Alberina Haxhijaj
Dita e fundit e festivalit FemArt ka sjellë në Prishtinë performancën teatrale “Vajzat”, me autore Jillian Greenhalgh. Performancë e cila është pjesë e projektit Magdalena, shkruan KultPlus.
Gratë e zgjedhura për këtë performancë qëndronin të ulura në tavolinën e mbuluar më të zezë, mbi të cilën qëndronin objekte të ndryshme të cilat ato i kishin zgjedhur, objekte që fshihni histori prapa tyre. Tavolina kishte dy karrige, një ku ulej treguesja e historisë dhe tjetra për përcjellësin e festivalit i cili ulej pranë saj për të dëgjuar historinë që ajo do i zbulonte. Në mesin e grave që sollën historitë e tyre ishin Meli Qena, Valdete Idrizi, Aurita Agushi, Genta Ramadani, Mina Nikolic, Shqipe Gashi, Reneta Duda, Qendresa Loki.
Pjesa intriguese e kësaj performance ishte fakti se në tavolinë gjendeshin disa objekte. Kështu treguesja e historisë përzgjidhte se cilën histori të tregonte, të fshehtën e cilit objekt të vinte në pah. Kështu pjesëmarrësit e kësaj performance uleshin me radhë, herë te njëra grua e herë te tjera. E kur e gjitha përfundoi ata lanë Galerinë e Fakultetit të Arteve më histori të ndryshme të dëgjuara nga e njëjta grua. Kjo mënyrë e përzgjedhjes së historive solli diskutime edhe pas përfundimit të performancës, pasi që, pjesëmarrësit ndanin me njëri-tjetrin historitë që dëgjuan duke u munduar që të zbërthenin ngjarjen e plotë që shpërfaqnin objektet mbi tavolina.
Autorja e saj Jillian Greenhalgh, e cila është edhe pjesë e stafit të projektit Magdalena tregoi për KultPlus, më shumë për projektin dhe performancën.
“Projektin Magdalena e kemi filluar në vitin 1986, Rrjeti Ndërkombëtar i Grave në Teatër Bashkëkohorë dhe është në gjithë botën për momentin. Kemi shumë festivale gjatë gjithë kohës nën ombrellën e projektit Magdalen e që është për gra. Kështu kam takuar edhe Zana Krasniqin, drejtoreshën e festivalit gjatë pjesëmarrjeve në Beograd dhe edhe në Danimarkë. Zana e ka parë këtë performncë dhe na ka ftuar pra jemi dy gra, e që të dyja kemi festivalet tona për gratë”, tha ajo.
Kjo performancë e cila është shfaqur në shumë vende të botës tani ka edhe Kosovën në hartën e vendeve ku është shfaqur.
“Performancën e kam bërë në shumë vende, është një strukturë me të cilën unë çdoherë vi dhe me një punëtori 20 orësh ku mbledhim historitë, objektet, rregullojmë tavolinat dhe praktikojmë. Gjëja më e rëndësishme sipas meje është të marrësh në kontroll tavolinën. Gratë duhet që ta marrin situatën në kontroll dhe historitë, të mos shfaqin emocione e as të jenë sentimentale. Thjeshtë të dhurojnë historitë si një dhuratë për çdo njërin nga pjesëmarrësit”, u shpreh autorja.
Në këtë performancë çdo grua kishte rreth 10 histori për të treguar, histori të cilat lidheshin rreth një personazhi, një lidhje që ato e kanë zgjedhur, një person, nënë, motër, gjyshen apo këdo tjetër.
“Është një performancë e cila funksion në çdo vend, së fundi e kam shfaqur edhe në Gjermani dhe në Francë dhe pas Kosovës do të shkoj në Brazil. Atje do e bëjë të njëjtën performancë por vetëm me burra, pra do e përdor të njëjtën strategji. Pres më padurim të shoh sesi do të ec pasi që duhet të jesh i guximshëm por edhe i ndjeshëm në të njëjtën kohë gjatë performancës”, përfundoi ajo.
Projekti Magdalena është një rrjet dinamik ndër-kulturor i teatrit dhe performancës së grave, duke lehtësuar diskutimin, mbështetjen dhe trajnimin kritik. Është një lidhje për grupet e ndryshme të performancës dhe individët, interesi i përbashkët i të cilëve qëndron në angazhimin për të siguruar vënien në pah të përpjekjeve artistike të grave./ KultPlus.com