Më 11 dhjetor nis edicioni i dytë i festivalit ‘Aktori dhe Poeti’

Nga 11 deri më 13 dhjetor do të zhvillohet edicioni i dytë i festivalit “Aktori dhe Poeti”, një ngjarje kulturore që mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky festival mbledh poetë dhe artistë nga vende të ndryshme, duke përfshirë ata nga Italia, Zvicra, Shqipëria dhe diasporën shqiptare.

Hapja e festivalit do të mbahet më 11 dhjetor, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke filluar nga ora 11:00. Në këtë ditë, pjesëmarrësit do të vizitojnë familjen Jashari, duke i dhënë një dimension të veçantë shpirtëror dhe simbolik ngjarjes.

Gjatë festivalit, do të organizohen aktivitete të ndryshme për të promovuar trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të Kosovës. Poetë të njohur dhe artistë kombëtarë e ndërkombëtarë do të performojnë dhe ndajnë krijimtaritë e tyre me publikun.

Edicioni i 5-të i Panairit të Librit të Vjetër promovon librat e përdorur

Javën e ardhshme do të mbahet edicioni i pestë i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur në Prishtinë.

Kjo ngjarje e cila i jep rëndësi librave të vjetër dhe të përdorur do të zë vend në datat 11, 12 dhe 13 dhjetor në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, në lagjen “Dardania”.

Edhe sivjet në agjendën e organizimit janë përurimet e librave dhe diskutimet me shkrimtarë e publicistë.

“Vetëm me vetminë” e poetit Bedri Zyberaj, dy përmbledhje dramaturgjike të Fadil Hysajt, “Shekulli XX” nga Agron Shala, janë disa nga veprat që do të përurohen.

Përveç promovimeve, diskutime do të ketë me shkrimtarët Bajram Kosumi, Agim Vinca, ndërkaq pritet edhe organizimi i orës letrare “Të bijtë e shekullit të ri”./rtk/ KultPlus.com

Performanca e jashtëzakonshme me instrumentin e Organos përmbyll edicionin e 19-të të DAM Festival

Vjollca Duraku

Një performancë e jashtëzakonshme me një zhanër të ri që gërsheton muzikën klasike, elektronike dhe artin vizual është dhuruar në natën përmbyllëse të edicionit të 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “DAM”, nga organisti Ràkàsz Gergely.

Plateja e Pallatit të Rinisë, me gjithë mangësitë e saj, të dielën mbrëma u shëndrrua në një sallë interpretimi të rrallë artistik. Instrumenti i Organos ishte kryefjala. I vendosur në qendër të sallës, ky instrument i veçantë me tre palë taste dhe shumë butonë fillimisht tërhiqte vëmendjen e publikut, duke shtuar pastaj edhe kuriozitetin mbi atë që do të dhurohej në koncertin “Lords of the organ”.

Pak pas orës shtatë të mbrëmjes, në podium doli artisti karizmatik Gergely, dhe  pas përshëndetjes me “Mirëmbrëma” ai filloi interpretimin e tij të jashtëzakonshëm, të kalitur me realizimin e mbi 2000 koncerteve  të mbajtura në Hungari, Evropë dhe Amerikë.

Krejt e veçantë ishte edhe loja e tij. Një profesionalizëm i paparë. Interpretimi të merrte me vete, kur në ekranin përballë tij paraqitej kjo performancë unike, që dhurohej me shtypje të tasteve dhe pedaleve me duar dhe këmbë. Ndërsa tingujt që jehonin në sallë përmes veprave të kompozitorëve të shquar botërorë, duke paraqitur periudha të ndryshme artistike, shënonte vërtetë një lloj arti të veçantë, të paparë deri më tani.

Veprat të cilat u interpretuan  në këtë mbrëmje ishin: “The four sesason’s- Winter”- Antonio Vivaldi, “Rhapsody in Blue”- George Gershwin, “The Planets”- Gustav Holst dhe “Beautify Thyself, O Dear Soul”- Johann Sebastian Bach.

Vepra e parë e cila u dha në koncert qe kryevepra e Antonio Vivaldit “Katër Stinët-Dimri”, e cila në prapavijë shoqërohej edhe me imazhe të stinës së dimrit. Ashpërsinë e stinës e theksonin tingujt me tone më të larta, përderisa pamjen panoramike të vendbanimit me borën kristal e paraqisnin tingujt fare të lehtë.

