ReMusica me një përmbyllje mahnitëse nga Kori i Filharmonisë së Kosovës

Alberina Haxhijaj

Edicioni i 17-të i festivalit “ReMusica” u përmbyll me një koncert plot pasion dhe me interpretim të mrekullueshëm nga Ansambli Vokal i Filharmonisë së Kosovës. Ata në mesin e veprave interpretuan edhe tri vepra premierë, “Agnus Dei” nga Feim Ibrahimi, “Silentium Est Pax” nga Memli Kelmendi dhe “Lament of the Sea” nga Rafet Rudi, shkruan KultPlus.

Ky koncert solli fillimisht kompozitorin Gjergj Danush Llapacaj, për të vazhduar me Jan Kukuzelin, Rexho Mulliqin, Mendi Mengjiqi, Thomas Simaku dhe Feim Ibrahimin.

Vepra “Agnus Dei” që u interpretua nga kori i meshkujve të Filharmonisë së Kosovës është në realitet një vepër orkestrale, koha e dytë e simfonistes për korn anglez dhe orkestër harkore e kompozitorit të njohur nga Shqipëria, Feim Ibrahimi. Mirëpo në këtë koncert erdhi e aranzhuar nga Hajrullah Syla, i cili edhe e dirigjoi atë.

“Më është kërkuar nga profesor Rafet Rudi, që këtë partiturë ta aranzhoj dhe ta sjell në version për kor. Unë më shumë kujdes zgjodha tekstin Agnus Dei dhe e vendosa në vepër. Shpresoj që është arritur një version mjaft i mirë dhe sonte erdhi në një interpretim tejet profesional nga kori i meshkujve të Filarmonisë dhe solisti në obo që ishte Albin Abazi. Këtë vepër kam në plan që ta sjell edhe në një version tjetër që do të jetë për kor të përzier, e që shpresoj të realizohet prapë nga Kori i Filarmonisë së Kosovës”, tha dirigjenti Syla për KultPlus.

Koncerti vazhdoi tutje me veprën e kompozitorit Memli Kelmendi, “Silentium Est Pax” që ditë më parë është interpretuar premierë në Francë nga Sottovoce Ensemble. Ansambël ky për të cilin edhe është kompozuar kjo vepër e cila do të interpretohet edhe nga “l’Étrange Boutique” që udhëhiqet nga Till Fechner (operist i njohur në Francë).

“Sonte kjo vepër u interpretua nga Kori i Filharmonisë së Kosovës nën drejtimin e dirigjentit Rafet Rudi, të cilit i jam jashtëzakonisht falënderues që ka vendos këtë vepër në repertorin e Filharmonisë së Kosovës. Jam shumë i kënaqur me performimin dhe u jam shumë falënderues edhe solistëve për këtë performancë të shkëlqyer”, tha ai për KultPlus.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, duke parë interpretimin e mrekullueshëm të solistëve mori fjalën para të pranishmëve për t’ua rikujtuar se pikërisht ky program është luajtur edhe Londër, ku kori pati tri paraqitje.

“Kritika profesionale muzikore e ka vlerësuar shumë lart prezantimin e korit tonë duke u befasuar me nivelin e lartë interpretativ të cilin nuk e kanë pritur nga Kosova. Sigurisht që kjo nuk ka kaluar pa u vënë re nga të tjerët dhe tashmë Filharmonia ka marrë ftesë për të interpretuar në Manchester. Po ashtu edhe në Berlini, në nëntor, në një koncert madhështor që do të mbahet për paqen. Kjo dëshmon se ne jemi në rrugën e duhur”, tha ai duke shtuar se përkrahja nga qeveria por edhe nga bizneset dhe të gjithë të tjerët është e nevojshme në këto udhëtime.

Në koncert tutje erdhën vepra si “O magnum Mysterium”, nga Th.L. de Victoria, “Nënë, sa më prite” nga Kushtrim Gashi, “Janinës ç’i panë sytë”-Tradicionale Labe, “Qorapet e burri” nga Lorenc Antoni, “Nyon Nyon” nga Jake Runestad si dhe “Lament of the Sea” nga Rafet Rudi. Vepër kjo e kompozuar nga Rudin në prill të këtij viti, dedikuar pikërisht Korit të Filharmonisë për turneun në Angli.

