Me ndryshimin e masave AntiCovid, Festivali ReMusica ka bërë disa ndryshime, duke ri-adaptuar kështu programin në moment të fundit dhe t’i përshtatet masave të reja, duke realizuar Festivalin në formë hibride, përcjell KultPlus.
Për dallim nga viti i kaluar, sivjet Festivali do të vijë në një Edicion Hibrid (të kombinuar) të programit festivalesk.

Një mori aktivitetesh do të mbahen me prezencë fizike siç janë punëtoritë, ligjëratat, kurse pjesa tjetër e koncerteve, në të cilin prezentohen emra të shquar si Elbenita Kajtazi, soprano; Asasello String Quartet nga Gjermania, artistët e shquar nga Franca violinisti Pierre Fouchenneret dhe pianisti Théo Fouchenneret; Merita Rexha Tershana, piano; artistet tona kosovare Kaltrina Miftari, soprano dhe Tringa Sadiku, kitarë , artisti Holger Maik Mertin, Ilir Bajri do të vijnë në skenën e ReMusicas në formë dixhitale.

”Të themi në fund se edicioni jubilar i Festivalit ReMusica shënon 20 vjetorin e tij, duke hedhur një vështrim në arritjet e deritanishme, si themel i vlefshëm i asaj që do të pason. Siç thotë Kierkegaard: Jeta mund të kuptohet vetëm duke vështruar të kaluarën; por duhet jetuar përpara. Bashkohuni me ne në këtë edicion të 20-të të ReMusica-s për të RIKTHYER PARA”, thuhet tutje në komunikatën për media. / KultPlus.com