“Beautify Thyself, O Dear Soul” nga Johann Sebastian Bach ishte pika e dytë interpretuese e cila po ashtu shpërfaqi gjithë mjeshtërinë e solistit që këtë herë vinte së bashku me violonçelisten Dorottya Dénes, e cila dhuronte tinguj që jepnin ndjesi të thellë, pasi vetë vepra konsiderohet himn i repertorit liturgjik . Në prapavijë një fontanë klasike plotësonte mozaikun e mbrëmjes.

“Rapsody in Blue” kryevepra e kompozitorit George Gershwin vazhdonte rrëfimin e saj  e treta në radhë, përmes imazheve të qytetit të New York-ut dhe tingujve që ngjasonin në pianistikë. Ndërsa, vepra  “Planetet”    nga Gustav Holst u dha krejt në fund të ngjarjes, me melodi të jashtëzakonshme të cilat sikur paraqisnin harmoninë e sistemit diellor. Në prapavijë paraqiteshin edhe pamje me planete, një grua shtatëzënë që lindtte jetë të re, dhe një bimë në rritje që ndërlidhej me rritjen e fëmijës.

Solisti Rakasz Gergely i cili për herë të parë ka interpretuar në Prishtinë, në një prononcim për media ka thënë se publiku në Prishtinë veçse ia ka rrëmbyer zemrën.

“Shumë njerëz kur mendojnë për organon u shkon mendja për muzikën në kishë, por ky është edhe një instrument për të bërë show. Organot e para janë prezantuar në Romën antike të konstruktura për t’u bartur me karroca kau në arenat e gladiatorëve, ato ishin forma e argëtimit për masën dhe të gjitha koncertet e mia janë të tilla, argëtuese për publikun”, ka thënë Gergely, me shpresë që ky nuk do të jetë koncerti i tij i fundit në Prishtinë.

Ndërsa drejtori i Festivalit, Dardan Selimaj, ka falënderuar Ambasadën Hungareze për mbështetjen e ofruar në realizimin e këtij koncerti.

“Jemi të lumtur që Ambasada Hungareze ka qenë e gatshme për të realizuar këtë koncert, i cili është i veçantë sepse në skenën tonë nuk kemi mundësi që të dëgjojmë organistë sepse në momentin kur ne dëshirojmë t’i ftojmë ata, ne nuk kemi instrument ku mund të luajnë. Kjo ka qenë një mundësi e rrallë, dhe për ne ka qenë kënaqësi qe kemi arritur ta kemi pjesë të festivalit”, ka thënë organizatori Selimaj, duke i dhënë disa detaje për instrumentin e Organos, dhe për zhvillimin e idesë për të realizuar një koncert të tillë.

“Ekziston një Organo në Katedralen e Prishtinës, mirëpo nuk është e përshtatshme për të dhënë një koncert të formatit të tillë. Kjo është një Organo elektrike, që megjithatë e sjell magjinë dhe tingullin e Organos. Kam dëgjuar koncerte të organistëve nëpër salla koncertesh ku Organot janë të jashtëzakonshme dhe kam pasur gjithmonë dëshirë që atë tingull ta sjellim edhe në Prishtinë. Me vjen mirë që sonte sadopak publiku ka pasur mundësi për ta dëgjuar dhe për ta parë”, ka shtuar më tej organizatori.

Gjithashtu, Selimaj ka bërë të ditur se edicioni jubilar i 20-të i Festivalit do të shënohet me vetëm një ngjarje, nga i cili vit edhe do të ndryshojë rrjedha e “DAM” duke u fokusuar në Garën e Kompozitorëve të Ballkanit.

“Viti i ardhshëm nuk do të ketë një edicion të 20-të, do të ketë vetëm një ngjarje e cila do të përmbledhë rrugëtimin 19-vjeçar të Festivalit. Festivali DAM në formatin kështu siç është përmbyllet me këtë edicion. Nga viti i ardhshëm organizata do ta ketë fokusin te gara e Kompozitorëve të Ballkanit, ngjarje që do të organizohet një herë në dy vjet”, ka përfunduar drejtori Selimaj.

