen e parë poetike në vitin
1972. Ishte dhe mbeti e dalluar edhe si veprimtare në realitetin kosovar. Në
fushën e letërsisë, Edi Shukriu ka arritur suksese si poete, dramaturge dhe
romansiere. Vendimi dhe bindja jonë është se “veprat e saj shquhen me
origjinalitet të shprehjes poetike, të cilat bindin se kjo poete i përkushtohet
krijimtarisë vetëm kur e ndien atë si shpërthim shpirtëror”, tha shkirmtari i
famshëm kosovar me prejardhje nga Gjilani, Ibrahim Kadriu.
Ideator i çmimit letrar “Beqir Musliu” është Ars Clubi “Beqir Musliu” nga Gjilani dhe ndahet për herë të trembëdhjetë nga Komuna e Gjilanit.
Dielli mbi Pashtrik i Zjarrtë përgjak qiellin e dridhmuar
Qytet i ndriçuar i udhëkryqeve ç’festë feston?
Mirë e di se fitorja s’vjen pa gjak e gjakderdhje – thellë në tokë janë nisma që s’u harrua kurrë e vajtimet e nemitjet që s’i zunë dot arkivat
Sa foshnje i ke gurthemel Qyteti im
Sa nëna i ke varrosur në flijim
Sa palë sy t’u mbyllën duke jermuar ujin e Shatërvanit që robëron shpirtin kudo e kahdo që të jesh
Mbi çdo rrugë e rrugicë u rrijnë mbi kokë frymët e frymëmarrjet e kohërave që shtrihen të shtrira me Urti mbi supet të gjumit të shkëmbinjve e flauron mbi lerana
Qetë shfletohet libri i kohës se monumentet janë guri dhe buka djersa dhe shpresa e banorëve të qytetit tim
Sunduesit, po, i merr furtuna
Dielli shikon në perëndim se si vdekjen e mashtron
Po sjellim një fotografi të rrallë të Ukshin Hotit me gruan e tij Edi Shukriu.
Ukshin Hoti, ishte profesor, shkrimtar, filozof, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare në Kosovë, gjatë viteve 80’ dhe 90’. Ndërsa Edi Shukriu, gruaja e tij, është arkeologia e parë dhe shkrimtarja e parë shqiptare në Kosovë që botoi përmbledhjen me poezi “Sonte zemra ime feston” 1972. Ajo është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës./ KultPlus.com
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Shoqata e Artistëve Shqiptarë të Kroacisë “Dea”, prezantoi librin për gratë më të shquara në historinë shqiptare nga lashtësia e deri në kohët moderne.
Të premten, në bibliotekën e B. Ogrizoviç, u prezantua përkthimi i parë kroat i librit ” Gra të shquara shqiptare ” nga shkencëtarja dhe shkrimtarja nga Kosova Edi Shukriu.
Pjesëmarrëse ishin: Këshilltarja Shkencore Marija Buzov, Profesoresha Nada Nakić Veseli, skenaristja Elizabeta Markljushaj, ndërsa fragmentet u lexuan nga Gentiana Lleshdedaj, dhe përkthyesja e librit, dhe kyjetarja Shoqata e Artistëve Shqiptarë të Kroacisë “Dea” Ljiljana Koci.
Pjesëmarrësit i ndanë njohuritë, mendimet, dhe përvojat e tyre nga diskursi i grave shqiptare gjatë historisë, kurse në programin artistik, poetja Valentina Mrijaj prezantoi një nga krijimet e saj.
Nga pamundësia që të marrë pjesë në promovimin e librit të saj, autorja Edi Shukriu dërgoi një letër mjaft prekëse, ku thuhej:
“Secili libër ka historinë e vet dhe kur e nisa që para luftës në Kosovë e mendoja të botohet anglisht. Përkrah e kisha përkthyesen voluntere e vizionare Kathleen Imholz. Ndërkohë hulumtoja dhe e plotësoja, gjithnjë duke u bërë më e vetëdijshme se sa pak e njihnim veten. A njihemi sa duhet? Si mund të presim që të na njohin të tjerët dhe të na vlerësojnë? Pse neglizhohej botimi i kontributit të grave kur përmes tyre shpalosej energjia pozitive e botës shqiptare?
Njerëz me vizion dhe personalitet të krijuar kishte dhe ka. Sanije Gashi ishte njera prej tyre duke mbështet 2 botimet në gjuhën shqipe (2000, 2003), Jovan Nikolaidis e botoi në gjuhën malazeze (2012) dhe përkujtoj se pos botuesit Nikolaidis, të gjithë kontribuesit ishin femra, intelektuale dhe të guximshme, duke u nisur nga Ljiljana Koci, e cila nuk u ndal dhe solli para jush botimin në gjuhën kroate, pastaj Dr. Marija Buzov, Elizabeta Markljushaj,Nada Nakić Veseli e Gentiana Lleshdedaj.
Natyrisht, jeta zgjatet dhe përmirësohet kur përkujtohet: kur përkujtohen gratë që dhanë kontribute, kur përkujtohen të gjithë që ofrojnë kontribute, madje qoftë dhe me prezencën në solemnitetin e sotëm.