Vepra, shfrytëzon teksti i një këngë tradicionale nga rrethi i Vlorës dhe për dallim nga veprat korale të zakonshme të cilat zgjatin deri në 5 minuta ajo zgjatë mbi 13 minuta.

Në të flitet për vuajtjet e vajzës, e cila pret të dashurin e saj që të kthehet nga lufta. (Mbi një gurë, anës detit/ qan e zeza, qan/ shikon detin, vajton fatin/ kjo e zeza – vajz’e valëve). Më tutje përshkruhet ankthi që ajo ndjen në këtë pritje. Lutjet e saj drejtuar zogjve (Ju të bukur zogj/ ju që shkoni det’ e male/ mos e pat ju atë?). Më në fund shprehet dhembja që ndjen vajza si dhe arritja e lajmit për vdekjen e të dashurit. (Letrazeza vjen!/ dhe me të vërtetë, djali kishte udhëtuar/pa kthim për jetën. Si dhe pjesa ku paraqitet “fluturimi në amshim”, një “ritual vdekjeje”, një “lumturi” fiktive në të cilën përshkruhet bindja e vajzës së ajo të dashurin e vet do ta gjej vetëm në vdekje. (Mer’m-o val e detit, merm’ dhe mu të mjerën).

Dirigjenti Rafet Rudi tregoi për KultPlus se kori e meriton të përfaqësoj muzikës korale jashtë Kosovës. Një pasuri kjo e cila ka qenë befasi për publikun jashtë Kosovës.

“Jam shumë i lumtur dhe i falënderoj koristët, janë treguar tejet bashkëpunues dhe duhet që të dini se kori në gjirin e tij ka talent të jashtëzakonshëm. Ju i shihni si tersi prej 50 vetash por në brendi ka individualitet të jashtëzakonshme. Të gjithë ne duhet që të kujdesemi për ta dhe për gjendjen e tyre materiale, pasi që nuk është e pranueshme që një anëtarë me një performancë të tillë të lartë të shpërblehet sa një mësues i shkollës fillore. Kjo ka qenë një temë në muajt e fundit dhe dua që të them se ata e meritojnë një kujdes shumë më të madh dhe sidomos për faktin se tashmë kemi dalë me interpretime edhe jashtë Kosovës”, tha ai.

Drejtoresha e Festivalit, Donika Rudi tha se festivali këtë vit ka ardhur me një shtrirje shumë të gjerë programore, me segmente të reja të cilat në të ardhmen shpreson që do të zhvillohen edhe më shumë. Segmente të tilla si “ReMusica Edukative”, “Remusica Virtuale”, “ReMusica n’shesh”, e të tjera.

“Jemi shumë të lumtur që këtë vit kemi pasur periudha të ndryshme kohore, koncerte të profileve të ndryshme por në të njëjtën kohë edhe segmente të tjera të cilat kanë qenë të kapshme edhe për fëmijët por edhe për moshat e ndryshme. Diçka që ka qenë edhe në fokus tonë pra një shtrirje e tërësishme duke i ofruar publikut zgjedhje në mënyrë që ata ta gjejnë veten se ç’farë iu pëlqen Sigurisht festivali do vazhdojë që të jetë i hapur ndaj artistëve të huaj që kanë dëshmuar veten, ndaj kompozitorëve por edhe për interpretuesve tonë”, tha ajo.

Sipas saj organizmi i një festivali në Kosovë ka përgjegjësi shumë të mëdha pasi që nuk ka agjendë kulturore gjatë vitit ndërsa buxheti mbetet problem kryesor. Mungesa e sallës koncertale është vënë në fokus edhe nga ky festival i cili ka ‘protestuar’ duke treguar se si është të jesh në një sallë të tillë në mënyrë vizuale.

Vazhdimi i një festivali kërkon shumë punë, vullnet dhe sidomos shumë dashuri, diçka që nuk ju mungon organizatorëve të këtij festivali. Kështu që ndjekësve të këtij festivali u mbetet që të presin edicionin e radhës./ KultPlus.com