Edicioni i 19-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës- DAM Festival është mbajtur nga data 18 deri më 22 shtator, dhe para publikut ka sjellë artistë të shquar botëror./ KultPlus.com

Nesër nis edicioni i 54-t i Festivalit të Teatrove në Ferizaj

Nesër do të fillojë Festivali i Teatrove në Ferizaj. Sivjet është edicioni i 54-t i cili ka jetëgjatësinë më të madhe nga ngjarjet e arteve skenike në Ballkanin Perëndimor.

Nesër do të jetë hapja zyrtare në Teatrin “Adriana” teksa shfaqja e parë që do të jepet është “Mishi i Egër”.

Pjesë e programit janë edhe shfaqjet “Audienca”, “Charles III”, “Kamarja e turpit”; “Tartufi”, “Çifti i hapur”, “Turjela” e “Togeri i inishmorit”.

Si çdo vit edhe sivjet FTF përballë opinionet me panelet e diskutimit ndër temat “Teatri dhe lufta”, “Modalitetet e mobilitetit të teatrove shqiptare”.

Nuk do të mungojnë as netët muzikore të cilat mbahen në oborrin e teatrit të qytetit. FTF do të zgjasë deri më 6 shtator.

Edicioni i pestë i Festës së Këngës Shqiptare, një natë kushtuar poetëve dhe fuqisë së fjalës

E para është Fjala… Kjo ishte motoja e edicionit të pestë të festivalit “Festa e Këngës Shqiptare”, ideuar dhe organizuar nga kantautori Gjergj Leka. Një edicion i dedikuar jo vetëm muzikës së lehtë shqiptare, por edhe një nderim për penat më të shquara të poezisë shqipe.

Nga Lasgush Poradeci, te Migjeni, nga Dritëro Agolli te Teodor Keko e Timo Flloko, Skënder Rusi ishin disa prej poetëve, vargjet e të cilëve ishin përzgjedhur, përshtatur e muzikuar, për këtë festival. Leka kishte zgjedhur që ta çelte natën finale të edicionit të pestë me vargje të recituara nga poeti, bardi dhe i pagëzuari si “princi i polifonisë shqiptare”, Lefter Çipa.

Edhe këtë vit nuk mungoi prania e disa prej emrave të mëdhenj të këngës së lehtë, që kanë shoqëruar breza dhe kanë fituar çmime të para në festivalet e këngës në Radio Televizionin Shqiptar si Alida Hisku, Kozma Dushi, Elida Shehu, Rajmonda Kamberi e Arta Babaramo, por surpriza ishin të rinjtë.

Këngëtarë që e kanë nisur formimin në shkolla muzike dhe lice, disa prej tyre edhe instrumentistë të talentuar në kitarë, piano apo edhe flaut përjetësuan me vokalet e tyre disa prej poezive më të bukura shqip të shekullit XX, ndërsa disa prej tyre u nderuan edhe me çmime inkurajuese si “Çmimi i Publikut”, “Çmimi i Kritikës”, “Çmimi i Produksionit”, Çmimi i Radio Rush- Interpretimi më i mirë”, “ Çmimi i News 24 -Kënga Hit”.

Çmimet:

Dea Amoniku (çmimi i kritikës)

Rezarta Caco (çmimi i publikut)

Kejtlin Gjata (interpretimi me i mirë)

David Kerri (çmimi i produksionit)

Hersilia Koçeku (kënga hit)

Poezia e njohur e Dritëro Agollit “Mjatas Dreqër, djathtas djaj” erdhi nën zërin e këngëtares së re Delina Murati, me muzikë të kompozitorit italian Stefano Bossi, po ashtu Dea Amoniku këndoi vargjet e Lasgush Poradecit, “Mall”, muzikuar nga Amir Karalic. Belkisa Shehi, solli një version muzikor të po4ezisë së Skënder Ruasit “Nuk e mbaj mend”, ndërsa Hersilia Koçeku të famshmen poezi të Timo Fllokos “Miqtë”. I riu David Kerri, i cili gjithashtu interpretoi në flaut solli një këngë me vargjet e poetit rus Fjodor Tutçev, shqipëruar mjeshtërisht nga Petraq Kolevica. Po ashtu këngë që u duartrokitën ngrohtë nga publiku ishin ato të interpretuar nga Kejtlin Gjata e  Rezarta Ceco. Kantautori dhe producenti prej pesë vitesh i festivalit “Festa e Këngës Shqiptare” dhe i emisionit “Na ishte njëherë muzika” i ka kushtuar gjithnjë vëmendje të veçantë lirikave të këngëve, ndërsa ngulmon fuqimisht të ruajë vlerat e vërteta të vargjeve dhe muzikës shqipe edhe si kundërpërgjigje e rrymave që e vulgarizojnë sot muzikën dhe teksteve banale.