Qofshi të bekuar!
Edi Shukriu”
Përveç Zagrebit, libri do të paraqitet edhe në Pula, Biblioteka e qytetit, në sallën e leximit, Kandler 39, e hënë, 12 mars 2018 në orën 18:00, Poreč – Biblioteka e qytetit Poreč, Trg Marafor 3, e martë, 13 mars në orën 17:00.
Libri i grave të shquara shqiptare nga Edi Shukriu, dedikuar shkenctareve të shquara kosovare, profesorshave të universiteteve dhe shkrimtareve, është një tregim i shkurtër për shqiptarët si dhe fjalimet e grave shqiptare të shquara. Sipas burimeve historike në libër, këmbëngulja dhe sakrifica, rezistenca dhe qëndrueshmëria, si një formë e rezistencës ndaj ndjekjes së lirisë dhe Pavarësise, është gjithmonë e pranishme. Ajo thekson se që nga koha e lashtësisë gratë shqiptare ushqejnë frymën e edukimit familjar, traditën kombëtare dhe urbane dhe dallohen në fushat ushtarake, politike, si dhe arsimore, kulturore dhe shkencore.
Për më tepër, libri paraqet rinisjet e shtatëdhjetë e dy grave shqiptare duke filluar me Rozafën mitologjike, mbretëresha, shenjtore, një seri shkenctaresh, por edhe gruan e parë te emëruar doktoreshë shkencësh në botë (Elena Lukrecija Peshkopia), heroina, komandante frigate, shkrimtare, piktore ,publiciste, diplomate, themeluese te shkollës së parë për gratë shqiptare, pedagoge, patriote, redaktore, mësuese, aktore, drejtoresha, këngëtare operash, profesoresha muzike, pianiste, etno-muzikologe, pediatre, profesoresha historie, aktore filmike dhe teatrore, inxhiniere, profesoresha universiteti, kompozitore, arkeologe, ilustruese, avokate, kritike letrare, etnologe, gjinekologe, atlete, muzikologe, balerina. Këto gra shqiptare kishin një rol të rëndësishëm në familjen, atdheun dhe kombin.
Edi Shukriu në libër shkruan: “Nga një numër i madh shqiptaresh që vazhduan dhe vepruan në kohë të vështira, personalitete të shquara veprat e të cilave kanë tejkaluar kufijtë kombëtarë dhe gjinorë. Ato kanë treguar se mendja nuk varet nga identiteti gjinor dhe këtë e kanë dëshmuar me veprat tyre dhe se nuk ka forcë që mund të ndaloj aspiratat e shenjta të një kombi drejt vetëvendosjes, emancipimit gjithëpërfshirës dhe barazisë.
Libri „Gra të shquara shqiptare” u botua së pari në vitin 2000 dhe më vonë u përkthye në tri gjuhë. Edicioni i parë kroat është sjellë tek ne nga Biblioteka “Dea”. Përkthimin i këtij libri nga gjuha shqipe në gjuhën kroate e solli Ljiljana Koci, dhe konsiderohet një ngjarje e rëndësishme për gratë shqiptare dhe gratë në përgjithësi, veçanërisht në Republikën e Kroacisë, ku libri u bë i disponueshëm për publikun më të gjerë kroat.
Në emër të Kryetarit të Parlamentit Kroat të Republikës së Kroacisë, z. Gordan Jandrokoviq fjalen e mori znj. Ermina Lekaj Prljaskaj, përfaqësuese e shtetasve shqiptarë, boshnjakë, malazezë, maqedonas dhe sllovenë dhe ambasadori R Kosovë, Gëzim Kasapolli. Të pranishëm ishin dhe shumë anëtarë të shoqatave kulturore që veprojnë në Republikën Kroacisë si dhe aktitivistë, studentë, studente dhe gjithcka u përcjellë nga një numër i gjërë i publikut./KultPlus.com
1.
Nëse e shihni
një burr
që bredh udhëkryqeve
duke kërkuar veten e humbur
Ta dini,
është ai
që ia masakruan fëmijët në luftë
Është mirë ta lini të qetë
nëse nuk mund t’i ndihmoni
2.
Nëse e shihni
një grua
të strukur
e që ik nga bota
Ta dini,
është ajo me shumë shoqe
që është përdhunuar
e ti dhe unë
nuk i dolëm në ndihmë
Është mirë ta lini të qetë
nëse nuk mund t’i ndihmoni
3.
Nëse e shihni
një grua
që duket se heq qime
nga robat e trupit
Ta dini,
është nëna e vajzës
që kërceu nga kati i shtatë
e dashakëqijtë thonë
Kush e di se për çfarë arsye
Është mirë ta lini të qetë
nëse nuk mund t’i ndihmoni
4.
Nëse e shihni
një burr
duke bredhur plehërave
Ta dini,
gërmon hedhurinat tuaja
që t’i ushqejë fëmijët
Është mirë ta lini të qetë
nëse nuk mund t’i ndihmoni
5.
Nëse e shihni
një njeri
duke u krekosur kryeqytetit
me makina kokëboshe
e luks të pamerituar
Mos iu përkulni
e mos e lini të qetë
nëse doni t’i ndihmoni
vetes…