Mbrëmja ishte gjithashtu një homazh për  shkrimtarin e madh Ismail Kadare. VEcc këngës konkurruese në festival “Ti dhe Hëna”, kënduar nga Era Hasanaj, me vargjet e Ismail Kadaresë, kantautori solli një prej hiteve të tij, me një prej poezive më të bukura të shkrimtarit të madh, i cili u nda nga jeta pak muaj më parë.

Këngë të cilën Leka e solli në një  duet surprizues me gazetaren Anila Jole, kryeredaktore prej 16 vitesh në Neës 24.

E rritur në një familje artistësh, piktorë e muzikantë, gazetarja u ngjit në skenë për herë të paë si këngëtare me këngën “Në parkun që mbuluan fletët”, shoqëruar në piano nga kantautori Leka, i cili është i njohur për muzikimin e disa prej vargjeve më romantike të poetëve  të njohur shqiptarë. Një performancë  që u prit me duartrokitje nga publiku.

Një tjetër surprizë ishte edhe pjesëmarrja e Sara Payman, një fenomen i Instagramit, e cila është bërë virale me këngët që shkruan dhe kompozon vetë në gjuhën shqipe. Me prejardhje nga India dhe Irani, e lindur dhe e rritur në Britaninë e Madhe, Payman prej një viti jeton në Shqipëri. Ajo solli një këngë, të cilën e kishte kompozuar vetë me vargjet e Migjenit, titulluar “Pranvera erdhi”.

Publiku u emocionua edhe me vokalin e spikatur të Anjeza Shehu Agolli, profesoresha e kantos që përgatit brezat e rinj, e cila këndoi këngën “Puthje për nënën”, me vargjet e Teodor Kekos.

E nisur me fjalën poetike, nata finale u mbyll po ashtu me poezi. Aktori Ervin Bejleri recitoi për publikun në amfiteatrin e “Flumen Park” në Ibë “Do të jemi Popull” nga Mahmoud Darëish.  Edhe këtë vit, festivali pati mbështetjen e News 24, Radio “News 24”./ (Balkanweb)

FemArt vjen me edicionin e 12-të

Edicioni  12-të i Festivalit FemArt do të mbahet nga 25-30 Shtator 2024.

Tema e këtij viti, “MOTËRZIMI: N’Kohë Lufte dhe Paqe,” feston lidhjen e pathyeshme të motërzimit përmes një përzierjeje të gjallë të artit dhe aktivizmit.

Nga baleti flamenko tek arti feminist, do të paraqiten performanca të fuqishme, shfaqje teatrore, koncerte, filma dokumentarë dhe të shkurtër, punëtori, ekspozita, konferencë, ngjarje rrjetëzimi dhe diskutime që kapërcejnë kufijtë dhe na bashkojnë të gjithëve. / KultPlus.com

‘Ditët e Kitarës së Mitrovicës’ shënon edicionin e gjashtë

Edicioni i gjashtë i “Mitrovica Guitar Days” pritet të filloj më 6 shtator deri më 11 shtator, në ambientet e Muzeut të Mitrovicës.

Rreth festivalit:

Mitrovica GuItar Days filloi në vitin 2018 si një iniciativë e vogël në kultivimin e muzikës kitarë. Në fillim ishte degë e festivalit të njohur ESMA (European Summer Music Academy), i cili zhvillohej në Prishtinë, Gjakovë dhe Pejë. Ekipi KosovaArs kishte synim që kitara si degë e festivalit të vinte në Mitrovicë dhe kështu filloi punën e madhe në këtë drejtim.

Me përjashtim të vitit 2020 për shkak të pandemisë që mbërtheu mbarë botën, çdo vit në Mitrovicë organizohet dega e ESMA-s për kitarë.

Për arsye teknike, në vitin 2022 festivali ka ndryshuar emrin dhe tani quhet Ditët e Kitarës së Mitrovicës.

Ky festival përfshin klasa master, seminare dhe koncerte.

Çdo vit ky festival ka sjellë në vendin tonë emra të mëdhenj të muzikës kitarë të vendit dhe të botës. Vlen të përmenden: Aniello Desiderio, Hubert Kaeppel, Sanel Redžić, Danijel Cerović, Arben Begaj, Giannis Paleodimopoulos, Darko Bageski, Drilon Çoçaj, Florin Fanaj, Erhan Mujka e shumë të tjerë.

‘Art Without Limit International Film Festival’ vjen me edicionin e katërt në Kino Armata

Art Without Limit International Film Festival “ vjen me edicionin e katërt,  i cili do të zhvillohet nga 01-03 Dhjetor 2023, në Kino Armata në Prishtinë.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve përkon me Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.
Festivali i këtij viti premton të jetë një festë e paharrueshme e fuqisë së kinemasë për të rritur dhe për
fëmijë “Art Without Limit Kids” për të nxitur të kuptuarit e çështjeve të aftësisë së kufizuara në shoqëri.

Si çdo vit tjetër “Art Without Limit International Film Festival” është i përkushtuar për të shfaqur një
gamë të larmishme filmash, nga rreth 1000 aplikime nga regjisorë dhe producentë nga e gjithë bota
duke përfshirë dokumentarë të shkurtër, dramë-fiction dhe animacion, kemi përzgjedhur me kujdes 50
filma të mrekullueshëm që do të konkurrojnë në këtë edicion të 4-të,dhe do të shfaqen përgjatë tre
ditëve të festivalit!

Me fokus të veçantë për njerëzit me nevoja të veçanta, festivali synon të transformojë narrativën rreth
aftësisë së kufizuar dhe të krijojë një platformë për mirëkuptim dhe pranim të ndërsjellë.

Pika e veçantë e këtij edicioni të festivalit është anëtari i jurisë kryesore James Martin – aktori
protagonist i filmit “An Irish Goodbye” fitues i çmimit Best Live Action Short Film,95 th Academy
Awards – OSCAR 2023.

Festivali i sivjetshëm do të ndriçojë gjithashtu artistët me nevoja të veçanta, duke u ofruar atyre një
mundësi unike për të ndarë talentet dhe historitë e tyre në skenën e festivalit tonë, duke shprehur
talented e tyre në muzikë, poashtu do të shfaqim talentet në fusha të ndryshme përmes disa
reportazheve të realizuara nga “Art Without Limit” të cilat do të transmetohen në ceremoninë e hapjes
dhe të mbylljes së Festivalit.

Detajet kryesore :

Hapja e Festivalit do të mbahet me 01 dhjetor, 2023 në ora 19:00.Kino Armata në Prishtinë
Ceremonia e ndarjes së çmimeve, njëherësh mbyllja e Festivalit, do të mbahet në ditën Ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara më 03 dhjetor 2023 në ora 19: 00 në Kino Armata në Prishtinë

Ndërsa programi për fëmijë “Art Without Limit Kids” do të mbahet me datën 01.dhjetor.2023 në ora
12:00 në Kino Armata në Prishtinë, ku do të shfaqen filma të zgjedhur të animuar, si dhe do të performojnë në skenë disa nxënës me aftësi të kufizuara nga Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” Prishtinë./KultPlus.com

“Vrapo Babadimër” duke vazhduar kauzën e madhe, mbush kryeqytetin me babadimra për të shënuar një tjetër edicion të suksesshëm

Uranik Emini

Festat e fundvitit ndryshe njihen edhe si sezona ku jepen dhurata, dashuri, lumturi e shumë gjëra të tjera. Përtej mbështjelles së dhuratave në letër, në Prishtinë gjatë ditës së sotme ka ndodhur edhe një aktivitet tjetër, i cili tanimë është bërë i përvjetshëm, minimaratona “Vrapo Babadimër”.

Edicioni i shtatë i eventit “Vrapo Babadimër” u mbajt sot në Prishtinë, ku i gjithë kryeqyteti u mbush me babadimra, për të dhuruar për familjët në nevojë duke vrapuar në një shteg dhe duke dhuruar për të tjerët, shkruan KultPlus.

Organizatori i këtij manifestimi, Jusuf Islami, në një intervistë për KultPlus ka thënë se ky edicion ishte shumë i veçantë.

“Vrapo Babadimër edicioni i shtatë ka qenë një ndër edicionet më të bukura që ka qenë ndër vite, ku edhe na ka nderuar me prezencën e tij edhe kryetari i Komunës së Prishtinës. Rreth 1500 babadimra kanë qenë prezentë që e kanë zbukuruar qytetin”, tha ai.

Islami tregon se ata do të ndihmojnë rreth 200 familje në nevojë dhe gjithashtu edhe fëmijët në repartin e onkologjisë.

“Ne do t’i ndihmojë rreth 200 familjeve që janë në nevojë dhe fëmijëeve në repartin e onkologjisë. Ky është një aktivitet që po bëhet më i mirë vit pas viti. Gjithashtu, mund të shtojë se ky event është bërë edhe lajm nëpër media botërore, ka qenë një edicion që nuk do të harrohet lehtë. Me qytetin e dekoruar dhe gjithë babadimrat e pranishëm, shënuam një edicion tjetër të suksesshëm”, përfundon organizatori Islami.

“Vrapo Babadimër” shënoi edicionin e tij të shtatë, duke mbledhur njerëz nga e gjithë Kosova dhe duke i bërë bashkë për një kauzë të madhe, siç është ndihma për të tjerët. /KultPlus.com

Panairi i Librit hap dyert e edicionit të 25-të

Është hapur në Tiranë edicioni i 25-të i Panairit të Librit. Këtë vit ky panair do të ketë si objekt kryesor prezantimin e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim vitet e fundit.

Ceremonia e hapjes nisi në orën 11:00 në Hollin e Pallatit të Kongreseve, ku ishin të pranishëm botues, shkrimtarë, ministrja Kushi e Margariti, kryebashkiaku Veliaj si dhe një numër i madh vizitorësh.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri.

Në këtë panair janë gjithsej 97 stenda ku marrin pjesë 100 shtëpi botuese. Ashtu si vitin e kaluar, do të ketë një kënd dedikuar intervistave, i njohur si “Sofaja e librit”. Programi i “Sofasë” do të presë çdo ditë njerëz të librit, shkrimtarë, përkthyes, botues, ilustrues, redaktorë etj. Intervistat e tyre do të transmetohen online.

Një hapësirë e veçantë u është rezervuar edhe trevave shqipfolëse. Kosova vjen e përfaqësuar me tre stenda kryesore: me stendën e Institutit Albanologjik të Kosovës, me Shoqatën e Botuesve të Kosovës, si stendë më vete, dhe me “Dukagjinin”. Secila ka marrëveshje me shtëpi të ndryshme botuese në Kosovë.

Maqedonia e Veriut ka një stendë më vete. “Logos” është shtëpi botuese e Shkupit, por sjell edhe botimet shqipe nga Tetova. Mali i Zi përfaqësohet me një stendë tjetër që është ajo e Podgoricës, por vijnë edhe pak tituj të botuar në Tuz. Tuzi pritet të jetë i pranishëm me autobusë lexuesish që vijnë në mënyrë të organizuar dhe do të kenë edhe takime për librin shqip.

Në panair do të ketë edhe një shtëpi botuese italiane. Ajo është “Besa Muci”, e cila kryesisht ka në fokus botimin e letërsisë shqipe në italisht.

Që në hapje të panairit është vënë re një numër i madh vizitorësh të vegjël. Të tjera vizita të organizuara fëmijësh priten ditët në vazhdim, edhe nga trojet shqipfolëse përtej kufirit.

Panairi i Librit 2022 do të qëndrojë i hapur 4 ditët për vizitorët në Pallatin e Kongreseve. /atsh /KultPlus.com

Sot në Suharekë nis edicioni i 16-të i ‘Festarit’

Sot më 25 shtator në Suharekë nis edicioni i 16-të, i festës së të rinjve dhe vjeljes së rrushit ‘Festari’, shkruan KultPlus.

Ky festival është festë e rinisë ngase bartës të projektit janë të rinjtë e kësaj komune, ndërsa ‘Festari’ cilësohet edhe si festë e artë sepse gjatë kësaj feste krijohen vlera të reja shpirtërore, humane, artistike e sportive.

‘Festari’ sivjet ka një program shumë dimensional dhe gjithëpërfshirës. Ky festival tashmë është tradicional dhe realizohet në javën e fundit të muajit shtator. Rrushi dhe përpunimi i verës është karakteristikë mijëvjeçare e trevës së Suharekës, andaj edhe ‘Festari’ përkon me gëzimin e vjeljes së rrushit dhe përpunimin e verës.

‘Festari’ nis sot më 25 shtator ndërsa përfundon më 1 tetor./ KultPlus.com